ATV

Category: Lajme

  • Aksion kontrollues në Kosovë, gjoba për 37 shoferë të kamionëve

    Aksion kontrollues në Kosovë, gjoba për 37 shoferë të kamionëve

    Janë shqiptuar 37 masa për kundërvajtje, gjatë një kontrolli aksional ndaj shoferëve të kamionëve në të gjithë vendin, njoftoi sot Ministria e Punëve Brendshme.

    “Dje, në periudhën nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 14:00, në zonat e disa Sektorëve për Punë të Brendshme, Njësia Mobile për Sigurinë në Trafikun Rrugor në Departamentin e Çështjeve të Trafikut kreu kontroll aksional të intensifikuar në trafikun rrugor, me qëllim sanksionimin e shkeljeve të kryera nga drejtuesit e automjeteve të mallrave. Gjatë kontrollit, u vendosën gjithsej 37 masa për shkelje të rregullave të trafikut”, informoi MPB.

    Nga këto, 12 masa kanë të bëjnë për shkak të mbingarkesës, transportit të jashtëzakonshëm dhe mospërdorimit të një mushamaje, një gjobë për pajisje të detyrueshme në kamionë, një gjobë për automjet teknikisht të dëmtuar dhe 10 gjoba për shkelje të tjera të trafikut.

    “Përveç kësaj, u paraqitën 13 kërkesa për të filluar procedurë kundërvajtjeje kundër personave ligjorë dhe përgjegjës. Janë përgatitur raporte përkatëse për të gjithë shkelësit. Kontrollet e trafikut do të vazhdojnë në periudhën në vijim. U bëjmë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë vazhdimisht rregullat dhe rregulloret e trafikut. Vetëm me sjellje të përgjegjshme mund të kontribuojmë së bashku për rrugë më të sigurta”, thonë nga MPB.

  • Moszbatimi i pagës minimale, Azemi: Inspektorati i punës ka pranuar shumë ankesa nga punëtorët

    Moszbatimi i pagës minimale, Azemi: Inspektorati i punës ka pranuar shumë ankesa nga punëtorët

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në emisionin “Compass” në ATV, tha se shumë kompani dhe institucione private nuk po e zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për pagën minimale, ndërsa për rastet janë njoftuar edhe institucionet përgjegjëse.

    Sipas tij, Inspektorati i Punës ka pranuar që nga janari shumë ankesa nga punëtorët për moszbatimin e pagës minimale.

    Azemi tha se disa kompani tashmë janë ndëshkuar.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • “Derivatet e shtrenjta mund të rrisin inflacionin dhe koston e produkteve” – Shahini paralajmëron rritje të çmimeve

    “Derivatet e shtrenjta mund të rrisin inflacionin dhe koston e produkteve” – Shahini paralajmëron rritje të çmimeve

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka paralajmëruar se tensionet në Lindjen e Mesme dhe çrregullimet në tregun global të energjisë po ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e derivateve dhe produkteve në Kosovë.

    Ai tha se situata në tregjet ndërkombëtare tashmë reflektohet edhe në tregun vendor.

    Shahini theksoi se nëse situata në Lindjen e Mesme vazhdon, rritja e çmimeve të derivateve do të reflektohet edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, duke rritur çmimin për transportin, industrinë dhe konsumatorët.

    “Ngritja e çmimit të derivateve të naftës do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e transportit, qoftë të mallrave, qoftë të udhëtarëve, në industri dhe te konsumatorët. Prandaj, pritet që edhe produktet e tjera mund të shtrenjtohen. Inflacioni tashmë është rreth 6%, e që për Kosovën është i lartë. Prandaj, është më se e natyrshme të kenë përgjegjësi institucionet shtetërore të Kosovës, deputetët e Kosovës, politikanët e Kosovës, t’i krijojnë institucionet sa më shpejt në mënyrë që ne të kemi një qeveri, një presidencë stabile në këtë kohë të krizave, qoftë të krizave globale ekonomike, qoftë të krizave dhe kërcënimeve të njëpasnjëshme që globi po kërcënohet nga fuqitë dhe nga luftërat që janë tashmë të njohura; edhe Ukraina tash e katër vjet ku tregjet kanë ndryshuar, tash në Lindjen e Mesme ku disa shtete janë të implikuara në mënyrë direkte dhe indirekte”, u shpreh ai.

    Ai paralajmëroi se rritja e kostos së transportit do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në çmimet e produkteve të importuara dhe atyre vendore, duke pasur parasysh varësinë e madhe të Kosovës nga importi.

    “Në momentin kur ne rreth 7 miliardë importojmë brenda vitit të kaluar, dhe ato janë drejtpërdrejt të lidhura me transport, transporti kur shtrenjtohet me domosdo ka me u shtrenjtuar edhe produktet të cilat ne i importojmë, por edhe produktet e brendshme. Prandaj, energjia dhe derivatet janë produkt kryesor në prodhim, në shërbim, në tregti, po ashtu edhe në konsum të përditshëm dhe kjo do të ndikojë dukshëm edhe në varfërinë e shportës konsumuese të qytetarëve, por edhe në ngritjen e çmimit dhe një inflacion i cili do të mund të jetë i pandalshëm”, shtoi Shahini.

  • Komuna e Kamenicës kërkon lirimin e hapësirave publike deri më 31 mars

    Komuna e Kamenicës kërkon lirimin e hapësirave publike deri më 31 mars

    Komuna e Kamenicës po kërkon lirimin e hapësirave publike deri më 31 mars të këtij viti.

    Zotrim Kastrati, drejtor për shërbime publike dhe inspektorat në këtë komunë, në emisionin “Fol me Arin”, tha se ky vendim është marrë për shkak se rreth 90% e kioskave nuk shfrytëzohen nga pronarët e tyre.

    “Me këtë vendim komuna kërkon të vendosë ligjshmëri, rregulla për shfrytëzimin e hapësirave publike, si dh sigurimin e trajtimit të barabartë për qytetarët në biznes”, tha ai në Klan Kosova.

  • Gruda akuzon presidenten për shkelje kushtetuese, thotë se amendamentet e vitit 2011 s’mund të procedohen pas një periudhe kaq të gjatë

    Gruda akuzon presidenten për shkelje kushtetuese, thotë se amendamentet e vitit 2011 s’mund të procedohen pas një periudhe kaq të gjatë

    Deputeti i Partisë Demokratike në Kosovës, Përparim Gruda, në emisionin CONTEXT në ATV ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani e ka shkelur Kushtetutën.

    Gruda akuzoi Osmanin se ajo ka bërë shkelje kushtetuese duke dërguar në Kuvend për trajtim amandamente kushtetuese të hartuara në vitin 2011.

    Sipas Grudës, një propozim për ndryshim kushtetues nuk mund të procedohet drejtpërdrejt në Kuvend pa kaluar më parë në Gjykatën Kushtetuese.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Propozimi për president, Nagavci: Konjufca kishte mbështetje më të madhe se Osmani

    Propozimi për president, Nagavci: Konjufca kishte mbështetje më të madhe se Osmani

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se Glauk Konjufca u propozua për president pasi u vlerësua se kishte mbështetje më të madhe nga deputetët për ta përmbyllur procesin e zgjedhjes së presidentit.

    Ajo i bëri këto komente mbrëmë në emisionin “Context” në ATV.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Një shqiptar ishte dëshmitar i ngjarjes tronditëse në Zvicër: Gomat e autobusit fluturuan 200 metra larg

    Një shqiptar ishte dëshmitar i ngjarjes tronditëse në Zvicër: Gomat e autobusit fluturuan 200 metra larg

    Një autobus që po digjej në qendër të Kerzers në Fribourg të Zvicrës mori gjashtë jetë njerëzish të martën në mbrëmje dhe i la të lënduar pesë të tjerë. Dëshmitarët okularë raportojnë për skena dramatike dhe një përhapje shpërthyese të flakëve.

    Kur të martën në mbrëmje rreth orës 18.25 në Kerzers FR autobusi u përfshi nga flakët, banorëve dhe kalimtarëve iu shfaq një pamje tmerri. Gjashtë njerëz humbin jetën në zjarrin shkatërrues, të paktën pesë të tjerë u lëdnuan. Garazhisti Astrit B.* (40), punishtja e të cilit ndodhet jo larg vendit të zjarrit, përshkruan për gazetën zvicerane Blick minutat dramatike në të cilat u zhvillua gjithçka.

    Siç deshi rastësia, te ai ndodheshin pikërisht policë, sepse te ai ishte bërë një vjedhje. “Pastaj njëri nga policët papritur tha: ‘Ju lutem qëndroni pak të qetë’ – ai po dëgjonte komunikimin në radio. Pak më vonë tha: ‘Duhet të nisemi menjëherë, është një emergjencë’”, tregon ai.

    “Ajo që pashë pastaj ishte tronditëse”

    Pak më pas garazhisti sheh të ngrihet një re gjigante tymi të zi. “Policët hipën në veturë dhe brenda 30 sekondash ishin atje. Unë shkova menjëherë pas tyre – ajo që pashë pastaj ishte tronditëse”.

    Autobusi kishte marrë flakë në mes të qendrës së fshatit. “Nga nxehtësia shpërthyen edhe gomat dhe fluturuan deri në 200 metra larg”, kujton dëshmitari. Dy policë – një burrë dhe një grua – kishin qenë të parët në vendngjarje dhe kishin provuar të koordinojnë operacionin e shpëtimit.

    Zjarrfikësit, baza e të cilëve ndodhet drejtpërdrejt përballë garazhit, kishin nevojë për disa minuta derisa të mund të ndërhynin. “Gjithçka ndodhi kaq shpejt – dhe pastaj brenda pak çastesh gjithçka u përfshi nga flakët”, thotë garazhisti.

    “Gruaja ime zakonisht udhëton gjithmonë me këtë autobus”

    Se si i shpëtuan disa njerëz kësaj tragjedie, e tregon historia e Justyna S.* (39) nga Kerzers. Normalisht ajo shkon çdo ditë në punë pikërisht me këtë linjë autobusi postar, tregon bashkëshorti i saj. “Kishim vërtet fat – gruaja ime zakonisht shkon gjithmonë me këtë autobus në punë. Sot pata fatin ta marr vetë personalisht”.

    Nëse ai do të ishte nisur vetëm pak më vonë, gjithçka do të dukej ndryshe, është i bindur ai: “Nëse do të isha vonuar ose nuk do të kisha mundur ta merrja, ajo do të kishte udhëtuar me këtë linjë – dhe unë nuk do t’ia falja kurrë vetes”. Gruaja e tij është veçanërisht e tronditur, sepse ajo i njeh shoferët në atë linjë dhe çdo ditë udhëton me ta.

  • Një grua sulmohet nga dy të tjera në Mitrovicën Veriore, policia heton rastin

    Një grua sulmohet nga dy të tjera në Mitrovicën Veriore, policia heton rastin

    Policia e Kosovës, në raportin e saj të përditshëm ka njoftuar për një rast të sulmit që ka ndodhur në Mitrovicën Veriore.

    Në raport bëhet e ditur se një femër është sulmuar nga dy të tjera, pas një mosmarrëveshjeje verbale që kanë pasur.

    ‘’SULM

    Rr. Llola Ribar, Mitrovicë Veri / 10.03.2026 – 21:10. Është raportuar se dy femra pas një mosmarrëveshje verbale e kanë sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare dhe pastaj janë larguar me veturë në drejtim të panjohur. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin’’, ka njoftuar Policia.

  • Rreth 2 mijë e 600 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për mbi 60 aksidente

    Rreth 2 mijë e 600 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për mbi 60 aksidente

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit, janë shqiptuar 2598 gjoba trafiku.

    Nga policia bëhet e ditur edhe se, gjatë kësaj kohe janë raportuar të kenë ndodhur mbi 60 aksidente.

    Po ashtu njoftohet se, janë arrestuar 21 persona, ku 10 janë dërguar në mbajtje.

  • “Më mbajti një orë duke më maltretuar psiqikisht”, dëshmitarët rrëfejnë se në çfarë rrethanash e njohën të akuzuarin Pantiq

    “Më mbajti një orë duke më maltretuar psiqikisht”, dëshmitarët rrëfejnë se në çfarë rrethanash e njohën të akuzuarin Pantiq

    Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, janë dëgjuar dëshmitarët Ukshin Imeraj dhe Beslim Gashi, të cilët treguan se si dhe në çfarë rrethanash njohën të akuzuarin Pantiq.

    Dëshmitari Ukshin Imeraj, tha se ishte maltretuar psiqikisht për një orë nga Pantiqi, teksa tregoi për mënyrën se si ishte takuar me të, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ai tha se në fund të muajit shtator të vitit 1998 ishin vendosë në një shtëpi te të afërmit e tij në Istog dhe se kishte për qëllim të pajisej me pasaportë.

    “Sepse synimi ka qenë me shku te vëllai në Gjermani, i cili ishte atje nga viti 1995 sepse siguria ishte e keqe. Dhe, diku 5-6 ditë ka zgjat procedura e aplikimit dhe zyrtarja që ka qenë për pasaportë ma ka jep një numër dhe i kam thënë pse po ma jep, por ma ka jep këtë numër. Më tha ‘ti ki me u lajmëru në një numër tek kryeshefi i policisë Pantiqi’”, tha Imeraj.

    Ai tha se objekti i Komunës atëkohë ka qenë në objekt të njëjtë me Stacionin Policor, dhe kishte shkuar tek zyra e tij.

    “Duke pritë ka ardhur dhe e ka hapë një derë, dera e parë ka qenë me grila dhe dera e dytë ka qenë e izoluar me një lloj lëkure e ka hap edhe atë derë dhe ka thënë hyn brenda dhe i ka mbyllë dyert dhe e ka mbyllë edhe derën tjetër”, tha ai.

    Dëshmitari tregoi se çfarë i tha tani i akuzuari pasi hyri në zyrën e tij.

    “Ai është vendosë në karrige të vet, e unë në një të kuqe dhe tha a di pse të kam thirrë dhe më tha ti vjen prej Padalishtës që është zonë e luftës. Unë i thash që babain e kam të vjetër dhe i thash po du me u pajisë me pasaportë dhe më ka mbajtë një orë duke më maltretuar psiqikisht, jo fizikisht. Në momentin që është ulë në tavolinë e ka vendos një pendrek dhe e ka vendos në tavolinë për me m’bo presion”, rrëfeu tutje Imeraj.

    Paraprakisht, Imeraj tregoi se ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të shkonin në livadhet e Istogut, saktësisht në Stanajt e Bujupëve.

    Dëshmitari deklaroi se prindërit e tij kishin shkuar në qytet nga Stanajt për të marrë bukë dhe aty, sipas tij, babai tij ishte takuar me Momir Pantiqin.

    “Babai erdhi i shqetësum dhe iu bashkua grupit dhe unë e pyeta atë dhe nënën ishin të zbehur dhe aty më tregoi që e kanë taku Pantiqin. Babai ka tregu që ai ka qenë i uniformuar. I ka thënë babait “Ikni largonu nga këtu dhe vazhdoni kah ju kam thënë me shku”. I ka folë në gjuhën serbe”, u shpreh Imeraj.

    I akuzuari Pantiq pyeti Imerajn për deklarimin e këtij të fundit rreth njohjes së tij, duke thënë se dëshmitari kishte deklaruar se i akuzuari Pantiq ishte zeshkan dhe 1.80 cm dhe se ka pasur rreth 45 vjet. Por, dëshmitari Imeraj tha se nuk ka përmendur formën trupore dhe as vitet.

    “Kam thënë brun, përafërsisht kam thënë ndoshta 45 vjet. Me siguri e kam thënë. Po s’ja kam përcaktu. Nuk më kujtohet”, tha dëshmitari Imeraj.

    Dëshmitari tjetër që u dëgjua në seancën e të martës është Beslim Gashi, i cili tregoi se si kishte gjetur trupin e pajetë të një personi të quajtur Ramë. Ai tha se bashkë me të, ishte edhe një person i quajtur Ali Gashi.

    “Ramën, e kam gjetur të palum, të masakrum, ka qenë 70 e diçka vjeçar dhe ka qenë çoban, që ka ruajtur lopë, e kam gjet në vendin midis Rovice, bjeshka afër Moknes“, tha dëshmitari Gashi.

    Ai tha se rastin e kanë lajmëruar në Polici, saktësisht tek komandanti Momir Pantiq.

    “Po direkt te komandanti Pantiqi. Kam shku vetë i dyti, me vëllanë e viktimës i cili nuk jeton më dhe kam pyet për Pantiqin, e kam kërku dhe më kanë njoftu që është në mbledhje dhe pas 10 minutave ka dalë. Na ka pytë ku është mbytë dhe i kam tregu dhe ka thënë nuk është në territor të Istogut, por në territorin e Serbisë, Zubin Potokut. Dhe unë i kam thënë në Istog, më ka thënë nuk të intereson ty dhe m’i ka dhënë dy minuta me u zhdukë prej aty”, tha dëshmitari Gashi.

    Dëshmitari tha se paraprakisht kishte dëgjuar për Pantiqin, por që nuk e kishte takuar asnjëherë. Teksa, në stacion sipas tij, Pantiqi kishte qenë me rroba civile.

    Dëshmitari u pyet nga i akuzuari Pantiq nëse e kishin lëvizur trupin e viktimës, por ai tha se këtë e kanë bërë pasi nuk iu është ofruar ndihmë në Stacionin e Policisë në Istog.

    “Ne vetëm i kemi largu disa degë dhe gjethe që i kanë vendosë mbi trupin e masakruar dhe e kemi pa, por me dorë s’e kemi prekë dhe kemi shkuar tek stacioni, masandej e kemi çu dhe e kemi varrosur”, shtoi tutje dëshmitari Gashi.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

    Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

    Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut.