ATV

Category: Lajme

  • Përparim Rama vlerëson Yll Limanin: I ndan mirënjohje për kontributin në muzikë

    Përparim Rama vlerëson Yll Limanin: I ndan mirënjohje për kontributin në muzikë

    Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama ka pritur sot në takim këngëtarin e njohur shqiptar Yll Limani, të cilit i ka ndarë një mirënjohje për kontributin e tij në fushën e artit dhe kulturës.

    Sipas njoftimit të Kryeqytetit, Rama e ka falënderuar Limanin për promovimin e muzikës shqiptare, përfaqësimin dinjitoz të Prishtinës dhe ndikimin pozitiv që ka te brezat e rinj përmes krijimtarisë së tij muzikore.

    “Ylli mbetet një prej zërave më të dashur të muzikës shqiptare dhe një ambasador i denjë i talentit dhe kulturës sonë”, thuhet në njoftim.

    Gjatë takimit është vlerësuar roli i artistëve në promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar, si dhe kontributi i tyre në skenën vendore dhe ndërkombëtare.

  • Seanca konstituive më 6 gusht, Cakolli: Mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit

    Seanca konstituive më 6 gusht, Cakolli: Mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit

    Sot ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka caktuar për 6 gusht në ora 10:00 seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

    E lidhur me këtë ka reaguar sot Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

    Cakolli në një postim në Facebook shkruan se caktimi i seancës konstituive për 6 gusht, përveçse është veprim i vonuar, është edhe institucionalisht i papërgjegjshëm.

    Lexoni të plotë postimin e tij:

    Caktimi i seancës konstituive për 6 gusht, përveçse është veprim i vonuar, është edhe institucionalisht i papërgjegjshëm.

    Pjesa më problematike e caktimit të seancës më 6 gusht lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se, në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij. Kjo do të thotë se 6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të dhe, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e Presidentit.

    Në anën tjetër, më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së Presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së Presidentit tashmë të ketë përfunduar.

    Kjo do të thotë se mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit, që është i vetmi funksion me mandat kushtetues për ta formalizuar shpërndarjen e Kuvendit, për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për ta propozuar mandatarin për Kryeministër.

    Aq më keq që, koha që u tha se po lihet në dispozicion për negociata rreth zgjedhjes së Presidentit po kalon jo vetëm pa marrëveshje politike, por edhe pa asnjë raund të ri takimesh ndërpartiak.

  • AKB: Kosova rrezikon të humbasë qindra milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

    AKB: Kosova rrezikon të humbasë qindra milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

    Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të fondeve të parapara nga Bashkimi Evropian, për shkak të vonesave në zbatimin e reformave të kërkuara në kuadër të Planit të Rritjes, ka paralajmëruar Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB).

    Sipas AKB-së, vonesat e institucioneve të Kosovës në përmbushjen e obligimeve të përcaktuara nga ky plan kanë ndikuar në ritmin e përfitimit të fondeve evropiane, duke e vendosur vendin në një pozitë më të pafavorshme krahasuar me shtetet tjera të rajonit.

    Kosova ka në dispozicion 882.6 milionë euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për periudhën 2024–2027, por deri më tani ka përfituar vetëm 61 milionë euro në formë parafinancimi, që përbëjnë rreth 7 për qind të shumës së përgjithshme. Ndërkohë, sipas AKB-së, vendi ende nuk ka marrë pagesa të rregullta nga ky mekanizëm financiar.

    AKB thekson se Kosova ishte vendi i fundit në rajon që dorëzoi raportin për zbatimin e reformave, duke e bërë këtë vetëm pak para përfundimit të afatit. Sipas organizatës së bizneseve, kjo tregon mungesë të planifikimit strategjik, koordinimit institucional dhe përgjegjësisë ndaj një procesi me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.

  • ASK: Prodhimet bimore në Kosovë u shtrenjtuan 10 për qind më shumë se vjet

    ASK: Prodhimet bimore në Kosovë u shtrenjtuan 10 për qind më shumë se vjet

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore shënoi rritje në tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2026, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025

    ASK njofton se ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë, gjersa grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

    “Në TM2 2026, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 10.0%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 2,9%,krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, gjersa Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 6,3 %, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

    Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: prodhimet bimore dhe ato blegtorale.

    Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

    Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula.

    Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.

    Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.

    ASK njofton të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

  • Musliu: Presioni ndaj PDK-së për t’ia votuar presidentin VV-së është i padrejtë

    Musliu: Presioni ndaj PDK-së për t’ia votuar presidentin VV-së është i padrejtë

    Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Ganimete Musliu, ka bërë me dije se kësaj partia në mënyrë të padrejtë po i bëhet presion për të ia votuar VV-së kandidatin për president.

    Ajo ka vlerësuar se kjo parti nuk do t`i nënshtrohet këtij presioni.

    Në profilin e saj në Facebook, Musliu ka shkruar se interesi i Kosovës nuk është që një parti t’i ketë nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit.

    “Presioni ndaj PDK-së që, në emër të “interesit të Kosovës”, t’ia japë votën kandidatit të Vetëvendosjes për President është i padrejtë dhe i papranueshëm. PDK nuk do t’i nënshtrohet një presioni të tillë. Interesi i Kosovës nuk është që një parti t’i ketë nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit. Interesi i Kosovës është të ketë institucione të ndërtuara mbi Kushtetutën, sundimin e ligjit, kontrollin demokratik dhe balancën e pushteteve”, ka shkruar ajo.

    Sipas saj, vota e PDK-së shkon vetëm për interes të Kosovës.

    “Vota e PDK-së nuk është pronë e askujt dhe nuk jepet për t’i mundësuar asnjë partie përqendrimin e pushtetit. Ajo jepet vetëm kur i shërben interesit të qytetarëve, demokracisë dhe funksionimit të shëndetshëm të shtetit. Kosova nuk ka nevojë për pushtet të pakufizuar në duart e një force politike. Ka nevojë për institucione të pavarura, që kontrollojnë njëra-tjetrën dhe u shërbejnë qytetarëve, e jo interesave partiake”, ka shkruar ajo.

  • Ministria e Bujqësisë publikon rekomandime për fermerët pas dëmeve nga breshëri

    Ministria e Bujqësisë publikon rekomandime për fermerët pas dëmeve nga breshëri

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka publikuar një varg rekomandimesh për fermerët lidhur me trajtimin e pemëve frutore pas dëmtimeve të shkaktuara nga breshëri.

    Sipas Ministrisë, pas goditjes nga breshëri, prioritet kryesor është mbrojtja e plagëve të krijuara në bimë, parandalimi i infeksioneve dhe ndihma në rikuperimin e kulturave bujqësore.

    Në rekomandimet e publikuara, MBPZHR ka këshilluar fermerët që fillimisht të aplikojnë preparate me bazë bakri për dezinfektimin e plagëve dhe uljen e rrezikut nga infeksionet bakteriale dhe kërpudhore.

    “Rekomandohet aplikimi i preparateve me bazë bakri për dezinfektimin e plagëve dhe uljen e rrezikut të infeksioneve bakteriale dhe kërpudhore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, ku përmenden preparate si hidroksidi i bakrit, oksikloruri i bakrit dhe lëngu Bordolez.

    Sipas MBPZHR-së, këto preparate krijojnë një shtresë mbrojtëse në sipërfaqet e dëmtuara dhe zvogëlojnë mundësinë e depërtimit të patogjenëve përmes plagëve të shkaktuara nga breshëri.

    Ministria ka rekomanduar që 2 deri në 5 ditë pas trajtimit fillestar të përdoren biostimulantë për të ndihmuar bimën në tejkalimin e stresit fiziologjik dhe rigjenerimin e indeve të dëmtuara.

    Në këtë fazë, fermerëve u sugjerohet përdorimi i aminoacideve, ekstrakteve të algave detare, acideve humike dhe fulvike, si dhe preparateve me bazë silici.

    Po ashtu, për rikuperimin e pemëve frutore rekomandohet edhe një program i balancuar ushqyes, i cili përfshin kalcium dhe bor për forcimin e indeve të reja, azot në doza të moderuara për rigjenerimin e masës gjethore dhe kalium për rritjen e rezistencës së bimës ndaj stresit.

    MBPZHR ka bërë thirrje që fermerët të monitorojnë rregullisht gjendjen e pemishteve, pasi pas breshërit rritet rreziku i shfaqjes së sëmundjeve kërpudhore dhe bakteriale.

    “Trajtimet fitosanitare duhet të zbatohen sipas vlerësimit të dëmtimeve, kushteve klimatike dhe rekomandimeve për kulturën përkatëse, duke respektuar preparatet e regjistruara dhe udhëzimet e etiketës”, ka bërë të ditur Ministria.

    Sipas njoftimit, rekomandimet duhet të përshtaten me llojin e pemës frutore, fazën e zhvillimit, shkallën e dëmtimit dhe kushtet agroklimatike të zonës.

    Departamenti i Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike i MBPZHR-së ka inkurajuar fermerët që të ndjekin praktikat profesionale bujqësore dhe të kërkojnë këshilla në Qendrat Informative Këshillimore Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

  • Akuzat e partive për vonesa në caktimin e seancës konstituive: Dhashë kohë, s’kërkuan të veprojë shpejt

    Akuzat e partive për vonesa në caktimin e seancës konstituive: Dhashë kohë, s’kërkuan të veprojë shpejt

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ende nuk ka një afrim të dukshëm ndërmjet partive politike për arritjen e një marrëveshjeje rreth zgjedhjes së presidentit të vendit.

    Në një konferencë për media, Haxhiu tha se nuk ka qenë nën presion nga partitë politike për ta thirrur sa më shpejt seancën konstituive të Kuvendit, duke shtuar se vonesa ishte e qëllimshme për t’u dhënë kohë subjekteve politike të arrijnë një dakordim, duke pasur parasysh edhe afatet kushtetuese.

    “Sa i përket çështjes së akuzave nga partitë politike, unë dua ta them hapur: nuk e kam ndier veten nën presionin e partive politike që të thërras seancën konstituive. Nuk po flas për individë; deri tani, dy deputetë nga Aleanca e kanë përmendur këtë çështje, por nuk kam pasur kërkesa nga partitë politike që unë të veproj sa më shpejt. Arsyeja pse nuk kam vepruar e përmenda në fillim të fjalës sime: ishte pikërisht për t’u dhënë kohën në dispozicion për të arritur deri tek një marrëveshje, për shkak të afateve kushtetuese. Por, spekulimeve që po planifikojnë një raund tjetër zgjedhor, unë do t’u përgjigjesha me ftesën e tyre për takime serioze dhe për diskutime se si ta tejkalojmë situatën aktuale. Është e vërtetë që partia fituese, Vetëvendosje, i ka numrat edhe për konstituimin e Kuvendit, edhe për qeverinë. Por, mos i harroni akuzat që na bënin partitë politike në të kaluarën: ‘Pse u ngutët me konstituim? Pse u ngutët me qeveri?’. Pra, pikërisht kjo ka qenë arsyeja që kam konsideruar që, nëse ngutem, ata thonë ‘pse u ngute’; nëse s’ngutem, ‘pse s’ngute’. Nuk u bie tamam asnjëherë”.

    Megjithatë, Haxhiu konsideroi që ka “vepruar drejt dhe qëllimi im ka qenë më i miri: pra, që të jepet hapësira e nevojshme në dispozicion dhe që të mbërrihet një marrëveshje”.

    “Duket që nuk jemi shumë afër, por uroj që të intensifikohen takimet”, tha Haxhiu./EO/

  • Mbretëria e Bashkuar i kundërpërgjigjet kërcënimeve të Iranit

    Mbretëria e Bashkuar i kundërpërgjigjet kërcënimeve të Iranit

    Britania e Madhe ka “aftësi të përparuara” për të mbrojtur veten, thotë Qeveria mes kërcënimit të Iranit se do të “mbajë përgjegjësi” për lejimin e SHBA-së të përdorë bazat e Mbretërisë së Bashkuar.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit akuzoi qeverinë britanike për “bashkëpunim në krimin e agresionit dhe krimeve të luftës”, duke lejuar SHBA-në të kryejë “sulme të paligjshme”.

    Britania e Madhe ka refuzuar të marrë pjesë në fushata sulmuese kundër Iranit, por ka lejuar SHBA-në të nisë sulme mbrojtëse nga bazat britanike që strehojnë personel amerikan.

    Në një deklaratë, Irani tha se kushdo që mbështet “agresionin ushtarak kundër Iranit do të mbajë përgjegjësi për pasojat dhe pasojat e vendimit të tij”.

    Dhe kërcënimi nga Irani vjen ndërsa drejtori ekzekutiv i BAE Systems ka paralajmëruar se shpenzimet e mbrojtjes në Britani të Madhe “janë shumë më të ulëta” nga ajo që kërkohet.

    Charles Woodburn e përshkroi klimën aktuale si “kohën më kërcënuese që kam parë” dhe vuri në dukje përparimet e bëra nga Rusia në Ukrainë.

    Shtetet e Bashkuara kanë kryer 13 netë rresht sulmesh kundër objektivave në Iran, duke treguar përshkallëzim të mëtejshëm të mundshëm.

    Andy Burnham, kryeministri i ri britanik, ka ruajtur marrëveshjen e Keir Starmer për të lejuar SHBA-në të përdorë bazat britanike, përfshirë Fairford në Gloucestershire.

    Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha: “Forcat tona të armatosura janë të gatshme ta mbajnë Mbretërinë e Bashkuar të sigurt nga çdo lloj sulmi, qoftë në tokën tonë apo nga jashtë vendit. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme 24/7 për të mbrojtur veten. Kjo përfshin përmes operimit të një qasje të shtresuar ndaj mbrojtjes ajrore dhe raketore, të ofruar nga Marina Mbretërore, ushtria britanike dhe Forcat Ajrore të pajisura me një gamë të gjerë aftësish të përparuara, duke bashkëpunuar ngushtë me aleatët tanë të NATO-s”.

    “Qasja e Mbretërisë së Bashkuar ndaj konfliktit mbetet e njëjtë – ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur popullin tonë, interesat tona dhe aleatët tanë, duke vepruar në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe duke mos u përfshirë në konfliktin më të gjerë”, shtoi ai.

    Komentet e Iranit vijnë gjithashtu pasi Qeveria veproi për të përcaktuar Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si kërcënim për sigurinë kombëtare. Ata që kryejnë akte sabotimi në emër të grupit do të përballen me burgim të përjetshëm.

  • Komuna e Deçanit subvencionon 19 OJQ dhe klube sportive

    Komuna e Deçanit subvencionon 19 OJQ dhe klube sportive

    Kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj ka njoftuar se janë nënshkruar marrëveshjet me përfaqësuesit e 19 organizatave joqeveritare dhe klubeve sportive që kanë përfituar subvencione nga thirrja publike për vitin 2026.

    Sipas Ramosajt, kjo mbështetje synon të fuqizojë aktivitetet në fushën e rinisë, sportit dhe kulturës, duke krijuar mundësi për realizimin e projekteve të ndryshme në shërbim të komunitetit.

    “Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë mbështetjen për rininë, sportin dhe kulturën, duke u krijuar mundësi për realizimin e projekteve të tyre në fusha të ndryshme”, ka shkruar Ramosaj.

    Ai ka theksuar se pret që kjo mbështetje të sjellë rezultate pozitive për komunën dhe qytetarët e Deçanit, duke u uruar sukses organizatave dhe klubeve përfituese në realizimin e synimeve të tyre.

    “Besoj se kjo mbështetje do të shndërrohet në rezultate pozitive për komunën dhe qytetarët tanë”, ka thënë kryetari Ramosaj.

  • Haxhiu e cakton seancën konstituive më 6 gusht, një ditë para skadimit të afatit kushtetues

    Haxhiu e cakton seancën konstituive më 6 gusht, një ditë para skadimit të afatit kushtetues

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka caktuar 6 gushtin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit.

    Seanca do të nisë nga ora 10:00.

    “Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun mes tyre askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, tha Haxhiu në një konferencë për media.

    Afati i fundit kushtetues për seancën konstituive ishte 7 gushti.