ATV

Category: Lajme

  • Paraburgim vetëm për shtetasin turk, dy zyrtareve të MPB-së u caktohet masa e arrestit shtëpiak

    Paraburgim vetëm për shtetasin turk, dy zyrtareve të MPB-së u caktohet masa e arrestit shtëpiak

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit ndaj dy zyrtareve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gylsen Jahiri dhe Fatma Shufta, duke u caktuar atyre masën e arrestit shtëpiak për një muaj, ndërsa shtetasit turk Dervis Keleci i është caktuar paraburgim. Aktvendimin e Gjykatës e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktvendimit, Gylsen Jahiri, zyrtare për pranimin e kërkesave për lejeqëndrim në Drejtorinë për Shtetësi, Azil dhe Migrim të MPB-së, dhe Fatma Shufta, zyrtare e lartë për financa në MPB, dyshohen se në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer në vazhdimësi veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Dervis Keleci dyshohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

    Gjykata ka vendosur që dy zyrtaret të qëndrojnë në arrest shtëpiak deri më 21 gusht 2026, ndërsa u janë konfiskuar edhe dokumentet e udhëtimit.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se veprat janë kryer në koordinim ndërmjet personave zyrtarë dhe një personi privat, me qëllim të sigurimit të dobisë pasurore. Në kërkesën për paraburgim thuhet se gjatë hetimeve janë siguruar deklarata dëshmitarësh, raporte të vëzhgimit, dokumente të sekuestruara dhe prova të mbledhura përmes masave të veçanta hetimore.

    Gjithashtu, janë sekuestruar telefonat mobilë të të dyshuarve për ekzaminim forenzik, si dhe dokumente të tjera që do t’i nënshtrohen analizës gjatë vazhdimit të hetimeve.

    Sipas Prokurorisë, Fatma Shufta në deklarimin e saj ka pranuar kryerjen e veprës penale, ndërsa Gylsen Jahiri dhe Dervis Keleci kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

    Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për të tre të dyshuarit, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe prova, si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.

    Sipas prokurorit, hetimet ndodhen në fazën fillestare dhe të dyshuarit, nëse mbrohen në liri, mund të ndikojnë në dëshmitarë, të koordinojnë deklaratat ose të pengojnë zhvillimin e mëtejmë të procedurës penale.

    Në seancë, avokati Ilir Tahiri, mbrojtës i Gylsen Jahirit, e kundërshtoi kërkesën për paraburgim, duke argumentuar se vetë ekzistimi i dyshimit të bazuar nuk mjafton për caktimin e masës më të rëndë dhe se Prokuroria nuk ka paraqitur rrethana konkrete që e bëjnë të domosdoshëm paraburgimin.

    Tahiri tha se provat materiale tashmë janë administruar nga organet e hetimit dhe se klientja e tij nuk ka asnjë mundësi reale të ndikojë në dëshmitarë apo të tjetërsojë provat, duke i cilësuar pretendimet e Prokurorisë si hipotetike.

    Ai propozoi që, në vend të paraburgimit, Gjykata të caktojë arrest shtëpiak, duke ofruar dorëzani prej 5 mijë eurosh, dorëzimin e pasaportës dhe të gjitha dokumenteve të udhëtimit, si garanci se Jahiri do t’i përgjigjet çdo ftese të organeve të drejtësisë.

    Sipas Tahirit, një rrethanë me rëndësi të veçantë është edhe gjendja e rënduar shëndetësore e klientes së tij, për të cilën tha se paraburgimi do të ndikonte drejtpërdrejt në përkeqësimin e saj.

    Ai u thirr edhe në parimin e proporcionalitetit, duke argumentuar se qëllimi i procedurës penale mund të arrihet me masa më të buta, ndërsa theksoi se Jahiri nuk ka rënë asnjëherë më parë ndesh me ligjin.

    Gjykata nuk e aprovoi kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj Jahirit dhe Shuftës, duke vlerësuar se, edhe pse ekziston dyshim i bazuar dhe rrezik potencial për ndikim në procedurë, masa e paraburgimit është shumë e rëndë dhe se qëllimi i sigurimit të pranisë së tyre dhe mbarëvajtjes së procedurës mund të arrihet përmes arrestit shtëpiak.

    Ndryshe, për Dervis Kelecin, Gjykata konstatoi se ekziston rrezik i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës penale, duke vlerësuar se asnjë masë më e butë nuk do të ishte e mjaftueshme. Për këtë arsye, ndaj tij u caktua paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji.

  • Miratohet Rregullorja e Brendshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Krasniqi: Forcojmë sigurinë dhe privatësinë

    Miratohet Rregullorja e Brendshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Krasniqi: Forcojmë sigurinë dhe privatësinë

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se ka nënshkruar Rregulloren e Brendshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pas përfundimit të procesit të konsultimit publik.

    Sipas Krasniqit, ky dokument përmbush një obligim që buron nga legjislacioni në fuqi dhe përcakton procedurat organizative dhe teknike për përpunimin e të dhënave personale të të punësuarve në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

    “Me nënshkrimin e këtij dokumenti, riafirmoj përkushtimin e MAPL-së për zbatimin e obligimeve ligjore, mbrojtjen e të dhënave personale, forcimin e sigurisë së informacionit, transparencën institucionale dhe respektimin e privatësisë së zyrtarëve dhe qytetarëve”, ka deklaruar Krasniqi.

    Ministri ka bërë të ditur se rregullorja e plotë është publikuar në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

  • Anëtarët e KGJK-së lëshojnë mbledhjen pas debatit për gjyqtarët serbë

    Anëtarët e KGJK-së lëshojnë mbledhjen pas debatit për gjyqtarët serbë

    Anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë lëshuar mbledhjen në të cilën do të shqyrtohej kërkesa e u.d. presidentes Albulena Haxhiu për tërheqjen e ofruara nga ish-gjyqtarët serbë të Gjykatës në Mitrovicë të Veriut.

    Gjatë diskutimit, anëtari i KGJK-së, Bashkim Hyseni, ka kërkuar që kjo çështje të jetë pika e parë e rendit të ditës, duke kërkuar përgjigje se pse trajtimi i dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb është vonuar për kaq gjatë.

    Haxhiu në konferencën e sotme i ka bërë thirrje KGJK’së që të veprojë njësoj si Këshilli Prokurorial për t’ia dërguar për dekretim emrat e gjyqtarëve të dorëhequr, të cilët më pas i tërhoqën ato.

    Bashkimi Europian dje bëri thirrje që të mos i bëhet presion KGJK’së për këtë çështje nga asnjë parti politike pasi zyrtarë të Vetëvendosjes dje kërkuan këshilli të marrë vendim për moskthimin në punë të gjyqtarëve serbë.

    EO ka publikuar videon nga ky moment.

  • Ulutaş dhe Krone diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë

    Ulutaş dhe Krone diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë

    Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO në Kosovë, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë gjeneralmajorin Alexander Krone, komandant i Divizionit të Parë të Blinduar të Gjermanisë.

    Sipas KFOR-it, gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në rajon, ndërsa gjeneralmajor Ulutaş ka rikonfirmuar përkushtimin e misionit për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    Komandanti i KFOR-it prezantoi gjithashtu aktivitetet në zhvillim dhe prioritetet kryesore të misionit.

    Me këtë rast, gjeneralmajor Ulutaş shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e kahershëm dhe të çmuar të Gjermanisë në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

  • Tragjedi në Shtime: Humb jetën 3-vjeçari, dyshohet se u ngulfat me një copë mishi

    Tragjedi në Shtime: Humb jetën 3-vjeçari, dyshohet se u ngulfat me një copë mishi

    Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në Shtime, ku një fëmijë 3-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se u ngulfat me një copë mishi.

    Sipas raportit zyrtar 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjatë ditës së djeshme nga Emergjenca e Ferizajt është raportuar se një viktimë, mashkull kosovar, është dërguar pa shenja jete nga Qendra Emergjente e Shtimës.

    “Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.

    Gazeta Express, nga burime të veta, ka mësuar se viktima është një fëmijë 3-vjeçar, i cili dyshohet se është ngulfatur nga një copë mishi.

    Familjarët i kanë ofruar menjëherë ndihmën e parë dhe më pas e kanë dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Shtime. Mjekët kanë arritur ta largojnë copën e mishit nga rrugët e frymëmarrjes, por fëmija kishte mbërritur pa puls dhe pa shenja jete.

    Më pas ai është transferuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Ferizaj, ku ekipet mjekësore kanë vazhduar përpjekjet për reanimim, por pa sukses. Në orën 19:40 është konstatuar vdekja e tij.

    Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Policia ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vazhdim.

  • Shpend Ahmeti dënohet me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

    Shpend Ahmeti dënohet me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti për mos raportim të pasurisë.

    Ahmeti po akuzohet se nuk ka deklaruar mjetet financiare në shumë prej 54 mijë e 400 euro të pranuara nga llogaritë personale të nënës së tij dhe 118 mijë euro të tij. Sipas Prokurorisë shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600.00 euro.

    Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të premtën më 24.07.2026 nga gjyqtari Leon Përlaska.

    Sipas Gjykatës, dënimi me 2 vite burg, do të ekzekutohet pas plotfuqshmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa dënimi me gjobë në lartësi prej 5 mijë euro, i akuzuari obligohet ta paguajë në afat prej 3 muajsh pas plotëfuqimërisë së këtij aktgjykimi.

    Në rast se i pandehuri nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë dënim me gjobë, Gjykata mund të ia zëvendësojë dënimin me gjobë, me dënim me burgim ku një ditë burgim do të llogaritet 20 euro gjobë.

    Tutje, Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për konfiskimine shumës së mjeteve të padeklaruara.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Shpend Ahmeti u obligua që të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 100 euro, si dhe shumën prej 100 euro për fondin e viktimave të krimit.

    Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

    Në shpallje të aktgjykimit nuk ishte prenzent i akuzuari Shpend Ahmeti.

    Kjo çështje penale është trajtuar në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues nga: Leon Përlaska (kryetar) Violeta Namani- Hajra dhe Medije Bytyqi (anëtare).

    Ndërsa aktakuza është përfaqësuar nga prokurori special Dren Paca./Kallxo.com/

  • Fillon mbledhja e KGJK-së, pritet të vendoset “fati” i gjyqtarëve serbë të dorëhequr

    Fillon mbledhja e KGJK-së, pritet të vendoset “fati” i gjyqtarëve serbë të dorëhequr

    Ka filluar mbledhja e 371-të e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ku në rendin e ditës është edhe pika në të cilën do të diskutohet vendimi për gjyqtarët serbë të dorëhequr.

    Në pikën e 9-të të rendit të ditës është diskutimi rreth kërkesës së u.d. presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.

  • Borë në korrik në Dobërdol të Podujevës, pamje të pazakonta nga reshjet

    Borë në korrik në Dobërdol të Podujevës, pamje të pazakonta nga reshjet

    Reshjet e borës kanë zbardhur Dobërdolin e Pejës, duke sjellë pamje të pazakonta për muajin korrik.

    Dobërdoli, i njohur si një vendbanim alpin në zonën kufitare me Malin e Zi dhe një ndër destinacionet më të frekuentuara gjatë verës, është mbuluar nga bora pas rënies së ndjeshme të temperaturave.

    Pamjet e publikuara nga kjo zonë tregojnë peizazhe dimërore në mes të verës, një fenomen i rrallë për këtë periudhë të vitit. /Ekonomiaonline

  • Incident në hapësirën ajrore të NATO-s: F-16 rumun rrëzon një dron

    Incident në hapësirën ajrore të NATO-s: F-16 rumun rrëzon një dron

    Një avion luftarak rumun F-16 ka rrëzuar një dron që hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë, tha Presidenti Nicuşor Dan, duke shënuar një incident të ri në hapësirën ajrore të një anëtari të NATO-s.

    “Këtë mëngjes rreth orës 11:00, një pilot rumun në një avion luftarak F-16 rrëzoi një dron që hyri në hapësirën ajrore të vendit tonë”, shkroi Dan në rrjetet sociale.

    Ai shtoi se incidenti ndodhi mbi një zonë të pabanuar, që do të thotë se droni mund të ishte rrëzuar pa rrezikuar popullsinë.

    “Ekipet nga institucionet përkatëse po kërkojnë aktualisht zonën për të përcaktuar të gjitha rrethanat e incidentit”, tha presidenti, pa zbuluar origjinën e dronit.

    Ministria rumune e Mbrojtjes tha se droni u rrëzua pranë Padinës, në rajonin lindor të Buzaut.

    Rumania, një anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian që ndan rreth 650 kilometra kufi tokësor me Ukrainën, ka raportuar vazhdimisht ndërhyrje me dron në hapësirën e saj ajrore që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, kryesisht gjatë sulmeve ruse në portet ukrainase.

    Në fund të majit, një dron goditi një pallat apartamentesh në Rumani, duke plagosur dy persona. Ishte hera e parë që një zonë me popullsi të dendur të një anëtari të NATO-s goditej në luftën në Ukrainë, me civilë të plagosur.

  • Pasaportat më të fuqishme në botë për 2026: Kosova renditet në vendin e 60-të

    Pasaportat më të fuqishme në botë për 2026: Kosova renditet në vendin e 60-të

    Pavarësisht pranisë së madhe të vendeve evropiane në listë, Singapori ka ruajtur vendin e parë në Indeksin e Pasaportave Henley për të dytin vit radhazi.

    Tre vende u renditën në vendin e dytë: Japonia, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me qasje pa viza në 188 destinacione, ndërsa Singapori kryeson me 192 destinacione.

    Indeksi, i cili përdor të dhëna nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) për numrin e vendeve ku mund të udhëtojnë qytetarët pa vizë paraprake, këtë vit shënon 20-vjetorin e tij.

    Suedia u rendit në vendin e tretë me qasje në 187 vende. Pas saj, me qasje në 186 destinacione, u renditën Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Spanja.

    Në pesëshen e parë u përfshinë edhe Austria, Greqia, Malta, Portugalia dhe Zvicra.

    Edhe pse 29 vende evropiane janë në mesin e 10 pasaportave më të fuqishme, disa shtete vazhdojnë të mbeten prapa.

    Mbajtësit e pasaportës së Bjellorusisë mund të udhëtojnë pa vizë në vetëm 78 vende, duke u renditur në vendin e 62-të. Ndërsa pasaporta e Kosovës renditet pak më lart, në vendin e 60-të, së bashku me Kinën, me qasje pa vizë në 83 vende.

    Megjithatë, Kosova ka bërë përparim të madh vitet e fundit, duke u ngjitur 35 vende në renditje që nga viti 2016.

    Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi që ka shënuar rritjen më të madhe gjatë 20 viteve të fundit. Ato tani renditen të dytat në botë, pasi janë ngjitur 60 vende dhe kanë fituar qasje në 153 destinacione më shumë.

    Vitin e kaluar, Emiratet ishin në vendin e 10-të, ndërsa tani kanë kaluar Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka zbritur në vendin e gjashtë.

    Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 10-të, me qasje në 180 vende, duke mbetur në të njëjtën pozitë si në vitin 2025, kur kishin arritur nivelin më të ulët historik në këtë indeks.

    Christian H. Kaelin, kryetar i kompanisë Henley & Partners, tha se fuqia e pasaportës sot luan një rol të rëndësishëm në mundësitë, sigurinë dhe pjesëmarrjen ekonomike, ndërsa përfitimet e lëvizjes globale janë gjithnjë e më shumë të përqendruara te vendet më të fuqishme ekonomikisht dhe politikisht, shkruan Euronews.