ATV

Category: Lajme

  • Tragjedia në Vjenë ku mbetën të vdekur tre punëtorë nga Kosova, si tentoi të fshihej nga përgjegjësia kompania? Mediat zvicerane zbulojnë prapaskenat

    Tragjedia në Vjenë ku mbetën të vdekur tre punëtorë nga Kosova, si tentoi të fshihej nga përgjegjësia kompania? Mediat zvicerane zbulojnë prapaskenat

    Katër punëtorë, tre prej të cilëve shtetas nga Kosova, humbën jetën pasi përgjatë derdhjes së betonit, skelja u shemb dhe zëri punëtorët nën rrënoja.

    Gazeta “Krone” foli me një banor vendas që e pa aksidentin nga afër “fillimisht ata ishin ulur në skela dhe pastaj gjithçka u shemb”.

    Kompania përgjegjëse për ndërtimin, “Obenauf”, po fshihet pas incidentit me skele, që mori jetën e tre kosovarëve. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, kompania largoi të gjitha postimet me kantierin në Porzellangasse të Vjenës.

    Një postim i vetëm ishte kapur nga gazeta “Krone” para se të largohej nga kompania. Mbishkrimi në Instagram ishte “Mund të ngremë kantiere ndërtimi!”, shoqëruar me një foto të kantierit.

    Sipas inspektoratit të punës atje, shembjet janë shkaku i dytë më i shpeshtë i incidenteve në vendin e punës në industrinë e ndërtimit.

    Kompania në faqen e tyre kanë shprehur ngushëllime për familjarët e punëtorëve të tyre.

    “Jemi thellësisht të trishtuar nga incidenti tragjik në një nga kantieret tona të ndërtimit. Mendimet dhe ngushëllimet tona më të thella janë me të prekurit dhe familjet e tyre. Çështja aktualisht po hetohet plotësisht në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse. Ne po e mbështesim hetimin në vazhdim me gjithë kujdesin dhe transparencën e duhur”, thuhet në uebfaqen e tyre.

    “Nga respekti për të prekurit dhe në dritën e hetimit në vazhdim, ju kërkojmë mirëkuptimin tuaj që nuk mund të publikojmë detaje të mëtejshme në këtë kohë. Ju kërkojmë që ta trajtoni me respekt këtë situatë”, përmbyllet reagimi.

    Tri prej viktimave që humbën jetën nga Kosova janë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj. Viktima e katërt është nga Bosnja.

  • Rritje e remitencave, 1.4 miliardë euro hynë në Kosovë gjatë vitit 2025

    Rritje e remitencave, 1.4 miliardë euro hynë në Kosovë gjatë vitit 2025

    Remitencat në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën prej 1.4 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 59 milionë eurosh, apo rreth 4 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024.

    Siç bën të ditur Instituti GAP, më së shumti remitenca vijnë nga Gjermania me 547.4 milionë euro apo 39% ndërsa në vendin e dytë është Zvicra me 250.2 milionë euro apo 18%.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në vendin e tretë me 102.5 milionë euro.

  • “Përgatitjet për dasmë u kthyen në ceremoni mortore”, Shaqir Totaj rrëfen trishtimin, babai i ndërroi jetë 3 ditë para dasmës

    “Përgatitjet për dasmë u kthyen në ceremoni mortore”, Shaqir Totaj rrëfen trishtimin, babai i ndërroi jetë 3 ditë para dasmës

    Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, në emisionin “LIBERO” ka ndarë një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij, duke kujtuar humbjen e babait vetëm tri ditë para dasmës së tij. Ai e përshkroi këtë ngjarje si një kthesë të papritur dhe tejet të rëndë emocionale, që e shndërroi një periudhë gëzimi në zi.

    “…Për babën e kam nostalgjinë e madhe, sepse ka vdekur shumë herët. Kemi pasur një situatë të pakëndshme, ai ndërroi jetë tri ditë para dasmës sime. Përgatitjet për dasmë na u kthyen në një ceremoni mortore…” u shpreh Totaj.

    Ai theksoi se kjo ngjarje ka mbetur thellë e gdhendur në kujtesën e tij si një moment autobiografik shumë i dhimbshëm, të cilin e kujton gjithmonë me mall dhe nostalgji për babain e tij.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Shaqir Totaj, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Sindikata e Prishtina Parking paralajmëron protestë më 25 mars, kërkon rritje pagash dhe përmbushje të obligimeve

    Sindikata e Prishtina Parking paralajmëron protestë më 25 mars, kërkon rritje pagash dhe përmbushje të obligimeve

    Sindikata e ndërmarrjes “Prishtina Parking” ka njoftuar se do të organizojë protestë më 25 mars në kryeqytet, pas dështimit për të arritur një marrëveshje me menaxhmentin lidhur me kërkesat e punëtorëve.

    Sipas njoftimit zyrtar të Sindikatës, vendimi për protestë është marrë në mbledhjen e Kryesisë të mbajtur më 27 shkurt 2026, ku është diskutuar situata aktuale dhe kërkesat e adresuara ndaj drejtuesve të ndërmarrjes. Sindikata thekson se mungesa e një marrëveshjeje për rritjen e pagave dhe çështje të tjera ka detyruar ndërmarrjen e hapit të protestës.

    Në njoftim bëhet e ditur se protesta do të mbahet më 25 mars 2026, duke filluar nga ora 14:00, para zyrave të “Prishtina Parking” në rrugën “Besa Imami”, prapa zyrave qendrore të Raiffeisen Bank në Prishtinë.

    Sindikalistët kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, duke filluar me rritjen e pagave për punëtorët në vlerë prej 300 euro, në përputhje me koston e jetesës dhe parimin e pagës së drejtë. Po ashtu, ata kërkojnë ekzekutimin e menjëhershëm të obligimeve financiare ndaj sindikatës, sipas marrëveshjeve dhe legjislacionit në fuqi.

    Një tjetër kërkesë lidhet me shlyerjen e borxhit ndaj punëtorëve në vlerë prej 250 euro për muajin shtator, ndërsa kërkohet edhe sigurimi i shujtave për punëtorët, në përputhje me natyrën e punës dhe kushtet në terren.

    Në mesin e kërkesave është edhe rregullimi dhe pagesa e sigurimit shëndetësor për të gjithë punëtorët, si obligim i punëdhënësit.

    Sindikata ka bërë të ditur se përmes kësaj proteste synon mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të punëtorëve të “Prishtina Parking”, duke u bërë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit që të jenë të informuara për zhvillimin e saj.

  • Festa e Bajramit, Tërnava uron besimtarët: Gëzimi i vërtetë është ai që ndahet me të tjerët

    Festa e Bajramit, Tërnava uron besimtarët: Gëzimi i vërtetë është ai që ndahet me të tjerët

    Në ditën e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, Myftiu Naim Tërnava iu është drejtuar besimtarëve myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

    Në fjalën e tij, ai tha se kjo festë kujton që gëzimi i vërtetë është ai që ndahet me të tjerët.

    “Bajrami na tregon që humanizimi nuk është vetëm një ndjenjë, por obligim”, tha ai.

    Pos tjerash, Myftiu Tërnava tha se festa e Bajramit udhëzon njerëzit për më shumë paqe në botë.

    “Fitër Bajrami na rikujton edhe fisnikërinë e njeriut. Ai është i ndërtuar për të përhapur vlerat e mirësisë e drejtësisë. Andaj kjo është një thirrje që këto vlera t’i përçojmë edhe pas përfundimit të Ramazanit”, u shpreh Tërnava.

  • “Snajperët e Sarajevës”, Der Spiegel përmend Aleksandar Vuçiqin e Jovica Stanishiqin

    “Snajperët e Sarajevës”, Der Spiegel përmend Aleksandar Vuçiqin e Jovica Stanishiqin

    Revista e njohur gjermane “Der Spiegel” u është bashkuar mediave europiane që kohët e fundit kanë raportuar historinë e një “safari njerëzor” që thuhet se ndodhi gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Bëhet fjalë për njerëz që dyshohet se udhëtuan nga vende të ndryshme të Europës për në kryeqytetin Sarajevë të rrethuar nga forcat serbe ku paguanin këta të fundit për të qëlluar mbi civilë të pafajshëm nga kodrat përreth.

    “Der Spiegel” citon deklarata nga libri i Ezio Gavazzani, i cili përmend “230 italianë, së bashku me disa francezë, belgë dhe austriakë” që dyshohet se morën pjesë në vrasjen e civilëve duke paguar shuma të konsiderueshme parash.

    Në fillim të reportazhit të gjerë, citohet gjykatësi italian në pension Guido Salvini, i cili, së bashku me autorin Ezio Gavazzani, ngritën një padi në gjykatën e Milanos kundër personave të panjohur për “vrasje me motive të ulëta”.

    “Që diçka e papërshkrueshme ka ndodhur në Sarajevë, që ata që qëlluan njerëz atje për qejf, është përtej çdo dyshimi”, – tha Salvini në një intervistë televizive: “Falë shumë burimeve të ndryshme, nuk ka më asnjë dyshim për këtë.”

    Shkrimi rikthen edhe akuzat për Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç që gjatë kohës së luftës është filmuar në këtë zonë. Gazetari kroat Domagoj Margetiç pretendon se Vuçiç, në rininë e tij, kishte shërbyer si vullnetar lufte në një njësi çetnike nën komandën e Slavko Aleksiç dhe se në varrezat hebraike kishte rënë në kontakt me “gjahtarë njerëzish” të huaj.

    Akuza të ngjashme ishin ngritur edhe në vitin 2013 nga politikani serb i ekstremit të djathtë Vojislav Sheshel para tribunalit të OKB-së në Hagë, duke pretenduar se Vuçiç kishte qenë vullnetar në atë zonë përpara se të hynte në parti.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar ngritjen e një gjykate ndërkombëtare, duke thënë se po dalin gjithnjë e më shumë informacione për një të ashtuquajtur “Safari në Sarajevë”, ku pretendohet se ka marrë pjesë edhe Vuçiçi.

    Vuçiç i ka mohuar këto akuza përmes zëdhënëses së tij, duke i quajtur ato “një rast tipik dezinformimi dashakeq”. Sipas tij, në vitet ’90 ai ka qenë gazetar dhe përkthyes “pa asnjë lidhje me strukturat ushtarake” dhe “nuk ka marrë pjesë në luftime”.

    Megjithatë, në një kafene në Zagreb, Margetiç paraqet dokumente që, sipas tij, mbështesin akuzat — përfshirë një protokoll të gushtit 1992, ku thuhet se një komandant çetnik urdhëronte që vullnetarit Vuçiç t’i jepej një pushkë gjysmë-automatike e tipit Zastava M59/66.

    Dokumente të tjera nga viti 1993 pretendojnë se Vuçiç ishte ndër vullnetarët e autorizuar për të shoqëruar “mysafirë të huaj” dhe se ai kishte dorëzuar 20 mijë marka gjermane, të cilat supozohet se ishin “dhuruar” nga një italian në varrezat hebraike të Sarajevës.

    “Këto janë akuza shumë të rënda që tashmë po shqyrtohen në Milano: A ishte Vuçiç, sot president i Serbisë që aspiron anëtarësimin në BE, i përfshirë në krimet vdekjeprurëse në Sarajevë? Autenticiteti i dokumenteve vihet në dyshim nga pala serbe.

    Der Spiegel citon gjithashtu Naser Husicin, një ish-anëtar të Ushtrisë së Bosnjës dhe Hercegovinës i cili ishte i stacionuar përballë vendbanimit Grbavica gjatë luftës.

    “Ndodhte, veçanërisht të premteve, që merrnim paralajmërime në pajisjet Motorola nga ana tjetër serbe e frontit: “Zhvendosini gratë dhe fëmijët në një vend të sigurt”, – thotë Husić, një ish-ushtar në Brigadën e 101-të të Motorizuar të Ushtrisë Boshnjake. “Atëherë e kuptonim se po vinin snajperët e fundjavës”.

    Husić nuk mund të thotë me siguri se kush qëlloi, por ai arrin në përfundimin se gjatë fundjavës u regjistruan shumë më tepër sulme me snajper sesa gjatë javës.

    Teksti përfshin edhe dëshminë e Aleksandar Liçanin, një ish-anëtar i ushtrisë serbe nga Prijedori, i cili gjatë luftës ishte i stacionuar pranë pozicionit në varrezat hebraike nga ku u qëlluan civilët. “Ata qëllonin mbi gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Ishin jashtë kontrollit”, – thotë Liçanin për “turistët e safarit”.

    Plumbat si trofe

    “Der Spiegel” citon gjithashtu dëshminë e një dëshmitari i cili, siç tha ai, ishte ngarkuar me shoqërimin e “vrasësve safari” në Sarajevë. “Detyra jonë kryesore ishte të numëronim viktimat”, thotë dëshmitari, i cili njihet me pseudonimin “French”, “dhe t’ua ngarkonim atyre që qëllonin. Pagesa e tyre më pas shkonte në agjencinë që organizonte aktivitetin”.

    Si trofe, gjuetarët merrnin në shtëpi gëzhoja, kryesisht kalibri 7.62 me 51 milimetra, të ngjyrosura sipas moshës së viktimës: djem – blu, vajza – rozë, ushtarë – të kuq dhe jeshil, gra të rritura – të verdhë, burra të moshuar – të zi dhe blu, raporton gazeta gjermane. Ajo raporton se drejt fundit të luftës, tarifat për një të shtënë u rritën të paktën trefish për fëmijët dhe deri në 100 milionë lira, me kursin e këmbimit të sotëm prej rreth 50,000 eurosh.

    Der Spiegel citon gjithashtu eksperten italiane Martina Radice, e cila, duke cituar “burime të besueshme”, thotë se snajperët ishin të gatshëm të paguanin deri në 200,000 euro vetëm për një fundjavë. “Pjesërisht bëhej fjalë për burra për të cilët gjuetia ligjore nuk ishte më e mjaftueshme, madje as gjuetia e elefantëve. Diçka e re ishte e nevojshme për adrenalinën.”

    Duke folur për autorët e dyshuar, kriminologia e diagnostikon si “psikopati elitare”. “Po flasim këtu për njerëz të sëmurë që vendosën të thyejnë të gjitha rregullat”.
    Ekspertja thotë se këta janë njerëz që janë ende anëtarë të respektuar të shoqërisë sot.

    “Sipas gjithçkaje që dimë, këta njerëz janë ende shumë të respektuar sot, zënë pozicione të rëndësishme, jetojnë mirë, kanë rrjet të mirë dhe ndoshta nuk kanë më shumë frikë se një ditë fasada e tyre shoqërore mund të fillojë të çahet”, thotë kriminologia. Nëse kjo ndodh, kërcënon një “tërmet i madh”.

    Nga lojërat e luftës në luftën e vërtetë

    Revista gjermane flet edhe për Triesten si një qytet që luajti një rol të rëndësishëm në të gjithë historinë rreth “snajperëve të fundjavës” dhe sjell një intervistë me Robert Ruzzier, tani në pension, i cili flet për mënyrën se si në fillim të viteve 90-të një grup entuziastësh të armëve u takuan në pyllin pranë kufirit slloven për gjah.

    “Një ditë ata filluan të flisnin për një reklamë të fshehtë që ofronte udhëtime në Sarajevë”, thotë Ruzzier. “Ata thanë se do të merrnim atje një pushkë snajperi të tipit Dragunov dhe tre fishekë; mund të bënim çfarë të donim me të”.

    “Me sa kujton ai, ishte një luftëtar me origjinë sllave me emrin “Rollo” ai që sugjeroi një udhëtim për në Sarajevë”, thotë pensionisti”, thuhet në tekst.

    Sipas deklaratave të mëtejshme të dëshmitarëve, një malazez, pronar i një punishteje makinash në Trieste, organizoi transportin e “gjuetarëve të armatosur” me pretekstin e transportimit të ilaçeve. Aktualisht, objekt i hetimit është nëse fluturimet çarter që u nisën nga aeroporti në veri të Triestes u përdorën gjithashtu për transport.

    Dëshmitarë të zhdukur

    Autori i shkrimit pohon se u përpoq pa sukses të merrte një deklaratë nga ish-kreu i shërbimit sekret serb, Jovica Stanišić, i cili konsiderohet si një “figurë kyçe” në historinë që rrethon gjuetarët e njerëzve. Autori përmend lidhjen e Stanišić me amerikanët, të cilët i ishin mirënjohës për ndërmjetësimin në lirimin e ushtarëve amerikanë të mbajtur peng nga serbët.

    Autori pyet se si është e mundur që amerikanët nuk dinin asgjë për përfshirjen e supozuar të Stanisiçit në rastin e snajperëve.

    Në një intervistë me Der Spiegel, politikani boshnjak Zlatko Miletić flet për mënyrën se si institucionet e Bosnjes deri më tani nuk kanë arritur të sqarojnë “çfarë ka ndodhur në të vërtetë”.

    Ai përmend gjithashtu tre ish-snajperë të forcave serbe që humbën jetën në një periudhë të shkurtër kohore “në një mënyrë shumë interesante” në fund të vitit të kaluar.

    “Nëse këta të tre do të ishin arrestuar dhe marrë në pyetje në kohën e duhur, ne do ta dinim të vërtetën sot”, tha Miletić dhe deklaroi se ishte “100% i sigurt” se gjatë luftës ka pasur “safari njerëzor” të organizuara nga institucionet serbe të sigurisë, përfundon Der Spiegel./ LAPSI.al

  • Dogana e Kosovës asgjëson 4 mijë produkte të falsifikuara “Ariel”

    Dogana e Kosovës asgjëson 4 mijë produkte të falsifikuara “Ariel”

    Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka asgjësuar 4 mijë preparate të falsifikuara për larje dhe pastrim, të cilat përdornin pa autorizim markën tregtare “Ariel”.

    Sipas njoftimit, këto produkte janë sekuestruar nga zyrtarët doganorë pas dyshimeve për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.

    Pas verifikimeve të kryera në bashkëpunim me institucionet kompetente dhe bartësit e të drejtave, si dhe pas vendimit të gjykatës, është vendosur që mallrat të asgjësohen.

    Nga Dogana theksohet se produktet e falsifikuara, sidomos ato për përdorim të përditshëm si preparatet për pastrim, mund të paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve, pasi nuk i nënshtrohen standardeve dhe kontrolleve të cilësisë.

    Asgjësimi i tyre është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nën mbikëqyrje të plotë doganore, me qëllim parandalimin e qarkullimit të këtyre produkteve në treg.

  • Krasniqi themelon grupin punues për Bordin e Mitrovicës: Ka ndihmuar në projektet si urat e reja

    Krasniqi themelon grupin punues për Bordin e Mitrovicës: Ka ndihmuar në projektet si urat e reja

    Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për themelimin e grupit punues për organizimin dhe funksionimin e bordit të Mitrovicës.

    Krasniqi, në postimin e tij ka thënë se ky bord, ka ndihmuar projekte të cilat kanë bashkuar dy komunat, ndër to edhe urat e reja, duke krijuar një fazë të re të bashkëpunimit dhe zhvillimit.

    Postimi:

    Sapo kam nënshkruar vendimin për themelimin e grupit punues për organizimin dhe funksionimin e bordit të Mitrovicës.

    Bordi i Mitrovicës ka sjellur dhe ndihmuar projekte të cilat kanë bashkuar dy komunat, ndër to edhe urat e reja, duke krijuar një fazë të re të bashkëpunimit dhe zhvillimit.

    Në jug dhe në veri, mbështetja shtetërore nuk do të mungojë dhe do të mbështesim këtë bord në propozimet e tyre për të mirën e qytetarëve tanë.

  • Shtetasi shqiptar ekstradohet në Kosovë për keqpërdorim të dokumenteve në Vushtrri

    Shtetasi shqiptar ekstradohet në Kosovë për keqpërdorim të dokumenteve në Vushtrri

    Një shtetas i Shqipërisë është ekstraduar gjatë ditës së djeshme në Kosovë.

    Policia njofton se i dyshuari kishte qenë në arrati pasi i njëjti dyshohej se ishte pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës duke u prezantuar dokumente të kundërligjshme.

    Pas pranimit nga zyrtarët policorë që e kanë trajtuar rastin, i dyshuari është dërguar në gjykatë, ndërkohë që hetimet për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe legalizim të përmbajtjes së rreme vazhdojnë.

    Policia thekson se ky veprim tregon bashkëpunimin efektiv në luftën kundër krimit dhe falsifikimit të dokumenteve.

  • Irani kërkon dëmshpërblim nga Emiratet e Bashkuara Arabe

    Irani kërkon dëmshpërblim nga Emiratet e Bashkuara Arabe

    Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të OKB-së duke kërkuar dëmshpërblim nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për atë që ai e cilëson si bashkëpunim në sulmet amerikane ndaj Iranit, sipas Nournews të Iranit.

    Në letër, Iravani tha se duke vënë territorin e saj në dispozicion të SHBA-së për sulmet, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kryer “një akt të paligjshëm ndërkombëtar që sjell përgjegjësi shtetërore”.

    Ai pretendoi se Emiratet kanë përgjegjësi ndërkombëtare për të ofruar dëmshpërblim, përfshirë kompensim për të gjitha dëmet materiale dhe morale të shkaktuara.

    Që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, sulmet hakmarrëse të Teheranit kanë vazhduar në disa shtete të Gjirit. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbajtur peshën kryesore të këtyre sulmeve.