ATV

Category: Lajme

  • Identifikohet i moshuari i gjetur pa shenja jete në Prizren

    Identifikohet i moshuari i gjetur pa shenja jete në Prizren

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është identifikuar personi i cili u gjet pa shenja jete në Prizren.

    Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur më 26 mars 2026, rreth orës 11:36, në rrugën “Edit Durham”, ku një burrë rreth 70 vjeç është gjetur i pajetë. Njësitet policore, së bashku me ekipet hetimore dhe të krim-teknikës, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se në trupin e viktimës nuk janë vërejtur shenja dhune. Trupi i pajetë është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes” në konsultim me prokurorin.

    Fillimisht, policia kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e viktimës. Pas veprimeve hetimore në terren dhe kontaktit me familjarët, është arritur të konfirmohet identiteti i tij.

    Policia ka falënderuar mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin, duke bërë të ditur se procedurat ligjore do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

  • Vuçiq “njofton” për vizitën e Kurtit te Macron, pretendon se e di agjendën e diskutimeve “nga njerëzit e tij afër Kurtit”

    Vuçiq “njofton” për vizitën e Kurtit te Macron, pretendon se e di agjendën e diskutimeve “nga njerëzit e tij afër Kurtit”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do të takohet nesër me presidentin e Francës Emmanuel Macron në Paris dhe pretendoi se e di agjendën e diskutimeve të dy udhëheqësve.

    Ai tha se Kurti do të ketë dy kërkesa “që Franca ta kushtëzojë Serbinë të mos përdorë armë kundër shqiptarëve dhe të “mbështesë propozimin” që NATO të largohet nga Zona Tokësore e Sigurisë në veri dhe që Forca e Sigurisë së Kosovës të shkojë në veri.

    “Kurti shkon te Macroni nesër. Do ta shihni që nuk do të fsheh asgjë dhe do të më pyesni se si guxoj ta them. Do ta shihni që guxoj”, tha presidenti serb mbrëmë në studion e TV Prva.

    Duke përsëritur disa herë se “Kurti po shkon te Macroni”, Vuçiq tha se këto informata i ka marrë nga “njerëz nga rrethi i Kurtit”.

    “Kemi njerëzit tanë në rrethin e Kurtit dhe kemi marrë agjendën e tij për bisedën me presidentin francez”.

    “Kurti do të shkojë me dy kërkesa. Ai ka katër tema, dy kërkesa. Njëra është që francezët të na vendosin kushte se si do t’i përdorim armët tona, domethënë që ato të mos përdoren kurrë kundër shqiptarëve. Dhe kërkesa e tij e dytë do të jetë, siç mund ta shihni – unë e di paraprakisht se cilat janë kërkesat e tyre dhe nuk e fsheh faktin që e di dhe gjithmonë do ta di sepse ata kurrë nuk do ta dinë se nga i kanë marrë dhe si – dhe kërkesa e tij e dytë është shumë e rrezikshme: që NATO të largohet nga Zona Tokësore e Sigurisë në veri dhe që Franca ta mbështesë atë, në mënyrë që ata të mund ta sjellin të ashtuquajturën FSK në Zonën Tokësore të Sigurisë”.

    Vuçiq më pas pretendoi se “miku” i tij, Macron, nuk do t’i mbështesë këto kërkesa të Kurtit.

    “Shpresoj që askush në NATO të mos mendojë për këtë. Dhe jam i sigurt se miku im Emmanuel Macron nuk do të mendojë të mbështesë një kërkesë të tillë, sepse kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullsisë sonë, kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të gjithë Serbisë. Dhe besoj se kjo nuk do të ndodhë, jam pothuajse i sigurt”, tha Vuçiq.

  • Rihapet për vetura rruga Pejë–Kullë–Rozhajë, kamionët ende të ndaluar

    Rihapet për vetura rruga Pejë–Kullë–Rozhajë, kamionët ende të ndaluar

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se rruga Pejë–PKK Kullë–Rozhajë është tashmë e kalueshme për automjete të vogla në të dy drejtimet.

    Vendimi vjen pas koordinimit me autoritetet përkatëse dhe Policia e Malit të Zi në pikën kufitare Kullë.

    Megjithatë, sipas njoftimit, qarkullimi për automjetet transportuese, përfshirë kamionët, mbetet i ndaluar deri në një vendim të ri nga autoritetet.

    Autoritetet gjithashtu kanë bërë të ditur se për shkak të reshjeve të vazhdueshme, përdorimi i pajisjeve dimërore është i domosdoshëm për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

  • Nis seanca për vrasjen e Liridona Ademajt, jep mbrojtjen i akuzuari Kushtrim Kokalla

    Nis seanca për vrasjen e Liridona Ademajt, jep mbrojtjen i akuzuari Kushtrim Kokalla

    Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, paraqitjen e mbrojtjes së tij do ta japë i akuzuari i tretë për vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla

    Sipas aktakuzës, Kokalla ngarkohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Naim Murseli dhe Granit Plava ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    Sipas aktakuzës, pasi që Naim Murseli, ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ai ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin. Të tre akuzohen se janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim në shumë prej 30 mijë euro. Dyshimet janë se Murseli me datë 29 nëntor 2023 ka siguruar armën e zjarrit, të cilën ia ka dhënë Plavës, e që armën e ka përdorur për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademajt.

    Gjithashtu, i akuzuari Kushtrim Kokalla ngarkohet edhe për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

    Në deklaratën e dhënë në polici më 1 dhjetor 2023, i pandehuri Kokalla kishte deklaruar se nga viti 2019 është pjesëtar i FSK-së. Ai ka thënë se Naim Murselin e ka djalë të dajës dhe të hallës, ndërsa Granit Plavën e ka bashkëfshatar dhe se njihen qysh kur kanë qenë të vegjël.

    Kokalla kishte deklaruar se një javë para ngjarjes kishte qenë te Murseli në shtëpi dhe më pas ishin takuar me Granit Plavën. Atë natë, tha se i kishte shkruar Murseli dhe ia kishte kërkuar numrin e Plavës dhe se pas 2-3 ditësh ishin takuar, ku Murseli ia kishte dhënë Kokallës 300 euro për këstin e kredisë për të cilën thotë se ka hyrë për Murselin, ndërsa Plavës ia kishte dhënë 500 euro. Për këto të fundit, ka thënë se nuk kishte ide pse iu dhanë atij.

    Sipas aktakuzës, Kokalla më 29 nëntor 2023 kishte biseduar me të akuzuarin Murseli dhe sipas tij në atë bisedë Murseli i ka kërkuar të takohen dhe u takuan rreth orës 9:30, ku i kishte thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, që sipas Kokallës kishte të bënte me vrasjen e Liridonës. Ai tha se rreth një vit i akuzuari Murseli e kishte lutur që ta kryente vrasjen.

    “Naimi që afër një vit mua më ka lutur që ta kryej këtë vrasje unë. Atëherë unë i kam thënë nuk vjen në shprehje që ta bëjë këtë punë unë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, pati deklaruar ai.

    Sipas Kokallës, Murseli i kishte thënë se do ta thërrasë Granitin dhe do të takohej me të dhe se sipas tij më pas nuk ka pasur më asnjë kontakt. Vetëm në mbrëmje, kur e kishte thirrur një shok për ta pyetur nëse i kishte parë lajmet, e kishte kuptuar për vrasjen e Liridonës.

    Kokalla kishte thënë se, pasi e kishte kuptuar lajmin, kishte marrë familjen dhe kishin ardhur në Prishtinë në stacion policor dhe se pas përfundimit të procedurave policore, për të mos e lënë vetëm, kishte shkuar në hotel me Murselin.

    Kokalla ka deklaruar se me t’u futur në dhomën e hotelit, i akuzuari Murseli i është drejtuar me fjalët: “e kreva këtë punë”.

    Kokalla pati deklaruar në polici se e ka menduar ta lajmërojë rastin, por se ka qenë i shokuar dhe i frikësuar për familjen e vet nga Murseli.

    Sipas aktakuzës, Kokalla pati deklaruar se Murseli i ka ofruar para për këtë rast, por se nuk ka pranuar asnjëherë as para dhe as pas rastit.

    Gjithashtu, Kokalla më 24 janar 2024 ka qenë i ftuar në Prokurori për të dhënë deklaratë, por ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.

    Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.

    Një ditë më herët, në Gjykatë, i akuzuari Granit Plava tha se kishte marrëveshje me të akuzuarin Naim Murseli për ta marrë përgjegjësinë për këtë krim. Ai tha se Murseli i kishte premtuar veturë, pagë e punë të sigurt dhe se do të lirohej për dy vjet nga burgu. /Ekonomiaonline

  • “Fitore historike”, Ambasada e ShBA’së uron Kosovën për ndeshjen e mbrëmshme

    “Fitore historike”, Ambasada e ShBA’së uron Kosovën për ndeshjen e mbrëmshme

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka uruar Kosovën për fitoren e mbrëmshme ndaj Sllovakisë dhe kualifikimin për finale në play-off për Kupën e Botës.

    Në urimin e saj, Ambasada e ka cilësuar këtë si fitore historike.

    “Përgëzime Kosovë për këtë fitore historike”, thuhet në urimin e ambasadës.

  • Mbretëria e Bashkuar paralajmëron: NATO duhet të jetë gati pa Amerikën

    Mbretëria e Bashkuar paralajmëron: NATO duhet të jetë gati pa Amerikën

    Britania e Madhe dhe aleatët evropianë të NATO duhet të përgatiten për një skenar ku ShBA mund të mos i mbrojë në rast krize, ka paralajmëruar një komitet i përbashkët parlamentar.

    Raporti vjen në sfondin e tensioneve me administratën e presidentit Donald Trump dhe pasigurive mbi përkushtimin amerikan ndaj mbrojtjes kolektive, shkruan SkyNews.

    Komiteti thekson se Londra duhet të zvogëlojë varësinë nga ShBA në fusha kyçe si armët bërthamore Trident, shkëmbimi i inteligjencës dhe programet ushtarake si avionët F-35 Lightning II.

    Ai gjithashtu rekomandon forcimin e rolit të Evropës brenda NATO-s dhe investime më të mëdha në kapacitete mbrojtëse.

    Deklaratat e fundit të Trump, ku kritikoi aleatët dhe vuri në dyshim rëndësinë e NATO-s, kanë shtuar shqetësimet se mbështetja amerikane sipas nenit 5 nuk është më e garantuar.

    Ekspertët paralajmërojnë se një NATO pa ShBA do të ishte dukshëm më pak e aftë ushtarakisht, duke e bërë të domosdoshme rritjen e autonomisë strategjike evropiane.

  • LDK-ja mban sot një konferencë para KEDS-it për tarifat e rrymës

    LDK-ja mban sot një konferencë para KEDS-it për tarifat e rrymës

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media të premten në orën 11:30, para objektit të KEDS-it dhe KESCO-s.

    Kjo konferencë vjen pas deklaratave të zyrtarit të LDK-së, Visar Azemi, i cili ka ngritur shqetësime për mënyrën se si po maten tarifat e energjisë elektrike në Kosovë.

    Sipas Azemit, një hulumtim i realizuar nga kjo parti, ku janë testuar mbi 800 njehsorë në Prishtinë dhe Ferizaj, ka treguar se 87 për qind e tyre nuk e matin kohën në mënyrë të saktë, duke bërë që qytetarët të paguajnë më shumë, përkatësisht me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve kur duhet të aplikohet tarifa e lirë.

    Ai e ka cilësuar këtë si mashtrim dhe ka kërkuar dorëheqjen e bordit të ZRRE-së, si dhe nisjen e hetimeve penale.

    Nga ana tjetër, KEDS-i ka reaguar duke theksuar se njehsorët elektrikë janë të besueshëm dhe të sinkronizuar sipas standardeve zyrtare, duke mohuar çdo pretendim për matje të gabuar të energjisë elektrike.

  • 70-vjeçari gjendet i vdekur në Prizren, Policia kërkon ndihmë për identifikimin e tij

    70-vjeçari gjendet i vdekur në Prizren, Policia kërkon ndihmë për identifikimin e tij

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të moshuar, rreth 70-vjeçar, i cili është gjetur pa shenja jete në rrugën “Edit Durham” në Prizren.

    Sipas njoftimit zyrtar, viktima dyshohet se ka ndërruar jetë të paktën 2 deri në 3 orë para mbërritjes së ekipit mjekësor në vendin e ngjarjes.

    “Patrulla policore, së bashku me ekipin kujdestar të hetuesisë dhe ekipin e krim-teknikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, tek banesat e ish-TMK-së. Sipas informatave fillestare, viktima është mashkull i moshuar, rreth 70-vjeçar, ende i paidentifikuar. Ekipi i Urgjencës ka konstatuar se ai ka ndërruar jetë të paktën 2–3 orë para mbërritjes së mjekëve. Nuk janë vërejtur shenja të një vdekjeje të dhunshme”, thuhet në njoftim.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit rajonalë, të cilët në koordinim me prokurorin e shtetit e kanë iniciuar rastin si “hetim i vdekjes”.

  • “Qiti paret kryeministër”, Murati lajmërohet: Shpërblimi 500K miratohet të hënën në mbledhje të qeverisë

    “Qiti paret kryeministër”, Murati lajmërohet: Shpërblimi 500K miratohet të hënën në mbledhje të qeverisë

    Kombëtarja e Kosovës e mori fitoren më të madhe në historinë e saj mbrëmë, duke e mposhtur Sllovakinë.

    “Dardanët” fituan 4-3 dhe kështu siguruan kualifikimin në finalen e “play-offit” të Botërorit 2026.

    Pas kësaj humbje të rëndë për ta, sllovakët kanë reaguar të dëshpëruar pas ndeshjes.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati njoftoi se shpërblimi për ndarjen e 500 mijë euro për Kombëtaren e Kosovës do të miratohet të hënën në mbledhjen e qeverisë.

    “Mirëmëngjes fitues! Me kërkesë të Kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500k euro për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të Qeverisë”, shkroi Murati.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte premtuar 500 mijë euro nëse “Dardanët” e kalojnë Sllovakinë dhe 1 milion të tjera nëse e mposhtin Sllovakinë.

    E ishte kryetari i Prishtinës, Përparim Rama që dje postoi një fotografi nga stadiumi në Bratisllavë me mbishkrimin “Qiti paret kryeministër”.

  • Rexhepi: Shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme

    Rexhepi: Shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme

    Gjykata Kushtetuese të mërkurën ka njoftuar se i ka dhënë Kuvendit të Kosovës një afat shtesë prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri.

    Kushtetuesja ka pranuar kërkesat e kryeministrit Albin Kurti në emër të Qeverisë dhe të Arbërie Nagavcit në emër të 30 deputetëve, duke vlerësuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka asnjë efekt juridik.

    Sipas vendimit të Gjykatës, deputetët e Kuvendit kanë 34 ditë nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi për të zhvilluar dhe përfunduar procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.

    Lidhur me këtë vendim, kryetarja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilja Rexhepi tha se respekton vendimin e Kushtetueses dhe kërkoi që deputetët dhe partitë shumicë shqiptare të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake për të votuar brenda afatit.

    “Respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kemi mundësinë të zgjedhim presidentin e shtetit brenda periudhës 30-ditore, shpresoj që arsyetimi i deputetëve të mbizotërojë dhe që partitë shumicë shqiptare të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake në kohën e krizës së rëndë gjeopolitike botërore dhe të votojnë”, ka thënë ajo.

    Pavarësisht afatit 30 ditor, Rexhepi mendon se vendi mund të shkojë shumë shpejt drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    “Mendoj se shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat gjithashtu nuk do të sjellin ndryshime të mëdha”, deklaroi Rexhepi për “Front Online”.

    Në një prononcim për “Front Online”, Emilja Rexhepi, kryetarja e NDS-së u pyet për qëndrimin e partisë ndaj kandidatëve të propozuar për president.

    Rexhepi tha se nuk do të ketë vota për ‘cfardo’ kandidati.

    “Sigurisht nuk do të votoj për këdo, do të shohim se kush do të jetë kandidati, për momentin nga ana e LVV është propozuar Glauk Konjufca dhe sigurisht do të votoj për të”, tha ajo për “Front Online”.