ATV

Category: Lajme

  • Jakaj nga IKD: Anëtari i dytë në KQZ i takon PDK-së, nëse Haxhiu favorizon VV’në e shkel Kushtetutën

    Jakaj nga IKD: Anëtari i dytë në KQZ i takon PDK-së, nëse Haxhiu favorizon VV’në e shkel Kushtetutën

    Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkon nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu që ta kompletojë përbërjen e KQZ-së, çështje kjo të cilën e la pezull Vjosa Osmani.

    Sipas Naim Jakajt, anëtari i radhës në KQZ i takon PDK-së dhe çdo veprim tjetër i Haxhiut në favor të LVV-do të përbënte shkelje kushtetuese.

    “Nuk është dashur të lihej një anëtar të mos dekretohej nga ish-presidentja Osmani. Znj.Haxhiu tani ka dy kërkesa, të LVV-së dhe të PDK-së. Ajo në respektim të kushtetutshmërisë e të parimeve ë ligjit dhe të përfaqësimit të grupeve parlamentare duhet sa më parë ta emërojë një anëtarë. Ne vlerësojmë që anëtari tjetër që do të vinte do të duhej të ishte nga PDK-ja. Edhe pse vjen nga partia e njëjtë, Haxhiu do të duhej të ishte e paanshme ta kryejë funksionin e detyrës me integritet…Kushtetuta kërkon një anëtar nga radhët e PDK-së që rasti të mos dërgohet në Kushtetuese… Do të ishte shkelje kushtetuese, nominimi, dërgimi, dekretimi i këtij anëtari të LVV-së”, tha Jakaj. /RTV21/

  • Paralajmëron Azemi: Pa pagë 600 euro, punëtorët teknikë dhe fizikë largohen kolektivisht nga puna

    Paralajmëron Azemi: Pa pagë 600 euro, punëtorët teknikë dhe fizikë largohen kolektivisht nga puna

    Sindikata e sektorit privat të Kosovës ka organizuar takim me kryetarët e shoqatave sindikale.

    Në këtë takim u diskutua për rritjen e pagave, pagën e 13-të si dhe organizimin e protestës për 1 Maj.

    Me këtë rast, kryetari Jusuf Azemi, iu është drejtuar mediave pas takimit.

    Azemi dha detaje rreth vendimeve që janë ndërmarrë aty.

    “Është marrë vendim, nëse nga 1 korriku punëtorët teknikë të Prishtinës nuk e kanë kontratën me pagën 600 euro, do ta lëshojnë vendin e punës në mënyrë kolektive”, theksoi ai para opinionit publik.

  • “Pse jo”, Enver Dugolli i VV sinjalizon se Kurti mund t’i shkruajë letër Hamzës për takim

    “Pse jo”, Enver Dugolli i VV sinjalizon se Kurti mund t’i shkruajë letër Hamzës për takim

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, pretendoi se e kanë shumë seriozisht që ta zgjidhin çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri dhe tha se shefi i tij, Albin Kurti, po bën përpjekje në këtë drejtim.

    I pyetur për deklaratën e kreut të PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se partia e tij pret ftesë zyrtare për takim nga Kurti për t’iu përgjigjur, Dugolli tha se edhe “ftesa gojore” është zyrtare.

    “Deklarimi i zotit Kurti se do t’i konsultojë partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit është zyrtar, por edhe do të formalizohet, pse jo, edhe me ftesa zyrtare. Por ftesat zyrtare janë edhe gojore, nuk janë vetëm ato me shkrim. Ne jemi të interesuar që seriozisht të komunikojmë dhe ta zgjidhim këtë çështje. Pritet që të takohen Kurti dhe Hamza, prandaj uroj që, me një komunikim përmbajtjesor të tejkalohet edhe kjo çështje”, tha ai për RTV21.

    Dugolli, Grupi Parlamentari i së cilit ka shumicën parlamentare, tha se barra për tejkalimin e krizës për presidentin i ngarkohet opozitës. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka propozuar dy anëtarë të saj për pozitën që kërkohet një figurë unifikuese.

    “Nëse opozita do t’i shmangë zgjedhjet, zgjidhja është aty. Ne po konsiderojmë që vendi ka nevojë që të zgjidhet presidenti dhe të shmangen zgjedhjet”.

    Dugolli shtoi: “Jemi shumë të interesuar që të zgjidhim këtë çështje, ndërsa këmbënguli se “partitë opozitare janë ato që do t’i evitonin zgjedhjet

  • Fillojnë punimet për sanimin e rrugës në Carralevë të Shtimes

    Fillojnë punimet për sanimin e rrugës në Carralevë të Shtimes

    Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka njoftuar se sot kanë nisur punimet për sanimin e trupit të dëmtuar të rrugës në fshatin Carralevë të Shtimes.

    Ai tha se kontrata është tashmë lidhur dhe punimet kanë filluar, duke rikthyer sigurinë dhe stabilitetin në këtë pjesë të rrugës.

    “Sot kanë nisur punimet për sanimin e trupit të dëmtuar të rrugës në Carralevë. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton se është lidhur kontrata dhe sot ka filluar realizimi i punimeve për sanimin e rrëshqitjes së trupit të rrugës në fshatin Carralevë, në Komunën e Shtimes”, shkroi ai në një postim në Facebook.

  • Raportohet se e goditi ShBA-ja, çfarë duhet të dini për ishullin e vogël Kharg të Iranit

    Raportohet se e goditi ShBA-ja, çfarë duhet të dini për ishullin e vogël Kharg të Iranit

    Ishulli Kharg është rreth një e treta e madhësisë së Manhattan-it, por ka një rol qendror në ekonominë e Iranit, pasi përmes tij kalon rreth 90% e eksporteve të naftës bruto të vendit. Ai ndodhet në skajin më verior të Gjirit Persik, larg ngushticës së Hormuzit, por shumë pranë faciliteteve kryesore naftësjellëse të Iranit.

    Pothuajse çdo ditë, miliona fuçi naftë bruto rrjedhin nga fushat kryesore iraniane – përfshirë Ahvaz, Marun dhe Gachsaran – përmes tubacioneve drejt këtij ishulli, i cili njihet nga iranianët si “Ishulli i Ndaluar” për shkak të kontrollit të rreptë ushtarak, shkruan CNN.

    Anëesoret e gjata të ishullit, që shtrihen në ujëra mjaftueshëm të thella për të pranuar supertankerë nafte, e bëjnë atë një pikë kyçe për shpërndarjen e naftës.

    Kapaciteti i magazinimit në Kharg vlerësohet në rreth 30 milionë fuçi, dhe sipas analistit global të tregtisë Kpler, aktualisht aty ruhen rreth 18 milionë fuçi naftë bruto.

    Muajin e kaluar, Donald Trump njoftoi se ushtria amerikane kishte kryer atë që ai e quajti “një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme”, duke shkatërruar asete ushtarake në ishullin Kharg. Një zyrtar ushtarak amerikan i tha CNN se sulmet ishin “në shkallë të gjerë”, por shmangën goditjen e infrastrukturës së naftës në ishull.

    Mediumi kishte raportuar më herët se administrata e Trump-it po shqyrtonte mundësinë e përdorimit të trupave amerikane për të marrë nën kontroll ishullin e vogël, si mjet presioni ndaj Iranit për ta detyruar të rihapë ngushticën e Hormuzit.

  • Arian Tahiri: Kurti ka abuzuar me konstruktivitetin e PDK-së, nëse do takim le të na shkruajë vetëm zyrtarisht

    Arian Tahiri: Kurti ka abuzuar me konstruktivitetin e PDK-së, nëse do takim le të na shkruajë vetëm zyrtarisht

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se PDK-ja ka qenë dhe është konstruktive sa i përket zgjedhjes së presidentit Deputeti Tahiri tha se Kurti nuk ka qasje serioze për të gjetur zgjidhje. Sipas tij, Kurti është i interesuar ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

    “PDK-ja ka qenë shumë konstruktive, shumë pozitive dhe transparente, si para takimeve, gjatë takimeve, ashtu edhe pas tyre. Pra, ka prezantuar shumë hapur qëndrimet e saj. Ndërsa, secila tendencë për ta keqinterpretuar qëndrimin e PDK-së tregon nga pala tjetër se nuk ka qasje serioze dhe nuk është e interesuar që seriozisht t’i ofrojë vendit president dhe t’iu shmanget zgjedhjeve. Pra, i shoh si taktika të Kurtit për ta dramatizuar situatën dhe, në anën tjetër, për ta dërguar vendin në zgjedhje.”, tha ai për RTV 21.

    Deputeti Tahiri e ka quajtur telenovelë të Kurtit kërkesën e tij se nevojiten 84 apo 85 vota të sigurta për zgjedhjen e presidentit.

    “Vazhdim i telenovelave për ta humbur vëmendjen dhe për të krijuar situata të paarsyeshme, por ne e dimë se konsensusi arrihet me 80 vota dhe se të mjaftueshme janë 80 vota.”, theksoi Tahiri për rtv21

    Ndërsa sa i përket mundësisë së një takimi Kurti-Hamza, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se fillimisht duhet të ketë ftesë zyrtare, pastaj një kërkesë e tillë do të shqyrtohet në parti.

    “Nuk është se është treguar seriozitet dhe respekt, pra është abuzuar me bashkëpunimin dhe konstruktivitetin e PDK-së. Ndërsa tani qëndrimi është se duhet të ketë shkresë zyrtare drejtuar PDK-së, përkatësisht kryetarit, dhe më pas PDK-ja do ta trajtojë në organet e saj kërkesën dhe do të dalë me qëndrim.”, ka deklaruar Tahiri.

  • Vdes ish-politikani gjerman Christian Schwarz Schilling, ishte marrë me Bosnjen dhe Kosovën

    Vdes ish-politikani gjerman Christian Schwarz Schilling, ishte marrë me Bosnjen dhe Kosovën

    Ish-Ministri Federal Gjerman i Postës dhe Telekomunikacionit, Christian Schwarz-Schilling (CDU), ka ndërruar jetë. 95-vjeçari ndërroi jetë të hënën e Pashkëve i rrethuar nga familja e tij në Büdingen, Hesse. Kështu ka njoftuar Michael Brand, një anëtar i CDU-së në Bundestag nga Hesse dhe një mik i hershëm i Schwarz-Schilling.

    Si ndërmjetës ndërkombëtar, ish-ministri punoi për të zgjidhur tensionet në Bosnje-Hercegovinë nga viti 1995 deri në vitin 2007. Gjithashtu Schilling ka pasur njohuri edhe për zhvillimet politike në Kosovë dhe në disa intervista kishte dhënë komentet e tij për Dialogun e Brukselit.

    Schwarz-Schilling lindi më 19 nëntor 1930, në Innsbruck, djali i një kompozitori dhe një pianisti. Edhe pse vetë ishte i aftë në piano dhe orgë, pasi mbaroi shkollën e mesme ai studioi histori dhe kinologji në Berlin, më pas filloi një praktikë bankare dhe u martua në një familje sipërmarrëse në Büdingen, Hesse.

  • Edita Tahiri: Vetëm një gjuhë e përbashkët politike sjell president të unitetit, jo si në mandatin e kaluar

    Edita Tahiri: Vetëm një gjuhë e përbashkët politike sjell president të unitetit, jo si në mandatin e kaluar

    Ish-shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se një gjuhë e përbashkët politike do t’i sillte vendit një president të unitetit, duke shtuar “jo si në mandatin e kaluar”.

    Me këtë, Tahiri iu referua Vjosa Osmanit dhe aludoi në mungesën e unitetit të saj.

    “Vetëm një gjuhë e përbashkët politike sjell një president të unitetit dhe funksionalitetit të shtetit – dhe jo si në mandatin e kaluar..” ka shkruar ajo.

  • Deputetja e AAK’së zbulon ‘zënkën’ me Abdixhikun: S’na u përgjigj për nënshkrimet, s’kemi arsye me iu përgjigjë as ne

    Deputetja e AAK’së zbulon ‘zënkën’ me Abdixhikun: S’na u përgjigj për nënshkrimet, s’kemi arsye me iu përgjigjë as ne

    Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, duke folur takimin e mundshëm mes kreut LDK-së, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt, tha se nuk ka arsyje për t’iu përgjigjur ftesës së Abdixhikut.

    Bytyqi thotë se Abdixhiku nuk iu kishte përgjigjur pozitivisht kur ia kishin kërkuar nënshkrimet për Haradinajn president.

    “Lumir Abdixhiku, kur ne i kemi kërkuar mbështetje, kryetarit të LDK-së për nënshkrimet e kryetarit Haradinaj për president, nuk na është përgjigjur me ftesë pozitive dhe ne nuk kemi arsyje për ti përgjigjur ftesës”, tha ajo për RTV21.

    Deputetja e AAK-së, shtoi se kryeministri, Kurti duhet të thirr liderët e partive të opozitës në një takim të përbashkët, jo ndamas.

    “Zoti Kurti, duhet të thirrë të gjithë liderët e partite opozitare në takim, në një takim të përbashkët, sepse nuk ka efekt pozitiv nëse thirren veç a veç.”, ka deklaruar ajo.

  • Isa Mustafa paralajmëron krizë nëse VV-ja merr edhe Presidentin

    Isa Mustafa paralajmëron krizë nëse VV-ja merr edhe Presidentin

    Gjatë ditës së djeshme janë riaktivizuar diskutimet politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit, në një kohë kur ende mungon një konsensus ndërmjet pozitës dhe opozitës.

    Lidhur me këtë çështje ish- kryetari i LDK-së, Isa Mustafa fillimisht ka sqaruar se cilat opsione nuk i konsideron si zgjidhje të pranueshme për situatën aktuale.

    “Së pari po shprehem se çfarë nuk është zgjidhje. Zgjidhje nuk do të ishte që VV, duke e pasur shumicën në Kuvend, Kryeparlamentarin dhe Qeverinë, të ketë edhe Presidentin. Kështu do të ktheheshim në një shtet njëpartiak.”, ka thënë ai për Indeksonline.

    Ai paralajmëron për rrezikun e përqendrimit të pushtetit në një subjekt të vetëm politik, duke e parë këtë si cenim të balancës demokratike.

    Mustafa thekson se zgjidhja duhet të vijë përmes bashkëpunimit ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke përfshirë edhe mundësinë e një kandidature jashtë shumicës:

    “Do të ishte zgjidhje që partia që ka shumicën të tregojë vullnet për një president nga opozita ose për një personalitet për të cilin pajtohen pozita dhe opozita.”, vlerësoi ai.

    Sipas tij, një qasje e tillë do të ndihmonte në ruajtjen e balancave institucionale dhe politike në vend.

    Duke folur për karakteristikat që duhet të ketë një kandidat i mundshëm, Mustafa pranon vështirësinë e arritjes së një figure ideale, por nënvizon disa parime bazë.

    “Këtë figurë është vështirë ta gdhendim si skulptor, por të pajtohemi se nuk ka të përkryer. Të jetë një njeri që siguron balancë të brendshme, mbrojtje të kushtetutës dhe përfaqësim jashtë në interes të vendit.”, tha tutje Mustafa.

    Në mungesë të vullnetit politik për kompromis, Mustafa sugjeron që vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.

    “Nëse nuk gjendet ky vullnet, do të ishte më mirë të përfundohet ky cikël i amullisë dhe të shkohet në zgjedhje.”

    Në fund, ai e vendos situatën politike edhe në një kontekst më të gjerë global, duke theksuar mungesën e orientimit strategjik.

    “Ndryshimet gjeopolitike dhe ato gjeoekonomike kërkojnë nga çdo vend t’i definojë interesat e veta. Duket se ne nuk jemi në këtë rrugë!”

    Me aktgjykimin e shpallur nga Kushtetuesja më 25 mars u përcaktua afati prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit, konkretisht deri më 28 prill.

    Nëse Presidenti nuk arrin të zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.