ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj: Sigurimi shëndetësor i domosdoshëm, t’u hiqet qytetarëve barra e kostove të papërballueshme

    Haradinaj: Sigurimi shëndetësor i domosdoshëm, t’u hiqet qytetarëve barra e kostove të papërballueshme

    Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, edhe pse i vonuar, është tepër i nevojshëm për qytetarët.

    Haradinaj theksoi se për shumë vjet qytetarët janë detyruar të paguajnë shuma marramendëse në spitalet e rajonit për trajtime shëndetësore, duke u përballur me barrë financiare të papërballueshme për familjet e tyre.

    Haradinaj theksoi se Aleanca e mbështet këtë projektligj, me kusht që ai të garantojë mbrojtje reale për qytetarët nga këto kosto të rënda dhe të sigurojë që kujdesi shëndetësor të mos mbetet barrë financiare për ta.

  • “Si rasti i Maduros”-Deputeti i VV-së flet për rrezikun, që sipas tij, i kanoset Kurtit nga Serbia

    “Si rasti i Maduros”-Deputeti i VV-së flet për rrezikun, që sipas tij, i kanoset Kurtit nga Serbia

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka arsyetuar përdorimin e automjeteve të blinduara nga kryeministri Albin Kurti, duke thënë se të parit të qeverisë i kanosen rreziqe të shumta, sidomos prej Serbisë.

    Sipas Azemit, Kurti është një nga figurat më të rrezikuara shtetërore.

    “Kryeministri Kurti është një nga figurat më të rrezikuara shtetërore, sidomos nga Serbia. Dhe e vlerësoj si të frikshme këtë debat që po përmendet javëve të fundit. Vetëm tri javë më herët, zyrtarë shumë të lartë shtetërorë serbë kanë paralajmëru dhe kanë legjitimu ndërhyrjen edhe ushtarake edhe policore, njësoj si ka vepru Trumpi, duke iu referu arrestimit të Nicolás Maduro në Venezuelë. Të njëjtit kanë deklaru se mbase edhe Serbia duhet t’i shqyrtoj këto mundësi për operacione të tilla. E në këso situata, kur ka kërcënime publike, mund të ketë edhe veprime të tilla”, ka deklaruar ai.

  • Bajrami: Me ligjin e ri, pensionistëve u zvogëlohet pensioni për 3.5%, tregoni se cilat barna do i marrin pa pagesë ata

    Bajrami: Me ligjin e ri, pensionistëve u zvogëlohet pensioni për 3.5%, tregoni se cilat barna do i marrin pa pagesë ata

    Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në seancën e sotme parlamentare, ka thënë se me ligjin e ri, pensionistëve do u zvogëlohet pensioni për 3.5%.

    Ajo ka pyetur qeverinë edhe se, cilat barna, pensionistët do i marrin pa pagesë.

    ‘’Një lajm shumë i keq për pensionistët, sepse po flitet që, qeveria u ndanë nga 100 euro e tjera e kemi pa ia u ndanë në kohë zgjedhjeve, sipas ligjit të cilin e keni sjellë këtu, pensionistët kanë me nda 3.5 % prej pensionit të tyre dhe qeveria nuk ndan fare për ta. Pra, pensionistëve u zvogëlohet pensioni për 3.5%, mirëpo sot askush nuk qe në gjendje me ju tregu pensionistëve se cilat barna ata do i marrin pa pagesë. Se atyne sot, krejt pensioni në barna ju shkon, shumicës prej tyre ju shkon në barna’’, ka thënë ajo.

    Këto komente ajo i ka bërë lidhur me Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

  • Deputetët miratojnë në parim Projektligjin për sigurimet shëndetësore

    Deputetët miratojnë në parim Projektligjin për sigurimet shëndetësore

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, teksa partitë opozitare kërkuan më shumë informacione nga Qeveria lidhur me pagesat dhe pakot që do të ofrohen.

    Projektligji u miratua me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Shqyrtimi i dytë i projektligjit do të bëhet më 23 prill.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se projektligji synon mbulimin universal të shërbimeve shëndetësore dhe synon të përmirësojë shëndetin e mirëqenien, por edhe të parandalojë sëmundje të ndryshme.

    “Është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët. Me sigurimin e detyrueshëm çdo qytetar do të ketë qasje të barabartë në shërbimet bazë shëndetësore, duke reduktuar ndjeshëm barrën financiare individuale dhe duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë”, tha Vitia.

    Ai tha se ky projektligj po ashtu siguron fonde të qëndrueshme për sistemin shëndetësor.

    “Me këtë ligj themelohet Fondi i kujdesit të detyrueshëm shëndetësor, përfshirë funksionimin, financimin e Fondit të kujdesit të detyrueshëm shëndetësor të Kosovës”, tha ai.

    Sipas ministrit, projektligji parasheh të prezantojë disa metoda të pagesës për shërbimet e kujdesit shëndetësor që mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm. Megjithatë, ai nuk dha detaje lidhur me pakot që do të ofrohen apo tarifat që do të jenë për to.

    “Skema e mbulimit të barnave jashtëspitalore është identifikuar si alternativa më e mirë për këtë shërbim shtesë dhe vlerë të shtuar”, tha Vitia.

    Sipas tij, projektligji bazohet në parimin e barazisë dhe nuk do të ketë dallim në qasjen e shërbimeve shëndetësore mes personave që përmes kontributeve kanë sigurim shëndetësor, apo familjarëve të tyre që varen nga ky shërbim, apo pjesës së popullsisë që sigurimin shëndetësor ia mbulon shteti, duke shtuar se grupet e cenueshme do të përjashtohen nga kontributet.

    Gjatë debatit, deputetët nga partitë opozitare vunë në pah se ka shumë paqartësi lidhur me këtë ligj.

    Nga LDK-ja thanë se ligji parasheh që punëdhënësi të paguajë 3.5 për qind, ndërkaq 3.5 për qind do të paguhen nga punëtori. Hykmete Bajrami tha se edhe pensionistët do të paguajnë nga pensionet e tyre 3.5 për qind kontribute.

    LDK-ja, sikurse edhe partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrahën në parim ligjin, duke thënë se kontributet e tyre për këtë ligj do t’i japin ndërmjet dy leximeve.

    Artan Behrami nga PDK tha se ligji është jetik për qytetarët.

    “Në parim jemi për këtë ligj dhe mes dy leximeve, ne do të sjellim një kontribut për ta bërë ligjin më të mirë dhe më lehtë të zbatueshëm”, tha ai.

    Armend Zemaj nga LDK tha se ligji parashihet të hyjë në fuqi pesë vjet nga miratimi, duke argumentuar se qytetarët veçse kanë humbur vite të tëra nga mungesa e sigurimeve shëndetësore.

    Ndërkaq, deputeti Daut Haradinaj, tha se e përkrahin ligjin, por pret nga Vitja që të qartësojë se kush dhe sa do të paguajë, a do të përjashtohen nga pagesa kategoritë e dala nga lufta, të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe kategori të cenueshme.

    Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në janar, pasi ajo gjeti se ky ligj ishte miratuar në mënyrë jokushtetuese.

    Gjykata tha në vendimin e janarit se Kuvendi e miratoi atë më 5 dhjetor 2024 duke bërë shkeljeve procedurale gjatë procesit ligjbërës.

    Kjo është një përpjekje 10-vjeçare për sjelljen e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në vend.

    Mungesa e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor besohet se i ka dëmtuar të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos shtresat e varfra të shoqërisë dhe grupet e cenueshme, si pensionistët dhe rastet sociale.

    Aktualisht, shërbimet në institucionet publike shëndetësore në Kosovë ofrohen pa pagesë vetëm për kategori të caktuara, si fëmijët, pensionistët apo rastet sociale, ndërsa për të tjerët vlen bashkëpagesa për kujdes shëndetësor.

    Shuma e saj varion – nga 1 deri në qindra euro – varësisht nga shërbimi që merr pacienti.

    Për ato trajtime që nuk realizohen në institucionet publike, përgjegjësinë e mbulimit të kostove e ka Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, i cili menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë. Por procedurat burokratike, derisa pacientët t’i marrin mjetet e nevojshme, zgjasin me javë të tëra, e nganjëherë edhe muaj.

    Prandaj, shumë qytetarë detyrohen t’i përballojnë vetë shpenzimet – qoftë në spitale private, qoftë jashtë shtetit.

    Sigurime shëndetësore kanë vetëm ata që i marrin nga kompanitë private.

  • Thaçi për vdekjen e babait: Fakti që s’mora pjesë në varrim më ka lënduar thellë

    Thaçi për vdekjen e babait: Fakti që s’mora pjesë në varrim më ka lënduar thellë

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për vdekjen e babait të tij.

    Ai në një intervistë për gazetën e njohur gjermane, FAZ tha se fakti që nuk mori pjesë në varrim, e ka lënduar thellë.

    “I vlerësoj shumë fjalët tuaja të mira për vdekjen e babait tim. Ishte një humbje e madhe për familjen time dhe për mua personalisht. Tani ndodhem në vitin e gjashtë të paraburgimit dhe ende pres një vendim gjykate. Fakti që nuk munda të marr pjesë në varrimin e babait tim dhe t’i jap lamtumirën e fundit më ka lënduar thellë, një dhimbje që do ta mbaj gjithë jetën”, ka thënë ai për FAZ.

  • Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut bëhet me pasaportë shqiptare

    Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut bëhet me pasaportë shqiptare

    Eric Adams, ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut është pajisur me pasaportë shqiptare.

    Vendimi për t’i dhënë pasaportën shqiptare është miratuar me një dekret të veçantë nga Presidenti Bajram Begaj ditën e sotme.

    Në dekret thuhet se bazuar në ligjin 113/2020, Eric Adams i jepet shtetësia shqiptare dhe ky dekret hyn menjëherë në fuqi dhe botohet në Fletoren Zyrtare dhe shtohet se Adams u pajis me pasaportë shqiptare me kërkesë të tij vetë.

    Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut ishte më parë për një vizitë në Shqipëri, në tetor të 2025 ku u takua dhe me kryeministrin Rama./TCh

  • Krasniqi Goodman dhe Tahiri emërohen të deleguara për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

    Krasniqi Goodman dhe Tahiri emërohen të deleguara për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka takuar sot Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyhrete Tahirin, të cilat janë emëruar të deleguara të posaçme për çështjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

    “Gjatë takimit u vlerësua guximi dhe qëndrueshmëria e tyre, si dhe roli i rëndësishëm që kanë luajtur në thyerjen e heshtjes dhe në kërkimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatën nga presidenca.

    “U theksua se zëri i tyre ka ndihmuar që kjo çështje të trajtohet me dinjitet dhe seriozitet, si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare dhe se angazhimi i tyre tashmë ka edhe dimension institucional”.

    Në takim po ashtu u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit me institucionet dhe për avancimin e të drejtave të tyre.

  • ZRRE propozon që të mos ketë shtrenjtim të rrymës për 2026

    ZRRE propozon që të mos ketë shtrenjtim të rrymës për 2026

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që për këtë vit të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.

    Në një komunikatë për media, ZRRE-ja ka bërë të ditur se këtë vit pritet më shumë import dhe më pak prodhim brenda, por për të shmangur ndikimin e menjëhershëm është propozuar një mekanizëm që të ketë shpërndarje të kostove të rritura në më shumë periudha tarifore.

    “Ky mekanizëm parasheh që një pjesë e kostove të rritura të furnizimit të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, me qëllim zbutjen e ndikimit në tarifa për një vit të vetëm. Ky trajtim nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por një shpërndarje të tyre në kohë, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe përballueshmërinë për konsumatorët. Pra ZRRE propozon që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal”, thuhet në komunikatën për media kur u bë publikimi i raporteve konsultative për të hyrat e lejuara maksimale për operatorët dhe furnizuesit.

    ZRRE-ja po ashtu ka bërë të ditur se gjatë analizës së aplikacioneve të pranuara nga ndërmarrjet energjetike, është vënë re se më 2026 do të ketë prodhim vendor më të ulët për shkak të remonteve në Termocentralet Kosova A dhe B. Kjo nënkupton se do të ketë më shumë import.

    Tani konsumatorët, ndërmarrjet dhe palët tjera kanë mundësi të dërgojnë komente deri më 24 prill. Pas kësaj pritet që të merret vendimi i Bordit të ZRRE-së.

    Në strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me shërbime universale të furnizimit është përcaktuar që tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00 deri në 22:00 gjatë periudhës 1 tetor deri më 31 mars, kurse prej orës 08 deri në 23:00 gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator. Tarifa e lartë për konsumatorët të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj është 9.05 centë për kilovat, teksa ajo e ulët është 3.88 centë për kilovat. E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë, tarifa e lartë është 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta 7.28 centë.

    Rritja e çmimit të rrymës u kërkua nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS). KESCO kërkoi rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, Për rritjen e kësaj përqindjeje, KESCO është thirrur në sasinë e madhe të importit të energjisë elektrike.

    Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

    Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.

    Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë.

    Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat.

  • Thaçi: Pa rezistencën e popullit dhe pa ndërhyrjen e NATO’s, Kosova nuk do të ekzistonte sot

    Thaçi: Pa rezistencën e popullit dhe pa ndërhyrjen e NATO’s, Kosova nuk do të ekzistonte sot

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën për FAZ, ka thënë pa rezistencën e popullsisë kosovare, dhe, pa ndërhyrjen e NATO’s, Kosova nuk do të ekzistonte më.

    ‘’Pa rezistencën e popullsisë kosovare dhe pa ndërhyrjen e NATO-s, Kosova nuk do të ekzistonte sot. Kosovarët shqiptarë nuk do të ekzistonin. Populli i Kosovës bëri atë që çdo popullsi e shtypur gjatë historisë ka bërë — dhe do të bënte — kur u përball me një kërcënim ekzistencial nga diktatorë si Slobodan Millosheviq’’, ka thënë ai për FAZ

  • Ish-presidenti Thaçi: Jetën politike s’e shoh pas vetës, si qytetar i lirë do vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit

    Ish-presidenti Thaçi: Jetën politike s’e shoh pas vetës, si qytetar i lirë do vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit

    Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, dhënë një intervistë për gazetën e njohur gjermane, FAZ.

    Ish-presidenti, është pyetur se nëse ‘’ka mbaruar jeta e politikanit’’ për të, ku është përgjigjur se, garën politike e sheh pas vetes, por jo edhe jetën e tij politike.

    ‘’Ju pyetni nëse jeta ime politike ka mbaruar. Unë e shoh garën politike pas meje, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës, do të vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit në të ardhmen. I përulem popullit të Kosovës që më ka treguar besim, respekt dhe mbështetje për vizionin tim politik për dy dekada. Gjithashtu shpreh mirënjohjen time të thellë për partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë punuar ngushtë me mua për të realizuar vullnetin e popullit për liri dhe pavarësi. Ndihem i përmbushur në karrierën time politike’’, ka thënë ai për FAZ.