ATV

Category: Lajme

  • Sa kushtoi misioni Artemis II drejt Hënës?

    Sa kushtoi misioni Artemis II drejt Hënës?

    Katër vite më parë, NASA vlerësonte se 93 miliardë dollarë (69 miliardë paund) do të shpenzoheshin për programin Artemis midis viteve 2012 dhe 2025, shumë më tepër se vlerësimet e mëparshme.

    Edhe pse programi zyrtarisht filloi në vitin 2017, ndërtimi i raketës kishte nisur shumë më herët. Por sipas raportit më të fundit të auditimit, kostot janë rritur që atëherë.

    Megjithëse shfrytëzimi i burimeve të Hënës mund të sjellë përfitime të mundshme ekonomike, kjo mbetet ende shumë larg.

    Megjithatë, NASA argumenton se programi, në formën e tij aktuale, sjell përfitime të konsiderueshme për ekonominë e SHBA-së. Të dhënat më të fundit nga organizata tregojnë se ajo punëson pothuajse 20,000 persona, duke gjeneruar 75.6 miliardë dollarë prodhim ekonomik. Argumenti i dytë është se SHBA-ja nuk mund të përballojë të mbetet pas rivalëve të saj.

    Në një seancë dëgjimore të vitit 2024 nga Committee on Science, Space and Technology për të vlerësuar programet e NASA, kryetari, përfaqësuesi republikan Frank Lucas, tha: U kujtoj kolegëve të mi se ne nuk jemi i vetmi vend i interesuar për të dërguar njerëz në Hënë. Partia Komuniste Kineze […] ka deklaruar ambicien e saj për të pasur astronautë njerëzorë në sipërfaqe deri në vitin 2030. Vendi që do të zbresë i pari do të ketë mundësinë të vendosë një precedent për atë nëse aktivitetet e ardhshme hënore do të zhvillohen me hapje dhe transparencë apo në një mënyrë më të kufizuar.

  • Persona të armatosur vrasin të paktën katër persona në një vend pikniku në Afganistan

    Persona të armatosur vrasin të paktën katër persona në një vend pikniku në Afganistan

    Disa persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas një sulmi të armatosur në një vend pikniku në provincën Herat të Afganistanit.

    Siç shkruan BBC, ngjarja ndodhi të premten pasdite në fshatin Deh Mehri, distrikti Enjil, ku persona të paidentifikuar që lëviznin me motoçikleta hapën zjarr ndaj civilëve.

    Raportet mbi numrin e viktimave janë kontradiktore pasi Ministria e Brendshme e Talebanëve njoftoi për shtatë të vrarë, ndërsa zyrtarët lokalë raportuan katër.

    Një mjek nga spitali rajonal i Heratit tha për BBC-në se numri i viktimave është edhe më i lartë, 12 të vrarë dhe 12 të plagosur, duke theksuar se të gjithë ishin pjesëtarë të komunitetit Hazara, një pakicë Shia e cila shpesh ka qenë e shënjestruar në të kaluarën.

    Zyrtari taliban Ahmadullah Muttaqi konfirmoi se mes të plagosurve ka edhe gra dhe se një i dyshuar është arrestuar nga forcat e sigurisë. Ai e cilësoi ngjarjen si një “incident terrorist” dhe shtoi se viktimat kishin shkuar në një zonë për rekreacion pranë një tyrbe myslimane Shia që vizitohet çdo ditë nga shumë njerëz për lutje.

    Autoritetet afgane po hetojnë ngjarjen, ndërsa asnjë grup nuk ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin.

  • Kurti tregon se ka darkuar tre orë me Malcolm: Mahnitem nga fuqia intelektuale e tij, Kosova ka nevojë për njerëz si Sir Noel

    Kurti tregon se ka darkuar tre orë me Malcolm: Mahnitem nga fuqia intelektuale e tij, Kosova ka nevojë për njerëz si Sir Noel

    Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka përmbyllur vizitë e tij në Londër me një takim tre orësh me historianin Sir Noel Malcolm.

    Kurti ka thënë se sa herë që takohet, mahnitet nga fuqia intelektuale dhe saktësia analitike e mendimeve të tij.

    “Sa herë që takohem me Sir Noel Malcolm, Senior Research Fellow i All Souls College i Oksfordit, mahnitem nga fuqia e tij intelektuale dhe saktësia analitike e mendimeve të tij”, ka shkruar Kurti.

    Sipas kreut të VV’së, Kosova ka gjithnjë e më shumë nevojë për njerëz si Malcolm të cilët kanë edhe dijen, edhe guximin për të folur të vërtetën e asaj që Serbia ka bërë në Kosovë.

    “Në një kohë kur bota po sfidohet vazhdimisht nga lajme të rreme për të tashmen dhe revizionizmi historik për të kaluarën, Kosova ka gjithnjë e më shumë nevojë për njerëz si Sir Noel, të cilët kanë edhe dijen, edhe guximin për të folur të vërtetën. Pikërisht këtë e ka bërë ai në veprën e tij klasike “Kosova: një histori e shkurtër”. I botuar në vitin 1998, në fillim të luftës sonë çlirimtare, ky libër i ekspozoi dhe shpartalloi mitet që shërbenin si baza propagandistike për fushatën gjenocidale të Serbisë që kryhej ndaj popullit tonë”, ka theksuar Kurti.

    “Mbrëmë, në fund të vizitës sime dyditore në Londër, e takova Sir Noel për darkë. Gjatë tri orëve sa ishim bashkë, mbuluam një gamë të gjerë temash, prej ndikimit të inteligjencës artificiale në tregun e punës dhe procesin mësimor, deri te mbijetesa e veprave të at’ Gjergj Fishtës gjatë sundimit gjysmëshekullor të komunizmit në Shqipëri.Mezi pres të takohem përsëri me Sir Noel Malcolm, historian i shquar dhe mik i madh i Kosovës dhe i gjithë popullit shqiptar”, ka shkruar Kurti.

  • Bill Clinton: Eliot Engel ishte një aleat i palodhur dhe mik i vërtetë

    Bill Clinton: Eliot Engel ishte një aleat i palodhur dhe mik i vërtetë

    Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një nga aleatët më të besueshëm dhe një figurë të përkushtuar në shërbim të qytetarëve.

    Në reagimin e tij të publikuar në platformën X, Clinton ka theksuar rolin e Engel si përfaqësues i palodhur i interesave të zgjedhësve të tij, si dhe kontributin e tij në çështje të rëndësishme të politikës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare.

    Ai ka shtuar se Engel ka qenë një bashkëpunëtor i rëndësishëm gjatë periudhës së tij në Shtëpinë e Bardhë, duke e përshkruar si një mik të vërtetë dhe njeri me vlera të larta njerëzore.

    “Eliot Engel ishte një mbrojtës i palodhur i zgjedhësve të tij, një aleat i domosdoshëm për mua në çështje të brendshme dhe ndërkombëtare, një mik i vërtetë dhe një njeri i mirë. Jam mirënjohës për jetën e tij në shërbim publik dhe do të më mungojë shumë”, ka shkruar Clinton.

    Clinton ka shprehur gjithashtu mirënjohje për jetën dhe shërbimin publik të Engel, duke theksuar se trashëgimia e tij do të mbetet e vlerësuar në politikën amerikane dhe më gjerë. /Telegrafi/

  • Hoxhaj kujton takimet me kongresistin Engel: Mbështetja e tij nuk ishte vetëm politike

    Hoxhaj kujton takimet me kongresistin Engel: Mbështetja e tij nuk ishte vetëm politike

    Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kujtuar kohën e bashkëpunimit me kongresmenin Eliot Engel.

    Ai ka vlerësuar se Engel ishte një autoritet i pazëvendësueshëm politik dhe moral.

    Në profilin e tij në Facebook, Hoxhaj ka shkruar se ai do të mbetet përgjithmonë i lidhur me miqësinë e madhe mes Kosovës dhe Amerikës.

    “Ndarja nga jeta e Eliot Engel më preku thellë, jo vetëm si një mik i madh i Kosovës, por edhe si një zë i fuqishëm në ShBA për të vërtetën e shqiptarëve. Për mua dhe për çdo shqiptar, ai ishte një autoritet i pazëvendësueshëm politik dhe moral. Kam pasur privilegjin të punoj me të në përpjekjet për njohjen e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik, prandaj mbështetja e tij nuk ishte vetëm politike, por edhe thellësisht njerëzore e personale. Emri i tij do të mbetet përgjithmonë i lidhur me miqësinë e madhe mes Kosovës dhe Amerikës, ndërsa besimi i tij në të ardhmen e vendit tonë nuk do të harrohet kurrë”, ka shkruar ai.

  • Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës mbledh arkiva në Tetovë

    Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës mbledh arkiva në Tetovë

    Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka realizuar një vizitë zyrtare në Tetovë, me fokus mbledhjen dhe dokumentimin e materialeve arkivore që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Sipas njoftimit zyrtar, vizita ka nisur në Bibliotekën e Tetovës, ku janë skanuar materiale me rëndësi të veçantë, të cilat lidhen me dokumentimin e dëbimit të popullsisë shqiptare gjatë viteve 1998–1999.

    Këto materiale pritet të shërbejnë si dëshmi të rëndësishme në ndërtimin e arkivave dhe në forcimin e bazës dokumentare për trajtimin e krimeve të luftës, si dhe në funksion të ruajtjes së kujtesës historike.

  • Thaçi për shkëmbimin e territoreve: Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

    Thaçi për shkëmbimin e territoreve: Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe nga Qendra e Paraburgimit në Hagë ka komentuar idenë e tij për shkëmbim territoresh me Serbinë.

    Në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ai ka bërë të ditur se ky propozim kishte për qëllim sigurimin e një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’u mundësonte të dyja vendeve të ecin përpara dhe Kosovës integrim të plotë ndërkombëtar. Do të ishte e pafalshme të lihen probleme të pazgjidhura për brezat e ardhshëm”, është shprehur Thaçi.

  • 19-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident tragjik në Austri

    19-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident tragjik në Austri

    Një 19-vjeçar me prejardhje nga Kosova ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën Eferdinger, në Alkoven të Austrisë, pas një aksidenti të rëndë trafiku.

    Sipas mediave lokale, i riu ishte përplasur me një kamion, ndërsa bëhet e ditur se përplasja ka qenë shumë e fortë, saqë shoferi ka mbetur i bllokuar brenda automjetit dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për ta nxjerrë.

    Vdekja e tij është konstatuar nga mjekët në vendin e ngjarjes, ndërsa janë njoftuar edhe familjarët për rastin tragjik.

    Si erdhi deri te ky aksident?

    Media austriake “orf” ka raportuar se i riu nga Kosova, i cili jetonte në Eferding, ishte duke u nisur për në punë pak pas orës 07:00 të mëngjesit të së shtunës.

    Për arsye ende të panjohura, ai ka dalë në shiritin e kundërt të rrugës, siç kanë deklaruar shoferë të tjerë.

    Kamioni me të cilin u përplas i riu nga Kosova po drejtohej nga një 63-vjeçar. Makinat janë ndeshur kokë më kokë dhe më pas janë rrokullisur.

    Goditja ka qenë aq e fortë sa shoferi i ri ka mbetur i ngujuar në automjetin e shkatërruar dhe ka pësuar lëndime të rënda.

    Një mjek që ndodhej rastësisht pranë vendit të ngjarjes ka ofruar menjëherë ndihmën e parë. Më pas kanë intervenuar edhe zjarrfikësit e Brigadës Polsing dhe Alkoven, të cilët e kanë nxjerrë të riun nga rrënojat, por ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes.

    Një kushëri i viktimës ka arritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe ka informuar babanë e 19-vjeçarit për tragjedinë.

    Familjarët kanë marrë edhe mbështetje psikologjike, ndërsa shoferi i kamionit ka pësuar tronditje nga ngjarja.

  • Tre të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Liban

    Tre të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Liban

    Tre persona janë vrarë pasi Izraeli sulmoi qytetin Zefta në Nabatieh, në jug të Libanit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të këtij vendi.

    Ministria thotë se një nga të vrarët ishte pjesëtar i Mbrojtjes Civile të Libanit. Dy persona të tjerë janë plagosur.

    Nuk është e qartë se kur saktësisht kanë ndodhur vrasjet. Pamjet e publikuara nga Reuters tregojnë tym që ngrihet pas sulmeve ajrore në Liban sot.

    Ushtria izraelite tha të premten se kishte goditur 40 “infrastruktura shtesë” në jug të Libanit.

  • Abdixhiku: S’ka gjasa të vetëpropozohem për president, LDK s’mbështet skenarin ku tri pozitat kryesore në shtet i ka LVV

    Abdixhiku: S’ka gjasa të vetëpropozohem për president, LDK s’mbështet skenarin ku tri pozitat kryesore në shtet i ka LVV

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk është diskutuar për emra konkretë për president, duke hedhur poshtë spekulimet për kandidatura të mundshme dhe duke theksuar se LDK-ja nuk do të mbështesë një zgjidhje ku të gjitha pozitat kryesore shtetërore i takojnë një partie të vetme.

    Ai tha se diskutimi ka qenë vetëm për propozimet aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilat LDK-ja ka dhënë përgjigje negative.

    “Kam dëgjuar shumë spekulime dje. Janë vetëm spekulime, nuk janë të vërteta. Pra, nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri kandidaturat, të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha ai.

    Abdixhiku bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme mund të ketë takime të reja, por se aktualisht nuk ka zhvillime konkrete në këtë drejtim.

    “Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë, dhe nuk na është kërkuar ende asgjë. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe mbi këtë të vërtetë do shohim se si do zhvillohen çështjet tutje”, tha ai.