ATV

Category: Lajme

  • Vrau prindërit e ish-partnerit, kufomat u gjetën të copëtuar në valixhe – 30 vite burg për shqiptaren

    Vrau prindërit e ish-partnerit, kufomat u gjetën të copëtuar në valixhe – 30 vite burg për shqiptaren

    Gjykata e Kasacionit në Itali ka konfirmuar mbrëmjen e 15 prillit vendimin e dënimit me 30 vite burg për 42-vjeçaren shqiptare, Elona Kalesha, e cila vrau prindërit e ish partnerit të saj në Itali.

    Ngjarja e rëndë ndodhi në Firence në vitin 2015, Sheptim dhe Teuta Pasho u zhdukën. Çifti kishte udhëtuar drejt Italisë në prag të lirimit nga burgu të djalit të tyre, i cili ishte në një lidhje me të pandehurën.

    Pas mbërritjes, ata u zhdukën pa lënë gjurmë, ndërsa denoncimi për zhdukjen u bë nga vajzat e tyre.

    Rasti mori një kthesë dramatike në dhjetor të vitit 2020, kur trupat e viktimave u gjetën të copëtuar brenda katër valixheve në një zonë rurale pranë burgut të Sollicciano.

    Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Kalesha ka mohuar akuzat, por hetimet e autoriteteve italiane e identifikuan si përgjegjësen kryesore për krimin. Sipas prokurorisë që drejtoi hetimet, dyshohet se ajo nuk ka vepruar e vetme, por bashkëpunëtori i mundshëm nuk është identifikuar asnjëherë.

    Me vendimin e fundit të Gjykatës së Kasacionit, çështja konsiderohet e mbyllur në aspektin gjyqësor.

  • Kurti mbrëmë takoi Sorensenin, çka biseduan?

    Kurti mbrëmë takoi Sorensenin, çka biseduan?

    Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, mbrëmë priti në darkë pune Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.

    Sipas njoftimit për media, në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave.

    “Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, u tha në njoftimin e Kryeministrisë.

    Në njoftim u tha se Kurti dhe Sorensen biseduan edhe për aktualitetet politike dhe zhvillimet e brendshme.

  • Gruaja denoncon burrin për dhunë psiqike në Lipjan

    Gruaja denoncon burrin për dhunë psiqike në Lipjan

    Një rast i dhunës në familje është raportuar më 14 prill në Lipjan, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për ushtrim të dhunës psikike.

    Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, viktima femër kosovare ka deklaruar se është përballur me dhunë psikike nga bashkëshorti i saj.

    Pas raportimit, të dy palët janë shoqëruar në stacion policor. Me vendim të prokurorit palët janë liruar në procedurë të rregullt.

    “Lipjan 14.04.2026 – NN. Është raportuar se viktima femër kosovare ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj. Palët janë sjellë në stacion dhe pas inicimit të rastit në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt”.

  • QKUK jep detaje për të plagosurit në Prishtinë: Gjendja e tyre është e rëndë

    QKUK jep detaje për të plagosurit në Prishtinë: Gjendja e tyre është e rëndë

    Në orët e para të mëngjesit, të shtëna me armë zjarri janë raportuar në një diskotekë në Prishtinë, në rrugën “Ahmet Krasniqi”, në lagjen Dragodan, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona.

    Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, drejtori i emergjencës së QKUK-së, Naser Syla, ka bërë të ditur për IndeksOnline se njëri nga të plagosurit ndodhet në sallën operative dhe gjendja e tij është e rëndë dhe jo stabile.

    Ndërkaq, i plagosuri i dytë po trajtohet në Qendrën Emergjente, ku gjendja e tij është e rëndë, por stabile për momentin

    Sipas Sylës, të dy pacientët kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë duke u mbikëqyrur nga ekipet kujdestare mjekësore. Ai bëri të ditur se të plagosurit janë të moshave 1990 dhe 1995.

    “Tek ne janë dy të plagosur me armë zjarri. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme për të dy pacientët. Njëri është dërguar menjëherë në sallën operative të emergjencës, ku po punojnë ekipet kujdestare mjekësore. Gjendja e tij është e rëndë dhe jo stabile. Ndërsa i plagosuri i dytë ndodhet ende në Qendrën Emergjente, duke u mbajtur nën vëzhgim; gjendja e tij është gjithashtu e rëndë, por stabile për momentin. Mosha e të plagosurve është 1990 dhe 1995”, ka thënë Syla.

    Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili njoftoi se hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

  • Vizita në Kosovë, post Kurtit e Konjufcës, ministri belg sot takohet edhe me Haxhiun

    Vizita në Kosovë, post Kurtit e Konjufcës, ministri belg sot takohet edhe me Haxhiun

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prevot do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Kosovë.

    Ai do të pritet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me fillim të orës 13:30 në objektin e Qeverisë.

    Pos tij, ministri belg do të zhvillojë takim edhe me homologun e tij nga Kosova, Glauk Konjufca, me të cilin do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

    Maxime Prevot do të pritet edhe nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Sipas njoftimit, takimi mes tyre nis në orën 16:00.

    Vizita e kryediplomatit belg është pjesë e një turi në rajon, gjatë të cilit ai do të qëndrojë edhe në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

    Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se Shqipëria do të vizitohet në një fazë të mëvonshme, kur pritet edhe hapja e ambasadës belge në Tiranë.

  • Hungari: Magyar do të dëbojë ‘migrantët VIP’ të Orbanit

    Hungari: Magyar do të dëbojë ‘migrantët VIP’ të Orbanit

    Gruevski, Ziobro e të tjerë: Viktor Orbán-i u dha azil aleatëve politikë që përballen me probleme ligjore. Kjo do të marrë fund: kryeministri i ardhshëm, Peter Magyar, ka njoftuar se do t’i dëbojë ata, po nuk u larguan.

    Kur intelektualët hungarezë e përshkruanin sistemin e kryeministrit të rrëzuar Viktor Orbán si ‘mafioz’, vëzhguesit e huaj prireshin t’i dëgjonin me skepticizëm. Megjithatë, gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve, pati momente kur kjo ishte e vetëkuptueshme pa nevojë për fjalë. Një nga këto momente ishte në nëntor 2018, me arratisjennë Hungari të ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski.

    Pak para se Gruevski, mik i Orbánit, të fillonte të vuante dënimin me burg për korrupsion, ai u arratis në Shqipëri. Nga atje, siç hulumtoi DW në atë kohë, diplomatë hungarezë e transportuan në mënyrë të paligjshme, në një operacion të shpejtë, përmes Malit të Zi dhe Serbisë drejt Hungarisë, ku atij iu dha menjëherë azil politik – në një vend ku, për shkak të politikës së rreptë të migracionit të Orbánit, refugjatët praktikisht nuk kishin asnjë mundësi për të marrë leje qëndrimi.

    Vetëm njëri nga shumë të tjerë

    Gruevski – i cili në vendin e tij të lindjes mbetet edhe sot simbol i pakundërshtueshëm i korrupsionit -ishte thjesht më i njohuri i një serie të tërë rastesh të ngjashme: nën sundimin e Orbán-it, Hungaria u bë një strehë e sigurt për shumë politikanë të afërt me kryeministrin, që po përballeshin me probleme ligjore për raste korrupsioni ose që ishin dënuar me vendime përfundimtare.

    Në dhjetor 2024, ish-zëvendësministrit polak të Drejtësisë, Marcin Romanowski, i cili ishte në kërkim nga policia, iu dha azil në Hungari. Në nëntor 2025 u arratis në vendin e Orbánit, shefi i tij i mëparshëm, ish-ministri i Drejtësisë. Të dy politikanët, të cilët deri në dhjetor 2023 ishin pjesë e qeverisë konservatore të krahut të djathtë të Mateusz Morawieckit, janë në kërkim me urdhër arresti për akuza korrupsioni.

    Disa politikanë nga minoritetet hungareze në Rumani dhe Ukrainë gjithashtu kanë kërkuar strehim në Hungari në vitet e fundit. Në shumicën e rasteve, Orbáni ose politikanë të tjerë të qeverisë kanë pretenduar se rastet që përfshinin të prekurit ishin të motivuara politikisht.

    “Ne nuk do të jemi një vendgrumbullim për kriminelët”

    Tani, qeveria e ardhshme e Hungarisë dëshiron t’i heqë qafe ata. Në janar 2026, kur u bë publike se Ziobro-s i ishte dhënë azili në Hungari, Peter Magyar, fituesi i zgjedhjeve parlamentare më 12 prill 2025, dhe partia e tij, Tisza, deklaruan: “Hungaria nuk do të jetë një strehë për kriminelë të huaj.” Duket se Magyari tani ka ndërmend ta marrë këtë seriozisht.

    Të hënën pasdite (13 prill 2026), gjatë një konference ndërkombëtare për shtyp, Magyar-i iu përgjigj një pyetjeje nga kanali televiziv polak TVN duke deklaruar se qeveria e tij do t’i ekstradonte Romanowski-n dhe Ziobro-n në Poloni. “U sugjeroj që të mos shkojnë më te Ikea dhe të blejnë mobilje, sepse nuk do të qëndrojnë shumë më gjatë këtu,” tha Magyar, “Hungaria nuk është vendgrumbullim për kriminelët e kërkuar ndërkombëtarisht.”

    Magyar-i gjithashtu pret që “kriminelët, edhe nëse janë politikanë kriminalë”, të ekstradohen në Hungari. “Ne do të gjejmë një mënyrë për t’i ekstraduar në Poloni, nëse nuk kanë ikur tashmë.” Magyari përmendi gjithashtu me emër ish-kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski.

    Ikje në SHBA?

    Si në Poloni ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, deklarata e Magyar-it, së bashku me lajmin për fitoren e tij në zgjedhje, u bë menjëherë tema kryesore në media dhe mes politikanëve. Kryeministri polak, Donald Tusk, tha për rastin Romanowski dhe Ziobro: “Shpresoj të jem në gjendje t’u them këtyre dy zotërinjve: Mirë se erdhët në Poloni.” Ai deklaroi se kishte folur tashmë me Magyarin për këtë çështje para zgjedhjeve.

    Në një intervistë për televizionin Polsat News të martën (14/04/2026), Ziobro deklaroi se do të ishte gjithmonë i gatshëm të “luftonte për të vërtetën”, madje “edhe nga një qeli burgu”. Politikani nuk sqaroi nëse do të largohej nga Hungaria ose kur do ta bënte këtë. Romanowski deklaroi në një njoftim për shtyp: “Nuk do t’i ndihmoj qeverisë së Tuskut; nuk do t’i zbuloj as planet e mia, as adresën time të re.”

    Sipas mediave polake, SHBA janë destinacioni i ri më i mundshëm për të dy, pasi partia Ligji dhe Drejtësia (PiS), së cilës i përkasin të dy, mban lidhje të ngushta me lëvizjen MAGA. Ziobros dhe Romanowskis u janë revokuar pasaportat në Poloni, por ata mund të kenë marrë një ‘pasaportë Gjeneve’ në Hungari, domethënë një pasaportë refugjati.

    Riparimi i shpejtë i marrëdhënieve

    Për qeverinë e ardhshme të Peter Magyar-it, ekstradimi i Romanowski-t dhe Ziobro-s në Poloni do të ishte një akt me vlerë të madhe simbolike dhe një sukses i madh në marrëdhëniet publike pa rreziqe politike. Magyar-i dëshiron të rregullojë shpejt marrëdhëniet dypalëshe të shkatërruara nga Orbán dhe shpreson të sigurojë mbështetje të fortë nga Polonia brenda BE-së për të marrë fondet e ngrira të BE-së, të cilat janë jetike për ekonominë hungareze, aktualisht e zhytur në një krizë të rëndë. Prandaj, udhëtimi i parë jashtë vendit i Magyar si kryeministër do ta çojë atë në Poloni.

    Nga ana tjetër, liderët e rinj të Hungarisë luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm për qeverinë polake, pasi presidenti populist konservator i krahut të djathtë, Karol Nawrocki, është mik i Orbán-it, saboton shumë nga projektet e reformës së qeverisë së Tusk-ut dhe ka vendosur si qëllim rikthimin e populistëve të krahut të djathtë në pushtet.

    Ku është Gruevski?

    Në Maqedoninë e Veriut , rasti i ekstradimit të përmendur nga Magyari ka shkaktuar një stuhi politike. Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili e zëvendësoi Gruevskin si udhëheqës i partisë konservatore të djathtë VMRO-DPMNE, deklaroi se paraardhësi i tij duhet të shkojë në burg nëse kthehet në vend. Gruevski, i cili ka qenë kryeministër midis viteve 2006 dhe 2016, është dënuar përfundimisht me nëntë vjet burg për korrupsion. “Nëse Nikola Gruevski shfaqet në Maqedoni dhe ekziston një vendim përfundimtar, ai do të arrestohet nga forcat e sigurisë dhe do të transferohet për të vuajtur dënimin,” tha Mickoski të martën.

    Mickoski dhe Gruevski dikur ishin kolegë në parti, por marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të tensionuara për vite me radhë. Që në vitin 2023, kishte spekulime se qeveria e atëhershme socialdemokrate kishte arritur një marrëveshje me Gruevskin për kthimin e tij në Maqedoninë e Veriut, me qëllim dobësimin e pozitës së Mickoskit si lider brenda partisë opozitare atëherë VMRO-DPMNE, në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024.

    Megjithatë, kjo marrëveshje dështoi, pasi qeveria e asaj kohe nuk arriti të siguronte një amnisti për Gruevskin përmes kanaleve ligjore. Tani, megjithatë, lideri i Socialdemokratëve maqedonas (SDSM), Venko Filipçe, ka deklaruar se ata do të mirëprisnin ekstradimin e Gruevskit.

    Gruevski vetë nuk e ka komentuar këtë çështje deri sot. Vendndodhja e tij aktuale është e panjohur, pasi ai jeton një jetë tepër të tërhequr. Atë e kanë parë për herë të fundit në tetor 2024 në një restorant në qendër të Budapestit. /DW

  • Trump provokon përsëri, poston një foto ku përqafon Jezusin: Mendoj se është e bukur

    Trump provokon përsëri, poston një foto ku përqafon Jezusin: Mendoj se është e bukur

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vazhduar provokimet e tij në rrjetet sociale, duke postuar një foto të re të vetes në shoqërinë e Jezu Krishtit.

    Trump ndau një foto të vetes duke qëndruar pranë Jezusit, i cili e përqafon. Në sfond, shfaqet një flamur amerikan, duke u tretur në një dritë verbuese.

    “Majtistët radikalë mund të mos e pëlqejnë, por unë mendoj se është shumë bukur,” tha Trump.

    Rastësisht, ky postim u postua fillimisht nga faqja Irish for Trump.

    “Nuk është çudi që me të gjithë këta përbindësha satanikë që vrasin fëmijë, Zoti do të luante kartën e Trump,” thanë ata.

    Trump kishte postuar më parë një foto të vetes si Jezusi, por pasi mori kritika të shumta, ai e fshiu foton dhe më pas ofroi një shpjegim të çuditshëm.

    “E postova. Mendova se isha unë si mjek. Duhej të isha unë si mjek, duke i bërë njerëzit më të shëndetshëm,” tha Trump, duke mohuar pretendimet se ai duhej të portretizohej si Jezusi.

  • Çfarë janë 100 miliardë dollarët e ngrira të Iranit dhe ku mbahen ato?

    Çfarë janë 100 miliardë dollarët e ngrira të Iranit dhe ku mbahen ato?

    Ndërsa po rriten shpresat për një raund të dytë bisedimesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit me qëllim përfundimin e luftës, një çështje qendrore është shfaqur si pikë përplasjeje: asetet e ngrira të Teheranit që mbahen në vende të tjera.

    Ekonomia e Iranit ka qenë në vështirësi për vite me radhë për shkak të sanksioneve të vendosura nga SHBA dhe vende të tjera. Këto sanksione janë vendosur që nga viti 1979, fillimisht për shkak të pengjeve amerikane në ambasadën e SHBA-së në Teheran pas revolucionit islamik, dhe më pas janë shtuar për shkak të programit bërthamor dhe të raketave balistike të Iranit. Këto masa kanë kufizuar aftësinë e Teheranit për të pasur qasje në asetet e veta, si të ardhurat nga shitja e naftës, të cilat janë ngrirë në banka të huaja.

    Më 10 prill, para se të fillonte raundi i parë i bisedimeve për armëpushim në Pakistan, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi në X se asetet e ngrira të Iranit (të ardhurat e ngrira në banka të huaja) duhet të lirohen para se të fillojnë negociatat.

    Një ditë më vonë, në bisedimet për armëpushim në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, disa raportime sugjeruan se Washingtoni kishte rënë dakord të çlironte të paktën një pjesë të aseteve iraniane të mbajtura jashtë vendit. Por qeveria amerikane i hodhi poshtë shpejt këto raportime, duke këmbëngulur se këto asete mbeten të ngrira.

    Me rifillimin e pritshëm të bisedimeve në ditët në vijim, përpara skadimit të armëpushimit aktual SHBA-Iran në orët e para të 22 prillit në Lindjen e Mesme, pritet që ky tension të rishfaqet.

    Por sa janë asetet e ngrira të Iranit, pse Teherani nuk mund t’i përdorë, ku ndodhen aktualisht dhe pse janë të rëndësishme për Iranin?

    Cila është vlera e aseteve të ngrira të Iranit?

    Ndërsa shuma e saktë është e paqartë, raportet zyrtare iraniane dhe ekspertët e vendosin totalin e aseteve të ngrira jashtë vendit në më shumë se 100 miliardë dollarë, raporton Al Jazeera.

    Frederic Schneider, një studiues i lartë në Middle East Council on Global Affairs, tha se këto asete janë rreth tre herë më shumë se sa fiton Irani çdo vit nga shitja e hidrokarbureve.

    “Kjo është një shumë shumë e madhe, veçanërisht për një shoqëri që ka vuajtur nën dekada sanksionesh të udhëhequra nga SHBA,” tha ai.

    Megjithatë, ai shtoi se mbetet e paqartë nëse SHBA – edhe nëse i liron këto asete – do ta kushtëzojë përdorimin e tyre.

    “Irani ka patjetër një nevojë të madhe për këto asete, por duke pasur parasysh historinë shumë kaotike të sanksioneve dhe mungesën e specialistëve nga pala amerikane për të negociuar detajet, Irani është skeptik,” tha ai.

    Jacob Lew, ish-sekretar i Thesarit gjatë presidencës së Barack Obamës, tha në vitin 2016 se Irani nuk do të mund të kishte qasje në të gjitha asetet e ngrira edhe nëse sanksionet hiqeshin plotësisht. Në atë kohë, Irani kishte rënë dakord për një marrëveshje historike me SHBA dhe vende të tjera për të kufizuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

    Lew tha se në realitet, Irani do të kishte qasje vetëm në rreth gjysmën e aseteve të ngrira, pasi pjesa tjetër ishte tashmë e angazhuar për investime të premtuara më parë ose për shlyerje borxhesh.

    Aktualisht, kërkesa kryesore e Teheranit në bisedimet për armëpushim është lirimi i të paktën 6 miliardë dollarëve nga asetet e ngrira, si një masë për ndërtimin e besimit.

    Çfarë janë asetet e ngrira?

    Kur fondet, pronat ose letrat me vlerë të një individi, kompanie ose banke qendrore të një vendi mbahen përkohësisht nga autoritetet e një shteti tjetër ose një organizate globale, kjo quhet ngrirje e aseteve.

    Kjo kufizon aftësinë e pronarëve për t’i shitur ose përdorur këto asete për shkak të sanksioneve, vendimeve gjyqësore ose arsyeve të tjera rregullatore, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.

    Asetet mund të ngrihen nga një gjykatë, një shtet tjetër, një organizatë ndërkombëtare ose një institucion bankar. Zyrtarisht, vendet thonë se i ngrijnë asetet e një shteti tjetër për shkak të akuzave për aktivitete kriminale, pastrim parash ose shkelje të ligjit ndërkombëtar.

    Por kritikët theksojnë se kjo praktikë përdoret në mënyrë selektive kundër rivalëve të Perëndimit – për shembull, Izraeli është akuzuar shpesh për shkelje të të drejtave të njeriut dhe luftëra të paligjshme, por asetet e tij jashtë vendit nuk janë ngrirë.

    Në kontrast, Irani, Rusia, Koreja e Veriut, Libia, Venezuela dhe Kuba janë disa nga vendet asetet e të cilave janë ngrirë nga qeveri të huaja. Ajo që i bashkon: kundërshtimi ndaj dominimit të SHBA-së në rendin ndërkombëtar.

    Pse Irani ka asete të ngrira?

    Sipas arkivave të qeverisë amerikane, ngrirja e parë e aseteve ndodhi në nëntor 1979, kur presidenti i atëhershëm Jimmy Carter deklaroi se Irani përbënte “një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm” për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

    Në atë kohë, studentë iranianë mbanin 66 shtetas amerikanë peng në ambasadën amerikane në Teheran.

    Sekretari i Thesarit në atë kohë, William Miller, tha se asetet likuide të Iranit atëherë ishin më pak se 6 miliardë dollarë. Në vitin 1981, Marrëveshjet e Algjerit çuan në lirimin e një pjese të madhe të këtyre aseteve në këmbim të lirimit të pengjeve.

    Megjithatë, marrëdhëniet SHBA-Iran vazhduan të përkeqësoheshin në vitet në vijim, veçanërisht për shkak të shqetësimeve për programin bërthamor të Iranit.

    Irani ka këmbëngulur gjithmonë se programi i tij i pasurimit të uraniumit është vetëm për qëllime civile, ndërsa SHBA dhe Izraeli e kanë akuzuar për zhvillimin e armëve bërthamore. Si rezultat, janë vendosur shumë sanksione të reja.

    Në vitin 2015, Irani arriti një marrëveshje me fuqitë botërore, të njohur si JCPOA, ku pranoi të kufizojë programin e tij bërthamor dhe fitoi qasje në një pjesë të aseteve të tij.

    Por në vitin 2018, Donald Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja dhe rivendosi sanksionet, duke ngrirë sërish asetet.

    Në vitin 2023, SHBA dhe Irani ranë dakord për një shkëmbim të burgosurish dhe lirimin e 6 miliardë dollarëve të ardhura nga nafta të ngrira në Korenë e Jugut. Këto fonde u transferuan në Katar, por më pas u bllokuan sërish nga SHBA.

    Bashkimi Evropian gjithashtu ka ngrirë pjesërisht asetet e bankës qendrore të Iranit për shkak të akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut dhe çështje të tjera.

    Cilat vende mbajnë asetet e ngrira të Iranit?

    Asetet e Iranit mbahen nga disa vende. Shuma e saktë nuk dihet, por raportimet tregojnë se Japonia mban rreth 1.5 miliardë dollarë, Iraku rreth 6 miliardë, Kina të paktën 20 miliardë dhe India rreth 7 miliardë.

    SHBA mban rreth 2 miliardë dollarë, ndërsa vende të BE-së si Luksemburgu rreth 1.6 miliardë. Katari mban rreth 6 miliardë dollarë që janë bllokuar sërish.

  • El Salvadori miraton burgimin e përjetshëm për fëmijët deri në moshën 12 vjeç

    El Salvadori miraton burgimin e përjetshëm për fëmijët deri në moshën 12 vjeç

    Presidenti i Salvadorit, Nayib Bukele, të mërkurën nënshkroi në ligj reformat kushtetuese për të lejuar dënime me burgim të përjetshëm për persona që nga mosha 12 vjeç, një reformë e diskutueshme që vjen pas masave të tjera të rënda të nxitura nga udhëheqësi populist.

    Ndryshimi u miratua muajin e kaluar nga Asambleja Legjislative, e cila kontrollohet nga partia e Bukeles, dhe do të zbatohet për personat e dënuar për kryerjen ose veprimin si bashkëpunëtor në krime, duke përfshirë vrasjen, vrasjen e femrave, përdhunimin dhe anëtarësimin në bandat. Masa u shty nga kabineti i Bukeles.

    Më parë, dënimi maksimal në El Salvador ishte 60 vjet për të rriturit dhe më pak për të rinjtë. Reformat që pritet të hyjnë në fuqi më 26 prill do të krijojnë gjykata të reja penale për të gjykuar çështjet.

    Ato gjithashtu përcaktojnë një rishikim të detyrueshëm të dënimeve me burgim të përjetshëm dekada pas fillimit të dënimeve, varësisht nga mosha e të dënuarit dhe rëndësia e krimeve të tyre.

    Kritikët thonë se reformat janë vetëm lëvizja e fundit e ashpër e Bukeles më shumë se katër vjet në luftën e tij kundër bandave. Pas një shpërthimi dhune midis bandave në vitin 2022, Bukele njoftoi një gjendje të përkohshme të jashtëzakonshme, e cila është bërë normaliteti i ri në kombin e Amerikës Qendrore, pasi është zgjatur për vite me radhë.

    Ai pezulloi të drejtat kushtetuese dhe burgosi më shumë se 1% të popullsisë së El Salvadorit, shpesh me akuza të paqarta me pak prova.

    Të burgosurit shpesh gjykohen në gjyqe masive dhe avokatët rregullisht humbasin gjurmët se ku janë klientët e tyre.

    Në një gjyq masiv vitin e kaluar, anëtarëve të dyshuar të bandave iu dhanë dënime me qindra vjet burg.

    Zyrtarët në qeverinë e Bukeles janë zotuar më parë se anëtarët e bandave të ndaluar “nuk do të kthehen kurrë” në rrugë.

    Si pasojë e masave të ashpra, qeveria e Bukeles ka ndaluar rreth 91,650 njerëz në El Salvador. Bukele ka thënë se më pak se 10% e këtyre njerëzve janë liruar.

    Kjo ka nxitur akuza për abuzime të të drejtave të njeriut dhe ndalim arbitrar, por gjithashtu ka ulur ndjeshëm normat e vrasjeve në një vend të terrorizuar prej kohësh nga bandat, duke i dhënë Bukeles nivele të larta popullariteti.

    Aleati i krahut të djathtë i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, është kritikuar ashpër për dobësimin e kontrolleve dhe balancave dhe për minimin e demokracisë së brishtë të El Salvadorit.

    Ndryshimet në dënime janë të fundit në një mori reformash kushtetuese të penguara nga Bukele dhe aleatët e tij.

    Vitin e kaluar, qeveria miratoi një nga reformat e saj më të diskutueshme që do të eliminonte kufizimet e mandatit presidencial, duke i hapur rrugën Bukele-s që të mbetej në pushtet për një kohë të pacaktuar.

    E inkurajuar nga aleanca e Bukeles me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, qeveria ka ndjekur gjithashtu armiqtë e saj, duke ndaluar kritikët dhe aktivistët, dhe duke i detyruar gjithnjë e më shumë gazetarët dhe zërat e opozitës të zgjedhin midis mërgimit ose burgut.

  • “Kosova po shihet keq nga jashtë”, Harry Bajraktari apelon për bashkim politik në Kosovë

    “Kosova po shihet keq nga jashtë”, Harry Bajraktari apelon për bashkim politik në Kosovë

    Aktivisti dhe përfaqësuesi i komunitetit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike në Kosovë, duke vlerësuar se përçarjet dhe bllokadat po dëmtojnë seriozisht imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

    Në një reagim publik, Bajraktari theksoi se dallimet politike janë normale në demokraci, por sipas tij, situata aktuale në Kosovë ka tejkaluar kufijtë, duke penguar funksionimin institucional dhe duke krijuar perceptim negativ jashtë vendit.

    Ai solli shembuj nga politika amerikane, duke përmendur bashkëpunimin mes JD Vance dhe Donald Trump, si dhe rastin e Barack Obama me Hillary Clinton, të cilët, sipas tij, kanë lënë mënjanë rivalitetet për interesin shtetëror.

    Po ashtu, ai rikujtoi bashkëpunimin ndërpartiak në SHBA për çështjen e Kosovës në vitet ’90, duke përmendur rolin e Bill Clinton dhe Bob Dole, që sipas tij kontribuuan në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.

    Duke iu referuar edhe historisë shqiptare, Bajraktari përmendi raportet mes Ahmet Zogu dhe Faik Konica, të cilët pavarësisht dallimeve, bashkëpunuan kur ishte në pyetje interesi i shtetit.

    Ai ngriti shqetësimin se situata politike në Kosovë po kritikohet edhe nga miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht në Washington. Bajraktari zbuloi se së fundmi kishte diskutuar për këtë çështje edhe me ish-presidentin amerikan Bill Clinton, i cili, sipas tij, ishte interesuar për zhvillimet dhe zgjidhjen e krizës politike në Kosovë.

    “Është e vështirë për ne ta shpjegojmë këtë situatë. Nuk mund ta imagjinoni sa keq shihet Kosova nga jashtë me këtë bllokadë të tejzgjatur”, ka theksuar ai.

    Sipas Bajraktarit, kjo gjendje i shkon në favor Serbisë dhe dëmton rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike, përfshirë anëtarësimin në NATO.

    Në fund, ai u bëri thirrje liderëve politikë që të tejkalojnë interesat partiake dhe të punojnë së bashku për të mirën e vendit.

    “Uluni, bisedoni, gjeni zgjidhje. Bëjeni për Kosovën”, ka apeluar Bajraktari, duke theksuar se historia do t’i kujtojë ata që kontribuojnë në zhvillimin e vendit, e jo ata që e bllokojnë atë.