ATV

Category: Lajme

  • Nënshkruhet marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës

    Nënshkruhet marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës

    Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Zëvendëskryeministri e Ministri i Financave i Mbretërisë së Belgjikës, Jan Jambon, kanë nënshkruar marrëveshjen për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë në lidhje me Tatimet mbi të Ardhurat dhe Kapitalin, si dhe për Parandalimin e Evazionit dhe Shmangies Tatimore.

    Marrëveshja u nënshkrua në Washington DC.

    Ministri Murati theksoi se marrëveshja krijon kushte më të favorshme për investime dhe lehtëson veprimtarinë e bizneseve në të dy vendet.

    Ndërkaq, Ministri Jambon vlerësoi bashkëpunimin me Kosovën dhe rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës në proceset integruese të Kosovës.

    “Kjo marrëveshje forcon tutje partneritetin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës dhe dëshmon angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit bilateral. Gjatë kësaj jave, Ministri Murati po qëndron në Washington DC, ku po merr pjesë në Takimet Pranverore të organizuara nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

  • Kapën në Nashec të Prizrenit duke peshkuar ilegalisht, tre persona shoqërohen në polici

    Kapën në Nashec të Prizrenit duke peshkuar ilegalisht, tre persona shoqërohen në polici

    Një rast i peshkimit ilegal është parandaluar dje, në Nashec të Prizrenit.

    Sipas Federatës së Peshkatarëve, tek ura e Nashecit, tre persona kanë ushtruar peshkim në mënyrë të paligjshme me rrjeta krahu.

    “Pas vërejtjes nga ana jonë, personat janë larguar në drejtim të Nashecit deri në Lukinjë përmes ujit, me një lundër me motor. Pas hetimeve të zhvilluara, Policia e Kosovës ka arritur t’i identifikojë personat dhe t’i shoqërojë në stacion policor së bashku me lundrën me motor”, thuhet në njoftimin e federatës.

    Tutje bëhet e ditur se rasti është hapur ndaj personave për peshkim të kundërligjshëm, si dhe për tre thika që janë gjetur në barkë, deri lundra është konfiskuar deri në vendimin e gjykatës.

  • Zbardhen detajet, dyshohet se një i mitur i vuri flakën mbeturinave të marketit – Çfarë zbuluan kamerat e sigurisë

    Zbardhen detajet, dyshohet se një i mitur i vuri flakën mbeturinave të marketit – Çfarë zbuluan kamerat e sigurisë

    Detaje të reja kanë dalë nga zjarri që përfshiu një pallat pranë QSUT, ku për pasojë u dëmtuan 71 apartamente.

    Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat raporton se policia ka siguruar kamerat e sigurisë të bizneseve përreth marketit ku dyshohet se nisi zjarri.

    Sipas pamjeve, rreth orës 16:30 të së martës, një fëmijë shihet duke luajtur në pjesën e pasme të marketit, në katin e parë të pallatit. Pranë fasadës ndodheshin kartona të grumbulluar. Nuk dallohet qartë momenti i ndezjes së zjarrit, por i mituri qëndron për disa sekonda pranë tyre. Menjëherë pasi largohet, në zonë nis të dalë tym. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke u aktivizuar fillimisht në ambientet e marketit dhe më pas duke përfshirë të gjithë fasadën e pallatit, çka solli dëme të mëdha materiale dhe panik tek banorët.

    Salla operative eshtë njoftuar për ngjarjen në orën 16:50. /Tch/

  • Vdekja e punëtorit në Shtime, prangoset një person

    Vdekja e punëtorit në Shtime, prangoset një person

    48-vjeçari, Isuf Bislimi është punëtori i cili vdiq tragjikisht të mërkurën në vendin e tij të punës në Shtime.

    Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një person dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar, ishte dërguar në emergjencën e Ferizajt për trajtim mjekësor pasi që i njëjti dyshohet se derisa ka qenë duke punuar në një kompani, kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe nga mjeku është konstatuar vdekja e tij. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin. Lidhur me rastin një person mashkull kosovar, me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

    Vdiq në vendin e punës, Komuna e Shtimes telegram ngushëllimi për familjen e Isuf Bislimit

  • KRU Mitrovica paralajmëron shkyçje nga rrjeti për konsumatorët që nuk kanë përmbushur obligimet

    KRU Mitrovica paralajmëron shkyçje nga rrjeti për konsumatorët që nuk kanë përmbushur obligimet

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka paralajmëruar masa ndaj konsumatorëve që nuk u janë përmbajtur afateve të përcaktuara për përmbushjen e obligimeve të tyre.

    Sipas njoftimit, të gjithë konsumatorët që janë njoftuar paraprakisht përmes procesverbaleve nga kontrolla dhe nuk kanë vepruar brenda afateve, do të përfshihen në procesin e shkyçjes nga rrjeti i ujit.

    “Të gjithë konsumatorët që janë njoftuar paraprakisht përmes procesverbaleve nga Kontrolla, dhe deri më tani nuk i janë përmbajtur afateve të përcaktuara, do të përfshihen në procesin e shkyçjes nga rrjeti i ujit, pa dallim”, thuhet në njoftim.

    Nga kjo kompani u bëhet thirrje qytetarëve që të veprojnë me kohë për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me ujë.

    “Veproni në kohë për të shmangur ndërprerjen e shërbimit”, theksohet më tej në njoftim.

    KRU “Mitrovica” ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

  • SHBA-të thonë se kanë kthyer mbrapsht 10 anije në bllokadën detare të Iranit

    SHBA-të thonë se kanë kthyer mbrapsht 10 anije në bllokadën detare të Iranit

    Ushtria amerikane thotë se asnjë anije nuk ka kaluar nëpër bllokadën amerikane përgjatë Ngushticës së Hormuzit, që kur ajo hyri në fuqi të hënën.

    Forcat amerikane thonë se do të ndërpresin ose do të kthejnë mbrapsht anijet që udhëtojnë për në ose nga brigjet e Iranit.

    Anijet që vijnë ose shkojnë nga vende të tjera do të lejohen të kalojnë nëpër ngushticë, thuhet në të.

    Në një përditësim mbrëmë, Komanda Qendrore e SHBA-së tha: “Dhjetë anije tani janë kthyer mbrapsht dhe asnjë anije nuk kanë depërtuar që nga fillimi i bllokadës amerikane të hënën”.

    Donald Trump shpreson të ushtrojë presion mbi Iranin duke eliminuar taksat që kërkonte që anijet të paguanin për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit, dhe duke zvogëluar eksportet e naftës.

    Irani e quan bllokadën “pirateri” dhe ka kërcënuar të hakmerret duke synuar anijet në Gjirin, Gjirin e Omanit dhe Detin e Kuq.

  • Pacolli emëron Adem Berishën u.d të drejtorit të Inspektoratit

    Pacolli emëron Adem Berishën u.d të drejtorit të Inspektoratit

    Ministrja e Mjedisit dhe Planfikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka emëruar Adem Berishen si Ushtrues Detyre të Drejtorit të Inspektoratit.

    Këtë Pacolli e ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook.

    Njoftimi i plotë:

    Në kuadër të reformës së brendshme në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kam emëruar Ushtrues Detyre i Drejtorit të Inspektoratit z. Adem Berisha.

    Me emërimin e kryesinspektorit të ri synojmë forcimin e funksionimit të Inspektoratit, rritjen e efikasitetit në zbatimin e ligjit dhe përmirësimin e mbikëqyrjes në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

  • Keqtrajtimi i 5-vjeçarit në Lipjan, Hoti pranon raportin final – institucionet dështuan në trajtimin e rastit

    Keqtrajtimi i 5-vjeçarit në Lipjan, Hoti pranon raportin final – institucionet dështuan në trajtimin e rastit

    Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, e ka pranuar raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale.

    Ky raport është pranuar, vonë pasditen e së mërkurës nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare.

    Ministri Hoti e konfirmoi për KosovaPress se në gjetjet e këtij raporti, konstatohet se në këtë rast është fajtore QPS-ja, por edhe institucione të tjera, andaj paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.

    “Raportin çuditërisht e kam pranuar sot. Njëra prej të gjeturave të raportit thotë që në vendimin e Gjykatës të vitit 2023 i ka obliguar Qendrën për Punë Sociale për monitorimin e familjes në raport me fëmijët. Pra, e ka obliguar Qendrën për Punë Sociale në raport edhe me prindërit për shëndetin mendor të tyre, që QPS-të nuk merren me shëndetin mendor, janë Qendrat për Shëndetin Mendor që merren me shëndetin mendor, jo QPS-së. Sidoqoftë, është nën hetim prej Prokurorisë. Çka mund të ndërmarrim tjetër ne është një propozim ndaj kryetarit të komunës së Lipjanit që me i qit në masa disiplinore të gjithë stafin e Qendrës për Punë Sociale që është në Lipjan dhe këtë do ta bëjmë nesër, sepse sot është jashtë afatit të punës dhe të shqyrtohen nëse ata vërtetë i kanë ndjekur masat”, shtoi ai.

    Ministri Hoti në këtë intervistë është pyetur edhe për shkeljet tjera që ka konstatuar ky raport, për çka është rezervuar në përgjigje.

    “Nuk mund t’i them të gjitha shkeljet që konstaton për shkak se është nën hetim prej prokurorisë. Por, të tregova çka konstaton raporti, një është që çështje ndërministrore, problemi nuk është vetëm te QPS-ja, por edhe te disa institucione tjera. A ka shkelje prej zyrtarëve komunal të QPS-së ose neglizhencë, mund ta konfirmoj që po, por më shumë nuk mund të flas në këtë aspekt. Këto dy veprime do të ndërmerren prej meje, neve, kërkesën për ta ftuar Donika Gërvallën që të ftojë këtë grupin koordinues dhe e dyta që t’i propozohet kryetarit të komunës që të ndërmerr masa disiplinore zyrtarëve aty. Licencën ndaj shefes së QPS-së, menaxheres së rastit, ne e kemi përgatitur dhe jemi për të ja tërhequr, por për një gjë të tillë na duhet koordinim ndërministror e ndoshta edhe prokurorisë…Jo qendrës, menaxheres së rastit dhe shefes së QPS-së nëse 100 për qind vërtetohet që nuk i kanë ndërmarrë veprimet që i ka obliguar gjykata në vitin 2023”, ka thënë Hoti.

    Ai paralajmëroi se do të ftohet grupi ndërministror dhe po ashtu do të kërkohet nga kryetari i Lipjanit që të vendos masa disiplinore ndaj stafit të kësaj qendre.

    “Po, raporti mua më ka ardhur, ju e dini që ky rast është nën hetim edhe nga Prokuroria e Kosovës, kështu që unë do të rezervohem shumë për të gjeturat e raportit. Dy gjëra që mund t’i tregojë që do t’i bëjmë është që t’i propozojmë koordinatores kombëtare, që në këtë rast është Donika Gërvalla që me thirr takimin e grupit koordinues ndërministror për mbrojtjen nga dhuna në familje. Sepse, e përmenda më herët Departamenti për Shërbime Sociale (QPS), politikat për to i bëjmë ne. Por, Qendrat e Shëndetit Mendor janë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Policia e Kosovës është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kështu që nevojitet një koordinim ndërministror në këtë rast për të parë se çfarë veprime do të ndërmerren dhe ku saktë është problemi”, deklaroi ai.

    Për këtë vendim, Hoti tha se janë në pritje të disa hapave që po ndërmerren edhe nga institucione të tjera.

    “Jemi në pritje sepse janë edhe disa hapa duke u ndërmarrë Inspektorati, në këtë rast janë duke ndërmarrë një verifikim me Policinë e Kosovës. Disa herë po them që nuk po dua të tregojë më shumë detaje në këtë raport, sepse nuk e di se çka mund të më bëjë mua pastaj. Por, në momentin që bëhen koordinimet me Policinë e Kosovës dhe verifikohet kjo që thash, po. Unë nuk mund të mos e marrë sepse një fëmijë sot është në spital, me gjymtyrë të dëmtuara, për faj të dikujt. Kështu që dikush këtu duhet të marrë përgjegjësi”, përfundon ai.

    Një muaj më parë, ngjarja e pesëvjeçarit e ka tronditur vendin. Për shkak të keqtrajtimit nga prindërit, ai mori trajtim mjekësor në Kujdesin Intensiv Pediatrik.

    Për dy prindërit e tij, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës ishte caktuar masa e paraburgimit. Ndërkaq, gjashtë fëmijët të kësaj familje janë marrë nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale të Lipjanit. /Kp/

  • Aksident në Suharekë, lëndohet rëndë 9 vjeçari – detaje nga QKUK

    Aksident në Suharekë, lëndohet rëndë 9 vjeçari – detaje nga QKUK

    Një aksident trafiku ka ndodhur të mërkurën në Bershanc të Suharekës, mes një veture dhe një çiklisti të mitur.

    Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda ka pësuar një nëntëvjeçar i cili është dërguar në QKUK për trajtim.

    Fëmija aktualisht ndodhet në Mjekim Intensiv. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Emergjencës, Naser Syla.

    “Fëmija i lindur 2017, gjendje e rëndë, politraumë, pas ekzaminimeve të kryera në Qendrën Emergjente, është dërguar në sallën operative të QE-së nga ekipet kujdestare të Neurokirurgjisë dhe Anestezionit. Pas trajtimit është transferuar në Mjekësinë Intensive për trajtim të mëtutjeshëm”, tha Syla.

  • Policia shqipton mbi 2 mijë e 800 gjoba brenda 24 orëve të fundit

    Policia shqipton mbi 2 mijë e 800 gjoba brenda 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2831 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit.

    Në 24 orët e fundit janë raportuar 32 aksidente trafiku me dëme materiale, 13 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar.

    Policia e Kosovës ka arrestuar 19 persona, ndërsa 10 janë dërguar në mbajtje.