ATV

Category: Lajme

  • Deputetja e PDK-së denoncon një qytetar në Polici: Jam kërcënuar me jetë

    Deputetja e PDK-së denoncon një qytetar në Polici: Jam kërcënuar me jetë

    Arbnora Salihu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka bërë të ditur se është kërcënuar me jetë përmes rrjetit social Facebook.

    Në një reagim publik, Salihu deklaroi se përveç kërcënimeve, ajo ka qenë edhe subjekt i ofendimeve të rënda, ndërsa sipas saj, sulmet verbale kanë përfshirë edhe familjen e saj.

    “Sot, përmes rrjetit social Facebook jam kërcënuar me jetë dhe jam ofenduar në mënyrën më të rëndë nga një qytetar. Përveç meje është ofenduar dhe linçuar edhe familja ime, përkundër kontributit të saj kombëtar,” ka shkruar ajo.

    Deputetja bëri të ditur se rasti është denoncuar në Policinë e Kosovës dhe tashmë pritet që organet kompetente të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj personit përgjegjës.

    Salihu theksoi se përpjekje të tilla për ta frikësuar apo denigruar nuk do ta ndalin në ushtrimin e detyrës së saj si përfaqësuese e qytetarëve në Kuvend.

    “Përkushtimi dhe angazhimi im për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve është i palëkundur,” përfundoi ajo.

  • Nënkryetari i Komunës për tragjedinë në Malishevë: Dyshohet se vdekja e babait dhe fëmijëve erdhi si pasojë e asfiksisë

    Nënkryetari i Komunës për tragjedinë në Malishevë: Dyshohet se vdekja e babait dhe fëmijëve erdhi si pasojë e asfiksisë

    Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e asfiksimit nga tymi pas një zjarri në një banesë sot në Malishevë.

    Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, bëri të ditur se viktimat janë babai me dy fëmijët e tij.

    “Fatkeqësisht sot nga asfiksimi, nga zjarret në banesën e tyre kemi tri viktima, babai me dy fëmijë, vajza dhe djalë. Sapo kemi marrë informacionet, organet tona prej policisë, urgjenca, emergjenca, të gjitha njësitë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe stafi mjekësor i cili ka bërë të pamundurën, por në momentin kur është bërë njoftimi, paksa ka qenë ndoshta edhe vonë, janë gjetë pa shenja jete babai me dy fëmijët e vet”, tha ai.

    Ai shtoi se të gjitha institucionet relevante janë angazhuar menjëherë për trajtimin e rastit.

    “Tash policia, hetuesia, prokuroria, të gjithë ata janë duke e kryer punën e vet edhe ne lutemi edhe bëjmë presion që sa më shpejt të zbardhet rasti si ka rrjedh, qysh ka rrjedh. Ajo çka është me rëndësi që të gjithë organet kanë qenë në vendin e ngjarjes në kohën e duhur, por fatkeqësisht ka qenë e pamundur që t’i shpëtojmë tri jetë”, tha ai.

    Krasniqi shprehu ngushëllime për familjen e viktimave, edhe në emër të kryetarit të komunës.

    “Unë në emrin tim personal edhe të kryetarit Kastrati, sigurisht kryetari nga mëngjesi është i shtrirë për një trajtim mjekësor në spital edhe besoj shumë shpejt do të dalë ditëve në vijim. Në emrin tim edhe të kryetarit Kastrati, por edhe të gjithë qytetarëve të komunës së Malishevës, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Berisha”, tha ai.

    Sipas tij, shkaku i saktë i zjarrit ende nuk dihet, ndërsa dyshohet për asfiksim nga tymi.

    “Për të gjitha këto veç janë, e keni parë edhe vetë që janë hetuesia, janë duke e kryer punën e vet, ne nuk është në kompetencat tona dhe nuk e dimë si pasojë e çfarë ka rrjedh sepse në moment veç i kanë gjetë, por ajo që dihet nga stafi mjekësor thuhet që është nga asfiksimi, do të thotë nga tymi i cili ka ndodh pas kalljes aty çka ka mund me u kall, me u djeg aty”, tha ai.

    Ai theksoi se objekti ku ndodhi rasti ishte ndërtuar nga komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe se banesat janë në përdorim të përkohshëm për familjet në nevojë.

    “Ky objekt është ndërtu komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, do të thotë ka qenë bashkëfinancim edhe nga ministria, dhe sigurisht që vazhdimisht shërbimet publike kanë qenë në vëzhgim, në inspektim çdoherë sepse këtu faktikisht edhe ndërrohen banorët. Do të thotë banesat nuk i kanë të përhershme, këto i kanë sipas nevojës, momentin që e bëjnë një zgjidhje lirohet banesa vjen dikush tjetër. Edhe në vazhdimësi kontrollohen banesat. Kjo me energji elektrike probleme përveç reduktimeve nuk ka pasë asnjë lajmërim asnjëherë që ka pasë ndonjë problem tjetër, asnjë rast tjetër, përveç reduktimeve që po ndodhin çdokund tjetër”, tha ai./EO

  • Suedia paralajmëron se Rusia mund të pushtojë një ishull baltik për të testuar NATO-n

    Suedia paralajmëron se Rusia mund të pushtojë një ishull baltik për të testuar NATO-n

    Suedia po përgatitet për një skenar në të cilin Rusia mund të pushtojë një ishull në Detin Baltik për të testuar përgjigjen e NATO-s, tha komandanti më i lartë ushtarak i vendit.

    Sipas The Times të enjten, më 16 prill, Shefi i Mbrojtjes Suedeze, Michael Claesson, paralajmëroi se Moska mund të kryejë një operacion të kufizuar detar “në çdo kohë” për të testuar ndarjet brenda aleancës.

    “Nuk ka pse të jetë aspak veçanërisht i gjerë, por më shumë për të argumentuar një pikë dhe për të pritur për të parë se çfarë mund të ndodhë politikisht”, ka thënë Claesson.

    Zyrtarët evropianë të sigurisë kanë ngritur gjithnjë e më shumë shqetësime në lidhje me përshkallëzimin në Detin Baltik, ku Rusia ka rritur aktivitetin ushtarak, duke përfshirë shoqërimin e të ashtuquajturave anije të “flotës në hije” dhe ndërveprimin me forcat detare të NATO-s.

    Skenarë baltikë, shqetësime në rritje

    Planifikimi ushtarak tradicionalisht është përqendruar në një sulm të mundshëm tokësor rus përgjatë krahut lindor të NATO-s, por vëmendja tani po zhvendoset drejt skenarëve detarë.

    “Lojërat e luftës” kanë simuluar zbarkime të mundshme ruse në ishuj strategjikisht të rëndësishëm si Gotland në Suedi, Bornholm në Danimarkë dhe Hiiumaa dhe Saaremaa në Estoni.

    Megjithatë, Claesson tha se Rusia mund të synojë ishuj më të vegjël dhe më pak të spikatur, duke vënë në dukje se ka dhjetëra mijëra të tillë në të gjithë Detin Baltik.

    Në këtë drejtim, inteligjenca ushtarake suedeze ka paralajmëruar se Rusia mund të kryejë tashmë një sulm të kufizuar në rajon dhe mund të zgjerojë aftësitë e saj në vitet e ardhshme.

    Zyrtarët thonë gjithashtu se një fund i luftës në Ukrainë mund t’i lejojë Rusisë të riorganizojë dhe të rivendosë forcat më afër territorit të NATO-s.

    Përshkallëzimet e fundit rreth Detit Baltik

    Më 9 prill, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, paralajmëroi se vendet që lejojnë dronët ukrainas të kalojnë nëpër territorin e tyre po e ekspozojnë veten ndaj rreziqeve serioze.

    “Nëse vendet e treta kanë siguruar ose po ofrojnë territorin e tyre për fluturimin e dronëve armik, ato duhet ta kuptojnë plotësisht – dhe ne jemi të bindur se e kuptojnë, sepse u është shpjeguar atyre – rreziqet ndaj të cilave po e ekspozojnë veten”, tha ajo.

    Estonia, ku një dron ukrainas goditi kohët e fundit oxhakun e një termocentrali pasi u devijua nga mbrojtja ajrore ruse, thuhet se i ka kërkuar Kievit të rregullojë rrugën e fluturimit për të shmangur hapësirën ajrore estoneze gjatë sulmeve në Baltik.

    Anëtarët baltikë të NATO-s, Estonia, Letonia dhe Lituania, kanë raportuar gjithashtu shkelje të shumta të hapësirës ajrore gjatë viteve, duke përfshirë një shkelje të vitit 2023 mbi Letoninë dhe një incident të shtatorit 2025 në të cilin tre avionë luftarakë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë, duke bërë që vendi të thërrasë një takim të rrallë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Shtetet baltike kanë rritur gjithashtu mbrojtjen përgjatë kufirit rus, veçanërisht me lansimin e linjës mbrojtëse baltike në vitin 2024.

  • Andin Hoti – PDK-së: Nëse mendoni se Albin Kurti po e shfytëzon emrin tim atëherë provoni të më kandidoni për President

    Andin Hoti – PDK-së: Nëse mendoni se Albin Kurti po e shfytëzon emrin tim atëherë provoni të më kandidoni për President

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka qenë i ftuar në “Frontal” të T7.

    Ai ka thënë nëse PDK-ja mendon se “Albin Kurti ka luajtur me emrin e tij kur e ka kandiduar për Presidentin, le ta bëjë PDK-ja këtë”.

    Pra, ai tha se nëse PDK-ja e kandidon për President do e shohin nëse Albin Kurti do ta përkrahte këtë.

    “Le të provon PDK-ja nëse Albini ka bë hajgare me emrin tim, le të më qet PDK-ja si kandidat për President, le të provojë PDK-ja”, ka thënë ai.

  • Haxhiu takon ministrin belg – flasin për anëtarësimin në BE, KiE dhe NATO

    Haxhiu takon ministrin belg – flasin për anëtarësimin në BE, KiE dhe NATO

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes të Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Maxime Prevot.

    Në komunikatën për media thuhet se Haxhiu e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Belgjika i ka dhënë Kosovës ndër vite.

    Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, si dhe kontributi i rëndësishëm i mërgatës në Belgjikë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

    “Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investim dhe partneritet ndërmjet dy shteteve”, thuhet në komunikatë.

    Haxhiu gjithashtu ka theksuar rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.

  • Ish-ministrja Haradinaj reagon ndaj deklaratës së Ministrit të Jashtëm çek, Macinka

    Ish-ministrja Haradinaj reagon ndaj deklaratës së Ministrit të Jashtëm çek, Macinka

    Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm të Çekisë, Petr Macinka, i cili gjatë një konference të përbashkët në Pragë me homologun serb, Marko Gjuriq, tha se njohja e Kosovës nga Çekia “është bërë nën presion”.

    Haradinaj theksoi se deklarata të tilla dëmtojnë kredibilitetin e marrëdhënieve Kosovë-Çeki, duke rikujtuar se njohja ka qenë një vendim sovran, parimor dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

    Ajo nënvizoi se, në vend të shprehjes së keqardhjes për vendime shtetërore, zyrtarët çekë duhet të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit dhe të sfidojnë narrativat që synojnë delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës.

    Sipas Haradinajt, këto narrativa dëmtojnë jo vetëm Kosovën, por edhe rolin e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.

    Reagimi i plotë i Haradinajt:

    ANGAZHIMET E BE-së KËRKOJNË ZBATIM, JO KEQARDHJE NGA PRAGA!

    Deklarata e bërë nga Ministri i Jashtëm çek Petr Macinka pak minuta më parë gjatë konferencës së përbashkët me ministrin serb Gjuriq, se “njohja e Kosovës nga Çekia asokohe është bërë nën presion dhe mund të kishim qenë më të kujdesshëm” dëmton kredibilitetin e ndërtuar që definon sot marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Çeke.

    Republika Çeke e ka njohur Kosovën përmes një vendimi sovran dhe parimor. Ky vendim ka forcuar stabilitetin në Ballkan dhe ka kontribuar në një Evropë më të sigurt. Ka hapur rrugën për bashkëpunim të thellë mes vendeve tona dhe ka forcuar angazhimin e përbashkët ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

    Ky vendim është plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe është konfirmuar nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    Në vend që të shpreh keqardhje publike për vendimet sovrane të shtetit të tij, Ministri Petr Macinka do t’i shërbente shumë më mirë paqes dhe stabilitetit në Evropën kontinentale nëse do t’a sfidonte narrativën e avancuar nga Gjuriqi. Kjo narrativë synon të delegjitimojë shtetësinë e Kosovës dhe dëmton drejtpërdrejt kredibilitetin e Bashkimit Evropian si lehtësues i procesit të dialogut.

    Bashkimi Evropian ka investuar kapital politik dhe strategjik në marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe të gjitha shtetet anëtare duhet të presin që këto marrëveshje të zbatohen me rezultate konkrete.

    Marrëveshjet e lehtësuara nga BE-ja duhet të mbrohen dhe të zbatohen në mënyrë konsistente. Lejimi i një pale që t’i sfidojë hapur këto marrëveshje pa asnjë pasojë e dobëson autoritetin e Bashkimit Evropian dhe ngre pyetje serioze mbi aftësinë e BE-së për të garantuar zbatimin e obligimeve të marra nën udhëheqjen e tij.

    Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Đurić, përfaqëson një qeveri që vazhdon të kundërshtojë njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe që zhvillon fushata presioni ndaj shteteve që kanë ushtruar të drejtën e tyre sovrane për ta njohur atë.

    Këto veprime janë në kundërshtim me angazhimet e marra nga Vucici, në marrëveshjet e ndërmjetësuara ndërkombëtarisht. Serbia vazhdon të mos i zbatojë këto obligime, ndërsa njëkohësisht kërkon përparim në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

    Serbia mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk është përafruar me sanksionet ndaj Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe vazhdon mbështetjen e hapur politike ndaj tij.

    Ky pozicionim e vendos Serbinë jashtë përgjigjes së unifikuar evropiane ndaj agresionit dhe destabilitetit. Në të njëjtën kohë, ajo vazhdon politikat që rrisin tensionet në rajon dhe ngadalësojnë normalizimin në Ballkanin Perëndimor.

    Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj paqes, vlerave demokratike dhe bashkëpunimit rajonal. Ajo do të vazhdojë të punojë me partnerët që mbështesin të drejtën ndërkombëtare dhe një rend të qëndrueshëm evropian.

    Partneriteti mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Çeke ka sjellë rezultate konkrete për qytetarët. Ai duhet të vazhdojë mbi bazën e respektit të ndërsjellë, qartësisë strategjike dhe një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

  • Deputetja e LDK-së: Të ndalohet kapja e Gjykatës Kushtetuese

    Deputetja e LDK-së: Të ndalohet kapja e Gjykatës Kushtetuese

    Shefja e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu i ka bërë thirrje partisë në pushtet që të ndalojë, siç ka thënë, kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

    Një gjë të tillë, ajo e ka thënë me pretendimin se emrat e propozuar për anëtarë të Kushtetueses janë të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Pikërisht për këto propozime, Kuvendi i Kosovës pritet që të votojë në seancën e nesërme.

    “Kur në listë dalin kandidatë, familjarë me lidhje të afërta me propagandues politik, atëherë nuk kemi më proces të drejtë e të pastër. Kemi tentativë për kontroll e kapje institucionale, rrjedhimisht për ta kthyer Gjykatën Kushtetuese në vegël të pushtetit. Kushtetuesja është gardian i Kushtetutës. Jo mburojë për partinë në pushtet e as strehë për të afërmit e tyre. Por as edhe për shpërblim politik për ata që i shërbyen propagandës partiake! Prandaj dhe Kushtetuesja duhet të qëndroj mbi politikën dhe jo nën të.”, ka shkruar ajo në rrjetin social facebook.

    Ajo ka thënë se nesër është e rëndësishme që çdo deputet të mendojë mirë kë e përkrah.

    “Është pikërisht ky moment që të vendosim: A duam Gjykatë të pavarur, apo drejtësi të kapur që i shërben pushtetit?! Nëse kapet Kushtetuesja, lëkundet vetë shteti. Prandaj, kjo nuk është një ditë e zakonshme. Kjo është dita kur vendosim nëse shtetin tonë e shohim përtej interesave partiake.”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.

  • Ngjarja tragjike në Malishevë, Hamza shpreh ngushëllime për familjen Berisha: Dhimbje e papërshkrueshme

    Ngjarja tragjike në Malishevë, Hamza shpreh ngushëllime për familjen Berisha: Dhimbje e papërshkrueshme

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Berisha, pas tragjedisë së rëndë në Malishevë, ku si pasojë e një zjarri në banesë kanë humbur jetën babai dhe dy fëmijët.

    “Me dhembje të thellë mora lajmin për këtë tragjedi të rëndë që ka goditur familjen Berisha. Humbja e babait dhe dy fëmijëve është një dhimbje e madhe dhe e papërshkrueshme për çdo familje dhe për mbarë shoqërinë tonë.

    Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Berisha, të afërmit dhe miqtë e tyre. Ndajmë dhimbjen me ju dhe lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, ka theksuar Kryetari Hamza.

  • Izraeli dhe Libani bien dakord për armëpushim 10-ditor

    Izraeli dhe Libani bien dakord për armëpushim 10-ditor

    Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Izraeli dhe Libani kanë arritur një marrëveshje për një armëpushim 10-ditor, i cili pritet të hyjë në fuqi në orën 17:00 sipas kohës së Bregut Lindor të SHBA-ve (EST). Deklarata u publikua nga vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë në platformën Truth Social dhe është paraqitur si rezultat i përpjekjeve diplomatike të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

    Sipas Trump, ky zhvillim vjen pas bisedimeve të zhvilluara në Washington, D.C., ku për herë të parë pas 34 vitesh përfaqësues të Izraelit dhe Libanit janë ulur në të njëjtën tryezë negociatash. Ai tha se këto takime kanë qenë intensive dhe të drejtuara nga zyrtarë të lartë amerikanë, me synimin për të ulur tensionet dhe për të krijuar një kanal komunikimi të drejtpërdrejtë mes palëve.

    Në procesin e ndërmjetësimit, sipas tij, janë përfshirë edhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Zëvendëspresidenti JD Vance, si dhe struktura të tjera të administratës amerikane që kanë bashkërenduar kontaktet diplomatike dhe të sigurisë. Trump theksoi se qëllimi i këtyre përpjekjeve është jo vetëm ndalimi i përkohshëm i konfliktit, por edhe hapja e rrugës për një marrëveshje më të gjerë paqeje.

    Ai shtoi se armëpushimi 10-ditor duhet të shërbejë si një periudhë testimi për vullnetin e palëve për të ulur armiqësitë dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm ushtarak. Sipas tij, gjatë kësaj kohe do të vazhdojnë negociatat për të arritur një marrëveshje më të qëndrueshme dhe afatgjatë, që mund të garantojë stabilitet në rajon.

    Trump gjithashtu deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të përfshira drejtpërdrejt në proces, duke koordinuar komunikimin mes palëve dhe duke monitoruar zbatimin e armëpushimit. Ai e paraqiti këtë marrëveshje si pjesë të një serie ndërhyrjesh diplomatike ndërkombëtare dhe tha se beson se mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt uljes së konflikteve në Lindjen e Mesme.

    Në fund të deklaratës së tij, ai shprehu optimizëm se kjo nismë mund të kthehet në një marrëveshje paqeje të qëndrueshme dhe se administrata e tij do të vazhdojë të punojë për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare përmes diplomacisë dhe ndërmjetësimit.

  • Dy mijë e 500 euro gjobë për të akuzuarin që pranoi se kanosi moderatorin Alaudin Hamiti

    Dy mijë e 500 euro gjobë për të akuzuarin që pranoi se kanosi moderatorin Alaudin Hamiti

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Liman Berisha, i cili akuzohet se ka kanosur moderatorin Alaudin Hamiti.

    Një ditë më parë, i akuzuari kishte pranuar fajësinë për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti, duke shprehur pendesë dhe kërkuar dënim më të butë, ndërsa prokuroria nuk e kishte kundërshtuar pranimin e fajësisë.

    Gjykatësi i rastit, Eroll Gashi, konstatoi se i njëjti është fajtor për veprën penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata të akuzuarit i shqiptoi dënim me gjobë prej 2,500 eurosh, të cilën i akuzuari mund ta paguajë me dy këste të barabarta.

    Të akuzuarit i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa koha e kaluar në arrest shtëpiak nga data 19.03.2026 deri më 16.04.2026 do të llogaritet në atë mënyrë që ditët e qëndrimit në masën e arrestit shtëpiak do të barazohen me 20 euro të dënimit me gjobë.

    Nëse dënimi me gjobë nuk paguhet, ai do të zëvendësohet me dënim me burgim, duke llogaritur një ditë burgim për çdo 20 euro të gjobës.

    I dëmtuari Alaudin Hamiti është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil për kërkesën pasurore-juridike.

    I akuzuari obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës: 20€ për fondin e kompensimit të viktimave dhe 100€ për paushallin gjyqësor.

    Të pranishëm nuk ishin asnjë nga palët në procedurë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 19 mars 2026, më 26 nëntor 2024, rreth orës 14:30, në Facebook, në adresën e Klan Kosovës, i pandehuri Liman Berisha, në formë shkrimi dhe mesazhesh zanore, ka dërguar porosi kërcënuese ndaj moderatorit Alaudin Hamiti, duke shkruar: “Edi (ish-banor i programit) është nipi jem, atë fjalë që ia ke thënë, Alaudin, besom ka me pagu me jetë, dhe po e rrite atë ton, ka me hanger plumbin shpejt”.

    Sipas aktakuzës, me këtë veprim i dëmtuari ka ndjerë frikë dhe pasiguri.

    Prandaj, Berisha ngarkohet me veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimi për Drejtësi/