Ministri turk i Tregtisë, Omer Bolat, sot do të vijë për vizitë në Kosovë.
Ai do të pritet nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.
Takimi do të nisë nga ora 10:30, sipas njoftimit nga MINTI.

Ministri turk i Tregtisë, Omer Bolat, sot do të vijë për vizitë në Kosovë.
Ai do të pritet nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.
Takimi do të nisë nga ora 10:30, sipas njoftimit nga MINTI.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Catanzaron e Italisë, ku një grua u hodh nga ballkoni me tre fëmijët e saj të vegjël në krahë.
Siç raporton L’Unione Sarda, ajo vdiq menjëherë, së bashku me dy nga fëmijët e saj, të moshës 4 vjeç dhe 4 muajsh.
Vajza e saj e tretë, gjashtë vjeçe, raportohet se është shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Autoritetet italiane kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas pistës kryesore që po hetohet, dyshohet se bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm.

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka thënë se lutet që verdikti i Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së të jetë lirues.
Ai ka bërë me dije se beson në pafajësinë e ish-krerëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka postuar një fotografi me Hashim Thaçin, duke thënë se gjykata nuk ka argumente për dënimin e tyre.
“Lutem për çdo ditë që verdikti në Hagë të jetë lirues. Besoj plotësisht se kjo do të ndodh për udhëheqësit e luftës çlirimtare, sepse lufta çlirimtare ka qenë edhe e drejtë, edhe e pastër. Nuk është vetëm çështje e imazhit të Kosovës nëpër botë, por është çështje direkte përmbajtjesore e të vërtetës së Kosovës. Nuk kam parë që Prokuroria e Specializuar ka pasur rast të vërtetë në gjykatë. Kështu, as nuk është dashur të akuzohen. Jam i bindur se lirimi i të akuzuarve në Hagë do të paraqesë një moment kthese pozitive për Kosovën, historinë dhe të vërtetën tonë, sikurse edhe të kthejë besimin publik për proceset”, ka shkruar ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit është “plotësisht e bllokuar (e mbyllur)”, duke shtuar se Irani është i dëshpëruar për rihapjen e kësaj rruge jetike detare.
Sipas tij, Teherani në të vërtetë nuk dëshiron mbylljen e ngushticës, pasi ajo i siguron rreth 500 milionë dollarë të ardhura në ditë — shumë që, sipas Trump, po humbet për shkak të bllokadës.
“Ata pretendojnë se duan mbylljen vetëm sepse unë e kam bllokuar plotësisht, pra thjesht po përpiqen të ruajnë imazhin,” u shpreh ai. Trump shtoi gjithashtu se, sipas burimeve të tij, Irani ka kërkuar hapjen e menjëhershme të ngushticës ditët e fundit. Megjithatë, ai paralajmëroi se një hap i tillë do ta bënte të pamundur arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, përveç nëse ndërmerren veprime ekstreme ndaj vendit dhe udhëheqjes së tij.
Ndërkaq, SHBA-të kanë vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane pas dështimit të bisedimeve të paqes më herët gjatë këtij muaji.
Një raund i dytë negociatash ishte planifikuar të mbahej të martën në Pakistan, por nuk u realizua.
Në të njëjtën kohë, armëpushimi që pritej të përfundonte të mërkurën është shtyrë pa një afat të caktuar.

Pas takimit të djeshëm me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me SHBA-në dhe përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Kurti bëri të ditur se gjatë takimit ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë trajnimet dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-në mbetet thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke shtuar se anëtarësimi në NATO do të shërbente si garanci afatgjatë për sigurinë në Ballkan.
“Përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte një kontribut i rëndësishëm dhe një garantues afatgjatë për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, ka deklaruar Kurti.
Kurti gjithashtu nënvizoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së mbeten të forta dhe të bazuara në vlera të përbashkëta dhe besim të ndërsjellë.

Ka vdekur Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Shtimes, Yllka Fejzullahu.
Njoftimin e ka dhënë kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu i cili ka thënë se ndarja e parakohshme e saj nga jeta ka shkaktuar humbje të madhe.
“Yllka ishte drejtoreshë e spikatur e arsimit, që me punën e kontributin e saj ishte frymëzim për çdo të re në komunën tonë, e cila i dha kahje reformës arsimore në Shtime. Ajo ishte e pakompromis ndaj parimeve dhe tërë jetën e kaloi me integritet të lartë e dinjitet të dalluar njerëzor, intelektual e kulturor. Si pinjolle e një familjeje me themel intelektual e kombëtar, në kulmin e karrierës së saj, pas një sëmundjeje të shkurtër, parakohshëm e në ditët e saj më të mira, na la duke na pikëlluar fort neve bashkaktivistëve të saj, por edhe të gjithë qytetarëve të Shtimes e më gjerë”, ka shkruar Aliu.
Ai ka thënë se Yllka Fejzullahu ishte vajzë e hekurt, aktiviste shembullore, drejtoreshë e spikatur e arsimit në Shtime, që do të mbahet mend gjatë për vlerat, kontributin e saj institucional, politik, arsimor dhe kulturor.
“Yllka, do na mungosh shumë mikja jonë. U prehsh në paqe dhe shpirti yt i bardhë e i dëlirë u bëftë dritë!”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Në familjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka festë të mërkurën.
Sot, kreu i LDK-së feston ditëlindjen e tij të 43-të.
Abdixhiku, i cili fitoi edhe një mandat në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës pavarësisht prej humbjes në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit të vitit të kaluar, është i martuar dhe është baba i dy vajzave.

Pas skadimit të afatit të dhënë dhe mosrespektimit të njoftimit të datës 13.02.2026, Trepça Sh.A. ka njoftuar se ka filluar aksioni për lirimin e pronës, përfshirë rrënimin e të gjitha objekteve dhe garazheve të ndërtuara pa bazë ligjore në parcelën nr. 02537-1.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në bazë të verifikimeve në terren, kjo zonë përfshin mbi 20 garazhe dhe objekte të vendosura përgjatë rrugës, të cilat janë në pronësi të Trepça Sh.A. dhe janë uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme.
“Ky veprim ndërmerret pas dhënies së afatit 48-orësh për lirimin vullnetar të hapësirës, si dhe pas paralajmërimit paraprak, me të cilin palëve u është ofruar mundësia për paraqitjen e marrëveshjeve eventuale për shqyrtim. Aksioni për lirimin e pronës po realizohet me mbështetje institucionale dhe do të vazhdojë deri në rikthimin e plotë të pronës në menaxhim të Trepça Sh.A”, thuhet në njoftim.
Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani një prononcim për Telegrafin ka thënë se kanë asistuar në lirimin dhe rrënimin e disa garazhave në veri.
Sipas tij, nuk kanë hasur në ndonjë problem gjatë asistimit.
“Kemi pranuar një kërkesë për asitencë nga ndërmarrja Trepça për disa garazha përball burgut. Kemi ofruar asistencën tonë dhe nuk kemi has në ndonjë problem”, ka thënë Elshani.

Një komandant ushtarak iranian i ka paralajmëruar fqinjët jugorë të Iranit se nëse toka ose objektet e tyre përdoren për të sulmuar Iranin, ata “do të duhet t’i thonë lamtumirë prodhimit të naftës në rajonin e Lindjes së Mesme”, raportoi media shtetërore iraniane, transmeton CNN.
Agjencia e lajmeve Fars, e afërt me autoritetet, citoi komandantin e Forcave Hapësinore të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të thoshte se “paralajmërimi vjen sepse disa vende të Gjirit Persik më parë lejuan që territori i tyre të përdorej nga armiqtë e Iranit”.
Raporti shton se, “nëse kjo vazhdon, baza e tyre ekonomike do të kërcënohet seriozisht”, por nuk specifikon se për cilat vende vlen kjo.
Komandanti njoftoi gjithashtu se “lista e objektivave” të Iranit është zgjeruar përtej instalimeve ushtarake dhe tani përfshin fusha të mëdha nafte dhe rafineri në të gjithë Lindjen e Mesme. Sipas Fars News, u përmendën posaçërisht vendndodhjet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Kuvajtin, Katarin dhe Bahreinin.
Shumë nga këto shtete të Gjirit janë aleatë të SHBA-së, dhe disa prej tyre kanë baza ushtarake amerikane në territorin e tyre.

Këtë mëngjes, qeveria, policia, Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Malit të Zi dhe disa media morën një kërcënim të dyshuar për bombë në 24 shkolla, së bashku me një foto të një arme automatike. Kërcënimi u dërgua edhe në Aeroportin e Podgoricës.
Raportime për bomba të dyshuara janë raportuar në qytete në të gjithë Malin e Zi.
U raportua gjithashtu se një bombë ishte vendosur te një pasagjer në një fluturim për në Londër, dhe se fluturimi ishte planifikuar për në orën 9:30 të mëngjesit nga Podgorica.
Faqja e internetit e Aeroportit të Malit të Zi thotë se fluturimi për në Londër është planifikuar për në orën 10:30 të mëngjesit, dhe se aeroplani nga kryeqyteti britanik është planifikuar të mbërrijë një orë më parë.
Policia i tha CdM se raportet për bomba ishin dërguar në disa shkolla në Podgoricë, Tivar dhe Ulqin.
“Ne po marrim masa dhe veprime brenda juridiksionit të policisë dhe po kryejmë kontrolle”, tha policia për CdM.