ATV

Category: Lajme

  • Haxhiu për Qosjen: Iku pikërisht në Ditën e Librit, bota shqiptare humbi një nga personalitetet më të mëdha

    Haxhiu për Qosjen: Iku pikërisht në Ditën e Librit, bota shqiptare humbi një nga personalitetet më të mëdha

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, tha se Kosova e humbi akademikun Rexhep Qosja, ndërkaq bota shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të mëdha të mendimit kritik, të letërsisë dhe të studimit.

    Ajo tha se u humb “një personalitet që për dekada me radhë ishte i pranishëm në jetën tonë kulturore, akademike dhe politike”.

    “Për më shumë se gjysmë shekulli, Akademik Qosja ishte i pranishëm në hapësirën shqiptare me libra, me studime, me debat dhe me qëndrim. Te ai bashkëjetonin studiuesi i letërsisë, kritiku, romancieri, eseisti, profesori dhe polemisti publik. Në studimet letrare, ai la pas trashëgimi të çmuar për letërsinë shqipe dhe për periudhat e saj vendimtare. Në prozë, me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, solli një nga veprat që zgjeruan kufijtë e romanit shqiptar, duke e kthyer përvojën e frikës, pushtetit dhe shtypjes në letërsi me vlerë të qëndrueshme. Tek “Të fshehtat e treguara”, Qosja dëshmoi se edhe në fund të rrugëtimit krijues mbeti i mprehtë ndaj kohës, shoqërisë dhe ndaj rënies së vlerave”.

    Haxhiu tha se për shumë breza studentësh, lexuesish e studiuesish, Rexhep Qosja ishte shkollë më vete, duke shtuar ai vdiq pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit.

    “Përmes veprës së tij, shumëkush mësoi ta lexojë letërsinë si pasqyrim të shoqërisë, historinë dhe gjuhën si themel identiteti. Rexhep Qosja, iku për në amshim, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke na kujtuar se krijuesi nderohet më së shumti me veprën që lë pas. Siç thoshte ai, heronjtë e mendjes i bëjnë ballë kohës më gjatë. Akademik Qosja ishte hero i mendjes, ndaj si i tillë do të jetë udhërrëfyes për brezat”.

    Haxhiu tha se shpreh ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe lexuesve të shumtë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

    “I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”.

  • Operacioni “The Wanted”: Ekstradohet nga Franca 43-vjeçari i dyshuar për planifikim vrasjeje

    Operacioni “The Wanted”: Ekstradohet nga Franca 43-vjeçari i dyshuar për planifikim vrasjeje

    Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve në Franca, është ekstraduar drejt Shqipërisë një shtetas 43-vjeçar i identifikuar me inicialet A. S.

    Sipas autoriteteve, Gjykata e Durrësit i kishte caktuar masën “arrest në burg” që në vitin 2022, për disa vepra penale, përfshirë sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes dhe përfshirjen në grup të strukturuar kriminal.

    Ai akuzohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte planifikuar vrasjen e dy shtetasve, duke siguruar mjete dhe logjistikë, por pa arritur ta realizojë. Hetimet e lidhin gjithashtu me një rast grabitjeje me kërcënim në Francë, në kuadër të një bande të organizuar.

  • Turqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Turqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Turqia ka miratuar një ligj të ri që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, si pjesë e përpjekjeve për të rregulluar hapësirën digjitale për të miturit.

    Sipas legjislacionit, të miturit nuk do të mund të hapin llogari në platformat sociale, ndërsa kompanitë teknologjike detyrohen të zbatojnë verifikimin e moshës dhe të reagojnë shpejt ndaj përmbajtjeve të dëmshme.

    Autoritetet e kanë arsyetuar vendimin me shqetësimet për shëndetin mendor, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve, në një kohë kur përdorimi i internetit nga të rinjtë është në rritje.

  • Nesër ditë zie në Kosovë

    Nesër ditë zie në Kosovë

    Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu ka thënë se dita e nesërme (e premte) është shpallur ditë zie shtetërore në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja.

    “Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, ka shkruar Haxhiu.

    Qosja vdiq sot në moshën 89-vjeçare.

    Instituti Albanologjik nesër mban mbledhje komemorative për Rexhep Qosjen

     

  • SPAK godet rrjetin e mashtrimit me kriptomonedha – një i arrestuar, mbi 1 milion euro dëme

    SPAK godet rrjetin e mashtrimit me kriptomonedha – një i arrestuar, mbi 1 milion euro dëme

    Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me autoritetet franceze dhe Eurojust, ka goditur një rrjet mashtrimi përmes call center-ave që synonin qytetarë francezë.

    Operacioni u zhvillua në Tiranë, ku u sekuestruan pajisje elektronike, para dhe prova të tjera, ndërsa një person u arrestua si i dyshuar kryesor për transferimin e fondeve.

    Dëmi nga skema e investimeve të rreme në kriptomonedha arrin mbi 1 milion euro. Hetimet vijojnë.

  • ShBA-ja sekuestron një anije iraniane me naftë

    ShBA-ja sekuestron një anije iraniane me naftë

    Ushtria amerikane ka sekuestruar të enjten një tjetër cisternë me naftë iraniane, duke përshkallëzuar tensionet me Iranin, një ditë pasi Garda e saj paraushtarake Revolucionare mori kontrollin e dy anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

    Departamenti i Mbrojtjes ka publikuar videopamje të forcave amerikane në kuvertën e cisternës së naftës Majestic X, e cila u sekuestrua në Oqeanin Indian.

    “Ne do të vazhdojmë zbatimin global të ligjit detar për të ndërprerë rrjetet e paligjshme dhe për të ndaluar anijet që ofrojnë mbështetje materiale për Iranin, kudo që ato veprojnë”, ka thënë Pentagoni në një deklaratë.

  • “Për ne, ai ka qenë gjithmonë hero”: Jeta e Afrim Bunjakut nga kujtimet e gruas së tij

    “Për ne, ai ka qenë gjithmonë hero”: Jeta e Afrim Bunjakut nga kujtimet e gruas së tij

    E veja e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra në detyrë kur Policia e Kosovës u sulmua në veri të vendit nga një grup i armatosur serbësh më 2023, rrëfen për Radion Evropa e Lirë kujtimet për jetën e tij. Lumnije Bunjaku thotë se po e pret me ankth vendimin gjyqësor që do të shpallet më 24 prill ndaj të akuzuarve për sulmin në Banjskë, ku vdiq bashkëshorti i saj, i shpallur Hero i Kosovës.

    Trim dhe patriot.

    Këto janë dy fjalët e vetme që Lumnije Bunjaku thotë se e përshkruajnë më së miri burrin e saj, policin Afrim Bunjaku, i cili u shpall Hero i Kosovës pasi u vra në detyrë kur një grup i armatosur serbësh e sulmuan atë dhe kolegët e tij, në vitin 2023.

    “Nganjëherë them: Vetëm një herë po të më kishte hidhëruar, do t’ia kisha kujtuar”, shprehet Lumnija, teksa sheh fotografinë e tij të madhe me shirit të zi, që zë vendin kryesor në dhomën e ndejës në shtëpinë e familjes.

    Ajo thotë se kishte frikë nga rreziqet e profesionit të cilin burri i saj e synonte, që nga koha kur u martuan, 30 vjet më parë.

    Por, siç kujton Lumnija, ishte një pasion që nuk kishte si të mos e përkrahte.

    “E ka dashur këtë profesion gjithmonë. Thonë se edhe si fëmijë, kur e kanë pyetur në shkollë se çfarë dëshironte të bëhej, ai thoshte: ‘Dua të bëhem polic’”, kujton ajo për Radion Evropa e Lirë (REL).

    Kjo dëshirë, Afrim Bunjakut iu plotësua në vitin 2001, kur nisi punën si polic i Kosovës.

    Gjatë gjithë jetës së tyre të përbashkët, çifti Bunjaku, së bashku me prindërit e Afrimit, dhe katër fëmijët e tyre, jetuan në Samadrexhë të Vushtrrisë.

    Fshati ndodhet rreth gjysmë ore larg nga zona e veriut të Kosovës, ku tensionet ndëretnike ishin të vazhdueshme që nga përfundimi i luftës së vitit 1999.

    Kjo zonë, e banuar me shumicë serbe, në vazhdimësi ka kundërshtuar njohjen e autoriteteve të Kosovës, ndërsa tensionet atje kulmuan më 24 shtator të vitit 2023, me një sulm të armatosur ndaj Policisë në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku.

    Sipas autoriteteve të Kosovës, me këtë sulm u tentua të aneksohej pjesa e veriut të vendit.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e një polici trafiku në Prishtinë

    IPK-ja rekomandon suspendimin e një polici trafiku në Prishtinë

    Inspektorati Policor i Kosovës i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor i angazhuar në Njësinë  e Komunikacionit Rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë.

    Sipas IPK-së, hetimet ndaj zyrtarit janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale”.

    Teksa ka njoftuar tutje se pas konsultave me prokurorin, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

    “Fillimisht hetimet lidhur me këtë rast janë filluar nga Policia e Kosovës kurse pas dyshimeve për përfshirjen si të dyshuar edhe të një zyrtari policor, bazuar në fushëveprimin ligjor janë njoftuar edhe hetuesit e IPK-së. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij rasti, thuhet në njoftimin e IPK-së.

  • Instituti Albanologjik nesër mban mbledhje komemorative për Rexhep Qosjen

    Instituti Albanologjik nesër mban mbledhje komemorative për Rexhep Qosjen

    Instituti Albanologjik, të cilin Qosja e ka udhëhequr për shumë vjet, ka njoftuar se nesër në orën 12:00 do të mbahet mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së akademikut.

    Rexhep Qosja ka vdekur sot në moshën 89 vjeçare.

    Vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët të cilët edhe kanë njoftuar se ceremonia e varrimit është zhvilluar në një organizim privat familjar.

  • BE miraton kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën – Hungaria heq veton

    BE miraton kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën – Hungaria heq veton

    Bashkimi Evropian ka dhënë miratimin përfundimtar për kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, pasi Hungaria hoqi veton e saj.

    Procedura e brendshme u nis nga ambasadorët të mërkurën dhe u finalizua të enjten.

    Nuk u ngritën kundërshtime dhe rregullorja e fundit në pritje, e cila kërkon unanimitet për të ndryshuar buxhetin e BE-së, u miratua.

    Përparimi i shumëpritur erdhi dy ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se tubacioni Druzhba , i cili transporton naftë të lirë ruse në Hungari dhe Sllovaki, ishte riparuar dhe mund të rifillonte operacionet.

    Bëhet e ditur se ndërprerja e rrjedhave të naftës përmes Druzhbës ishte në thelb të vendimit të Orban për të vënë veton ndaj kredisë prej 90 miliardë eurosh në shkurt.

    Bllokimi i minutës së fundit zemëroi udhëheqësit e tjerë të BE-së, të cilët e dënuan atë si një përpjekje “të papranueshme” për të “shantazhuar”.

    Fakti që Orban e kishte miratuar kredinë në dhjetor dhe kishte siguruar një mundësi për t’u tërhequr nga BE-ja ishte veçanërisht shqetësues për shtetet e tjera anëtare.

    Një diplomat i lartë e përshkroi veton si një “pikë kthese” në marrëdhëniet midis Brukselit dhe Budapestit.

    Ndryshe, Komisioni Evropian, i cili do të menaxhojë skemën financiare, thotë se pagesa e parë për Kievin do të bëhet “sa më shpejt të jetë e mundur” sapo të jenë gati të gjitha dokumentet ligjore dhe teknike.

    Për vitin 2026, Brukseli synon të transferojë gradualisht 45 miliardë euro, ku 16.7 miliardë euro do të ndahen për mbështetje financiare dhe 28.3 miliardë euro për mbështetje ushtarake.

    Pagesat do të bëhen me kusht që të miratohen reformat nga Kievi.

    Çdo ndryshim në luftën kundër korrupsionit mund të shkaktojë një pezullim të përkohshëm të ndihmës.

    Veçanërisht, pjesa ushtarake e kredisë do të ketë dispozita “Made in Europe” për të siguruar që sa më shumë fonde të shkojë te prodhuesit vendas.

    45 miliardë eurot e mbetura do të mbahen për vitin 2027 dhe do të mbulojnë dy të tretat e nevojave të financimit të Ukrainës.

    Aleatët perëndimorë pritet të mbulojnë një të tretën e fundit.

    Huamarrja e përbashkët do të përjashtojë Hungarinë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke. Si rezultat, 24 shtetet e tjera anëtare do të paguajnë rreth 3 miliardë euro në norma interesi vjetore .

    Ukrainës do t’i kërkohet të kthejë kredinë prej 90 miliardë eurosh vetëm nëse Rusia pranon ndonjëherë dëmshpërblimet e luftës, diçka që Moska e ka përjashtuar kategorikisht. /Telegrafi/