ATV

Category: Lajme

  • Shefja në detyrë e BE-së solidarizohet me familjet e të pagjeturve

    Shefja në detyrë e BE-së solidarizohet me familjet e të pagjeturve

    Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, u solidarizua sot me familjet, të dashurit e të cilave mbeten të zhdukur që nga lufta.

    Përmes një postimi të Zyrës së BE-së në Kosovë, theksohet se drejtësia tranzicionale do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të sqaruar fatin e 1 mijë e 581 personave të zhdukur, dhe shton se do të ndihmojë në sjelljen e një ndjenje paqeje për familjet e tyre.

    “Drejtësia tranzicionale = e drejta për të ditur të vërtetën!”, thuhet në njoftim.

  • Masakra e Mejës: 96-vjeçarja qëndron pranë varrit të djalit të saj të vetëm

    Masakra e Mejës: 96-vjeçarja qëndron pranë varrit të djalit të saj të vetëm

    Në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës është përkujtuar masakra e Mejës, ku një nga pjesëmarrëset e homazheve ishte edhe një nënë 96-vjeçare.

    Vase Tahiraj, u pa teksa qëndronte para varrit të djalit të saj të vetëm, Halil Miftar Tahiraj, një nga viktimat e kësaj masakre.

    Në këtë përkujtim morën pjesë edhe qytetarë të shumtë, si dhe përfaqësues e krerë institucionalë, të cilët bënë homazhe në nder të viktimave të masakrës së Mejës.

  • Kurti: I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin për të zhdukurit

    Kurti: I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin për të zhdukurit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ambasadorët e akredituar në Kosovë, kanë bërë homazhe pranë Monumentit dedikuar Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës, duke kërkuar angazhim më të madh ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të tyre.

    Kurti tha se edhe pas më shumë se dy dekadash, mbi një mijë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa institucionet e vendit janë të angazhuara maksimalisht për zbardhjen e fatit të tyre.

    “Bëjmë nderime për gjithë të zhdukurit edhe 1565 i kemi ende të pagjetur, komisioni qeveritar për Personat e Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit tonë bëjnë përpjekje maksimale për të zbardhur fatin e më të dashurve tanë, të cilët u rrëmbyen të gjallë e të vdekur nga forcat armike të Serbisë së Millosheviqit. Duhet të kujtojmë që i fundit që u varros djali i vogël 9 vjeçar. Sinan Dauti nga Prekazi…Ne i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar dhe të zbardhë të vërtetën për të zhdukurit tanë meqenëse ata e mbajnë përgjegjësinë dhe ata e dinë të vërtetën. Janë edhe 11 varreza masive përveç atyre 5 që tashmë janë zbuluar e për të cilët Serbia nuk jep informacion, sepse është komunikuar nga vetë ata publikisht se janë 16 masive gjithsej e vetëm në njërën prej tyre që është zbuluar në Batajnicë i kemi 744 të pagjetur të zhvarrosur atje, ndërkaq gjithsej deri më tani janë rreh 1 mijë shqiptarë që janë zbuluar në varrezat masive në Serbi”, deklaroi ai.

    Ai theksoi se përgjegjësia për zbardhjen e së vërtetës qëndron te Serbia, ndërsa kërkoi presion më të madh nga faktori ndërkombëtar, raporton Ekonomia Online.

    “Atje ku është përgjegjësia atje është edhe e vërteta mirëpo ne nuk kemi juridiksion mbi Serbinë, faktori ndërkombëtarë evropian dhe amerikan duhet t’i bëjnë më shumë trysni Serbisë ashtu që të zbardhet e vërteta dhe përgjegjësit të dalin para gjyqit. Edhe në Kosovë tash e kemi mundësinë për vite me radhë që të dënohen pasi të gjykohen në mungesë kriminelët e shumtë të luftës qofshin urdhër -dhënës apo ekzekutor dhe për këtë prokuroria speciale e ka përkrahjen e plotë të qeverisë së Republikës gjithashtu edhe sistemi në përgjithësi. Janë duke punuar më shumë e më shpejt se përpara por unë besoj që duhet të punojnë edhe më shumë edhe më shpejt seç po bëhet meqenëse dëshmitarët po plaken shumë prej tyre edhe po ndërrojnë jetë dhe në këtë mënyrë vështirësohet përndjekja dhe sjellja përpara drejtësisë e kriminelëve serb të luftës”, tha ai.

  • Haradinaj nderon martirët në Mejë: Pushofshin të qetë në tokën e Kosovës

    Haradinaj nderon martirët në Mejë: Pushofshin të qetë në tokën e Kosovës

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka qëndruar në Mejë me rastin e 27-vjetorit të masakrës, atje ku 376 shqiptarë u vranë e u masakruan nga forcat serbe.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se më 27 prill 1999, forcat serbe kryen njërën ndër masakrat më të mëdha në Kosovë, duke ekzekutuar mizorisht motra e vëllezër shqiptarë të pafajshëm, të dy besimeve fetare.

    Ai shton se shumë prej tyre, edhe sot, mbeten të pagjetur, ndërsa thotë se plagët e luftës nuk mbyllen pa ndriçimin e fatit të tyre.

    “Sot, kur Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve, nderuam kujtimin për martirët e masakrës së Mejës dhe për dëshmorët e martirët e Skivjanit dhe dëshmorët e Prejlepit. Në përvjetorin e rënies së bashkëluftëtarëve të mi, Edmond Dabiqaj, Sadri Latifaj dhe Haxhi Tolaj, nderojmë sot kontributin e fshatit Prejlep në Luftën Çlirimtare, Dëshmorët e Martirët që ia fali lirisë”.

    “Po sot, kujtojmë bashkëluftëtarët Bekim Thaçi, Fetah Sylejmani, Isuf Dinaj, Muhamet Bardheci, Mustafë Avdullahu, Pëllumb Ademaj, Rexhep Hajdaraj, Shkelzen Brahimaj dhe Xhavit Fetahaj të rënë në betejat e fundit të prillit anekënd Dukagjinit. Falë gjakut të tyre, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare dhe falë ndihmës së botës së përparuar liridashëse, NATO-s së prirë nga Amerika, ne sot jetojmë të lirë në shtetin tonë. Mirënjohës ndaj sakrificës të të gjithë të rënëve për liri! Pushofshin të qetë në tokën e Kosovës!”, ka shkruar ish-komandanti i UÇK-së.

  • Vrasja e çiftit në Lezhë, Policia identifikon të dyshuarit

    Vrasja e çiftit në Lezhë, Policia identifikon të dyshuarit

    Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Arben Nasufi, ka dalë në një konferencë për shtyp për të bërë publike detajet e para mbi zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur dje më 26 prill, në fshatin Balldren, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

    Nasufi dha detaje lidhur me ngjarjen tragjike, duke bërë të ditur se janë identifikuar edhe të dyshuarit.

    “Nga hetimet intensive, përmes këqyrjes së provave dhe analizimit të pamjeve filmike përgjatë itinerarit të lëvizjes së viktimave dhe autorëve, është bërë i mundur identifikimi i një prej automjeteve të përdorura, tip “Audi A4”. Më tej, hetimet kanë çuar në identifikimin e tre autorëve të dyshuar: shtetasit A. M. (22 vjeç), F. M. (36 vjeç) dhe R. M. (23 vjeç), banues në Lezhë. Sipas dinamikës së rindërtuar të ngjarjes, automjeti “Audi A4” ka ndjekur lëvizjet e viktimës, ndërsa një automjet tjetër, tip “Volkswagen” pa targa, i ka prerë rrugën dhe më pas autorët kanë hapur zjarr me breshëri në drejtim të mjetit ku udhëtonte çifti”, deklaroi Nasufi në këtë konferencë për media.

    Dyshohet se motivi i kësaj vrasjeje lidhet me hakmarrjen.

    Pas identifikimit të autorëve, Policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, por pa arritur t’i lokalizojë ata. Të tre janë shpallur në kërkim.

    Operacioni për kapjen e tyre vijon në terren, ku janë përfshirë edhe forcat speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë.

    Ndërkohë, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe armëve të përdorura në krim.

  • Qytetarja në Mejë i drejtohet Osmanit: Luaneshë, Ibrahim Rugova i dytë

    Qytetarja në Mejë i drejtohet Osmanit: Luaneshë, Ibrahim Rugova i dytë

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me një përshëndetje të përzemërt nga një qytetare në Mejë të Gjakovës.

    Teksa Osmani ka shkuar për homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë, një qytetare e ka përshëndetur me fjalët

    “Mirë se erdhe, Luaneshë, Ibrahim Rugova i dytë, të paçim gjithmonë o Zot. Ti na qitsh mundin n’dritë”, i tha ajo.

    Osmani ndodhet në Mejë për të nderuar viktimat e kësaj dite. /Klankosova

  • Abdixhiku në Mejë, kujton 376 civilët e vrarë dhe kërkon drejtësi për viktimat e luftës

    Abdixhiku në Mejë, kujton 376 civilët e vrarë dhe kërkon drejtësi për viktimat e luftës

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar masakrën e Mejës, duke thënë se mëngjesin e ka kaluar mes familjarëve të viktimave, të cilët ende mbajnë mbi supe peshën e një prej masakrave më të rënda në Evropë.

    Ai pëmes një postimi në Facebook, ka rikujtuar se 27 vjet më parë, 376 civilë shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë, u ndaluan dhe u ndanë me forcë nga familjet e tyre, për t’u vrarë më pas nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë.

    “Mëngjesin e kalova në Mejë, mes familjarëve që mbajnë ende mbi supe peshën e njërës nga masakrat më të errëta që kontinenti evropian mban në mend. Njëzet e shtatë vite më parë, 376 civilë shqiptarë, mes tyre edhe fëmijë, u ndalën dhe u ndanë me forcë nga më të dashurit e tyre. U vranë gjakftohtësisht nga forcat policore e ushtarake të Serbisë. Krimi nuk përfundoi aty. Shteti serb organizoi fshehjen e tij. Trupat u bartën 280 kilometra larg, deri në Batajnicë, dhe u varrosën në varre masive”, shkroi Abdixhiku.

    Ai theksoi se dhimbja e familjeve mbetet e gjallë edhe pas kaq vitesh, duke shtuar se kjo ditë nuk është vetëm kujtim, por edhe përgjegjësi për të mos harruar të kaluarën dhe për të kërkuar drejtësi.

    “Sot, mes këtyre familjeve, e kupton se koha nuk mbyll gjithçka. Ka dhimbje që mbeten, të qeta në pamje, por të pandryshuara në thelb. Megjithatë, njeriu është më i fortë se guri. Kjo ditë nuk është vetëm kujtim. Është matje me veten. Me atë që kemi kaluar dhe me atë që nuk guxojmë ta harrojmë. Liria e Kosovës është e shtrenjtë. Prandaj kërkon përgjegjësi. Në këtë përgjegjësi, Kosova duhet të kërkojë drejtësi për njerëzit e vet dhe një histori që nuk lejohet të harrohet. Qoftë lavdi e Zoti u ndihmoftë familjeve!’, tha Abdixhiku.

  • Kërkohet për lëndim të lehtë trupor, Policia publikon foton e ferizajasit

    Kërkohet për lëndim të lehtë trupor, Policia publikon foton e ferizajasit

    Policia në Ferizaj po kërkon ndihmën e qytetarëve për të identifikuar një person të dyshuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

    Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur më 10 dhjetor të vitit të kaluar në rrugën “Ahmet Kaçiku”, në afërsi të qendrës tregtare The Village.

    “Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, publikojmë fotografinë e personit të dyshuar, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në këtë rast. Lusim të gjithë qytetarët që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin apo lokalizimin e këtij personi, ta njoftojnë Policinë e Kosovës përmes: Numrit emergjent 192. Stacionit më të afërt policor apo aplikacionin digjital ”Lajmëro policinë”. Të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë”.

  • Deputetja serbe nuk përkrah propozimin për raportim të Trendafilovës, Selimi i thotë se mund ta lëshojë mbledhjen

    Deputetja serbe nuk përkrah propozimin për raportim të Trendafilovës, Selimi i thotë se mund ta lëshojë mbledhjen

    Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, është diskutuar propozimi i nënkryetarit të komisionit nga PDK, Artan Behrami, për dërgimin e një ftese zyrtare për raportim në këtë komision parlamentar, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

    Anëtarja e Komisionit nga Lista Serbe, Ljiljana Stevanoviç, tha se nuk i përkrahin propozimet lidhur me këtë çështje.

    “Para së gjithash, siç po thonë aty, shqyrtimi dhe vendimi i propozimit të deputetit, sepse unë nuk e kam marrë këtë, nuk më ka ardhur i përkthyer materiali dhe tani ju dëgjova këtu. Por, para se të them se jam nga Lista Serbe, dua t’ju them se nuk e di nëse kjo pikë duhet të tërhiqet apo të votohet, por unë si Listë Serbe nuk do ta votojmë këtë propozim për shkak të arsyeve të ditura. Nuk e di nëse do të hidhet në votim apo jo, por po ju njoftoj se nuk do ta mbështes këtë pikë dhe ju lus vetëm që të ktheheni në këtë çështje, sepse u zgjeruat shumë në pikën e mëparshme”, tha ajo.

    Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi i reagoi duke thënë se ajo mund ta lëshojë mbledhjen.

    “Zonjës deputete nga Lista Serbe sigurisht që i pengon çdo debat që bëhet rreth UÇK-së dhe Gjykatës Speciale, por më vjen keq, zonjë, ne mund të diskutojmë këtu edhe me ditë të tëra, sepse duhet të gjejmë zgjidhjen më të mirë, pasi kjo na intereson neve. Edhe pse juve nuk ju intereson, mund të largoheni nëse nuk ju konvenon ky diskutim. Ne si shqiptarë na intereson kjo temë, na intereson UÇK-ja dhe duhet ta diskutojmë dhe ta vlerësojmë lart. Nëse ju pengon, urdhëroni, dilni. Askush nuk jua ndalon.

    Dhe për ta përmbledhur, megjithëse nuk jam anëtare e komisionit tuaj, mund të sugjeroj që, siç e thashë edhe më herët, për momentin nuk është koha për t’i bërë ftesë kryetares së Gjykatës, Teandafilova. Si komision mund të përgatisni një kërkesë për takim me komisionet e Këshillit të Evropës, ose një draft mbi shkeljet e të drejtave të njeriut. Avokatët janë të gatshëm, pasi ato shkelje tashmë janë publike në faqen e Gjykatës Speciale. Të gjitha ankesat e palëve mbrojtëse mund të përmblidhen në një dokument dhe t’i dërgohen një komisioni apo deputetëve të Këshillit të Evropës”, u shpreh Selimi.

    Selimi gjithashtu tha se ka pasur akuza ndaj Ministrisë së Drejtësisë.

    “Pajtohem që jemi bashkë në këtë temë, por politikisht kjo gjykatë është keqpërdorur. Jo vetëm nga veprimet e Vetëvendosjes, por në përgjithësi edhe në raport me Ministrinë e Drejtësisë. Sa akuza janë ngritur se po ndalen fondet, po ndalet buxheti, e të tjera. E di që zoti Behrami është në dijeni për këto pagesa dhe se nuk ka pasur ndalesa. Megjithatë, kjo çështje është përdorur politikisht për të sulmuar Vetëvendosjen, raporton Ekonomia Online.

    Fondet nuk janë ndalur asnjëherë. Shumat maksimale mujore janë respektuar sipas udhëzimeve administrative. Ekipet e mbrojtjes kanë pasur edhe fonde shtesë private për shpenzime, ndërsa nga shteti nuk ka pasur ndalje të buxhetit”, u shpreh Selimi.

    Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, tha se përkrahin çdo përpjekje e cila ka të bëj me çlirimtarët.

    “Patjetër që jam në mbështetje. Uroj të ketë liri për çlirimtarët tanë dhe që ky proces të përfundojë sa më mirë. Uroj më të mirën për familjet që po përballen me këtë proces, sepse është mjaft i vështirë”, tha Bytyqi.

    Ndërsa propozimi mbeti të shqyrtohet sërish, pasi zgjedhja e presidentit mbetet pezull dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje.

  • “Për arsye hakmarrjeje”, policia zbulon motivet e atentatit ndaj çiftit në Lezhë

    “Për arsye hakmarrjeje”, policia zbulon motivet e atentatit ndaj çiftit në Lezhë

    Është zbardhur dinamika e ngjarjes së djeshme në Lezhë, ku çifti i bashkëshortëve, Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, u ekzekutuan me armë zjarri.

    Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Drejtues Arben Nasufi, mbajti një konferencë për mediat në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në fshatin Balldren.

    “Më datë 26.04.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Balldren-Torovicë”, nga shtetas të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Kreshnik Mujeci.

    Me marrjen e njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ato të emergjencës.

    Për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda të DVP Lezhë, Departamentit të Policisë Kriminale, si dhe ekspertët më të mirë kriminalistë, të cilët në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe një sërë veprimesh të tjera me metoda proaktive, në funksion të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë ligjor të saj.

    Hetimet kanë vijuar me këqyrjen dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”.

    Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve:

    -A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë.

    Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volksëagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.

    Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje.

    Hetimet vazhdojnë në mënyre intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

    Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim.

    Operacioni vijon në terren, ku janë përshirë Forcat Speciale “RENEA”, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim lokalizmin dhe kapjen e tyre.

    Gjithashtu, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe të armëve të zjarrit që janë përdorur për të kryer vrasjen.

    Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë është maksimalisht e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe në këtë kuadër fton qytetarët, që të besojnë dhe të mbështesin më shumë strukturat policore, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë.”, deklaroi ai.