ATV

Category: Lajme

  • Policia nis hetime lidhur me vdekjen e punëtorit në Pejë

    Policia nis hetime lidhur me vdekjen e punëtorit në Pejë

    Policia e Kosovës ka nisur hetime lidhur me vdekjen e një punëtori në Pejë.

    Në raportin 24 orësh thuhet se derisa i njëjti ka qenë duke punuar, ka pësuar lëndime dhe është dërguar në Spitalin e Pejës ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e tij

    “HETIM I VDEKJES – Pejë 29.04.2026-12:05. Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa ka qenë duke punuar, ka pësuar lëndime dhe është dërguar në Spitalin e Pejës ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.68 euro për litër, njëjtë si çmimi i djeshëm.

    Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

    Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.47 euro për një litër, ndërsa gazi 0.85 euro.

  • Ulutash: Situata në Kosovë e qetë, por e brishtë – kërkohet urgjentisht zgjidhje politike

    Ulutash: Situata në Kosovë e qetë, por e brishtë – kërkohet urgjentisht zgjidhje politike

    Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka deklaruar se situata e sigurisë në vend mbetet përgjithësisht e qetë, por ende e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të vendit.

    Në një deklaratë nga Brukseli, pas takimeve në selinë e NATO-s, ai bëri të ditur se ka informuar ambasadorët e vendeve aleate dhe partnere kontribuuese në KFOR, si dhe është takuar me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

    Sipas tij, në këto takime është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, si dhe për prioritetet e misionit të KFOR-it, pak më shumë se dy muaj para samitit të NATO-s që do të mbahet në Ankara në korrik.

    Ulutash theksoi se angazhimi i NATO-s për sigurinë në Kosovë mbetet i palëkundur.

    “Aleatët dhe partnerët vazhdojnë të mbështesin plotësisht përpjekjet tona për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet dhe lirinë e lëvizjes”, tha ai.

    Sipas tij, misioni aktualisht përbëhet nga mbi 4600 trupa nga 31 vende, duke e cilësuar atë si një ndërmarrje kolektive të rëndësishme për stabilitetin në rajon.

    Duke folur për zhvillimet në terren, ai theksoi se që nga tetori i vitit 2025 nuk është vërejtur rikthim i dhunës si në vitin 2023, por paralajmëroi se situata mbetet e ndjeshme.

    “Që nga tetori i vitit 2025, kemi parë që siguria lokale është në përgjithësi e qetë. Nuk kemi parë rikthim të dhunës, siç pamë në vitin 2023. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të Kosovës”.

    “Prandaj, prioriteti im është ruajtja e stabilitetit, në të mirë të të gjitha komuniteteve”, deklaroi mes tjerash Ulutash, duke shtuar se KFOR-i mban një prani të dukshme dhe fleksibile për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi dhe për të ulur tensionet në rast nevoje.

    Komandanti e cilësoi KFOR-in si një shtyllë kyçe të stabilitetit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar aleatët për mbështetjen e vazhdueshme.

    Në deklaratën e tij, komandanti Ulutash theksoi edhe nevojën urgjente për një zgjidhje politike, teksa shtoi se KFOR-i vazhdon të krijojë hapësirë që dialogu politik të ecë përpara.

    “Stabiliteti varet nga zgjedhja e të gjitha palëve për diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, jo ushtarake. KFOR-i do të vazhdojë ta bëjë punën e tij në mbështetje të këtij procesi”, tha ai.

    Komandanti i KFOR-it nënvizoi se NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ai përfundoi se KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në krijimin e hapësirës për avancimin e dialogut dhe në ruajtjen e stabilitetit, në funksion të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajonit.

    “Një rrugë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse përpara është ajo që duhet të vazhdojmë ta ndjekim, së bashku, për një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Dhe për stabilitetin rajonal”, u shpreh komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash.

  • Endrit Thaçi shpërndan banerin për çlirimtarët “sillni ata në shtëpi”

    Endrit Thaçi shpërndan banerin për çlirimtarët “sillni ata në shtëpi”

    Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpërndarë në Instagram një fotografi të një baneri të vendosur në kryeqytet në mbështetje të çlirimtarëve.

    Në baner shkruhet: “Çlirimtarët, sillni ata në shtëpi”.

    Fotografinë e këtij mesazhi Endriti e publikoi në llogarinë e tij.

  • Ramush Haradinaj përkujton Ilaz Kodrën: Ishte frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit

    Ramush Haradinaj përkujton Ilaz Kodrën: Ishte frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka përkujtuar sakrificën heroike të komandantit Ilaz Kodra dhe 29 bashkëluftëtarëve të tij, në 27-vjetorin e përjetësisë.

    Përmes një postimi në Facebook, kreu i Aleancës thotë se Kodra ishte ndër luftëtarët më të shquar të luftës çlirimtare, frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit.

    “Dje i kujtuam me respekt dëshmorët Jakub Demaliaj e Bilall Mazrekaj, ndërsa sot përulemi me nderim para sakrificës heroike të komandantit Ilaz Kodra dhe 29 bashkëluftëtarëve të tij, në 27-vjetorin e përjetësisë. Komandant Ilaz Kodra ishte ndër luftëtarët më të shquar të luftës çlirimtare, frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit. Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën kur ra heroikisht Luani dhe u plagos Rafet Rama”, ka shkruar Haradinaj

    “Më 30 prill 1999, ai dhe bashkëluftëtarët e tij luftuan me trimëri kundër disa brigadave të ushtrisë pushtuese serbe, duke e kthyer rrjedhën e historisë në favor të lirisë së Kosovës. Lavdi e përjetshme komandant Ilaz Kodrës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, përfundon postimi.

  • AKR: Largohet masa e pezullimit nga KQZ, rikthehemi plotësisht në aktivitet politik

    AKR: Largohet masa e pezullimit nga KQZ, rikthehemi plotësisht në aktivitet politik

    Aleanca Kosova e Re (AKR) njofton opinionin publik se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur heqjen e masës së pezullimit ndaj subjektit tonë politik, pas përmbushjes së të gjitha obligimeve ligjore të përcaktuara.

    Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kjo masë ishte vendosur më 12 mars 2026, ndërsa është hequr pasi AKR ka respektuar afatin ligjor prej 45 ditësh, duke mbajtur Kuvendin Zgjedhor dhe duke përmbushur kërkesat përkatëse procedurale.

    “AKR e konsideron këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të mëtejshëm institucional dhe politik të subjektit tonë. Ne mbetemi të përkushtuar për funksionim transparent, respektim të ligjit dhe përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    Strukturat e reja të dala nga Kuvendi Zgjedhor do të angazhohen menjëherë në fuqizimin e partisë, rritjen e besimit qytetar dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme politike.

    AKR falënderon të gjithë anëtarët dhe mbështetësit për durimin dhe besimin gjatë kësaj periudhe dhe siguron se do të vazhdojë me një energji të re dhe vizion të qartë për të ardhmen”, thuhet në njoftim.

  • Data e zgjedhjeve, Haxhiu takon sot partitë politike

    Data e zgjedhjeve, Haxhiu takon sot partitë politike

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu pret sot në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Takimi mbahet në ora 15:00.

    “Në orën 15:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu pret në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme”, thuhet në njoftim.

    Haxhiu një ditë më parë takoi kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

    Radoniqi ka deklaruar se përgatitjet për zgjedhje kërkojnë kohë dhe se procesi nuk është i lehtë, duke theksuar se data më e mundshme për mbajtjen e tyre është 7 qershori.

    Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Radoniqi tha se ende nuk është diskutuar çështja e buxhetit për zgjedhjet në KQZ.

    “…Çështje e buxhetit ende nuk është diskutuar në KQZ, po besoj do të jetë përafërsisht si zgjedhjet e kaluara. Na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë… Dy data 31 maj ose 7 qershor, kështu që për mendimin tonë është 7 qershori, por prapë le t’i mbetet presidentes”, u shpreh të mërkurën Radoniqi.

    Kosova shkon në zgjedhje të reja pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

  • Nafta arrin çmimin më të lartë që nga viti 2022

    Nafta arrin çmimin më të lartë që nga viti 2022

    Çmimet e naftës janë rritur në nivelin më të lartë që nga viti 2022, pas një raporti se ushtria amerikane do të informojë presidentin Donald Trump mbi planet e reja për veprime të mundshme në luftën e Iranit.

    Komanda Qendrore e ShBA-së ka përgatitur një plan për një valë sulmesh “të shkurtra dhe të fuqishme” ndaj Iranit, në përpjekje për të thyer bllokimin në negociatat me Teheranin, raportoi faqja e lajmeve Axios, shkruan BBC.

    Nafta bruto Brent u rrit me pothuajse 7% në më shumë se 126 dollarë (94 paund) për fuçi, niveli më i lartë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.Çmimet e energjisë janë rritur këtë javë, ndërsa bisedimet e paqes duket se kanë ngecur, me kanalin kryesor të Ngushticës së Hormuzit që mbetet praktikisht i mbyllur.

  • Deliu-Kodra: Kurti mendoi se opozita frikësohet nga zgjedhjet e hyn në sallë në momentet e fundit

    Deliu-Kodra: Kurti mendoi se opozita frikësohet nga zgjedhjet e hyn në sallë në momentet e fundit

    Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se nesër do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me partitë politike, për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.

    Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit pasi nuk arriti të zgjidhet presidenti apo presidentja e Kosovës, Deliu-Kodra deklaroi se në seancën e mbrëmshme kryeministri Albin Kurti ka pasur pritshmëri që opozita do të hyjë në sallë në momentet e fundit pasi frikësohet nga zgjedhjet.

    “Jam e bindur se ai ka menduar se partitë opozitare do të frikësohen prej zgjedhjeve e pastaj në fund do të futen në sallë e do të bëhen pjesë e maskaradës politike. Thirrjet e deputetëve si janë bërë në foltore të Kuvendit, kjo më kujton atë deklaratën e tij me Isa Mustafën që kur Kurtit i duhej e quante profesor të nderuar e kur nuk i duhej i vendoste lloj-lloj epitetesh. Jam e bindur se tash do të shihni epitetet e tij edhe ndaj Vjosa Osmanit sepse gjuha e komunikimit, sjellja e Kurtit, nuk është bashkëpunuese e as përafruese”, ka deklaruar ajo.

    Deliu-Kodra, ka thënë se emrat e kandidateve për presidente, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, nuk janë konsultuar me partitë e tjera politike. Ajo i quajti propozime të momenteve të fundit.

    “Nuk mund të nxjerrësh emra në momentin e fundit. Në momentin e fundit kishim dy emra, i asaj të Feride Rushtit dhe Hatixhe Hoxhës, të cilët nuk ishin konsultuar me partitë politike. Nuk kishte një marrëveshje politike. Ishin momente të fundit ku Kurti provonte që të hidhte fajin diku për përgjegjësinë që ai e kishte përgjatë gjithë kohës. Në vazhdimësi e kemi dëgjuar duke e cilësuar të pamjaftueshme opozitën. E ka cilësuar të pamjaftueshme PDK-në me 22 deputetë edhe LDK-në me 13 deputetë që të bëhen hise e zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Deliu-Kodra në emisionin “60 Minuta” në KTV.

    Deliu-Kodra ka akuzuar qeverinë Kurti se me nguti i ka mbushur bordet me militantë partiakë para se të shkohet në zgjedhje.

    “Dy ditë para se të përmbyllet afati kushtetues, javën e kaluar u zgjodhën KPM-ja e RTK-ja me nguti për t’i mbushur me militantë partiakë dhe dy ditë para se të shkonim në zgjedhje ai vendosi që t’i mbushë të gjitha bordet me emra partiakë sepse kishte shumicën brenda Kuvendit të Kosovës dhe ishte e pamundur ta parandalonim. Duhet sa më shpejt t’i thuhet ‘stop’ kësaj qeverie”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

    Kuvendi i Kosovës është shpërndarë në mesnatën e 28-prillit pasi përfundoi afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

    Zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh siç është përcaktuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë ditës, u.d e presidentes Albulena Haxhiu është takuar me kryesuesin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në lidhje më përgatitjen e këtij procesi. Ky i fundit ka kërkuar që 7 qershori të jetë data e zgjedhjeve.

    Nesër, Haxhiu do t’i presë partitë politike për të folur për datën e zgjedhjeve. LDK-në në takim do ta përfaqësojë Jehona Lushaku, ndërsa AAK-në, Ardian Gjini.

  • El Ninjo mund të arrijë që në muajin maj – çfarë do të thotë kjo për verën në Ballkan?

    El Ninjo mund të arrijë që në muajin maj – çfarë do të thotë kjo për verën në Ballkan?

    Fenomeni klimatik El Ninjo mund të rikthehet që në muajin maj, ndërsa një raport i ri paralajmëron se kjo mund të sjellë temperatura mbi mesataren pothuajse në të gjithë botën.

    El Ninjo shfaqet zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe është pjesë e një cikli natyror klimatik në Oqeanin Paqësor, i njohur si ENSO.

    Ky cikël përbëhet nga alternimi i dy fazave kryesore: faza e ngrohtë, El Ninjo, dhe faza e ftohtë, La Niña, ndërsa ndërmjet tyre ka edhe periudha me kushte neutrale.

    Gjatë El Ninjës, temperatura e sipërfaqes së detit rritet në pjesën qendrore dhe lindore të Oqeanit Paqësor.

    Kjo dobëson ose ndryshon drejtimin e erërave tregtare dhe ndikon ndjeshëm në prishjen e modeleve globale të temperaturave dhe reshjeve.

    Në raportin më të fundit sezonal, të publikuar më 21 prill, Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) njofton se zhvillimi i El Ninjës pritet gjatë periudhës maj–korrik.

    Edhe pse parashikimet do të bëhen më të sakta pas muajit prill, modelet aktuale tregojnë një gjasë të lartë që ky El Ninjo të jetë i fortë.

    “Pas një fillimi të vitit me kushte neutrale, modelet klimatike tani tregojnë një përputhje të lartë dhe një besim të madh për shfaqjen e El Ninjës, me një forcim të mëtejshëm gjatë muajve në vijim”, deklaroi Wilfran Moufouma Okia, drejtor për parashikime klimatike në Organizatën Botërore Meteorologjike, transmeton Telegrafi.

    Ndikimi i këtij fenomeni në nivel global është i madh. Studimet shkencore e lidhin El Ninjën me kriza ushqimore në disa rajone, shpërthime konfliktesh në zonat tropikale, si dhe me thatësira, përmbytje dhe zjarre pyjore në pjesë të ndryshme të botës.

    El Ninjo i fundit zgjati nga maji i vitit 2023 deri në mars të vitit 2024 dhe ishte një nga faktorët që kontribuoi që viti 2024 të regjistrohej si viti më i nxehtë i matur ndonjëherë.

    Sipas vlerësimeve të reja, gjatë muajve maj, qershor dhe korrik pritet një rritje e shpejtë e temperaturave. Temperatura shumë të larta priten veçanërisht në pjesët jugore të Amerikës së Veriut, në Amerikën Qendrore, Karaibe, Evropë dhe Afrikën Veriore.

    Një raport i përditësuar mbi zhvillimin e El Ninjës pritet të publikohet në fund të muajit maj.

    El Ninjo në Ballkan

    Në Ballkan, një skenar i tillë zakonisht përkthehet në valë të gjata dhe më intensive të të nxehtit.

    Periudha më kritike zakonisht vjen në mes të verës, kur temperaturat e larta zgjasin për ditë të tëra pa ndonjë freskim të ndjeshëm. Edhe netët mbeten të ngrohta, gjë që e vështirëson edhe më shumë jetën e përditshme dhe rrit ngarkesën mbi organizmin.

    Përveç të nxehtit, një tjetër karakteristikë e shpeshtë e këtyre sezoneve është mungesa e reshjeve.

    Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se nuk do të ketë reshje shiu. Përkundrazi, ato mund të vijnë papritur dhe brenda një kohe të shkurtër, shpesh në formë shtrëngatash dhe stuhish të forta, por pa vazhdimësinë e nevojshme për të zbutur thatësirën.

    Një shpërndarje e tillë e reshjeve – periudha të gjata thatësie të ndërprera nga mot i keq i shkurtër, por intensiv – është tipike për vitet nën ndikimin e El Ninjës.

    Një problem shtesë është fakti se Ballkani, ndryshe nga Evropa Perëndimore, nuk ka ndikim të fortë oqeanik që do të zbusë temperaturat ekstreme.

    Për këtë arsye, luhatjet e motit janë më të theksuara dhe pasojat më të dukshme, si në jetën e përditshme, ashtu edhe në bujqësi.

    Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se El Ninjo nuk është i vetmi faktor që ndikon në kushtet e motit. Rol të madh vazhdojnë të luajnë edhe sistemet lokale, ndikimi i Atlantikut si dhe shpërndarja e masave ajrore.

    Për këtë arsye, parashikimet për Evropën nuk janë kurrë plotësisht të njëkuptimshme, por kur merren së bashku të gjitha sinjalet, pamja për këtë verë bëhet mjaft e qartë.

    Para nesh është një sezon në të cilin nxehtësia ka gjasa të dominojë, me periudha të herëpashershme paqëndrueshmërie, por pa reshje të zgjatura shiu. Me fjalë të tjera, vera në Ballkan mund të jetë pikërisht ajo që shumë njerëz e mbajnë mend gjatë: e nxehtë, e lagësht dhe e lodhshme.