ATV

Category: Lajme

  • Çfarë veturash po importohen në Kosovë dhe kush po e dominon tregun

    Çfarë veturash po importohen në Kosovë dhe kush po e dominon tregun

    Për vetëm katër muaj, në Kosovë janë importuar mbi 1 mijë e 300 vetura të reja.

    Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë periudhës nga janari prill të këtij viti në Kosovë janë importuar gjithsej 1,310 vetura të reja, me një vlerë të përgjithshme prej 15,511,065 euro.

    Të dhënat katërmujore tregojnë se muaji mars dominon dukshëm, me 700 vetura të importuara dhe vlerë mbi 7.6 milionë euro.

    Në muajin shkurt janë importuar 241 vetura (mbi 4 milionë euro), në janar 163 vetura (rreth 2.7 milionë euro), ndërsa në prill, deri më 7, janë regjistruar 206 vetura me vlerë mbi 1 milion euro.

    Struktura e tregut tregon një dominim të qartë të veturave me benzinë, të cilat përbëjnë 1,128 njësi me vlerë mbi 8.6 milionë euro.

    Ndërkohë, 178 vetura janë me motor dizel me vlerë rreth 6.7 milionë euro, ndërsa vetëm 4 mjete të veçanta janë importuar në këtë periudhë.

    Sa i përket origjinës, tregu kosovar furnizohet kryesisht nga vendet evropiane, por me një prani të madhe edhe nga Azia. Në aspektin e sasisë, bie në sy numri i lartë i veturave nga Kina (773 njësi) në kategorinë e benzinës. Nga Evropa, numër të konsiderueshëm kanë Republika Çeke (132 vetura) dhe Spanja (88 vetura).

    Në kategorinë e veturave me motor dizel, Gjermania prin me 89 vetura, ndërsa në përgjithësi mbetet vendi me vlerën më të madhe të importit, duke kaluar 3.4 milionë euro vetëm në këtë segment. Pas saj renditen edhe shtete si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Spanja dhe Republika Çeke./Indeksonline/

  • Përkujtohen 280 martirë dhe 42 dëshmorë në përvjetorin e rënies së tyre në Vërboc

    Përkujtohen 280 martirë dhe 42 dëshmorë në përvjetorin e rënies së tyre në Vërboc

    Sot është shënuar përvjetori i rënies së 280 martirëve nga Verboci dhe fshatrat përreth, si dhe i 42 dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit.

    Në këtë ditë përkujtimore është nderuar edhe figura e Ilaz Kodra, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rezistencën për çlirim.

    Në kompleksin memorial në Verboc prehen 73 martirë, ndërsa pjesa tjetër e të rënëve janë varrosur në fshatrat përreth, ku kujtimi për ta vazhdon të ruhet me respekt dhe nderim.

  • ShBA-të kërkojnë koalicion global për të rivendosur transportin detar në Hormuz

    ShBA-të kërkojnë koalicion global për të rivendosur transportin detar në Hormuz

    SHBA-të synojnë të formojnë një koalicion ndërkombëtar për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, sipas raporteve.

    Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka miratuar krijimin e Ndërtimit të Lirisë Detare (MFC), i përshkruar si një iniciativë e përbashkët nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe Pentagoni, transmeton Telegrafi.

    Plani, i raportuar nga The Wall Street Journal dhe agjencia e lajmeve Reuters, është detajuar në një dokument të dërguar ambasadave amerikane në përpjekje për të mbledhur mbështetje ndërkombëtare për projektin.

    Irani “nuk do të tolerojë” zgjatjen e bllokadës, thotë këshilltari i lartë ushtarak

    “MFC-ja përbën një hap të parë kritik në krijimin e një arkitekture sigurie detare pas konfliktit për Lindjen e Mesme. Ky kuadër është thelbësor për të siguruar sigurinë afatgjatë të energjisë, për të mbrojtur infrastrukturën kritike detare dhe për të ruajtur të drejtat dhe liritë e lundrimit në korridoret detare jetësore”, thuhej në kabllogram.

    Ai shtoi se ambasadat amerikane duhet t’ua dorëzojnë kërkesën diplomatike kombeve deri më 1 maj, por jo Rusisë, Kinës, Bjellorusisë, Kubës dhe “kundërshtarëve të tjerë të SHBA-së”.

    Pjesëmarrja mund të jetë në formën e diplomacisë, ndarjes së informacionit, zbatimit të sanksioneve, pranisë detare ose formave të tjera të mbështetjes, shtoi ai. /Telegrafi/

     

  • Koreja e Jugut do të udhëheqë për herë të parë stërvitje të përbashkëta detare me SHBA-në

    Koreja e Jugut do të udhëheqë për herë të parë stërvitje të përbashkëta detare me SHBA-në

    Koreja e Jugut do të udhëheqë forcat detare shumëkombëshe për herë të parë në një stërvitje detare të udhëhequr nga SHBA-të që fillon në qershor, tha marina të enjten.

    Një admiral i Koresë së Jugut do të komandojë forcat e kombinuara detare në Stërvitjen Rim of the Pacific (RIMPAC), e planifikuar në dhe përreth Hawaiit nga 24 qershori deri më 31 korrik, sipas raportimeve.

    Kjo është hera e parë që Koreja e Jugut ka marrë këtë rol në këtë stërvitje. Ajo shërbeu si zëvendëskomandante në vitin 2024.

    RIMPAC, që mbahet çdo dy vjet, synon të nxisë bashkëpunimin midis vendeve pjesëmarrëse për të mbrojtur linjat detare të komunikimit dhe për t’iu kundërvënë kërcënimeve të mundshme të sigurisë detare.

    Koreja e Jugut ka marrë pjesë në stërvitje që nga viti 1990.

    Stërvitja e këtij viti do të përfshijë një forcë shumëkombëshe me mbi 25 mijë personel, si dhe rreth 40 anije sipërfaqësore, pesë nëndetëse dhe 140 avionë, shkruan Euronews.al.

    Koreja e Jugut pritet të vendosë shkatërruesin e saj Aegis Jeongjo the Great, aeroplanin e patrullimit detar P-9 dhe nëndetësen 3 mijë tonëshe Dosan Ahn Chang-ho për këtë stërvitje.

     

  • Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe, nderojnë dëshmorët në Gllobar të Drenasit

    Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe, nderojnë dëshmorët në Gllobar të Drenasit

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurti kanë nisur homazhet në fshatin Gllobar të Drenasit, në kuadër të nderimit të dëshmorëve, raporton Ekonomia Online.

    Në orën 10:15, Haxhiu pritet të bëjë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Verboc, në orën 10:45 në Shtuticë, ndërsa në orën 11:15 do të qëndrojë në Kompleksin Memorial në Marinë.

  • Si qëndrojnë vendet e Ballkanit sa i përket lirisë së medias?

    Si qëndrojnë vendet e Ballkanit sa i përket lirisë së medias?

    Reporterët pa Kufij (RSF) kanë publikuar Indeksin e 25-të Botëror të Lirisë së Shtypit.

    Këtë vit, analiza nxjerr në pah një përkeqësim alarmues të kushteve për gazetarinë në shumë pjesë të botës, pavarësisht disa përmirësimeve të izoluara, pasi 100 nga 180 vende dhe territore kanë parë rënie të rezultatit të lirisë së shtypit.

    Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin e 84-të, 15 vende më mirë sesa vitin paraprak.

    “Me përjashtim të Kosovës, që shënoi përparim pavarësisht se mbetet një nga shtetet me renditjen më të ulët në Evropë, liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi po përkeqësohet”, thanë Reporterët pa Kufij.

    Por, pavarësisht përparimit të shënuar, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova nuk qëndron më së miri sa i përket lirisë së shtypit.

    Mali i Zi renditet në vendin e 41-të (nga 37 sa ishte vitin e kaluar) në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.

    Maqedonia e Veriut sivjet u radhit në vendin e 45-të (ka shënuar rënie pasi vitin e kaluar ishte në vendin e 42-të), Shqipëria është vetë një pozitë më lart se Kosova, pra në vendin e 83-të (vitin e kaluar ishte në vendin e 80-të), Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 90-të (vitin e kaluar ishte në pozitën e 86-të) dhe Serbia më së keqi, duke u radhitur e 104-ta (vitin e kaluar ishte në vendin e 96-të).

    Sipas raportit, rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore vazhdon të jetë në vendin e parafundit në radhitje në indeksin e këtij viti, ndërkaq zona e BE-së dhe Ballkanit është në vendin e parë pavarësisht rënies së kushteve në gazetari.

    Në indeksin e organizatës, në vendin e parë sa i përket lirisë së shtypit është Norvegjia, ndërsa në vendin e 180-të është Eritrea.

  • Pretendime për dorëheqje në LDK, reagojnë zyrtarët e kësaj partie: Janë “fake news”

    Pretendime për dorëheqje në LDK, reagojnë zyrtarët e kësaj partie: Janë “fake news”

    Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje, janë raportuar për disa dorëheqje nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

    Por këto pretendime janë mohuar nga vetë përfaqësues të partisë dhe figura të saj, të cilat janë cilësuar si të pavërteta

    Në mesin e personave që u raportua se janë dorëhequr nga LDK ishin Gazmend Muhaxheri e Kujtim Shala.

    Mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar Kujtim Shala. Ai ka hedhur poshtë informacionet që qarkullonin duke theksuar se mbetet pjesë e subjektit politik.

    Ndërkohë edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi ka reaguar ndaj këtyre raportimeve duke i cilësuar si “lajme të rreme”, dhe duke theksuar se nuk ka ndarje dhe se në LDK po ndodh një bashkim më i gjerë i së djathtës.

    “FAKE NEWS – Ndarje e Kuvende të reja në LDK, FACT- Bashkimi i madh i së djathtës po ndodh”, ka shkruar Rukiqi.

  • Osmani: Qytetarët s’po i takoj vetëm këto ditë, vizitat s’janë ndalur asnjëherë – bazamenti është lidhja me ta

    Osmani: Qytetarët s’po i takoj vetëm këto ditë, vizitat s’janë ndalur asnjëherë – bazamenti është lidhja me ta

    Ish-presidentja Vjosa Osmani i ka quajtur “dezinformata” deklaratat e disa “njerëzve brenda politikës” se ajo po i takon qytetarët vetëm këto ditë, dhe se këtë nuk e kishte bërë gjatë mandatit të saj presidencial.

    Ajo publikoi një video në Facebook, ku ka ndarë edhe fotografi nga vizitat e saj brenda vendit gjatë mandatit si presidente.

    “Përshëndetje. Meqenëse ka njerëz brenda politikës që po ankohen pse po i takoj qytetarët këto ditë, e disa madje dezinformojnë se këtë nuk e kam bërë më herët, ja e vërteta”, tha ajo.

    Osmani tha se “këto vizita nuk janë ndalur asnjëherë”.

    “Përgjatë pesë viteve mandat, vazhdimisht kam vizituar komunat, kam takuar qytetarët, kam mbështetur grupet e marxhinalizuara, kam qenë pranë njerëzve të vyer e të urtë të vendit tonë. Vizita në fshatra e lagje të ndryshme, në kopshte, në shkolla, në spitale, në institucione që e mbajnë këtë shtet të fortë. Dhe po, edhe në shoqatën e zjarrfikësve. Këto vizita nuk janë ndalur asnjëherë”.

    Ajo tha se bazamenti i angazhimit të saj do të mbetet “lidhja me qytetarët”.

    “Sikurse dje, ashtu edhe sot, e mbi të gjitha në të ardhmen: bazamenti më i fortë i gjithë angazhimit tim do të mbetet pikërisht lidhja me qytetarët. Sepse Kosova është atdheu ynë i përhershëm. Shihemi në komunën e radhës”, tha Osmani.

  • Komunat në kolaps financiar: Mbi 344 milionë euro të humbura dhe 20 milionë të tjera në rrezik nga moszbatimi i vendimit të GjK

    Komunat në kolaps financiar: Mbi 344 milionë euro të humbura dhe 20 milionë të tjera në rrezik nga moszbatimi i vendimit të GjK

    Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka paralajmëruar për një rëndim serioz të situatës financiare të komunave në vend. Sipas tij, mbi 344 milionë euro u janë marrë komunave përmes vendimeve gjyqësore gjatë periudhës 2022–2026, ku shumica lidhet me kontratën kolektive, ndërsa vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro.

    Ibrahimi thekson se barrës ekzistuese po i shtohet edhe një kosto e re prej 15–20 milionë eurosh, si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Ministria e Financave për shtesën e përvojës së punës (0.5% në vend të 0.25%) për vitet 2023–2025.

    “Përveç faktit që komunave të Kosovës tashmë u janë marrë mbi 344 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore në periudhën 2022–2026 (ku shumica dërrmuese lidhet me kontratën kolektive), dhe vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro, situata financiare po rëndohet edhe më tej me një barrë të re prej 15–20 milionë eurosh. Kjo barrë shtesë vjen si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga ana e Ministrit Hekuran Murati dhe Ministrisë së Financave, lidhur me përllogaritjen e shtesës për përvojën e punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën 2023–2025”, tha Ibrahimi për Periskopi.

    Ai vlerëson se komunat po përballen me presion të trefishtë financiar, që po ndikon negativisht në buxhetet dhe investimet kapitale, ndërsa përgjegjësia për këtë situatë, sipas tij, i takon nivelit qendror. Ibrahimi kërkon ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës për të marrë përgjegjësinë financiare dhe për të zbatuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Kjo do të thotë se komunat po përballen me një presion të trefishtë financiar: • nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për kontratën kolektive; • nga ndikimi negativ në buxhetet komunale dhe investimet kapitale; • dhe tash edhe nga një detyrim shtesë që buron nga moszbatimi i një vendimi detyrues kushtetues. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe obliguese për të gjitha institucionet. Moszbatimi i tyre jo vetëm që cenon rendin kushtetues, por prodhon pasoja direkte financiare që në këtë rast po i barten padrejtësisht komunave. Është e rëndësishme të theksohet se komunat nuk kanë pasur asnjë rol në krijimin e kësaj situate”, shtoi ai

    “Politikat e pagave dhe zbatimi i vendimeve kushtetuese janë përgjegjësi ekskluzive e nivelit qendror. Megjithatë, në praktikë, faturat po paguhen nga buxhetet komunale, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të pushtetit lokal dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Në këtë kontekst, kërkohet një ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës që të marrë përgjegjësinë e plotë financiare për këto obligime dhe të sigurojë zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që komunat të mos penalizohen për një dështim që nuk u takon”.

  • Paraqiten para gjykatës Pacolli, Zyba e Millaku për gazin lotsjellës në Kuvend

    Paraqiten para gjykatës Pacolli, Zyba e Millaku për gazin lotsjellës në Kuvend

    Janë paraqitur në Gjykatë të akuzuarit Fitore Pacolli Dalipi, Salih Zyba e Drita Millaku për gazin lotsjellës në Kuvend.

    Sipas aktakuzës, e cila është ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

    Në aktakuzë thuhet se të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

    Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.