ATV

Category: Lajme

  • Nesër vendimi i fundit për liberalizimin e vizave

    Nesër vendimi i fundit për liberalizimin e vizave

    Parlamenti evropian të martën do mbajë seancën përfundimtare, mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

    E marta sipas analistëve, nënkupton fundin e një epoke mbylljeje për kosovarët.

    “Nesër është faktikisht faza e fundit e vendimmarrjes, dhe duke qenë se deri më tani ka pasur disa faza nesër pritet të jetë një formalizim ose validim i gjithë ati procesi që ka zgjatë për vite të tëra”, tha Lirim Krasniqi nga organizata “GERMIN”.

    Ani pse Kosova shumë herë dha myzhde për liberalizim, pas seancës së nesërme thuhet se nuk do ketë kthim mbrapa.

    “Nga momenti i votimit nesër nuk ka më kthim mbrapa sepse periudha e mëtejme është vetëm formalitete siç është nënshkrimi i marrëveshjes, publikimi në gazetën zyrtare, d.m.th. nuk ka vendimmarrje pas ditës së nesërme”, tha Krasniqi.

    E qytetarët mezi e presin një vendim të tillë, teksa thonë se lëvizjen pa viza e kanë merituar qysh moti.

    “Është bo tepër ne jemi të diskriminuar në krahasim me krejt popujt, paramendoni ata që kanë bo krime janë shpërblyer me liberalizim ndërsa ne si viktima jo”, tha Xhafer Berisha, qytetar.

    “Mendoj që Kosova moti e ka meritu, kushtet i ka plotësu moti, por tash puna e politikes nuk e di”.

    Por ka edhe nga ata që e shohin pak më ndryshe këtë proces.

    “Duhet me kuptu se një pjesë e madhe po mendon që veç ka me shku me udhëtu në të gjitha vendet e botës, por liberalizimi mundet me qenë 180 ditë ose 3 muaj edhe ato viza munden me qenë që mos me pas të drejtë me punu”, tha Arian Mustafa, qytetar.

    Në rast se parlamenti evropian i jep dritën jeshile liberalizimit, qytetarët e Kosovës pritet që të udhëtojnë lirshëm nga janari i 2024-tës. /atvlive.tv

  • Kurti takoi sot në Drenas dy shokët e tij të burgut

    Kurti takoi sot në Drenas dy shokët e tij të burgut

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shkruar në një status të tij në facebook, sesi sot në Drenas, takoi dy shokë të tij të burgut, Milazim Mustafën dhe Elmi Gjylanin.

    Ai thotë se me të dytë, për të parën herë ishin takuar në burgjet e Pozharevcit e Nishit, në vitin 1999.

    ”Në Drenas, takova sot dy shokët e mi të burgut, Milazim Mustafën dhe Elmi Gjylanin, ish të burgosur politik. Për të parën herë ishim takuar në burgjet e Pozharevcit e Nishit, në vitin 1999. Këtë herë, me ta ishin bijtë e tyre, të rritur. Në kohën e vuajtjes së dënimit, Asdren Mustafa ishte 3 vjeçar, ndërsa Altin Gjylani ishte foshnje, vetëm disa muajshe.

    Milazimi ishte burgosur së bashku me dy vëllëzërit e tij, Halilin dhe Përparimin. Kujtuam bashkë vëllaun e vogël të tij, Përparimin, i cili ka ndërruar jetë më 5 shkurt të këtij viti, pas një infarkti. Ai ishte idealist e punëtor, ish i burgosur politik, që pas luftës, për 22 vite kishte punuar si vozitës i furgonit. Në sytë e Milazimit e Elmisë rrëzëllen dashuria për Kosovën, e në fjalët e tyre nuk dëgjohet tjetër veçse urata për kombin. Kështu i mbajë mend në burg, si motivues e shokë që të qëndrojnë pranë, kështu janë po edhe sot”.

  • Atmosferë jozgjedhore para zgjedhjeve në veri

    Atmosferë jozgjedhore para zgjedhjeve në veri

    Billbordet, fletushkat e mjetet e tjera të fushatës që jemi mësuar t’i shohim para zgjedhjeve, nuk shihen gjëkundi në hapësirat publike të Mitrovicës së Veriut.

    Betim Osmani, kandidati për kryetar komune nga Iniciativa Qytetare për Mitrovicën, thotë se kjo bëhet për ta mbrojtur ambientin.

    “Ne mendojmë që duhet ta mbrojmë ambientin dhe të mos shpërndajmë billborde”, tha Osmani.

    Osmani potencon se takimet me qytetarë të të gjitha komuniteteve janë forma kryesore përmes së cilës ai po bën fushatë.

    “Ne kemi çdo ditë kontakt me të qytetarët nga të gjitha komunitetet, edhe shqiptar, edhe komunitetit boshnjak, rom dhe edhe me të komunitetit serb, gjithashtu
    edhe me organizata të ndryshme nga komuniteti serb”, tha Osmani.

    Pak a shumë të njëjtën formë për fushatë e përdor edhe kandidati për kryetar komune nga radhët e Vetëvendosjes, Erden Atiç.

    “Punën më të madhe që e kemi bërë po edhe që do të vazhdojmë ta bëjmë është takimi kryesisht me qytetarë, jo me tubime apo billborde, pra do ta bëjmë përmes rrjeteve sociale, prononcimeve etj”, tha Atiç.

    Mirëpo, për atmosferën e zymtë zgjedhore në qytet, Atiç ka një shpjegim tjetër.

    “Rrjedhimisht ka çdo vit zgjedhje lokale, për arsye të dorëheqjeve të kryetarëve ose emërimit në ministri, kështu që edhe fushata në terren nuk bëhet në mënyrë konvencionale”, tha ai.

    Ndërsa, kandidati nga radhët e PDK-së, Taulant Kelmendi, i cili nuk mundi të prononcohej për shkaqe shëndetësore, nëpërmjet një përgjigje me shkrim tregon për mënyrën se si ka menduar ta bëjë fushatën e tij.

    “Meqë, Mitrovica e Veriut është territor shumë i vogël dhe duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, kemi menduar që kemi kohë ende dhe këto pesë ditë sa na kanë mbetur, janë të mjaftueshme që ta zhvillojmë fushatën në mënyrë individuale, grupore dhe përmes mjeteve të tjera informuese. Takimet partiake i mbajmë në mënyrë fizike në zyrat tona, si dhe në mënyrë elektronike”, tha Kelmendi.

    Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar 19 qendra të votimit me gjithsej 34 vendvotime për zgjedhjet në katër komunat veriore. Prej tyre, gjashtë janë të rregullta, ndërsa 13 qendra të tjera janë alternative. /atvlive.tv

  • Dëmtohen ulëset në klinikat e QKUK-së

    Dëmtohen ulëset në klinikat e QKUK-së

    Në klinikat e QKUK-së, pacientët e shoqëruesit e tyre shpesh duhet të presin në këmbë ose të ulen në tokë, pasi shumë nga ulëset e dedikuara për ta janë shkatërruar. Sipas tyre, institucionet duhet ta rregullojnë këtë problem. Ndërkohë, Drejtoria e SHSKUK-së thotë të kundërtën.

    Për shkak të mungesës së karrigeve, në klinikën e Internos, përcjellësit e pacientëve duhet të presin në këmbë, ose të ulen në tokë.

    “Po duhet na familjarët ose përcjellësit e pacientëve me prit n’kom, osht shumë e rond kjo situatë na duhet me pas një lloj komoditeti, ski ku ulesh osht boll shqetësuese”, tha Hajzer Mustafa, familjar.

    Situatë e njëjtë shihet edhe në Klinikën e Emergjencës.

    Në secilën anë të korridorit shihen karrige në gjendje të keqe.

    “Duhet mu rregullu osht patjetër, nevoja osht e madhe, këtu ka pacient e vizitor”, tha Rrahim Aruqi, familjar.

    Megjithatë, Drejtoria e ShSKUK-së përmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, ka bërë të ditur se numri i ulëseve brenda dhe jashtë klinikave është i mjaftueshëm.

    “Ju njoftojmë se në oborrin e QKUK-së, për momentin ka 175 ulëse, të cilat janë të vendosura para dhe pas klinikave te QKUK-së. Kurse brenda klinikave ka ulëse në secilën klinikë. Për momentin ulëset e jashtme janë të mjaftueshme”, ishte përgjigjja nga drejtoria e SHSKUK-së.

    Ajo thotë se rritja e numrit të ulëseve parashihet vetëm në të ardhmen, por nuk ka dhënë asnjë përgjigje se në cilin vit do të realizohet ky premtim. /atvlive.tv

  • Nis tejkalimi i afateve kohore të aneksit të Ohrit

    Nis tejkalimi i afateve kohore të aneksit të Ohrit

    Dështimi për të themeluar Komitetin e Përbashkët Mbikëqyrës, brenda 30 ditësh, përbën tejkalimin ose shkeljen e parë të afateve kohore të parapara në aneks dokumentin e dakorduar në Ohër, nga Kosova dhe Serbia.

    E hëna e 17 Prillit, është dita e 31-të nga dita e dakordimit.

    Referuar praktikave në dialog për më shumë se një dekadë, opinionisti Bekim Kabashi vlerëson se Kosovës dhe Serbisë nuk u ka munguar vullneti për negocim e nënshkrim të marrëveshjes, por për zbatimin e saj.

    “Serbia dhe Kosova më shumë i arrijnë marrëveshjet për shkak të presionit ndërkombëtar dhe mos-prishjet e raporteve me fuqitë, në këtë rast SHBA-të dhe BE-në, sesa me vullnetin për me mbërri paqe në mes të dy vendeve. Dhe po besoj që prapë do ketë probleme, edhe në implementimin e kësaj marrëveshje, në themelimin atyre institucioneve, duke përfshirë edhe institucionin që ka me e shiku nëse ka me u zbatu marrëveshja ose jo”, tha gazetari dhe analisti Bekim Kabashi.

    Palët, sipas tij, nuk janë ndikuar shumë as nga paralajmërimet për sanksione.

    “Sanksionet janë përmend më shumë se do ndikojnë në rrugën e palëve për anëtarësim në BE. Kosova pothuajse ende nuk e ka filluar qartë këtë drejtim dhe nuk e ka ndonjë shqetësim të madh në këtë drejtim. Ndërsa, Serbia është shumë më përpara në proces të integrimit në BE, por nuk ka ndonjë vullnet ose naj merak të madh nëse anëtarësohet ose jo Serbia”, tha Kabashi.

    Përgjegjës për ritmin e ulët të lëvizjes, profesori Seb Bytyçi e bën edhe Bashkimin Evropian.

    “Siç kam thënë edhe më herët, pritet të ketë zvarritje nga të dyja palët. Mirëpo, kjo dëshmon se edhe BE-ja, si ndërmjetësues, ka një qasje zvarritëse dhe deri diku e toleron zvarritjen nga të dyja palët. Kështu që mund të pritet që të ketë zvarritje edhe në të ardhmen në implementimin e marrëveshjes”, tha Bytyçi.

    Në aneksin e dakorduar më 18 mars ishte paralajmëruar trajtim “urgjent” i çështjes së të pagjeturve dhe nisje e “e menjëhershme” e punës për themelimin e Asociacionit, por për asnjërën ende nuk ka ndonjë konkluzë.

    Njësoj edhe për Komitetin që do të ketë për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes, pritet të ketë gjashtë anëtarë: dy Kosova, dy Serbia dhe dy Bashkimi Evropian – që do ta kryesojë këtë mekanizëm.

    Të martën, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, pritet t’i takojë në distancë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic, si vazhdim i diskutimeve për draft-dokumentin e sekuencimit të zbatimit dhe funksionalizimin e Komitetit, para takimit të radhës të nivelit të lartë. /atvlive.tv

  • Shkatërrohet ura në Obiliq, pa u bërë një vit prej kur u rregullua

    Shkatërrohet ura në Obiliq, pa u bërë një vit prej kur u rregullua

    Ani pse nuk ka kaluar as një vit prej kur Ministria e infrastrukturës kishte intervenuar në këtë urë, që lidh fshatrat Plemetin dhe Mazgit, me qytetin e Obiliqit, gropat që u hapën sërish po shkaktojnë shumë telashe.

    Banorët thonë se duke u munduar t’iu shmangën gropave, po shkaktohen aksidente.

    “Mundet me ardh deri te aksidenti tu u ruajt njerëzit mos me i prish kerret”, thotë Rrahim Colluri, banor i fshatit Plemetin.

    “Po është rrezik jo veç për mu se po i prishim kerret po i paguajmë taksat rrugore e krejt, e në fund po i prishim kerret”, thotë Sali Rama, banor i fshatit Mazgit.

    Meqenëse ura është në përgjegjësinë e Ministrisë së infrastrukturës komuna e Obiliqit nuk po mund të intervenojë në të.

    Por zyrtarë të saj, përmes telefonit i thanë ATV-së, se janë të gatshëm që këtë herë të intervenojnë vetë, nëse ministria nuk e bën një gjë të tillë.

    “Kemi pranuar ankesa nga banorët e asaj zone dhe ne u kemi thënë që të drejtohen në Ministri, sepse është kompetencë e tyre. Ne jemi duke pritur konfirmimin e Ministrisë së Infrastrukturës se a do të ndërmarrë masa për rregullimin e saj, apo jo. Përndryshe ne si komunë do të intervenojmë vetë në të, që ta zgjidhim problemin”, thuhet në përgjigjën e Komunës së Obiliqit.

    Në lidhje me dëmtimin e kësaj ure, ATV-ja ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës, se kur pritet të intervenojnë sërish, por nuk janë përgjigjur. /atvlive.tv

  • Organizimi i LDK-së dhe UÇK-së: Krejt çka tha sot dëshmitari i dytë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

    Organizimi i LDK-së dhe UÇK-së: Krejt çka tha sot dëshmitari i dytë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

    Një zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është dëshmitari i dytë në rastin e krerëve të UÇK-së.

    Në pyetjet e Prokurorisë ai ka folur fillimisht lidhur me organizimin dhe strukturën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, qëllimet e kësaj partie dhe dallimet me ‘krahun e luftës’.

    Dëshmitari që po jep dëshminë me masa strikte mbrojtëse ka folur sidomos për organizimin e LDK-së në Malishevë, raporton Nacionale.

    “Synimi i LDK-së ka qenë me kundërshtu sistemin e ish-Jugosllavisë. Ka fillu jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ka punuar dhe vepruar për pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e saj të udhëhequr nga presidenti Rugova dhe institucionet e saj të asaj kohe”, deklaroi dëshmitari i dytë në rastin e krerëve të UÇK-së.

    Prokurori e pyeti se cila ka qenë forma e veprimit të LDK-së dhe cilat institucione kanë qenë në fuqi në atë kohë.

    “Ka qenë qeveria e Kosovës, kryeministri Bukoshi dhe të gjithë ministrat e tjerë në atë kohë. Aty ku ka qenë Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, aty ka vepruar Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai.

    Më pas dëshmitari tregoi në detaje për organizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Malishevë.

    “Pas formimit në Prishtinë, është formuar në Malishevë Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i parë i LDK-së në Malishevë ka qenë Isni Kilaj. Struktura e LDK-së është përbërë nga nënkryetarë të LDK-së, sekretarët dhe anëtarët e kryesisë. Në kryesi kanë qenë 13 anëtarë, dy nga forumi i gruas dhe forumi rinor, gjithësej 15 anëtarë. Në Kuvendin e degës 110 delegatë”, deklaroi më tutje dëshmitari.

    Ai tregoi se LDK-ja ka pasur një përkrahje tejet të madhe në popull. Dëshmitari bëri të ditur se ishe inkuadruar në LDK në vitin 1990 dhe ende vazhdon të jetë pjesë e kësaj partie.

    Një pjesë e kësaj seance u zhvillua edhe e mbyllur për publikun, pasi përmendeshin identiteti i dëshmitarit dhe informacione të tjera konfidenciale.

    Dalja publike e UÇK-së dhe gabimet e dëshmitarit

    Përveç LDK-së, dëshmitari deklaroi se ka qenë edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje tha se ka qenë fizikisht pjesëmarrës në daljen e parë publike të UÇK-së në Llaushë pas vrasjes së mësuesit Halit Geci.

    Por, pavarësisht kësaj, dëshmitari gjatë përgjigjeve të tij pati dy gabime elementare që ndërlidheshin me daljen e parë publike. E para ai tha se në Llaushë pati mbajtur fjalim Mujë Krasniqi, kur dihet që atje ka folur vetëm Rexhep Selimi. Dhe e dyta, tha se vetëm Mujë Krasniqi ka dalur pa maskë në skenë, përderisa dihet se pa maskë ka dalur edhe Daut Haradinaj.

    “UÇK-ja u bë publike pas vrasjes së mësuesit Halit Geci, në varrimin e tij është bërë publike Ushtria Çlirimtare të Kosovës. E pas vrasjes së familjes Jashari i madh e i vogël u kyçën në ushtri. Me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci kemi qenë prezentë në varrim edhe vetë. Është fol që ka marrë pjesë edhe kryetari i degës së Skënderajt, Idriz Reci. Kanë folë ata, pas tyne janë dalë përfaqësuesit e UÇK-së e kanë lexu një tekst dhe i kanë shprehë ngushëllime”, tha fillimisht dëshmitari.

    “Mujë Krasniqi ka qenë pa maskë, të tjerët kanë qenë me maska. Më vonë e kemi kuptuar se ishte Mujë Krasniqi. Muja ka lexuar diçka, ka bërë thirrje që të veprohet me UÇK-në e të ecim përpara”, deklaroi dëshmitar.

    Prokurori nuk bëri ndonjë pyetje tjetër lidhur me këto dy përgjigje. Mbetet të shihet nëse avokatët e krerëve të UÇK-së do t’ia rikujtojnë dëshmitarit dy elementet të cilat i tha lidhur me daljen publike të UÇK-së.

    Megjithatë, prokurori u interesua për faktin se cili nga folësit ka qenë më i rreptë. Dëshmitari tha se më ashpër kishte folur Rexhep Selimi.

    Dëshmitari foli edhe për raportet e LDK-së me UÇK-në. Tha se UÇK-ja nuk e njihte presidentin Rugova, përderisa pretendoi se ushtarët e UÇK-së i kanë kërkuar atij të largohet nga LDK-ja.

    Pjesë tjetër nga dëshmia e dëshmitarit:

    Prokurori: Kush nga folësit ishte më i rreptë?

    Dëshmitari: Veç me fjalë nuk arrihet lufta, pak a shumë kështu ishte fjalimi.

    Prokurori: Më herët the një person e ka mesazhin më të ashpër. A e kujton kush ishte?

    Dëshmitari: Po. Rexhep Selimi. Më tregoi dikush që ishte ai.

    Prokurori: Si e kuptuat që mesazhi ishte të mos ndiqen më njerëzit pacifist?

    Dëshmitari: Fjala ishte për Lidhjen Demokratike e Kosovës. Kjo sepse thanë që nuk mundemi vetëm me fjalë paqësore, por edhe lufta. U dijke kush është në Prishtinë, e kush punon në mënyrë paqësore. Në atë kuptim.

    Prokurori: Sa pjesë të Malishevës kontrollonte UÇK-ja në qershor 1998?

    Dëshmitari: Pothuajse komplet Malishevën.

    Prokurori: Kur objektivat e UÇK-së dhe LDK-së duke filluar nga 1998, a filluan të harmonizohen?

    Dëshmitari: Po. Nuk ishin bash të mira marrëdhëniet, edhe pse një pjesë e madhe ishim të kyçur në UÇK. Nuk kanë qenë edhe bash raportet si me thanë të shëndosha, të mira. UÇK-ja vazhdimisht bënte presion që LDK-ja ta pushonte aktivitetin e vet.

    Prokurori: Kush e ushtronte këtë presion?

    Dëshmitari: E ushtronte drejtoria politike në kuadër të UÇK-së.

    Prokurori: UÇK-ja e a e njihte presidentin Rugova?

    Dëshmitari: Jo.

    Prokurori: A vazhduat të ishit anëtar i LDK-së edhe kur u kyçët në UÇK?

    Dëshmitari: Po.

    Prokurori: Më herët dëshmuat për institucionet paralele. A mësuat nëse kishte anëtar të tjerë të UÇK-së që i njihnin këto institucione,

    Dëshmitari: Po, ka pasur edhe ushtar edhe shtab që i ka njohur institucionet e republikës së Kosovës. Edhe pse kam qenë pjesëtar i UCK-së, kam qenë në LDK, kam punuar dhe kam vepruar në çfarë është dashtë.

    Prokurroi: A e dinin ushtarët se ti ishe në LDK dhe si kanë reaguar?

    Dëshmitari: Kanë kërkuar mu tërheqë mirëpo nuk jam tërhek sepse e kisha autoritetin.

    Ky dëshmitar do të merret në pyetje për pesë ditë me radhë. Në anën tjetër, në fillim të seancës trupi gjykues ia ka aprovuar një mocion avokatit të Rexhep Selimit. Kjo lidhet me incidentet që i ka përmendur një dëshmitar, e të cilat nuk ndërlidhen me periudhën e aktakuzës për të cilën akuzohen krerët e UÇK-së.

  • Klinaku kërkon që LDK t’i reagojë Speciales: Nuk duhet të lejojë që dikush ta barazojë me kolaboracionistët

    Klinaku kërkon që LDK t’i reagojë Speciales: Nuk duhet të lejojë që dikush ta barazojë me kolaboracionistët

    Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i reagojë publikisht Gjykatës Speciale në lidhje me vrasjet e anëtarëve të saj që po përmenden në Hagë.

    Po ta kishte vrarë UÇK-ja dikë “vetëm pse ka qenë në LDK”, Klinaku thotë se “Kosova do të shndërrohej në një kasaphanë”.

    “Do të kishte qenë mirë për LDK-në, për UÇK-në e për krejt Kosovën që LDK-ja t’i reagonte publikisht Gjykatës Speciale për akuzën se dikush dikë e paska vra vetëm pse ka qenë në LDK! Po të ishte kjo e vërtetë, Kosova do të shndërrohej në një kasaphanë!”, ka shkrua Klinaku në Facebook.

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen, ndër tjerash, për vrasjet e anëtarëve të LDK-së.

    “Paramendojeni faktin se për kohën që flet akuza shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës kanë qenë në LDK! Pastaj, jo pak anëtarë të LDK-së kanë qenë njëkohësisht edhe pjesëtarë të UÇK-së! Si mund të anashkalohen këto fakte?!”, shkroi Klinaku.

    “LDK-ja, edhe për hir të anëtarësisë së vet, nuk guxon ta lejojë stigmatizimin e LDK-së deri në atë masë sa dikush atë ta barazojë me kolaboracionistët”, shtoi ai.

  • Zëdhënësi i Parlamentit Evropian: Gjithçka gati për liberalizimin e vizave të Kosovës

    Zëdhënësi i Parlamentit Evropian: Gjithçka gati për liberalizimin e vizave të Kosovës

    Zëdhënësi i Parlamentit Evropian, Ojamo Janne thotë se nesër në seancën plenare të PE-së do të jetë miratimi përfundimtar për liberalizimin e vizave të Kosovës.

    Ojamo Janne shtoi se ceremonia e nënshkrimit do të vijojë të mërkurën pasdite në orën 14:45.

    “Miratimi përfundimtar i Kuvendit do të shpallet nesër, e martë 18/4, në seancën plenare (duke filluar rreth orës 12:00 CEST). Votimi nuk është i nevojshëm në këtë fazë dhe ceremonia e nënshkrimit do të vijojë të mërkurën pasdite në orën 14.45”, tha ai.

    Janne shtoi se do të ketë edhe deklaratë për shtyp për më shumë detaje rreth kësaj procedure.

    “Ne do të dërgojmë gjithashtu një deklaratë për shtyp nesër, me informacionin e një konference për shtyp të mërkurën pasdite që mund ta ndiqni edhe nga distanca”, shtoi tha ai për GazetaBlic.

    Kujtojmë se, që nga viti 2018, Komisioni Europian pati deklaruar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, megjithatë procesi nuk u çua më tej në hallkat tjera të BE-së. Për këtë arsye, ndër vitesh ka pasë zhgënjim te qytetarët, por me hapat aktualë të ndërmarrë nga institucionet e BE-së tashmë dhënia e fund e kësaj sage është reale.

  • Eksperti i kriminalistikës: Urimi ka një sëmundje të rëndë, e shikoi nënën si fajtore që nuk e lë të jetojë

    Eksperti i kriminalistikës: Urimi ka një sëmundje të rëndë, e shikoi nënën si fajtore që nuk e lë të jetojë

    Në një lidhje direkte, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka folur për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Pejë pak ditë më parë, ku i dyshuari Urim Hyseni, vrau në mënyrë makabre nënën e tij, duke i pirë edhe gjakun.

    Sipas Karamuço, i dyshuari Hyseni ka një sëmundje mendore të rëndë dhe sipas tij, vrasësi nuk është përballur me një çrregullim të momentit.

    Karamuço gjithashtu shtoi se kur vjen një pikë, këta persona e shikojnë nënën në mënyrë komplekse dhe e shikon nënë si fajtore dhe që nuk e lë të jetojë.

    ”Këta nisin e shikojnë nënën në mënyrë komplekse dhe e shikon nënë si fajtore dhe që nuk e lë të jetojë, e shikon që jam i varur nga ty dhe dua të çlirohem, ai mund ta shprehë në mënyra të ndryshme. Në këto kushte ku futet në lojë patologjia, kalon në krizë. Unë nisem nga këto që ka thënë pasi ka kryer ngjarjen, ai mund të bënte edhe vetëvrasje dhe për këtë shtohen masat, por ai është jashtë realitetit, nuk është thjesht një çrregullim i momentit, por shumë më tepër se kaq, kemi të bëjmë me një sëmundje mendore të rëndë”, tha ai.