ATV

Category: Lajme

  • Hill: Tensionimi i raporteve Kosovë-Serbi është në dëm të të gjithë rajonit

    Hill: Tensionimi i raporteve Kosovë-Serbi është në dëm të të gjithë rajonit

    Ndonëse procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është tejet i vështirë, e vetmja zgjidhje mbetet që të dy palët t’i vazhdojnë bisedimet. Kështu deklaroi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, gjatë konferencës “Sfidat rajonale të sigurisë”, e cila është organizuar nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të Qendrës për Arsimim Politik.

    Duke përshëndetur përpjekjen e ndërmjetësuesve në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Hill theksoi se tensionimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në dëm të të gjithë rajonit.

    “Mendoj se tensionet dhe konflikti kanë ndikim në të gjitha vendet e rajonit dhe ajo që do të doja të shihja është një lloj përmirësimi ose të paktën ulje të tensioneve”, theksoi ai, raporton REL.

    Ndërkaq, në pyetjet e të rinjve rreth krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ambasadori Hill tha se për këtë duhet investuar në ngritjen e besueshmërisë mes dy komuniteteve.

    “Dy çështje janë me rëndësi kruciale: besimi te komuniteti ndërkombëtar dhe qartësia ndaj qytetarëve për sa i përket asaj se si do të jetë jeta e tyre në të ardhmen”, u shpreh Hill.

    Ambasadori i SHBA-së para të rinjve u fokusua dhe në rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, si në aspektin e zhvillimit ekonomik ashtu dhe në atë të sigurisë.

    Ai nënvizoi se asnjë shtet nuk mund t’i zgjedhë fqinjët, por e gjithë mençuria qëndron në faktin që udhëheqësit politikë të gjejnë mënyra për t’i tejkaluar mosmarrëveshjet, dhe i gjithë fokusi të vendoset në interesat e përbashkëta, duke potencuar në këtë rast nismën Ballkani i Hapur.

    Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, theksoi rëndësinë që Maqedonia e Veriut t’u bëjë ballë sulmeve kibernetike.

    Duke iu referua rritjes së ndikimit rus në Ballkan, ambasadori Hill shprehu bindjen se udhëheqja aktuale ruse e ka çuar, siç tha ai, “civilizimin në pyll” .

  • Gërvalla shpreh ngushëllime për tragjedinë në Beograd

    Gërvalla shpreh ngushëllime për tragjedinë në Beograd

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz, ka shprehur ngushëllime për tragjedinë që ndodhi dje në një shkollë të Beogradit.

    Si pasojë një 14 vjeçar, i ka vrarë nëntë persona, tetë prej të cilëve ishin nxënës edhe roja e kësaj shkolle.

    Në këtë ngjarje të rëndë ishin edhe gjashtë nxënëse dhe një mësuese.

    Në reagimin e ministres thuhet se shpreson që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

    “U dërgojmë ngushëllimet tona më të thella familjeve të 9 të vrarëve, mes tyre 8 fëmijë, viktima të të shtënave masive në një shkollë në Beograd. I urojmë shërim të shpejtë të lënduarve dhe shpresojmë që tragjedi të tilla të mos përsëriten më kurrë”, thuhet në reagim.

  • Ngritet aktakuzë ndaj një personi, i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile

    Ngritet aktakuzë ndaj një personi, i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile

    Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, aktakuzë në mungesë kundër të pandehurit me inicialet Ç.A., për krime lufte kundër popullsisë civile.

    Ç.A gjatë periudhës janar-maj 1999 ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’

    “Prokuroria Speciale njofton se i akuzuar Ç.A. në periudhën kohore janar – maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal (tani për tani të pa identifikuar), të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ‘’RSFJ’’) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i ndëshkueshëm sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, dhe nenin 4 të Protokolit 2 të datës 08.06.1977, aktualisht e ndëshkueshme me neni 146 dhe 147 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( tutje ‘’KPRK’’).”, ka informuar Prokuroria.

    Prokuroria Speciale ka propozuar që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin.

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë me vranësira të lehta, ku pas ditës pritet të ketë reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbaje Gjakova me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 16 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike, ku do të ketë vranësira dhe intervale të lehta me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 20 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • Prej sot e deri më 10 maj, Trafiku Urban ndryshon rrjedhën e qarkullimit

    Prej sot e deri më 10 maj, Trafiku Urban ndryshon rrjedhën e qarkullimit

    Ndërmarrja e kryeqytetit ‘Trafiku Urban’ ka bërë të ditur se me rastin e mbylljes së sheshit ‘Xhorxh Bush’ për qarkullim të makinave për shkak të organizmit të panairit turistik “Max Fest 2023”, do ndryshojë edhe rrjedha e qarkullimit nga data 4 deri më 10 maj.

    “Duke u bazuar në njoftimin e Komunës së Prishtinës se nga data 04 Maj deri më 10 Maj 2023, për shkak të mbajtjes së panairit promocion turistik Max Fest 2023 do të ndalohet qarkullimi i transportit publik dhe automjeteve Taxi në sheshin “Xhorxh Bush”.

    Rrjedha e qarkullimit të autobusëve në linjat 1, 1A, 3, 4, dhe 7C do të ndryshojnë nga sheshi “Xhorxh Bush” në drejtim të Bulevardit “Bill Kllinton” dhe rrugës “Robert Doll” sipas sqarimeve të poshtë shënuara-“, thuhet në njoftim.

  • ​Theret një i mitur në Gjilan, arrestohet i dyshuari

    ​Theret një i mitur në Gjilan, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar të mërkurën në Gjilan, pasi i njëjti dyshohet se ka therur me thikë një të mitur.

    Ngjarja ka ndodhur në kampusin e shkollave të mesme në këtë qytet.

    “Rr. Zija Shemsiu –Kampusi i shkollave të mesme, Gjilan 03.05.2023-12:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i moshës së mitur pasi që, i njëjti pas një mosmarrëveshje ka goditur me një mjet të mprehtë-thikë viktimën mashkull kosovar të moshës së mitur”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    Bëhet e ditur se viktima ndihmën e parë e ka pranuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe më pas është dërguar në QKUK, në Prishtinë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • ​Gjendet pa shenja jete një person në Pejë

    ​Gjendet pa shenja jete një person në Pejë

    Një person është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e së mërkurës në Pejë.

    Në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se në vendin e ngjarjes ka dal ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar edhe vdekjen e viktimës.

    “Pas marrjes së një informate se një person gjendet i shtrirë në rrugë, njësit policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë vërejtur se pranë një veture me tabela vendore gjendet personi i shtrirë. Në vendin e ngjarjes ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar”, thuet në raport.

    Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti duke u hetuar.

  • Një emër e kishte shlyer nga lista e likuidimit, shtohet misteri rreth 14 vjeçarit që vrau 9 persona në një shkollë në Serbi

    Një emër e kishte shlyer nga lista e likuidimit, shtohet misteri rreth 14 vjeçarit që vrau 9 persona në një shkollë në Serbi

    Masakra që 14 vjeçari Kosta Keçmanoviq bëri dje në një shkollë fillore në Beograd, tronditi Serbinë e rajonin.

    Keçmanoviq, nxënës i klasës së shtatë fillore, kishte planifikuar qysh më parë masakrën. Ai vrau rojën e shkollës, Dragan Vlahoviq, si dhe tetë bashkëmoshatarë të tij.

    Telefoni i tij zbulon shumë sekrete dhe supozohet se Keçmanoviq po kërkonte një mënyrë për të bërë një koktej molotovi.

    Forenzika telefonike do të përcaktojë edhe detajet e bisedave dhe kujt i ka shkruar në mëngjesin fatal.

    Siç tha shefi i policisë së Beogradit, Veselin Miliq, Keçmanoviq e kishte planifikuar krimin për një muaj.

    14 vjeçari kishte përpiluar edhe një listë të fëmijëve që ai kishte planifikuar t’i likuidonte. Ai përpunoi një plan për hyrjen dhe daljen nga shkolla dhe vendosi objektiva prioritare.

    Ajo që u ra në sy të gjithëve ishte se një person në këtë listë ishte fshirë, dhe siç dyshohet, arsyeja është afrimi me ndonjë nga nxënësit që ishin në të.

    Kujtojmë se 14 vjeçari është arrestuar menjëherë. Po ashtu gjatë ditës u arrestuan edhe dy prindërit e tij.

  • ​Sulmi tragjik në Serbi, Kurti shpreh ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre

    ​Sulmi tragjik në Serbi, Kurti shpreh ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre, pas sulmit të armatosur në Beograd të Serbisë.

    Kurti po ashtu ka uruar shërim sa më të shpejtë për të lënduarit.

    “Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë në Beograd dhe për familjet e tyre. Gjithashtu u uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike”, ka shkruar ai në Twitter.

    Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë të mërkurën nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd. Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.

    Në oborrin e shkollës është arrestuar nxënësi i kësaj shkolle, K. K. 14-vjeçar, i cili ka plagosur edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese.

    Shefi i Policisë së Beogradit, Veselin Miliq ka deklaruar se janë duke u bërë hetime për ndriçimin e rastit.

    Sipas njohurive, siç ka treguar Miliq, 14-vjeçari veprën penale e kishte planifikuar që një kohë të gjatë.

  • ​43 vjet nga vdekja e diktatorit Josip Broz Tito

    ​43 vjet nga vdekja e diktatorit Josip Broz Tito

    Josip Broz Tito njihet për prishjen e marrëveshjes së Bujanit, ku ishte paraparë bashkimi i tokave shqiptare të mbetura në ish-Jugosllavi pas çlirimit nga pushtimi nazist dhe për shumë vepra gjenocidiale pas Luftës së Dytë Botërore.

    Dhjetëra mijëra shqiptarë u ekzekutuan, duke u zëvendësuar me një diktaturë të rëndë për shqiptarët. U ekzekutuan dhe u burgosën udhëheqësit e Lidhjes së dytë të Prizrenit.

    U vranë, u burgosën dhe u masakruan me mijëra shqiptarë gjatë periudhës së diktatorit Tito dhe politikës gjenocidiale serbe për t’i fituar të drejtat tona.

    U riaktivizua marrëveshja jugosllavo-turke e pasluftës së dytë botërore, ku më shumë së gjysma e shqiptarëve në ish-Jugosllavi u detyruan me dhunë të shpërngulen në Turqi, periudhë e cila zgjati nga viti 1938 e vazhdoi në vitin 1953, deri në fund të viteve 70-a.

    Paraprakisht ishte një marrëveshje në mes ish-Jugosllavisë dhe Turqisë e njohur si “Konventa jugosllavo-turke e vitit 1938”, e cila parashihte dëbimin e shqiptarëve për në Anadoll.

    U ndalua përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar nga paslufta e dytë botërore deri më 1968, ku me protesta masive, Tito u detyrua të lejojë përdorimin.

    U copëtuan tokat shqiptare në ish-Jugosllavi, ku gjysma e Maqedonisë u krijua nga tokat shqiptare të mbetura jashtë Shqipërisë së sotme londineze, më 1914-të.

    Presheva, Medvegja, Bujanovci, Pazari i ri (Novi Pazari) dhe shumë qytete tjera mbetën ndër Serbi.

    Qytete të shumta mbetën ndër Mal të Zi. U krijua Kosova e tanishme sipas planeve dhe dëshirave të politikes jugosllave.

    Pas Luftës së Dytë Botërore, Tito qeverisi vendin për 35 vjet deri në vdekjen e tij.

    Vdiq më 4 maj 1980 në Lubjanë.

    Pas vdekjes së diktatorit Tito, shqiptarët në ish-Jugosllavi vazhduan përpjekjet për krijimin e Republikës së Kosovës dhe të drejtave e shqiptarëve në tokat e tyre të mbetur nën republikat e tjera.