Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka lansuar Programin e BE-së për Çështje të Brendshme në Kosovë, i cili synon forcimin e kapaciteteve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar, avancimin e reformave dhe konsolidimin e sundimit të ligjit, duke pasur parasysh perspektivën evropiane.
Programi ka për qëllim edhe rritjen e kapaciteteve hetimore dhe operacionale të Kosovës, duke ndihmuar Ministrinë e Punëve të Brendshme Policinë dhe Akademinë e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, përmirësimin e sigurisë kibernetike dhe shkencës ligjore, si dhe menaxhimit të kufijve dhe migrimit.
Programi parashihet të zgjasë 40 muaj, nga 2023 deri në 2025, teksa financimi total i BE-së kap vlerën prej 6.5 milionë eurosh. /atvlive.tv
Pas raportimit se ministri i brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë, ka reaguar ambasada e ShBA-së në Beograd.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se askush nuk mundet ta legjitimojë agresionin rus në Ukrainë.
“Askush nuk duhet t’i japë legjitimitet veprimit rus, duke bashkëpunuar me Kremlinin, sikur gjithçka është në rregull”, ka thënë Hill.
“Agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës, është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm. Vladimir Putin filloi këtë luftë brutale. Ai mund, dhe duhet t’i japë fund menjëherë, dhe të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin që po shkakton lufta e tij”, ka thënë mes tjerash Hill. /atvlive.tv
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili është edhe kryesues aktual i OSBE-së, po qëndron në Kosovë.
Atë e ka pritur në takim Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Në konferencën e përbashkët për media, Osmani ka thënë se është me rëndësi të ulen tensionet në veri të Kosovës dhe t’i jepet hapësirë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Siç e kam theksuar edhe në Beograd, është kruciale për ne që ta kalojmë faqen dhe ta shohim të ardhmen së bashku. Sa më shumë që e maksimizojmë dialogun aq më shumë e minimizojmë konfliktin dhe mosmarrëveshjet”, tha Osmani.
Tutje, ai ka thënë se është i lumtur që Maqedonia e Veriut është bërë nikoqire e dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 18 mars.
“E thash dje në Beograd: Është e rëndësishme që të ulen tensionet në veri të Kosovës që t’i jepet hapësirë dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.
Osmani, që është duke e zhvilluar vizitën në Kosovë në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së do të takohet edhe me presidenten dhe kryeministrin. /atvlive.tv
Policia informoi sot se një foshnje u dërgua dje pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë.
“Në lidhje me rastin është informuar prokurori kujdestar i cili ka urdhëruar që të hapet rast dhe trupi i pa jetë të dërgohet ne IML për obduksion.”, informoi Policia.
Në emisionin e sotëm të mëngjesit ALARM në ATV, studentja Erblina Sejdiu, e lindur në Prekaz të Skenderatj, ka rrëfyer përvojën e saj nga ndjekja e studimeve pasuniversitare në SHBA.
Pas përfundimit të studimeve në Kosovë, asaj iu dha bursa prestigjioze “Fulbright” dhe vendosi të vazhdojë studimet pasuniversitare në Universitetin “Georgetown” në Washington.
Erblina ka përmendur se pas përfundimit të studimeve në Kosovë është interesuar që të sigurojë një bursë për të vazhduar shkollimin në SHBA.
Duke pasur parasysh se kostoja e studimeve atje është mjaft e lartë, duke e bërë atë të papërballueshme për një familje mesatare kosovare, ajo nisi të interesohej për bursë, e që doli të ishte një rrugëtim i gjatë për të realizuar ëndrrën e saj.
“Kanë qenë disa vite përpjekje për me arritë deri këtu. Menjëherë pas përfundimit të studimeve, kam fillu menjëherë me hulumtu se cilat janë bursat e mundshme për arsye se zakonisht studimet në Amerikë janë shumë të shtrenjta dhe janë të pamundshme për një familje me të ardhura mesatare të Kosovës. E kam ditur që mundësia e vetme janë bursat. Kam hulumtu për bursa për disa vite, kam pas përpjekje të cilat kanë qenë të pasuksesshme, deri sa kam arritë me marrë “Fulbright”, e cila është një bursë që mbulon të gjitha shpenzimet. E kam kuptu një vit përpara që e kam fitu këtë bursë, mandej kanë qenë edhe negociatat rreth universitetit në të cilin vendosa për me i vazhdu studimet, pas kësaj kam aplikuar në universitete, diku në 7 universitete dhe jam pranu në të gjitha. Pas asaj e kam zgjedh “Georgetown University”, duke pasur parasysh lokacionin në Washington”, tregon ajo.
Erblina tashmë ka përfunduar studimet master dhe tani mezi pret rikthimin e saj në Kosovë. /atvlive.tv
Një person është arrestuar të enjten në Prishtinë, pasi i njëjti vidhte gjësende ushqimore.
Në raportin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se raportuesja e kishte vërjetur të dyshuarin tek vidhte në kamerat e sigurisë.
“Rr.Ali Vitia, Prishtinë 24-25.05.2023 Raportohet se ankuesja femër kosovare në bazë të kamerave të sigurisë ka vërejtur një të dyshuar mashkull kosovar duke vjedhur gjësende ushqimore.Njësiti i hetimeve ka intervistuar të dyshuarin në prani të avokatit mbrojtës”, thuhet në raportin 24-orësh.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka pritur ne takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili po qëndron në Kosovë në cilësinë e shefit të OSBE-së.
Takimi mes Gërvallës dhe Osmanit dhe delegacionit të tij po mbahet i mbyllur për medie.
Pas takimit të dy homologët në orën 10:00 do të kenë konferencë për medie.
Ndërsa gjatë ditës së sotme shefi i OSBE-së, Bujar Osmani do të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të zgjasë dekada, me periudha luftimesh të shoqëruara nga armëpushimet, njoftoi të enjten agjencia ruse e lajmeve RIA.
Medvedev, i cili aktualisht është nënkryetar i këshillit të fuqishëm të sigurisë kombëtare të Rusisë, e bëri vlerësimin gjatë një vizite në Vietnam. Ish-presidenti, një aleat i presidentit aktual Vladimir Putin, është mësuar me qëndrime të ashpra ndaj luftës. Muajin e kaluar, ai e quajti qeverinë ukrainase një infeksion.
“Ky konflikt do të zgjasë një kohë shumë të gjatë, ndoshta dekada”, tha Medvedev, sipas RIA.
“Përderisa të ketë një qeveri të tillë atje, ne do të kemi tre vjet armëpushim, dy vjet luftë dhe përsëri”, parashikoi ai, duke përsëritur pretendimin e Moskës se Kievi sundohet nga nazistët.
Rreth 200 autobusë me serbë të Kosovës janë nisur dje dhe sot në mëngjes nga Mitrovica e Veriut, Graçanica, Leposaviqi, Zubin Potoku, Shtërpc për në Beograd me ftesë (dhe me detyrim) të liderit serb, Aleksandar Vuçiq të marrin pjesë në kundër-protestën e organizuar nga ai ndaj protestave të dhjetëra mijëra qytetarëve që po protestojnë ditë me radhë kundër despotizimit të tij në Serbi.
Shumë serbë janë nisur me vetura, gjë që tregon se mbi 10 mijë serbë të Kosovës kanë shkuar në Beograd “për të mbështetur” presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Paparaci.
Dje rreth orës 19:00 serbët e parë janë nisur nga Anamorava, ndërsa deri në mëngjes rreth 60 autobusë nga Ranillugu, Kamenica, Ropotova, dhe vende të tjera kishin kaluar vendkalimin kufitar, raporton media serbe “Kosovonline”.
Serbët nga Shtërpce janë nisur rreth mesnatës me rreth njëzet autobusë dhe vetura, dhe pas mesnate janë nisur edhe kolona me dhjetëra autobusë nga Mitrovica e Veriut dhe Graçanica.
Para mëngjesit janë nisur edhe autobusët nga Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.