ATV

Category: Lajme

  • Zhvillimet në veri, Grubi: Zgjidhja e vetme është njohja mes Kosovës dhe Serbisë

    Zhvillimet në veri, Grubi: Zgjidhja e vetme është njohja mes Kosovës dhe Serbisë

    Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka reaguar rreth situatës së fundit të krijuar në veri të vendit.

    Ai ka thënë se zgjidhja e vetme është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

    “ Situata në Veri të Kosovës ka ngjallur këto ditë shqetësim të madh ndër ne dhe te mbarë faktori ndërkombëtar”.

    “Dënoj ashpër protestat e dhunshme dhe sulmin ndaj forcave të KFOR-it duke apeluar për rikthim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në frymën e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit”.

    “Ftoj autoritetet e Kosovës të vazhdojnë koordinimin me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatët tanë të përhershëm, duke pasur gjithmonë në mendje se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe zgjidhja e vetme është njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Vllasi: Vuçiqi po i mban peng serbët e veriut

    Vllasi: Vuçiqi po i mban peng serbët e veriut

    Analisti politik Azem Vllasi, ka komentuar situatën në veri të Kosovës.

    Vllasi ka folur edhe për pasojat që ka marrë Kosova rreth anulimimit të pjesëmarrjes në stërvitjet “Defender Europe 2023”.

    “Amerikanët kanë investuar shumë në çlirimin e Kosovës dhe në shtetbërjen e Kosovës. Gjithsesi janë të interesuar që të ruhet paqja, mos të ketë trazira dhe skena çfarë kemi parë këto ditë në Zveçan, Leposaviq dhe në Zubin Potok”, ka thënë Vllasi.

    Sipas tij, duhet konsideruar vërejtjet dhe sugjerimet që vijnë nga ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier. Tutje, Vllasi tha se provokimet në veri është duke i shkaktuar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

    Sipas Vllasit, Vuçiqi tani ka problem në Serbi dhe kjo që ndodhi faktikisht në Kosovë, sipas tij ishte një shërbim për të tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme drejt Kosovës.

    “Ndoshta edhe këtu e kanë shqetësimin amerikanët, prandaj mos të preokupohemi me to se çka ka thënë edhe si ka reaguar ambasadori amerikan, por t’i trajtojmë çështjet ashtu siç janë”, tha ai.

    Vllasi ka shtuar se Vuçiq po i mban serbët e veriut peng.

    “Ata asnjë veprim nuk e bëjnë pa direktivën e Vuçiqit. Duhet të dihet se as Policia e Kosovës dhe as KFOR-i nuk i kanë sulmuar qytetarët serbë, por kanë qenë të sulmuar prej bandave të cilat janë të dirigjuara, e që janë në lidhje me Vuçiqin. Ditët në vijim do të sqarohet çdo gjë. Nuk duhet për asgjë të reagohet me nervozizëm. Çdo gjë do të vijë në vend të vet”, ka pohuar Vllasi.

  • Blinken: Të ulen tensionet në veri, palët t’i kthehen dialogut

    Blinken: Të ulen tensionet në veri, palët t’i kthehen dialogut

    Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken iu ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin veprime të menjëhershme për t’i ulur tensionet në veri të vendit.

    Duke dënuar dhunën kundër KFOR-it dhe veprimet përshkallëzuese në veri të Kosovës, Blinken ka apeluar të dyja palët që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

    “U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme dje kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve… Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Blinken.

    Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë mundësi që kryetarët e komunave veriore të kryejnë punën nga lokacione alternative dhe të tërheqin policinë. Ndërkohë që ka apeluar edhe Serbinë, gjegjësisht Vuçiqin që të ulë statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’iu bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të përmbahen nga dhuna.

    “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia. Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, ka thënë ai.

    Serbët në veri janë duke protestuar që nga e premtja.

    Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

  • Borrell mirëpret shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovë: Qetësia duhet të rivendoset tani

    Borrell mirëpret shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovë: Qetësia duhet të rivendoset tani

    Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se aleanca veri-atlantike do ta rrisë për 700 numrin e trupave në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR.

    Stoltenberg në një konferencë për media me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, i ka dënuar sulmet që kanë ndodhur ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, të hënën në veri të Kosovës dhe ka thënë se ato janë të “papranueshme”.

    “Ne kemi vendosur t’i angazhojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, dhe që të ngrejmë në nivel të lartë gatishmërinë e një batalioni shtesë të forcave rezervë, ashtu që ata të mund të angazhohen, nëse do të ketë nevojë”, tha ai të martën.

    Një gjë të tillë e ka mirëpritur kryediplomati evropian, Josep Borrell, me anë të një postimi në Twitter.

    Ai deklaroi se do të vazhdojnë bashkëpunimin me KFOR-in si dhe me misionin e EULEX-it në Kosovë, pas tensioneve në komunat veriore.

    “Ne do të vazhdojmë bashkërendimin dhe bashkëpunimin tonë të ngushtë me KFOR-in,
    duke përfshirë përmes misionit tonë në Kosovë, EULEX”, ka shkruar diplomati spanjoll.

    Për më tepër, ai pati edhe një kërkesë urgjente për shtensionim të situatës, pasi mbi 20 ushtarë të KFOR-it u lënduan nga protestuesit serbë në veri, që po protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë atje.

    “Qetësia duhet të rivendoset tani”, tha Borrell.

  • Serwer: Për situatën në veri, ShBA po mbështet 100% Serbinë

    Serwer: Për situatën në veri, ShBA po mbështet 100% Serbinë

    Profesori amerikan, Daniel Serwer, i cili është njohës i zhvillimeve politike në Ballkan. në RTK deklaroi se e kupton dëshirën e kryeministrit Albin Kurti për të ushtruar autorizimet ligjore në tërë Kosovën.

    “Kjo në fakt është dakorduar edhe nga Serbia me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”, tha Serwer duke shtuar se është e qartë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është duke bashkëpunuar dhe përkundrazi, ka krijuar një situatë ku Kosova është braktisur nga aleati më i fuqishëm i saj, SHBA-ja.

    “Nuk pajtohem me amerikanët për atë se çfarë po bëjnë, por duhet të jemi realist se Kosova ka nevojë për pranimin nga BE-ja dhe SHBA-ja për të gjitha veprimet që do të ndërmarrë në vijim”, tha profesori Serwer.

    Ai u shpreh në këtë intervistë se më pas, Kosova ka nevojë për pranim nga popullata serbe në veri. Serwer nuk pret që kryetarët e rinj të komunave të jenë në gjendje të ushtrojnë autoritete pa këtë pranim.

    Sipas tij nuk është me rëndësi se në cilat objekte do të qeverisin apo do të punojnë. “Por besoj se është me rëndësi që të qeverisin në mënyrë efektive”, tha Serwer.

    Më tej ai theksoi është i bindur se do të ketë shumë presion mbi ta që të realizojnë punë për komunitetin serb. “Do të ketë presione dhe tek Kurti për t’ju ofruar resurset e nevojshme, por gjëja kryesore është që tashmë të dilet nga ky lëmsh”, tha Serwer në këtë intervistë.

    Profesori amerikan tha se Beogradi e ka kaluar Kosovën me anë të banditëve dhe ata nuk janë kritikuar nga amerikanët për sulmet e tyre ndaj trupave të KFOR-it. “Dhe kjo nuk është fare gjë e mirë”, tha Serwer.

    I pyetur se si e shpjegon situatën kur mbajtja e zgjedhjeve nuk është kritikuar, por madje janë cilësuar si të ligjshme dhe të mbajtura në mënyrë të rregullt, ndërkohë që tani SHBA paralajmëron masa ndaj Kosovës, profesori Serwer tha se amerikanët po e mbështesin Beogradin 100%.

    “Besoj që amerikanët po e mbështesin Beogradin 100% në këtë situatë. Nuk i kanë kritikuar sulmet e banditëve, nuk e kanë kritikuar Serbinë. Amerika ka dalë në anën e këtij ekuacioni 100 për qind”, tha profesori Serwer.

    Sipas tij, duhet të ketë një lloj de-eskalimi. “Nuk jam në terren, nuk arrij të flas me njerëzit që të di më saktësi se cili do të ishte veprimi, por supozoj që nëse amerikanët kërkojnë që kryetarët të qëndrojë në objekt tjetër, nuk besoj se ky është problemi më i madh në botë”, tha ai. “E shoh si problem kërkesën e tërheqjes së Policisë së Kosovës”.

    Profesori Serwer tha se përshtypja e tij është se ka pasur dhunë minimale nga policia, derisa dhunë maksimale ka pasur nga serbët, e sidomos dje (e hënë).

  • Senatorët amerikanë: Të zhgënjyer nga vendimi i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës për të hyrë me dhunë në komunat veriore

    Senatorët amerikanë: Të zhgënjyer nga vendimi i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës për të hyrë me dhunë në komunat veriore

    Dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, thanë se ishin të zhgënjyer me vendimin që ata e quajnë të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës “për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës duke përdorur forcë të panevojshme”.

    Mes tjerash, ata i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin masa urgjente për deeskalimin e situatës në veri të komunave veriore. Përgjatë ditëve të fundit ka pasur tensione në këtë pjesë të Kosovës.

    Mbi 20 ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar pasi protestuesit serbë – që kundërshtojnë kryetarët shqiptarë në veri – i sulmuan ata si dhe gazetarët bashkë me Policinë e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar këto veprime dhe kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës.

    Serbët që po kundërshtojnë kryetarët e komunave veriore janë cilësuar si banda kriminale nga Qeveria e Kosovës, për të cilët u tha se janë dirigjuar nga Beogradi zyrtar.

    Nga ana tjetër, dy senatorët amerikanë deklaruan se përshkallëzimi i dhunës çoi në lëndime serioze dhe të papranueshme të paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë.

    “Jemi shumë të shqetësuar për përkeqësimin e ndjeshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Jemi të zhgënjyer nga vendimi i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës duke përdorur forcë të panevojshme. Përshkallëzimi i dhunës çoi në lëndime serioze dhe të papranueshme të paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë. Ne dënojmë dhunën dhe u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa të menjëhershme për të de-përshkallëzuar situatën”.

    “Kosova dhe Serbia janë në prag të përmirësimit të marrëdhënieve të tyre diplomatike dhe ekonomike me njëra-tjetrën dhe me Evropën, por anëtarët e Kongresit dhe komuniteti ndërkombëtar janë gjithnjë e më të shqetësuar për kthimin alarmues që po ndodh. Udhëheqësit e të dy vendeve duhet të veprojnë në interesin më të mirë afatgjatë të kombeve të tyre në vend që të lejojnë mosmarrëveshjet e vazhdueshme të prishin paqen dhe stabilitetin dhe, rrjedhimisht, aspiratat e tyre për anëtarësim në BE”, thuhet në reagimin e tyre.

    Senatorët nga radhët e demokratëve dhe republikanëve lëshuan një deklaratë të përbashkët në mars për marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Paparaci.

    Në muajin prill, Shaheen vizitoi Kosovën dhe Serbinë në kuadër të vizitës së delegacionit të Kongresit Amerikan në Ballkan, e cila përfshinte edhe një vizitë në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Me iniciativën e senatorit Shaheen Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë mbajti një seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në fillim të këtij muaji, i cili pasoi përpjekjet e saj për të avancuar legjislacionin që do të nxiste bashkëpunimin midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor.

  • Lista Serbe thirrje qytetarëve “mos të rrezikojnë sigurinë” e KFOR-it

    Lista Serbe thirrje qytetarëve “mos të rrezikojnë sigurinë” e KFOR-it

    Lista Serbe sonte u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të mos rrezikojnë sigurinë e ushtarëve të KFOR-it, “sepse kushdo që e bën këtë është duke punuar kundër interesave të popullit serb”.

    Reagimi i tyre vjen pasi sonte u raportua se ka pasur një shpërthim në Zveçan, në drejtim të personelit të KFOR-it.

    “Pasi mësuan se në media doli informacioni se sonte është hedhur një mjet shpërthyes ndaj ushtarëve të KFOR-it në afërsi të ndërtesës së komunës së Zveçanit, përfaqësuesit e Listës Serbe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në një bisedë me përfaqësuesit e KFOR-it në terren mësuan se me shumë gjasa ka qenë fishekzjarre”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

    Gjatë ditëve të fundit ka pasur tensione të shumta në komunat veriore të Kosovës. Nga kjo, mbi 20 ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar pas sulmeve nga protestuesit serbë, të cilët nuk po kundërshtojnë kryetarët veriorë shqiptarë.

  • Rusia i del në mbrojtje Serbisë për situatën në Kosovë

    Rusia i del në mbrojtje Serbisë për situatën në Kosovë

    Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, situatën e fundit në veri të Kosovës e quan “përshkallëzim të dhunës anti-serbe”.

    Në një deklaratë të saj, ajo shprehet se trupat e NATO-s në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq jo vetëm që demonstruan mungesën e tyre të profesionalizmit, por u bënë edhe burim dhune të panevojshme dhe faktor për rritjen e tensioneve.

    Zakharova tutje vlerëson se ende nuk është vonë për të ndryshuar historinë e zgjedhjeve komunale, që ajo i quajti të rreme, të mbajtura më 23 prill, nëse sipas saj, perëndimorët interesohen vërtet për paqen dhe stabilitetin.

    “Themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në formën e saj origjinale, siç parashihej në marrëveshjet me shkrim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën garancitë e Brukselit dhjetë vjet më parë, është ende detyra numër një. Ky është një kusht kyç për një dialog, i cili është mundësia e vetme për të garantuar stabilitet dhe siguri në rajon”, shprehet zëdhënësja Zakharova.

  • Arifi dënon ashpër dhunën në veri, bën një thirrje për Qeverinë Kurti

    Arifi dënon ashpër dhunën në veri, bën një thirrje për Qeverinë Kurti

    Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar pas dhunës së ushtruar nga huliganët serbë ndaj gazetarëve si dhe ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it në veri të Kosovës.

    “Dënojmë ashpër dhunën nga banda të komunitetit serb të organizuara nga Beogradi në Veriun e Kosovës, ndaj gazetarëve, personave dhe institucioneve publike, si dhe pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të KFOR-it”.

    Arifi ndër të tjera i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ruaj marrëdhëniet me shtetet ndërkombëtare, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Ftojmë Qeverinë e Kosovës që me përkushtimin më të thellë të ruajë marrëdhëniet e ndërtuara me dekada me miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Arifi në Facebook.

  • Kryeziu: Asnjë individ nuk ka legjitimitet më shumë se sa kryetarët e zgjedhur që të jenë në ato ndërtesa

    Kryeziu: Asnjë individ nuk ka legjitimitet më shumë se sa kryetarët e zgjedhur që të jenë në ato ndërtesa

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një intervistë në emisionin A23 në ATV, tha në komunat veriore, nuk ka asnjë individ që ka më shumë legjitimitet për të qenë në ato ndërtesa sesa këta katër kryetarë.

    “Dje, por edhe të hënë edhe të premten, duhet të themi që ne edhe në të kaluarën po edhe tash së fundmi sidomos kryeministri Kurti me adresimin e tij të sotshëm, tha se ne e njohim faktin që kryetarët e sapozgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit kanë një legjitimitet të zbehur, për shkak të bojkotit të imponuar të serbëve në zgjedhjet e mbajtura, por edhe pse me legjitim legjitimitet të zgjedhur, realisht nuk ka asnjë individ që ka më shumë legjitimitet për të qenë në ato ndërtesa sesa këta katër kryetarë”, tha Kryeziu.

    Ai tha se, në qoftë se dikush vë diçka në flakë ata janë persona me maska, me të kaluar kriminale që nuk bëjnë asnjë lloj përzgjedhjeje se kush është para tyre, për aq kohë sa nuk janë serbë ose serbëfolës.

    “Dëshmitarët më të mirë të kësaj, përveç ushtarëve të KFOR’it e veçanërisht ata të lënduarët, për të cilët pa dyshim që shprehim urimin për shërim e rikuperim sa më të shpejtë, janë edhe vetë gazetarët të cilët nga biseda që kanë pasë me ta, asnjëherë nuk kanë qenë më shumë target në veri kur ka situata të tensionuara sikurse kësaj radhe. Janë diku rreth pesëmbëdhjetë raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Praktikisht çdo medium atje ka qenë i sulmuar, automjete të tyre kanë qenë të vandalizuara e të dëmtuara madje në një rast edhe të djegura edhe gazetarët vazhdimisht kanë qenë të penguar atje gjatë punës së tyre. Këto janë dëshmitë më të forta që tregojnë se ajo protestë e djeshme, sidomos e djeshme, nuk e ka fort raportin me komunën po e ka raportin me njëfarë lloj pushteti territorial aty, për të cilën nuk zgjedhin asnjëfarë lloj metode apo mënyre”, tha Kryeziu.

    Arsyeja pse cak i sulmeve ka qenë Zveçani, edhe pse kryetari i komunës nuk gjendej në ndërtesë, sipas Kryeziut është se ata individë që kanë sulmu me qenë në ato komuna.

    “Dje targeti kryesor për një kohë të gjatë ka qenë Zveçani edhe sulmet dhe përleshjet më të mëdha kanë ndodhur në atë komunë. Në Zveçan, kryetari i komunës nuk ka qenë në ndërtesë, që do të thotë synimi ka qenë jo mos me pasë kryetarin në ndërtesë po që atë individë të cilët i kemi pa duke hedhur gjësende, duke sulmu KFOR-in, të jenë në ato komuna. Kjo është arsyeja se pse ka prezencë të policisë në këto komuna dhe kjo është arsyeja pse ka prezencë të KFOR-it në këto komuna për shkak, se sidomos për nga përgjegjësia jonë ne kemi detyra e detyrim kushtetues i ligjor që kryetarëve të komunave të zgjedhur e të zotuar, tua ofrojmë mundësinë që të kryejnë detyrën e tyre prej vendit të punës”, theksoi Kryeziu. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: