ATV

Category: Lajme

  • Escobar thotë se në Ohër e kanë detyruar Serbinë të pranojë gjithçka, por palët janë duke bërë shkelje të marrëveshjes

    Escobar thotë se në Ohër e kanë detyruar Serbinë të pranojë gjithçka, por palët janë duke bërë shkelje të marrëveshjes

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, tha se në Ohër, Serbisë i është kërkuar të pranojë marrëveshjen sipas kushteve evropiane, që kërkon Serbisë ta njohë integritetin territorial të Kosovës, transmeton ATV.

    “Në Ohër, nuk ishte një Dejton tjetër, por mjaft e ngjashme. Ajo çfarë keni është një marrëveshje e normalizimit, sipas kushteve evropiane, që i kërkon Serbisë ta njohë integritetin tuaj territorial, sovranitetin tuaj, kontrollin tuaj administrativ të të gjithë shtetit me fuqi të së drejtës ndërkombëtare, të njihet flamuri juaj, simbolet tuaja kombëtare, diplomat, pasaportat, dokumentet tuaja qeveritare dhe të mos bllokohet Kosova në përpjekjet e saj për integrim në cilëndo organizatë ndërkombëtare”, tha Escobar.

    Ai tha se të dyja palët janë duke bërë shkelje të marrëveshjes.

    “Është thënë se Serbia veç se e ka shkelur këtë. Por ana tjetër është se Kosova duhej të fillonte menjëherë diskutimet për asociacionin, gjë që nuk e ka bërë. Andaj, ose të dyja palët janë duke bërë shkelje, ose asnjëra. Bashkimi Evropian, ligjërisht nuk jemi të sigurt, sepse nuk jemi pajtuar për një plan të renditjes, andaj ata nuk janë të sigurt a ka nisur apo jo, ligjërisht, na pikëpamja ynë deklarimi politik i marrëveshjes ishte i mjaftueshëm për ta nisur, andaj të dyja palët janë duke bërë shkelje”, tha Escobar.

    Sipas tij, nuk duhet të ndodh një tjetër konferencë, por se duhet të implementohet ajo, për të cilën veç se është arritur të ketë pajtim mes Kosovës dhe Serbisë. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar thotë se pala kosovare e ka draftin për Asociacionin, por nuk po e prezanton

    Escobar thotë se pala kosovare e ka draftin për Asociacionin, por nuk po e prezanton

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, tha se pala kosovare e ka një draft për Asociacionin, por sipas tij, nuk duan ta paraqesin, raporton ATV.

    “Ata duhet që menjëherë të prezantojnë një draft të një ligji që do ta sillte atë në jetë, tani, menjëherë. Dhe ata kanë një, por thjesht nuk duan ta paraqesin”, tha Escobar.

    Ai tha që nëse palët (Kosova dhe Serbia) nuk i përmbahen Marrëveshjes së Brukselit, i bie se po e refuzojnë BE-në.

    Po ashtu, Escobar shtoi se Aleksandar Vuciq nuk mund të ketë të drejtë vetoje se kur mbahen zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës, ndërsa shtoi se kjo dritare i mbyllet nëse Kosova bashkëpunon duke e themeluar Asociacionin. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar: Më së largu nesër të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri

    Escobar: Më së largu nesër të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, tha që më së largu nesër duhet të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri, transmeton ATV.

    “Një rrugë është shpërshkallëzimi, rruga e dytë është zgjedhje të reja me pjesëmarrje të serbëve, dhe e treta duhet të lëvizim menjëherë drejt implementimit të marrëveshjes së Ohrit, që do të thotë se duhet të shohim një përpjekje të vërtetë të Kosovës për t’u angazhuar për asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa të ndërmarrë nga Serbia. Andaj, kjo duhet të bëhet tani dhe duhet të pajtohemi për këtë sot dhe nesër, sepse të premten, Miroslavi [Lajcak] dhe unë, pritet që të japim raporte te eprorët tanë, lidhur me atë se a ishim të suksesshëm apo jo”, tha Escobar.

    Ai tha se BE-ja ka prezantuar një rrugë përpara, që është shpërshkallëzimi i menjëhershëm, dhe kjo do të përfshinte një plan që kryetarët jo domosdo të kenë nevojë të punojnë në ato ndërtesa, përderisa tensionet janë kaq të larta.

    “Në SHBA, ne kemi shumë përvoja në situata të tilla, dhe ne tentojmë t’i ndajmë këto përvoja dhe vizionin tonë. Mund të ju them personalisht se isha duke punuar në një ndërtesë federale në San Francisko në vitin 1991, kur po protestohej kundër Luftës së Gjirit. Dhe ishte mbyllur një ndërtesë federale në të cilën ndodheshin prokurorët, FBI-ja, dhe institucione të tjera federale. Ata thjesht kaluan në një ndërtesë tjetër, dhe e vazhduan punën. Dhe askush nuk tha se ne ia dhamë sovranitetin asaj turme”, tregoi Escobar. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Lajçak tregon se çka bisedoi me politikanët në Kosovë

    ​Lajçak tregon se çka bisedoi me politikanët në Kosovë

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka treguar se çka është biseduar në takimet që ai dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i kanë zhvilluar të martën në Prishtinë.

    Lajcak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë mbërritur të hënën në Kosovë, ku janë pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.

    “Sot në mëngjes me Presidenten diskutuam për situatën në veri të Kosovës. Ne theksuam rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike që mundëson de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe kthimin në normalizim”, ka shkruar Lajcak në Twitter.

    Lajcak dhe Escobar kanë zhvilluar takim edhe me partitë opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

    Sipas diplomatit sllovak, atyre u është kërkuar të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet në veri.

    “Escobar, ambasadori amerikan në Kosovë dhe unë u shpjeguam partive opozitare shqiptare në Kosovë pasojat e krizës aktuale dhe dëmtimin e reputacionit ndërkombëtar të Kosovës. Ne u kërkuam atyre të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet”, ka shkruar ai.

    Ndërsa Listës Serbë u ka theksuar nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja në katër komunat veriore.

    “Asnjë zgjidhje politike për uljen e tensioneve në veri të Kosovës nuk mund të arrihet pa popullatën e prekur. Me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe shoqërisë civile, ne theksuam nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”, ka shkruar ai pas takimit me Listën Serbe.

    E në takimin e mbrëmshëm me kryeministrin Kurti, emisarët i kanë paraqitur atij propozimin me tri elemente.

    I pari është de-eskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.

    Pas takimit, të dy deklaruan se faktori ndërkombëtar është unik në këto kërkesa dhe shpresojnë se të njëjtat do të dëgjohen. /kp

  • Escobar: SHBA është përkrahësi më i madh i Kosovës, kemi sfida me kryeministrin aktual

    Escobar: SHBA është përkrahësi më i madh i Kosovës, kemi sfida me kryeministrin aktual

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, ri përsëriti se SHBA është mbështetësi më i madh i Kosovës dhe se marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve nuk kanë ndryshuar, transmeton ATV.

    “Dua ta përsëris për njerëzit, se marrëdhënia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është marrëdhënie ndërmjet popujve të shteteve tona, dhe kjo marrëdhënie është e fortë dhe nuk do të ndryshojë. Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësit tuaj më të fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar. Ne jemi të angazhuar për pavarësinë tuaj, sovranitetin tuaj, sigurinë tuaj si dhe prosperitetin tuaj ekonomik. Kur unë diskutoj me njerëzit në anembanë vendit dhe me kosovarët të cilët vijnë në Uashington, vazhdimisht më vijnë ndër mend mundësitë e jashtëzakonshme që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, dhe mundësitë e jashtëzakonshme që ekzistojnë në këtë vend, si vend i kulturës kreative, kulturës sipërmarrëse, si një që do të jetë një krijuese e punës në të ardhmen, brenda Evropës. Andaj, kjo është ajo në çfarë unë jam fokusuar”, tha Escobar.

    Ai sqaroi se kanë disa sfida në marrëdhënien bilaterale sa i përket raportit me kryeministrin.

    “Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarëdo vështirësi aktuale që kemi me kryeministrin, nuk do të ndikojnë në këto mendime. Por ne kemi disa sfida në marrëdhënien bilaterale, sa i përket raportit me kryeministrin. Do të jem i sinqertë, SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh se njerëzit mendojnë se në një mënyrë, ne po e braktisim këtë marrëdhënie dhe angazhimin tonë me Kosovën, në dobi të Serbisë”, shpjegoi Escobar. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Dita e 9 të e protestave në veri, protestuesit shpërndahen të qetë

    Dita e 9 të e protestave në veri, protestuesit shpërndahen të qetë

    Të paktë në numër, ushtarët e KFOR-it po vazhdojnë ta ruajnë objektin e komunës së Zveçanit.

    Përballë tyre, edhe gjatë së martës ishin protestuesit serbë.

    Protestuesit, pjesa më e madhe e të cilëve janë gra, po e kalojnë kohën duke ngrënë e pirë. Nuk mungon as muzika që i shoqëron ata, teksa bëjnë muhabet nën tendat e vendosura.

    Një pjesë të ditës së sotme, protestuesit serbë e kaluan pa prijësit e tyre, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiç, patën takim me diplomatët Lajçak e Escobar.

    Megjithatë, pas takimit, ata iu kthyen punës që e kishin lënë në gjysmë, ndërsa duke u mos deklaruar për media, vetëm bënë të ditur se protesta do të vazhdojë.

    Zveçani, që gjatë protestave u karakterizua me dhunë ndaj mediave, policisë dhe KFOR-it, sot ishte i qetë.

    Ndërkaq, kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, vazhdon ta ushtrojë detyrën e tij nga një zyrë alternative.

    Referuar raportimeve, edhe në komunën e Leposaviqit dhe Zubin Potokut mbretëroi një situatë e qetë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dugolli e akuzon për kërcenim verbal, Bekë Berisha e mohon

    Dugolli e akuzon për kërcenim verbal, Bekë Berisha e mohon

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, raportoi para deputetëve rreth ngjarjeve të ditëve të fundit në veri dhe për gjendjen e institucionit të cilin e drejton.

    Një pjesë e diskutimit më pas u zhvillua i mbyllur. Derisa mediat u larguan nga salla, njësoj veproi edhe deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, të cilit nuk i pëlqeu kjo ide.

    Dhe gjesti i njërit prej anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë, tërhoqi vëmendje.

    Bekë Berisha u qortua për këtë nga anëtarët e Komisionit e më pas njëri e akuzoi për kërcënim verbal.

    “Dhe në momentin që mori vërejtje nga deputeti Dimal Basha që ta fikë cigaren, lëre që nuk e fiku cigaren, por me sjelljet e tij tregonte një sjellje të njeriut të fortë, me muskuj që bën çfarë të dëshirojë dhe sillet si të dëshirojë. Prandaj, filloi edhe ta humbë arsyen, argumentin. Në momentin që pyetjet e drejtuara ndaj drejtorit të PK-së, nuk e morën përgjigjen që dëshironte politike që kërkonte nga drejtuesit të PK-së, ai filloi ta humbë krejtësisht arsyen”, tha deputeti i LV-së, Enver Dugolli.

    Këtë Berisha e mohon.

    “Përndryshe unë dua ta pyes se çfarë problemi ke tash, nëse dëshiron me marrë ndonjë votë dil rrej diku tjetër, apo gjej ndonjë formë tjetër. Sepse kjo puna e viktimizimit është konsumuar në Kosovë. Nuk është e vërtetë as që e ka kërcënuar kush, jam kryetar i komisionit fjalën ia jap atij, edhe pse është nënkryetar”, tha deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

    Por, para zënkës mes deputetëve Dugolli e Berisha, deputetët kuptuan nga drejtori i Policisë se tash e tre muaj policët nuk janë paguar për rrezikshmëri, derisa në veri u angazhuan deri në 12 orë.

    Janë mbyllur rrugët ilegale, të cilat janë shfrytëzuar nga strukturat kriminale për aktivitete të kontrabandës ndërkufitare. Në atë zonë ne kemi rritur kapacitetet tona si në infrastrukturë, por edhe në kapacitete të burimeve njerëzore”, tha drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

    Hoxha shtoi se edhe në vitin 2022 zyrtarët policorë kanë qenë të sulmuar nga grupe kriminale dhe individë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar dhe Lajcak takojnë presidenten, opozitën dhe Listën Serbe

    Escobar dhe Lajcak takojnë presidenten, opozitën dhe Listën Serbe

    Veriu ishte kryetemë edhe në ditën e dytë të takimeve, në Prishtinë, të emisarëve të posaçëm të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar.

    Pas takimit me dy emisarët, në një komunikatë, presidentja Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-në dhe BE-në, me qëllim forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe integrimin euro-atlantik.

    Krahas nevojës që grupet kriminale që përdorën dhunë ndaj Policisë, gazetarëve, KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, të përballen me drejtësinë, presidentja Osmani përmendi edhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

    “Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit, mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, presidentja shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Dy emisarët e posaçëm, pritën në takim të përbashkët tre krerët e opozitës parlamentare.
    Teksa kërkoi reagim nga presidentja Vjosa Osmani, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh i shqetësuar me situatën dhe tha se po vazhdon konsultat e përditshme me kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, për veprimet e mëtejme.

    “Nuk ka pasur kërkesa përtej informimit për situatën. Asnjëherë nuk kam pa aq shqetësim nga partnerët, nuk është e lehtë të dëgjosh që ata të shprehin zhgënjim kaq të thellë”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Duke kritikuar qasjen dhe veprimet e kryeministrit Albin Kurti, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë janë në gjendje të paparë në 33 vjetët e fundit.

    “Në këtë fazë të Kosovës, qytetarëve tanë i mbetet t’i shohin pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë, në radhë të parë nga ShBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja. Një gjendje të tillë, si LDK, e kemi të vështirë ta pranojmë, si parti politike opozitare me numër të kufizuar të deputetëve, veprimet tona do të jenë publike”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Në Zyrën e BE-së në Prishtinë, Lajcak dhe Escobar u takuan edhe me krerët e Listës Serbe.

    Dy emisarët, evropian dhe amerikan, do të udhëtojnë për në Beograd për takim me krerët shtetërorë të Serbisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mitrovica nderon dëshmorët

    Mitrovica nderon dëshmorët

    Refik Haxha nga Bistrica ka ardhur në varrezat e Shipolit për ta kujtuar vëllain e tij, Ahmet Haxhën, i cili u vra mizorisht gjatë luftës në Kosovë, 24 vjet më parë.

    “Sot kemi ardhur këtu për me kujtu vëllain tonë. Ka qenë shumë herët i kyçur në luftë. Ne e kemi përkrahë tash vijmë këtu edhe e kujtojmë çdo vit”, tha Haxha.

    Haxha thotë se vëllai i tij tërë jetën ia kishte kushtuar atdheut.

    “Më kujtohet një insert i shkurtër kur ishin në front, atëherë unë isha në vizitë, më tha së përderisa jemi ne gjallë nuk do ta prekë askush atdheun dhe ashtu ndodhi”, tha Haxha.

    Se dëshmorët nuk duhet harruar kurrë, e thotë edhe motra e dëshmorit Haxha, Shefkije Hyseni.

    “Ne vijmë për t’i kujtuar gjithmonë se e kanë dhënë jetën për atdhe, por këta të rinjtë janë duke i harruar dita ditës dhe është për t’u ardhur keq natyrisht”, tha Hyseni.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se amaneti i dëshmorëve për ta mbrojtur çdo cep të tokave shqiptare do të shkojë deri në fund.

    “Sot si gjithmonë, sa të ketë Kosovë dhe komb shqiptar, do të vijmë këtu dhe do të përulemi më 6 qershor në Ditën e Dëshmorëve të komunës tonë. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë si institucione komunale, por edhe si institucione të Republikës së Kosovës. Gjithsesi familjarët e dëshmorëve presin me të drejtë nga komuna e Mitrovicës që të ketë më shumë drejtësi, prosperitet, për fëmijët dhe familjet e dëshmorëve dhe ky është obligim i ynë të cilin duhet ta përmbushim, në mënyrë që amanetin dhe vizionin e dëshmorëve tonë ta çojmë deri në fund”, tha Hamza.

    Të pranishmit vlerësuan lart kontributin e 76 dëshmorëve nga komuna e Mitrovicës, të rënë në luftën për liri dhe pavarësi. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në Gjykatën Themelore të Pejës, as sot nuk ka filluar gjykimi për vrasjen e trefishtë

    Në Gjykatën Themelore të Pejës, as sot nuk ka filluar gjykimi për vrasjen e trefishtë

    Brenda dhjetë ditëve për të dytën herë me radhë, ka dështuar të fillojë gjykimi për njërin prej rasteve më të rënda të vrasjes që nga paslufta në Kosovë.

    Halil Mehmetaj bashkë me dy djemtë e tij, Kastriot e Kreshnik Mehmetaj, akuzohen për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, në nëntor të vitit 2021.

    Por, sipas mbrojtjes, ata nuk janë të gatshëm të deklarohen rreth fajësisë pasi thonë se mungojnë dëshmitë e 18 dëshmitarëve që janë të përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë.

    Avokatët e familjarët u njoftuan në mëngjesin e së martës për anulimin e seancës.

    Megjithatë, sipas Prokurorisë, të gjitha provat janë dorëzuar te palët dhe për pretendimin e mbrojtjes thonë se janë njoftuar dy ditë para se të mbahet seanca.

    Seanca fillestare për rastin e vrasjes së trefishtë, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës, derisa po ktheheshin me autobus nga shkolla, si dhe shoferi i autobusit, nga një sulm me armë zjarri, ishte planifikuar të fillonte më 24 maj, dy javë pas ngritjes së aktakuzës.

    Nga Gjykata e Pejës kanë konfirmuar se seanca është anuluar me kërkesë të avokatit Sylë Lokaj, i cili ka njoftuar se dy nga CD-të e pranuara nga Prokuroria, janë të palexueshme.

    Megjithatë, sipas zëdhënëse Tringa Zhuti, seanca e radhës do të caktohet në afatin sa më të shkurtër, pas plotësimit të kushteve ligjore. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: