ATV

Category: Lajme

  • Behrami: Jam i shqetësuar për Kurtin që po e shkatërron karrierën e vet politike

    Behrami: Jam i shqetësuar për Kurtin që po e shkatërron karrierën e vet politike

    Analisti Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar zhvillimet e fundit në veri si dhe raportet e Qeverisë me bashkësinë ndërkombëtare, tha se kryeministri Kurti është duke e shkatërruar karrierën e vet politike.

    “Ne këto ditë kur po flasim po dalim si armiq irracional të kryeministrit Kurti, por unë nuk jam i shqetësum vetëm për vendin, por edhe për një njeri që karrierën e vet politike e ka ndërtua aq me mund, aq me sakrificë, aq me djersë dhe vjen me një moment ku e shkatërron edhe veten edhe pak a shumë edhe shtetin”, tha Behrami.

    Ai tha se ekziston një përpjekje që të mbytet debati publik dhe kritika ndaj Qeverisë.

    “Unë mendoj se opinioni publik e meriton me e ditë të vërtetën. E vërteta është relative po çdo kritikë ndaj Kurtit pse po i prishë marrëdhëniet me SHBA-në, është bërë një kundër kritikë që këta janë me Vuçiqin, po emërojnë Serbinë. Pra, ekziston një përpjekje me e mbyt debatin publik, me i mbytë kritikat edhe mbi të gjitha rrezikun e sanksioneve me i fut nën tepih. Kjo është përpjekja. Do të thotë qytetarëve mos me ua lënë këtë përshtypje se sanksionet janë diçka që kanë me e rëndu Kosovën. Është shqetësuese që ki diplomatë që e kanë ndihmu lirinë e pavarësinë e Kosovës, sonte kanë problem me flejt, del kryeministri i jonë është njeriu më i lumtur”, tha Behrami. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • REL: BE përgatit pako sanksionesh ndaj Kosovës

    REL: BE përgatit pako sanksionesh ndaj Kosovës

    Bashkimi Evropian i ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.

    Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

    Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

    Tashmë është suspenduar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili është dashur të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar. Takimi i radhës, i cili pritet të suspendohet, është ai i datave 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri.

    Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

    BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.

    Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

    BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

    Por, Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash.

    Megjithatë, BE-ja ka thënë se kryeministri kosovar nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri.

    Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet ushtarake Defender Europe 23, duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mosplotësimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.

  • Pozhari: Shpresoj që Rama mos të shkojë në Serbi se në ditën e çlirimit të Gjakovës, Vuçiqi mbanë zi

    Pozhari: Shpresoj që Rama mos të shkojë në Serbi se në ditën e çlirimit të Gjakovës, Vuçiqi mbanë zi

    Analisti Xhevdet Pozhari, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar anulimin e takimit mes dy qeverive shqiptare, i cili ishte planifikuar të mbahej në Gjakovë për ditën e çlirimit të këtij qyteti, tha se shpreson që kryeministri Edi Rama, atë ditë të mos shkojë në Serbi.

    “Jemi tu folë për marrëdhëniet mendoj Rama – Kurti, sepse Rama është i ngarkunë që paraqitet si rilindës i këtij shekulli, ka funksionu kështu gjatë krejt kohës që është pyetur ngaqë të tjerët janë ndje inferiorë dhe gjithmonë ka qenë ai që është marrë me lobime, me premtime, po se çka ka sjellë më pas në terren mbetet për tu diskutu. Personalisht si një djalë i Gjakovës nuk ndihem keq që një kryeministër tillë ë nuk e viziton këtë qytet në ditën e çlirimit të tij po tij, sepse sigurisht në 99-tën ai as nuk e ka ditë se në cilën anë ë kufizohet Shqipëria me Kosovën, ngaqë s’ka qenë aktiv. Po shpresoj që mos shkoj të paktën te miku i tij në Serbi Vuçiqi, se në ditën e çlirimit të Gjakovës, me siguri që atje mbajnë zi”, tha Pozhari.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Rama: Kurti e Vuçiq janë të pa interesuar për Asociacionin

    ​Rama: Kurti e Vuçiq janë të pa interesuar për Asociacionin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq nuk janë të interesuar për Asociacionin, andaj sipas tij, atyre “u duhet armiku i jashtëm”.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Rama ka thënë se mbledhja e dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, nuk mund të mbahet derisa “Kosova po digjet ngadalë, por po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar me ata që e krijuan si shtet.

    “Ka dy njerëz që janë të pa interesuar për Asociacionin dhe në këtë pikë janë bashkë, jo janë bashkë në kuptimin që janë marrë vesh, absolutisht, por janë të interesuar që Asociacioni të mos krijohet, dhe këta janë kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë. Pse, sepse për mënyrën se si e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme u duhet armiku i jashtëm. Pse i çon presidenti i Serbisë ushtarët në kufi me Kosovën, mendoni ju që në cepin më të largët të mendjes së vet dhe në ëndrrën e tij më kurajoze ai mendon se mund të futet një ushtarë serb 1 metër në kufirin e Republikës së Kosovës, absolutisht jo, as që nuk e imagjinon, por pse i çon, nuk i çon për të mbrojtur me armë serbët që janë në Kosovë por i çon për të ndezur shpirtin nacionalist të serbëve që janë në Beograd dhe në Serbi”, ka thënë Rama.

    Rama ka theksuar se Serbia e ka humbur luftën ushtarakisht një herë e mirë në vitin 1999 dhe sipas tij prej atëherë nuk është më kërcënim për Kosovën.

    “Serbia qysh nga vitit 1999 nuk është më kërcenim për Kosovën, nuk ka çka i bën fare, jo sepse është albin Kurti aty apo cilido coftë, por sepse aty është Amerika, është kjo Amerikë e cila sot është në acarimin maksimal me Qeverinë e Kosovës. Atëherë për çfarë duhet kjo histori konfrontimi permanent, se duhet për politikë të brendshme dhe cila është gjëja që e shpërbën figurën e armikut imagjinar në sytë e zgjedhësve të njërit e tjetrit, Asociacioni, që mbyll përfundimisht në këtë aspekt po flas, mundësinë për të vazhduare lufta që këta nuk na lënë të zgjedhim, këta nuk duan të zgjidhen, është shumë e qartë, prandaj unë jo vetëm që nuk prekem por përkundrazi më vjen mirë dhe është pjesë e marrëdhënies shumë të shëndetshme që kam me albin Kurti sepse themi atë që mendojë edhe kur jemi apo nuk jemi dakord. Qëllimin e kemi një, qind për qind, njohja e plotë përfundimtar e ndërkombëtare e Kosovës, edhe nga Serbia, dhe kërkimi i fjalës që Serbia duhet t’i bëjë Kosovës për krimet që ka bërë në Kosovë. Ndryshimi midis meje dhe albinit është që Albini i do këto në filli, unë them që këto vinë në fund”, ka thënë Rama.

    Duke folur për mbledhjen e dy qeverive e cila ishte planifikuar të mbahet të mërkurën në Gjakovë, Rama ka thënë se nuk mund të bëhet teatër në këtë situatë kur sipas tij Kosova po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar.

    “Nuk jemi në kushtet kur mund të bëjmë një mbledhje si ufo, Shqipëria nuk është ufo të paktën, Shqipëria është pjesë e pandashme e bashkësisë euroatlantike dhe nuk mundet as të bëjmë një teatër me marrëveshje për bujqësinë. Blegtorinë, e shumë të tjera, që janë shumë të rëndësishme, që janë gati dhe që mund të bëhen edhe pas një jave, dy javësh, tre javësh, ndërkohë që Kosova po digjet ngadalë por po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar me ata që e krijuan si shtet. Unë i marr me mend të gjitha nënqeshjet dhe përqeshjet me bashkësinë euroatlantike sot që krijojë sot të atyre që nuk e deshën kurr krijimin e Kosovës së pavarur, i marr me mend, kanë të drejtë të nënqeshin e përqeshin, sikur thonë ‘hë e donit shtet’, dhe këtë gjë ne nuk duhet ta lejojmë. Por për çfarë bëhet, nuk e kuptoj, për çfarë bëhet, për një të ngujuar atje që nuk ushtron dot jo detyrën pro nuk ushtron dot as funksionet bazike të një njeriu të lirë normal që të dalë të marrë ajër jashtë godinës, për çfarë”, ka thënë ai.

    Pak para mbajtjes së kësaj konference, KosovaPress ka pyetur Qeverinë e Kosovës lidhur me anulimin e mbledhjes së dy qeverive, por nga ekzekutivi kanë mohuar diçka të tillë.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për KosovaPress se “mbledhja nuk është anuluar dhe gjithçka është gati në Gjakovë.

    “Mbledhja nuk është anuluar. Gjithçka është gati në Gjakovë. Kryeministri Kurti tani po merr pjesë në koncertin e sontëm atje të Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova nga Shqipëria që është edhe si uvertyrë për mbledhjen e nesërme. Për anulimin po dëgjojmë tani nga ju”, ka thënë Kryeziu për KosovaPress.

    Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

    Ai ka delaruar se pret që një dokument i tillë të çoja dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.

    Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për Draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare të ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”./KP

  • AKI-ja në procedura të pranimit të agjentëve të rinj

    AKI-ja në procedura të pranimit të agjentëve të rinj

    Për vite të tëra, Agjencia Kosovare e Inteligjencës nuk ka pranuar agjentë të rinj, ndonëse konkurse të hapura kishte pasur shumë herë.

    Megjithatë, AKI-ja së fundmi ka hapur dyert përsëri, për ata që duan të jenë pjesë e institucionit më të lartë të sigurisë në vend. Por kësaj here, Komisioni që mbikëqyrë punën e AKI-së thotë se po kujdesen që gjithçka të shkojë sipas ligjit, dhe të pranohen pjesëtarët e rinj.

    “AKI-ja në këtë rast si shpallës i konkursit është duke i kryer të gjitha procedurat në bazë të rregullave dhe ligjit, pra deri më tani mbarëvajtja e konkursit ka shkuar mirë. Kemi pasur më herët konkurse të cilat kanë dështuar, me vite të tëra kanë qenë konkurse të hapura të cilat, d.t.th ata persona që kanë konkurruar, nuk kanë marrë asnjë përgjigje nëse konkurset janë anuluar apo janë ende të hapur”, tha kryetarja e komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu.

    Rritja e numrit të agjentëve, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, është në të mirë edhe të performancës, pasi kështu garantohet siguria e vendit.

    “Mendoj se shtimi i personelit, modifikimi i personelit në konturat e caktuara i ndihmojnë strukturës së sigurisë së Kosovës, respektivisht AKI-së, që të jetë në treg me kohën, për të parandaluar, për të reaguar në kohën më optimale dhe për të garantuar sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, tha Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë.

    Megjithatë, Shala vlerëson se rritja e kapaciteteve vjen edhe për shkak të rrezikut që i kanoset Kosovës, bazuar në strategjinë nacionale të sigurisë.

    “Sa i përket konkursit të fundit për të pranuar pjesëtarë të rinj, në kuadër të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, kjo kryesisht ndërlidhet me aspektin e rrezikut me të cilin do të kanoset Kosova, sipas Strategjisë nacionale të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës, dhe sipas kërkesave të cilat vijnë vetvetiu nga përmbyllja e arkitekturës së sigurisë së Kosovës”, tha Shala.

    Pa treguar se sa vende janë të lira në konkursin e AKI-së, Komisioni mbikëqyrës thotë se interesimi për të qenë pjesë e këtij institucioni është mjaft i lartë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti me propozim pesëpikësh për tejkalimin e krizës, kërkon takim me Vuçiqin

    Kurti me propozim pesëpikësh për tejkalimin e krizës, kërkon takim me Vuçiqin

    Pak orë para se Policia të sulmohet gjatë arrestimit të Milun Milenkovicit, i dyshuar për organizim të trazirave në Zveçan, kryeministri Albin Kurti u ka prezantuar ambasadorëve të QUINT-it propozimin e tij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

    Planin e tij pesëpikësh, kryeministri Kurti tha se e ka ndarë paraprakisht me kryediplomatin evropian, Josep Borell, teksa i ka dërguar letër.

    “Si pikë e parë në letrën time dërguar Josep Borrelit, është sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët. Si pikë e dytë: Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe të ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës. Bazuar në parimin e proporcionalitetit, prania e forcave të Policisë së Kosovës në tri ndërtesat komunale në veri të Kosovës do të zvogëlohet, në përputhje me rrethanat”, tha Kurti.

    Si veprim i tretë, sipas kryeqeveritarit, parashihet që Policia e Kosovës së bashku me pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i, të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.

    “Katër, Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen në një atmosferë zgjedhore të lirë, demokratike dhe të papenguar. Pesë: Kosova dhe Serbia të kthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. BE-ja të sigurojë një plan renditjeje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (27 shkurt) dhe Aneksit të Zbatimit të saj (18 mars). Udhëheqësit e dy shteteve të takohen në një dialog të nivelit të lartë në Bruksel, gjatë kësaj jave”, tha Kurti.

    Mes tjerash, kryeministri Albin Kurti theksoi se kryetarëve shqiptarë të komunave veriore nuk mund t’ua kërkojë dorëheqjen, pasi që do të ishte kundërkushtetuese, duke e quajtur ide të mirë atë të presidentes Vjosa Osmani për një peticion.

    Në lidhje me propozimin e tij për uljen e tensioneve, kryeministri kosovar po pret përgjigje nga Brukseli.

    Ndërkaq, gjatë ditës zyrtarë nga Bashkimi Evropian nuk janë përgjigjur në pyetjet e televizionit lidhur me propozimet e Kurtit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Sulmohet në pritë ekipi i ATV-së, tre anëtarët e ekipi goditen me gurë

    Sulmohet në pritë ekipi i ATV-së, tre anëtarët e ekipi goditen me gurë

    Më shumë se dhjetë persona, shumica e tyre të maskuar sulmuan me gurë, cung, shkopinj, shkelma e grushte veturën dhe ekipin e ATV-së që gjendej brenda saj.

    Si pasojë të tre anëtarët e ekipit televiziv pësuan lëndime trupore – ndrydhje nga gurët dhe prerje nga copëzat e xhamit – ndërsa vetura u demolua.

    Fillimisht, rreth orës 13, vetëm pesë minuta pasi kameramani Blendi Thaçi dhe gazetari Fatlum Jashari u ndalën për pamje tek ndërtesa e komunës në Zveçan, vozitësi Enis Sherifi, i cili kishte shkuar më poshtë për t’u parkuar në një vend të sigurt, njoftoi se është sulmuar nga një person.

    Pas vendimit për t’u larguar shpejtë nga aty, derisa shoferi po afrohej filluan sharjet dhe ofendimet ndaj gazetarit e kameramanit.

    Pas paralajmërimit që morën nga një grua, se tensioni është rritur për shkak të arrestimit në Mitrovicë të Veriut, ekipi tre-anëtarësh i ATV-së u nis për të dal nga Zveçanin.

    Pak sekonda pas, rreth 150 metra tutje, në afërsi të rreth-rrotullimit, një veturë e tipit Golf me ngjyrë të errët dhe me targa të Serbisë, i doli në pritë të veturës së ATV-së dhe bllokoi rrugën.

    Personi i njëjtë që kishte sulmuar kameramanin më herët, doli nga ajo veturë dhe krahas sharjeve në gjuhën serbe, provoi që me dhunë hapte derën e veturës së ATV-së dhe të nxirrte ekipin jashtë.

    Ai dhe dy të tjerë të maskuar, filluan sulmin me gurë, shkelma e grushte ndaj veturës.

    Tutje, më shumë se 10 persona tjerë, shumica të maskuar, iu bashkuan sulmit me mjete të forta – teksa ekipi po përpiqej të lëvizte prapa me veturë për të gjetur strehë të sigurt.

    Nën rrebesh gurësh ekipi i ATV-së u strehua në te një ekip i KFOR-it italian, qw u bë shkas për ndaljen e sulmit.

    Pas rreth 45 minutash të tensionuara nën mbrojtjen e KFOR-it, ekipe po ashtu italiane të EULEX-it ndihmuan largimin e sigurt të ekipit të ATV-së nga Zveçani.

    Rasti është iniciuar në Stacionin e Policisë në Mitrovicë të Jugut, ndërsa ekipit të ATV-së i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Arrestohet “Llune”, i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it

    Arrestohet “Llune”, i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it

    Misioni i Policisë së Kosovës, sot në Mitrovicë të Veriut, ishte i qartë: arrestimi i Milun Milenkoviçit, i cili mes tjerash, dyshohet të jetë ndër organizatorët e sulmeve më 29 maj në Zveçan, në të cilat rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar.

    “Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic – Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale, që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ai ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Arrestimi i trajnerit të kikboksit, të njohur me nofkën Llune, nxiti reagimin e serbëve lokalë. Si pasojë, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës mbetën të lënduar.

    “Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, tre nga të cilët janë të lënduar lehtë”, tha Sveçla.

    Serbët nuk sulmuan vetëm zyrtarët policorë. Shënjestër e dhunës nga ta ishte edhe i pari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

    Pas arrestimit të Milenkoviçit, njësite të konsiderueshme të Policisë së Kosovës u vendosën në Lagjen e Boshnjakëve, ku nuk qëndruan gjatë.

    Ndërkohë, as hyrja me vetura në Mitrovicë të Veriut nuk u lejua.

    Me shpërndarjen e policisë, në Lagjen e Boshnjakëve, u panë automjete të KFOR-it amerikan dhe të EULEX-it, derisa një grup i serbëve u pa teksa qëndronte në dy anët e rrugës, disa metra larg lagjes së banuar me shqiptarë.

    Avni Peci, përfaqësues i kësaj Lagjeje, thotë se kjo situatë nuk i shqetëson banorët, pasi ata janë mësuar me situata të tilla. Megjithatë, ai ka një thirrje për banorët e të gjitha komuniteteve.

    “I bëj thirrje banorëve të të gjitha komuniteteve që të mos politizohen nga qarqe të ndryshme politike që operojnë këtu”, tha Peci.

    Aksioni i sotëm policorë erdhi pak orë pas takimit që kryeministri Albin Kurti, pati me ambasadorët e shteteve të Quintit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vjen reagimi i parë nga VV’ja pas anulimit të mbledhjes së qeverive, Kosovë-Shqipëri

    Vjen reagimi i parë nga VV’ja pas anulimit të mbledhjes së qeverive, Kosovë-Shqipëri

    Ai përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, Edi Rama po tregohet dorëshlirë me interesat kombëtare.

    “Nuk janë të paktë shembujt në histori, përfshirë edhe historinë e re, kur politikanë para fundit të tyre e në kërkim të shpëtimit janë treguar dorëshlirë me interesat kombëtare. Rama duket të jetë i radhës. Tjetër shpjegim është vështirë të ketë për sjelljet e tij”, shkroi Bajqinovci.

    “E megjithatë fundi për ta nuk ka qenë asnjëherë i mirë. Historia i njeh vetëm veprat. Jo arsyetimin e as pishmanin”, përfundon shkrimi i tij.

  • ​Rama kërkoi tjetër format të takimit në Gjakovë, jep detaje në konferencë për media

    ​Rama kërkoi tjetër format të takimit në Gjakovë, jep detaje në konferencë për media

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se ka kërkuar një takim të formatit tjetër në Gjakovë, ndryshe prej mbledhjes së planifikuar të dy qeverive. Rama ka thënë se mbledhja nuk mund të mbahet në këto kushte, sipas tij, të agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me të gjithë bashkësinë euroatlantike.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Rama ka thënë se situata aktuale në Kosovë “po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike, në një pikë të paimagjinueshme”.

    “E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane Borrell, i kam kërkuar Albinit për tu takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, për të diskutuar pikërisht për këtë situatë e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin faktikisht në butonin që do të vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vet”, ka thënë Rama, raporton KosovaPress.

    Sipas Ramës, ndërkombëtarët janë duke e humbur durimin.

    “Për fat të keq dhe me shumë keqardhje më duhet të them që nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, besoj shumë që të mund të takohemi, për të ballafaquar opinionet në kushtet kur e përsëris jemi në prag të vënies në lëvizjes së planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksionet, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushte të sosjes së durimit. Kam bërë një përpjekje për të u kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, ka thënë Rama.

    Pak para mbajtjes së kësaj konference, KosovaPress ka pyetur Qeverinë e Kosovës lidhur me anulimin e mbledhjes së dy qeverive, por nga ekzekutivi kanë mohuar diçka të tillë.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për KosovaPress se “mbledhja nuk është anuluar dhe gjithçka është gati në Gjakovë.

    “Mbledhja nuk është anuluar. Gjithçka është gati në Gjakovë. Kryeministri Kurti tani po merr pjesë në koncertin e sontëm atje të Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova nga Shqipëria që është edhe si uvertyrë për mbledhjen e nesërme. Për anulimin po dëgjojmë tani nga ju”, ka thënë Kryeziu për KosovaPress.

    Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

    Ai ka delaruar se pret që një dokument i tillë të çojë dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.

    Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për Draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare të ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”./KP