ATV

Category: Lajme

  • Mbrojtja e Thaçit vijon kundra-pyetjet për dëshmitarin e tetë të ZPS-së

    Mbrojtja e Thaçit vijon kundra-pyetjet për dëshmitarin e tetë të ZPS-së

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vijuar parashtrimi i kundra-pyetjeve për dëshmitarin e tetë nga ana e mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi në gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Me të nisur pyetjet, seanca ka kaluar në seancë të mbyllur për publikun.

    Nga salla e gjyqit, këtë seancë gjyqësore kundër tyre po e përcjellin ish-presidenti, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendari, Kadri Veseli dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi. Ndërsa, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi po e përcjell këtë seancë po e përcjell përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

    Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se Krasniqi ka dorëzuar edhe një dokument përmes të cilët heq dorë nga prania e tij në sallë, që nënkupton që as nesër nuk do të jetë i pranishëm në gjykatore.

    Dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin 04323 në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëshminë e tij e ka nisur ditën e hënë.

    Deri tani pyetjet ndaj tij i ka përfunduar Zyra e Prokurorit të Specializuar. Gjatë ditës së hënë kur edhe nisi dëshminë e tij përgjigjet e dëshmitarit të tetë ishin në pjesë të madhe publike, por gjatë ditës së djeshme seanca ka qenë e mbyllur për publikun përveç një momenti kur ZPS parashtroi pyetje për Gardën Kombëtare.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • Gjashtë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet ruse në Odesa të Ukrainës

    Gjashtë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet ruse në Odesa të Ukrainës

    Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmin me raketa gjatë natës në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa, të kryer nga forcat ruse.

    Bombardimet, siç njofton administrata shtetërore rajonale, kanë shkaktuar dëme të shumta në banesa, një magazinë, si dhe në dyqane e kafene në qendër të qytetit.

    Sulmi i nisur nga Deti i Zi përfshinte katër raketa lundrimi Kalibr të lëshuara nga deti, tri prej të cilave u kapën nga mbrojtja ajrore, tha administrata rajonale në Facebook.

    Tre punonjës të një magazine ushqimore u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhduan kërkimet të mbijetuar të mundshëm nën rrënoja. Gjashtë persona të tjerë – roje dhe banorë të një shtëpie fqinje – u plagosën.

    Andriy Kovalov, një zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, tha se forcat ruse kanë shtuar sulmet raketore dhe ajrore në Ukrainë.

    Kjo fushatë bombadimesh po ndodh në kohën kur Kievi është në fazat e hershme të një kundërofensive.

    Gjatë një konference, Kovalov tha se rajone të shumta duke përfshirë Harkivin, Donjeckun, Kirovohradin dhe Odesën ishin në shënjestër të sulmeve.

    Armët e përdorura në këto sulme përbëheshin nga raketa lundrimi Kh-22, raketa lundrimi Kalibr të lëshuara nga deti dhe drone Shaheed me origjinë iraniane.

    Nëntë nga këto raketa u kapën me sukses nga Ukraina.

    Një ditë më parë, Rusia nisi një sulm masiv me raketa gjatë natës në qytetin qendror të Ukrainës, Krivi Rih, duke vrarë të paktën dhjetë persona dhe plagosur 28 të tjerë dhe duke dëmtuar infrastrukturën civile./REL/

  • Tri sulme ndaj Policisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme në veri

    Tri sulme ndaj Policisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme në veri

    Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh, ka raportuar për tri sulme ndaj policëve në komunat veriore të Kosovës.

    Në raportin e Policisë për aksionin e arrestimit të Milun Milenkoviq – Llunes në veri të Mitrovicës, është njoftuar se gjatë arrestimit fillimisht kishte rezistuar i dyshuari, ndërsa si pasojë u lëndua një polic.

    Po ashtu lëndime mori edhe i dyshuari. Ndërkohë pas operacionit një turmë e personave kanë sulmuar me mjete të forta veturat e policisë e si pasojë janë lënduar tre policë dhe janë dëmtuar tri vetura.

    Po në Mitrovicë të Veriut rreth orës 18:40, është raportuar për një sulm tjetër ndaj zyrtarëve policorë.

    Katër zyrtarë policorë u sulmuan me gurë nga persona të panjohur. Nuk është raportuar për lëndime, por është dëmtuar vetura.

    E në Leposaviq, dje orës 09:15, dy vetura të Policisë, që ishin duke e përcjellë ministrin Liburn Aliu për në Komunën e Leposaviqit u sulmuan me vezë dhe me ngjyrë.

  • Dyshohet se dhunoi një të mitur, arrestohet një person në Rahovec

    Dyshohet se dhunoi një të mitur, arrestohet një person në Rahovec

    Është arrestuar një person në Rahovec, njoftoi Policia e Kosovës.

    Ai dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur, pa pëlqimin e saj.

    “DHUNIM- Rahovec 08.06.2023 – 22:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e viktimës, me viktimën femër kosovare- e mitur”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Pejë

    Gjendet pa shenja jete një person në Pejë

    Një person është gjetur pa shenja jete në Pejë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Policia njoftoi se një grua ka raportuar se djali i saj me probleme psikike është pa shenja jete.

    “Vdekjen e viktimës e ka konstatuar në vendin e ngjarjes ekipi mjekësor”, thuhet aty.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

     

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me intervale të lehta me diell, derisa gjatë pasdites priten edhe reshje shiu. 

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 12 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 23 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me vranësira dhe reshje shiu. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Ferizaj 21 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 29 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Hagë, vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Hagë, vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Sot do të mbahet një tjetër seancë gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

    Seanca është njoftuar të nisë në ora 09:00.

    Akoma nuk është bërë e ditur nëse e njëjta do të mbahet e hapur apo e mbyllur për publikun.

    Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë, Trupi Gjykues II më 6 qershor rrëzoi kërkesën e ZPS-së për t’i tërhequr vërejtje bashkëmbrojtësit të z. Thaçi, z. Dastid Pallaska, për deklaratat publike të bëra në një program televiziv.

    Trupi Gjykues konstatoi se deklaratat e z. Pallaska për kanalin televiziv të Kosovës, RTK, “ndonëse shpesh të pabazuara dhe të pasakta”, nuk ishin përpjekje për të çorientuar qëllimisht publikun apo për të ndikuar në vendimin e Trupit Gjykues dhe as nuk u nxor informacion konfidencial.

    Seanca e fundit u mbajt dy ditë më parë.

  • Presidentja Osmani do t’i adresohet Parlamentit Evropian

    Presidentja Osmani do t’i adresohet Parlamentit Evropian

    Presidentja Vjosa Osmani është duke qëndruar në Strasburg të Francës ku gjatë ditës së sotme do të ketë një adresim në Parlamentin Evropian, hera e parë që një president i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të PE-së.

    Osmani do të pritet fillimisht nga kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian, shkruan KosovaPress.

    Pjesë e delegacionit të Kosovës janë edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit, Fahrije Hoti, që vuajtjen nga vrasja e burrit nga regjimi serb e kthehu në forcë dhe u shndërrua në frymëzim për të gjitha gratë me Koperativën “Krusha”, Blerta Basholli, producent, Egzon Syla ndër ushtarakët më të suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hana Qerimi, ndërmarrëse, si dhe Liudmyla Makei, gazetare ukrainase që aktualisht është e strehuar dhe punon në Kosovë.

    Adresimi i presidentes Osmani para eurodeputetëve është planifikuar për në ora 11:30, ndërsa më pas do të ketë edhe një konferencë për media.

    Osmani ka mbërritur në Strasburg gjatë së martës ku ka takuar sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviç Buriç.

    Më pas ka pasur edhe një pritje për përfaqësuesit e përhershëm të Këshillit të Evropës, ku në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Kjo vizitë e presidentes vjen në kohën kur në tri komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan situata është e tensionuar pas protestave të dhunshme ku serbët të organizuar nga Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi zyrtar, sulmuan Policinë e Kosovës dhe KFOR-in duke lënë të plagosur 6 policë dhe mbi 30 ushtarakë te misionit të NATO-s në Kosovë.

    Gjithashtu, edhe pas paraqitjes së planit prej pesë pikash nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Bashkimi Evropian është në përgatitje të sanksioneve ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, sidomos pas zhvillimeve të ditës së martë.

  • Sot Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut

    Sot Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut

    Çdo vit më 14 qershor në shumë vende të botës organizohet “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut”.

    Mesazhi thekson kontributin thelbësor që dhuruesit e gjakut japin për të mbajtur botën pulsuese duke shpëtuar jetë dhe duke përmirësuar shëndetin e të tjerëve. Ai përforcon thirrjen globale për më shumë njerëz në të gjithë botën për të dhuruar gjak rregullisht dhe për të kontribuar në një shëndet më të mirë.

    Një fokus i veçantë i fushatës së këtij viti do të jetë roli i të rinjve në sigurimin e një furnizimi të sigurt me gjak. Ndërsa në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë, gjatë gjithë javës po organizohet dhurimi vullnetar i gjakut.

    Në shumë vende, të rinjtë kanë qenë në ballë të aktiviteteve dhe iniciativave që synojnë arritjen e furnizimeve të sigurta të gjakut përmes dhurimeve vullnetare të gjakut, pa shpërblim.

    Dita botërore e dhurimit të gjakut shënohet prej vitit 2004 dhe ka për qëllim dhurimin e gjakut për të shpëtuar jetën e atyre në nevojë. Aktivitetet për këtë ditë bëhet me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për sigurimin e gjakut dhe për të shprehur falënderime për të gjithë ata që dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë.

    Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese që nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi nga njerëzit me vullnet të mirë në mënyrë të herëpashershme dhe pa pagesë.

    Nevojat për gjak janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut apo përbërësve të tij, shërben shpesh për t’i shpëtuar jetën dikujt që pëson aksident apo ndërhyrje kirurgjike.

  • Arrestimi i Milenkoviqit, Musliu: Prorus që keqtrajtoi ata që s’iu bindën urdhrave të Serbisë

    Arrestimi i Milenkoviqit, Musliu: Prorus që keqtrajtoi ata që s’iu bindën urdhrave të Serbisë

    Drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu ka reaguar pas arrestimit të Milun Milenkoviqit, për të cilin ka thënë se është njeriu kryesor i të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”.

    Musliu ka thënë se, krimineli serb siç e quan ai, i cili njihet ndryshe me nofkën “Lune” është ka keqtrajtuar dhunshëm të gjithë qytetarët në veri të vendit, që nuk i janë bindur urdhrave të Serbisë, të porositura nga Vuçiq e Radojçiq, transmeton KosovaPress.

    “Nuk ka mundësi që bandat e krimit serb në veri të mos jenë proruse, siç është edhe vet rasti i sotëm i kriminelit të arrestuar Milun Milenkovic – ‘Lune’. Shikojeni që në njërën anë e ka edhe flamurit e shtetit të Putinit. Flamuri rus gjendet përkrah atij serb në klubin e kik-boksit, në veri të Mitrovicës, të cilin e udhëheq ‘Lune’. Sipas të dhënave që ka siguruar gjatë ditës, Instituti OCTOPUS, ky farë ‘Lune’ ka qenë njeriu kryesor i të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’, grup kriminal ilegal, i cili ka keqtrajtuar dhunshëm të gjithë qytetarët në veri të vendit, e të cilët nuk i janë bindur urdhrave të Serbisë, të porositura nga Vuçiq e Radojçiq”, ka shkruar Musliu në Facebook.

    Ndryshe, gjatë aksionit të së martës të Policisë së Kosovës për arrestimin e Milun Milenkoviqit, i cili është një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, janë lënduar tre zyrtarë policorë.