ATV

Category: Lajme

  • IKSHPK: Uji në qytetin e Pejës është i sigurt dhe brenda standardeve të parapara

    IKSHPK: Uji në qytetin e Pejës është i sigurt dhe brenda standardeve të parapara

    Vërshimet e mbrëmjes së të shtunës, përpos komunës së Pejës, nuk kanë prekur komunat tjera të zonës së mbulueshmërisë, Deçan, Klinë, Junik dhe Istog.

    Sipas njoftimit nga MSh-ja, nga ora 20:00 e të shtunës, me të parë përshkallëzimin e gjendjes brenda minutash, KRU “Hidrodrini” ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe emergjencës në tërë zonën e mbulueshmërisë, duke iu pergjigjur situatës në terren me ekipet emergjente.

    “Peja, si komunë e prekur nga vërshimet, që nga fillimi i shfaqjes së periudhës së krizës si pasojë e reshjeve, në aspektin e burimeve të ujit dhe sistemit të rrjetit furnizues ka qenë dhe mbetet në kontroll të ekipeve të përbashkëta të mbikëqyrjes së cilësisë, kualitetit dhe furnizimit”, thuhet në njoftim.

    “Ekipet mbështetëse të KRU ‘Hidrodrini’, sot e diel, 25.06.2023 janë ndarë dhe mbeten në terren për ndërhyrje eventuale të lokalizuara”.

    Në matjet e përbashkëta të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik (Pejë) dhe dhe KRU ‘Hidrodrini’, të orës 07:00 të mëngjesit të sotëm, cilësia e ujit në burimet Uji i Zi dhe Radavc ka qenë brenda normave të kërkuara.

    “Në takimin e përbashkët të orës 12:00 sot, të Kreut të ‘Hidrodrini’, përfaqësuesve të Njësisë së ujërave nga IKSHPK, Drejtorisë së IRSHP-së Pejë dhe të përgjegjësve për shërbimin e ujërave në IRSHP-Pejë, bazuar edhe në të dhënat laboratorike, është ri-konstatuar situata nëpër burime dhe sistem si e qetë dhe e menaxhueshme, me përjashtim të paraqitjes së rënies së nivelit të shtypjes në pompën kryesore të qytetit dhe menjëherë janë aktivizuar kapacitetet ndihmëse me çfarë furnizimi mbetet stabil”, thuhet tutje.

  • Ministri Aliu: Duhet të përgatitemi për thatësira dhe vërshime

    Ministri Aliu: Duhet të përgatitemi për thatësira dhe vërshime

    Thatësirat dhe vërshimet janë diçka për të cilat duhet të përgatitemi si shtet, e që do të na përsëriten në dekadat që vijnë, kjo si pasojë e ndryshimeve klimatike.

    Kështu tha sot në një intervistë për RTK-në, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.

    Ai sot ishte për vizitë në Pejë pas vërshimeve të mbrëmshme në këtë qytet.

    Ministri tha situata atje është shumë e rëndë.

    “Është vërtetë një gjendje e rëndë. Mbase u mbetet ekspertëve për të vlerësuar situatën, por nga ajo çka mund të them është se sasia e reshjeve ka qenë mjaft e lartë, gjë e cila është mjaft prezente këtë vit”, tha Aliu, duke shtuar se këto janë ndryshime të përgjithshme për të cilat duhet përgatitur.

    Sipas tij, natyrisht që të gjitha këto mbeten të vlerësohen e pastaj edhe shkaktarët se si ka ardhur deri këtu dhe dëmet që janë bërë.

    “Por është një gjendje alarmante. Pasi që t’i hartojmë këto harta të rrezikut dhe t’i identifikojmë vendet e tilla, do të ndërmarrim masat e duhura dhe do të bëjmë planet të cilat janë edhe përtej ministrive të veçanta”, tha tutje ministri.

    Ai tha se duhet një bashkëpunim ndërministror që të mund të ketë reagime të duhura në nivel vendi.

    “Gjatë vitit kemi bërë vizita në terren pas vërshimeve dhe kudo që shkojmë thonë që nuk mbahet mend që të ketë kësi lloj vërshimesh. Njëjtë ka qenë në Skenderaj, njëjtë këtu në Pejë. Ka pas vërshime për shkak të ndërtimeve, por niveli i tillë i ujit nuk ka qenë në të kaluarën. Duhet të kemi parasysh që ndryshimet klimatike që ndodhin e prekin edhe Kosovën. Ne do të kemi më pak ujë dhe do të kemi vërshime”.

  • KFOR-i i shpreh ngushëllime familjes së dy viktimave në Pejë

    KFOR-i i shpreh ngushëllime familjes së dy viktimave në Pejë

    KFOR-i i ka shprehur ngushëllime familjes së dy viktimave në Pejë.

    Ky mision këtë e ka bërë përmes një shkrimi në Twitter.

    “Komandanti i KFOR-it, në emër të gjithë personelit të Misionit, shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e dy qytetarëve që humbën jetën në përmbytjet në Pejë mbrëmë. Mendimet tona janë me njerëzit që po vuajnë nga kjo tragjedi”, thuhet në shkrim.

  • Arrestohet i dyshuari për vrajsen e vëllezërve në Gjakovë

    Arrestohet i dyshuari për vrajsen e vëllezërve në Gjakovë

    Është arrestuar i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Gjakovë.

    Arrestimi i tij është bërë në fshatin Zllakuqan të Klinës.

    Lajmin për Paparacin e ka konfirmuar Lumni Graishta, drejtor i Policisë së Kosovës në Gjakovë.

    Ai ka thënë se i dyshuari është gjetur i plagosur.

    “Ai është jashtë rrezikut për jetë. Por intervistomi ka qenë i pamundur”, ka thënë Graishta teksa tregoi që i dyshuari për merr trajtim mjekësor.

    Vrasja e rëndë ka ndodhur të dielën në ora 20:20 dhe sipas raportimeve të Policisë motivet dyshohen të jenë për shkaqe pronësore.

  • Lajçaku qartëson tri kërkesat e BE-së që ua paraqiti Kurtit e Vuçiqit

    Lajçaku qartëson tri kërkesat e BE-së që ua paraqiti Kurtit e Vuçiqit

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje lidhur me takimet në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Në një postim në Facebook ku ka treguar për aktivitetet e tij gjatë javës që po e lëmë pas, ai ka treguar se në emër të Bashkimit Evropian ua ka prezantuar të dy palëve tri elementet në të cilat duhen të fokusohen.

    Ai ka thënë se fillimisht nevojitet depërshkallëzimi i situatës, pastaj zgjedhjet e reja në veri dhe kthimi në Marrëveshjen e Ohrit.

    “Në emër të BE-së, pritshmëritë tona të qarta ua prezantuam të dyja palëve, të fokusuara në 3 elemente: 1/ depërshkallëzimi 2/ zgjedhje të reja në veri 3/ kthim në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar ai.

    Lajçak ka shtuar se në ditët në vijim do të qëndrojnë në kontakt të ngushtë me të dyja palët, duke shtuar se do të ndjekin nga afër zhvillimet në terren.

    “E nisa këtë javë me një vizitë në Uashington DC, ku u angazhova në diskutime produktive me kolegë dhe zyrtarë mbi situatën në Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjet tona të përbashkëta BE-SHBA. Ishte shumë e rëndësishme të isha në SHBA dhe të krahasoja shënimet me bashkëbiseduesit e mi gjatë kësaj kohe të ndjeshme. U takova me nënsekretaren e shtetit Victoria Nuland dhe këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet. Kemi ndarë një vlerësim të përbashkët për situatën në veri të Kosovës. Ne theksuam rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm dhe kthimit në dialogun e lehtësuar nga BE’, ka thënë ai.

    Ka shtuar se është takuar gjithashtu edhe me zëvendës-ndihmës Sekretarin Gabriel Escobar për të shkëmbyer shënime mbi situatën në rajon.

    Ka theksuar se vlerësohet shumë bashkëpunimi i ngushtë dhe mbështetja e fortë nga SHBA-ja.

    “Për më tepër, pata diskutime domethënëse me disa zyrtarë amerikanë, duke përfshirë Zëvendës Këshilltarin Kryesor të Sigurisë Kombëtare Jon Finer, Drejtoren e Lartë për Evropën Amanda Sloat, Senatorët Chris Van Hollen dhe Chris Murphy dhe Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare Celeste Wallander. Unë isha me fat që u takova edhe me 🇺🇳 Nënsekretaren e Përgjithshme të OKB-së Rosemary DiCarlo gjatë vizitës së saj të shkurtër në DC. Këto diskutime u rrotulluan rreth situatës së sigurisë, hapave të nevojshëm për de-përshkallëzimin dhe rrugës përpara si në Dialog ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”, ka shkruar tutje.

    Nga SHBA-ja ka thënë se është kthyer menjëherë në Bruksel për të ndihmuar Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell në mbledhjen e takimeve të menaxhimit të krizës me presidentin Aleksandër Vuçiq dhe Kryeministrin Albin Kurti.

    “Synimi ynë ishte të gjejmë një rrugëdalje nga situata në veri të Kosovës, e cila vazhdon të jetë shumë e tensionuar”, ka thënë ai.

  • Dy të vrarët në Gjakovë janë vëllezër

    Dy të vrarët në Gjakovë janë vëllezër

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndodhur një vrasje e dyfishtë në Gjakovë, saktësisht në fshatin Madanaj.

    Drejtori rajonal i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta ka bërë të ditur se njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri rrugës për në spital.

    Siç bëhet e ditur, viktimat janë vëllezër.

    “Bëhet fjalë për vrasjen e dy personave, vëllezër. Njëri ka vdekur në vendin e ngjarjes, e tjetri rrugës për spital. Për momentin s’kemi informata të tjera, deri më tani nuk ka të arrestuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00”, tha Graishta.

  • Pasojat nga BE-ja, Kosova rrezikon fonde për energjinë, mjedisin dhe infrastrukturën

    Pasojat nga BE-ja, Kosova rrezikon fonde për energjinë, mjedisin dhe infrastrukturën

    Më shumë se 62 milionë Euro është vlera e përgjithshme e mjeteve financiare që BE-ja u zotua t’i ndajë për Kosovën, në fund të vitit të kaluar, në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit – IPA III.

    Një pjesë e konsiderueshme e këtyre parave janë të dedikuara për përmirësimin e mjedisit, infrastrukturën për trajtimin e ujërave të zeza dhe energjinë e gjelbër.

    Në kuadër të mjeteve të zotuara në vlerë 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor për adresimin e krizës energjetike, BE-ja tashmë ia ka ndarë Kosovës 67.5 nga 75 milionë Eurot e fazës së parë.

    Ndërsa, 55 milionë të tjera janë të planifikuara për dy projekte të energjisë solare: parkun foto-voltaik të KEK-ut dhe atë të Termokosit për ngrohjen e kryeqytetit.

    Muajin e kaluar, Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, njoftoi se BE-ja – përmes instrumenteve të ndryshme – është zotuar t’i ndajë 635 milionë euro për investime në Kosovë.

    Atë ditë ai kishte lansuar projektin në vlerë 6 milionë Euro për forcimin e kapaciteteve të Kosovës për luftimin e krimit të organizuar.

    Pa dhënë detaje për vlerat financiare veç e veç, në një përgjigje për ATV-në BE-ja njoftoi se përmes Planit Ekonomik Investiv për Ballkanin Perëndimor, që në total synon mobilizim deri në 9 miliardë euro dhe synim për 20 miliardë investime në rajon, përfshihen disa projekte të mëdha infrastrukturore në Kosovë.

    “Plani Ekonomik Investiv përfshin projekte specifike të rëndësishme për Kosovën, të fokusuara në përmirësimin e lidhjes dhe furnizimit me energji. Këto projekte përfshinë një impiant për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën, gazsjellësin Maqedoni e Veriut-Kosovë, Autostradën e Paqes (Rruga 7) në segmentin Prishtinë-Merdare, Hekurudha 10 nga Mitrovica në Leshak në Kosovë, dhe përgatitjet për ndërtimin e hidro-sistemit Ibër-Lepenc Faza II”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Më në detaje, Bashkimi Evropian ka treguar vlerën e ndihmës financiare përmes fondeve IPA për Kosovën që nga viti 2007, që tejkalon vlerën 1 miliard euro.

    Në periudhën 2007-2013, BE-ja kishte ndihmoi Kosovën me 642 milionë Euro përmes IPA I dhe milionave të parë të IPA II.

    Ndërmjet viteve 2014-2020, në vazhdimësi të IPA II, investoi në Kosovë edhe 542 milionë euro.

    Më 2021 dhe 2022, në kuadër të fondeve IPA III, ka ndarë më shumë se 128 milionë euro.

    Përtej tyre, përmes Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor – WBIF, nga viti 2009, Kosova ka përfituar nga BE-ja grante në vlerë 263 milionë Euro në kuadër të investimeve në vlerë 860 milionë Euro.

    Së fundmi, BE-ja ka paralajmëruar pezullim të bashkëpunimit financiar nëse Kosova nuk përmbush kërkesat ndërkombëtare për shtensionim të situatës në veri. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • 43 milionë euro shpenzon MMPHI për 142 projekte

    43 milionë euro shpenzon MMPHI për 142 projekte

    Nëntë komuna të Kosovës nuk kanë fare plan strategjik, kurse vendi nuk ka hartë të përditësuar të rreziqeve nga lumenjtë dhe pellgjet. Pas vërshimeve tragjike në Pejë, këto të dhëna tingëllojnë edhe më dramatike, kur shikohet sa ka harxhuar shteti në projekte të ndryshme për lumenj.

    Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, duke u mbështetur në të dhënat e një auditimi pohon se Rreth 43 milionë euro shpenzoi Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për 142 projekte. Mirëpo, shumica e projekteve janë të papërfunduara ose janë punuar keq.

    “Fatkeqësisht ka rezultuar se projektet kanë pasur pozicione të paqarta që të përfundohen punët, janë bërë mospërputhje me faturat, ka pasur nisje të punimeve pa projekt, pa studim të fizibilitetit. Pa një të studim të fizibilitetit të mirëfilltë, pa hulumtim të pellgjeve lumore, pa i ditë pikat kritike ku mund të ketë mundësi për vërshime të mundshme, pa një harmonizim ndërinstitucional të nivelit lokal me atë qendror, pa trajtim të ujërave atmosferik gjendje të tilla do të na ndodhin”, tha Tishukaj-Sadiku.

    Ndërkaq, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte deklaruar në Kuvend se Ministria që ai drejton është duke bërë planin e menaxhimit për zvogëlimin e rreziqeve nga vërshimet, gjithashtu sipas tij, do të zhvillohen hartat e rrezikshmërisë nga vërshimet për të gjitha pellgjet në Kosovë, projekt ky i cili pritet të finalizohet në janar të vitit të ardhshëm.

    Deputetja Tishukaj Sadiku, pohon se humbjet në njerëz nuk kompensohen, por duhet nxjerrë mësime nga situata e rëndë.

    “Është nxjerr një mësim se si nuk duhet të veprohet në të ardhmen, ne e dimë që memoria institucionale është në vazhdimësi. Çdo projekt që fillohet nëse nuk ka kosto, nëse nuk reflektim, ato do të dështojnë. Sot familja që ka humbje të njerëzve çfarë do që themi nuk mund ta kompensojmë, sepse nëse auditori ka thënë që 9 komuna nuk kanë plan strategjik, kjo flet shumë, prandaj që ngjarje të tilla të mos përsëriten”, tha Tishukaj-Sadiku.

    Për shkka të të reshurave intensive, Kosova është ballafaquar me vërshime disa herë viteve të fundit. Komunat më të prekura nga vërshimet nga nëntori i vitit të kaluar janë Peja, Skenderaj, Mitrovica, Klina Istogu. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Krerë shtetërorë e institucional reagojnë pas tragjedisë në pejë

    Krerë shtetërorë e institucional reagojnë pas tragjedisë në pejë

    Krerë shtetërorë e institucional, kanë reaguar për tragjedinë që ndodhi mbrëmë në Pejë pas vërshimeve.

    Presidentja e vendit Vjosa Osmani teksa foli për vdekjen tragjike të dy qytetarëve, theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera që merren me emergjenca të tilla, janë në Pejë për të ofruar ndihme për qytetarët.

    “I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”, tha Osmani.

    Edhe kryetari i kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë reaguar pas tragjedisë në Pejë derisa kanë shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, dhe theksuan gatishmërinë për ndihmë të institucioneve të Kosovës.

    “Në këto momente qëndrojmë pranë familjarëve të viktimave, siç jemi pranë të gjithë qytetarëve të Pejës, të cilët kanë pësuar nga këto vërshime. Njësitet përkatëse të emergjencave me profesionalizmin e tyre janë duke ofruar ndihmën dhe punën e tyre deri në stabilizim të plotë të situatës”, tha Konjufca.

    “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë. Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve”, tha Kurti.

    Për situatën pas vërshimeve në Pejë ka reaguar edhe ambasadori i bashkimit Evropian në Kosovë Tomas Szunyog, teksa u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

    Gjatë ditës reagime ka pasur edhe nga liderët e partive politike, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria t’i shfrytëzoj të gjitha kapacitetet për ndihem familjeve të goditura nga vërshimet në Pejë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vdekjet e dy qytetarëve në Pejë, rrëfehen familjarët

    Vdekjet e dy qytetarëve në Pejë, rrëfehen familjarët

    Mes lotëve e trishtimit, Albert Ademaj, i afërm i dy viktimave, Dion e Mirsade Ademaj, tregon për humbjen e familjarëve të tij, që vdiqën si pasojë e përmbytjeve nga të reshurat që ndodhën mbrëmë në qytetin e Pejës.

    Derisa tregon për rastin, Alidemaj kritikon institucionet për mos ofrim të ndihmës së mirëfilltë.

    “Jemi të gjithë të shqetësuar, është tmerr, me vdek një nuse 26-vjeçare dhe një fëmijë 5-vjeçar, është katastrofë. Jemi munduar t’i shpëtojmë, gruan dhe djalin e vëllaut i ka tërhek një vrimë që e ka thyer murin. Jemi dalë t’i kërkojmë dhe pas një kohe e kemi gjet djalin e vëllait në një shtëpi më poshtë. Jemi munduar t’i japim ndihmën e parë, kemi thirr ambulanten, Policinë. Derisa e kemi pas djalin e vogël, askush nuk është ardhë hiç, as ambulanca e Policia, e kemi marrë vet dhe e kemi çua në spital, e aty nuk ka pas shenja për jetë, ka qenë i ngulfatur. Jemi kthyer në shtëpi dhe kam pyet nëse kanë hallakat për nënën e djalit, më thanë po kemi shikuar dhe kishin qenë dy policë”, tregoi Albert Ademaj, familjar i dy viktimave.

    Gjyshi i 5 vjeçarit, tha se pavarësisht përpjekjeve nuk arritën t’i shpëtonin të gjallë familjaret e tyre.

    “Shi ka rënë, ka rrëshit një pjesë e kodrës, e ka nxënë jazin, u mbush te vëllau oborri plot ujë, del, deri kur ka pas mundësi e ka mbajt muri, por më pas uji ka depërtuar brenda. Menzi i kemi shpëtuar dy fëmijët e tjerë, jemi munduar ta shpëtojmë nusen, sepse atë të voglin nuk e kemi pa askund, pastaj e kemi gjet në shtëpi të komshinjve, e nusen e kemi gjet në tretën shtëpi në podrum”, rrëfeu, Milaim Ademaj, familjar i viktimave.

    Ndërkaq, sipas të afërmve të tjerë, të tilla vërshime nuk mbahen mend të kenë ndodhur më parë.

    “Kjo është tmerrim, kurrë nuk ka ndodhë. Që 70 vjet i kam mbush këtu, dhe kurrë nuk ka qenë uji kështu. Rrugës me ecë uji kështu, e shpiat me ardhë në këtë gjendje, kurrë s’ka ndodhë”, tha Haki Rama, i afërm i viktimave.

    Derisa foli për ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmë në qytetin e Pejës, i pari i këtij qyteti Gazmend Muhaxheri tha se do të bëjnë rishikimin e situatës.

    “Përveç këtij rasti tragjik që kanë humbur nëna me fëmijë, këto tjera janë sende që rregullohen, por këto dy jetë nuk mund të kthehen. Ka ra shi shumë kohë të gjatë dhe mbrëmë ka qenë sasi e reshjeve që nuk ka ndodhur ndoshta për 50 vite. Duhet t’i bëjmë sajimet dhe të shohim çfarë do të bëjmë”, tha kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

    Si pasojë e reshjeve të shiut, mbrëmë në qytetin e Pejës, u shkaktuan përmbytje, ku përveç dëmeve në njerëz, pati edhe dëme të mëdha materiale. /atvlive.tv