ATV

Category: Lajme

  • Tre policët e kidnapuar kosovarë dalin sot para gjykatës në Serbi

    Tre policët e kidnapuar kosovarë dalin sot para gjykatës në Serbi

    Tre policët të cilët u kidnapuan në Kosovë nga autoritetet e Serbisë më 14 qershor, do të dalin sot para gjykatës së Kralevës.

    Seanca gjyqësore ndaj tre policëve do të nisë në orën 09:00.

    Më 16 qershor atyre iu caktua masa e paraburgimit, por Gjykata e Kralevës nuk tregoi se sa është periudha e paraburgimit për zyrtarët policorë të Kosovës.

  • ​Rama sot në Bruksel, fokus tensionet në mes Kosovës e Serbisë

    ​Rama sot në Bruksel, fokus tensionet në mes Kosovës e Serbisë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të udhëtojë këtë të hënë drejt Brukselit, ku do të takohet me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.

    Tensionet mes Kosovës e Serbisë dhe gjetja e rrugës për normalizimin e dialogut Prishtinë-Beograd, pritet të jetë në fokus të takimit mes Ramës e Michel.

    Udhëtimi i kreut të qeverisë në Bruksel vjen pas propozimit të draft-asociacionit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy Kosovës e Serbisë.

    Kujtojmë se më 8 qershor, kryeministri Edi Rama i ka dërguar një draft Presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si propozim për formimin e Asociacionit të komunave serbe.

    Rama e konsideroi Asociacionin si “nyjën gordiane” të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, teksa shtoi se drafti është punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe europianë prej kohësh.

    Sipas Ramës, drafti ishte dokument konfidencial dhe dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjitha rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

    Po ashtu, më 21 qershor, Rama u ka nisur sërish një letër Presidentit Emmanuel Macron, Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Presidentit të KE-së lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re konkrete.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me vranësira dhe kthjellime të herëpashershme.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 26 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Pejë me 28 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Shkodër me 33 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Situata e veriut dhe dialogu Kosovë-Serbi, mblidhen ministrat jashtëm e BE -së

    Situata e veriut dhe dialogu Kosovë-Serbi, mblidhen ministrat jashtëm e BE -së

    Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë sot për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe tensionet e fundit mes dy vendeve.

    Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, ministrat do të kenë “shkëmbim të mendimeve rreth dialogut Prishtinë-Beograd, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës”.

    Pritet që para ministrave të raportojë kryediplomati i BE-së, Josep Borell, dhe më pas të vazhdojnë diskutimet në këtë temë.

    Nuk priten konkluzione apo vendime formale, përveç diskutimit të masave që mund të marrë blloku evropian për t’i bindur palët që të marrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve.

    Bashkimi Evropian ka pritur se do të ketë ulje të tensioneve pas takimeve të fundit që Borrelli ka pasur me dy liderët në Bruksel, një javë më parë.

    Liderët nuk janë takuar me njëri-tjetrin, por vetëm me Borrellin, veç e veç.

    Tensionet në veri të Kosovës janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

    Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

    Tensionet janë rritur edhe më kur autoritetet e Serbisë i kanë arrestuar tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Kosova ka thënë se bëhet fjalë për rrëmbim, Serbia ka thënë se policët janë arrestuar në territorin serb

    Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës janë duke arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, që dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunën kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve që raportojnë nga veriu.

    Serbia dhe pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë i konsiderojnë këto arrestime si arbitrare.

    Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.

    Situata në Kosovë dhe dialogu i lehtësuar nga BE-ja do të jenë temë diskutimi edhe në disa takime tjera të nivelit të lartë në BE, këtë javë.

    Të martën i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak, dhe Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian në Drejtorinë për Zgjerim Jan Koopman, do të marrin pjesë në një diskutim në Parlamentin Evropian për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ky diskutim do të zhvillohet në Komisionin për Politikë të Jashtme.

    Aty pritet të flitet edhe për takimet e fundit të realizuara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por edhe për masat që Komisioni Evropian tashmë ka nisur t’i ndërmarrë ndaj Kosovës, si masë ndëshkuese për zhvillimet në veri.

    Deri më tani janë anuluar disa takime të përbashkëta mes Komisionit Evropian dhe Kosovës, që ekzistojnë në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

    Situata në Kosovë dhe procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jenë temë diskutimi edhe në takimin e Këshillit Evropian, pra samitin e liderëve të vendeve anëtare.

    Diçka e tillë, sipas diplomatëve të BE-së, tregon përkushtimin, por edhe shqetësimin që ka blloku për situatën në Kosovë dhe për raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.

    Nga këto takime pritet që Kosovës dhe Serbisë t’iu bëhet thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe kthimin në dialog.

    Por, dy vendeve pritet edhe t’iu tërhiqet vërejtja për pasojat që mund t’i kenë, në rast se nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive.

  • Guvernatorja e shtetit të Iowas, e viziton Kosovën

    Guvernatorja e shtetit të Iowas, e viziton Kosovën

    Guvernatorja e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds sot pritet ta vizitojë Kosovën.

    Reynolds do të pritet nga presidentja e vendit Vjosa Osmani rreth orës 9 e 30, ku do të nënshkruajnë marrëveshjen e marrëdhënies së shteteve simotra.

    Ajo do të zhvillojë edhe një takim me Ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.

    “Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, mirëpret nesër në takim, Guvernatoren e shtetit të Iowa-s, znj. Kim Reynolds”, thuhet në njoftim.

    Takimi Gërvalla- Reynolds pritet të nis nga ora 11:50 minuta në objektin e Qeverisë së Kosovës.

  • Mblidhet Kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Mblidhet Kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Sot do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

    Kjo mbledhje pritet të zhvillohet me fillim nga ora 12:00.

    Sipas njoftimit, pritet që të bëhet miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit.

    Rendi i ditës:

    Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
    Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 22 qershor 2023:
    Votimi i Projekt-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.
    III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 15 qershor 2023:

    Votimi për emërimin e dy (2) anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
    Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
    Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6, 7 prill dhe 7 qershor 2023:
    Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.
    Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur 20 prill 2023:
    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,
    Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
    Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 26 prill 2023:
    Votimi i Propozim Rezolutës nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.
    VII. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 maj 2023:

    Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,
    Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,
    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,
    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,
    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,
    Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.
    VIII. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të re:

    Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
    Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    Pyetjet parlamentare,
    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti në lidhje me çështjen: ”Përgjegjësia e tij në raport me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kroaci, z. Martin Berishaj”,
    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-139 për procedurën përmbarimore i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L-118,
    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,
    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-177 për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë,
    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore,
    Emërimi i kryesuesit dhe i një (1) anëtari të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit,
    Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
    Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

  • Mitsotakis fiton zgjedhjet në Greqi, Demokracia e Re siguron 158 deputetë nga 300

    Mitsotakis fiton zgjedhjet në Greqi, Demokracia e Re siguron 158 deputetë nga 300

    Kryeministri aktual i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka fituar një mandat të dytë për qeverinë e tij. Mitsotakis në zgjedhjet e mbajtura të dielën në Greqi, në një raund të dytë ka marrë shumicën e votave të qytetarëve grekë, 40.8%.

    Pas përfundimit të numërimit të votave Udhëheqësi i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis përshëndeti fitoren kumbuese të partisë së tij dhe u zotua se konservatorët do të vendosnin “qëllime të larta” për mandatin e tyre të dytë në krye të qeverisë greke.

    Duke parë një “shumicë të sigurt” me rreth 158 vende në Dhomën e Përfaqësuesve me 300 vende, Mitsotakis tha se votimi është një “mandat i fortë për të ecur më shpejt në rrugën e ndryshimeve të mëdha që i duhen këtij vendi”. “Synimet janë të larta.

    Një mandat i dytë mund ta transformojë Greqinë, me shëndet më të mirë publik falas, një vend të fuqishëm në vijën e parë të Evropës. Ne kemi planin dhe përvojën për ta realizuar atë”, tha ai. “Një mbështetje e tillë bujare,” shtoi Mitsotakis, duke falënderuar votuesit, “më bën të ndihem edhe më i detyruar t’i shërbej vendit me të gjitha fuqitë e mia.” Ai tha gjithashtu se nuk do të tolerojë “arrogancë apo sjellje mendjemadhe” dhe “do të luftojë çdo qëndrim që përçmon besimin e shoqërisë”.

    Ai tha se zgjedhjet e së dielës “mbyllin një rreth traumatik të gënjeshtrave dhe toksicitetit që e mbajti vendin prapa. Mediat greke flasin për një ndryshim drastik që do të pësojë kabineti Mitsotakis 2, ku shumë ministra do tua a lënë vendin figurave të reja, në Ministrinë e Jashtme, të Mbrojtjes, Shëndetësisë, duke pasur edhe një synim të rrisë numrin e grave në qeveri.

  • 26 qershori – Dita botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave

    26 qershori – Dita botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave

    Në të gjithë botën 26 qershori simbolizon Ditën ndërkombëtare të luftës kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave, e caktuar për herë të parë më 7 dhjetor 1987 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me qëllim për të shkuar drejt një shoqërie pa drogë.

    Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të paktën 15.3 milionë persona në të gjithë botën kanë probleme si rrjedhojë e përdorimit të narkotikëve.

    Të dhënat e UNODC tregojnë se rreth 200 milionë persona përdorin drogë të paktën një herë në vit, prej tyre 25 milionë konsiderohen si të varur nga drogat.

    Ndryshe, çdo vit, të paktën 200.000 persona vdesin nga sëmundje që janë të shkaktuara nga përdorimi i drogave.

  • Analistët: Rikthimi në dialog, i domosdoshëm

    Analistët: Rikthimi në dialog, i domosdoshëm

    Pas tensioneve në veri, rikthimi në tavolinën e dialogut në Bruksel paraqitet i ngadalësuar por jo edhe i pamundur. Kështu vlerësojnë analistët kosovarë, të cilët thonë se vështirësi do të ketë por që duhen përpjekje maksimale nga të dyja palët që të rikthehen aty ku ishin, në mënyrë që situatat të tejkalohen dhe të zgjidhen problemet.

    E enjtja e 22 qershorit i dërgoi kryeministrin e Kosovës e presidentin e Serbisë sërish në Bruksel. Këtë radhë nuk u ulën së bashku në tryezë diskutimi.

    Në takime të ndara me shefin për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së, Josep Borrell, palët diskutuan për të gjetur zgjidhjen në uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Por a ka gjasa që palët të kthehen në një tryezë të përbashkët?

    Njohës të çështjeve politike në Kosovë thonë se tensionet në veri e kanë ngadalësuar procesin e dialogut dhe se duhet kohë për t’u kthyer në pikën ku ishim para krizës në veri. Megjithatë, sipas tyre, rikthimi i shpejtë në dialog është i domosdoshëm për Kosovën.

    “Natyrisht që ngjarjet në veri e kanë ngadalësuar dialogun dhe e kanë cenuar trajektoren e tij dhe tash duhet energji shtesë që palët të kthehen në pikën ku ishin para këtyre ngjarjeve. Çështja është që tani kërkesat do jenë shumë më të qarta, më të drejtpërdrejta sepse nuk ka shumë kohë për të humbur”, tha Artan Muhaxhiri, analist.

    Sipas tyre, marrëveshja e Ohrit do të mbetet baza dhe do bëhet shumë presion që pikat e kësaj marrëveshjeje të zbatohen maksimalisht, pavarësisht situatës në të cilën ndodhemi.

    “Marrëveshja e Ohrit është orientimi kryesor për të gjithë, pra edhe për palët edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Do bëhet shumë presione që pikat nga ajo marrëveshje të respektohet maksimalisht dhe palët nuk kanë ndonjë mundësi që t’i bishtnojnë. Mund të gjenden modalitete të ndryshme por ajo do mbetet baza”, tha Muhaxhiri.

    Ndërsa , analisti Visar Xani tha se rikthimi i shpejtë i dialogut është domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën.

    “Rikthimi i shpejtë i dialogut dhe rikthimi i shpejtë në pikat e diskutimit për tu realizuar plani evropian ose marrëveshja e Ohrit është i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën. Pa marrë parasysh situatën në të cilën jemi për Kosovën është shumë më e favorshme që të ketë dialog, të ketë një marrëveshje finale që mundëson stabilitet dhe paqe, dhe të përmbyllë një proces të gjatë me dekada, sepse pa një marrëveshje finale nuk do të mund ti shfrytëzojmë të mirat e një dialogimi”, tha ai.

    Pas takimit të fundit me shefin e diplomacisë së BE-së, Kurti kishte deklaruar se e kupton nevojën për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, me një proces që paraprihet nga sundimi i ligjit.

  • Qeveria ndaloi mallrat serbe, shitësit menjëherë i rritën çmimet

    Qeveria ndaloi mallrat serbe, shitësit menjëherë i rritën çmimet

    Me një vendim politik, Kosova konsiderohet se i shkaktoi dëm Serbisë rreth 1 milion euro.

    Por nga dekreti i 15 qershorit që të ndalohet hyrja e mallrave serbe brenda Kosovës, Qeveria në Prishtinë po vlerësohet se bëri që të rriten përsëri çmimet e produkteve në treg.

    Vendimi po cilësohet populist e që ia shohin sherrin më së shumti konsumatorët.

    Shtrenjtimet janë evidente edhe për Dhomën e Tregtisë e Industrisë, që thekson edhe telashet e bizneseve per gjetjen e alternativave.

    Gjatë kësaj kohe janë bllokuar edhe mallra me origjinë evropiane, por që janë transportuar nga maunet me targa serbe, për çka Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane tha për Klan Kosova se me këto veprime po dëmtohet imazhi i Kosovës si treg jo i sigurt.