ATV

Category: Lajme

  • Dimal Basha e lë për tokë e pas divanit Deklaratën e Pavarësisë

    Dimal Basha e lë për tokë e pas divanit Deklaratën e Pavarësisë

    Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Adelina Grainca, ka publikuar sot një fotografi me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha.

    Ajo që ka tërhequr vëmendje në fotografi është se prapa divanit në zyrën e Bashës shihet e e lënë për tokë Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.

    Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, është dokumenti që u lexua dhe u nënshkrua më 17 shkurt 2008 në Prishtinë, duke shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

  • Peci i mbledh “strukturat” në Mitrovicë për të mohuar se është shuar “Guxo”: Tung e bafshit

    Peci i mbledh “strukturat” në Mitrovicë për të mohuar se është shuar “Guxo”: Tung e bafshit

    Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, përmes një video-adresimi, i është përgjigjur zërave së partia GUXO ‘’nuk ekziston’’ deklaratë e cila, siç ka thënë ai, thuhet ‘’qe pesë vite në studiot televizive’’.

    Peci, adresimin e tij e ka bërë nga një sallë në qytetin e Mitrovicë, ku shihen edhe persona të tjerë, të cilët, thotë ai, janë pjesë e kësaj partie.

    ‘’Qe pesë vite në studiot televizive vazhdimisht flitet se si partia GUXO nuk ekziston. Tash në prag të zgjedhjeve nacionale, na paska shpallur se jemi shu si parti. Për koincidencë unë jam në takim të zgjeruar me strukturat e partisë GUXO në Mitrovicë. Besoj që gjithë ata që e shohin këtë përbërje të GUXO’s në Mitrovicë mund të thonë se…’’, tha Peci derisa duatrokitjet e të pranishmeve ia ndërprenë fjalën.

    Ndryshe, ky reagim i Pecit, vjen pas disa largimeve që kanë ndodhur nga GUXO, e të cilët i janë bashkuar ish-presidentes Vjosa Osmani.

  • “3 probleme më pak”, nga Guxo reagojnë pasi Avdyli, Statovci e Reshitaj iu bashkuan Vjosa Osmanit

    “3 probleme më pak”, nga Guxo reagojnë pasi Avdyli, Statovci e Reshitaj iu bashkuan Vjosa Osmanit

    Sekretarja e Partisë “Guxo”, Triera Kasumi-Berisha, ka reaguar pas largimeve nga kjo parti, duke i krahasuar me largimet nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2018, disa prej të cilëve më pas u bashkuan në PSD.

    Haxhi Avdyli, Jeta Statovci dhe Albena Reshitaj i janë bashkuar ish-Presidentes Vjosa Osmani, për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Kasumi-Berisha ka thënë se largimet ishin të pritura, teksa ka thënë se për “Guxo” janë “vetëm 3 probleme më pak”.

    “Këto largimet e pritura nga Guxo me ritmin “nga një largim në ditë”, për nga forma dhe narrativi po ngjajnë jashtëzakonisht shumë me skenarin e largimeve nga LVV në janarin e vitit 2018. Ndryshojnë emrat e protagonistëve, por jo metoda dhe qëllimi. Sidomos jo qëllimi. Për Partinë Guxo, vetëm 3 probleme më pak. Me datën 7 qershor, qytetari i mençur i kësaj Republike, jo vetëm emrat por edhe ‘’bëmat’’ do ju mbajë mend”, ka shkruar Kasumi-Berisha.

  • Komuna e Rahovecit njofton se do të mbyllet parkingu te palestra sportive dhe hapësira brenda sheshit

    Komuna e Rahovecit njofton se do të mbyllet parkingu te palestra sportive dhe hapësira brenda sheshit

    Komuna e Rahovecit ka njoftuar se më 9 dhe 10 maj 2026 do të ketë kufizime të përkohshme për parkimin e automjeteve në qendër të qytetit, për shkak të punimeve që do të zhvillohen për lyerjen e rrethojës në sheshin qendror.

    Sipas njoftimit, gjatë këtyre dy ditëve, parkingu te palestra sportive, si dhe hapësira brenda sheshit, do të jenë të mbyllura për parkim.

    Komuna ka bërë thirrje për mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët, duke theksuar se masat po merren për mbarëvajtjen e punimeve dhe ruajtjen e sigurisë publike gjatë periudhës së realizimit të tyre.

  • Aeroplani gjigant që erdhi në Prishtinë, flet Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë

    Aeroplani gjigant që erdhi në Prishtinë, flet Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë

    Një aeroplan i tipit Antonov An-124, një prej aeroplanëve më të mëdhenj në botë, pa duke mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” më 6 maj.

    Arsyeja e uljes së këtij aeroplani në Kosovë, i cili përdoret për transport të mallrave, përfshirë edhe ato ushtarake, nuk dihet ende.

    Pas aludimeve se aeroplani është nisur nga një bazë ajrore në Gjermani, Radio Evropa e Lirë iu drejtua Ministrisë së Mbrojtjes të Gjermanisë, e cila nuk foli specifikisht për këtë fluturim në Prishtinë, duke thënë se “si çështje parimore dhe pavarësisht nga pyetja specifike, nuk komenton transportet ushtarake”, si dhe që përgjigja e saj nuk përbën as konfirmim e as mohim në lidhje me këtë fluturim.

    Ajo, megjithatë, tha se forcat e armatosura gjermane përdorin shërbimin e transportit të kompanisë Antonov.

    “…Kapacitetet e Antonov Logistics SALIS GmbH [përdoren] për dërgimin dhe furnizimin e forcave gjermane në kontekstin e mbrojtjes kombëtare dhe mbrojtjes së aleancës, menaxhimit të krizave ndërkombëtare dhe menaxhimit të rreziqeve dhe krizave kombëtare”.

    Menaxhimi i krizave ndërkombëtare (ICM) është një detyrë thelbësore e Forcave të Armatosura Gjermane (Bundesëehr), që synon parandalimin e krizave ndërkombëtare, menaxhimin e konflikteve dhe minimizimin e pasojave të krizave.

    Ndërkaq, autoritetet në Kosovë nuk folën për këtë rast.

    Sipas të dhënave zyrtare, të publikuara nga vetë kompania ajrore, Antonov Airlines është një degë e Antonov Company, me seli në Kiev, Ukrainë.

    Ndërmarrja shtetërore ukrainase operon një flotë të gjerë avionësh që transportojnë mallra, duke përfshirë pesë avionë të tipit An-124 Ruslan, që mund të bartin ngarkesa deri në 150 tonë.

    Dy prej këtyre aeroplanëve përdoren zyrtarisht përmes kompanisë Antonov Logistic SALIS GmbH, për të ofruar shërbime transportuese për NATO-n dhe vendet e Bashkimit Evropian për dërgimin e “mallrave emergjente në situata të krizës”.

    *Fotografitë: Arian Mavriqi

  • Spitali i Përgjithshëm i Pejës vendos rregulla të reja për vizitat, nga 12 maji ndryshon orari dhe hyrja për vizitorët

    Spitali i Përgjithshëm i Pejës vendos rregulla të reja për vizitat, nga 12 maji ndryshon orari dhe hyrja për vizitorët

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se duke filluar nga data 12 maj 2026 do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për vizitat tek pacientët e shtrirë, me qëllim rritjen e sigurisë për pacientët dhe stafin shëndetësor, parandalimin e përhapjes së infeksioneve brenda ambienteve spitalore dhe krijimin e qetësisë së nevojshme për trajtim e pushim.

    Në njoftimin e publikuar në Facebook, spitali ka theksuar se masat po ndërmerren për shkak të frekuentimit të madh dhe lëvizjeve të pakontrolluara brenda institucionit, të cilat, sipas spitalit, rrisin rrezikun e infeksioneve dhe e pengojnë procesin e trajtimit.

    “Me qëllim të rritjes së sigurisë për pacientët dhe stafin shëndetësor, parandalimit të përhapjes së infeksioneve brenda ambienteve spitalore, krijimit të qetësisë së nevojshme për trajtim dhe pushim të pacientëve, si dhe për të mundësuar mbarëvajtjen më efikase të punës në repartet spitalore, do të ndryshojë mënyra e realizimit të vizitave tek pacientët”, thuhet në njoftim.

    Sipas spitalit, hyrja e vizitorëve do të lejohet vetëm nga një hyrje.

    “Hyrja në spital për vizitorët do të bëhet vetëm nga një hyrje dhe atë hyrja e Bllokut Kirurgjik”, ka njoftuar Spitali i Përgjithshëm i Pejës.

    Po ashtu, është bërë e ditur se vizitat tek pacientët e shtrirë do të lejohen vetëm në një interval të caktuar kohor.

    “Vizitat tek pacientët e shtrirë lejohen vetëm nga ora 13:00 deri në ora 14:00”, thuhet më tej.

    Ndër rregullat e reja, spitali ka sqaruar se secilit pacient do t’i lejohet vetëm një përcjellës, ndërsa dalja e përcjellësit për furnizime apo nevoja të tjera do të lejohet vetëm në këto intervale: 08:00–09:00, 13:00–14:00 dhe 18:00–19:00.

    Spitali ka njoftuar gjithashtu se përcjellësi do të pajiset me bexh identifikues dhe do të jetë i obliguar ta bartë atë gjatë hyrje-daljeve në spital. Ndërkohë, lëvizja jashtë orarit të vizitave dhe jashtë intervaleve të paraparë për furnizime nuk do të lejohet.

    “Lëvizja jashtë orarit të vizitave dhe jashtë orarit të paraparë për furnizime nuk do të lejohet dhe dera do të jetë e mbyllur”, thuhet në njoftim.

    Në fund, Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke theksuar se masat synojnë mbrojtjen e shëndetit dhe ofrimin e kujdesit më të mirë për pacientët.

  • Komuna e Fushë Kosovës u bën thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët kundër fruthit

    Komuna e Fushë Kosovës u bën thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët kundër fruthit

    Komuna e Fushë Kosovës ka apeluar te prindërit që të sigurohen se fëmijët e tyre janë të vaksinuar sipas kalendarit të rregullt, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit kundër fruthit, si një nga format më të sigurta të mbrojtjes për shëndetin e fëmijëve.

    Në njoftimin e komunës thuhet se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe se mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë temperaturë të lartë, vështirësi në frymëmarrje, infeksione të mushkërive dhe pasoja të tjera shëndetësore.

    Sipas komunës, mbrojtja më e sigurt dhe më efektive kundër fruthit është vaksinimi i rregullt.

    Po ashtu, theksohet se vaksina MMR, e cila mbron kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, jepet sipas kalendarit të vaksinimit dhe ka rol të rëndësishëm në parandalimin e përhapjes së sëmundjes në komunitet.

    Komuna u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që imunizimi të jetë kryer me kohë.

    Në njoftim vlerësohet se “kujdesi dhe përgjegjësia jonë sot” janë mbrojtje për shëndetin e fëmijëve në të ardhmen, ndërsa theksohet se vaksinimi “shpëton jetë” dhe kontribuon në një komunitet më të shëndetshëm dhe më të sigurt për të gjithë.

  • Visar Azemi del me video: KEDS po i ndërron njehsorët, paratë e vjedhura duhet t’u kthehen qytetarëve centë më centë

    Visar Azemi del me video: KEDS po i ndërron njehsorët, paratë e vjedhura duhet t’u kthehen qytetarëve centë më centë

    Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sërish për çështjen e orëve të KEDS-it. Ai ka thënë se sot kompania turke është gjobitur edhe me 35 mijë euro të tjera për “vjedhje me njehsorët elektrikë”.

    Ai ka thënë se Prokuroria tashmë po merret me rastin dhe se paratë e duhet t’iu kthehen qytetarëve cent më cent.

    “Lajmi i mirë është që Prokuroria tashmë është duke u marrë me rastin.Por qytetarët nuk kanë nevojë për lajme. Kanë nevojë për drejtësi. Paratë duhet të kthehen cent më cent!”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    Edhe gjatë ditës së sotme, KEDS-i është gjobitur sërish nga Ministria e Industrisë me 35 mijë euro për vjedhjen me njehsorët elektrikë.

    Por kjo nuk është drejtësi. Sepse qytetarët janë dëmtuar me miliona euro. Dhe askush nuk po flet për kthimin e këtyre parave.

    Në vend që të ruhen provat, KEDS-i ka vazhduar me ndërrimin e njehsorëve, duke i fshehur dëshmitë dhe duke vendosur njehsorë të prodhimit kinez. Kjo është përpjekje për ta mbyllur skandalin.

    Lajmi i mirë është që Prokuroria tashmë është duke u marrë me rastin.

    Por qytetarët nuk kanë nevojë për lajme. Kanë nevojë për drejtësi. Paratë duhet të kthehen cent më cent!

  • Kandidati i AAK-së për kryeministër: Kosova duhet ta kthejë andrrën e saj

    Kandidati i AAK-së për kryeministër: Kosova duhet ta kthejë andrrën e saj

    Kandidati për kryeministër nga AAK, Ardian Gjini, ka bërë thirrje për rikthimin e unitetit dhe vizionit kombëtar, duke thënë se Kosova nuk guxon ta humbasë rrugën dhe ëndrrën e saj.

    Gjini riktheu në kujtesë vitet e vështira të 80-tave dhe 90-tave, kur populli i Kosovës, i bashkuar rreth një qëllimi të vetëm, këndonte “Besa-Besë” në Stadiumin e Prishtinës.

    “Kosova duhet me e kthy andrrën e vet. Ne e kemi pasur një ëndërr që nga fëmijëria. Atë ëndërr që nuk mundi ta thyente askush, as regjimet më shtypëse. Ishte pikërisht kjo ëndërr që prodhoi ata djem e ato vajza që luftuan për lirinë tonë,” u shpreh Gjini.

    Sipas tij, arritja e pavarësisë ishte vetëm një stacion, por populli duhet të vazhdojë të ushqejë vizionin për të ardhmen, pasi pa të, rrezikohet shtylla kryesore e shoqërisë: solidariteti.

    “Nuk guxon kush me e mbyt vizionin, sepse kur vdes vizioni, gjithçka tjetër shkapërderdhet. Solidariteti do të thotë që nëse ka vërshime në Kaçanik, të mërzitem unë në Gjakovë dhe anasjelltas. Pa ëndërr, ne fillojmë të mos e duam njëri-tjetrin, rriten ekstremizmat dhe nuk na intereson më e ardhmja e fëmijëve tanë pas 10 vitesh,” tha Gjini.

  • 35 zyrtarë të Policisë së Kosovës certifikohen nga FBI dhe DOJ/ICITAP

    35 zyrtarë të Policisë së Kosovës certifikohen nga FBI dhe DOJ/ICITAP

    Byroja Federale e Hetimeve (FBI), në koordinim me programin DOJ/ICITAP të Ambasadës Amerikane, zhvilloi dhe ofroi me sukses dy kurse trajnimi të përshtatura dhe specializuara – Inteligjenca për Praktikuesit dhe Teoria dhe Zbatimi i Inteligjencës për Mbikëqyrësit e Zbatimit të Ligjit – për Policinë e Kosovës.

    Kurset e njëkohshme përfunduan me një ceremoni zyrtare gjatë së cilës 35 punonjësve të Policisë së Kosovës iu dhanë certifikata, duke shënuar një përparim të rëndësishëm në kapacitetet profesionale në inteligjencën dhe analizën e zbatimit të ligjit.

    Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë Drejtori i Departamentit për Inteligjencë dhe Analizë, Gëzim Dibrani, Atasheu i DOJ-ICITAP në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Znj. Kimberly Riffe; instruktorë të FBI-së dhe një analist që punon krah për krah me agjencinë, zyrtarë të lartë nga Departamenti i Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës dhe këshilltarë dhe staf të ICITAP-it.

    Trajnimi paraqiti një kurrikulë gjithëpërfshirëse të përshtatur si për praktikuesit ashtu edhe për personelin mbikëqyrës, duke u përqendruar në metodologjitë bashkëkohore të inteligjencës, teknikat analitike, përpunimin e informacionit dhe analizën strategjike.

    Përmes angazhimit të drejtpërdrejtë me ekspertët e FBI-së, pjesëmarrësit forcuan kompetencat e tyre operacionale dhe rritën standardet profesionale në praktikat e inteligjencës dhe zbatimit të ligjit.Ky program u vlerësua gjerësisht për rëndësinë, zbatimin praktik dhe qasjen moderne mësimore, duke shërbyer si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin institucional.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj rritjes së vazhdueshme profesionale të personelit të saj përmes trajnimeve të nivelit të lartë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërkombëtar.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës shprehu mirënjohjen e saj të sinqertë për programin DOJ/ICITAP dhe Atasheun e Zbatimit të Ligjit të FBI-së, Brendan Collins, për kontributin e tyre në profesionalizmin dhe zhvillimin e aftësive në Policinë e Kosovës.