ATV

Category: Lajme

  • Foshnja 22-ditëshe dhe familja e saj humbin jetën nga bombardimet ruse

    Foshnja 22-ditëshe dhe familja e saj humbin jetën nga bombardimet ruse

    Një foshnjë vetëm 22-ditëshe, vëllai i saj 12-vjeçar dhe prindërit e tyre ishin në mesin e shtatë personave të vrarë nga predhat ruse në Ukrainën jugore të dielën.

    Bomba goditën shtëpinë e tyre në fshatin Shyroka Balka në Kherson, tha ministri i Brendshëm ukrainas Igor Klymenko.

    Në mesin e të vdekurve ishte gjithashtu një banor tjetër i fshatit dhe dy burra në fshatin fqinj Stanislav.

    “Terroristët duhet të ndalohen. Ata duhet të ndalohen me forcë. Ata nuk kuptojnë asgjë tjetër” tha Klymenko. “”

    Ministri ndau fotografi të pasojave të sulmit në Shyroka Balka, ku shiheshin trupat e atyre qe humbën jetën.

    “Trembëdhjetë të tjerë u plagosën nga granatimet”, shtoi ai.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të përditshëm drejtuar kombit dënoi sulmin “brutal” në Shyroka Balka.

    “Pesë persona u vranë” tha ai. “Midis tyre ishte një vajzë, vetëm 22 ditëshe. Vëllai i saj, vetëm 12 vjeç. Nëna Olesia… vetëm 39 vjeç, vdiq gjithashtu”, tha presidenti.

    Ai shtoi se kishte pasur 17 raportime për granatimet ruse vetëm në Kherson, dhe shumë të tjera më gjerë.

    “Ne nuk do të lëmë asnjë nga krimet e Rusisë pa përgjigje”, shtoi Zelensky.

  • Rifillojnë seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Rifillojnë seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalin përsëri sot (e hënë) para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre. Seancat rikthehen pas një pushimi tre javorë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të dëgjojnë dëshmitarin e radhës kundër tyre, të cilin e sjell Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës.

    Ky do të jetë dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë me radhë ndërsa ende nuk dihet nëse do të dëshmojë nën masa mbrojtëse të sigurisë apo me identitet të fshehur.

    Deri tani, në këtë proces gjyqësor të gjithë dëshmitarët janë dëgjuar në seanca private, përveç dëshmia e ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, dhe dëshmia e një oficeri britanik.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./

  • Nis sot Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

    Nis sot Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

    Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare do të nisë punimet sot (e hënë). Në edicionin e 41-të të tij, seminari do të ketë temë bosht “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”.

    Drejtori i seminarit, Bardh Rugova tregon për KosovaPress se edicioni i 41-të me radhë ka mbledhur rreth 250 pjesëmarrës.

    “Kemi një numër të madh të pjesëmarrësve dhe të të interesuarve për të marrë pjesë sivjet në seminar. Ata i ndajmë në dy grupe kryesore. Në grupin që do të vijnë në seminar për të ndjekur kurset e gjuhës, janë një numër prej 100-120 studentë dhe studiues, të cilët duan që ta mësojnë në nivele të ndryshme gjuhën shqipe për nevoja të mëtutjeshme studimore. Ky mund të themi që është fokusi ynë kryesor, për shkak që themi se numri më i madh i albanologëve të mëdhenj sot në botë janë që kanë kaluar nëpër këtë seminar… Pjesa e dytë e pjesëmarrësve të seminarit, që do të jenë rreth 130 të tjerë, janë studiues të cilët do të paraqiten me ligjërata, referime dhe kumtesa të ndryshme studimore. Kështu që janë dy grupe të ndryshme që kur i bëjmë bashkë janë 200-250”, thotë ai.

    Sivjet në Seminarin 41 të Prishtinës, përveç aktiviteteve tjera, do të mbahen nëntë ligjërata shkencore:

    – Muhamedin Kullashi: Çështjet e Kosovës në prizmat ndërkombëtarë, e martë, 15 gusht 2023, ora 11:00

    – Ranko Matasović: Imagining the Illyrian, E MARTË, 15 GUSHT 2023, ora 18:00

    – David Hosaflook: Shqipja në rrezik dhe rreziku i shqipes: vështrime rreth kontekstit të veprimtarisë letrare të protestantëve në viset shqiptare (Ligjërata mbahet në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë), e mërkurë, 16 gusht 2023, ora 11:30

    – Hivzi Islami (me bashkëpunëtorë): Vendbanimet e Kosovës, e enjte, 17 gusht 2023, ora 11:00

    – Oliver Jens Schmitt: Kosova dhe Shqipëria: dy rrugë të historisë shqiptare 1912 – 2023, e premte, 18 gusht 2023, ora 11:00

    – Konrad Cleëing: The basis of state building in Kosovo: from nationality to multiethnicity and back, e premte, 18 gusht 2023, ora 18:00

    – Edlira Macaj: Në poetikën mjedjane (Ligjërata mbahet në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në Shkup), e shtunë, 19 gusht 2023, ora 11:00

    – Stefano Canalis: Some remarks on ëord stress in Albanian, e martë, 22 gusht 2023, ora 11:00

    – Michiel de Vaan: Historical phonetics and the dialect split betëeen Geg and Tosk/ e mërkurë, 23 gusht 2023, ora 11:00

    Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studente/ë e studiues/e që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

  • Murati: Të moshuarit mbi 80 vjeç që s’mund të lajmërohen në zyret e pensioneve, po vizitohen nga ekipet mobile

    Murati: Të moshuarit mbi 80 vjeç që s’mund të lajmërohen në zyret e pensioneve, po vizitohen nga ekipet mobile

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se po vizitohen pensionistët mbi 80 vjeç që s’mund të paraqiten në zyret e shtetit për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që të vazhdojnë ta marrin pensionin.

    Murati shkroi në Facebook se ky program prej korrikut është shtrirë në të gjithë vendin.

    “Po vazhdojnë vizitat në shtëpi për pensionistët që janë mbi 80 vjeç apo që për shkaqe shëndetësore nuk mund të paraqiten fizikisht në zyret e pensioneve”, shkroi ministri.

    “Pas pilotimit me sukses të këtij programi, që nga muaji korrik e kemi shtrirë në të gjitha komuant, dhe tani ekipet mobile vizitojnë të gjithë ata që për shkak të moshës së shtyrë apo shëndetit e kanë të vështirë paraqitjen fizike në zyrat përkatëse”, shtoi Murati.

  • Kurti del në terren, jep detaje për tunelin që do të lidh Prizrenin me Tetovën

    Kurti del në terren, jep detaje për tunelin që do të lidh Prizrenin me Tetovën

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka vizituar sot Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari Shaqir Totaj.

    Në këtë takim, që kryeministri e cilësoi të përzemërt, u diskutua për një sërë çështjesh, përfshirë dy memorandumet e bashkëpunimit që tashmë i kanë Qeveria me Komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë.

    Në qendër të diskutimit ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë është edhe marrëveshja e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021, aks ky të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin tonë, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit.

    Po ashtu, ai tha se kryetarin Totaj e ka njoftuar se në javën që vjen do të dërgojnë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024.

    “Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtoj rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova”, tha kryeministri.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se ndihet mirë për një qasje shumë konstruktive dhe shumë pozitive karshi projekteve me interes nacional, derisa theksoi se si Komunë zotohen që për çdo gjë që ka nevojë dhe kanë mundësi të kontribuojnë, do të jenë të gatshëm që të kyçen në mënyrë konstruktive që të lehtësojnë dhe të mundësojnë realizimin e këtij projekti.

    “Unë jam shumë i sigurt që kemi hapësirë shumë të madhe për bashkëpunim në të gjitha lëmitë tjera dhe besoj që nuk do të mungojë gatishmëria nga asnjëra palë që ky bashkëpunim të vazhdojë, sepse do të ndikojë në performancë edhe të qeverisë qendrore edhe të qeverisë lokale” tha ai, duke shtuar se përfitimet do të jenë jo vetëm për qytetarët e Komunës së Prizrenit, por edhe më gjerë duke marrë parasysh reputacionin dhe rëndësinë që ka qyteti i Prizrenit për tërë rajonin edhe në këtë rast përafrimi me Komunën e Tetovës është një mundësi.

    Më pas kryeministri Kurti bashkë me zëvendësministrin Durmishi, dhe me deputetët e LVV, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj vizituan lokacionin në fshatin Struzhë ku pritet të kalojë një pjesë e rrugës Prizren-Tetovë dhe nga ku mund të shihet se ku do të bëhet tuneli që do të lidhë dy anët e rrugës.

    “Gjithashtu kryetarin Totaj e njoftova se në javën që vjen do të dërgojmë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024. Së bashku do të shkojmë që të vizitojmë sa më afër që mundemi vendin ku do të jetë dalja e tunelit, në Struzhë, që më pastaj do të lidhet me rrugë deri tek pjesa jugore, juglindore e daljes së Prizrenit në autostradë, në Vlashnje, që përbën rrugën e cila e lidhë në të ardhmen Prizrenin me daljen e tunelit”, ka deklaruar tutje Kurti.

  • Detaje nga operacioni “Goditja”, 72 persona u arrestuan, 34 armë u konfiskuan

    Detaje nga operacioni “Goditja”, 72 persona u arrestuan, 34 armë u konfiskuan

    Policia e Kosovës, njofton se ka hartuar dhe është në zbatim të operacionit “Goditja”, i cili ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

    Gjatë pesë ditëve (8 deri 12 gusht 2023) të realizimit të detyrave që rrjedhin nga ky urdhër, policia ka shtuar aktivitetet e saja në drejtim të goditjes së personave e grupeve që me veprimet e tyre, mund të bien ndesh me ligjet e vendit.

    “Gjatë kësaj kohe, me qëllim të ofrimit të një ambienti sa më të qetë, në zonat urbane është bërë shtimi i patrullave policore të njësiteve të ndryshme dhe janë shënuar aktivitetet si në vijim:

    • Janë realizuar 2154 Pika Kontrolli për Automjete, 730 prej tyre me radarë dhe alool-test,

    • Janë kontrolluar 12038 vetura,

    • Janë kontrolluar 229 lokale,

    • Janë arrestuar 72 persona, prej tyre 24 me urdhër-arreste nga gjykatat dhe

    • Janë konfiskuar 34 armë”, njofton policia.

    “Policia do të vazhdojë të kryejë dhe të realizojë pikat e parapara me këtë urdhër me qëllim që rastet kriminale dhe aktivitet tjera antiligjore të parandalohen dhe zvogëlohen sa më shumë”, vijon policia.

    Tutje, policia i fton të gjithë ata që posedojnë, ose janë prezent në situata ku mund të ketë shkelje ligjore, dukuri tjera tëndaluara, ku shfaqen situata ku mund të rrezikohet jeta e qytetarëve, ta lajmërojnë policinë.

  • Protestë në “mbrojtje” të Kurtit nga opozita dhe analistët

    Protestë në “mbrojtje” të Kurtit nga opozita dhe analistët

    Një protestë e quditshme është mbajtur sot në sheshin “Skenderbeu” të Prishtinës.

    Dhjetëra persona kanë “protestuar” në mbrojtje të Qeverisë Kurti, sikur kanë thënë nga opozita “jokonstruktive” dhe analistat televizivë.

    “Të sillen para gjyqi të gjithë analistët që janë kundër shtetit të Kosovës”, ishte një nga thirrjet, e protestës së thirrur nga një “qytetar nga Drenica” nëpërmes rrjeteve sociale.

  • Moti për pesë ditët në vijim

    Moti për pesë ditët në vijim

    Gjatë pesë ditëve në vijim, në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe më nxehtë.

    Prishtina Weather njofton se orëve të pasditës mund të ketë rrebeshe të shkurta shiu.

    Njoftimi i plotë:

    Kryesisht me diell dhe më nxehtë gjatë javës në vijim. Orëve të pasdites me mundësi për rrebeshe të shkurta shiu.

    13.08.2023 – Mot stabil parashihet gjatë javës vijuese mbi vend, ku do të ketë intervale më të gjata me diell. Ditën e martë, orëve të pasdites priten mundësi për zhvillime të ndonjë rrebeshi shiu me bubullimë. Mundësi për ndonjë rrebesh të shkurtër shiu mbeten edhe nga dita e mërkurë, por se më të lokalizuara përreth viseve malore. Temperaturat gradualisht shënojnë rritje me maksimale që shkojnë deri në 30C e 31C, ndërsa ato minimale zbresin në 14C e 16C.

    Niveli i ndotësve ajror do të jetë me indeks në vlera të pranueshme dhe të mira. Orëve të pasdites vende-vende rritje shënon ozoni sipërfaqësor, që mund të shtyjë indeksin të kaloj edhe në vlera mesatare të ndotjes, mirëpo përkohësisht.

    14.08 – Kryesisht me diell e më nxehtë.

    15.08 – Kryesisht me diell. Pasdite më vonë dhe mbrëmje mundësi për ndonjë rrebesh shiu me bubullimë.

    16.08 – Kryesisht me diell. Pasdite më vonë rreth zonave malore mundësi për rrebesh shiu me bubullimë.

    17.08 – Nxehtë e kryesisht me diell.

    18.08 – Kryesisht me diell. Pasdite më vonë mundësi për ndonjë rrebesh të shkurtë shiu rreth zonave malore.

    Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare 4-9m/s, kryesisht nga veriu e verilindja.

    Shtypja atmosferike mbetet në vlera më të larta mbi normale, me tendencë të rënies graduale.

  • Ahmeti në përvjetorin e 22-të të Marrëveshjes së Ohrit: Jemi më mirë se dje

    Ahmeti në përvjetorin e 22-të të Marrëveshjes së Ohrit: Jemi më mirë se dje

    Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka publikuar një video në Facebook me rasin e përvjetorit të 22-të të Marrëveshjes së Ohrit.

    Ahmeti në këtë video ndër të tjera ka thënë se pozita e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore është më e mirë se më parë.

    “Pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese më 2001, po tejkalohen edhe barrierat e fundit drejt barazisë së shumëkërkuar dhe të mohuar. Sot gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar, bashkë me të edhe universitete në gjuhën shqipe, janë zyrtare. Sot, shqiptarët i gjen gati në të gjitha dikasteret, por edhe duke drejtuar me përgjegjësi institucionet e vendit ku i demonstrojnë kapacitetet shtetdrejtuese.” – ka thënë Ahmeti.

    “Sot jemi pjesë e aleancës euroamerikane, jemi në NATO, po ndërtojmë edhe autostrada me Shqipërinë e Kosovën, me rajonin me të cilat edhe po unifikojmë kufijtë. Hapëm negociata për anëtarësim në BE dhe po përfundojmë skriningun”.

    “Prandaj nuk do të ndalemi. Sot në këtë përvjetor kujtojmë të gjithë dëshmorët, invalidët, veteranët, martirët dhe familjet e tyre, me ndërtimet më të larta. Sot padyshim jemi më mirë se dje, po punojmë që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja.” – ka thënë ndër të tjera ai.

  • Vizita e Kurtit nxit reagime, nisin hetimet për flamurin “Autochthonous” – Shkupi zyrtar kontakton ambasadorin e Kosovë

    Vizita e Kurtit nxit reagime, nisin hetimet për flamurin “Autochthonous” – Shkupi zyrtar kontakton ambasadorin e Kosovë

    Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në dy komunat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Tetovë e Çair.

    Vizita e Kurtit në dy komunat shqiptare ku takoi vetëm opozitën shqiptare atje, duke anashkaluar kështu zyrtarët qeveritarë nga radhët e shqiptarëve, ka nxitur reagime të shumta. Por reagime ka pasur edhe lidhur me vendosjen e flamujve “Autoctonis”.

    Kabineti i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut thekson se, mbi të gjitha, vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte një vizitë private. Siç raportojnë mediat atje, nga zyra e Kovaçevskit kanë njoftuar se MPB po merr masa për zbulimin e autorëve që kanë përdorur simbole të cilat i kanë cilësuar “të palejueshme” gjatë vizitës së Kurtit.

    “Në çdo rast, Zyra e Kryeministrit vlerëson se vendosja e flamujve që nuk janë flamuj kombëtarë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të shtetarëve të vendeve të huaja. Njëkohësisht, lloji i ikonografisë që vërehet në manifestim në prani të një përfaqësuesi të lartë të një shteti të huaj është i papërshtatshëm dhe i palejueshëm në një shtet anëtar të OKB-së dhe në një vend anëtar të NATO-s, dhe lidhur me këtë ju informojmë se SPB Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Kryeministrit.

    Po ashtu nga Zyra e Kryeministrit njoftuan se gjatë ditës ka kontaktuar me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, lidhur me ikonografinë e përmendur të përdorur gjatë vizitës private të kryeministrit të Kosovës në vend.

    Në të njëjtën kohë, kabineti i kryeministrit thekson se është i dënueshëm fakti që në manifestimin e organizuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është kënduar himni i Maqedonisë dhe nuk është vendosur flamuri kombëtar i Maqedonisë.