Policia e Kosovës njoftoi se janë arrestuar dy persona të dyshuar, për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Ata janë arrestuar për rastin e vdekjes së një gruaje që ka ndodhur të martën në Malishevë, e cila pasi që ka shkuar në një klinikë në Malishevë për ta hequr një dhëmb, i është komplikuar gjendja dhe e njëjta ishte dërguar pa shenja jete në QKUK.
Policia, njoftoi se të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Një burrë në Prishtinë ka raportuar në Polici se ishte rrëmbyer nga tre persona të panjohur.
“RRËMBIM/Prishtinë 21.08.2023-18:00. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se është rrëmbyer nga tre të dyshuar të panjohur”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Tutje, Policia njoftoi se viktima ka pranuar tretmanin mjekësor, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në emisionin “RTK Prime” nuk e ka saktësuar nëse versioni i blerjes së teksteve shkollore nga ana e prindërve dhe më pas rimbursimi i mjeteve përmes aplikimit në platformën ‘eKosova” do të jetë vendim përfundimtar i Qeverisë së Kosovës.
Ajo ka thënë se vendimi do të bëhet i ditur për publikun në dy ditët e ardhshme.
“Përfundimisht Qeveria do të sigurojë tekstet për fëmijët duke marrë përsipër të gjitha obligimet financiare sipas ligjit. Jemi duke e shqyrtuar, jemi me gjithçka gati. Vendimin përfundimtar do ta bëjmë publik nesër pasdite apo të enjten në mëngjes”, ka deklaruar Nagavci.
“Obligimi ligjor i Ministrisë së Arsimit është të siguroj librat nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Për nxënësit e klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë me kërkesën tonë në fund të vitit të kaluar shkollor, shkollat i kanë mbledhur ato në mënyrë që ato të përcillen te gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Nagavci.
Për prindërit të cilët nuk dinë të qasen në platformën shtetërore “eKosova” ajo ka thënë se do ta kenë të mundshme qasjen në një linjë telefonike prej së cilës do të mësojnë për mënyrat e përdorimit.
“Në tri vite nga 2016-ta janë shpenzuar nga buxheti i shtetit më shumë se 20 milionë euro. Në 5 vitet e fundit janë shpenzuar 54 milionë e 555 mijë e 780 euro. Pra s’po flasim për shuma të vogla, por dhjetëra mijëra euro që duhet të shfrytëzohen për tekste të mira për nxënës dhe pa asnjë abuzim”, ka thënë Arbërie Nagavci.
Nagavci: Platformën për rimbursim synojmë ta lansojmë të enjten
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se opsioni i blerjes së librave nga ana e prindërve e më pas rimbursimi i mjeteve për ta përmes platformës digjitale “eKosova” është formë e lehtë dhe që nuk sjellë telashe.
Ajo ka thënë se edhe me këtë variant, ministria i kryen detyrat me të cilat është e ngarkuar. Mbi këtë bazë, e para e arsimit në vend, ka thënë se nuk e di pse është bërë temë diskutimi kjo metodë.
“Kemi thënë se po e shqyrtojmë mundësinë që të gjithë prindërit të aplikojnë në eKosova, në një mënyrë shumë të thjeshtë do të listohen nga regjistri civil emri i prindërve, do të selektohet shkolla dhe do të shënohet numri i xhirollogarisë”, ka thënë Nagavci në “RTK Prime”.
Ajo ka theksuar se lansimi i platformës digjitale për rimbursimin e mjeteve për prindërit synohet të bëhet të enjten.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ndarë një fotografi të ndriçimit për herë të parë të Unazës së Brendshme të Prishtinës me sistemin e mençur.
“Prishtina jonë me Sistem të Mençur të Ndriçimit për herë të parë”, ka shkruar Rama.
“Vazhdojmë transformimin në Smart City”.
E kënaqur me këtë pamje ka qenë edhe nënkryetarja e kësaj komune, Donjeta Sahatçiu, e cila e ka ndarë të njëjtën pamje.
“Për herë të parë, ndriçuam unazën e brendshme të Prishtinës me sistemin smart. Që nga sonte, ndriçimi menaxhohet më shpejt e më lehtë”, ka shkruar ajo.
Policia zvicerane ka arrestuar dy shqiptarë që drejtonin një plantacion të paligjshëm kërpi në të cilin jetonin edhe ata.
Tani ata duhet të përgjigjen para autoriteteve, njofton gazeta zvicerane Le Canton27.ch.
Të premten në mëngjes, policia kantonale e Cyrihut kontrolloi një fabrikë të brendshme për kërpin CBD në Oberglatt ZH.
Sidoqoftë, në vend të kërpit të lejuar CBD, në këtë objekt u rritën rreth 550 bimë amë për prerje të paligjshme të kërpit THC.
Po ashtu në objekt policët kanë gjetur edhe dy shqiptarë (22 dhe 38 vjeç), derisa ky i fundit qëndronte ilegalisht në Zvicër. Dy burrat jetonin në objekt dhe, sipas njohurive të deritanishme, mund të kenë punuar atje për një klient ende të panjohur.
Tutje bëhet e ditur se bimët e kërpit u asgjësuan në mënyrë profesionale dhe uzina u çmontua.
Të dy burrat u raportuan për rritjen e marihuanës dhe i moshuari u akuzua gjithashtu për shkelje të ligjit federal për të huajt dhe integrimin dhe u dërgua në zyrën e prokurorit publik në Winterthur/Unterland.
KRU “Prishtina” njofton se sot (e mërkurë), do të realizohen punime teknike në rrjetin e ujësjellësit te lagja 038.
Me ç’rast do të mbesin pa furnizim me ujë nga ora 11:00-16:00 këto zona: Hajvalia, lagjja 038, lagja Qëndresa, lagjja Qershia, lagjja NIC, Priam Village, Swiss Village, zona industriale në Çagllavicë deri te hotel Emerald.
“Punimet realizohen për infrastrukturë më të mirë të rrjetit të ujësjellësit”, thuhet në njoftim.
Për dy javë janë arrestuar 155 persona ndërsa janë konfiskuar 54 armë gjatë realizimit të urdhrit operativ “Goditja”, të cilin është duke e zbatuar Policia e Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar 35 mijë e 324 vetura dhe 420 lokale.
Sipas njoftimit të Policisë, janë realizuar edhe 6 mijë e 29 pika kontrolli për automjete, 1765 prej tyre me radarë dhe alkool-test.
Policia ka bërë të ditur se zbatimi i këtij urdhri do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Në ditën e dytë të vizitës në Athinë, kryeministri Albin Kurti u prit në një takim dypalësh, në pallatin Maximos, nga homologu grek Kyriakos Mitsotakis.
Në komunikatat pas takimit, kryeministritë e të dyjave vendeve nuk përmendën njohjen eventuale të Kosovës – ndonëse thanë se Kurti e Mitsotakis folën për thellim të marrëdhënieve, veçmas të atyre ekonomike.
Dialogu Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, u përmend si temë diskutimi në të dyja komunikatat.
“Biseduan edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
“Në takimin e Kyriakos Mitsotakis me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është diskutuar për vazhdimin e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe me theks në bashkëpunimin ekonomik. Kryeministri nënvizoi rëndësinë që Greqia i kushton dialogut Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Greqisë.
Për takim dypalësh nuk u njoftua, por në darkën jo-zyrtare në Athinë kryeministri Albin Kurti pati një shtrëngim duarsh me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Me liderët e Greqisë dhe Ukrainës, takime bilaterale pati presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, i cili tha se pozicioni i dy shteteve jo-njohëse të Kosovës nuk ka ndryshuar.
Për takimin me Vucicin, Zelenskyt i reagoi deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko.
“Serbia është aleat i Rusisë. Ne nuk do të mund ta tërheqim Serbinë në anën tonë. Dhe kjo, jo pse ne jemi aq të këqij, por sepse populli i Serbisë mbështetë Rusinë me një shumë të pabesueshme. Atëherë, a duhet të takohemi? Po, sigurisht. A duhet të bëjmë kompromis me parimet tona? Jo. Ukraina, duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Goncharenko.
Goncharenko mori mbështetje edhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.
“Saktësisht, ka shumë të ngjarë që Vucic u pajtua të takohet me Zelenskyn që kryesisht të bëj presion ndaj Ukrainës: armë për mosnjohje të Kosovës. Shpresoj që Zelensky ta kuptoj se çfarë rreziku politik mund t’i sjellë një marrëveshje e tillë. Pavarësia e Kosovës dhe stabiliteti janë po ashtu interes i Ukrainës”, ka shkruar Von Cramon.
Të hënën mbrëma, në Samitin e Athinës, Kosova u bw pjesw e deklaratës së përbashkët të shteteve Ballkanike që mbështesin Ukrainën dhe të ardhmen e saj evropiane.
Vetëm 60 aktivitete nga 175 i ka realizuar Qeveria në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit.
Lëvizja Fol ka publikuar të dhënat nga monitorimi i realizimit të aktiviteteve të parapara për gjysmën e parë të vitit në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim 2023-2025.
Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli tha se në analizimin e gjashtëmujorit të parë të Planit Kombëtar për Zhvillim të Qeverisë, kanë vërejtur mangësi të shumta.
“Elementet kryesore të Planit Kombëtar për Zhvillim janë: qëllimet zhvillimore dhe strategjike të shoqëruara me tregues të ndikimit dhe tregues kryesor të rezultateve, masat strategjike të shoqëruara me tregues të rezultateve, veprimet e shoqëruara me tregues të produkteve, peshimi i masave strategjike dhe veprimeve, afatet kohore, buxheti dhe elemente tjera më pak të rëndësishme. Aktivitetet e parapara në PKZh nuk korrespondojnë me programin legjislativ për vitin 2023. Për shembull, Ministria e Shëndetësisë në Planin Legjislativ, gjithashtu ka paraparë 5 projektligje, mirëpo asnjëra nuk është përfshirë në Planin Strategjik Kombëtar”, tha ajo.
Ndërkaq hulumtuesja e lartë në Lëvizjen FOL, Albani Hasani prezantoi realizimin e këtyre aktiviteteve për secilën ministri. Rezulton se Zyra e Kryeministrit ka realizuar vetëm 13 aktivitete.
“Zyra e Kryeministrit, pa përfshirë edhe agjencitë varëse në Planin Kombëtar për Zhvillim ka paraparë realizimin e 47 aktivitete, ndërsa deri në fund të muajit qershor ka arritur të realizojë vetëm 12 prej tyre”, tha Hasani.
Ndërkaq, sipas Lëvizjes Fol, përveç zyrës së kryeministrit në realizimin e aktiviteteve nuk qëndrojnë më mirë as ministritë. Asnjëra prej tyre nuk arriti të përfundoi as gjysmën e aktiviteteve të parapara.