ATV

Category: Lajme

  • Ministri Dukaj: Deklarata kundër Kosovës, sulm ndaj institucioneve dhe tejkalim i kompetencave lokale

    Ministri Dukaj: Deklarata kundër Kosovës, sulm ndaj institucioneve dhe tejkalim i kompetencave lokale

    Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj, ka reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Zetës, i cili miratoi një deklaratë për “shfuqizimin” e njohjes së Kosovës në territorin e asaj komune, duke e cilësuar këtë veprim si një hap prapa në ndërtimin e së ardhmes evropiane të Malit të Zi.

    Përmes një postimi në rrjetin social X, Dukaj tha se nuk është i befasuar nga deklarata e Kuvendit të Komunës së Zetës për anulimin e vendimit shtetëror për njohjen e Republikës së Kosovës.

    Ai theksoi se, pa hyrë në aspektet kushtetuese dhe juridike që këtij akti politik nuk i japin karakter detyrues, bëhet fjalë për një përpjekje për të marrë kompetenca që nuk i takojnë pushtetit lokal dhe për ndërhyrje në marrëdhëniet e mira fqinjësore, të cilat, sipas tij, janë një nga objektivat kryesore të shtetit.

    “Në vend që komuna më e re të përqendrohet në krijimin e kushteve më të mira për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj, po dëshmojmë përpjekje për dobësimin e institucioneve përmes devijimeve brenda sistemit, të motivuara nga interesa të ngushta politike dhe strategji gjeopolitike të lidhura me to”, deklaroi Dukaj.

    Në fund, ai vlerësoi se ky veprim përbën “një hap prapa në ndërtimin e së ardhmes evropiane”, duke paralajmëruar se iniciativa të tilla mund të dëmtojnë orientimin proevropian dhe stabilitetin institucional të vendit.

  • AKR-ja nuk garon në zgjedhjet e 7 qershorit

    AKR-ja nuk garon në zgjedhjet e 7 qershorit

    Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.

    Në një njoftim për media, ky subjekt politik ka thënë se në këtë fazë nuk e konsideron garimin në procese zgjedhore.

    “Ky është një vendim i menduar me përgjegjësi dhe me fokus të plotë tek e ardhmja e AKR-së. Në periudhën në vijim, energjia jonë do të përqendrohet në ristrukturimin e tërësishëm të partisë, riorganizimin e brendshëm, krijimin e një platforme të hapur për ide dhe hartimin e një programi modern që adreson realisht sfidat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës.”, thuhet në njoftim.

    AKR-ja ka deklaruar se qytetarët kanë nevojë për një alternativë serioze, profesionale dhe të besueshme politike.

    “Prandaj, ky proces reformimi synon ta pozicionojë AKR-në si një forcë politike për të gjithë ata që kanë humbur besimin tek politika dhe tek mënyra se si është bërë politika deri më sot.”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

  • Ende pa emra nga PDK-ja, ja kush prijnë në 10-shën e listave të partive tjera

    Ende pa emra nga PDK-ja, ja kush prijnë në 10-shën e listave të partive tjera

    Teksa partitë politike në Kosovë kanë nisur publikimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, Partia Demokratike e Kosovës ende nuk e ka zyrtarizuar listën e plotë, ndonëse në media tashmë kanë qarkulluar emrat e kandidatëve kryesorë të saj.

    Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë kanë publikuar listat e plota me emrat e kandidatëve që do të garojnë për Kuvendin e Kosovës.

    Në top 10 e listës së Lëvizjes Vetëvendosje janë këta emra: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avndi Dehari, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari-Lila, Hajrulla Çeku dhe Shqipe Mehmeti-Selimi.

    Në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në top 10 e parë janë renditur këto figura: Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Albena Reshitaj, Ukë Rugova, Jeta Statovci dhe Anton Quni.

    Top 10 e listës së tyre janë: Ardian Gjini, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj, Bekë Berisha, Arbër Tolaj, Albana Bytyqi, Burim Ramadani, Avni Arifi, Diellza Kukaj dhe Agim Çeku.

    Ndërsa sipas informacioneve të publikuara deri më tani, në listën e Partisë Demokratike të Kosovës pritet të jenë: Bedri Hamza, Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Përparim Gruda, Arian Tahiri, Blerta Deliu, Ganimete Musliu e emra të tjerë.

    Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka përfunduar mbrëmë.

    KQZ-ja ka bërë të ditur se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë për Kuvendin e Kosovës do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit institucional, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

    Sipas KQZ-së, përmes këtij procesi do të shqyrtohet nëse kandidatët i plotësojnë kriteret ligjore për certifikim, bazuar në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshëm.

  • Kush është Milan Knezheviq, politikani proserb në Mal të Zi që çoi përpara iniciativën për “çnjohjen” e Kosovës

    Kush është Milan Knezheviq, politikani proserb në Mal të Zi që çoi përpara iniciativën për “çnjohjen” e Kosovës

    Kuvendi i Komunës së Zeta ka miratuar një deklaratë me të cilën është shfuqizuar vendimi për njohjen e Kosova, duke rikthyer në qendër të debatit një nga temat më të ndjeshme politike në Mali i Zi.

    Nisma është shtyrë nga kreu i Partia Demokratike Popullore, Milan Knezheviq, i cili prej kohësh kërkon që çështja e njohjes së Kosovës të rikthehet në agjendën politike të vendit, me synimin për ta çuar më pas debatin edhe në Parlamentin e Malit të Zi.

    Megjithatë, juridikisht, deklarata e miratuar nga Kuvendi Komunal i Zetës nuk prodhon efekte ligjore mbi statusin ndërkombëtar të Kosovës apo mbi politikën e jashtme të Malit të Zi. Sipas sistemit kushtetues të këtij shteti, komunat nuk kanë kompetenca për njohje apo çnjohje shtetesh, pasi politika e jashtme është kompetencë ekskluzive e institucioneve qendrore.

    Por në realitetin politik të Ballkanit, veprimet simbolike shpesh marrin peshë më të madhe sesa vetë efekti juridik. Pikërisht në këtë kontekst po interpretohet edhe vendimi i Zetës, si një lëvizje me mesazh të fortë politik, e orientuar drejt mobilizimit të elektoratit proserb dhe rritjes së presionit publik ndaj institucioneve shtetërore në Podgoricë.

    Knezheviq prej vitesh përdor temat identitare si instrument politik. Sa herë skena politike në Mal të Zi hyn në periudha tensioni apo pasigurie, në plan të parë rikthehen tema si Kosova, Serbia, NATO apo raportet me Rusinë. Këto çështje vazhdojnë të prodhojnë polarizim të fortë në shoqërinë malazeze dhe mobilizojnë bazën nacionaliste serbe në vend.

    Në prapavijë mbetet përplasja e vazhdueshme mes dy vizioneve për të ardhmen e Malit të Zi. Njëra palë mbështet kursin euro-atlantik dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, ndërsa pala tjetër kërkon lidhje më të forta politike, kulturore dhe strategjike me Serbia dhe Rusia.

    Knezheviq konsiderohet një nga figurat kryesore të kampit proserb dhe proruz në Mal të Zi. Për këtë arsye, iniciativa për “çnjohjen” e Kosovës po shihet më shumë si sinjal politik sesa si proces real institucional.

    Vetë lideri i DNP-së ka paralajmëruar se synon që çështjen ta çojë edhe në Parlamentin e Malit të Zi, duke kërkuar nga qeveria të tërheqë njohjen e Kosovës.

    Por pikërisht në këtë pikë nis përplasja me realitetin politik dhe ndërkombëtar të Malit të Zi. Ky shtet e ka njohur Kosovën në vitin 2008 dhe ky vendim konsiderohet pjesë e orientimit të tij strategjik euro-atlantik. Një tërheqje eventuale e njohjes do të kishte pasoja serioze diplomatike për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.

    Po ashtu, një zhvillim i tillë do të mund të prodhonte tensione të reja të brendshme në një shoqëri që vazhdon të mbetet thellësisht e ndarë në çështjet identitare dhe gjeopolitike.

    Shumë analistë në Mal të Zi e konsiderojnë të pamundur që kjo iniciativë të përkthehet lehtë në vendim shtetëror, por paralajmërojnë se vetë debati mund të ketë pasoja politike të konsiderueshme, duke rritur polarizimin dhe duke vendosur nën presion partitë e qendrës dhe qeverinë që të pozicionohen qartë.

    Emri i Milan Knezheviqit vazhdon të lidhet edhe me episodin e vitit 2016, kur autoritetet malazeze pretenduan për një tentativë grushti shteti në ditën e zgjedhjeve parlamentare, me përfshirjen e nacionalistëve serbë dhe elementëve rusë.

    Edhe pse proceset gjyqësore më pas përfunduan me anulime të vendimeve të mëhershme, ajo ngjarje vazhdon të konsiderohet simbol i përplasjes për orientimin strategjik të Malit të Zi mes Perëndimit dhe ndikimit serbo-rus.

    Për mbështetësit e tij, Knezheviq paraqitet si figurë që kundërshton politikat që ata i konsiderojnë të imponuara nga Perëndimi. Për kundërshtarët, ai mbetet simbol i një politike që harmonizohet më shumë me interesat e Beogradit dhe Moskës sesa me kursin euro-atlantik të Podgoricës.

    Në këtë mënyrë, edhe pse deklarata e Zetës nuk ka efekt praktik mbi statusin e Kosovës, ajo po shihet si një zhvillim me ndikim të madh politik dhe simbolik në Mal të Zi, duke rikthyer edhe një herë në qendër të debatit çështjet identitare, raportet me Serbinë dhe drejtimin strategjik të shtetit malazez. /geopost

  • Ulen temperaturat, sot vranët e me shi

    Ulen temperaturat, sot vranët e me shi

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira dhe më ftohtë.

    Vende-vende parashihen reshje shiu dhe mund të ketë edhe rrebeshe lokale pak më të theksuara në Dukagjin.

    Reshje lokale shiu priten edhe në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi, ndërsa në disa zona parashihet edhe ndonjë rrebesh lokal shiu me vetëtima dhe bubullimë. Nuk do mungojnë intervalet kohore me diell, por vranësirat do të jenë më dominante.

  • Iker Casillas kundër rikthimit të Mourinhos te Real Madridi

    Iker Casillas kundër rikthimit të Mourinhos te Real Madridi

    Ish-kapiteni i Real Madrid, Iker Casillas, ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij ndaj mundësisë së rikthimit të José Mourinho në stolin e klubit madrilen.

    Pavarësisht se Mourinho është aktualisht nën kontratë me Benfica deri në vitin 2027, raportimet e fundit sugjerojnë se trajneri portugez mund të rikthehet te “Los Blancos” pas përfundimit të sezonit 2025/26.

    Mourinho e kishte drejtuar Real Madridin nga viti 2010 deri në 2013, periudhë gjatë së cilës fitoi La Ligën dhe Kupën e Mbretit. Pas aventurës në Madrid, ai drejtoi klube të mëdha si Chelsea, Manchester United, Tottenham Hotspur, AS Roma dhe Fenerbahçe.

    Raportimet për tensione në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, përfshirë përplasjen mes Aurélien Tchouaméni dhe Federico Valverde, kanë shtuar zërat se klubi ka nevojë për një figurë autoritare si Mourinho.

    Megjithatë, Casillas nuk është dakord me këtë ide. Ish-portieri madrilen reagoi të martën në rrjetet sociale, duke dhënë mendimin e tij për situatën në klub.

    “Kur Real Madridi kalon dy sezone pa fituar një titull, atëherë është koha për t’u shqetësuar. ‘Clásico’ ishte i vështirë edhe para se të fillonte të luhej”, shkroi Casillas.

    Ai shtoi se klubi duhet të fokusohet te sezoni i ardhshëm, por e bëri të qartë se nuk e dëshiron rikthimin e Mourinhos në Madrid.

    “Unë nuk kam asnjë problem me Mourinhon. Ai më duket një profesionist i shkëlqyer. Nuk e dua atë te Real Madridi. Mendoj se trajnerë të tjerë do të ishin më të përgatitur për të drejtuar klubin e jetës sime. Mendim personal. Asgjë më shumë”, deklaroi Casilla

  • Varroset Rifat Stojkaj, zyrtari i AAK-së që humbi tragjikisht jetën në aksident

    Varroset Rifat Stojkaj, zyrtari i AAK-së që humbi tragjikisht jetën në aksident

    Drejtori i Komunës së Deçanit dhe zyrtari i AAK-së, Rifat Stojkaj, është varrosur sot në vendin e tij të lindjes pasi ka humbur tragjikisht jetën në një aksident trafiku.

    Në ceremoninë e varrimit kanë qenë të pranishëm një numër i madh i njerëzve, përfshirë edhe krerët e AAK-së.

    “Familjes Stojkaj, miqve dhe kolegëve, iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj të gjejnë forcë e durim për ta përballuar këtë dhimbje të madhe”, ka shkruar Ramush Haradinaj.

  • Adelina Tërshani i bashkohet LVV-së, Kurti: Përfaqëson një zë intelektual dhe kritik

    Adelina Tërshani i bashkohet LVV-së, Kurti: Përfaqëson një zë intelektual dhe kritik

    Aktivistja feministe në Kosovë, Adelina Tërshani i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, njoftoi kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.

    Kryeministri në detyrë njoftoi në një postim në Facebook se ajo “do të jetë edhe kandidate për deputete”.

    “Me kënaqësi njoftojmë bashkimin e Adelina Tërshanit me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e cila do të jetë edhe kandidate për deputete në legjislaturën e ardhshme. Si aktiviste e njohur feministe dhe autore, Adelina sjell një përvojë mbi dhjetëvjeçare në mbrojtje të të drejtave të grave, të rinjve dhe komuniteteve të margjinalizuara, duke i bashkuar kauzat sociale me punën konkrete në terren dhe hulumtimin e politikave publike”, shkroi Kurti.

    ​”Me formim akademik në Gazetari dhe Menaxhim të Konflikteve, studime të kryera në Itali, ajo përfaqëson një zë intelektual dhe kritik që e pasuron programin tonë për drejtësi shoqërore. Përmes angazhimit të saj në institucione dhe artit si formë rezistence, Adelina do të vazhdojë betejën për barazi edhe brenda Kuvendit të Kosovës”, shtoi ai.

  • Për herë të parë Specialja publikon pamjet nga brenda burgut në Hagë ku mbahen Thaçi dhe të tjerët

    Për herë të parë Specialja publikon pamjet nga brenda burgut në Hagë ku mbahen Thaçi dhe të tjerët

    Dhomat e Specializuara kanë publikuar pamje nga ambientet ku të paraburgosurit në Hagë kalojnë kohën e tyre, përfshirë fitnesin, këndin e qëndrimit ditor ku mund të socializohen dhe dhomën e dedikuar për takime me familjarë, shkruan Express.

    Sipas njoftimit të Speciales, personat që qëndrojnë në paraburgim kanë qasje në ajër të pastër dhe gjiashtu kanë hapësirë për shërbesa fetare.

    “Të pandehurit që janë të paraburgosur para ose gjatë gjyqit të tyre në Dhomat e Specializuara të Kosovës mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Atje, ata kanë qasje në ajër të pastër dhe ushtrime, mund të shoqërohen, të presin vizitorë dhe të marrin pjesë në shërbesa fetare.

    Paraburgimi para ose gjatë një gjyqi bëhet vetëm kur është e nevojshme për të parandaluar një rrezik të konsiderueshëm, p.sh. rreziku që i pandehuri të përpiqet të frikësojë ose të ndikojë në dëshmitarë. Çdo dy muaj, Gjyqtarët e Gjyqit të Specializuar të Kosovës do të rishikojnë paraburgimin për të shqyrtuar nëse paraburgimi është ende i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njofitm.

  • IKSHPK: Për një muaj janë konfirmuar 14 raste të fruthit, vaksinoni fëmijët – rreziku për komplikime është serioz

    IKSHPK: Për një muaj janë konfirmuar 14 raste të fruthit, vaksinoni fëmijët – rreziku për komplikime është serioz

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se në periudhën 16 prill – 12 maj 2026, në Kosovë janë konfirmuar katërmbëdhjetë raste të fruthit, dhe se, sipas komunave numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Ferizajt pesë raste, Prishtinës tre raste, Kaçanikut tre raste dhe me nga një rast komunat: Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.

    Tutje, shtohet se, të tha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuar me vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubellës si dhe kanë marrë trajtim spitalor, që dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.

    ‘’ Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare në komunën përkatëse’’, thuhet në reagim.

    Postimi:

    Situata epidemiologjike me fruth – përditësim

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se në periudhën 16 prill – 12 maj 2026, në Kosovë janë konfirmuar katërmbëdhjetë (14) raste të fruthit.

    Sipas komunave: numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Ferizajt pesë (5) raste, Prishtinës tre (3) raste, Kaçanikut tre (3) raste dhe me nga një (1) rast komunat: Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.

    Të gjitha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës) si dhe kanë marrë trajtim spitalor, që dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.

    Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare në komunën përkatëse.

    Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të dyshimta në fruth, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore.

    IKSHPK dhe institucionet shëndetësore janë duke bërë mbikëqyrjen aktive të situatës epidemiologjike dhe në gatishmëri të plotë për të menaxhuar situatën përmes ofrimit të shërbimeve të nevojshme për qytetarët. Paralelisht, po zbatohen masa konkrete në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin aktiv të prindërve për t’i sjellë fëmijët për vaksinim, si dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinimin me bazë në komunitet (derë më derë), në zonat me mbulueshmëri më të ulët të vaksinimit.

    IKSHPK rikujton se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Çdo vonesë në vaksinim e rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme dhe komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar.

    Mbrojtja e shëndetit publik është përgjegjësi e përbashkët, prandaj IKSHPK bën thirrje për bashkëpunim dhe përgjegjësi qytetare me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve.