ATV

Category: Lajme

  • Vetem me flamuj në veri u shënua Dita e Unitetit, Lirisë dhe Flamurit serb

    Vetem me flamuj në veri u shënua Dita e Unitetit, Lirisë dhe Flamurit serb

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në katër komunat veriore mbushen rrugët e sheshet me flamuj serbë, më shumë se zakonisht. Në këtë mënyrë qytetarët serbë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan Leposaviq e Zubin-Potok shënuan Ditën e Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Serb.

    Megjithatë, vetëm flamujt ishin tregues se këto komuna kanë festë.

    “Të jem i sinqertë, nuk e kam parë dikë që ka dalë ta festojë. Por fakti është se duhet ta festojnë. Prej pikëpamjeve legale kanë të drejtë ta bëjmë. Tani, ne mund të flasim nga pikëpamjet e tjera, a është e nevojshme apo jo, por ata sërish kanë të drejtë ta festojnë këtë ditë”, tha Srdjan Simonoviq, aktivist në Mitrovicë të Veriut.

    Dita e Unitetit serb, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar, siç quhet me emër të plotë, është festë që kremtohet vetëm nga viti 2020 në Serbi dhe në Republikën Srpska, në shenjë përkujtimi të 15 shtatorit të vitit 1918, kur gjatë Luftës së Parë Botërore u shpërbë Fronti i Selanikut, gjë e cila mundësoi më pas krijimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.

    Megjithatë, kjo datë në kalendarin e festave zyrtare të Serbisë nuk ekziston dhe asnjëherë nuk është votuar në Kuvend.

    Duke marrë parasysh pozitën e palakueshme të serbëve në veri, opinionisti Branisllav Kerstiq, thotë se nuk ka fare arsye që kjo festë të shënohet.

    “Ne në veri jemi viktima të atij mafiozit që është në Beograd dhe nacionalistit që është në Prishtinë. S’kemi as liri, as flamurin. Për mua dhe familjen time, unë nuk e regjistroj. Festohet vetëm liria dhe paqja, këto shenja tjera nuk kemi pse”, tha Kerstiq.

    Dita e Unitetit serb, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar është shënuar edhe në komunat tjera me shumicë serbe në jug të Ibrit.

  • Nënshkruhet marrëveshje mes Kosovës dhe USAID-it afro 35 milionë dollarë

    Nënshkruhet marrëveshje mes Kosovës dhe USAID-it afro 35 milionë dollarë

    Përgatiti: Krenare Mullqi

    Përmes një ceremonie e në prani të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është nënshkruar marrëveshja me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, në vlerë 34.7 milionë dollarë.

    Pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidentja Osmani tha se kjo dëshmon mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe popullit amerikan për Kosovën.

    Ndërkaq, ambasadori Hovenier tha se kjo marrëveshje konfirmon partneritetin afatgjatë të SHBA-së me popullin e Kosovës.

    “Ky fond shtesë do të mbështesë qëllimet strategjike të ShBA-së për Kosovën, përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përpjekjet për promovimin e rritjes dhe përparimit ekonomik dhe përpjekjet për forcimin e qeverisjes së mirë dhe të zhvillimit të institucioneve demokratike”, tha Hovenier.

    Sipas ambasadorit, ndihma e SHBA-së ndaj Kosovës ishte e vazhdueshme, derisa nga viti 1999, ShBA-ja ka investuar më shumë se dy miliardë dollarë, përfshirë investime mbi 1 miliard dollarë nga USAID-i në Kosovë.

  • Me lojë shahu, punëtori për demokraci e diskutime Kuvendi shënoi Ditën e Demokracisë dhe hapi dyert

    Me lojë shahu, punëtori për demokraci e diskutime Kuvendi shënoi Ditën e Demokracisë dhe hapi dyert

    Përgatiti: Nexhmie Hyseni

    Me lojë shahu, punëtori për demokraci e diskutime Kuvendi shënoi ditën e demokracisë dhe hapi dyert për vizitorë.

    Kryetari Glauk Konjufca konsideroi se transparenca është një prej elementeve thelbësore për qeverisje demokratike.

    “Po e shënojmë bashkërisht këtë ditë të rëndësishme, e cila na e rikujton edhe një herë rëndësinë dhe vlerat që përfaqëson sistemi demokratik i qeverisjes, por edhe sfidat që e rrezikojnë shëndetin e demokracisë, por edhe që e kanë tendencën për ta minuar atë. Gëzohem, po ashtu, që kjo ditë ndërkombëtare e demokracisë po shënohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Edhe kësaj radhe, ajo shënohet me aktivitete të shumta edhe së bashku me grupet e ndryshme shoqërore, aktivitete këto që po e promovojnë hapjen e institucionit të Kuvendit të Kosovës ndaj publikut. Ky është edhe qëllimi i festimit të kësaj dite. Këtë ditë, sivjet po e shënojmë edhe me një lajm të mirë që e morëm para pak ditësh, që është anëtarësimi i Republikës së Kosovës në partneritetin për qeverisje të hapur”, tha Konjufca.

    Kryetarja e Forumit për Transparencë, Arbëreshë Kryeziu, tha se Kosova ka shënuar progres të madh në këtë fushë.

    “Shënimi i kësaj dite është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën, sepse reflektojmë mbi progresin dhe sfidat që i kemi kaluar ne si vend dhe sigurisht mbi ato që po kalojmë për të arritur progresin e dëshiruar. Sot, teksa po e shënojmë këtë ditë na gëzon fakti se progresi që ka shënuar Kosova në këtë drejtim ka qenë mjaft i madh. U radhitëm vetëm të tretit në botë sa i përket të qenit demokratik nga raportet e nxjerra nga Freedom House, çfarë na bën pra shtetin më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe përtej kësaj. Ky progres është arritur, sepse në gjithë këtë proces ka pasur përfshirje të qytetarëve, përfshirje të shoqërisë civile në të gjitha proceset vendimmarrëse, për të ndërthurur vlerat e demokracisë me iniciativat për transparencë dhe llogaridhënie në nivel qytetar”, tha Kryeziu.

    Edhe nga opozita vlerësuan se Kosova qëndron mirë në formimin e institucioneve të pavarura e demokratike.

    “Pa dyshim që Kosova përbën një shembull të mirë të rrugëtimit të saj për të ndërtuar institucione të pavarura dhe demokratike. Dhe për këtë duhet një falënderim i madh për përpjekjet shumëvjeçare, që janë bërë për të konsoliduar shtetin e Kosovës dhe për të bërë që parimi i gjithë përfshirjes i gjeneratave të reja, i pjesëmarrësve aktivë, i qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës të jetë gur themeli në ndërtimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, përkundër një përpjekje të gjatë që është bërë, forumi ka bërë një punë të mirë dhe natyrisht është një vlerësim i përgjithshëm që forumi për Transparencë Parlamentare brenda Kuvendit të Kosovës, bashkë me organizatat e shoqërisë civile, me akterë të tjerë, me staf të Kuvendit të Kosovës, është përpjekur që këtë institucion ta bëjë sa më të hapur dhe me të qasshëm për qytetarët dhe të gjitha kategoritë”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

    15 shtatori u përcaktua nga Kombet e Bashkuara si ditë e shënimit të progresit shoqëror dhe vlerat që përfaqësojnë sistemin demokratik të qeverisjes. Motoja e sivjetme e ishte Fuqizimi i Gjeneratave të reja.

  • Keqpërdorimet me rezerva shtetërore, javën tjetër në Kuvend votohet për anëtar të komisionit hetimor

    Keqpërdorimet me rezerva shtetërore, javën tjetër në Kuvend votohet për anëtar të komisionit hetimor

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Përveç Prokurorisë Speciale, e cila ka filluar të trajtojë rastin për keqpërdorime në furnizim me rezervat shtetërore, hetime pritet të bëjë edhe një komision parlamentar.

    Në seancën e 21 shtatorit pritet të votohet për 11 anëtarët e këtij komisioni pas inicimit të Lidhjes Demokratike e Kosovës.

    Komisionin Parlamentar pritet t’i hetojë procedurat e furnizimit dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmeni.

    Themelimin i këtij komisioni e përkrah edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Prokuroria Speciale muajin e shkuar arrestoi dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë dhe një biznesmen nën dyshime për ‘’Keqpërdorim të detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

  • Banorët që jetojnë në “Lagjen e Re” në Podujevë, nuk kanë rrymë tash e tri javë

    Banorët që jetojnë në “Lagjen e Re” në Podujevë, nuk kanë rrymë tash e tri javë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Tash e tri javë, Musa Havolli po jeton në “lagjen e re”, në komunën e Podujevës, e të vetmen mënyrë për të përgatitur ushqimin e ka me këtë bombol gazi. Përveç kësaj edhe për nevojat e tjera detyrohen të gjejnë alternativa.

    Në këtë lagje e cila u ndërtua nga një projekt i përbashkët mes fondacionit “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe komunës së Podujevës, asnjë nga 22 shtëpitë e reja nuk u kyçën në rrjetin e energjisë elektrike.

    “Nuk kemi rrymë, jeta u bë e vështirë. Tanë kohën po përdorim këtë plin me përgatit bukë, edhe qe frigoriferin thatë, s’po guxojna me ble send se po prishen”, tha Havolli.

    “Shumë e vështirë pasha Zotin, s’po di çka me bo, është bërë zor me jetu, neve u çun krejt shqiptaria na ndërtun shpinë e keds-i s’po na bën një zgjidhje për trafo”, tha Bahri Zeqiri, banor i lagjes.

    Meqenëse në këtë projekt është e përfshirë edhe komuna e Podujevës, ATV-ja ka kontaktuar edhe me zyrtarë të saj.

    Përmes telefonit ata thanë se faji është te KEDS-i, që, sipas tyre, nuk po e bën kyçjen e njësive. Ndërkaq, KEDS-i thotë ndryshe.

    Sipas tij, faji është tek investitori, meqë ai nuk ka ndarë mjete edhe për trafostacion.

  • ​Ashton kërkon përparim në dialog, Duhet normalizim të marrëdhënieve Kosovë Serbi

    ​Ashton kërkon përparim në dialog, Duhet normalizim të marrëdhënieve Kosovë Serbi

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ishte përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, në kohën kur Kosova dhe Serbia nisën procesin me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

    Një ditë pas takimit në Bruksel mes kryeministrit kosovar dhe presidentit serb, që përfundoi pa ndonjë rezultat, ish-ndërmjetësuesja në dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, Catherine Ashton, theksoi se progresi nuk do të jetë i lehtë, teksa ofroi mbështetjen e saj.

    “Unë mbes e angazhuar në dialog dhe nëse mund të bëj diçka në mbështetje të dialogut, qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, që ata të ecin përpara, do ta bëja, nëse dikush më fton. Kryeministri Kurti e tha dje se nuk jemi në kohën e Ashtonit, Thaçit dhe Daçiqit dhe ka të drejtë për këtë. Unë do të isha e lumtur të ndihmoja, por jam e vetëdijshme se duhet lidership”, tha Ashton.

    Në konferencën me titull “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e kaluara për të ardhmen e procesit”, që u organizua nga Grupi për Ballkan, ajo foli edhe për emisarin Miroslav Lajçak, për të cilin kryeministri Albin Kurti tha se po i mbështet qëndrimet e Serbisë.

    “Lajçaku ka punuar për mua dhe me mua për shumë vjet dhe është person që e do suksesin e Kosovës”, tha Ashton.

    Kurse, ish-i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Philip Reeker, tha se fillimisht prania amerikane nuk ka qenë e mirëseardhur. Diplomati amerikan shtoi se palët nuk duhet të ngelin në krizat e panevojshme.

    “Një dekadë më vonë BE-ja dhe SHBA-ja janë të përkushtuara të ndihmojnë njerëzit e këtij rajoni, të Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se duhet të kthehemi mbrapa dhe të shohim se çfarë është arritur dhe jo të ngelim në krizat e krijuara, të panevojshme. Mos u fokusoni në atë se çfarë ka ndodhur më parë, çfarë ata kanë bërë, fokusohuni në atë që ju do të bëni”, tha Reeker.

    Nën ndërmjetësimin e Catherine Ashton, Kosova dhe Serbia e kanë arritur marrëveshjen e parë në kuadër të dialogut, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, në të cilën përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

    Baronesha Ashton po qëndron në Prishtinë për promovimin e librit të saj “Dhe më pas çka: Rrëfimet e brendshme të diplomacisë së shekullit XXI”, ku flet edhe për dialogun Kosovë – Serbi, i filluar në vitin 2011.

  • Aktgjykimi për krime lufte ndaj Svetomir Bacevicit, mbrojtja në pritje të vendimit të Supremes

    Aktgjykimi për krime lufte ndaj Svetomir Bacevicit, mbrojtja në pritje të vendimit të Supremes

    Përgatiti: Nora Luta

    Për këto veprime Svetomir Baçeviq është dërguar në vuajtje të dënimit me burgim prej pesë vjetësh. Ndonëse Apeli e ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë ndaj tij, për krime lufte në Bellopojë të Pejës, mbrojtja pretendon se nuk ka pasur prova se i dënuari është fajtor.

    Avokati Dejan Vasiq është ankuar në Gjykatën Supreme në fillim të këtij viti, duke kërkuar që ai të lirohet ose çështja të kthehet në rivendosje.

    “Për një kohë të shkurtër mendoj të marrim përgjigje, pres përgjigje pozitive pasi nuk ka pasur elemente për dënim dënues, pres që Gjykata Supreme të marrë një vendim të tillë. Ankesën e kam dorëzuar në fillim të vitit, e kam dorëzuar edhe një ankesë tjetër për lirim nga paraburgimi, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore”, tha Vasiq.
    Por, Prokuroria Speciale thotë se nga hetimet u vërtetua se Baçeviq e rrëmbeu Tigjë Kadrijan dhe varësisht prej vendimit të Supremes do t’i paraqesin kundërshtimet.

    Dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor që u zhvillua ndaj Baçeviqit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ishte fqinji, me nacionalitetit serb, i Tigjës, e cila tash e sa vjet jeton jashtë Kosovës.

    Nga Gjykata Supreme i kanë thënë televizionit se lënda është ende në punë.

    Apeli kishte vërtetuar aktgjykimin e Themelores, e cila e shpalli fajtor Svetomir Baçeviqin për krime lufte, e krime kundër njerëzimit në Pejë.

  • Vrasja që tronditi Podujevën, Policia publikon foton e të dyshuarit – kërkohet ndihmë për identifikimin e tij

    Vrasja që tronditi Podujevën, Policia publikon foton e të dyshuarit – kërkohet ndihmë për identifikimin e tij

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për ta identifikuar një person.

    Sipas njoftimit, i dyshuari kërkohet për përfshirje në vrasjen e rëndë në Podujevë, të hënën.

    Njoftimi i plotë:

    Kërkesë për bashkëpunim për identifikimin e personit të dyshuar

    Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit të dyshuar.

    I dyshuari, kërkohet për vrasjen e rëndë që ka ndodhur me 11.09.2023, në Podujevë.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192.

  • Lirohet ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi

    Lirohet ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi

    Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është liruar nga paraburgimi, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Gjykimi i Krasniqit do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

    Mirëpo i njëjti nuk do të lejohet t’i afrohet disa dëshmitarëve të rastit, siç e ka vënë kushtin gjykata, për lirimin e tij nga paraburgimi.

    Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

    Rasti përfshin dy kontrata njëburimore në vlerë 3.5 milionë euro.

  • Certifikohen 185 kandidatë që kaluan Provimin e Jurisprudencës – Haxhiu: Bëjeni punën me profesionalizëm

    Certifikohen 185 kandidatë që kaluan Provimin e Jurisprudencës – Haxhiu: Bëjeni punën me profesionalizëm

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të premten ka marr pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për kandidatet të cilët kanë kaluar Provimin e Jurisprudencës, raporton Ekonomia Online. Në këtë ceremoni diplomuan 185 kandidatë.

    Ministrja Haxhiu tha se provimi për këtë kandidatë ka qenë një proces meritor, transparent dhe profesional.

    Ajo bëri thirrje juristëve të rijnë që punën ta bëjnë me nderë e profesionalizëm duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës e ligjet në fuqi.

    “Ka qenë një proces meritor, transparent dhe profesional. Ngjarjet e tilla që shtojnë kuadrot për tu bërë pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovës pasurojnë vendin tonë. Jemi në fazën e reformimit duke filluar nga legjislacioni, infrastruktura, dhe përgatitja e kuadrove të reja. Të gjitha këto reforma mund të jenë të suksesshme kur kemi kuadro të kualifikuara. Duke respektuar parimet më të larat profesionale dhe etike”.

    “Unë sot ju lutem ku do që jeni, ku do që do të orientoheni, si gjyqtar, prokuror, avokat apo profesion të tjera ju lutem që të bëni punën vetëm me nderë dhe profesionalizëm, vetëm duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, legjislacionet ne fuqi, konventat ndërkombëtare, sepse për njerëz të tillë ka nevojë Republika e Kosovës. Sot është moment i gëzueshëm jo vetëm për ju por edhe se shtetit po i shtohen edhe më shumë profesionist”, tha ajo, raporton EO.