ATV

Category: Lajme

  • BE-ja cilëson terrorist sulmin në Banjskë, mbështet hetimin e policisë

    BE-ja cilëson terrorist sulmin në Banjskë, mbështet hetimin e policisë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Tri ditë pas, Bashkimi Evropian përfundimisht e cilësoi terrorist sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos një polic dhe u lëndua një tjetër.

    Duke i vlerësuar si shumë serioze ngjarjet e së dielës, zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano, tha se sulmi terrorist përbën “ndryshim shumë, shumë të rëndësishëm të situatës”.

    Pa dhënë detaje për takimin e Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, në të cilin u raportua se disa nga shtetet anëtare kanë kërkuar masa ndëshkuese ndaj Serbisë, Stano tha se do presin rezultatin e plotë të hetimit nga Kosova.

    “Ne merremi me situata reale. Tani kemi një situatë ku është kryer një sulm terrorist në territorin e Kosovës, në veri. Policia e Kosovës është duke kryer hetim, misioni i EULEX-it është duke e mbështetur Policinë e Kosovës si reagues i dytë i sigurisë bazuar në nevojat dhe kërkesat nga Policisë së Kosovës. Ne duhet të shohim këto hetime. Bazuar në këto hetime do të vendosim, shtetet anëtare do të vendosin, dhe do të ndërmarrin hapa të mëtejmë”, tha Stano.

    Pavarësisht video-dëshmisë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojicic, i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, u printe grupit terrorist, Stano tha se BE-ja nuk do të nxitohet për të konkluduar lidhjet dhe përfshirjen, e rrjedhimisht shkeljen eventuale të marrëveshjes bazë së Brukselit.

    “Kur të kemi një fotografi të qartë nga hetimi për atë se çfarë ka ndodhur, kush ishte pas, kush është përgjegjës, pastaj do të ndërmarrim hapat apo pasojat e nevojshme. Në këtë fazë është e rëndësishme të qartësojmë të gjitha faktet, rrethanat, të gjitha dhe të sigurohemi ata që janë përgjegjës të japin llogari. Por, nuk do të kërcejmë për të nxjerrë përfundime bazuar në një video apo në diçka të postuar këtu apo atje. Hetimi duhet të bëhet plotësisht dhe të përfundohet plotësisht, që Bashkimi Evropian të ketë të fotografi të qartë se çfarë ka ndodhur dhe kush është përgjegjës dhe pastaj mund të flasim për pasojat”, tha Stano.

    Pa paragjykuar rezultatet e hetimit dhe diskutimet brenda BE-së, zëdhënësi Stano tha se u takon shteteve anëtare të vendosin nëse do të ketë masa ndaj Serbisë, në çfarë niveli dhe nëse diçka e tillë do të bëhet me vendim formal.

  • Ndahen 50 mijë euro për familjen e rreshterit të vrarë

    Ndahen 50 mijë euro për familjen e rreshterit të vrarë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Me një minutë heshtje në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku, tashmë i vrarë nga grupi terrorist serb, filloi mbledhja e Qeverisë të mërkurën.

    Andaj, edhe fjalimin hyrës kryeministri Albin Kurti ia dedikoi ngjarjes së 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Kurti kërkoi ndihmë nga ndërkombëtarët, për menaxhim të kufirit me Serbinë.

    “Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar”, tha Kurti.

    Për ta mbështetur familjen e policit të vrarë, Qeveria ndau 50 mijë euro.

    “Ne si shtet do të jemi gjithmonë krah familjes që na dha një dëshmor, andaj për ta mbështetur familjen e tij, propozoj të aprovohet ndarja e shumës buxhetore në vlerë prej 50 mijë eurove”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati

    Pavarësisht pse Qeveria ndau këto mjete financiare për rreshterin e vrarë, kolegët e tij pjesëtarë të Policisë, ka 9 muaj që nuk i marrin shtesat për rrezikshmëri në punë. E për ekzekutimin e pagesave, ministri i Financave as nuk dha ndonjë datë.

    “Tani jemi në proces të dakordimit dhe në proces të definimit apo përcaktimit të të gjitha këtyre shtesave, por edhe të kompetencave apo përgjegjësive që parashihen dhe plotësohen me ligj. Besoj se shumë shpejt do të kemi edhe përafrim të këtyre kërkesave apo gjërave, në mënyrë që të sigurohemi që çdo gjë vjen në vendin e vet ashtu siç e parasheh ligji. Një gjë dua t’i siguroj qytetarët se shteti gjithmonë do t’iu qëndrojë pranë të gjithë atyre që shërbejnë për shtetin”, tha Murati.

    Paraprakisht në mbledhjen e 162-të, Qeveria ndau 5 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, 6 milionë euro shtesë për projektin e ndërtimit të rrugës Prishtinë – Podujevë dhe 1 milion euro për kompensim të dëmeve natyrore në bujqësi në 14 komuna.

    Mes tjerash, Qeveria mori vendim për rindërtimin dhe rinovimin e shtëpive individuale që janë dëmtuar gjatë viteve 1998-1999, gjatë luftës në Kosovë.

  • Përfundon aksioni i policisë në Bansjkë, por jo edhe hetimet

    Përfundon aksioni i policisë në Bansjkë, por jo edhe hetimet

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dëshmitë e një përleshjeje të armatosur shihen ende në hapësirat e Manastirit të Banjskës, ku të dielën e 24 shtatorit, një grup i armatosur serb u konfrontua me Policinë.

    Megjithatë, kontrollin e plotë të kësaj zone tashmë e kanë marrë forcat e rendit të Kosovës. Edhe rruga që për tre ditë qe e mbyllur, u hap për qarkullim, mirëpo hetimet ende nuk kanë përfunduar.

    “Unë mendoj se hetimet nuk kanë për të përfunduar edhe një kohë të gjatë, sepse edhe për neve është interesant se pse ky vend të zgjidhet në këtë vend dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur me u vendosë këtu. Është një fshat i mirë, turistik, njerëzit janë shumë të qetë. Ndoshta puna e kufirit sepse logjistika ka pasur mundësi të vijë nga ana e shtetit serb atje, mirëpo hetimet me siguri do të shkojnë më gjatë”, tha zv.drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.

    Ndërkaq, zyrtarët policorë të cilët ia dolën të zmbrapsin terroristët pa shkaktuar dëme u lavdëruan.

    “Qëllimi ynë është ta marrim territorin tonë, që është i vendit tonë, të lirojmë këtë vend nga grupet kriminale që nuk duhet të jenë këtu. Dhe, nëse ka pasur viktima, ajo është pjesë e procesit. Ne konsiderojmë që e kemi arritur misionin tonë që me sa më pak dëme të mbërrijmë pjesën tonë, atë që kemi dashur. Ajo që është shumë me rëndësi të theksohet është që në asnjë moment, banorët e këtij fshati nuk kanë qenë të lënduar, nuk ka pasur as dëme kolaterale dhe kjo është çudi”, tha Elshani.

    Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës nuk e mohoi mundësinë se grupe kriminale do të tentojnë të hyjnë sërish në Kosovë, porse tha se Policia është e përgatitur dhe ka komunikim me KFOR-in.

    Të dielën e 24 shtatorit nga sulmues të armatosur në Banjskë të Zveçanit ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe janë plagosur tre të tjerë.

  • Rigjykimi për ngjarjen tragjike të vitit 2010 në Pejë, Granit Elshani mohon fajësinë

    Rigjykimi për ngjarjen tragjike të vitit 2010 në Pejë, Granit Elshani mohon fajësinë

    Përgatiti: Nora Luta

    Për ngjarjen tragjike të 3 janarit të vitit 2010, në një diskotekë në Pejë, Granit Elshani do të vazhdojë ballafaqimin me drejtësinë.

    I dënuar një herë me 25, e pastaj me 24 vjet burgim, Elshani të mërkurën është paraqitur sërish në Gjykatën Themelore të Gjakovës.

    Teksa palët në seancën e shqyrtimit fillestar, pajtohen që aktakuza të konsiderohet e lexuar, kryetari i trupit gjykues sigurohet se Elshani e ka të qartë se cilat vepra rëndojnë mbi të, para se të deklarohet për fajësinë.

    Por, Prokuroria, megjithatë, është e bindur se ka prova që do ta dëshmojnë edhe në këtë rigjykim fajësinë e Elshanit.

    E përgatitur për një tjetër proces gjyqësor thotë se është edhe mbrojtja e Elshanit. Avokatja Kosovare Kelmendi ka përmendur armën e gjetur nën jastëkun e të mbrojturit, natën kur u krye sulmi në një lokal të Pejës, e mosidentifikimin e të akuzuarit nga policët.

    Sipas aktakuzës, në janar të 2010-s, në një diskotekë në Pejë, Elshani ka nxjerrë dy armë dhe ka filluar të gjuajë, ku si pasojë ka mbetur i vdekur Besart Shabi, e janë plagosur tre të tjerë, në mesin e tyre edhe një zyrtar policor.

    Rasti ishte nisur nga EULEX-i, derisa vitin e kaluar nga Gjykata Themelore e Gjakovës, Elshani u dënua me 24 vjet burgim, por Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim.

    Sipas Supremes, aktgjykimi është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se shkalla e parë nuk kishte arritur të sqarojë veprimet e zyrtarëve policorë në natën kritike.

    Në rigjykim, gjykata është udhëzuar që edhe një herë të ftohet eksperti Ilir Kukaj për të sqaruar në lidhje me numrin e armëve që janë përdorur në diskotekë dhe ndërlidhjen e gëzhojave dhe predhave, për çka ai dëshmoi të mërkurën.

    Ndërkohë, Supremja e ka liruar Granit Elshanin nga akuza për armëmbajtje pa leje, pasi ka konstatuar se shkalla e parë, sikurse edhe Apeli gabuan kur e shpallën fajtor për veprën penale, pasi kishte arritur afati i parashkrimit.

  • Shkabaj, lokacioni për furnizim me energji solare

    Shkabaj, lokacioni për furnizim me energji solare

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Këta 25 hektarë tokë janë rezervuar për vendosjen e paneleve diellore, më të mëdha në rajon. Por, projekti Solar4Kosovo ka përplasur nivelin lokal me atë qendror.

    Një ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se Komuna e Prishtinës dhe ajo e Obiliqit kanë nënshkruar marrëveshje me të cilën fshati Shkabaj është caktuar si lokacion për realizimin e projektit për furnizim me energji solare. Në postimin e tij ai kritikoi Qeverinë për bllokimin e tij.

    Megjithatë, përgjigje ka marrë nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili duke cituar ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se ky lokacion ishte siguruar qysh në mars të 2022-tës.

    Për këtë projekt ishte deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti, në shkurt të këtij viti, duke thënë se përfitues do të jenë rreth 60 mijë banorë.

    Por, pavarësisht mospajtimeve, projekti megjithatë ka mbetur pezull për shkak të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura muaj më parë.

    “Aktualisht fondet janë të ngrira, nuk kemi ndonjë informatë që do të humbin po nuk kemi informata, sepse Qeveria vepron në kuadër të BE-së. Këtu BE-ja ka ndarë një grant të madh, po ashtu, edhe KFW e gjermanëve një grant të madh”, tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

    Aktualisht, rreth 94 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 për qind nga burimet e ripërtërishme, andaj ekspertët e mirëpresin atë.

    “Përveç ruajtjes së ambientit, përkatësisht nuk do ta ndotë ajrin, do të kursejë energji elektrike, do ta zgjerojë shërbimin e Termokosit…”, tha Naim Bujupi, ekspert i energjisë.

    Projekti i cili realizohet në bashkëpunim me Qeverinë gjermane, pritet të ketë kapacitet prodhues prej rreth 70 megavateve.

  • Shumë dëme iu shkaktuan manastirit të Banjskës nga përleshja e së dielës

    Shumë dëme iu shkaktuan manastirit të Banjskës nga përleshja e së dielës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ky është Manastiri i Banjskës që u kthye në bazë për grupin e armatosur serb, që u konfrontua me Policinë e Kosovës. Me të filluar sulmi ndaj Policisë, pësoi rreshteri Afrim Bunjaku.

    Orë të tëra pas aksionit të Policisë, terroristët u larguan, por brenda u gjet shumë armatim e objekti fetar pësoi dëme të konsiderueshme materiale.

    Monumenti i trashëgimisë Kulturore, që ndodhet në Zveçan, konsiderohet i rëndësisë së veçantë. Andaj, Ministria e Kulturës planifikon ta restaurojë sa më shpejt të jetë e mundur.

    “Nga ajo çfarë kemi parë, terroristët kanë shkaktuar sulme jo të vogla në strukturën fizike të këtij Manastirit. Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi dhe urdhërdhënësve të tyre kanë qenë që përveç dëmtimit fizik, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë. Ministria e Kulturës ka tashmë kodin buxhetor dhe mjetet e nevojshme financiare për ndërhyrjet sanuese edhe të Manastirit e Banjskës, përveç restaurimeve që i kemi kryer sivjet në kishat ortodokse në Kosovë”, tha ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

    Objektet kulturore si ky i Banjskës, rëndom ruhen nga pjesëtarë të KFOR-it e me raste edhe nga Policia e Kosovës. Por, misioni paqeruajtës të paktën deri në transmetimin e kësaj kronike nuk ka treguar nëse edhe këtë manastir e kishte përgjegjësi.

    “Deri para disa kohëve, institucionet e Kosovës nuk e kanë pasur të shtrirë autoritetin për ta kontrolluar plotësisht Veriun. Duke marrë parasysh këtë, përgjegjësia bie mbi KFOR-in dhe EULEX-in, të cilët është dashur të kontribuojnë në sigurinë e objekteve kufitare, ku u gjet ajo sasi e armatimit”, tha Avni Islami, doktor i shkencave të sigurisë.

    Në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, Manastiri i Banjskës zë vendin e 47-të dhe llogaritet të jetë ndërtuar në mesjetë.

  • Sulmohet një 9 vjeçar nga qentë endacakë në Gllavatin të Vushtrrisë

    Sulmohet një 9 vjeçar nga qentë endacakë në Gllavatin të Vushtrrisë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Ermal Klinaku, ditën e hënë, nuk e nisi si zakonisht në shkollë.

    Para se të hynte në objektin e shkollës, “Liria”, në fshatin Gllavatin të Vushtrrisë, ai u sulmua nga tre qen endacakë.

    Babi i 9-vjeçarit, derisa tregon ngjarjen se si ndodhi, thotë se për të mos u përsëritur këto raste, duhet sa më shpejt të ndërmerret diçka.

    “Rasti ka ndodhur në oborrin e shkollës, kjo është një gjë që mua më shqetëson personalisht si prind, kur ka ndodhur rasti unë nuk kam qenë aty, e që tani pas trajtimit mjekësor djali është mirë dhe nuk ka lëndime shumë të rënda, që mund të ketë pasoja në të ardhmen”, tha Tafil Klinaku babai i Ermalit.

    “Mësuesja na ka njoftuar dhe na ka treguar dhe ndihmën e parë ajo ia ka dhënë djalit. Shteti duhet ta marrë më seriozisht për trajtimin e qenve endacakë, sepse qentë po ua sulmojnë fëmijët tanë”, tha ai.

    Veç Klinakut edhe banorë të tjerë të këtij fshati flasin me shqetësim për qentë endacakë. Sipas tyre, më së shumti mund ta pësojnë fëmijët nga ta.

    “E kam parë që fëmijët janë frikësuar nga ky rast, janë të vegjël dhe e kishin marrë një lloj frike, traume prej qenve endacakë, andaj iu bëj thirrje organeve komunale që të ndërmarrin diçka rreth qenve endacakë, derisa ka edhe disa që qentë endacakë i sjellin nga komunat e tjera në fshatin tonë”, tha Behar Duraku, përfaqësues i fshatit.

    Mirëpo, zyrtarë në Komunën e Vushtrrisë thonë se po merren me trajtimin e qenve endacakë. Madje, sipas përgjigjes së tyre për ATV-në, ata tashmë kanë ndarë buxhet edhe për vitin e ardhshëm.

    “Komuna e Vushtrrisë, gjatë hartimit të buxhetit 2024, vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe çështjes së trajtimit të qenve endacakë, prandaj për këtë çështje, si Komunë kemi ndarë 200 mijë euro”, thuhet në përgjigjen e Komunës Së Vushtrrisë.

    Gjatë muajit maj është miratuar edhe Udhëzimi Administrativ për Kushtet dhe Kërkesat Teknike, që duhet plotësuar nga Strehimoret e Kafshëve Shoqëruese, të nënshkruar. Sipas këtij udhëzimi është vendosur themeli i bazës ligjore për trajtimin e qenve endacakë nga secila Komunë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

  • Hashim Thaçi telefonon familjen e Afrim Bunjakut për ngushëllime

    Hashim Thaçi telefonon familjen e Afrim Bunjakut për ngushëllime

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur sot në telefon me familjarët e policit hero, Afrim Bunjakut.

    Telefonatën e ka bërë përmes Sami Lushtakut në kohën kur ai po qëndronte për ngushëllime tek familja Bunjaku.

    “Me miq, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, vizituam familjen e heroit Afrim Bunjaku, për të shprehur ngushëllimet më të thella për sakrificën e heroit më të ri të Republikës, i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit të shtetit të Kosovës. Nga Haga, përmes telefonit, familjarët e Afrimit i ngushëlloi edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili është prekur thellësisht nga rënia e tij, duke shprehu mirënjohje për sakrificën e lartë të tij në shërbim të atdheut” shkruan Lushtaku në njoftim.

  • Tre ditë pas sulmit terrorist në Banjskë, Daçiq takon ministrin britanik

    Tre ditë pas sulmit terrorist në Banjskë, Daçiq takon ministrin britanik

    Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, dhe ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Leo Dockerty, ranë dakord se vazhdimi konstruktiv i dialogut Kosovë-Serbi ës është çelësi i stabilitetit rajonal dhe i sigurisë.

    Siç njofton MPJ-ja e Serbisë, Daçiq e ka njoftuar ministrin britanik për zhvillimet e fundit në Kosovë pas sulmit terrorist të së dielës ku u vra polici Afrim Bunjaku.

    Në bisedë u theksua rëndësia e forcimit të mëtutjeshëm të dialogut mes Britanisë dhe Serbisë në nivelin më të lartë dhe më të lartë, thuhet në njoftimin e ministrisë që drejtohet nga Daçiqi, transmeton Klankosova.tv.

    Ky takim vjen tre ditë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku u vra polici Afrim Bunjaku.

  • Blendi Fevziu me vlerësime të larta për policët e Kosovës: Duken si amerikanë, s’kanë lidhje me Ballkanin fare

    Blendi Fevziu me vlerësime të larta për policët e Kosovës: Duken si amerikanë, s’kanë lidhje me Ballkanin fare

    Gazetari dhe publicisti nga Shqipëria, Blendi Fevziu ka vlerësuar lartë aksionin e Policisë së Kosovës të zhvilluar së fundi në veri të vendit.

    Derisa gazetari Artan Hoxha po fliste për aksionin fantastik që e realizoi Policia e Kosovës në veri ndërhyri Feziu i cili u shpreh se edhe policët e thjeshtë kur të ndalojnë në rrugë, duken si amerikanë.

    “Edhe policët që të ndalojnë në rrugë janë si amerikanët, s’kanë lidhje me Ballkanin fare”, tha Fevziu.

    Theksojmë se sot në Mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u morë vendim për ndarjen prej 50 mijë eurove për familjen e reshterit të rënë në detyrë Afrim Bunjaku.