ATV

Category: Lajme

  • LAJMI I FUNDIT: Arrestohet Millan Radojçiq

    LAJMI I FUNDIT: Arrestohet Millan Radojçiq

    Milan Radoiçiq, biznesmeni kontrovers, i cili sipas pretendimeve të tij është organizator i konfliktit të armatosur në Banjskë të Kosovës ku humbën jetën katër persona, është arrestuar sot, njoftoi MPB-ja e Serbisë.

    “Më 3 tetor 2023, punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe lokalet e tjera të Milan Radoiçiqit, i cili është urdhëruar që policia të ndalojë deri në 48 orë. Ai me kallëzim penal është sjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd”, thuhet në MPB.

  • Tre persona të vrarë nga të shtënat në Bangkok, arrestohet i dyshuari 14-vjeçar

    Tre persona të vrarë nga të shtënat në Bangkok, arrestohet i dyshuari 14-vjeçar

    Tre persona janë vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një qendër tregtare në qendër të kryeqytetit tajlandez, Bangkok.

    I dyshuari, 14-vjeçar, është arrestuar. Ai dyshohet se e ka përdorur armën në incident.

    Në disa pamje në rrjetet sociale janë parë shumë njerëz duke ikur nga qendra tregtare.

    Ky objekt, dhe një stacion i afërt metroje, janë mbyllur.

    Sulmet me të shtëna masive janë të rralla në Tajlandë, ndonëse përqindja e personave që posedojnë armë është relativisht e lartë për rajonin.

    Në tetor të vitit të kaluar, një ish-zyrtar policor pati vrarë të paktën 37 persona, shumica prej tyre fëmijë, në një qendër për fëmijë në provincën Nong Bua Lamfu.

    Më 2020, një ushtar i këtij shteti i ka lënë të vdekur 29 persona dhe i ka plagosur dhjetëra tjerë në qytetin Nakhon Ratçasima./REL/

  • Aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Ferizaj, vdes një person

    Aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Ferizaj, vdes një person

    Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti në rrugën Prishtinë-Ferizaj.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një kamion dhe një veturë.

    “Sot rreth orës 13:15 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete (një kamion dhe një veturë), të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar një person e cila nuk ka arritë të përballojnë plagët dhe e njëjta ka ndërruar jetë . Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, tha Ahmeti.

  • Kjo është komuna e parë në Kosovë që ka nisur përdorimin e inteligjencës artificiale, këto janë rezultatet

    Kjo është komuna e parë në Kosovë që ka nisur përdorimin e inteligjencës artificiale, këto janë rezultatet

    Komuna e Pejës për herë të parë transkriptoi me inteligjencën artificiale në Seancën e rregullt të Kuvendit komunal.

    Kështu bëhet e ditur në komunikatën e Komunës së Pejës në të cilën thuhet se sot u bë një hap i rëndësishëm drejt të ardhmes duke përdorur inteligjencën artificiale për të transkriptuar seancën e Kuvendit të Komunës së Pejës të datës 29.09.2023, ku u diskutua dhe u aprovua buxheti i Komunës për vitin 2024, ky transkriptim u bë në vetëm 20 minuta.

    “Përmes Shqip.ai, arritëm të transkriptojmë 230 minuta të diskutimeve te pikave të rendit të ditës e edhe miratimit të buxhetit për vitin 2024 në Kuvendin Komunal të Pejës në vetëm 20 minuta, duke mbuluar një saktësi prej mbi 95%.”, thuhet në komunikatë.

  • Dëshmitari Koqinaj: Gjatë luftës nuk kam dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”

    Dëshmitari Koqinaj: Gjatë luftës nuk kam dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”

    Dëshmitari i tretë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, Naser Koqinaj, ka thënë se gjatë luftës nuk ka dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”.

    Këto komente, dëshmitari i bëri pas pyetjes së avokatit të palës mbrojtëse, Jean-Louis Gilissen lidhur me atë se a ka njohur ndonjë person me këtë nofkë gjatë kohës së luftës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    I pyetur se gjatë qëndrimit të tij në Fabrikën e Metalit në Kukës a ka dëgjuar për ndonjë person me emrin Pjetër Shala, (dëshmitari nuk është dëgjuar).

    Ndryshe, në sesionin e paradites dëshmitari Koqinaj i është përgjigjur pyetjeve të palës mbrojtëse, të cilën e ka përfaqësuar avokati Jean-Louis Gilissen.

    Ai nga avokati Gilissen është pyetur për periudhën nga fillimi i kyçjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e deri në përfundim të luftës.

    Me këtë rast, dëshmitari Koqinaj ka thënë se në UÇK është kyçur në vitin 1998 dhe ka vazhduar angazhimin e tij në Magazinën numër 2 në Kukës, si person i caktuar për shpërndarjen e uniformave të UÇK-së deri në përfundim të luftës, ku bashkë me ushtarët gjermanë të KFOR-it është kthyer në Kosovë, respektivisht në Prizren.

    Ndërsa, për angazhimet në magazinën e lartcekur, dëshmitari ka thënë se ai vetë e ka hapur dhe mbyllur këtë magazinë, aty nuk ka fjetur askush në të sepse sipas tij në magazinë ka pasur vetëm uniforma.

    Ai ka thënë se person përgjegjës i magazinës ka qenë Rexhep Kelmendi.

    Po ashtu, dëshmitari është pyetur se a kishte njohuri kush ishin Zijadin Hoxha dhe Bedri Dervishaj, dhe për doktorin Ilir Rakaj. Ndërsa, përgjigjet e dëshmitarit në disa pyetje të avokatit të palës mbrojtëse nuk janë dëgjuar.

    Naser Koqinaj fillon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i tretë i mbrojtjes, Naser Koqinaj, i cili njëherësh është dëshmitari i 15-të me radhë në këtë çështje.

    Emri i dëshmitarit Naser Koqinaj, është përmendur edhe dje në seancën ku ka dëshmuar dëshmitari i dytë i mbrojtjes Bedri Dervishaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

    Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.

    Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor dhe e përfundoi më 3 korrik.

    Dëshmitari i 10-të me radhë, eksperti Ëilliam Goodëin ka përfunduar dëshminë e tij më 4 korrik.

    Ndërkaq më 21 gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave, kur janë dëgjuar në të njëjtën kohë dëshmitaret 11-të dhe 12-të, konkretisht dy ekspertet mjeko-ligjore Karin Dune-Prinsen dhe Lozano Parra. E më 20 shtator filloi dëshminë dëshmitari Bardhyl Mahmuti, i cili e përfundoi më 21 shtator.

    Kurse, më 3 tetor 2023 filloi dhe përfundoi dëshminë dëshmitari Bedri Dervishaj.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • Tragjedia e Gërdecit me 26 të vrarë, SPAK kërkon djalin e Sali Berishës

    Tragjedia e Gërdecit me 26 të vrarë, SPAK kërkon djalin e Sali Berishës

    Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nw Shqiperi pritet që këtë të mërkurë të caktojë se cilët dëshmitarë do të dëgjohen në gjyqin për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.

    Ai akuzohet për shpërdorim detyre në kuadër të zinxhirit komandues ushtarak në lidhje me çmontimin e municioneve në punishten e Gërdecit.

    Ndërkohë, familjarët e viktimave të Gërdecit kanë kërkuar që në gjyqin për Fatmir Mediun të merret edhe dëshmia e 12 personave të tjerë. Mes listës, dallohen dy emra të rëndësishëm, ish-drejtuesit e kompanisë amerikane “AEY”, Efraim Diveroli dhe David Packouz.

    Sakaq, dëshmia e tyre mund të jetë shumë e vlefshme për gjykatën, pasi ata mund tregojnë rolin e djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berishës , në atë krim, i cili vrau 26 persona të pafajshëm.

    Ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë Berisha kërkon të pyeten 90 dëshmitarë. Mes tyre, figuron ish-zëvendës sekretari amerikan i Mbrojtjes në periudhën 2006-2009 Gordon England, apo dhe ish ministrat e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Italisë.

    SPAK ndërkohë ka kërkuar nga Gjykata të marrë në pyetje edhe 71 dëshmitarë të tjerë, mes të cilëve kërkohet dëshmia e Shkëlzen Berishës, në atë tragjedi që la shumë familje me lot sy pasi humbën të afërmit e tyre.

  • Auditori: 129 punonjës të komunitetit serbë marrin paga pa shkuar në punë fare

    Auditori: 129 punonjës të komunitetit serbë marrin paga pa shkuar në punë fare

    Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike po shqyrtohet raporti vjetor i auditimit të Buxhetit të Kosovës për vitin fiskal 2022.

    Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca tha se ky raport ka opinion të kualifikuar, meqë vlera e gabimeve të identifikuara në pasqyra financiare ka qenë materiale.

    “Shpenzimet në vlerë rreth 10,400,000€ janë klasifikuar në kategori jo adekuate. Prej tyre, si rezultat i buxhetimit jo adekuat janë keq klasifikuar 5,600,000€, për shkak të vendimeve gjyqësore afër 3,800,000€, ndërsa si të ndikuara nga vetë Organizatat Buxhetore vlera e keq klasifikimeve është afër 1,000,000€; Megjithatë, në raport me vitin paraprak kishte përmirësime në vlerë prej 3 milion euro; Po ashtu, në pasqyrën e shpalosjeve, në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale, llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontingjente dhe detyrimeve të papaguara të Raportit Financiar vjetor të buxhetit të shtetit kishte shpalosje të vlerave të gabuara në vlerë materiale. Nënvlerësimi i pasurisë është evidentuar në vlerë rreth 55,900,000€, nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme afër 1,900,000€ si dhe mbivlerësim i detyrimeve kontingjente për 16,100,000€”, tha ajo.

    Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Spanca shtoi se janë 129 punonjës të komunitetit serbë të cilët janë paguar vitin e kaluar edhe pa u evidentuar në punë.

    “Kryerja e pagesave në vlerë prej afër 800,000€, për punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të Marrëveshjes se Brukselit pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë; Në krahasim më vitin e kaluar janë ndërmarrë disa masa. (Nga 199 sa ishin në vitin e kaluar, këtë vit kanë mbetur 129 punonjës të shpërndarë në 4 ministri”, shtoi ajo.

    Auditorja e përgjithshme theksoi se borxhi shtetëror në fund të vitit të kaluar ka shënuar rritje për 4 për qind.

    “Borxhi shtetëror në fund të vitit 2022, kishte arritur në vlerë 1,753,200,000€ apo rreth 20% e BPV-së (40% është e lejuar me ligj). Borxhi i brendshëm ishte 1,112,000,000€, ndërsa borxhi ndërkombëtar ishte 641,200,000€. Në raport me vitin e kaluar borxhi i përgjithshëm ka shënuar rritje për 4%. Sfidë mbetet mos efikasiteti në shfrytëzimin e fondeve të marra si hua të jashtme i shkaktuar kryesisht nga problemet me menaxhimin e projekteve infrastrukturore. Niveli i shpenzimit të këtyre fondeve nga borxhi ndërkombëtar mbetet i ulët (për shtatë (7) projekte/kredi në vlerë prej 177,900,000€ të ratifikuara përgjatë viteve 2017 deri 2022, nuk janë tërhequr fare mjetet financiare). Në këtë nivel të ulët të shpenzimit ka ndikuar planifikimi jo i mirë i projekteve, vonesat në procesin e shpronësimeve si dhe mangësi tjera”, tha ajo para anëtarëve të këtij komisioni.

    Spanca tha se shpenzimet për vitin 2022 ishin në vlerë prej më shumë se dy miliardë, ku ka pasur rritje prej 10 për qind.

  • Kosova siguron tri vaksina të reja

    Kosova siguron tri vaksina të reja

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se në Kosovë kanë arritur tri vaksina të reja.

    “Janë siguruar tre vaksina, kundër rotavirusit, pneumokokut e meningjitit dhe vaksinën HPV, kundër kancerit të qafës së mitrës”, ka njoftuar ministri Vitia.

    Vitia shtoi se gjithashtu është gjashtëfishuar buxheti për vaksina dhe është shtuar buxheti për mbrojtje dhe parandalim.

  • Tërmeti i ri rrit frikën në zonën vullkanike Campi Flegrei

    Tërmeti i ri rrit frikën në zonën vullkanike Campi Flegrei

    Një tërmet me magnitudë 4.0 të hënën vonë në Campi Flegrei (Fushat e Phlegraean) ka rritur shqetësimin tek njerëzit që jetojnë në zonën vullkanike pranë Napolit për një valë të aktivitetit sizmik.

    Tërmeti i ri vjen pasi zona u godit nga tërmeti me magnitudë 4.2 javën e kaluar, më i madhi në këtë zonë në 40 vjet.

    Tërmeti i së hënës tronditi gjithashtu Napolin dhe shumë njerëz fjetën jashtë gjatë natës nga frika e shembjes së ndërtesave.

    Autoritetet kryen kontrolle si në ndërtesa private ashtu edhe në ato publike gjatë gjithë natës. Nuk pati raportime për dëme të mëdha.

    “Mos lejoni që frika t’ju pushtojë,” tha Josi Gerardo Della Ragione, kryebashkiaku i qytetit Bacoli.

    Ministri i Mbrojtjes Civile dhe Politikës Detare Nello Musumeci tha javën e kaluar se një plan evakuimi ishte duke u hartuar për Campi Flegrei në rast se do të ishte i nevojshëm.

    “Duhet të fillojmë punën menjëherë”, tha Musumeci, duke theksuar se në këtë zonë jetojnë rreth gjysmë milioni njerëz.

    Fushat e Phlegraean janë një kalderë e shembur, një zonë vullkanike e formuar nga disa ndërtesa vullkanike. /ANSA/

  • Policia vazhdon hetimet në Banjskë

    Policia vazhdon hetimet në Banjskë

    Policia e Kosovës është ende duke kryer hetime në zonën malore të Banjskës, ku më 24 shtator janë sulmuar pjesëtarë të këtij institucioni.

    Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Gjatë përleshjeve me policinë janë vrarë edhe tre sulmues.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në operacionin e së martës, Policia, përfshirë njësitin special, është në kërkim të armëve.

    Megjithatë, ai ka njoftuar se kontrollet e shtëpive në atë zonë nuk janë pjesë e operacionit.

    “Sapo i kemi tërhequr njësitet speciale nga Banjska, do të thotë niveli i rrezikut ulet, por na duheshin më shumë njerëz. Nuk është e pazakontë. Po mundohemi ta çojmë aksionin deri në fund, por varet nëse do të gjendet diçka”, ka thënë Elshani për Radion Evropa e Lirë.

    Policia e Kosovës ka gjetur sasi të konsiderueshme të armatimit në këtë zonë edhe më 30 shtator.

    Në mesin e pajisjeve të gjetura janë përmendur: raketahedhës (zolla), armë të gjata dhe pajisje të tjera ushtarake, si jelekë anti-plumb.

    Pas sulmit të 24 shtatorit, zyrtarët policorë kanë ekspozuar edhe granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë, të cilat i kanë gjetur në operacionet e kërkimit në këtë fshat në veri të Kosovës.

    Përgjegjësinë për sulmet në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

    Vendndodhja e të cilit nuk dihet, mirëpo Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ai gjendet në “Serbinë qendrore” dhe autoritetet atje e kanë marrë në pyetje “në cilësinë e qytetarit”.

    Autoritetet e Kosovës e kanë fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo autoritetet në Beograd e kanë hedhur poshtë këtë akuzë.

    Sulmi ndaj Policisë në Banjskë është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e sulmuesve me drejtësinë./REL/