ATV

Category: Lajme

  • ​Kuvendi me komision hetimor për rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje

    ​Kuvendi me komision hetimor për rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje

    Është konstituar sot Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje. I njëjti ka qëllim të hetojë rastet e gjykuara dhe në gjykim të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

    Kryesuesi i këtij komisioni, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami tha pas hetimeve komisioni do të dalë me një rekomandim për institucionet sesi duhet trajtuar rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

    “Dhuna ndaj grave është një ndër format më të përhapura të dhunës dhe shkeljeve të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në Republikën e Kosovës. Të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë dhe kemi parë raste monstruoze që kanë marrë vëmendjen tonë, por për fat të keq vetëm kur ato kanë përfunduar me fatalitet ne kemi mësuar për dhunën e ushtruar ndaj këtyre viktimave por edhe për shkeljet dhe lëshimet e bëra nga institucionet përkatëse dhe përgjegjëse për parandalimin, menaxhimin dhe dënimin e dhunuesve”, tha ai.

    Ky komision është themeluar në muajin qershor të këtij viti me nënshkrimin e 42 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    Në konstituimin e këtij komision sot munguan deputetët nga radhët opozitarë./KP/

  • MSH për ATV-në: Janë siguruar përmes UNICEF-it të gjitha vaksinat e gripit sezonal

    MSH për ATV-në: Janë siguruar përmes UNICEF-it të gjitha vaksinat e gripit sezonal

    Sot ka filluar vaksinimi në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në vend.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE nga qendra kryesore e mjekësisë familjarë në Prishtinë, gazetarja e ATV-së, Sara Shehu, njoftoi se ekipi mjekësor i vaksinimit ka filluar me kohë ofrimin e vaksinave qysh në orët e para të mëngjesit.

    “Deri më tani sipas menaxhmentit drejtues të QKMF-së, numri i të interesuarve ka arritur mbi pesëdhjetë. E në vaksinimin kundër gripit sezonal, prioritet janë moshat mbi gjashtëdhjetë e pesë vjet, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët me imunitet të dobët. Ndërkohë, sipas të dhënave të QKMF-së në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare apo njësitë e siç i quajmë ne, në komuna ka filluar vaksinimi me kohë”, tregoi ajo.

    Po ashtu, gazetarja thotë se Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për ATV-në se kanë arritur t’i sigurojnë të gjitha vaksinat përmes UNICEF-it ku numri i tyre shkon mbi 85 mijë vaksina.

    Ndërkohë, IKSHPK-ja vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve që vaksinimi të kryhet me kohë, në mënyrë që të shmanget edhe gripi sezonal. /atvlive.tv

  • 200 ushtarë britanikë arrijnë në Kosovë si përforcim i KFOR-it

    200 ushtarë britanikë arrijnë në Kosovë si përforcim i KFOR-it

    200 ushtarë të ushtrisë britanike kanë arritur në Kosovë si përforcim i KFOR-it.

    Kështu ka bërë të ditur Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë përmes një postimi në “X”.

    “Dyqind ushtarë të Ushtrisë Britanike po mbërrijnë në Kosovë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë “, thuhet në njoftim.

    “Nën komandën e NATO-s, forcat do të jenë të disponueshme për të kryer operacione në përputhje me mandatin e KFOR-it për të mbajtur një mjedis të sigurt e të qetë, dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Britania e Madhe vendosi të dërgojë trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, me kërkesë të komandantit suprem të Aleancës për Evropën, SACEUR, gjeneralit amerikan Chris Cavoli.

    Ndërsa, mbrëmë Rumania ka sjellë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u lëndua një polic tjetër.

    Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar një video ku shihen trupat rumun të KFOR-it duke hyrë në Kosovë nga kufiri me Maqedoninë.

  • Drenicaku konvertohet në fenë katolike, e ndërron emrin në Martin

    Drenicaku konvertohet në fenë katolike, e ndërron emrin në Martin

    Nasuf Krasniqi, një burrë nga fshati Negroc i Drenasitn është konvertuar në fenë katolike të dielën.

    Sipas një postimi në rrjetin social ‘X’, në Kishën ‘Shën Abrahami’ në Llapushnik burri nga Negroci është konvertuar nga feja myslimane në fenë katolike.

    Konvertimi ka ndodhur në festën e ‘Shën Abrahamit’ e cila është shënuar të dielën në Kishën e Llapushnikut.

    “Sot, për festën e Shën Abrahamit në Llapushnik, një Drenicak nga Negroci i Drenasit ka vendosur t’u kthehet rrënjëve të tij katolike dhe është pagëzuar duke zgjedhur emrin Martin”, ka thënë një përdorues në rrjetin social ‘X’.

    Sipas postimit, 11 drenicakë të tjerë u pagëzuan pak ditë më parë dhe “qindra të tjerë do të pagëzohen këtë muaj”.

    Nasuf Krasniqi, i pagëzuar të dielën, ka marrë emrin e ri ‘Martin’, ka bërë të ditur Famullia “Shën Abrahami” në Llapushnik, në një postim në rrjetet sociale të dielën.

    “Pagëzimi i Nasuf – Martin Krasniqit”, thuhet në postim.

  • Guvernatori i BQK-së në takimet vjetore të FMN-së, pritet të diskutohet për ecuritë e ekonomike

    Guvernatori i BQK-së në takimet vjetore të FMN-së, pritet të diskutohet për ecuritë e ekonomike

    Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore e Kosovës, i kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bordit, Bashkim Nurboja dhe Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Mbikëqyrjes Bankare, Blerim Terziqi po merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Marakesh të Marokut.

    BQK njofton se delegacioni i udhëhequr nga guvernatori Ismaili, do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet mbi ecuritë e ekonomike e financiare gjatë vitit 2023 si dhe pritjet për vitin 2024 e tutje.

    Në këto takime, Guvernatori Ismaili do të prezantojë prioritetet e tij për sektorin financiar dhe do të kërkojë mbështetje të këtyre dy institucioneve për zbatimin e tyre. Këto prioritete synojnë forcimin tutje të kapaciteteve dhe sistemeve të BQK-së, si parakusht për një sektor të shëndoshë financiar dhe përkrahës ndaj sektorit privat dhe ekonomive familjare.

    Gjatë qëndrimit të tij në Marakesh, Guvernatori Ismaili do të nënshkruajë me Bankën Botërore marrëveshjen për anëtarësim të BQK në programin e Thesarit të Bankës Botërore i quajtur “Reserve Advisory & Management Partnership” (RAMP).

    RAMP është program që merret me kapitalin njerëzor dhe ofron shërbime për menaxhimin e aseteve dhe rezervave, ku pjesëmarrës janë një numër i madh i bankave qendrore nga e gjithë bota.

    Po ashtu, Guvernatori Ismaili do të marrë pjesë në Sesionin Plenar ku Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva dhe Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga do t’iu drejtohen guvernatorëve të bankave qendrore dhe ministrave të financave nga e gjithë bota. Në këtë forum do të diskutohet mbi çështjet që lidhen me sfidat botërore dhe veprimet që duhet koordinuar së bashku për t’i adresuar ato.

    Në takimet që do të zhvillohen deri më 14 tetor, mbledhin bankierë qendrorë, ministra të financave dhe të ekonomisë, deputetë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të

    shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi botërore, si perspektiva ekonomike, zhdukja e varfërisë dhe zhvillimi ekonomik.

  • Përfundon seanca gjyqësore ndaj ministres Hajdari: Nuk ka vendim sot

    Përfundon seanca gjyqësore ndaj ministres Hajdari: Nuk ka vendim sot

    Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për aksidentin ku kishte goditur me veturë një fëmijë.

    Pas seancës, ministrja Hajdari ka thënë për KosovaPress se nuk ka ndonjë vendim nga seanca e sotme gjyqësore.

    “Nuk ka vendim sot. Punë të mbarë juve”, theksoi ajo shkurt për KosovaPress.

    Me kërkesë të avokatit të ministres, Shemdi Bunjaku, seanca është mbajtur e mbyllur për media, pasi sipas tij kjo seancë ka të bëjë me rastin e aksidentit me të mitur.

    Ndonëse me këtë kërkesë nuk u pajtua avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti. Teksa shtoi se kjo lëndë është zvarritur për shqyrtim.

    Më 10 prill të vitit 2022 një aksident kishte ndodhur në lagjen “Arbëria” në Prishtinë ku ishte aksidentuar një fëmijë, në këtë aksident ishte e përfshirë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Hajdari. Aksidentin në fjalë e kishte konfirmuar edhe policia.

  • Ushtria izraelite thotë se ka rimarrë kontrollin e të gjitha komuniteteve përreth Gazës

    Ushtria izraelite thotë se ka rimarrë kontrollin e të gjitha komuniteteve përreth Gazës

    Nuk ka luftime midis trupave të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (FMI) dhe Hamasit brenda Izraelit, dhe FMI ka rimarrë kontrollin e të gjitha komuniteteve rreth Rripit të Gazës, u tha gazetarëve të hënën në mëngjes zëdhënësi i FMI, kundëradmirali Daniel Hagari.

    Njoftimi vjen më shumë se 48 orë pasi Hamasi nisi një sulm të befasishëm me mijëra raketa dhe dërgoi luftëtarë përtej kufirit në një inkursion të ngjashëm të cilin Izraeli nuk e ka parë që nga Lufta e Pavarësisë e vitit 1948, shkruan cnn, transmeton KosovaPress.

    Ushtria izraelite thotë se ka rimarrë kontrollin e të gjitha komuniteteve rreth Gazës, më shumë se 48 orë pasi Hamasi nisi një sulm të papritur në të cilin u vranë më shumë se 700 njerëz.

    Videot tregojnë tmerrin në terren, duke përfshirë një sulm në një festival muzikor ku shpëtimtarët izraelitë thonë se gjetën 260 njerëz të vdekur. Video të tjera tregojnë civilët izraelitë të marrë peng. Hamasi pretendon se po mban më shumë se 100 pengje, duke përfshirë oficerë të ushtrisë izraelite.

    Izraeli ka goditur Gazën me sulme ajrore dhe zyrtarisht i ka shpallur luftë Hamasit të dielën. Më shumë se 400 palestinezë kanë vdekur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, dhe kujdesi mjekësor është komplikuar nga ndërprerja e energjisë nga Izraeli në territor.

  • Afganistan: Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar pas tërmeteve që lanë mbi 2.000 të vdekur

    Afganistan: Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar pas tërmeteve që lanë mbi 2.000 të vdekur

    Ekipet e shpëtimit i kanë vazhduar kërkimet të hënën për të nxjerrë të mbijetuar, si dhe të vdekur, nga rrënojat e tërmeteve vdekjeprurëse të së shtunës në qytetin veriperëndimor të Afganistanit, Herat.

    Administrata talibane tha se së paku 2.400 njerëz kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë lënduar si pasojë e tërmeteve, të cilët ishin në mesin e dridhjeve më vdekjeprurëse këtë vit, pas tërmeteve në Turqi dhe Siri, në të cilat u vranë rreth 50.000 njerëz.

    Shtetet fqinje Pakistani dhe Irani kanë thënë se janë të gatshme të dërgojnë ekipe të shpëtimit dhe ndihma humanitare në Afganistan.

    “Operacioni është duke vazhduar ende, ka njerëz që po nxirren nga rrënojat”, tha zëdhënësi i guvernatorit të Heratit, Nissar Ahmad Elyias, për Retuers, duke shtuar se më shumë se dhjetëra fshatra rreth Heratit janë prekur nga tërmetet.

    Shumë ndërtesa në qytetin Herat shpëtuan pothuajse pa u dëmtuar, por minaret e xhamive të tij të famshme mesjetare pësuan dëme, sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale.

    “Shumë prej anëtarëve të familjeve tona kanë rënë martirë, përfshirë njëri nga bijtë e mi, ndërsa djali im tjetër është lënduar”, tha për Reuters Mir Ahmed, një banor i Heratit.

    “Shumica e njerëzve janë ende nën rrënoja”, tha ai.

    I rrethuar nga bjeshkët, Afganistani ka histori të tërmeteve të fuqishme, shumica e të cilave ndodhin në rajonin Kush në kufi me Pakistanin.

    Numri i të vdekurve shpesh rritet kur lajmet vijnë nga pjesët e largëta të vendit, ku lufta dekadëshe e ka kthyer infrastrukturën në rrënoja, gjë që e bën shumë të vështirë organizimin e operacioneve të shpëtimit.

    Zyra humanitare e OKB-së tha të dielën se numri i të vdekurve nga këto tërmete ka arritur në 1.023, ndërsa 1.663 njerëz janë lënduar, si dhe 500 të tjerë janë zhdukur.

    Të gjitha shtëpitë në rrethinën Zindajan në Herat janë shkatërruar, sipas saj. /rel

  • Avokati i Hajdarit kërkon që grupi i ekspertëve të dëshmojnë për superekspertizën e aksidentit

    Avokati i Hajdarit kërkon që grupi i ekspertëve të dëshmojnë për superekspertizën e aksidentit

    Avokati i ministres Rozeta Hajdari, Shemdi Bunjaku, ka arsyetuar kërkesën për mbajtjen e seancës pa praninë e medieve, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se kjo është bërë duke respektuar Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, krejt me qëllim të mbrojtjes së të miturës që ishte aksidentuar nga ministrja.

    Ai ka sqaruar se pasi kanë pranuar superekspertizën e aksidentit i kanë kërkuar Gjykatës që në seancë të dëshmojnë grupi i ekspertëve.

    “Sot është mbajtur seancë në Gjykatën për kundërvajtjen lidhur me aksidentit që pretendohet se është aksidentuar nga Rozeta Hajdari e që ne Gjykatës i propozuam ta mbyll seancën duke respektuar Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, me qëllim të mbrojtjes së të miturës”.

    “Gjykata e aprovoi kërkesën tonë dhe e mbylli seancën, pastaj filluam dhe në seancë u deklaruam se e kemi pranuar superekspertizën për të cilën i propozuam Gjykatës që të jetë grupi i ekspertëve në seancë dhe ta shpjegojë”.

  • Kurti për raportet Vuçiq-Radoiçiq: Putini i vogël në Beograd duhet ta ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik

    Kurti për raportet Vuçiq-Radoiçiq: Putini i vogël në Beograd duhet ta ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik

    ryeministri Albin Kurti ka thënë se është vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme se armët dhe stërvitjet luftarake të serbëve që sulmuan fshatin Banjskë të Zveçanit kanë ardhur nga Serbia.

    Ai në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” ka theksuar se të gjitha armët e konfiskuara janë prodhuar në Serbi, dhe kanë ardhur nga Serbia, dhe sipas tij për nga lloji dhe sasia kanë mjaftuar për një ushtri të tërë.

    “Faktet e lartpërmendura na çojnë në përfundimin se nuk bëhet fjalë vetëm për një bandë kriminale dhe terroriste apo për shtetas të armatosur, por për profesionistë që kanë kryer trajnime serioze, me një lloj arme me origjinë nga Serbia. Serbia, po e përsëris, u ka siguruar pajisje ushtarake, ka kryer stërvitje luftarake, ka përcaktuar qëllime politike dhe ka ofruar mbështetje të plotë logjistike. Më në fund, dihet se ky grup terrorist ka kryer stërvitje në “Livadhet e Pasulit”, një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe”.

    “Përgjegjësia e Serbisë është e padiskutueshme edhe për ata që nuk duan ta shohin dhe dëgjojnë. Së dyti, Milan Radoiçiq është ish-nënkryetari i Listës Serbe nga Kosova, e cila është krijuar, ndihmuar dhe mbështetur nga Qeveria e Serbisë. Dhe të gjithë janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Serbisë. Më 29 shtator të këtij viti, vetë Vuçiq njoftoi dorëheqjen e Radoiçiqit nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, pas pranimit të Radoiçiqit se ka udhëhequr përgatitjet dhe ka marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

    Kurti ka komentuar edhe arrestimin e më pas lirimin e Radoiçoqit nga autoritetet serbe.

    “Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin kolumbian: Escobar në fakt do të pranonte të shkonte në burg me kusht që të vendosej në burgun e tij, të ndërtuar në mënyrë të pavarur, në të cilin do të kontrollonte komandantët dhe jo anasjelltas; mirë, gjoja do ta vuante dënimin atje”.

    “Marrëdhënia mes Vuçiqit dhe Radoiçiqit nuk është origjinale; e kemi parë tashmë shumë herë. Putini i vogël në Beograd duhet të ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik. Ose, nëse kthehemi pak më tej në të kaluarën, del një paralele: Sloba i ri në Beograd ka Arkanin e tij të ri në Kosovë”, ka thënë Kurti.

    Ai duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit, ka thënë se nëse ky akt i Serbisë nuk do të ndëshkohet, Serbia do ta përsëris atë.

    “Është e qartë se sulmi terrorist në Banjskë në Zveçan kërcënoi integritetin tonë territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë kombëtare. Gjithashtu, sulmi terrorist nxori në pah vështirësitë, si dhe nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. Pra, nevoja për ndëshkim të hapur – dhe atë me gjuhë të qartë dhe të përshtatshme – si dhe kërkesa e shprehur e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë”.

    “Po e përsëris se provat e mbledhura gjatë hetimeve të kryera tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni kundër Republikës së Kosovës. Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”, ka thënë Kurti.