ATV

Category: Lajme

  • “Thyhet akulli”, Kurti e Rama shtrëngojnë duart në Vlorë

    “Thyhet akulli”, Kurti e Rama shtrëngojnë duart në Vlorë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Inatet politike i lanë anash. Për nder të 28 Nëntorit, kryeministri Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia shtrënguan dorën njëri-tjetrit.

    Të dy liderët shqiptarë, morën pjesë në aktivitetet që u organizuan për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

    “Këtë festë të madhe të flamurit dhe lirisë së Pavarësisë dhe bashkimit për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, kudo që janë në Ballkan dhe në botë. Lavdi dëshmorëve të kombit, sot është ditë pushimi dhe feste dhe çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet dhe synimet e Skënderbeut nga Kruja, e Ismail Qemalit nga Vlora dhe të Adem Jasharit nga Prekazi”, tha Kurti.

    Ndryshe nga Kurti, liderët e Shqipërisë nuk janë deklaruar për media.

    Urimet për 28 Nëntorin, ata zgjodhën t’i bëjnë nëpërmjet rrjeteve sociale.

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministri Edi Rama, kanë thënë se modeli frymëzues i etërve themelues të shtetit, duhet të shërbejë si udhërrëfyes në çdo punë që shqiptarët bënë për vendin.

    Në kuadër të aktiviteteve për Pavarësi, për herë të parë në Tiranë është mbajtur edhe Parada e Shqiptarëve.

    Kremtja në kryeqytetin e Shqipërisë është përcjellë edhe me aktivitete të ndryshme, edhe në orët e mbrëmjes.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Memli Krasniqi bën homazhe tek varri i Skënderbeut në Lezhë

    Memli Krasniqi bën homazhe tek varri i Skënderbeut në Lezhë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë homazhe në qytetin historik të Lezhës në Shqipëri në nder të festës së 28 Nëntorit.

    I shoqëruar nga djali i tij, Krasniqi tha se është ndalur në Lezhën e historisë e të përbashkimit, te varri i kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, për të cilin tha se është pishtari më i ndritur në rrugëtimin tonë kombëtar për liri e mëvetësi.

    “Në ditën e madhe të kombit, me Malin ndalesën e dytë e bëmë në Lezhën e historisë e të përbashkimit, te varri i kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili, 580 vjet më parë, më 28 nëntor të vitit 1443, ngriti në Krujë flamurin me shqiponjën dykrenare, duke e ngritur kështu edhe vetëdijen e kombit tonë e duke u bërë vet pishtari më i ndritur në rrugëtimin tonë kombëtar për liri e mëvetësi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Para ndalesës në Lezhë, ai ishte edhe në Prizren tek Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit, për të nderuar patriotët shqiptarë, të cilët frymëzuan luftën për liri e shtet të pavarur shqiptar.

  • Idrizi thotë se iu pamundësua t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Vetëm Jakup Krasniqin e takova

    Idrizi thotë se iu pamundësua t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Vetëm Jakup Krasniqin e takova

    Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur Akademi Solemne me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, raporton EO. Edhe në këtë Akademi Solemne u përmendën ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se u pamundësua vizita te ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Në pamundësi për t’i takuar të gjithë, Idrizi tha se arriti ta takojë vetëm Jakup Krasniqin.

    “Kjo ditë është e veçantë sepse ngërthen në vete shumë ngjarje historike që kanë koiçiduar me të njëjtën datë, është ngritja e Flamurit të Skënderbeut, e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, është ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, është ditëlindja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ku sot 26 vjet më parë në Llaushë të Drenicës doli UÇK-ja për ta larguar një herë e përgjithmonë armikun nga trojet tona. Por edhe pas kësaj toke, Kosova nuk është e qetë sepse ata që udhëheqen luftën e UÇK-së, sot përballën padrejtësisht me një gjykatë të padrejtë në Hagë, prandaj dua t’u sjellë përshëndetjet e tyre dhe urimin më të ngrohtë për juve qytetarë të Vushtrrisë”.

    “Unë bëra përpjekje me bashkëpunëtorë që t’i vizitoj edhe pse na u ndalua vizita me Thaçin, Veselin e Selimin, arritëm ta takojmë Jakup Krasniqin. Bacën Jakup me atë mjekër të bardhë që i ngjasonte Ismail Qemalit dhe ai u përshëndeti të gjithëve në emrin e tij por edhe në emër të shokëve të tij”, u shpreh Idrizi.

  • ​Rama për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë: Jemi një, të festojmë gjithmonë bashkë

    ​Rama për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë: Jemi një, të festojmë gjithmonë bashkë

    Me rastin e shënimit të 111-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka uruar të gjithë qytetarët, me porosinë që të punohet në krijimin e një ardhme të ndritur për kombin shqiptar.

    Rama tha se është krenar që Kosova ka një diasporë fenomenale, cila e bën të mburret, dhe se shqiptarët po mbërrijnë në të gjitha sferat e jetës si në sport, kulturë, shkencë e teknologji.

    “Shihet që ne nuk na ndal as shiu e as bora të jemi bashkë e të festojmë bashkë gjithmonë. Jemi një… Jemi krenar që kemi një diasporë fenomenale në gjithë botën, e cila na bënë të mburremi… Shqiptarët po mbërrijnë në të gjitha sferat e jetës, në sport, kulturë, shkencë, teknologji. Kemi sot figura të mëdha, të mburremi me ta… Tash duhet të punojmë në paqe, ta ndërtojmë një paqe të mirë e të mrekullueshme, një rini të shëndoshë, të edukuar, se vetëm kështu në paqe mund ta krijojmë një të ardhme të mrekullueshme për të gjithë ne, rajonin dhe botën. Le të mbizotërojë paqja kudo në botë”, tha ai.

    Festa ka vazhduar me një koncert muzikor organizuar nga Komuna e Prishtinës, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në të cilin për shkak të motit me shi morën pjesë një numër i vogël qytetarësh.

    Ndryshe, me rastin e festave të nëntorit, një flamur gjigand me shqiponjën dykrenare është shpalosur dje në sheshin e Prishtinës. /kp

  • ​Vihet gurthemeli, Gjakova do të bëhet me shtatoren e Gjergj Kastriotit

    ​Vihet gurthemeli, Gjakova do të bëhet me shtatoren e Gjergj Kastriotit

    Në 111 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në Gjakovë është vënë gurthemeli i shtatores së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Derisa donatori i këtij projekti është Gjergj Prenkocaj, qytetar nga Gjakova që jeton në Zvicër.

    Në vënien e këtij gurthemeli, morën pjesë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe dhjetëra qytetarë të tjerë.

    Me këtë rast, kryetari Gjini u shpreh i lumtur që sot është vendosur ky gurthemel, derisa falënderoi Gjergjin dhe të tjerët që kanë kontribuuar në realizimin e këtij projekti.

    Gjini potencoi se shumë shpejtë, përmes një datë të shënuar, do të bëhet edhe zbulimi i shtatores së Skënderbeu, për çka tha se do t’i përngjajë asaj në Tiranë, e punuar nga skulptori, Odhise Paskali.

    “Gjithmonë duket që është e tepërt, por unë besoj që duhet përsëritet që diaspora jonë nuk është gjetur vetëm në luftë, nuk është gjetur vetëm në ndihmën financiare dhe mbështetje, mirëpo është gjetur në momente të cilat janë tepër të rëndësishme si ky sot…Unë si kryetar i Komunës së Gjakovës jam shumë i lumtur që sot po vendosim gurthemelin e monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të cilin e financon Gjergji…Po besoj që një datë shumë të shpejtë të shënuar, edhe do zbulojmë bashkë këtë monument”, tha Gjini.

    Ndërkaq, iniciatori dhe financuesi i këtij projekti, Gjergj Prekoccaj bëri thirrje që të ndiqet rruga e Skënderbeut.

    “Kam nderin sot të jem prezent pranë juve, iu falënderoj nga zemra për mbështetjen… falënderoj kryetarin Ardian Gjinin që më ka befasuar me mbështetjen me vullnetin e tij ta realizojmë këtë projekt së bashku…Dashtë Zoti kështu shqiptarët të jemi të bashkuar, ta ndjekim rrugën e Gjergj Kastriotit, iniciativa ime ka qenë se është thelbi i çdo gjëje të mirë që e kanë shqiptarët, e gëzofshim pra”, theksoi Prenkoccaj.

    Figurën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, si të rëndësishme dhe me vlera të larta, e cilësojnë edhe qytetarët.

    Ekrem Tërshnjaku, nga Prizreni tha se në këtë ditë të veçantë kur po festohet pavarësia dhe ngritja e flamurit në Vlorë, “i ka hije shqiptarisë”, një organizim i tillë.

    “Një ndër figurat më embleme të gjithë shqiptarisë është Skënderbeu, prandaj në këtë ditë të veçanet kur po festojmë pavarësia dhe flamurin e ngritjes në Vlorë, është me të vërtetë një eveniment që i ka hije shqiptarisë. Unë nuk jam prej këtu, kam ardhur nga Prizreni vetëm për këtë eveniment. Urime edhe festa e 28 nëntorit”, tha Tërshnjaku.

    Po ashtu, edhe Musha Kabashi nga Gjakova u shpreh falënderues për vendosjen e gurthemelit për shtatores së Skënderbeut, derisa e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë ngjarje, siç tha ai për të gjitha trojet shqiptare.

    “Kjo është rëndësi shumë e madhe për jetë për këtë ditë, që është ditë manifestimi për të gjithë shqiptarët kudo që janë në trojet tona, në vendet tona, në Shqipëri, në Kosovë, Preshevë, Medvegjë, çdokënd. Jemi falënderues për këtë ardhje të themelit të shtatores së Gjergj Kastriotit”, potencoi Kabashi. /KP

  • Dëshmitari i mbrojtjes thotë se për Pjetër Shalën ka dëgjuar vetëm kur filloi gjykimi

    Dëshmitari i mbrojtjes thotë se për Pjetër Shalën ka dëgjuar vetëm kur filloi gjykimi

    Dëshmitari i nëntë i mbrojtjes, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse, tha se për Pjetër Shalën nuk ka dëgjuar dhe as nuk e ka parë atë gjatë vitit 1999.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Pjetër Shalës, avokatit Mohammed Hedi Aouini, dëshmitari tha së për të akuzuarin ka dëgjuar vetëm kur kanë filluar seancat gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Jo nuk kam parë dhe nuk kam dëgjuar për të, përveç tash kur kanë fillu seancat gjyqësore”, tha dëshmitari me kodin W04280.

    Po ashtu, dëshmitari tha se gjatë vitit 1999 nuk ka dëgjuar asnjëherë për dikë me nofkën ‘Ujku”.

    Pas kësaj, me kërkesën e avokatit Aouini, seanca sërish kaloi në sesion privat për publikun.

  • IPK-ja arreston një zyrtar policor në Gjakovë për ngacmim dhe dhunim

    IPK-ja arreston një zyrtar policor në Gjakovë për ngacmim dhe dhunim

    Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot (e martë) një zyrtar policor në Gjakovë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Ngacmim” dhe “Dhunim”.

    Inspektorati Policor kishte pranuar informacione dy ditë më herët nga Policia e Kosovës dhe ankuesja e cila ka denoncuar rastin në të cilin rast ky zyrtar policor dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme.

    Më komunikatë thuhet se bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtari policor ka shantazhuar viktimën në këtë rast përmes disa fotove dhe video incizimeve.

    “Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.

    Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

  • Fisnik Ismaili del me deklaratë të fuqishme: Deputetet fajësonin viktimat e përdhunimit gjatë luftës

    Fisnik Ismaili del me deklaratë të fuqishme: Deputetet fajësonin viktimat e përdhunimit gjatë luftës

    Aktiviteti i tij në dimensione të ndryshme ka bërë që emri i tij të dëgjohet shpesh. Fisnik Ismaili i cili e krijoi monumentin simbol të Pavarësisë së Kosovës “NEWBORN”, monument ky që për vite me radhë përmes ndryshimit të vazhdueshëm përcjell mesazhe të rëndësishme për kauza të rëndësishme, ishte i ftuar në emisionin “LIBERO” ku rrëfeu pjesë të shumta nga jeta dhe puna e tij.

    Një prej çështjeve që Fisnik Ismaili, ka ngritur zërin, ka qenë mbrojtja e të drejtave të grave.

    Ai ndau disa situata ku është përballur me deputete gra, pasi që në rastet e abuzimeve dhe përdhunimeve të grave gjatë luftës së fundit, deputetet i kanë fajësuar viktimat.

    “…Kam marrë pjesë në Komisionin për barazi gjinore dhe të drejtat e njeriut, si i vetmi burrë…Ka pasur raste të përdhunimeve të grave dhe disa deputete gra i kanë fajësuar viktimat duke thënë: ‘Hajt se e ka lypë ajo’…”,tha ai.

    Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Rritet çmimi i naftës

    Rritet çmimi i naftës

    Çmimet e naftës u rritën të martën për shkak të pasigurisë së furnizimit, pasiguri kjo e cila u rrit për shkak të mosmarrëveshjeve midis anëtarëve të OPEC + (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) mbi kuotat e tyre të prodhimit për vitin e ardhshëm.

    Nafta e papërpunuar standarde ndërkombëtare Brent tregtohej me 80,50 dollarë për fuçi në orën 11:40 të mëngjesit me orën lokale, një rritje prej 0,79% nga çmimi i mbylljes prej 79,87 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të hënën.

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 75,47 dollarë për fuçi, 0,81% më shumë nga mbyllja e së hënës prej 74,86 dollarë për fuçi.

    Pasiguritë e furnizimit në tregjet globale të naftës vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e naftës. Takimi i anëtarëve të OPEC+ i planifikuar për 26 nëntor në Vjenë u shty me katër ditë për 30 nëntor, shkruan AA.

    Grupi pritet të përcaktojë kuotat e prodhimit që do të vendosen nga janari e në vazhdim.

  • Albin Kurti: Të punojmë për idealet e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit

    Albin Kurti: Të punojmë për idealet e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në Vlorë për të festuar 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

    Nga qyteti i flamurit, Kurti u shpreh se të gjithë duhet të punojnë për idealet dhe synimet e Skënderbeut nga Kruja, Ismail Qemalit nga Vlora dhe Adem Jasharit nga Prekazi.

    “Gëzuar të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, këtë festë të madhe të Flamurit e të lirisë, të Pavarësisë e të bashkimit për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, kudo që janë në Ballkan e në mërgatë. Lavdi dëshmorëve të kombit, sot është ditë pushimi, feste, e çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet, synimet e Skënderbeut nga Kruja, të Ismail Qemalit nga Vlora e të Adem Jasharit nga Prekazi. Ne ishim këtu për të bërë nderime në Vlorë me krerët institucional të shtetit shqiptar dhe pasdite do të jemi në Kosovë për të bërë homazh tek varrezat e Jasharajve, në krye me komandantin Adem Jashari. Dje kishim ditën e Ushtrisë së Kosovës, dhe për shkak se gjithë këto aktivitete nuk mund t’i vendosim në një ditë, do të vazhdojmë edhe nesër me ngjarje të ndryshme kulturore, artistike për nder të 28 Nëntorit, kësaj date themeltare të identitetit kombëtar”.

    Sa i përket komente politike, Kurti i shmangu duke thënë se sot nuk është dita.

    “Nuk është sot dita që të flasim për dallimet politike apo polemikat aktuale. Sot jemi bashkë, shqiptarët e kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën, e kanë të përbashkët historinë dhe ardhmërinë dhe e tashmja mbushet me kuptim pikërisht në këtë mënyrë. Kemi shumë ditë të tjera përgjatë vitit për temat”./tvklan.al