ATV

Category: Lajme

  • Prokuroria Speciale mban konferencë lidhur me aktakuzat për krime lufte

    Prokuroria Speciale mban konferencë lidhur me aktakuzat për krime lufte

    Prokuroria Speciale e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media, lidhur me ngritjen e aktakuzave për krime të luftës.

    Sipas njoftimit, konferenca do të mbahet me fillim nga ora 10:00.

    Konferenca do të mbahet, në objektin e Prokurorisë Speciale, kati 6, Rr. Luan Haradinaj.

  • Në shtëpinë e tij u gjet e mitura që ishte raportuar e zhdukur, arrestohet një burrë në Prizren

    Në shtëpinë e tij u gjet e mitura që ishte raportuar e zhdukur, arrestohet një burrë në Prizren

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një burrë në Prizren, pasi që në shtëpinë e tij është gjetur një e mitur e cila ishte raportuar e zhdukur më 5 dhjetor.

    Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se viktima me dëshirën e saj është kthyer tek prindërit e saj, derisa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “BASHKËSIA JASHTËMARTESORE ME PERSONAT NËN MOSHËN 16 VJEÇ – Prizren,07.12.2023-14:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që në shtëpinë e tij është gjetur e mitura femër kosovare e cila më 05.12.2023 është raportuar si person i zhdukur. Pas intervistimit, me dëshirën e saj viktima është kthyer tek prindërit e saj, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Edhe tri raste të monedhave të falsifikuara në Prishtinë

    Edhe tri raste të monedhave të falsifikuara në Prishtinë

    Në rajonin e Prishtinës, dje janë raportuar për disa monedha dhe kartëmonedha të llojeve të ndryshme, që dyshohet të jenë të falsifikuara.

    Sipas Policisë, lidhur me rastet janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore për procedura të mëtejme hetimore.

    Rastet nën hetime.

  • ​BQK hap konkurs për zëvendësguvernator, këto janë kushtet

    ​BQK hap konkurs për zëvendësguvernator, këto janë kushtet

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka shpallur konkurs për zëvendësguvernator për mbikëqyrje financiare, i cili do të jetë i hapur deri më 18 dhjetor 2023.

    Sipas njoftimit të BQK-së, zëvendësguvernatori/ja për mbikëqyrje financiare shërben si anëtar/e i/e Bordit Ekzekutiv dhe e ndihmon Guvernatorin në realizimin e operacioneve të BQK-së.

    “Është i/e ngarkuar me funksionet e BQK-së për licencim dhe mbikëqyrje të bankave, kompanive të sigurimit, fondeve pensionale dhe institucioneve të tjera financiare. Po ashtu mund të ngarkohet me detyra dhe përgjegjësi shtesë ose portofol tjetër sipas strukturës organizative”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu në këtë njoftim të BQK-së janë përcaktuar kushtet për t’u bërë zëvendësguvernator i ri në këtë institucion, raporton KosovaPress.

    “Të ketë minimum dhjetë vjet përvojë profesionale ose akademike në fushat e ekonomisë, financave, bankave, kontabilitetit apo çështjeve juridike; Të ketë njohuri në zhvillimin dhe implementimin e politikave të rëndësishme të lidhura me objektivat dhe detyrat e BQK-së; Të përmbushë kërkesat nga neni 40 i Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për këtë konkurs.

    Kuvendi i Kosovës pesë muaj më parë zgjodhi Ahmet Ismailin guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës me 56 vota.

  • DASH: Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim konkret në angazhimet që kanë marrë në kuadër të dialogut

    DASH: Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim konkret në angazhimet që kanë marrë në kuadër të dialogut

    Që nga fillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi në vitin 2011, perëndimi e ka theksuar se ky është kusht për integrimet evropiane.

    Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm bisedimet e lehtësuara nga BE-ja si e vetmja rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Për këtë arsye, ne përsërisim thirrjet tona për qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë përparim konkret në angazhimet që kanë marrë në kuadër të marrëveshjes së normalizimit dhe presim që të dyja vendet të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të zbatimit të saj”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të DASH-it në të cilën ritheksohet përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Serbinë, Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike.
    Gjatë ditës së djeshme, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha në Bruksel se ka progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet të dyja palëve.

    Ai e tha këtë gjatë debatit për zgjerimin të zhvilluar nga organizata “Miqtë e Evropës“.
    Lajçak theksoi se e ardhmja evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund as ëndërr të shihet pa normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi strategjike. Pa këtë normalizim nuk mund as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi progres kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, deklaroi Lajçak duke shtuar se ai është në kontakt të vazhdueshëm me palët për të vazhduar me zbatimin.

  • Ku ishte FSK-ja gjatë sulmit terrorist në Banjskë? Maqedonci rrëfen prapaskenat dhe skenarët e këtij sulmi

    Ku ishte FSK-ja gjatë sulmit terrorist në Banjskë? Maqedonci rrëfen prapaskenat dhe skenarët e këtij sulmi

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se FSK-ja ka qenë në gjendje gatishmërie për të ofruar mbështetjen për mbrojtjen e territorit të Kosovës, në rast se një gjë e tillë do të kishte konsideruar të nevojshme KFOR-i, gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.

    “Ne kemi ofruar mbështetje për KFOR-in, në rast se nuk mund të bëjmë menaxhimin apo në rast se KFOR-i kërkon nga ne mbështetje për menaxhimin e situatës, fatmirësisht edhe tashmë herët Policia e Kosovës ka arritur të mposhtë këtë grup paramilitar dhe nuk është kërkuar nga Forca e Sigurisë Kosovës të zbarkojë në atë pjesë për të zhvilluar operacion, mirëpo në rast se KFOR-i, në rast se NATO do të kishte vlerësuar që për kryerjen e mandatit të tyre do të nevojitej FSK-ja, ne duke pasë parasysh që në aspektin kushtetues dhe ligjor jemi të obliguar të mbrojmë territorin e vendit tonë, ishim të gatshëm që të ofrojmë këtë mbështetje. Të gjitha shtabet e FSK-së, normalisht kanë realizuar analizë, kemi ngritur në gatishmëri njësitë përkatëse, të cilat i ngrisim në çdo rast, kur kemi kërcënim apo rrezik dhe kemi qenë të gatshëm të mbështesim KFOR-in në zbatimin e detyrës parësore të tij për të krijuar ambient të sigurt”, tha Maqedonci.

    Ai tregon se ditën e sulmit, kanë qenë në kontakte të vazhdueshme me KFOR-in, për t’i kemi sinkronizuar dhe koordinuar të gjitha aspektet e bashkëpunimit.

    “Vlerësoj që Forca e Sigurisë së Kosovës ka vepruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne e dimë që kemi një zotim të vitit 2013 në lidhje me mospërfshirjen e FSK-së në veri pa koordinim me KFOR-in. Unë si ministër i Mbrojtjes, bashkë me Komandantin e FSK-së, që nga mëngjesi kemi qenë jo vetëm në kontakt me Qeverinë, jo vetëm në kontakt me kryeministrin dhe ministrat përkatës, mirëpo kemi pasë në vazhdimësi kontakt me komandantin e KFOR-it dhe selinë e NATO-s, ku i kemi sinkronizuar dhe koordinuar të gjitha aspektet e bashkëpunimit”, tregoi Maqedonci.

    Ai thotë se indikacionet janë të qarta për synimin e sulmit terrorist, për të okupuar pjesë të caktuara të territorit në veri të vendit.

    “Sulmi në Banjskë, unë e vlerësoj që ka qenë një agresion i një grupi të armatosur, të mbështetur nga strukturat shtetërore të Serbisë. Kjo del edhe për shumë arsye që kanë dalur nga faktet që janë gjetur në vendngjarje, që lidhet me sistemet e armatimit që janë përdorur nga ky grup, hartat edhe elemente tjera që me të vërtetë japin indikacione të qarta për një synim, për të okupuar pjesë të caktuara të territorit në veri të vendit dhe me elemente terroriste, për shkak që sulmi në vetvete si taktikë ka qenë terroriste, duke sulmuar policinë me mjete edhe elemente të ndryshëm ushtarakë. Ky grup ka qenë i përgatitur, i trajnuar edhe ka planifikuar një agresion, duke qenë të uniformuar. Kam vlerësuar që mund ta legjitimojnë këtë agresion dhe duke zhvilluar aktivitete terroriste, kanë tentuar të frikësojnë institucionet tona, por edhe qytetarët e vendit në veri, me qëllim që të krijojnë efektin strategjik”, tha Maqedonci. /atvlive.tv

  • “Ai është pezulluar nga detyra”, Maqedonci flet për pjesëtarin e FSK-së, të dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt

    “Ai është pezulluar nga detyra”, Maqedonci flet për pjesëtarin e FSK-së, të dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin CONTEXT në ATV, tregoi se pjesëtari i FSK-së, Kushtrim Kokolla, i akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e Liridona Ademajt, është pezulluar nga detyra.

    “Si rasti i fundit kur gjykata faktikisht kur prokuroria e adreson këtë çështje dhe merret me individin, detyrë e jona është normalisht sipas rregulloreve që të pezullojmë, pra ta suspendojmë nga detyra për t’i dhënë mundësinë organeve të tjera të bëjnë hetimet e nevojshme, por edhe gjykatës që të kryejë punën e saj. Mirëpo, megjithatë ne vazhdojmë, kemi edhe ekipin e hetimeve brenda Policisë Ushtarake, ekip i cili realizon hetime, në rast se lidhet diçka me FSK-në edhe me kohën kur ka shërbyer aty që ndërlidhet edhe me krimin e supozuar jashtë”, tha Maqedonci.

    Ai thotë se në momentin që ai shpallet fajtor, atëherë automatikisht largohet nga FSK.

    “Ne në vazhdimësi ndjekim procesin gjyqësor, normalisht jo vetëm për të mbështetur aspektin e prokurorisë, por gjithashtu edhe për të shikuar edhe aspektin e ligjshmërisë të akuzës, pra në njëfarë forme, ne shikojmë edhe aspektin e mbrojtjes së drejtave të ushtarëve kur ballafaqohen me këto raste, por në momentin shpallet fajtor, atëherë largohet automatikisht nga FSK”, tregoi Maqedonci.

    Këtë rast, ai e vlerëson si rast të izoluar dhe nuk e përjashton se mund të ketë individë që mund të kryejnë akte të këqija jashtë institucionit.

    “Vlerësojmë se janë raste të izoluara. Një gjë duhet ta kemi parasysh se ushtria del prej popullit, pra qytetarët e këtij vendi e bëjnë ushtrinë. Çka është dallimi, është që normalisht ne jemi konsideruar ndër vite si institucioni më kredibilitetin më të lartë. Ne e kemi një kulturë të veçantë brenda FSK-së siç e kemi edhe brenda Ministrisë së Mbrojtjes që vjen si rezultat i formësimit ushtarak, formësimit, rregullit, disiplinës e të gjitha të tjerave. Megjithatë, ne nuk e përjashtojmë kurrë mundësinë që nga radhët tona të ketë edhe individë të cilët mund të kryejnë akte të këqija në raport jashtë institucionit, mirëpo megjithatë ne kemi marrë masa qysh në fillim. Në bëjmë vetingun, bëjmë një kontroll të së kaluarës të secilit pjesëtar qytetar që i bashkëngjitet FSK-së. Ne në vazhdimësi bëjmë edhe kontroll, i kemi hierarkinë ushtarake e cila është e obligueshme që të mbikëqyrë çdo lëvizje, qoftë edhe e dyshimtë, mirëpo normalisht ne nuk mund kontrollojnë çdo gjë 24 orë për secilin individ. Me të vërtetë, këto raste janë të izoluara”, deklaroi ministri Maqedonci. /atvlive.tv

  • Fillon gjykimi ndaj Gavrilo Milosavljeviqit, akuzohet për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës

    Fillon gjykimi ndaj Gavrilo Milosavljeviqit, akuzohet për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës

    Përgatiti: Nora Luta

    Lista me emrat e të vrarëve në burgun e Dubravës është e gjatë.

    Dhe secili nga 109 të burgosurit që u vranë gjatë një operacioni masiv të forcave serbe në maj të 1999-s, janë përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila e ngarkon për krime lufte 65-vjeçarin nga Istogu, Gavrilo Milosavleviç.

    Milosavleviç akuzohet se individualisht dhe në bashkëkryerje me forcat serbe, në cilësinë e zyrtarit, në këtë burg mori pjesë në këto vrasje dhe plagosjen e 108 personave të tjerë.

    Operacioni i forcave serbe kishte zgjatur nga 19 deri më 24 maj të 1999-s. Më 22 maj, në ditën e masakrës rreth 1 mijë të burgosur ishin urdhëruar të dalin te vendi i quajtur “Fusha e Sportit”.

    Sipas organit të akuzës, disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur Ukshin Hoti, fati i të cilit ende nuk dihet, duke e fajësuar atë për bombardimet e NATO-s.

    Për veprimet që akuzohet se i kreu para 23 vjetësh, Gavrilo Milosavleviç thotë se nuk ndihet fajtor.

    Mbrojtja e Milosavlevicit, i cili është në paraburgim që nga dhjetori i vitit të kaluar, ka kërkuar një masë alternative, duke shprehur gatishmëri edhe për pagesë për dorëzani.

    Kërkesa e Vasicit është kundërshtuar nga Prokuroria Speciale, e cila ngriti aktakuzë ndaj klientit të tij, në fund të muajit nëntor.

    PSRK-ja është duke hetuar edhe persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në masakrën e Dubravës, gjatë së cilës u vranë 160 persona, e mbetën të plagosur më shumë se 300.

  • Fshati Koshare ende nuk ka qendër të mjekësisë familjare

    Fshati Koshare ende nuk ka qendër të mjekësisë familjare

    Përgatiti: Sara Shehu

    Ka mbi 3 mijë banorë, por fshati Koshare në Komunën e Ferizajt ende nuk ka Qendër të Mjekësisë Familjare.

    Planet për ndërtimin e qendrës kishin filluar qysh në vitin 2021, duke u renditur në projektet e Kornizës Afatmesme Buxhetore të Komunës për vitet 2022-2024.

    Megjithatë, drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, Kemajl Emini, thotë se ka arsye përse ndërtimi nuk filloi.

    “Ne kemi projekt për Koshare QMF në investime kapitale për vitin 2024, janë ndarë 50 mijë euro, vonesat në punime kanë qenë për shkak të stafit mjekësor s’ka pasë mjaftueshëm, është destinuar përmes kuvendit komunal edhe prona”, tha Emini.

    Mungesën e qendrës, më së shumti e vuajnë banorët të cilët duhet të udhëtojnë së paku 7 kilometra deri tek QFM-ja më e afërt.

    “Ky fshat ka më shumë se 500 shtëpi dhe mbi 3000 banorë e oshtë koxha problem se për çdo rast që kanë probleme me shëndet po duhet me shku n’qendër me marr e kjo po iu kushton edhe në rrugë shtrenjtë, komuna na ka thane se s’kanë financim edhe staf mjekësor”, tha kryetari i fshatit Koshare, Sadik Qerimi.

    Kritika për situatën në këtë fshat kanë edhe aktivistë të shoqërisë civile. Nëpërmes një përgjigje me shkrim, Mexhit Ramusa, i cili monitoron në vazhdimësi çështjen e investimeve të kujdesit parësor shëndetësor në këtë komunë, thotë se Komuna e Ferizajt, ndër vite, ka mungesë të investimeve, në zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës shëndetësore.

    Situatë e njëjtë si në Koshare, është edhe në fshatin Rakaj.

  • Gjashtë vjet burgim për tre personat që sulmuan gazetarin Valon Syla

    Gjashtë vjet burgim për tre personat që sulmuan gazetarin Valon Syla

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në seancë erdhi me vonesë, andaj vendimin e gjykatës ndaj personave që e kishin sulmuar fizikisht, Valon Syla e dëgjoi në këmbë e krejt në fund të sallës.

    Të akuzuarit, vëllezërit Kenan e Okan Hasani dhe Lum Dervishi, që nuk qenë prezent në shpalljen e aktgjykimit, për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”, u dënuan me nga dy vjet burgim, duke iu llogaritur koha që kanë qëndruar në paraburgim që nga muaji prill.

    “Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani dënohen me nga 2 vjet burgim efektiv…”, tha kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani.

    Për gazetarin Syla, që paraqitjen në gjykatë si viktimë e sulmit fizik nuk e ka për herë të parë, vendimi u konsiderua i drejtë.

    “Kosova pra ka shpresë, kur secili prej nesh e kryen detyrën e vet dhe e ka përnime”, tha Syla.

    Në seancën e 21 gushtit, tre tashmë të dënuarit, kishin refuzuar të ngrihen në këmbë, duke deklaruar se, sipas tyre, është jashtë rregullave fetare.
    Megjithatë, sipas Valon Sylës, ata kishin ofruar para në këmbim të faljes.
    “Kanë ardhë persona kështu që i kanë çu, demek t’i jepim kaq pare veç me i falë, po natyrisht që kom refuzu…”, tha Syla.

    Sipas dosjes së prokurorisë, më 11 prill rreth orës 23:00 tre personat, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin sulmuar gazetarin Valon Syla në afërsi të një lokali në lagjen “Bregu i Diellit”.

    Ngjarjes i kishin paraprirë disa postime satirike të gazetarit, lidhur me imamin e një xhamie në Prizren.