ATV

Category: Lajme

  • Mbi 20 komuna nuk i falin 100 euro nga tatimi në pronë

    Mbi 20 komuna nuk i falin 100 euro nga tatimi në pronë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Tetë dhjetori ishte afati i fundit dhënë komunave për t’u përcaktuar nëse do të falin 100 euro nga tatimi në pronë për qytetarët. Megjithatë, mbi 20 komuna vendosën që të mos e përfillin Ligjin për faljen e Tatimit në Pronë.

    Në mesin e tyre është edhe komuna e Prizrenit. Madje, këtë ligj vetë kryetari i Prizrenit e kishte kontestuar në Gjykatën Kushtetuese. E, sipas nënkryetarit të Prizrenit, 100 euro nga tatimi në pronë Komunës, i sjell dëm prej 3 milionë euro.

    Por, qytetarët nuk pajtohen.

    Në anën tjetër, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës vendimin për mosfalje të 100 eurove e kanë arsyetuar pikërisht me dëmin financiar që u shkaktohet komunave.

    Komuna e fundit që vendosi t’ua falë qytetarëve 100 euro nga tatimi në pronë ishte Podujeva. Ndërkaq, një ditë më parë Prishtina vendosi që t’ua falë qytetarëve vetëm nga 75 euro.

    Deri në fund të muajit tetor, komunat kanë mbledhur mbi 95 për qind të të hyrave nga tatimi në pronë. Rrjedhimisht qytetarët do të kompensohen nga viti i ardhshëm.

  • LDK-ja me akuza drejt Qeverisë dhe Vitisë për gjendjen në shëndetësi

    LDK-ja me akuza drejt Qeverisë dhe Vitisë për gjendjen në shëndetësi

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Vendi po përballet me një pandemi të re, atë të paaftësisë së Ministrisë së Shëndetësisë që t’u japë përgjigje problemeve në këtë sektor, konstatoi Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Në një konferencë të mbajtur për media, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, njëherazi deputet i kësaj partie, tha se Ligjin për Shëndetësi dhe atë për Sigurimet Shëndetësore, ministri Arben Vitia i largoi prej strategjisë.

    “Ky ministër e ka larguar nga strategjia ligjin për shëndetësi dhe ligjin për sigurimet shëndetësore. Kam informacione të sakta të konfirmuara që ky ligj është bartur për vitin e ardhshëm, ashtu siç është bartur që tri vite me radhë. Domethënë prioritetet dhe premtimet që erdhën qeveria në pushtet tani po kalojnë në bartje në vitet e ardhshme”, tha Zemaj.

    Zemaj akuzoi qeverinë edhe për dorëheqjet e mjekëve. E në mungesë të stafit dhe mosangazhimit të Ministrisë, sipas Zemajt, gjendja në shëndetësi po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.

    “Më shumë se 200 mjekë po na ikin çdo vit, e për ikjen e tyre nuk ka asnjë reagim nga qeveria, nuk kemi asnjë investim kapital, kemi ankesa të njëjta nga të gjitha odat e profesionistëve shëndetësorë”, tha Zemaj.

    Ndryshe, sipas raportit për investime kapitale, për periudhën janar-shtator, Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar vetëm tetë për qind të buxhetit.

  • Kush është Princi nga Peja, i kërkuar nga Interpol- i

    Kush është Princi nga Peja, i kërkuar nga Interpol- i

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Disa objekte banimi në Pejë, pronë e një bosi të drogës në Evropë, ishin cak i hetuesve policorë të enjten. Princ Dobroshi u arrestua në nëntor në Shqipëri, meqë kërkohej edhe nga INTERPOL-i.

    59-vjeçari, që dyshohet për trafikim me narkotikë edhe në vendet e Bashkimit Evropian, pritet të ekstradohet në Gjermani, brenda vitit.

    “Është arrestuar me datë 22 nëntor në Tiranë. Lajmi është mbajtur sekret, masa e sigurisë me ekstradim brenda 40 ditësh, është zhvilluar po ashtu në situatë të tillë”, tha gazetari nga Shqipëria, Sokol Dema.

    Ndonëse, operacioni është zhvilluar në heshtje, Policisë së Shqipërisë thuhet se i ka ndihmuar shumë Polica e Kosovës.

    “Për gjetjen e tij në Tiranë, besohet se ka ndihmuar Policia e Kosovës…”, tha Dema.

    Në fakt, historia kriminale e Princ Dobroshit kishte filluar qysh më herët.
    Në vitin 1988, si 24 vjeç, kishte migruar nga Peja në Gjermani, duke nisur kështu biznesin e kazinove, për t’u arrestuar vetëm 5 vjet më vonë për trafikim droge.

    Më pastaj, në vitin 1994, u dënua me 14 vjet burgim në Norvegji. Gjatë vuajtjes së dënimit u arratis dhe sipas mediave atje bëri operacion plastik, i cili nuk i shërbeu shumë, meqenëse u kap sërish, dhe pas përfundimit të dënimit, në vitin 2005 u soll sërish në Kosovë.

  • Kërkesat për shkarkimin e kryetarëve në veri, duke u shqyrtuar

    Kërkesat për shkarkimin e kryetarëve në veri, duke u shqyrtuar

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut është duke e shqyrtuar kërkesën e banorëve serbë për shkarkimin e kryetarit të Komunës.

    Por, kërkesa e dorëzuar të enjten, sipas kryetarit të asamblesë komunale në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin, nuk është në përputhje me udhëzimin administrativ të hartuar nga Qeveria e Kosovës.

    Madje, Uglanin shtoi se iniciativa për ta shkarkuar Erden Atiqin nga posti i kryetarit, është e dirigjuar nga Lista Serbe.

    Se prapa dëshirës për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë qëndron partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e thotë edhe kryetari i Zubin Potokut.

    Izmir Zeqiri më shumë preferon një marrëveshje politike, sesa shkarkimin përmes peticionit.

    Sipas Udhëzimit Administrativ, kryesuesi i kuvendit komunal jo më vonë se pesë ditë, duhet ta shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë grupin nismëtar si palë e autorizuar.

  • KEK-u nuk shpall konkurs për kryeshef, vazhdon me ushtrues detyre

    KEK-u nuk shpall konkurs për kryeshef, vazhdon me ushtrues detyre

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Korporata Energjetike e Kosovës është duke funksionuar me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv, që nga muaji Prill.

    Pak ditë pas arrestimit, Bordi i Drejtorëve i kësaj ndërmarrjeje publike e suspendoi Nagip Krasniqin dhe e caktoi ushtrues detyre të kryeshefit, Përparim Kabashin.

    Derisa suspendimi mbetet në fuqi, në Shtator Gjykata ia ndryshoi Krasniqit masën e sigurisë nga paraburgimi në ndalim afrimi objektit apo punonjësve të KEK-ut.

    Gati tetë muaj nga arrestimi, Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë.

    “Hetimet kundër të pandehurit N.K. janë duke vazhduar në mënyrë intensive. Andaj, duke pasur parasysh se në këtë fazë nuk mund të japim të dhëna të tjera, kërkojmë mirëkuptim nga ju”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Në Gusht, Bordi i Drejtorëve i KEK-ut kishte njoftuar se nuk do ta shkarkojë Krasniqin e as nuk do të shpallë konkurs për kryeshef të ri, “pa një vendim nga organet e drejtësisë, apo pa krijimin e rrethanave të cilat Bordi do t’i konsiderojë të domosdoshme për të sjellë një vendim meritor”. Bordi nuk ka dalë me qëndrim të ri.

    Në heshtje lidhur me këtë çështje është Ministria e Ekonomisë, e cila ka në mandat mbikëqyrjen e ndërmarrjeve publike.

    Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19 Prill nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

  • Hetimet për krimet e luftës, 53 të akuzuar për masakrën e Mejës

    Hetimet për krimet e luftës, 53 të akuzuar për masakrën e Mejës

    Përgatiti: Nora Luta

    370 civilë kishin mbetur të vrarë gjatë një operacioni të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, gjatë 27 dhe 29 prillit të vitit 1999, në Mejë dhe rajonin Reka e Keqe të Gjakovës.

    Hetimet e Prokurorisë Speciale dëshmojnë se përveç vrasjeve, sulmi përfshinte djegien e shtëpive, keqtrajtim dhe dëbim të dhunshëm për në Shqipëri.

    Provat dhe dokumentacionet e grumbulluara rezultuan me ngritjen e aktakuzës ndaj 53 personave, 16 nga ta me përgjegjësi komanduese në ushtrinë jugosllave dhe policinë e shtetit serb.

    Në llupën e Prokurorisë Speciale janë edhe 88 persona, të dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës, ku ndaj një personi tashmë ka nisur gjykimi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Legjislacioni që është në fuqi, përfshirë atë për gjykimin në mungesë, sipas Prokurorisë Speciale, paraqet sfidë në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.

    Megjithatë, theksojnë se hetimet për zbardhjen e këtyre rasteve janë duke u zhvilluar pa dallim etnie.

    Hetimet për krimet e luftës nga përfundimi i saj i nisi misioni i UNMIK-ut, për t’i vazhduar EULEX-i, i cili ua kaloi vendorëve kompetencat përfundimisht në vitin 2019.

    Që atëherë janë ngritur gjithsej 33 aktakuza ndaj 89 personave.

  • Apeli vërteton vendimin e themelores, për pagat e gjyqtarëve e të prokurorëve

    Apeli vërteton vendimin e themelores, për pagat e gjyqtarëve e të prokurorëve

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që kishte anuluar vendimin për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve, ishte ankuar ekzekutivi.

    Mirëpo, ankesën e Qeverisë e ka vlerësuar si të pabazuar Gjykata e Apelit, duke i dhënë kështu të drejtë vendimit të gjykatës së shkallës së parë.

    “Sipas vlerësimit të kolegjit, në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet se në cilën formë duhet të ngrihen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mirëpo përcaktohet me ligj se ato pavarësisht arsyes së rritjes nuk mund të zvogëlohen, ashtu siç edhe është arsyetuar në aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vlerësimin e Gjykatës së Apelit.

    Vendimin e shkallës së dytë e mirëpresin monitoruesit e fushës së drejtësisë.

    Aktualisht, sipas ligjit të Pagave, gjyqtarët dhe prokurorët i marrin pagat me shtesën tranzitore. Mirëpo, procesimi i pagës për këtë kategori nuk do të jetë e njëjtë, pasi që nga shkurti, ata do të paguhen vetëm 50 % të shtesës tranzitore.

    Ulja e pagës në këtë mënyrë po kundërshtohet.

    Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, është kontestuar se vendimi për uljen e pagave nuk është nxjerrë mbi bazën e ndonjë situate të jashtëzakonshme ose vështirësie financiare.

  • Presidentja Osmani në Turqi takohet me Erdoganin, e falënderon për angazhimin në sigurinë e rajonit

    Presidentja Osmani në Turqi takohet me Erdoganin, e falënderon për angazhimin në sigurinë e rajonit

    Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar drejt Turqisë ku është takuar me homologun e saj turk, Reccep Tayyip Erdogan.

    Ajo përmes një postimi në X tha se e ka falënderuar atë për mbështetjen dhe angazhimin e Turqisë në sigurinë e rajonit.

    “Sot në Stamboll takova Presidentin Erdogan. Në dritën e zhvillimeve të fundit të sigurisë, shpreha mirënjohjen tonë për mbështetjen dhe angazhimin e Turqisë për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin mes vendeve tona”.

  • Kufizimi i komunikimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Tromp: Shkelje e të drejtave të njeriut

    Kufizimi i komunikimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Tromp: Shkelje e të drejtave të njeriut

    Mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit janë ankuar se këta të tre nuk kanë komunikuar me familjarët e tyre edhe pas vendimit të ri të Speciales ku u lejohen bisedat telefonike. Një gjë e tillë po kundërshtohet nga Gjykata Speciale, ku për KosovaPress thuhet se këto telefonata janë të mundshme dhe nëse duan të akuzuarit mund të kërkojnë një gjë të tillë. Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi deklaron se kufizimi i të drejtës për komunikim duhet të jetë shumë i bazuar. Sipas saj, me vendimin për kufizim “janë braktisur të drejtat e njeriut”.

    Ditë më parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtësit e ish-krerëve të UÇK-së u ankuan para trupit gjykues se kërkesat e tyre për telefonata po refuzohen.

    Nga Gjykata Speciale i kanë thënë KosovaPress-it se telefonatat me familjarë kanë qenë të mundshme.

    “Çështja e telefonatave me familjet e tre të akuzuarve u diskutua në seancën e djeshme ku u shpjegua se, ndryshe nga sa pretenduan disa, telefonatat me familjarë kanë qenë të mundshme. Sipas transkriptit, kryetari i trupit gjykues shpjegoi se, ‘sa i takon telefonatave nga familja ato mund të kryhen, por do të monitorohen derisa urdhri i ri të zbatohet plotësisht’. Ai theksoi, ‘pyeta dje, dhe Administratorja tha thjesht të bëhet kërkesa dhe për aq kohë sa është adekuate ata mund ta lejojnë atë’. Më pas gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues tha se, ‘sa i përket z. Selimi, ai ka kërkuar në mënyrë të rregullt telefonata me familjen e tij dhe se, që kur hyri në fuqi urdhri i përkohshëm, ai ka pasur 11 telefonata të tilla. Pra, ato po pranohen. Sa i përket z. Thaçi dhe z. Veseli, nuk ka pasur absolutisht asnjë kërkesë për telefonata familjare prej tyre. Dhe ju të gjithë jeni ngritur dhe keni thënë se keni bërë kërkesa, dhe kjo është — ju duhet të dini nëse kjo është e vërtetë apo jo. Ne nuk kemi nevojë të ulemi në sallën e gjyqit dhe të marrim informacion nga ju se diçka nuk ka ndodhur kur në fakt ka ndodhur, ose anasjelltas. Është fare e qartë se ata nuk i kanë kërkuar – në asnjë mënyrë, Administratores – telefonatë familjare. Nëse duan, ata mund ta bëjnë këtë. Do të monitorohet derisa të zbatohet plotësisht, gjë që duhet të bëhet së shpejti. Por është pak shqetësuese që ky lloj informacioni, që është i gabuar, është thjesht i gabuar, të dalë në sallën e gjyqit, në procesverba’”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

    Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp deklaron se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është shumë e zëshme për të drejtën e komunikimit normal familjar.

    “Po. Pra, shkelja e kësaj të drejte njerëzore. Dhe kjo e drejtë njerëzore ndoshta do të ishte gjë e mirë të thuhej… Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është shumë e zëshme dhe shumë e qartë kur bëhet fjalë për sigurimin e komunikimit, dhe të drejtën për të komunikuar dhe të drejtën për të pasur komunikim normal familjar dhe privat, dhe çdo kufizim i kësaj duhet të jetë shumë i bazuar. Dhe nëse kjo tani bëhet në bazë të disa kërcënimeve të ardhshme dhe të mundshme të një dëshmitari nuk është mjaft e mirë. Sepse asnjë shkelje e qartë nuk është përcaktuar nga trupi gjykues dhe megjithatë të paraburgosurve u janë mohuar të drejtat që konsiderohen dhe mbrohen nga konventa evropiane për të drejtat e njeriut. Pra, kjo gjykatë mund të gjendej në një vështirësi të madhe se sa lehtë e braktisën këtë të drejtë për të akuzuarit dhe për çfarë? Ajo që në fakt e ka tejkaluar atë, ajo që ka mbizotëruar janë disa çështje të mundshme të dëshmitarëve, të cilat nuk janë përcaktuar në rrugë, janë vetëm disa insinuata, sigurisht etj. Pra, kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me tre nga këta të pandehurit, por këto çështje do të kenë të bëjnë me gjithë komunitetin ligjor dhe komunitetin e aktivistëve të të drejtave të njeriut, sepse ne nuk duam që këto të drejta të braktisen dhe aq lehtë sa duket, ato janë braktisur me këtë vendim të fundit”, deklaron ajo për KosovaPress.

    Autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit” i konsideron zhvillime interesante ato të ditëve të fundit, kur paraprakisht trupi gjykues urdhëroi kufizimin e përkohshëm të kontakteve për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Me këtë vendim, ish-krerëve të UÇK-së u lejoheshin vizitat vetëm për ekipin e mbrojtjes.

    “Ajo që shohim këtu, është se, për shembull, në nivelin e një mase që trupi gjykues solli këtë vendim, është se përveç vizitave private dhe vizitave konsullore që të dyja nuk janë të privilegjuara, d.m.th., ju e dini, këto nuk bien nën komunikimin e privilegjuar siç ka çdo i pandehur me avokatët e tij/saj. Ky është një kufizim i vizitave të tjera jo të privilegjuara në pesë në një muaj. Dhe interesant është se ajo që u përmend si arsye, jo se prokuroria kishte të drejtë, dhe se këta të akuzuar, këta tre të akuzuar bënë diçka të gabuar, por në thelb thanë se prokuroria kërkoi edhe vizita monitoruese nga monitoruesit shqipfolës dhe ata thanë se ne nuk kemi, e dini, regjistër, dhe qendra e paraburgimit nuk mund të sigurojë personel për një punë kaq intensive. Në fakt po themi se pesë [vizitat] në muaj janë të menaxhueshme. Vendim kaq interesant sepse nuk ka të bëjë me atë nëse të pandehurit kanë të drejtë të kenë më shumë vizita, por në thelb thotë, për shkak të burimeve të kufizuara, ne duhet ta kufizojmë atë në pesë [vizita], gjë që është përsëri shumë e diskutueshme kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e të akuzuarit, siç sigurohet dhe të parashihet në Kontekstin Evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përgjithësisht”, përfundoi ajo.

    Së fundmi, trupi gjykues ka marrë vendim në lidhje me komunikimet dhe vizitat e krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për kufizimin e vizitave dhe komunikimet, megjithatë vizitat personale do t’i nënshtrohen miratimit paraprak të sekretarit.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /kp

  • PSRK-ja kërkon masa edukative ndaj të miturit nga Peja që dyshohet se planifikoi vrasjen e shokëve të klasës

    PSRK-ja kërkon masa edukative ndaj të miturit nga Peja që dyshohet se planifikoi vrasjen e shokëve të klasës

    Prokuroria Speciale njoftoi se pas përfundimit të procedurës përgatitore ndaj të miturit B.M, ka ngritur Propozim shqiptimin e masës institucionale edukative, Dërgimi në Institucionin Edukativo-korrektues.

    Sipas një komunikate të Prokurorisë Speciale dërguar mediave thuhet se i mituri B.M dyshohet për veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’.

    Ndryshe, i mituri B.M u arrestua nga Policia e Kosovës të shtunën më 7 tetor 2023, nën dyshimin se planifikonte vrasjen e nxënësve në klasën e tij.