Me disa minuta vonesë ka filluar seanca e Kuvendit në të cilën diskutohej në shqyrtim të dytë të Projektligjit për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Asnjë nga 64 amendamentet e opozitës në Komisionin për buxhet, nuk ka marrë përkrahje nga pushteti me përjashtim të dy deputetëve për t’u futur në buxhetin e vitit 2024. Në mes tyre, as edhe rritja e vlerës së koeficientit për paga në sektorin publik në 115 euro.
Përkrahje nuk morën as amendamentet për sigurimin shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm për Policinë.
Mes tjerash, në këtë seancë pati edhe akuza për vjedhje të amendamenteve të propozuara.
Ndërkaq, Hykmete Bajrami nga LDK-ja, kërkoi që Ligji për Buxhetin të shkojë në lexim të tretë.
Në seancën e parafundit për këtë vit, para pauzës u diskutua për më shumë se 30 amendamente.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Policia e Kosovës detyrohet të angazhojë pjesëtarë nga njësitë e rendit, në pikëkalimet kufitare me Shqipërinë, në mungesë të policëve kufitarë.
Kjo është njëra nga gjetjet e raportit të përbashkët të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të Shqipërisë dhe Inspektorit Policor të Kosovës, për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.
“Bie në sy edhe angazhimi në radhët e policisë kufitare, të palës kosovare, të punonjësve nga stacionet e rendit, që nuk e kanë ndonjë përgatitje adekuate për kontrollin kufitar. Këto lëvizje janë si rezultat i transferimeve të përkohshme, për t’i mbuluar mungesat e personelit pas operacioneve Pika 1 dhe 2, ku nga radhët e stacioneve kufitare ishin suspenduar numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë”, thuhet në raportin e AMP & IPK.
Situata vlerësohet se paraqet problem serioz.
“Është shumë problematike, sepse policët e rendit mund të mos i lexojnë drejt dhe saktë dokumentet, sidomos ato që kalojnë përmes data-bazës dhe mund të kalojnë në kufi njerëz me të kaluar kriminale”, tha ish drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.
Ndërkaq, marrëveshja e vitit 2018 për pikëkalimet kufitare të përbashkëta, sipas raportit nuk zbatohet me korrektësi. Mes tjerash u vërejt edhe mungesa e bashkëpunimit mes dy policive për luftimin e krimit.
“Veprimtaria në lidhje me bashkëpunimin operacional lë për të dëshiruar, pasi përveç strukturave në pikëkalimin Morinë – Vermicë nga dy pikëkalimet e tjera kufitare Qafë Prush dhe Qafë Morinë, për periudhën janar – gusht 2023, nuk ka pasur asnjë operacion të përbashkët për goditjen e veprimtarisë kriminale”, thuhet më tej në raportin e AMP & IPK.
Në raportin e publikuar, të mërkurën, theksohet edhe gjendja jo e mirë e kabinave ku punojnë zyrtarët policorë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Përkundër se në deklaratën e përbashkët në Samitin BE – Ballkani Perëndimor u pajtua për zbatim të plotë, pa vonesa dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit, Serbia dërgoi letër anësore për kundërshtim të pjesshëm.
Në letrën dërguar Shërbimit të Jashtëm Evropian, kryeministrja serbe Ana Brnabic shpreh rezerva ndaj deklaratës së pajtuar në prani të liderëve të BE-së, teksa e cilëson politike dhe ligjërisht joobliguese.
Në të ajo shkroi se Marrëveshja për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Shtojca Zbatuese “janë të pranueshme vetëm brenda një konteksti që nuk i përket njohjes de-fakto ose de jure të Kosovës”.
Rreshtimi i Serbisë në deklaratën e përbashkët, sipas Brnabic, “nuk nënkupton pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së e as (të ashtuquajturin) integritetin territorial të Kosovës”.
Në takimin e 12 Dhjetorit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme, ministrat e shteteve anëtare miratuan konkluzionet në të cilat kërkohet që, urgjentisht – para fundit të Janarit 2024, rruga e Serbisë për anëtarësim në BE të lidhet direkt me zbatimin e marrëveshjes dhe shtojcës.
Kërkesa për obligime shtesë në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim me Serbinë, drejtuar Komisionit dhe Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, duhet t’u propozohet liderëve të shteteve anëtare në Këshillin Evropian.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme u shënuan nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës me ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Kjo tryezë diskutimi ishte e para e këtij lloji që nga themelimi i Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës, në prill të këtij viti.
Derisa marrëdhëniet e Kosovës me Gjermaninë i quajti unike, ambasadori Jorn Rhode tha se vendin megjithatë e pret rrugë e gjatë drejt anëtarësimit në BE.
“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian. Si do të arrijnë aty? Përmes detyrave të përbashkëta të shtëpisë. Ne dhe gjashtë vendet duhet t’i bëjmë detyrat tona”, tha Rhode.
Pengesë në këtë rrugë është edhe mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, por për të ndryshuar qëndrimin e tyre kusht është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
“Duhet të tregoni se jeni të interesuar për normalizim sepse ky është çelësi për të bindur jo vetëm ne, por edhe pesë shtetet anëtare jonjohëse, të Bashkimit Evropian. Mos jeni të fiksuar te pala tjetër, sepse nëse ata nuk bëjnë asgjë, ju nuk duhet të bëni asgjë”, tha ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot.
Megjithatë, që nga hapja e ambasadës në Uashington, Kosova, megjithatë, ruajti raportet e mira me SHBA-në, tha i pari ambasador i Kosovës në kryeqytetin amerikan.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ruajtur si të mira dhe të veçanta për Kosovën, në pjesën më të madhe secila qeveri e Kosovës ka qenë e mirë në marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara…”, tha ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu.
Në mesin e shumë arritjeve të Kosovës, gjatë kësaj tryeze u përmend edhe liberalizimi i vizave që për kosovarët fillon nga 1 janari 2024.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Urgjencë të natyrës tjetër, zjarrfikësit po e vlerësojnë mosplotësimin e kërkesave të tyre.
Kësisoj, duke kërkuar kushte më të mira të punës dhe pagesë për rrezikshmërinë në punë, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës protestoi sërish këtë të enjte para Qeverisë.
“Ftojmë qeverinë që ta analizojë gjendjen e krijuar në shërbimin e zjarrfikësve dhe të sigurojë mjete, të përmirësojë gjendjen e krijuar, sepse kështu në këtë formë nuk i konvenon askujt, as neve, as qytetarëve, as institucioneve të shtetit, kjo është e pakuptimtë, u kemi dhënë hapësirë dhe kohë. Ju kemi drejtuar prej vitit 2021 me këtë qeveri dhe qeveritë e tjera prej vitit 2008 dhe kjo gjendje që asnjë hap para mos të shkojë nga kjo revoltë e cila me të vërtetë e arsyeshme dhe presim që sot të na ftojnë një takim”, tha kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka.
Meqë, protesta zhvillohej në kohën kur brenda Kuvendit të Kosovës shqyrtohej projektligji për buxhetin, ata shtuan edhe një kërkesë tjetër.
“Zjarrfikësit nuk pajtohen me vendimin që ka marrë Qeveria e Kosovës për eliminimin e zjarrfikësve nga rrezikshmëria, d.m.th. nga shtesa pagë për rrezikshmërinë në punë, gjithashtu kemi kërkuar që në bazë të ligjit për zjarrfikësit shpëtim të shtohet numri i zjarrfikësve të rinj, sipas kriterit në 1500 banorë një zjarrfikës dhe gjithashtu kemi kërkuar buxhet shtesë për 2024 dhe mos të kemi probleme të njëjta, sepse ende nuk janë kompensuar për 2022, 2023 disa komuna duke ia hedhur fajin, qeveria komunave e komuna qeverisë”, tha Beka.
Në bazë të rregullores për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, për çdo 1.500 banorë nevojitet së paku një zjarrfikës.
Në bazë të kësaj llogaritjeje, Kosova duhet të ketë rreth 1.200 zjarrfikës, mirëpo në vend janë rreth 800 zjarrfikës.
Zjarrfikësit nuk kanë sigurime shëndetësore dhe paga e tyre bazë është 520 euro.
Plot dhjetë muaj e kishte në shqyrtim Gjykata e Apelit ankesën e Salih Mustafës ndaj vendimit të shkallës së parë, e cila e dënoi për krime lufte me 26 vjet burgim.
Të enjten, Apeli gjatë një seance publike në Hagë, ku ishte i pranishëm Mustafa, i njohur me nofkën Cali, publikoi vendimin, duke i ulur dënimin për katër vjet.
Ankesa e ish-pjesëtarit të UÇK-së, përmbante nëntë pika të ndara në 51 nënpika, prej të cilave paneli i Apelit i rrëzoi tetë, e miratoi pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit.
“8 vjet burg për pikën 1 për ndalim arbitrar. 20 vjet për burgim për pikën 3, për torturë, dhe së treti 22 për pikën 4 të aktakuzës për vrasjen e paligjshme. Në përputhje me këtë, Paneli duhet të përcaktojë në bazë të rregullës 163 duhet të pasqyrojë një dënim të njësuar. Në lidhje me këtë, paneli gjykon se një dënim i njësuar me 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të Mustafës”, tha gjyqtarja, Mishele Pikar.
Gjykata tha se mori për bazë politikën ndëshkimore për krimet e luftës në Tribunalin e Hagës dhe të gjykatave të Kosovës.
“Paneli i Apelit thekson se ka lënë në fuqi verdiktet e fajësisë së z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme, (për të cilat u konstatua se mbante përgjegjësi penale individuale), as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi gjyqësor dhe nuk mbahen përgjegjës apo fajtorë për këto krime”, tha Pikar.
Ndërkohë, Mustafa kishte kundërshtuar cilësimin e trupit gjykues se konflikti në Kosovë gjatë periudhës së aktakuzës ishte konflikt i armatosur jondërkombëtar.
Ish-komandanti i UÇK-së, gjithashtu, kishte pretenduar se trupi gjykues nuk i vlerësoi në mënyrë të drejtë dhe të paanshme dëshmitë e dëshmitarëve, por për këto dhe kundërshtimet e tjera Apeli konstatoi se gjykata e shkallës së parë veproi drejt.
Ky është aktgjykimi i parë i Apelit i Dhomave të Specializuara.
Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burgim nga shkalla e parë për vrasje, torturë dhe ndalim arbitrar, ndërsa i pafajshëm ishte shpallur për akuzën për trajtim mizor.
Sipas aktakuzës, në prilli të 1999-s Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së keqtrajtuan të ndaluarit në kompleksin e ndalimit në Zllash.
Mustafa ishte arrestuar dhe transferuar në Hagë në 24 shtator të vitit 2020, ndërsa një vit pas nisi procesi gjyqësor, gjatë të cilit dëshmuan 29 dëshmitarë dhe pjesëmarrës ishin tetë viktima.
Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë rreth kompensimit të viktimave në vlerë prej 207 mijë eurosh, pasi as Mustafa nuk e kishte apeluar.
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sonte seancë të jashtëzakonshme, duke filluar nga ora 18:00.
Sipas njoftimit, në rend dite janë 11 projektligje që do të shqyrtohen nga deputetët.
Në mesin e pikave, është edhe shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2024, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për kadastër të pronës së paluajtshme dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Agjencinë e Regjistrimit Civil.
Rendi i ditës
Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2024,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore,
Shqyrtimi i dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-255 për shërbime sociale dhe familjare,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-227 për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh,
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-250 për ndryshime klimatike,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-244 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-043 për lirinë e asociimit në organizata joqeveritare,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.
Nesër Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare me fillim prej orës 11:00.
Në rend të ditës do të jetë adresimi i presidentes Osmani para deputetëve të kuvendit ku do të diskutohen disa pika të ditës.
“Adresimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Seanca tjetër do të jetë vazhdim i një seance tjetër, që do të nisë në orën 14:30.
Rendi i ditës
I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 3 dhe 9 nëntor 2023:
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,
Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje,
Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 dhe 30 nëntor 2023:
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,
Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,
Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,
Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
Votimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës,
Shqyrtimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,
Emërimi i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës,
Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 30 nëntor 2023:
Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-238 për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-245 për Artin dhe Kulturën,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-261 për mbrojtje nga zjarri,
Shqyrtimi i Raportit vjetor të Bankës Qendror të Republikës së Kosovës, për vitin 2022.
Gjermania ka arritur marrëveshje me Turqinë për ta hequr një program kontrovers sipas të cilit imamët turq dërgoheshin në xhamitë e Gjermanisë, tha Ministria e Brendshme e Gjermanisë të enjten.
Ky vendim do ta forcojë integrimin e myslimanëve në Gjermani, tha Ministria gjermane.
Rreth 100 imamë do të trajnohen në Gjermani çdo vit, sipas një marrëveshjeje mes Ministrisë, autoritetit fetar turk Diyanet dhe Shoqatës Islamike të Turqisë, DITIB.
Këta imamë do t’i zëvendësojnë dalëngadalë klerikët e emëruar nga Diyanet në Gjermani, e cila e ka një diasporë të madhe turke, por Qeveria e saj ka pasur shpesh mosmarrëveshje politike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili është në pushtet që dy dekada, dhe partinë e tij me rrënjë islamiste, AK.
“Ne kemi nevojë për imamë të cilët e flasin gjuhën tonë, e njohin vendin tonë dhe ngrihen në këmbë për vlerat tona”, tha ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser.
“Ky është hap i rëndësishëm për integrimin dhe pjesëmarrjen e komuniteteve myslimane në Gjermani”, shtoi ajo.
DITIB, shoqata më e madhe islamike në Gjermani me rreth 900 xhami, ka qenë subjekt i polemikave politike në këtë vend, veçanërisht së fundmi kur një anëtar i talibanëve të Afganistanit foli në njërën prej xhamive në Këln muajin e kaluar.
Më 2017, zyrtarët gjermanë i bënë thirrje DITIB-it të bëjë reforma thelbësore pas akuzave se imamët e tij të dërguar nga Diyaneti kishin spiunuar për Ankaranë.
Diyaneti i mohoi akuzat dhe hetimi për këtë çështje u mbyll pa ndonjë aktakuzë./REL/
Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se ka vdekur pjesëtari i Policisë së Kosovës, Muhamet Hajdini.
Në një telegram ngushëllimi, sindikata ka njoftuar për vdekjen e Hajdinit dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të të ndjerit.
“Me rastin e vdekjes së pjesëtarit të policisë, Muhamet Hajdini, familjes, miqve dhe kolegëve të Policisë së Kosovës, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta” thuhet në njoftimin e sindikatës.