ATV

Category: Lajme

  • Serwer: Fitorja e Vuçiqit në Serbi nuk është shenjë e mirë për Kosovën

    Serwer: Fitorja e Vuçiqit në Serbi nuk është shenjë e mirë për Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka krijuar një sistem të padrejtë zgjedhor që e favorizon atë, thotë Daniel Serwer, profesor në Universitetin amerikan Johns Hopkins.

    Të dhënat paraprake të zgjedhjeve të 17 dhjetorit tregojnë se Partia Përparimtare Serbe, e udhëhequr deri vonë nga Vuçiq, ka fituar shumicën.

    Lista opozitare “Serbia kundër dhunës” ka kërkuar, ndërkohë, anulimin e zgjedhjeve në Beograd, duke pretenduar se ka pasur parregullsi.

    Duke komentuar fitoren e Vuçiqit në raport me Kosovën, Serwer thotë se rezultati nuk është një shenjë e mirë për marrëdhëniet mes dy vendeve.

    “Nuk shoh asnjë shenjë se Vuçiq është gati për një ndryshim serioz sa u përket marrëdhënieve me Kosovën. Përkundrazi, ai është nisur në drejtim të kundërt. Ai sërish bën thirrje për vendosjen e sovranitetit të Serbisë. Ai e kundërshton rëndësinë e marrëveshjeve të marsit dhe shkurtit [Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit për zbatimin e saj], të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thonë se janë ligjërisht të detyrueshme”, ka thënë Serwer./REL

  • “20 goditje me thikë”, burgim i përjetshëm për kosovarin që vrau gruan në Gjermani

    “20 goditje me thikë”, burgim i përjetshëm për kosovarin që vrau gruan në Gjermani

    Një 37-vjeçar u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Landit në Aachen të hënën për vrasjen e gruas së tij. Gruaja 28-vjeçare humbi jetën në parkingun e një dyqani materialesh ndërtimore pasi u godit 20 herë me thikë, përpara disa dëshmitarëve.

    Gruaja kishte lënë burrin e saj me prejardhje nga Kosova, dhe ishte zhvendosur në një strehimore për gratë me tre fëmijët e saj. I pandehuri ka pranuar krimin në një prononcim të shkurtër në fillim të gjykimit, por gjithashtu ka thënë se nuk i kujtohen më detajet.

    Dy ish-bashkëshortët ishin marrë vesh të takoheshin më 20 maj në parkingun përballë selisë së policisë në Aachen për të dorëzuar vajzën e tyre, shkruajnë mediat gjermane.

    Por burri nuk e ka sjellë fëmijën me vete dhe ka sulmuar 28-vjeçaren me thikë kasapi. Gjashtë nga goditjet me thikë ishin fatale, është thënë nga trupi gjykues.

    Sipas gjykatës, i pandehuri më pas ka kaluar ngadalë me makinë pranë gruas që po vdiste dhe e ka filmuar atë me celularin e tij. Celulari dhe arma e vrasjes nuk u gjetën kurrë. Disa orë më vonë ai u dorëzua.

    28-vjeçarja, e cila po merrte kualifikim profesional te një mjek, donte të bënte një jetë të lirë, shpjegon kryetari i trupit gjykues, përcjell albinfo.ch. Por i pandehuri, i cili nuk kishte precedentë penalë, ishte xheloz dhe ushtronte “sjellje të padurueshme kontrolluese” ndaj gruas me pasaportë gjermane dhe kosovare.

    Ai ishte i dëshpëruar, “shoqëruar me zemërimin e pakufishëm që ajo kishte guxuar t’i shmangej zotërimit të tij. Kështu, ai kishte marrë vendimin për të vrarë 28-vjeçaren nëse nuk arrinte ta ndryshonte mendjen e saj”, ka thënë gjykatësi.

  • Shtohet frika për rritjen e çmimeve të naftës

    Shtohet frika për rritjen e çmimeve të naftës

    Sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq rrezikojnë të rrisin çmimin e naftës dhe mallrave të tjera, kanë paralajmëruar analistët.

    Disa kompani kanë ndaluar dërgesat përmes Detit të Kuq pasi anijet u sulmuan nga rebelet Houthi në Jemen.

    Ndërprerja ka bërë që SHBA-ja të nisë një operacion detar ndërkombëtar për të mbrojtur anijet në rrugën e Detit të Kuq.

    Vendet që i bashkohen grupit të sigurisë përfshijnë Britaninë e Madhe, Kanadanë, Francën, Bahreinin, Norvegjinë dhe Spanjën.

    Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin tha se përshkallëzimi i fundit i sulmeve të pamatura Houthi me origjinë nga Jemeni kërcënon rrjedhën e lirë të tregtisë, rrezikon marinarët e pafajshëm dhe shkel të drejtën ndërkombëtare.

    Deti i Kuq është një nga rrugët më të rëndësishme në botë për dërgesat e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm, si dhe për mallrat e konsumit.

    BP, gjiganti i naftës, tha të hënën se do të ndalojë përkohësisht të gjitha dërgesat e naftës së papërpunuar përmes rrugës kryesore tregtare.

    S&P Global Market Intelligence tha se gati 15% e mallrave të importuara në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut u dërguan nga Azia përmes detit. Kjo përfshin 21.5% të naftës së rafinuar dhe më shumë se 13% të naftës së papërpunuar.

    Një rritje e çmimeve të naftës mund të çojë në inflacion më të lartë, i cili matë ritmin e rritjes së çmimeve. Inflacioni ka rënë në MB dhe aktualisht është 4.6%.

    Shifrat e reja të dhëna të mërkurën do të tregojnë nëse ka vazhduar të bjerë, por, në nivelin aktual, është akoma më shumë se dyfishi i objektivit të Bankës së Anglisë prej 2%. Banka deri në muajt e fundit ka rritur normat e interesit për të ulur inflacionin.

    Rebelët Houthi kanë deklaruar mbështetjen e tyre për Hamasin dhe kanë thënë se ata synojnë anijet që udhëtojnë në Izrael, duke përdorur drone dhe raketa kundër anijeve në pronësi të huaj.

  • Malishevë, burri e raporton gruan për dhunë në familje

    Malishevë, burri e raporton gruan për dhunë në familje

    Të hënën rreth orës 11:00 në Malishevë, burri e ka raportuar gruan e tij në Polici, për dhunë në familje.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti hetohet në procedurë të rregullt.

    “Malishevë 18.12.2023-11:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se bashkëshortja e tij e dyshuara femër kosovare në vazhdimësi është duke u shkaktuar dhunë në familje. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti hetohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Gjendet marihuanë në Qendrën Korrektuese në Dubravë

    Gjendet marihuanë në Qendrën Korrektuese në Dubravë

    Në Qendrën Korrektuese në Dubravë janë gjetur 3 gram substancë narkotike e llojit marihuanë.

    Kjo sasi është gjetur gjatë kontrollit të objektit, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

    “Q. Korrektuese, Dubravë-Istog 09.12-18.12.2023- NN. Me 18.12.2023 është raportuar se gjatë kontrollit në objektin e burgut është gjetur një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 3 gram. Është njoftuar prokurori, rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24- orësh.

  • “Termokosi” punëson një pjesëtar të Shoqatës së të Shurdhërve

    “Termokosi” punëson një pjesëtar të Shoqatës së të Shurdhërve

    Ngrohtorja e Qytetit “Termokos” ka punësuar një pjesëtar të Shoqatës së të Shurdhërve në Prishtinë. Bëhet fjalë për Avni Kurshumliu.

    Nënshkrimi i kontratës u bë ndërmjet drejtorit ekzekutiv të ngrohtores, Fisnik Osmani dhe Kurshumliut.

    Osmani përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ka njoftuar se Kurshumliu tash e tutje do t’i shërbejë kësaj ndërmarrjeje, i cili do të kujdeset për mirëmbajtjen e oborrit dhe kopshtit.

    “Termokos, kujdeset të ofrojë mundësi të barabarta, sepse të tillë jemi para ligjit dhe para Zotit. Avniu, prej sot është kolegu ynë më i ri në ngrohtore! Avniu është 35 vjeçar dhe nga viti 1999 është pjesë e Shoqatës së të Shurdhërve në Prishtinë. Avniu, si pjesë e ekipit tonë në Departamentin e Administratës do të kujdeset për mirëmbajtjen e oborrit dhe kopshtit tonë! Së bashku me Mentor Maliqi e mirëpritëm në ambientet tona, duke i uruar punë të mbarë dhe shëndet”, ka shkruar Osmani.

  • Takimi në Shkup: Dënohet sulmi në Banjskë, thirrje që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut

    Takimi në Shkup: Dënohet sulmi në Banjskë, thirrje që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut

    Ambasadori i Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, ka thënë dje se Kosova ka përkushtim të palëkundur ndaj vlerave që promovon nisma rajonale ShBA-Karta e Adriatikut.

    Në fjalimin e tij, Ambasadori Qehaja nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj vlerave të përbashkëta që promovon kjo nismë e që ndërlidhen me prosperitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

    Ai nënvizoi progresin e shtetit të Kosovës për të ngritur kapacitetet e mbrojtjes duke përmendur shtimin e buxhetit në 2% të GDP sipas standardeve të NATO-s.

    Qehaja shtoi se FSK është gati për të arritur interoperabilitetin në mbrojtje në vazhdën e një ambienti kompleks të sigurisë.

    “Në fund u miratua një deklaratë e përbashkët ku, në mes të tjerash dënon në termat më të fuqishëm sulmin terrorist në Banjskë përderisa bën thirrje për zgjerimin e nismës me Kosovën si anëtare e plotë”, thuhet në njoftim.

  • Djali rrah babain në Gjilan

    Djali rrah babain në Gjilan

    Në raportin 24 orësh të policisë, thuhet se një person është arrestuar të hënën, pasi dyshohet se me datë 17.12.2023, pas një mosmarrëveshje në familje, ka sulmuar babanë e tij.

    Tutje, policia ka njoftuar se viktima ka pësuar lëndime trupre.

    I njëjti është intervistuar, dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Karta e Adriatikut, Shqipëria nga janari merr kryesimin: Me prioritet anëtarësimi i Kosovës

    Karta e Adriatikut, Shqipëria nga janari merr kryesimin: Me prioritet anëtarësimi i Kosovës

    Shqipëria merr nga 1 janari 2024, kryesimin njëvjeçar të Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatike (A-5).

    Gjatë ministerialit të A-5 që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani theksoi se duhet të marrë fund bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në A-5.

    “Anëtarësimi i Kosovës është tejet i vonuar. E kemi mbështetur plotësisht dhe tradicionalisht anëtarësimin e Kosovës në nismën tonë dhe na vjen shumë keq që ky anëtarësim vijon të jetë i bllokuar”.

    “Gjatë kryesimit tonë do të angazhohemi me përparësi për ta zgjidhur këtë çështje sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

    Ministri Hasani, gjatë konferencës për shtyp për dorëzimin e kryesimit nga Maqedonia e Veriut tek Shqipëria, vlerësoi rolin e Kartës A-5, në përpjekjet e vendeve të rajonit drejt integrimit të plotë euroatlantik.

    “Kemi mbështetur konceptin e RMV për rigjallërimin e A-5 dhe synojmë ta çojmë atë më tej gjatë kryesimit tonë. Gjithashtu, do të përpiqemi ta përshtasim Kartën për të na shërbyer më së miri në formësimin e përgjigjeve të përbashkëta ndaj kërcënimeve dhe sfidave aktuale të sigurisë”, tha ai.

    I pyetur për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ministri Hasani tha se “të dy vendet kanë kryer një punë të përbashkët të admirueshme dhe se rrugëtimi i rajonit në BE nuk duhet të pengohet nga pikëpyetje e paqartësi”.

    Karta SHBA-Adriatike (US-Adriatic Charter) është një nismë politike sigurie me karakter rajonal, e dakordësuar paraprakisht në Samitin e NATO-s në Pragë (nëntor 2002), mes presidentëve të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe SHBA, për t’u zgjeruar më pas me Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, e ku Kosova, Sllovenia dhe Serbia kanë statusin e vëzhguesit.

  • Raporti i policisë për grabitjen e armatosur në këmbimoren në Prishtinë

    Raporti i policisë për grabitjen e armatosur në këmbimoren në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje për grabitjen e djeshme në një këmbimore në Prishtinë.

    Sipas policisë, grabitja dyshohet të jetë kryer nga dy persona të armatosur, të cilët nën kërcënimin e armës i kanë grabitur një shumë parash dhe janë larguar në drejtim të panjohur me motoçikletë.

    Policia është duke e hetuar rastin.

    “Prishtinë 18.12.2023-09:55. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ishte duke punuar në lokal, dy persona të panjohur të maskuar dhe nën kërcënimin e armës i kanë grabitur një shumë parash dhe janë larguar në drejtim të panjohur me motoçikletë. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin për të cilin është njoftuar edhe prokurori”, thuhet në njoftim.