ATV

Category: Lajme

  • Stacioni policor në Malishevë, spërkatës me afat të skaduar e me mungesë të uniformave

    Stacioni policor në Malishevë, spërkatës me afat të skaduar e me mungesë të uniformave

    Përgatiti: Nora Luta

    Zyrtarët policorë në Malishevë janë detyruar të blejnë vetë këpucë.

    Inspektorati Policor i Kosovës në raportin e inspektimit për vlerësimin e performancës, thotë se gjatë inspektimit kanë hasur çizme të grisura dhe se kjo gjendje jo e mirë me furnizim të rregullt me rroba për policët është më shumë se tri vjet.

    Përveç uniformës, në këtë stacion ka mungesë edhe të radio-lidhjeve.

    “Ka ankesa edhe sa i përket mospërshtatjes së numrave të uniformës, varësisht prej madhësisë. Zyrtarët e inspektuar, në mungesë të uniformës adekuate sezonale kanë kombinuar uniformën verore me atë dimërore. Janë hasur çizme të grisura dhe këpucë të blera nga vetë zyrtarët policorë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

    Për më tepër ka gjetur se aparati për shuarjen e zjarrit në dhomën e dëshmimeve është me afat të skaduar.
    Me afat të skaduar, IPK-ja ka hasur edhe në spërkatës kimik.

    “Sa i përket sprejit duhet pasur parasysh se në rastet e mungesës së tyre, hendikepohet puna e zyrtarëve policorë, kurse në anën tjetër, përdorimi eventual i atyre me afat të skaduar mund të ndikojë në shëndetin e personave, me të cilët mund të ketë ballafaqim”, thuhet më tej në njoftimin e IPK-së.

    Ndërkohë, sipas IPK-së, disa nga automjetet e inspektuara të Policisë në këtë stacion janë pa dokumentacion.

    “Katër (4) nga pesë (5) automjetet e inspektuara nuk kanë certifikatë regjistrimi, si dhe policën e sigurimit. b) Të pesë (5) automjetet e inspektuara nuk kanë Raportin Evropian të Aksidentit. c) Një automjeti (105-05) i mungon trekëndëshi i sigurisë dhe dritat rezervë. Automjetet policore janë hasur të papastra, si brenda ashtu edhe jashtë, duke ofruar imazh jo të mirë te qytetarët mbi këto asete policore”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

    Inspektorati Policor ka rekomanduar që të ndërmerren hapa urgjent për furnizimin me uniforma policore dhe mbathje, furnizimin e stacionit me spërkatës dhe radio-lidhje.

    Në mesin e rekomandimeve, IPK-ja ka theksuar edhe intensifikimin e kontrolleve të brendshme dhe të paralajmëruar në Dhomën e dëshmive.

  • Ardhja e mërgimtarëve, a ka pritje te Dheu i Bardhë?

    Ardhja e mërgimtarëve, a ka pritje te Dheu i Bardhë?

    Përgatiti: Sara Shehu

    Bashkatdhetarë të shumtë të cilët kanë marrë rrugën për në Kosovë, për t’i kaluar festat e fundvitit, të hënën nuk u përballën me pritje të gjata në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

    Dheu i Bardhë ishte pika kufitare me kolonat më të gjata, gjatë të shtunës e të dielës, ku pritjet për të hyrë në Kosovë ishin deri në dy orë.

    Vetë mërgimtarët thonë se viteve të kaluara këtu pritën edhe më gjatë.

    “Jom ardhë prej Zvicre, po vitin e kalum këso kohe kom prit me orë, a sot kom prit me minuta, ka qenë shumë mirë udhëtimi deri këtu”, thotë një mërgimtar.

    “Kemi prit pak më shumë se 20 minuta po s’na ra shumë, kemi ardhë prej France”, thotë një tjetër mërgimtar.

    Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim kufitar, gjatë të hënës nuk ka pasur kolona të gjata të automjeteve në asnjërën nga pikat kufitare.

  • As pas një viti s’përfundon parku linear në Lagjen e Spitalit

    As pas një viti s’përfundon parku linear në Lagjen e Spitalit

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Kanë mbetur vetëm mjetet e punës, ndonëse ato nuk janë përdorur fare tash e disa muaj. Punimet për ndërtimin e Parkut Linear në Lagjen e Spitalit në kryeqytet, ka kohë që janë pezulluar.

    Ato nisën në tetor të vitit të kaluar dhe sipas planit të Komunës së Prishtinës do të duhej të përfundonin brenda 90 ditëve, përkatësisht në fundin e muajit dhjetor të vitit të kaluar. Megjithatë, as pas një viti banorët e kësaj lagjeje nuk e gëzojnë një park të tillë.

    Alban Zogaj, nënkryetar në komunën e Prishtinës, thotë se kompanisë kontraktuese i është ndërprerë kontrata për shkak të zvarritjes së punimeve.

    Kritika ndaj qeverisjes në kryeqytet ka opozita, sipas së cilës projekti te Lagjja e Spitalit nuk është i vetmi që ka mbetur i papërfunduar.

    Për realizimin e këtij projekti, Komuna e Prishtinës kishte ndarë rreth 216 mijë euro.

  • Drini i bardh, lumi më i degraduar në Kosovë

    Drini i bardh, lumi më i degraduar në Kosovë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Me një gjatësi prej 122 kilometrash, Drini i Bardhë është lumi më i gjatë që gjarpëron nëpër territorin e Kosovës. Por, Drini i Bardhë, po ashtu është lumi më i degraduar në vend.

    Sipas të gjeturave të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, mbi 1390 hektar të segmenteve të ndryshme të shtratit të lumit dhe tokave përreth janë degraduar si pasojë e eksploatimit ILEGAL të rërës dhe zhavorrit, nga viti 2008 deri në atë 2018.

    Ministria e Mjedisit ndërkoha ka përpiluar një plan të Menaxhimit të Pellgut të Lumit Drini i Bardhë, që është edhe më tutje në fazën e konsulltimeve publike.

    Në këtë dokument Ministria konstaton se për shkak të nxjerrjes së paligjshme dhe të pakontrolluar të rërës dhe zhavorrit është pakaur numri i peshqëve dhe janë shkatërruar një pjesë e biodiversitetit, është rritur rreziku nga vërshimet, ka ndotje nga naffta dhe vajrat e makinerive të rënda, madje ka edhe ndërprerje te rrjedhës së lumit në pjesë të caktuara.

    Plani i Ministrisë së Mjedisit për të shpëtuar Drinin e Bardhë parasheh rregullimin e mekanizmit për licencim të separacioneve të rërës dhe zhavorrit, meqë s’ka koordinim ndërmjet Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale dhe Ministrisë së Mjedisit dhe hapa të tjerë.

    PLANI I MENAXHIMIT TË PELLGUT TË LUMIT DRINI I BARDHË:

    • Koordinimi ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve (KPMM) për dhënien e lejeve/licencave dhe pëlqimit mjedisor për shfrytëzimin e materialit inert (rërë dhe zhavorr) nga lumenjtë.

    • Kufizimi dhe kontrolli i rreptë i vendndodhjes dhe sasive ku dhe sa material inert mund të nxirret nga lumenjtë për të siguruar vazhdimësinë e mjedisit lumor. Institucionet që lëshojnë lejet do të marrin parasysh mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin ekonomik dhe aspektet sociale.

    • Realizimi i vlerësimit gjithëpërfshirës dhe të plotë të ndikimit në mjedis dhe dëmeve të shkaktuara për shkak të nxjerrjes së tepërt të rërës dhe zhavorrit.

    • Përgatitja e një plani veprimi për riparimin e segmenteve më kritike të shtratit të lumit për t’u kthyer në kushtet fillestare.

    Eksploatimi ilegal i rërës dhe zhavorrit është faktor edhe në degradimin e Lumbardhit të Pejës, Ibrit, Erenikut dhe disa lumejve të tjerë më të vegjël.

  • Reduktimet e energjisë elektrike në Malishevë deri në 8 orë

    Reduktimet e energjisë elektrike në Malishevë deri në 8 orë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Ka më shume se 10 ditë, qe Hatmane Hoxha, 87 vjeçare nga fshati Marali i Malishevës, në mungesë të energjisë elektrike, të vetmen mënyrë për ngrohje ka të shkoj ne katin përdhese të shtëpisë ku ndodhet kjo stufë.

    Ajo priste që këtë dimër, të paktën drutë për ngrohje t’ ia sjellin brenda djemtë e saj të cilët priste t’ i vinin nga Gjermania.

    “Qe na kështu që sa ditë pa ngrohje pa asgjë në këtë moshë që jam po më duhet të endem shkallëve, djemtë kanë pas me ardhë prej mërgimit po ku me ardhë iu kam thënë që skeni as ku të vini këtu sepse nuk ka rrymë, ata ngrohen me nxemje qendrore…”, tha Hatmane Hoxha, banore.

    Përveç fshatit Marali, reduktime të energjisë ka në tërë Malishevën.

    “Ka shumë ditë që reduktimet e rrymës po na shkaktojnë telashe madje s’po ka as paralajmërime për to…”, thotë Ramadan Hoxha, banor.

    Duke thëne se nuk është hera e parë që Malisheva ka telashe të tilla, drejtori i Urbanizmit, Avni Morina, fajin për terrin në këtë komunë e hedh tek KOSTT-i, kompania që menaxhon Sistemin e Transmisionit të Energjisë Elektrike.

    “Për vite me radhë Malisheva është komuna më e neglizhuar sa i përket sasisë së energjisë elektrike, është koha e mërgatës është koha e dimrit ne si komunë nuk kemi çfarë të bëjmë, KOSTT kanë premtuar që sa për rregullim por ende asgjë konkrete, vetëm kolaps…”, tha drejtori i Urbanizmit në Malishevë, Avdi Morina.

    Kur ATV ishte interesuar në pranverë në këtë temë, Evetar Zeqiri, Kryeshef Ekzekutiv I “Kostt”, kishte deklaruar se zgjidhje mund të behët më 2026-ën, por edhe ky afat është shtyrë. Tashmë flitet për zgjidhje në vitin 2027. Ky afat është konfirmuar në shtator të këtij viti pasi KOSTT-i dhe Komuna e Malishevës kanë nënshkruar një kontratë për ndërtimin e nënstacioni 220 kilovoltësh, që parashihet të përfundojë më 2027-ën dhe të kushtojë rreth 6 milionë Euro.

  • Ndesh me kodin e procedurës penale, Kurti e Sveçla “dëmtuan hetimin”

    Ndesh me kodin e procedurës penale, Kurti e Sveçla “dëmtuan hetimin”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Zbulimi në këtë fazë të hetimit nga Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme i provave, fakteve dhe identitetit të të dyshuarve për sulmin terrorist-paramilitar të 24 shtatorit, sipas juristëve, bie ndesh me Kodin Procedurës Penale.

    Publikimi pa dakordim paraprak me Prokurorinë, sipas juristit Ylli Zekaj, tregon mungesë ndjeshmërie ndaj rastit dhe përpjekje për të fituar poenë politikë.

    “Është fazë shumë e hershme, tani kur nuk kemi aktakuzë me ardhë deri te një shpalosje e tillë e provave dhe fakteve, e besoj që kjo ka qenë edhe arsyeja pse Prokuroria, me të drejtë, nuk ka marrë pjesë në konferencë. E që jo rrallë ndodh që spektri politik, qoftë ai kryeministri apo ministri, të zbulojnë prova dhe fakte, të cilat edhe me Kodin e Procedurës Penale janë të ndaluara të zbulohet në këtë fazë, për shkak se ato mund të dëmtojnë integritetin e hetimeve, dhe zhvillimin e një hetimi efikas dhe efektiv që në fund të mund të rezultojë që të gjithë ata të jenë pjesë e aktakuzës”, tha Zekaj.

    Krahas vlerësimit se deklaratat e së shtunës përbëjnë presion ndaj Prokurorisë për përmbyllje të hetimit, juristët përmendin dëmet e shkaktuara.

    “Në rast se publikohen informata të tilla natyrisht që e pengojnë në masë të konsiderueshme procesin hetimor, andaj në rrjedhë të kësaj kushdo që ka informatat të tilla, aq më tepër krerët e institucioneve të larta shtetërore, duhet të rezervohen nga plasimi në publik i informatave të tilla, aq më tepër përdorimi i emrave të përveçëm, të cilët natyrisht nëse kanë qenë në masa të fshehta të hetimit, atëherë potencialisht e kanë dëmtuar në masë të madhe procesin hetimor”, tha Ardian Bajraktari, jurist.

    “Shumica prej tyre mund tani mund të kalojnë me lehtësi territorin e Kosovës, të dalin në Serbi, dhe të jenë të paqasshëm për organet e rendit. Për më tepër, në këtë fazë të procedurës janë të lejuara masat e hetimit dhe vëzhgimit, që me zbulimin e këtyre provave dhe fakteve janë të pamundura të aplikohen ndaj të njëjtëve dhe dëmtojnë seriozisht hetimet”, tha juristi Ylli Zekaj.

    Prokuroria është duke vijuar hetimin lidhur me sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë, ndërsa tre të arrestuarit për rastin mbesin në paraburgim.

    Përgjegjësinë për udhëheqjen dhe organizimin e sulmit më 24 Shtator, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, heroi Afrim Bunjaku, disa ditë pas ngjarjes e mori atëkohë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojcic.

  • Serbët në veri protestojnë kundër ndalimit të importit dhe konfiskimit të mallrave

    Serbët në veri protestojnë kundër ndalimit të importit dhe konfiskimit të mallrave

    Rreth 100 qytetarë serbë të veriut, shumica afaristë, kanë protestuar sot në veri të Mitrovicës, kundër ndalimit të importit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe konfiskimit të tyre.

    Ata po ashtu njoftuan se kanë nisur edhe një peticion, përmes të cilit kërkojnë nga organet përgjegjëse lejimin përsëri dhe pa pengesë të këtyre mallrave në Kosovë.

    Dushan Gashiq, i cili foli në emër të protestuesve, tha se dëshirojnë që gjendja të kthehet si më parë.

    “Ne dëshirojmë që aksionet e njëanshme të konfiskimit të mallrave të ndërpriten. Duam që gjendja të kthehet sikur para muajit qershor, kur është marrë një vendim i tillë për mallrat me origjinë serbe… Dua të potencoj se aksionet e tilla nuk po iu pëlqejnë as qytetarëve në jug të Ibrit. Para së gjithash e kam fjalën për shqiptarët”, tha Gashiq.

    Protesta që zgjati rreth një orë, kaloi pa ndonjë incident, derisa në shenjë solidarizimi, të gjitha dyqanet në veri të Mitrovicës u mbyllën nga ora 12:00 deri në 14:00.

    Më 14 qershor, Qeveria e Kosovës ndaloi hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”. Ky vendim ishte përgjigje ndaj arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në qershor të vitit 2022, Kosova kishte importuar mallra nga Serbia në vlerë prej afro 34 milionë eurosh. Krahasuar me këtë periudhë, të dhënat e qershorit të këtij viti, tregojnë rënie të importit të produkteve serbe, pasi vlera e mallrave të importuara nga Serbia është rreth 13 milionë euro. /atvlive.tv

  • Nga Katedralja Shën Nëna Terezë u bënë lutje për paqe në të gjithë botën

    Nga Katedralja Shën Nëna Terezë u bënë lutje për paqe në të gjithë botën

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Në Katedralen Shën Nënë Tereza, në Prishtinë mbrëmë u mblodhën shumë besimtar të krishterë, për të festuar Krishtlindjen.

    Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, foli për rëndësinë e Kishës dhe tolerancën midis njerëzve në Kosovë.

    Të mos pushojmë kurrë duke kërkuar të vërtetën dhe që ajo të na gjejë neve, të promovojmë dashurinë me njëri-tjetrin dhe tolerancën ndërfetare si pasuri e paçmueshme në mesin tonë, por duke e ngritur në dimension tjetër. Nëpërmjet paqes, lirisë e dashurisë çdo njëri të zbulojë bukurinë e shpirtit dhe atë t’ia paraqesë Krijuesit dhe nëse gjen guximin të afrohet për t’u pagëzuar”, tha Dodë Gjergji.

    Një pjesë e fjalës së Ipeshkvit iu kushtua edhe të sëmurëve dhe atyre pa përkujdesje.

    “Dëshiroj me gjithë zemër t’i lutem Zotit për të gjithë njerëzit që kanë nevojë, për të sëmurët, për ata të cilët u mungon kujdesi, dashuria, sidomos lutem për paqe në botë, sepse paqja në shumë vende është duke shkatërruar fatin e shumë njerëzve, jetën e shumë të pafajshmëve dhe ne që kemi përjetuar këtë të keqe të angazhohemi që të ruajmë paqen pas nesh”, tha Dodë Gjergji.

    Në katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha e ditës së Krishtlindjes, kurse gjatë ditës në shumë kisha katolike në Kosovë, ka pasur organizime të ndryshme për nder të kësaj feste.

  • Gërvalla merr pjesë në kremtimet e Krishtlindjes në Bazilikën dhe sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan

    Gërvalla merr pjesë në kremtimet e Krishtlindjes në Bazilikën dhe sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan

    Zëvendësministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka marrë pjesë në meshën e Krishtlindjes që u mbajt të dielën mbrëma në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan dhe më pas në kremtën ku Papa Françesku dha mesazhin e tij vjetor të Krishtlindjes sot në shehin e Shën Pjetrit.

    Gërvalla nga atje i ka uruar të gjithë besimtarët katolikë.

    “Për shumë mot Gëzuar Krishtlindjet nga Basilika e Shën Pjetrit në Vatikan, ku me ftesë të Selisë së Shenjtë morëm pjesë në meshën në vigjilje të Festës së Krishtlindjes. Paqja dhe dashuria mbretërofshin në vendin tonë dhe të gjitha vatrat tona”, tha Gërvalla, duke theksuar se ndihet e nderuar, e prekur dhe krenare që e përfaqëson Republikën e Kosovës në kremtimet e Krishtlindjes në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

    “Në mesazhin e tij tradicional të Krishtlindjes në bekimin e mesditës “Urbi et Orbi” në Ditën e Krishtlindjes, Papa Françesku, bëri thirrje që Krishtlindja të sjellë paqe në gjithë botën dhe ta kthejë pikëllimin në gëzim dhe gjithashtu të ndalet dhuna dhe të ndihmohen të gjithë ata që vuajnë”, njoftoi MPJ-ja.

  • “Do t’i kujtojmë përgjithmonë si familje shembullore”, kryetari i Junikut reagon për çiftin që vdiq tragjikisht

    “Do t’i kujtojmë përgjithmonë si familje shembullore”, kryetari i Junikut reagon për çiftin që vdiq tragjikisht

    Dita e sotme ishte e kobshme për familjen Tofaj nga Juniku. Pronari i fabrikës “Juniku”, Mic Tofaj dhe bashkëshortja e tij Fatlinda Maloku Tofaj u gjetën të vdekur në një shtëpi banimi në bjeshkët e Junikut, në rrethana akoma të paqarta, raporton Gazeta Sinjali.

    Policia dhe Prokurori i Shtetit tashmë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që nga Drejtoria Rajonale në Pejë e kanë dhënë një konfirmim zyrtar për Sinjalin.

    Vdekjen e çiftit e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa sipas informacioneve të para, shakatar dyshohet të ketë qenë rryma.

    “Sot rreth orës 11:30, stacioni policor në Junik është njoftuar se në Bjeshkët e Junikut dy persona kanë vdekur. Njësitet kompetente menjëherë janë nisur në atë drejtim bashkë me mjekun kujdestar. Me të arritur kanë hasur në dy viktima. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar. Dyshohet se shkaktar ka qenë energjia elektrike”, kanë thënë nga Policia për Sinjalin.

    Për rastin tragjik ka shkruar edhe kryetari i komunës së Junikut, Ruzhdi Shala.

    “Me dhimbje të thellë e pranuam sot lajmin tragjik për humbjen e parakohshme të Mic Tofaj dhe bashkëshortes së tij Fatlinda Maloku Tofaj.

    Ngushëllime familjes Tofaj dhe familjes Maloku për humbjen e papritur të më të dashurve të tyre.

    Micin dhe Fatlindën, Juniku do t’i kujtoj përgjithmonë si familje shembullore, mbi të gjitha si persona me virtyte të larta njerëzore por edhe si ndërmarrës të suksesshëm dhe junikas të cilët kanë kontribuar aq shumë për Komunën e Junikut“, ka shkruar i pari i Junikut.