ATV

Category: Lajme

  • Nagavci e bindur se s’do të ketë mungesë të mësimdhënëseve për shkak të liberalizimit

    Nagavci e bindur se s’do të ketë mungesë të mësimdhënëseve për shkak të liberalizimit

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, tha se nuk kanë informata për mungesë të mësimdhënësve, raporton Ekonomia Online. Madje u shpreh e bindur se Kosova nuk do të ketë mungesë të mësimdhënësve për shkak të liberalizimit të vizave.

    Në konferencën e fundit për këtë vit ajo ka folur edhe për procesin e furnizimit me libra, për çka tha se janë duke bërë një analizë dhe krahasim edhe me shtetet e tjera.

    “Nuk kemi pasur asnjë informatë nga SBAShK-u për çështjen e mësimdhënësve, që janë duke pasur mungesë. Ne e dimë që disa fusha ka mungesë, por jo për shkak të liberalizimit të vizave, por se nuk kanë zgjedhur studentë këto drejtime. Unë besoj që Kosova nuk do të ketë probleme me mësimdhënësit. Ne jemi duke u siguruar që profesioni i mësimdhënësit, të jetë profesion i dëshiruar dhe i vlerësuar”.

    “Jemi duke e bërë analizë financiare për koston që është shpenzuar, por edhe duke bërë krahasime me shtete të tjera. Informatat këtë vit do të jenë të hershme, para verës do të ndahen informatat sesi do t’i furnizojmë me tekstet shkollore”.

    Ajo nga gazetarët u pyet edhe për kërkesën për udhëzimin administrativ për lejim të bartjes së shamisë në shkolla. Ajo tha se votimi i ligjeve për fushën e arsimit në Kuvend nuk duhet të kushtëzohet me hartimin e lejimin e bartjes së shamisë në shkolla, raporton EO.

    “Do të ishte shumë mirë që deputetët e LVV-së por edhe nga deputetët e partive tjera t’i votojnë ligjet e fushës së arsimit në Kuvend. Për ne nuk ka kushtëzime. Ne e kemi obligim ta respektojmë Kushtetutën, pra asnjë nxënës nuk do të mbetët jashtë bankave shkollore”.

  • Gjatë dhjetorit mbi 221 mijë udhëtarë e shfrytëzuan Aeroportin “Adem Jashari”

    Gjatë dhjetorit mbi 221 mijë udhëtarë e shfrytëzuan Aeroportin “Adem Jashari”

    Gjatë muajit dhjetor të këtij viti përmes Aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë kanë udhëtuar mbi 220 mijë pasagjerë.

    Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, se këtë vit Aeroporti po e përmbyll me mbi 3.4 milionë udhëtarë.

    Sipas saj, nga 221 mijë qytetarë sa fluturuan përmes Aeroportit “Adem Jashari”, mbi 133 mijë ishin në ardhje.

    “Vetëm në muajin Dhjetor nga data 1 deri më 27 (deri më sot) kanë udhëtuar 221 309 udhëtarë, përmes ANP ‘Adem Jashari’ (ku nga këta 133 910 kanë qenë në ardhje), përderisa presim të përmbyllim vitin me mbi 3.4 milion udhëtarë. Të dhënat e sakta do të bëhen publike në Janar 2024”, ka shkruar Gara.

  • Çitaku: Ky vit, më i dështuari për Kosovën në politikën e jashtme

    Çitaku: Ky vit, më i dështuari për Kosovën në politikën e jashtme

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku vlerëson se Kosova po përmbyllë vitin më të rëndë dhe më të dështuar në politikën e jashtme, që nga shpallja e pavarësisë, pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe pa avancim të agjendës eurointegruese dhe nën sanksione nga ana e Bashkimit Evropian.

    Çitaku, në një konferencë për media tha se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar nga kakofonia, mungesa e vizionit dhe shumësia e skandaleve.

    “Suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj, pa asnjë rezultat për Kosovën. Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë, solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut. Dhe si rrjedhojë përfunduam me një marrëveshje, e cila nuk është as gjithëpërfshirëse, as finale, e as me njohje reciproke në qendër. Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, theksoi ajo.

    Ajo tha se nuk ka njeri me mendje të shëndoshë, i cili do ta donte këtë lloj pasqyre negative në politikën e jashtme.

    “Në një vit kur u konkretizua procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qoftë me miratimin e statusit kandidat, qoftë me hapjen e negociatave për Bosnje Hecegovinën, Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, aplikacioni i Kosovës mbeti i patrajtuar dhe Kosova vazhdon të mos ketë qasje në qindra miliona euro të fondeve zhvillimore të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, shtoi Çitaku.

    Çitaku rikujtoi se PDK ka ofruar mbështetje në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, ku kryetari Memli Krasniqi dhe zyrtarët e tjerë të partisë, në takimet dhe vizitat e shumta jashtë vendit, kanë insistuar që qytetarët e Kosovës të mos e bartin koston e sjelljes së papërgjegjshme dhe avantureske të qeveritarëve.

    “Do të doja që në këtë konferencë të flisnim për tema tjera, sepse sukseseve të Kosovës në politikën e jashtme, duhet t’iu gëzohemi të gjithë. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet për të gjetur qoftë edhe një sukses të Kosovës në politikën e jashtme, ishte e pamundur. Realisht, politika e jashtme e Republikës sonë këtë vit ishte inekzistente. Në vitin tjetër me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kjo mendësi rrënuese dhe përçarëse e kësaj Qeverie, do të marrë fund”, përfundoi Çitaku.

  • Gjendet e mitura e zhdukur në Rahovec, thotë se një person deshi ta dhunojë

    Gjendet e mitura e zhdukur në Rahovec, thotë se një person deshi ta dhunojë

    Ndihmën e Policisë, mbrëmjen e së martës e kërkoi një vajzë në Rahovec, e cila deklaroi se motra e saj e mitur është zhdukur.

    15-vjeçarja është gjetur mëngjesin e djeshëm në një shtëpi në fshatin Çifllak dhe e njëjta më pas është dërguar në spital për ekzaminime mjekësore.

    Sipas sinjalit, viktima ka pohuar se një person ka tentuar që të kryejë marrëdhënie seksuale me të pa dëshirën e saj.

    29-vjeçari është identifikuar, por i njëjti ende nuk është arrestuar ende për shkak se nuk dihet ende vendndodhja e tij.

  • Vdekja tragjike e 34-vjeçares nga Gjakova, dyshohet se kërceu nga kati i dytë i hotelit – Ky është personi që e pa tmerrin me sy

    Vdekja tragjike e 34-vjeçares nga Gjakova, dyshohet se kërceu nga kati i dytë i hotelit – Ky është personi që e pa tmerrin me sy

    Hotel ‘Venus’ në magjistralen Prishtinë – Lipjan në orët e para të ditës së sotme u shndërrua në skenë krimi. Njëra nga mysafiret që po qëndronte në këtë hotel, A.K, 34-vjeçare, ka humbur jetën tragjikisht, pasi e njëjta dyshohet se ka kërcyer nga ballkoni në katin e dytë. Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit, raporton Gazeta Sinjali.

    Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive nga ngjarja e rëndë, ku sipas informacioneve të para, e ndjera ishte e shoqëruar në hotel nga një person.

    Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për A.B, 32-vjeçar nga Peja.

    Por si ndodhi ngjarja tragjike?

    Rreth orës 03:30 tashmë e ndjera, A.K. dhe A.B, dyshohet të jenë përfshirë në një konflikt verbal me njëri-tjetrin.

    Si rrjedhojë, 34-vjeçarja dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e hotelit dhe si pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore që rezultuan të jenë fatale për të.

    Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale kanë konstatuar vdekjen e saj.

    Lidhur me rastin nga Policia thanë për Sinjalin se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha zëdhënësja, Flora Ahmeti.

     

  • OBSh: Popullsia e Gazës është në rrezik të madh

    OBSh: Popullsia e Gazës është në rrezik të madh

    Popullsia e Gazës është “në rrezik të madh” paralajmëroi më 27 dhjetor kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), duke përmendur urinë akute dhe dëshpërimin e përhapur në mbarë territorin e shkatërruar nga lufta.

    OBSH-ja tha se një ditë më herët ka dërguar furnizime në dy spitale – një në veri dhe një në jug – duke theksuar se 21 nga 36 spitale në Rripin e Gazës tashmë janë krejtësisht jashtë funksionit.

    Shefi i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë “hapa urgjentë për të lehtësuar rrezikun e madh me të cilin po përballet popullsia në Gazë dhe që po rrezikon aftësinë e punëtorëve humanitarë për të ndihmuar personat që kanë plagë të tmerrshme, të ndihmojnë në lehtësimin e urisë akute dhe të ulin rrezikun e sëmundjeve të rënda”.

    Përmes një deklarate, OBSH-ja tha se stafi i saj të martën ka raportuar se nevoja për ushqim “vazhdon të jetë akute” në mbarë Rripin e Gazës, ndërkaq “njerëzit e uritur sërish kanë ndaluar autokolonat sot me shpresën se do të gjenin ushqime”.

    “Aftësia e OBSH-së për të dërguar furnizime shëndetësore, karburante për spitalet po vështirësohet gjithnjë e më shumë për shkak të urisë dhe dëshpërimit të njerëzve që shohim rrugës për në spitale dhe në spitalet që vizitojmë”.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu sulme vdekjeprurëse në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.

    Izraeli u kundërpërgjigj me luftë shkatërruese në Gazë që deri më tani ka marrë jetën e më shumë se 20.000 palestinezëve./REL/

  • Sveçla e Hoxha të vendosur: Sulmet në veri s’na zmbrapsin, lufta kundër terrorizmit s’ka kompromis

    Sveçla e Hoxha të vendosur: Sulmet në veri s’na zmbrapsin, lufta kundër terrorizmit s’ka kompromis

    Përballja me grupet terroriste në veri të vendit, po konsiderohet si sfida kryesore e Policisë së Kosovës gjatë vitit 2023. 

    Në konferencën e fundit për këtë vit ku u prezantuan të arriturat e këtij institucioni, ku u përmenden kidnapimi i zyrtarëve policor nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës e sulmi terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se sulmet e tilla nuk i zmbrapsin, teksa në luftën kundër terrorizmit nuk kanë kompromis.

    “Vitin që po e lemë pas u përballëm me sulme në veri, kidnapim e sulme terroriste që mori jetën e heroit Afrim Bunjaku. Kemi dëshmuar se asnjë sulm nuk na zmbraps dhe lufta kundër terrorizmit nuk ka kompromis. Asnjë suksese nuk vlen nëse nuk është arritur mbi vlerat demokratike. Duke njohur kontributin e sakrificën e heronjve para nesh, e kemi obligim ruajtjen e shtetit tonë”.

    “Lufta ndaj së keqes duhet të jetë norma e shtetit tonë. Kemi dhënë mbështetje për Policinë dhe do të rritet edhe më tutje, duke njohur sfidat dhe rolin e secilit prej jush, arrijmë objektivat tona së bashku”, tha Sveçla.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka paraqitur të arriturat e këtij institucioni për këtë vit.

    “Situata në Kosovë ka qenë e qetë, përveç në veri të vendit ku siguria ka qenë e cenuar nga grupet terroriste, të inskenuara nga Republika e Serbisë. Duke u ndalë në këtë konstatim po nxjerrim disa sulme. Janë protestat e dhunshme që kanë ndodhur në katër komunat veriore me rastin e hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, ku janë sulmuar policia, pjesëtarët e KFOR-it, gazetarët e qytetarët. Një ndër sulmet më të mëdha ka qenë kidnapimi i zyrtarëve policor nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës. Pastaj sulmi terroristi në Banjskë ku jeni të informuar mbi këtë sulm dhe suksesin e arritur”.

    “Gjatë 2023-ës, janë 26 384 vepra penale dhe 19 666 kundërvajtje dhe raste te natyrave tjera. Janë zbatuar 834 urdhër kontrolle (bastisje), janë hetuar 2 209 persona të dyshuar, 1 310 persona janë arrestuar, prej tyre 56 janë zyrtarë publik. Ndërsa janë shkatërruar 23 grupe kriminale”.

    Hoxha përmendi edhe arrestimin e tre personave si të dyshuar për krime lufte në Kosovë, raporton EO.

    “Më datë 04.08.2023 në pikë kalimin kufitar në Merdare është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Istog. I dyshuari gjatë luftës ka qenë në pozitën e kryeshefit në stacionin policor në Istog. Gjithashtu më datën 05.08.2023, janë arrestuar edhe 2 persona njëri prej tyre ka qenë komandant i nënstacionit policor në fshatin Rakosh të Istogut”, tha tutje Hoxha.

    Shqetësuese u konsiderua aksidentet me fatalitet gjatë këtij viti. Në total numri i aksidenteve ishte 23176, 95 ishin me fatalitet dhe 104 persona të vdekur nga aksidentet. Ndërsa aksidente me lëndime ishin 8 595 sosh.

  • Autori i të shtënave masive në Çeki la një letër para vetëvrasjes, Kozak rrëfeu se kishte vrarë një burrë dhe foshnjën e tij në pyll

    Autori i të shtënave masive në Çeki la një letër para vetëvrasjes, Kozak rrëfeu se kishte vrarë një burrë dhe foshnjën e tij në pyll

    Autori i armatosur që vrau 14 persona në një universitet në Pragë, ka rrëfyer për një vrasje të dyfishtë të mëparshme në shënimin e tij vetëvrasës, ka thënë policia çeke.

    Shënimi i gjetur në shtëpinë e David Kozak përmbante një rrëfim se ai kishte qëlluar për vdekje një burrë dhe vajzën e tij të vogël në pyll afër qytetit më 15 dhjetor, gjashtë ditë përpara sulmit në Universitetin Charles.

    Policia tha se ai kishte qenë në një listë prej 4000 të dyshuarve për vrasjet e tyre, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Kozak vrau edhe babanë e tij, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave të tij në 17.

    Sulmi në universitet më 21 dhjetor është sulmi masiv më i keq në historinë çeke.

    Kozak, një 24-vjeçar student i magjistraturës së historisë në universitet, vrau veten pasi u rrethua nga policia e armatosur.

    Viktimat e vrara në pyll raportohet se janë një burrë 32-vjeçar dhe një vajzë dy muajshe, raportojnë mediat çeke.

    Trembëdhjetë persona vdiqën në universitet, ndërsa viktima e katërmbëdhjetë vdiq nga plagët e marra në spital. 25 persona të tjerë u plagosën, tha policia.

    Policia nuk ka bërë të ditur motivet e mundshme të vrasjes, duke thënë se hetimet janë duke vazhduar.

    Sulmi në universitet pati një nga shifrat më të mëdha të vdekjeve nga të shtënat masive nga një person i vetëm i armatosur në Evropë këtë shekull:

    Norvegji, korrik 2011 Anders Behring Breivik vrau 77 persona duke vendosur një bombë që vrau tetë në një ndërtesë qeveritare në Oslo dhe më pas vrau 69 të tjerë, shumica prej tyre adoleshentë, në një kamp veror.

    Gjermani, prill 2002 Robert Steinhauser, 19 vjeç, vrau 16 persona – 13 mësues, dy nxënës dhe një polic – në shkollën e mesme të Gjimnazit Gutenberg në qytetin e Erfurt. Ai ishte përjashtuar nga shkolla vjeshtën e kaluar.

    Gjermani, Mars 2009 Tim Kretschmer, 17 vjeç, vrau 15 persona në të shtëna që filloi në shkollën e tij të mëparshme në qytetin Winnenden, afër Shtutgartit. Ai qëlloi për vdekje nëntë nxënës dhe tre mësues në shkollë përpara se të shkonte në qytetin e afërt të Wendlingen, ku qëlloi tre kalimtarë të tjerë.

    Zvicër, shtator 2001 Friedrich Leibacher hyri në ndërtesën e parlamentit rajonal në qytetin Zug i veshur me uniformë policie dhe vrau 14 persona dhe plagosi 10 të tjerë.

    Serbi, prill 2013 Ljubisha Bogdanoviç qëlloi për vdekje trembëdhjetë persona, duke përfshirë një djalë dy vjeçar, dhe plagosi gruan e tij në një fshat jashtë Beogradit. Bogdanoviç ishte një veteran ushtarak që kishte luftuar me forcat serbe në Luftën Kroate për Pavarësi në fillim të viteve 1990.

  • Shkoi për t’u kontrolluar në QKMF, vdes një grua në Skenderaj

    Shkoi për t’u kontrolluar në QKMF, vdes një grua në Skenderaj

    Një grua shkoi për t’u kontrolluar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj.

    Ajo u alivanos dhe mbeti pa shenja jete.

    Vdekja e viktimës e kanë konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    Siç njofton raporti 24 orësh, viktima ishte me nevoja të veçanta.

    “Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarës dhe janë duke hetuar rastin. Sipas familjarëve, viktima ka pasur probleme shëndetësore edhe më herët. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”, njofton raporti 24 orësh.

  • Më 15 janar, një çerekshekulli nga gjenocidi serb – kërkohet shënim sa më dinjitoz i kësaj date

    Më 15 janar, një çerekshekulli nga gjenocidi serb – kërkohet shënim sa më dinjitoz i kësaj date

    Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” me bazë në Gjenevë, Zvicër, ka kërkuar nga të gjitha institucionet e vendit që 15 janari, kur bëhet një çerekshekulli nga gjenocidi serb në Kosovë, të shënohet në mënyrë sa më të dinjitetshme që të jetë e mundur.

    Përmes një kërkese dërguar mediave, kjo qendër thotë se duke e përkujtuar këtë datë, dëshmohet përkujdesi i lartë shoqëror e shtetëror.

    “Më 16 maj 2019, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Rezolutën për Gjenocidin Serb të kryer në Kosovë dhe shpalli 15 janarin Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Më 15 janar 2024 bëhet një çerek shekulli nga krimi i gjenocidit në Kosovë! I bëjmë thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani, Kryeministrit z. Albin Kurti, Kryetarit të Kuvendit z. Glauk Konjufca, Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetarëve të Partive Politike në Kosovë, Kryetarëve të Kuvendeve Komunale, shoqërisë civile, shoqatave e klubeve dhe të gjithë shqiptarëve ngado që janë, që të mobilizohen sa më shumë e sa më mirë, në mënyrë që ky çerekshekull i Gjenocidit në Kosovë, të shënohet në mënyrë sa më të dinjitetshme”, thotë kjo qendër.

    “Gjenocidi në Kosovë” thotë se ngritja e zërit për arritjen e drejtësisë është obligim kombëtar, në mënyrë që të sensibilizohet bota demokratike për njohjen dhe arritjen e drejtësisë për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.

    “Një çerekshekulli më parë, në vitin 1998-1999 forcat serbe kanë vrarë në mënyrë sistematike mbi dhjetëmijë civilë shqiptarë, kanë dëbuar shumicën e popullsisë nga Kosova, kanë shkatërruar objekte të arsimit e të trashëgimisë kulturore shqiptare si dhe kanë dhunuar seksualisht mbi njëzetmijë gra e burra të përkatësisë shqiptare. Përgjegjësia për këto akte të tmerrshme bie mbi shtetin serb si planifikues e zbatues i gjenocidit kundër shqiptarëve”, tha kjo qendër.

    Qendra Gjenocidi në Kosovë do të organizojë një varg aktivitetesh për ta shënuar këtë çerekshekulli në mënyrë sa më dinjitoze.

    “Gjenocidi në Kosovë” ka ftuar institucionet e vendit që në këtë përvjetor simbolik të krimit të gjenocidit, “të dëshmojmë përkujdesje të lartë shtetërore dhe shoqërore, për të nderuar viktimat e krimit të gjenocidit gjatë luftës 1998-1999”.