ATV

Category: Lajme

  • Përsëritet premtimi për përfundimin e autostradës Prishtinë- Gjilan

    Përsëritet premtimi për përfundimin e autostradës Prishtinë- Gjilan

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Premtimi për përfundimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, punimet për të cilën filluan gati 6 vjet më parë, u përsërit. Sipas Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, brenda këtij viti do të përfundojë kjo autostradë dhe projekte të tjera.

    “Do të fillojë këtë vit vazhdimi i autostradës së Gjilanit deri në Dheun e Bardhë. Pra nga Gjilani, nga Bresalci deri në Dheun e Bardhë do të fillojmë autostradën e cila qytetarët e Kosovës, e po ashtu ata të rajonit e në veçanti qytetarët e Shqipërisë do të mund t’i lidhë me korridorin 10 përmes Prishtinës. Respektivisht përmes lidhjes së dy autostradave drejt Bujanovcit dhe me këtë rast edhe shqiptarët në komunën e Bujanovcit do të mund të bëhen pikë e rëndësishme e transitit, edhe të mallrave edhe të qytetarëve”, tha Aliu.

    Gjatë konferencës për media pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, Aliu tha se 120 milionë euro janë paguar tashmë e që ishin borxh i shpronësimeve.

    “Kemi arritur që mbi 120 milionë euro t’i bëjmë pagesa të viteve të shkuara, dhe tani presim edhe me 20 milionë të tjera… Vetëm në fushën e pronave private kemi pasur mbi 102 milionë euro borxh dhe këto kanë mbetur në më pak se 17 milion euro”, tha Aliu.

    Mes tjerash, Aliu i ka komentuar edhe raportimet rreth shkëmbimit të pronave komunale në Prishtinë me prona në Badoc, të cilat ishin në pronësi të një ish-klienti të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

    Aliu ka theksuar se nuk është në dijeni të këtij vendimi e as se çfarë përmban ai.

  • Qeveria ia rekomandon Kuvendit dy emra për një pozitë në bordin e OSHP-së

    Qeveria ia rekomandon Kuvendit dy emra për një pozitë në bordin e OSHP-së

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Prioritetet e vitit të fundit të mandatit, kryeministri Albin Kurti i paraqiti në mbledhjen e radhës të Qeverisë.

    Përpos prioriteteve, qeveria mori edhe disa vendime, sikurse plotësim-ndryshimi i ligjit, me ç’rast shqiptarëve të Luginës iu mundësohet blerja e pronave në Kosovë.
    Gjithashtu, në këtë mbledhje ekzekutivi i propozoi Kuvendit dy emra për anëtarë të bordit të OSHP-së dhe emëroi anëtarët e Bordit të kompanisë “Drini i Bardhë”.

    Lidhur me investimet në shëndetësi më gjerësisht foli ministri Arben Vitia. Sipas tij, 7 milionë euro do të investohen këtë vit në Sistemin Informativ Shëndetësor.

    “Përveç në disa pjesëve harduerike të cilat duhet patjetër në implementimin e SISh-it, zgjerimit të rrjetit qeveritar, deri te ambulanca e fundit në secilin cep të Kosovës, janë edhe disa produkte të tjera që e vendosin bazën për Sistemin Informativ Shëndetësor, e cila pastaj do të jetë e mjaftueshme për të kaluar në krijimin e sistemit dhe si parakusht për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore”, tha Vitia.

    Jo më larg se muajin që po vjen pritet të arrijë edhe aparatura për diagnostikimin dhe menaxhimin e llojeve të ndryshme të kancerit, por edhe të sëmundjeve të tjera.

    Gjithashtu, Vitia foli edhe për furnizimin me barna për të cilin tha se asnjë kompani s’ka marrë pjesë në procesin tenderik të 2023-ës, për shkak të shumës së vogël që ishte ofruar, derisa shtoi se tashmë është rritur buxheti për 10%.

  • ShBA- ja kërkon rishqyrtim të vendimit për dinarin

    ShBA- ja kërkon rishqyrtim të vendimit për dinarin

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ambasada amerikane në Kosovë kërkoi nga Qeveria e Kosovës rishikimin e vendimit të BQK-së për paratë e gatshme, me anë të të cilit nga 1 shkurti ndalohet përdorimi i dinarit serb.

    Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i ka thënë Evropës së Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar, dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë te banorët.

    “Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

    Kërkesës së SHBA-së i është kundërpërgjigjur të mërkurën zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ka insistuar në zbatim të Kushtetutës në të gjitha rastet.

    Ndërsa, përkundër insistimit, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka treguar të mërkurën nëse do ta rishqyrtojë vendimin që thotë se valuta e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë, është Euro.

    Megjithatë, njohës të fushës vlerësojnë se afati është shumë i shkurtër, andaj duhet të shtyhet sepse mund t’i dëmtojë shumë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.

    Ndërsa, për ish-guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti, ky institucion nuk ishte dashur të nxjerrë rregullore kur një gjë e tillë është e shkruar në ligj.

    Në rregulloren për operacionet për paratë e gatshme, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare”.

  • Ministria e Mbrojtjes s’e dinte se ndaj “Beni Donës” ka kallëzim penal, i dha tenderë milionësh

    Ministria e Mbrojtjes s’e dinte se ndaj “Beni Donës” ka kallëzim penal, i dha tenderë milionësh

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ministria e Mbrojtjes nuk ishte fare në dijeni se ndaj kompanisë “BENI DONA” e cila përfitoi tenderë milionësh ka kallëzim penal aktiv.

    Në fund të vitit të kaluar, kjo ministri me procedurë të negociuar, tenderin me mbi 2 milionë euro, për t’i ushqyer pjesëtarët e Forcës së Sigurisë ia dha kompanisë e cila dyshohet se më parë kishte furnizuar Policinë e Kosovës, me ushqim me afat të skaduar.

    “Ne si Autoritet Kontraktues nuk kemi qenë në dijeni për ndonjë kallëzim penal ndaj Operatorit Ekonomik në fjalë dhe nuk jemi të informuar për një gjë të tillë prej asnjë nga institucionet përkatëse apo kompetente”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Ministria e Mbrojtjes nga “BENI – DONA” kishte kërkuar: Vërtetimin nga Administrata Tatimore dhe nga Gjykata Themelore, por jo edhe ndonjë dëshmi nëse është subjekt i ndonjë hetimi.

    Ardit Dragusha, nga Demokraci Plus, thekson se kompanitë që dyshohen për keqpërdorime vazhdojnë të marrin miliona euro nga Autoritetet Kontraktuese për shkak të mangësive që ka Ligji për Prokurimin Publik.

    “Do të thotë Ligji i Prokurimit Publik parasheh që vetëm nëse ka ndonjë vendim të formës së prerë që rezulton me dënim, sepse nëse kompania është subjekt i hetimit nga Prokuroria, atëherë Autoritetet Kontraktuese nuk kërkojnë dëshmi sepse edhe ligji nuk e parasheh një gjë të tillë. Ka një hendek ligjor këtu, andaj kompanitë që dyshohet se kanë falsifikuar ose janë subjekt i hetimit vazhdojnë të marrin miliona euro”, tha Dragusha.

    Megjithatë, sipas tij, autoritetet kontraktuese e kanë një rrugë tjetër të cilën mund ta ndjekin.

    “Ekziston “Lista e Zezë” që në këto raste duhet të aplikohet, sepse nga OSHP-ja mund të kërkosh që një kompani të futet në këtë listë vetëm nëse ka dyshime për ndonjë keqpërdorim. Pra nuk ka nevojë të pritet për ndonjë vendim të prerë nga Gjykatat Kompetente. Por, këtë rrugë Autoritetet Kontraktuese e ndjekin shumë pak”, tha Dragusha.

    “BENI DONA” me procedurë të negociuar mori tender edhe në fillim të vitit 2023. Vlera e tenderit paraprak, gjithashtu, ishte mbi 2 milionë euro, që i bie vetëm nga Ministria e Mbrojtjes i fitoi rreth 5 milionë euro brenda një viti.

  • Policia konfiskon 59 makina për prodhimin e kriptovalutave në Mitrovicë të veriut

    Policia konfiskon 59 makina për prodhimin e kriptovalutave në Mitrovicë të veriut

    Policia e Kosovës sot paradite ka ndërhyrë në dy shtëpi në Mitrovicën e Veriut dhe ka konfiskuar 59 makina për prodhimin e kriptovalutave.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani i cili bëri të ditur se për këtë rast nuk ka asnjë person të arrestuar.

    “Sot në orët e paradites pas pranimit të informacioneve nga qytetarët, policia ka ndërhy në dy shtëpi në Mitrovicën e Veriut ne rrugën “Çeta e Minatorëve” dhe ka konfiskuar 59 makina për mihjen e kriptovalutave. Dogana e Kosovës i ka pranuar këto duke marr parasysh se kjo është kundërvajtje doganore. Nuk ka të arrestuar”, ka thënë Elshani KosovaPress.

  • Haradinaj takohet me ministrin çek: Heqja e sanksioneve nga BE, nevojë urgjente për zhvillim ekonomik

    Haradinaj takohet me ministrin çek: Heqja e sanksioneve nga BE, nevojë urgjente për zhvillim ekonomik

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka takuar sot Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvořák.

    Haradinaj ka thënë se e ka falenderuar ministrin çek për mbështetjen që vendi i tij ka dhënë për Kosovën.

    “Takova Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, z. Martin Dvořák, me të cilin bisedova për zhvillimet politike në të cilat po kalon vendi ynë dhe rajoni. E falënderova për mbështetjen që Republika e Çekisë i ka dhënë vendit tonë në shtet-ndërtim dhe vazhdon ta japë në proceset në të cilat ndodhemi”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka kërkuar nga ministri dhe nga shteti i Çekisë përkrahjen për integrim evropian të Kosovës dhe për anëtarësim në NATO.

    “Gjithashtu, kërkova nga z. Dvořák përkrahjen e tij dhe te shtetit çek në aspiratën tonë për integrim evropian e veçmas në synimin tonë për anëtarësimin në NATO. Ritheksova domosdoshmërinë e largimit të sanksioneve nga ana e Bashkimit Evropian për Kosovën, për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe ngritjes së mirëqenies në vend”, është shprehur Haradinaj.

  • Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin francez, diskutuan për zhvillimet e fundit në vend

    Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin francez, diskutuan për zhvillimet e fundit në vend

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Franceze në Kosovë, Olivier Guérot.

    Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, procesin e dialogut Kosovë-Serbi si dhe bashkëpunimin bilateral në mes të Kosovës dhe Francës.

    Presidentja foli edhe për rëndësinë e avancimit të Kosovës në rrugëtimin e saj të integrimit evropian, si një vend që ka dëshmuar angazhim serioz përmes reformave rrënjësore.

    Në këtë takim, Presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Francës, në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

  • Kurti: Hapja e korridoreve ajrore me Shqipërinë sjell përfitime mjedisore dhe ekonomike

    Kurti: Hapja e korridoreve ajrore me Shqipërinë sjell përfitime mjedisore dhe ekonomike

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se hapja e korridoreve të reja me Shqipërinë për fluturimet komerciale, sjell përfitime mjedisore, por edhe ul koston për udhëtarët.

    Gjatë ceremonisë zyrtare për hapjen e korridoreve ajrore me Shqipërinë, Kurti tha se ky hap e sjell Kosovën më afër normalizimit të hapësirës së poshtme të saj ajrore.

    “Duke shkurtuar trajektoren e udhëtimeve për dhe nga Kosova, koha e udhëtimit ulet prej 8 deri në 12 minuta. Reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit, duke minimizuar kështu emetimin e dyoksidit të karbonit”, tha Kurti.

    “Përtej përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, koha e shkurtuar e fluturimeve sjell edhe përfitime për mërgatën tonë, rriten mundësitë për çmime më të përballueshme të biletave dhe për destinacione të reja për dhe nga aeroporti i Prishtinës”, shtoi ai.

    Njoftimi për hapjen e korridoreve ajrore ishte bërë më 28 dhjetor të vitit 2023. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se hapja e rrugëve të reja ajrore për Kosovën u arrit pas një pune ekipore 15-mujore me autoritetet e Kosovës, Shqipërisë, por edhe me ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Ai madje e quajti të vonuar hapjen e korridoreve të reja, pasi sipas tij, kjo ka mundur të ndodhë disa vjet më parë.

    Sipas tij, për shkak të rrugës më të gjatë të fluturimeve, avionët kanë shpenzuar më shumë kerozinë, duke ndotur mjedisin. Rohde tha se më 2022, është përdorur 7.3 milionë kerozinë shtesë, në vlerë prej 3.3 milionë eurosh.

    Ai u zotua se do të vazhdojnë punën që të hapen edhe korridore të tjera, duke përmendur Malin e Zi.

    Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

    Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, ishte arritur në vitin 2020.

    Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.

    Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe KFOR-i./rel

  • Rënia e çatisë së objektit komunal, Gjykata merr vendim për zyrtarin e komunës dhe atë të kompanisë

    Rënia e çatisë së objektit komunal, Gjykata merr vendim për zyrtarin e komunës dhe atë të kompanisë

    Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim lidhur me dy të ndaluarit lidhur me rastin e rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku mbeti e lënduar një 23-vjeçare.

    Ndaj zyrtarit të Komunës, Gjykata ka vendosur për caktimin e masës Ndalim për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar. Në rast se nuk e respekton këtë masë, atëherë i zëvendësohet me paraburgim.

    “…të pandehurit Y.J i caktohet masa e Ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar, ashtu që të pandehurit Y.J i ndalohet qasja në zyret e Komunës së Prishtinës si dhe kontakti me kolegë e tij të punës. Kjo masë, sipas këtij aktvendimi, do të zgjasë nga data 22.01.2024 deri me datë 21.02.2024 dhe në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga I pandehuri Y.J, të njëjtit do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    Ndërkohë, përgjegjësit të Kompanisë punuese për vend punishten, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

    “Gjyqtarja Procedurës Paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ashtu që të pandehurit B.B iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1(një) muaj, masa e arrestit shtëpiak të pandehurit B.B, i llogaritet duke filluar që nga data e ndalimit 22.01.2024 deri me date 21.02.2024. Konform nenit 181 pararafi 5 të KPPRK, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse i pandehuri nuk e respekton masën e shqiptuar. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ndaluar para dy ditësh dy persona të dyshuar në rastin e rënies së çatisë së Komunës së Prishtinës.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e rënies së çatisë të objektit të Kadastrit të Komunës së Prishtinës, më 18.01.2024, ku si pasojë e kësaj ngjarjeje mbeti e lënduar rëndë një qytetare e Republikës së Kosovës dhe gjendja e saj shëndetësore mbetet ende kritike, si dhe në këtë ngjarje u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, me ç’ rast në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona të dyshuar në këtë rast, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar me aktvendim të prokurorit është person përgjegjës i Kompanisë punuese për vend punishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B”, thuhet në njoftim.

  • Rama takohet me mbretin Filipe VI në Madrid

    Rama takohet me mbretin Filipe VI në Madrid

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet në Madrid për panairin global të turizmit “FITUR Madrid”.

    Ai me këtë rast është takuar me mbretin Filipe VI dhe me shumë investitorë dhe operatorë turistikë.

    “Madrid, Spanjë- Me Mbretin Felipe VI dhe më pas me investitorë dhe operatorë turistikë, në panairin global të turizmit “FITUR Madrid”, ku Shqipëria gëzon një vëmendje të veçantë si surpriza befasuese e sezonit të kaluar”, shkruan Rama në Facebook.