ATV

Category: Lajme

  • Lëndohet një punëtor në Mitrovicë, ra nga kati i dytë i një ndërtese

    Lëndohet një punëtor në Mitrovicë, ra nga kati i dytë i një ndërtese

    Një punëtor derisa ishte duke punuar ka rënë nga kati i dytë i një ndërtese, në Mitrovicë.

    Policia ka bërë të ditur se punëtori ka pësuar lëndime trupore, dhe se i njëjti është dërguar prej trajtim mjekësor në QKUK.

    “Viktima mashkull kosovar, përderisa ka qenë duke punuar, nga pakujdesia ka rënë nga kati i dytë i një ndërtese që është në ndërtim. Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftim të policisë.

  • Deklarohen të pafajshëm katër të dyshuarit për sulmin ndaj KKZ-së në veri

    Deklarohen të pafajshëm katër të dyshuarit për sulmin ndaj KKZ-së në veri

    Të dyshuarit për sulmin ndaj Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri të Mitrovicës, Milun Milenkoviq, Aleksandar Vlajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm.

    “Nuk ndihem fajtor”, është fjalia që e kanë përdorur të akuzuarit gjatë seancës.

    Në seancës e shqyrtimit fillestar lidhur me këtë rast, të mbajtur të martën, prokurori Afrim Shefkiu gjatë leximit të aktakuzës, ka thënë se të dyshuarit kanë hedhur granata dore dhe dy shok bomba.

    Sipas prokurorit, qëllim ka qenë frikësimi i popullatës dhe institucioneve me qëllim të tërheqjes së tyre prej organizimit të zgjedhjeve në veri.

    Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, ka thënë se të pandehurit i kanë 30 ditë kohë ankesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

    Pas njoftimit të Kurtajt, shqyrtimi fillestar është përmbyllur.

  • TI: Në Kosovë nuk hiqet dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor

    TI: Në Kosovë nuk hiqet dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor

    Në Kosovë nuk ka gatishmëri politike për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor, dhe ky vend duhet të punojë ende në luftim të korrupsionit.

    Kështu është thënë në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

    Sikurse vitin e kaluar, Kosova ka 41 pikë.

    Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

    Në pjesën për Kosovën, në raport është thënë se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit, sikurse krijimi i procesit të vettingut dhe miratimi i ligjit të ri, që do të mund të fuqizonte integritetin në Këshillin Prokurorial, janë duke lëvizur me ritëm shumë të ngadalshëm.

    “Edhe më keq, ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në çështjet e gjyqësorit, e ilustruar me shkarkim të shefit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, bashkë me ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit, sugjerojnë se nuk ka vullnet politik për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”, është thënë në raport.

    Procesi i vettingut

    Procesi i vettingut është premtuar prej Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, në programin katërvjeçar.

    Megjithatë, ai ende është në fazën fillestare.

    Ky proces nënkupton rivlerësim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, rritjen e tyre profesionale, luftim të korrupsionit dhe ndaljen e ndikimit të politikëve apo elementëve tjerë në drejtësi.

    Koncept-dokumentin për vettingun e ka vlerësuar edhe Komisioni i Venecias.

    Sipas komisionit, vettingu efektiv, në rastin e Kosovës, kërkon kombinimin e masave të ndryshme, që do të kishin efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

    Si pikë e parë është rekomanduar verifikimi i nivele të larta në gjyqësor dhe në prokurori.

    Amendamentet kushtetuese për vettingun në nivele të larta, janë hartuar prej një komisioni ad-hoc të Kuvendit të Kosovës, i mbështetur prej Ministrisë së Drejtësisë.

    Më vonë, në mars të vitit 2023, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i pati dërguar disa ndryshime të amendamenteve në Gjykatën Kushtetuese, për të kuptuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën.

    Gjykata Kushtetuese nuk e ka dhënë ende fjalën e saj në këtë çështje, ndonëse, sipas ligjit, ky grup duhet të japë vlerësim brenda gjashtë muajsh, pas pranimit të kërkesës.

    Sipas raportit të Programit për Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Pulsi Publik, i publikuar këtë vit, vetëm 29 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë./rel

  • Arrestohen dy persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Arrestohen dy persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy meshkuj kosovarë nën dyshimin e veprës penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Të njëjtit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë / 29.01.2024 Njësia policore për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit dyshohet se kanë kryer vepren e lartcekur. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin 24 orësh.

  • KDI: Përtej përparimeve në demokraci, Kosova duhet t’i qaset seriozisht luftës kundër korrupsionit

    KDI: Përtej përparimeve në demokraci, Kosova duhet t’i qaset seriozisht luftës kundër korrupsionit

    Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme që ka pasur Kosova në luftën kundër korrupsionit, mbetet në vendin e 41-të sa ka qenë vitin e kaluar, ndërsa në listën botërorë në vendin e 83. Kështu u tha të martën në një konferencë për media, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), raporton Ekonomia Online.

    Teksa është komentuar Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, “Transparency International”, Eugen Cakolli nga KDI, tha se Kosova është poentuar në vendin e 41-të, sa ka qenë vitin e kaluar, ndërsa në listën botërore në vendin e 83-ta.

    Ai tha se Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

    “Për vitin 2023, Kosova është vlerësuar me 41 pikë, po aq sa ishte vlerësuar në vitin e kaluar, ndërsa zë vendin e 83-të në ranglistën botërore. Pozitën e 83-të, Kosova e ndan me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami. Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova sivjet renditet e treta, pas Malit të Zi (në vendin e 63),  dhe Maqedonisë së Veriut (në vendin 76). Pas Kosovës rezultate më të dobëta kanë Shqipëria (në pozitën 98), Serbia (në pozitën 104) dhe Bosnjë e Hercegovina (në pozitën 108). Është për t’u theksuar fakti se përgjatë 12 viteve prej kur Kosova është bërë pjesë e vlerësimit të CPI, është shënuar progres inkremental prej 7 pikësh, nga 34 pikë në vitin 2012 në 41 pikë në vitin 2023”, tha Cakolli.

    “Sidoqoftë, progresi i ngadaltë por i qëndrueshëm i Kosovës në dekadën e fundit është kryesisht rezultat i  progresit demokratik, që i atribuohet mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe transferimit paqësor të pushteteve përgjatë viteve. CPI megjithatë thekson, se ky progres nuk është reflektuar edhe në performancën kundër korrupsionit. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë – përfshirë procesin e vettingut dhe ligjin e mbi Këshillin Prokurorial, po ecin me ritme shumë të ngadalta. Për më keq, ndërhyrjet e vazhdueshme të qeverisë në çështjet gjyqësore, shkarkimi i udhëheqësit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, pasuar nga pengimi i hetimit parlamentar për rastin e dyshuar të korrupsionit për  rezervat shtetërore nga deputetët e shumicës parlamentare, tregojnë që mungon vullneti politik për të hequr dorë nga kontrollimi i gjyqësorit dhe për të forcuar mbikëqyrjen e pavarur”, tha tutje ai.

  • Gastronomët ankohen për gjobat dhe ndalimin e cigares nëpër kafeteri – Puna ka rënë për 50%

    Gastronomët ankohen për gjobat dhe ndalimin e cigares nëpër kafeteri – Puna ka rënë për 50%

    Rreth 50 për qind e punës ka rënë nëpër lokalet e gastronomisë shkak i intensifikimit të aksioneve të inspeksionit dhe gjobave për konsumimin e duhanit në ambiente të mbyllura, janë ankuar ponarë e menaxherë të lokaleve në kryeqytet, me të cilët bisedoi EO.

    Ata kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që të ndryshojë ky vendim.

    Ata kanë arsyetuar se klientët që frekuentojnë këto vende janë kryesisht duhanpirës dhe se institucionet duhet ta lejojnë një pjesë për klientët që pinë cigare.

    Muhamet Brajshori, menaxher në “CheBar” ka thënë për Ekonomia Online se Shoqata e Gastronomëve ka bërë ankesë dhe pret që Ministria të marrë ndonjë vendim të ri.

    “Po na dëmton shumë se ndikon direkt në produktet që i kemi. Na ndikon shumë. Presim ndonjë vendim të ri nga Ministria dhe shpresojmë ta ndryshojë. Shoqata e Gastronomëve ka bërë ankesë, të shohim sa mund të ndikojë. Janë pakësu shumë klientët. Ka ndikim shumë të madh, 50 për qind mundet të ketë më pak klientë”, ka thënë ai.

    Ndërsa Egzon Kaçiu, menaxher në “Derada” ka thënë se vendimi për ndalim të duhanit në ambiente të mbyllura është i arsyeshëm por që pret ndryshim nga Ministria. Ai pret që një pjesë e lokaleve të lejohet për klientët që pinë cigare.

    “Sa i përket klientëve po vërehet shumë që u ndalu cigarja nuk po pihet, çdo restorant ka mungesë të klientëve dhe kështu që Ministria duhet me shqyrtua (këtë vendim), sidomos gastronomet e kanë më problem. Si çdo restorant tjetër edhe tek ne ka ndikuar mospirja e cigares, nëpër lokale është pak ma problem puna ka rënë pak më shumë klientët zakonisht shumica e janë duhanpirës”, ka thënë Kaçiu për EO.

    “Ministria nuk e kanë edhe të lehtë se edhe ata duhet me ditë se çdo qytetarë duhet me ditë që cigarja nuk pihet në çdo vend duhet mu pi në vende të caktuar sikur në Evropë. Është vendim i arsyeshëm edhe mos mu pi pak për neve është problem. Ministria duhet ta tolerojë një pjesë, njërën pjesë të lokalit të pihet dhe njërën pjesë të mos pihet cigarja”, u shpreh ai.

  • Fushë Kosovë, një person futet me forcë në veturë, ia marrin paratë

    Fushë Kosovë, një person futet me forcë në veturë, ia marrin paratë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është futur me forcë në një veturë nga disa persona, ku edhe i kanë marrë para edhe gjësende personale.

    “Fushë Kosovë 29.01.2024 – 22:00. Është pranuar informata se viktima mashkull kosovar është futur me forcë në një veturë nga disa persona të dyshuar dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjate patrollimit nga njësitet policore është hasur në rrugë viktima mashkull kosovar. Dyshohet se të përfshirë kane qenë disa të dyshuar kosovarë, te cilët viktimës i kanë marrë edhe disa gjësende personale dhe disa para”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i policisë:

    GRABITJE

    Fushë Kosovë / 29.01.2024 – 22:00. Është pranuar informata se viktima mashkull kosovar është futur me forcë në një veturë nga disa persona të dyshuar dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjate patrollimit nga njesitet policore është hasur në rrugë viktima mashkull kosovar. Dyshohet se të perfshire kane qenë disa të dyshuar kosovarë, te cilet viktimës i kane marrur edhe disa gjesende personale dhe disa para. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK,kurse lidhur me rastin është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një i dyshuar mashkull kosovar.

  • Heqja e vizave nga Izraeli, Rezniqi: Njohja në vitin 2020 – ka hapur kapitull të ri të marrëdhënieve mes dy shteteve

    Heqja e vizave nga Izraeli, Rezniqi: Njohja në vitin 2020 – ka hapur kapitull të ri të marrëdhënieve mes dy shteteve

    Lekë Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, ka folur për marrëveshjen e Kosovës dhe Izraelit për heqjen e vizave.

    Ai ka theksuar se Kosova dhe Izraeli kanë pasur marrëdhënie të mira, sipas tij, ato janë forcuar më së shumti nga viti 2020 kur është bërë njohja e Izraelit nga Kosova.

    “Zyrtarizimi i marrëdhënieve në vitin 2020 me njohjen, dhe në vitin 2021 me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike natyrisht që hap kapitull të ri të marrëdhënieve tona, dhe forcim të marrëdhënieve tona”, ka pohuar Rezniqi.

    “Duhet të dimë që Kosova dhe Izraelit e kanë seriozisht në raportet e tyre, për atë e shohim një zhvillim kaq të hovshëm dhe të fuqishëm në raportet mes dy shteteve tona, për shkak se Kosova me seriozitetin më të madh e mori hapin dhe e vendosi ambasadën në Izrael, u bë vendi i parë evropian”.

    “Megjithatë ky është një vendim i palëkundur i Kosovës, për më tepër ambasadorja izraelite, Tamara Ziv, e di që ka punuar fuqishëm që kjo të arrihet sa më shpejtë, nuk duhet të çuditemi nga kjo. Pasi që nga njohja që nga viti 2020 shohim një kapitull të ri, dhe një energji të re në raportet mes dy shteteve”, ka thënë Rezniqi.

  • Kurti sot pret në takim Lajçakun

    Kurti sot pret në takim Lajçakun

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Ekonomia Online.

    Pas vizitës në Beograd, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak sot do të vijë edhe në Prishtinë.

    Takimi i Kurtit me Lajçakun do të nisë në orën 15:00, njoftoi Qeveria e Kosovës.

  • Sot mbahet mbledhja e parë qeveritare në Maqedoni të Veriut me kryeministër Talat Xhaferin

    Sot mbahet mbledhja e parë qeveritare në Maqedoni të Veriut me kryeministër Talat Xhaferin

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka caktuar seancën e parë të përbërjes qeveritare të sapo zgjedhur.

    Ajo është paraparë të mbahet sot me fillim në orën 12:00, sipas Klan Macedonia.

    Talat Xhaferi, i cili u bë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, dje tha se është dëshmuar që shqiptarët mund t’i menaxhojnë institucionet e shtetit.

    “Kemi verifikuar që mundemi dhe te shqiptarët ka kuadro të denjë, institucionalist që mbi parimet edhe të rregullave ndërkombëtare edhe të rregullave vendore mund të menaxhojnë institucionet”, deklaroi ai.

    “Jo vetëm shembulli i menaxhimit të parlamentit ose Ministrisë së Mbrojtjes, por të gjithë institucioneve, kemi ministrin e Punëve të Jashtme, kemi ministrin e Financave, kemi ministër të Arsimit, dhe fushave tjera, drejtori të veçantë, institucione tjera që kanë verifikuar se ka potencial, ka kapacitet, por në mënyrë të barabartë duhet dhënë mundësi që të verifikohet se po e bëjmë këtë”, tha ai.

    Ai pas pranimit të detyrës tha se kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilës ai do ta mbështes çdo veprim dhe vendim në qeveri, ndërsa pohoi se detyra primare e kësaj qeverie është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike.

    “Shpreh kënaqësinë dhe përgjegjësinë për detyrën që e mora përsipër duke e përsëritur atë që kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilën do e mbështes çdo vendim dhe veprim që e ndërmarrim si qeveri”.

    “Detyra primare e kësaj qeveria është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike të rregullta presidenciale me 24 prill dhe 8 maj dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 maj 2024 dhe për këtë qeveria në një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore”.

    “Në bashkëpunim me kuvendin, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, BE dhe ShBA, do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale, organizative dhe operative për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve, duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vet zgjedhjeve, që të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë”, ka deklaruar ai.