ATV

Category: Lajme

  • Personi që vdiq në aksident në Bresje ishte i burgosur i Smrekonicës, kishte dal për të punuar

    Personi që vdiq në aksident në Bresje ishte i burgosur i Smrekonicës, kishte dal për të punuar

    Shërbimi korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot në një aksident trafiku ka humbur jetën një i burgosur.

    Në njoftim bëhet e ditur se i njëjti po mbahej në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës, nga ku dhe kishte dalë dal në mëngjes për të shkuar në vendin e punës.

    Njoftim nga SHKK:

    Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik, se sot në një aksident trafiku ka ndërruar jetë i burgosuri, F.A.

    I njëjti po mbahej në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës, nga ku kishe dalë sot rreth orë 06:35 për të shkuar në vendin e punës, ku sipas Udhëzimit Administrativ për punë jashtë institucioneve korrektuese, MD-nr. 04/2023, po punonte jashtë në një biznes privat.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës u shprehë ngushëllime familjes dhe gjithë të të afërmve.

  • ​100 emigrantë të vdekur në Mesdhe gjatë vitit 2023

    ​100 emigrantë të vdekur në Mesdhe gjatë vitit 2023

    Pothuajse 100 emigrantë kanë vdekur tashmë në përpjekje për të kaluar Mesdheun Qendror dhe Lindor këtë vit, pothuajse dy herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023, tha drejtoresha e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Amy Pope, në faqen e internetit të agjencisë së OKB-së, të martën.

    Viti i kaluar mbetet një rekord për vdekje që nga viti 2016, tha ajo.

    Shumica e vdekjeve kanë ndodhur gjatë rrugës për në Itali. /ANSA/

  • ​Konfirmohet se në Evropë u regjistrua temperatura rekord prej 48.8 gradë në vitin 2021

    ​Konfirmohet se në Evropë u regjistrua temperatura rekord prej 48.8 gradë në vitin 2021

    Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) konfirmoi të martën se në Evropën kontinentale u regjistrua një temperaturë rekord prej 48.8 C (119.8 F) në vitin 2021.

    Sipas gjetjeve të publikuara në Gazetën Ndërkombëtare të Klimatologjisë, temperatura u regjistrua në ishullin e Siçilisë të Italisë më 11 gusht 2021, tha zyrtarja për media e WMO, Clare Nullis në një konferencë për shtyp të OKB-së në Gjenevë.

    Nullis deklaroi se rekordi i mëparshëm për Evropën kontinentale prej 48.0 C u mbajt nga qytetet greke të Athinës dhe Elefsinës më 10 korrik 1977 bazuar në burimet zyrtare të qeverisë.

    Në një deklaratë për shtyp, raportuesi i WMO Randall Cerveny tha: “Ekstremet e paraqitura përpara WMO për gjykim janë “fotografi” të klimës sonë aktuale. Është e mundur, me të vërtetë e mundshme, që ekstreme më të mëdha të ndodhin në të gjithë Evropën në të ardhmen.”

    “Ky studim tregon tendencën alarmante për vazhdimin e rekordeve të temperaturave të larta që do të vendosen në rajone të veçanta të botës,” tha Cerveny. /AA/

  • Jashari: Është e pakuptimtë me shku me kërku besë, termat kanunor janë të palogjikshme të përdoren në kohën moderne

    Jashari: Është e pakuptimtë me shku me kërku besë, termat kanunor janë të palogjikshme të përdoren në kohën moderne

    Avokati Arbër Jashari, në emisionin A LIVE në ATV, tha se e sheh të pakuptimtë shkuarjen për të kërkuar besë dhe një gjë të tillë me e proklamu si diçka pozitive.

    “Unë e shoh si të pakuptimtë më së pari me shku me kërku besë, pastaj e shoh si të pakuptimtë edhe me proklamu si diçka pozitive, si diçka fisnike për arsye se në kohën tonë është e pa implementueshme”, tha Jashari.

    Këto deklarata ai i bëri lidhur me rastin e para tri dite, ku axha i Lulzim Fejzullahut u kishte dhënë një mauj besë familjeve të dorasve të vrasjes së nipit të tij.

    Avokati thotë se në kohën kur nuk ka funksionu shteti, janë dashtë mekanizma të tjerë për të vendosur rregull, mirëpo sipas tij, në kohën moderne, janë të pakuptimtë dhe të palogjikshme të përdoren terma kanunor.

    “Por, tash në kohën moderne mendoj se është krejtësisht e pakuptimtë dhe e palogjikshme që të përdoren edhe këto terma kanunor. Unë dua të bëj një dallim. E mirëpres çdo inciativë që çdokush e ndërmerr për pajtimin edhe uljen e gjakrave të dy familjeve, por jo në kuptimin që ti me i jep besë që për një muaj ditë s’ke me dalë me e vra, që në njëfarë forme, po e paragjykon që pas një muaje ti e ke ndërmend me dalë me e ba një të keqe, duke qenë se tash kemi shtet, kemi ligje dhe ne ia kemi besu, kur është kriju shteti si një mekanizëm shumë i sofistikuar dhe ne ia kemi besu disa të drejta dhe liri tona, dhe ia kemi besu që ai me vepru në emër tonin për me i realizu edhe ato të drejta dhe eventualisht nëse na bëhet ndonjë dëm i caktuar që shteti e ka për obligim që ai të veprojë dhe ai të ndërmarrë masat adekuate”, tha Jashari. /atvlive.tv

  • ​Lajçak mbërrin në Qeveri, pritet të takohet me Kurtin

    ​Lajçak mbërrin në Qeveri, pritet të takohet me Kurtin

    Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani ka mbërritur në qeverinë e Kosovës, për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

    Nga Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme kanë thënë se ky takim është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të vazhdueshëm të Lajçak me partnerët për t’i ndihmuar të ecin përpara në Dialog.

    “Kjo është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të tij të vazhdueshëm me partnerët për t’i ndihmuar ata të ecin përpara në procesin e Dialogut të lehtësuar nga BE”, tha zëdhënësi Peter Stano.

  • Komisioni për Mjedis miraton Projektligjin për rregullat e trafikut rrugor

    Komisioni për Mjedis miraton Projektligjin për rregullat e trafikut rrugor

    Komisioni për mjedis ka miratuar Projektligjin për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave dhe Projektligjin për rregullat e trafikut rrugor.

    Të njëjtat, u dërguan për miratim në seancë plenare, derisa u tha se kosto buxhetore për këto projektligje është e përballueshme.

    Miratimin e këtyre projektligjeve e mirëpriti, kryetarja e komisionit, Fitore Pacolli.

    “Kosto buxhetore është e përballueshme, ku do të krijohen format organizative në zbatimin e procedurave të përshtatshme administrative. Opinioni ligjor i përshtatshmërisë me legjislacionin e BE-së, thotë se aktet ligjore të BE-së nuk kanë ndonjë direktivë specifike për rregullimin e kësaj fushe”, tha ajo.

    Komisioni po ashtu diskutoi për agjendën legjislative dhe prioritetet gjatë këtij viti kalendarik./kp/

  • Maqedonci vizitoi Komandën e Forcave Speciale turke

    Maqedonci vizitoi Komandën e Forcave Speciale turke

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci sot vizitoi Komandën e Forcave Speciale Turke, me ç’rast u prit në takim nga Komandanti i Forcave Speciale, gjeneral Omer Ertugrul Erbakan.

    Përmes një njoftimi, gjatë takimit u diskutua rreth programeve trajnuese të Forcave Speciale Turke që mund të ndjekin ushtarakët e Forcës Speciale të FSK-së.

    “Ministri Maqedonci falënderoi Gjeneralin Erbakan për mbështetjen e deritanishme, ndërsa u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin me qëllim avancimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së”, thuhet në njoftim.

  • Avokati Emmerson: Dëshmitari i 44-të e ka pranuar që është përpjekur të manipulojë procesin gjyqësor

    Avokati Emmerson: Dëshmitari i 44-të e ka pranuar që është përpjekur të manipulojë procesin gjyqësor

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë pas dëshmitarit të 43-të, do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i 44-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Krasniqit dhe Jakup Krasniqit.

    Ndërsa, për dëshmitarin e radhës, mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson ka kërkuar që dëshmia e tij të dëgjohet në seancë publike. Sipas tij, ky dëshmitar ka pranuar se ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb.

    “Sa i takon dëshmitarit të radhës, do të doja të jepja një parashtrim në seancë të hapur që dëshmia e këtij personi duhet mbajtur në seancë të hapur. Të ndjekim të njëjtën praktikë siç e kemi ndjekur në të shkuarën; të përdorim kode për emrat dhe vendet. Ju keni dhënë vendim sot paradite në seancë të hapur që ky është një dëshmitar që ka dhënë deklarata të rreme për llogari të Shërbimit Informativ Serb dhe është shumë e rëndësishme dhe më e rëndësishme se për çdo dëshmitar tjetër që gjyqi të jetë i hapur për publikun dhe të mos jetë seancë e mbyllur për një dëshmitar të këtij lloji që ka pranuar vetë që ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin e gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb”, tha Emmerson.

    Kurse, prokurori Matt Halling pati kundërshtime për parashtrimin e Emmersonit lidhur me dëshmitarin e 44-të të ZPS-së.

    “Do të doja të kundërpërgjigjesha; vendimi i juaj ishte në seancë të hapur, por ama ju u kujdeset që të mos jepnit të dhëna identifikuese për këtë dëshmitar. Ne thamë në e-mailin tonë në ditën e diel, kur dërguam shënimet përgatitore pse masat mbrojtëse për këtë dëshmitar janë shumë të rëndësishme. Ka disa arsye të vlefshme pse ekzistojnë masa të tilla mbrojtëse dhe ne mendojmë se mënyra e mirë për transparencë të seancës gjyqësore është që kryesisht ta bëjmë seancën në mënyrë private, në mënyrë që dëshmitari të flas lirshëm dhe më pas të bëjmë redaktimet përkatëse të transkriptit, në mënyrë që edhe publiku të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm”, tha Halling.

    Lidhur me këto parashtrime, kryetari i trupit gjykues vendosi që ta rrezojë kërkesën e avokatit Emmerson, kështu që dëshmia e dëshmitarit të 44-të të ZPS-së të dëgjohet në sesion privat.

    “Redaktimet e transkriptit mendojmë që janë një masë e përshtatshme në mënyrë që publiku të informohet, për rrjedhojë rrëzojmë kërkesën tuaj për seancë publike dhe do të jemi në seancë private me këtë dëshmitar”, tha Charles Smith III.

  • Osmani pret në takim Lajçakun

    Osmani pret në takim Lajçakun

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të martën Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak.

    Lajçak për disa minuta u detyrua që të pres në shkallë, derisa u përgatit presidentja Osmani.

    Mediat në këtë takim janë lejuar që të marrin pamje vetëm ne fillim të takimit.

    Po ashtu gjatë ditës Miroslav Lajçak, do të pritet në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Lajçak të hënën ka qëndruar edhe në Serbi, ku ka zhvilluar takim me presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

  • Gjykata merr vendim për katër të akuzuarit për terrorizëm dhe lidhjet me ISIS

    Gjykata merr vendim për katër të akuzuarit për terrorizëm dhe lidhjet me ISIS

    Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar lartësinë e dënimit për katër të dyshuarit, Ardian Gjuraj, Egim Syla, Nehrudin Skenderi e Mentor Bellaqa të cilët në fund të vitit të kaluar i dënoi për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

    Së bashku katër të akuzuarit janë dënuar me 30 vjet e gjysmë burgim.

    Ardian Gjuraj është dënuar me dënim unik me 9 vite burgim për veprat penale, “Përgatitje e veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje”.

    Egim Syla është dënuar me dënim unik, 6 vite e gjashtë muaj për veprat penale, “Përgatitje e veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje”.

    Mentor Bellaqa është dënuar me 6 vite e gjashtë muaj burgim për veprat penale, “Përgatitje e veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje”.

    Nehrudin Skenderi dënohet me 8 vjet e gjashtë muaj burgim për financim në kryerjen e terrorizmit edhe pesë mijë euro gjobë.

    Ndryshe, një sulm terrorist që po planifikohej të kryhej në Kosovë vite më parë, e parandaluan institucionet e sigurisë.

    Nën operacione speciale policia arriti të kap edhe të dyshuarit.

    Në pranga në vitin 2021 përfunduan Ardian Gjuraj, Egim Syla, Nehrudin Skenderi e Mentor Bellaqa.

    Ata paraprakisht kishin organizuar blerjen e armatimit të kalibrave të ndryshme, e të cilin e kishin fshehur në pronën e Egim Sylës.

    23 detonatorë të granatës, 6 granata dore, 1 mitraloz, mbi 3700 fishekë si dhe shumë armë të tjera ishin gjetur të fshehura në pyllin e Ergim Sylës, që ndodhet në fshatin Bokshiq të Klinës.

    Por, këta persona tashmë të dënuar nuk ishin në dijeni që ishin nën masa të vëzhgimit nga Njësia Antiterror i policisë.

    Përmes përgjimeve, Prokuroria Speciale ka zbuluar se të pandehurit janë të interesuar që t’i blejnë disa armë.

    Një nga të përfshirët që tashmë ndaj tij është veçuar procedura, Shkodran Krasniqi ishte personi që do t’i siguronte armët. Me të, kontaktuan disa efektiv të njësisë antiterror të angazhuar nga Prokuroria, të cilët u prezantuan si shitës të armëve. Me të takimi ndodhi më 10 tetor të vitit 2021.

    “Shkodran Krasniqit i është thënë që armët janë në veturë dhe është pyetur nëse ai dëshiron me i shiku. I pandehuri ka kërkuar që armën dhe municionin vetëm t’i ngarkojmë në veturën e tij dhe pas ngarkimit, armët Shkodrani i ka paguar me para në vlerë 1.500 euro dhe atë në monedha 28×50 dhe 1×100, dhe pas kësaj ai ka filluar të largohet dhe sapo është nisur për të dalë nga vendi i ngjarjes, është arrestuar nga njësitet e policisë”, thuhet në aktakuzë.

    Ardian Gjuraj është gjykuar edhe disa vite më parë për një vepër penale që ndërlidhet me terrorizmin. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte liruar atë nga akuza.