ATV

Category: Lajme

  • Krasniqi bën homazhe te lapidari i Zahir Pajazitit

    Krasniqi bën homazhe te lapidari i Zahir Pajazitit

    Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), Memli Krasniqi, së bashku me zyrtarë të tjerë të partisë, kanë bërë homazhe tek lapidari i heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë, në 27-vjetorin e rënies së tij, së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.

    “Duke e ditur se asgjë ska më shtrenjtë se liria, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha u organizuan kundër pushtuesit dhe robërisë, sepse, ata, lirinë që kishin në zemrat dhe mendjet e tyre, e donin për të gjithë Kosovën”, ka shkruar Krasniqi, në Facebook.

    “Për këtë ideal, ndër pushkët e para të lirisë, dhanë edhe jetën më 31 janar të vitit 1997, duke u shndërruar në shembull dhe frymëzim për gjeneratën e artë të burrave dhe grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi e përjetshme për heronjtë e Kosovës!”, ka theksuar kreu i PDK-së.

  • Nis takimi me delegacionin serb, diskutohet çështja e të zhdukurve gjatë luftës

    Nis takimi me delegacionin serb, diskutohet çështja e të zhdukurve gjatë luftës

    Në Gjenevë po mbahet takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë.

    Në këtë takim po diskutohet lidhur me çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Kjo është konfirmuar nga ana e kryetarit të delegacionit të Kosovës, Andin Hoti.

    Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13.000 njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800.000 u zhvendosën dhe rreth 1.600 janë të zhdukur.

  • ​Guvernatori i BQK-së për dinarin: Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar

    ​Guvernatori i BQK-së për dinarin: Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili mohon të shtyhet apo të anulohet rregullorja që parasheh ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë nga 1 shkurti i këtij viti.

    Ai theksoi se duhet të zbatohen të gjitha rregullat që vendosen nga BQK.

    I pyetur nga KosovaPress nëse do të shtyhet ky vendim, ai ka thënë se e njëjta mund të ketë një tranzicion, derisa shtoi se qytetarët serb janë të mirëseardhur t’i bashkëngjiten sistemit financiar të Kosovës.

    “Qysh me shty, çka me shty, a i bien që me shty që të thuhet që prej nesërmit mund të hyjë një automjet pa rregull, i palicensuar, kush mund ta marrë këtë përgjegjësi, a është dikush prej BQK-së që mund ta presë këtë. Kjo mund ta ketë një kohë tranzicionin , ne nuk po merremi individualisht me qytetarët serb. Ata janë të mirëseardhur e mirëpritur t’i bashkëngjitën sistemit financiar të Kosovës”, tha Ismaili.

    Ai po ashtu tha se duhet të zbatohen të gjitha rregullat që vendosen nga BQK.

    “Pozita e BQK-së nuk është politike. Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar. Nëse për zbatimin e rregullave duhet një kohë e arsyeshme, është çështje që për neve këto janë rregulluat. Bile deri dje, se ka plot lloj deklarimesh që thonë se ka qenë e rregulluar, deri dje e sot, dhe në fund të janarit kanë mund të hyjnë mjete transportues në Kosovë me bo kesh dhe si ta fusin në Kosovë ta dërgojë ku ka dashtë. Për fatin e keq edhe Banka që ka qenë e licensuar e Komerciana Banka, e që tash është në proces të përmbylljes, është përdorur si arsyeje për transport, por në të vërtet në bazë të të dhënave që ka deklaruar në BQK, nuk përputhen me volumin e transkasionit që ka deklaruar. Që i bie që BQK nuk ka arritur ta shikojë në mënyrë efektive edhe operimin e vet bankës që ka operuar në atë kohë”, shtoi Ismaili.

  • “Kjo nuk është Pavarësi” – kështu tha Albin Kurti pasi u shpall Pavarësia e Kosovës

    “Kjo nuk është Pavarësi” – kështu tha Albin Kurti pasi u shpall Pavarësia e Kosovës

    Arsimi Sinani përveç kontributit të tij si profesor dhe analist i politikës, është edhe shkrimtar i librave të ndryshëm. Njëri nga ta është libri “Dialog me dijetarë dhe pushtetarë”, për të cilin diskutoi detaje interesante në emisionin “LIBERO” në ATV.

    “…Në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës telefonova Albin Kurtin, të cilin e urova dhe i thashë se edhe ti ke kontribuar për Kosovën. Ndërkohë, Albini ishte i nervozuar duke thënë se kjo nuk është Pavarësi…”, tha Sinani.

    Ai gjithashtu përmendi se në parathënien e librit ka shkruar edhe se ‘do të vijë 5 minutshi i Albin Kurtit’- dhe të njëjtën gjë ia kishte thënë edhe Albinit ditën kur u zgjodh kryeministër i Kosovës.

    Për më shumë informacione rreth kësaj interviste me Arsim Sinain, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Pal Lekajt i ndalohet ushtrimi i funksionit publik për mbi tre vjet

    Pal Lekajt i ndalohet ushtrimi i funksionit publik për mbi tre vjet

    I shpallur fajtor për rastin e “53-milionëshit”, Gjykata e ka dënuar me 3 vjet e tetë muaj burgim Pal Lekajn, ish-ministrin e Infrastrukturës.

    Po ashtu, gjykata i ka shqiptuar dënim plotësues deputetit të AAK-së sipas të cilit i ndalohet ushtrimi i funksionit publik për tre vjet e gjashtë muaj.

    Aktgjykimin e ka shpallur sot Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Prokuroria Speciale i akuzoi Lekajn dhe tre të tjerë në lidhje me pagesën e 53 milionë të qeverisë për “Bechtel & Enkën”.

    Zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri është dënuar me një vit e tetë muaj, Besim Tahiri me një vit e tetë muaj burgim, Eset Berisha me 3 vjet e tre muaj.

    Qeveria e Kosovës i kishte paguar 53 milionë eurot kompanisë amerikane për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’.

  • Arsim Sinani e vë në dyshim punën e Talat Xhaferit si kryeministër

    Arsim Sinani e vë në dyshim punën e Talat Xhaferit si kryeministër

    Analizat dhe opinionet e Arsim Sinanit mbi politikën kanë qenë gjithmonë të pranishme në jetën politike dhe jo vetëm.

    Arsim Sinani ishte i ftuar në emisionin “LIBERO”, dhe rrëfeu shumë të pathëna. Gjithashtu, ai komentoi zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferit.

    Edhe pse Arsimi politikisht qëndron kundër tij – ai përmes emisionit “Libero” shfrytëzoi rastin që t’i dërgojë Xhaferit një porosi dhe një pyetje që vuri në dyshim punën e tij si kryeministër.

    “…Duke qenë se në publik Talat Xhaferi u promovua si një luftëtar, do doja ta pyesja a do të arrijë që në këto 90 ditë të bëjë një ligj që ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të jenë të barabartë me ish-pjesëtarët “branitella” të Maqedonisë, por dyshoj se ai do të arrij të bëj diçka…”, tha Sinani.

    Megjithatë, vlen të ceket se Arsim Sinani me optimizëm tha se në Maqedoni do të vijë një brez i politikanëve të përgjegjshëm ku shqiptarët dhe maqedonasit do të arrijnë një marrëveshje që ta ndajnë pushtetin racionalisht dhe në mënyrë të barabartë.

    Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • GJND vendos sot në rastin kundër Rusisë për terrorizëm

    GJND vendos sot në rastin kundër Rusisë për terrorizëm

    Gjykata kryesore e Kombeve të Bashkuara më 31 janar do të japë vendimin lidhur me rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë për dyshime të “financimit të terrorizmit” dhe “diskriminimit racor”, pasi Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë më 2014.

    Kievi e ka akuzuar Rusinë se është “shtet terrorist”, mbështetja e të cilës për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës ishte pararojë e pushtimit në shkallë të plotë që Moska nisi kundër Ukrainës më 2022.

    Ukraina kërkon që Rusia të kompensojë të gjithë civilët që i përfshiu konflikti, por edhe viktimat e fluturimit MH17 të Malaysia Airlines, i cili u rrëzua në lindje të Ukrainës.

    Ky rast është ngritur para nisjes së pushtimit të Ukrainës më 2022. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) do të vendosë nëse ka juridiksion për të vendosur për një rast të veçantë sa i përket luftës.

    Rusia gjendet në bankën e të akuzuarve edhe për pretendimet se ka shkelur konventën ndërkombëtare për diskriminim racor për shkak të trajtimit të minoritetit tatar dhe ukrainasfolësve në Krimenë e pushtuar.

    Gjatë seancave dëgjimore për këtë rast, Alexander Shulgin, ambasadori rus në Holandë, e akuzoi Ukrainën për “gënjeshtra të kulluara dhe akuza të rreme… edhe ndaj kësaj gjykate”.

    Diplomati kryesor ukrainas, Anton Korynevych, raportoi se Rusia po tenton “që të na zhdukë nga faqja e dheut”.

    “Duke filluar më 2014, Rusia pushtoi paligjshëm Krimenë dhe u përfshi në një fushatë të spastrimit kulturor, duke shënjestruar ukrainasit etnikë dhe tatarët e Krimesë”, tha Korynevych.

    Rasti para GJND-së ka nisur më 2017 dhe ka pasur seanca të gjata në GJND, plus mijëra faqe dokumente që janë dorëzuar në gjykatë.

    Rasti është pjesë e një strategjike “ligjore” të zhvilluar nga Ukraina kundër kundërshtarit të saj, pasi Kievi e ka dërguar në gjykatë Moskën edhe për ligjin detar dhe shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut.

    Më 2017, GJND-ja refuzoi kërkesën fillestare të Kievit për masa emergjente për të ndaluar Rusinë që të financojë separatistët.

    Atëbotë, gjykatësit thanë se Ukraina nuk kishte sjell para gjykatës të dhëna të mjaftueshme për këtë të dëshmuar se fondet nga Moska po përdoreshin “për të shkaktuar vdekje apo lëndime serioze trupore ndaj civilëve”.

    Megjithatë, GJND-ja urdhëroi Moskën që të përmbahej nga vendosja e “kufizimeve” ndaj tatarëve të Krimesë.

    GJND-ja, me seli në Hagë, vendos për mosmarrëveshjet mes shteteve dhe shpesh kjo gjykatë ngatërrohet me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) që ndjek penalisht individët për krime lufte.

    Vendimet e GJND-së janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen, por gjykata ka pak fuqi që të detyrojë zbatimin e tyre.

    Për shembull, GJND-ja publikoi një vendim urgjent duke urdhëruar Rusinë që të ndalë pushimin një muaj pasi nisi ai, por Rusia nuk e respektoi urdhrin.

  • Avokati i Lekajt e quan skandaloz vendimin e Gjykatës, njofton se do e apelojnë

    Avokati i Lekajt e quan skandaloz vendimin e Gjykatës, njofton se do e apelojnë

    Avokati i ish-ministrit Pal Lekaj, Musa Damati, e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës Themelore, e cila shpalli aktgjykimin e saj dënues ndaj Lekajt në rastin e njohur si “53 milionëshi”, raporton Ekonomia Online.

    Damati njofton se do të apelojnë këtë vendim në Gjykatën e Shkallës së Dytë.

    “Nuk mund ta konsiderojmë ndryshe veçse skandaloz, bindja jonë është se do të pasoje ndryshime në favorin tonë”, tha Damati.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të akuzuar në rastin e njohur i “53 milionëshi”, duke i dënuar me 10 vjet e 3 muaj burgim.

    Sipas aktgjykimiti, ish- ministri, Pal Lekaj është dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim, këshilltari i tij politik, Eset Berishën është dënuar me mbi 3 vite, sekretari i përgjithshëm, Nebih Shatrin dhe drejtori i prokurimit publik, Besim Tahiri janë dënuar me nga një vit e 8 muaj.

    Afera “53-milionëshi”: Gjykata dënon Pal Lekajn me 3 vjet e 8 muaj burgim

  • Arrestohet një 23-vjeçar në Gjilan, po transportonte rreth 11 kg marihuanë

    Arrestohet një 23-vjeçar në Gjilan, po transportonte rreth 11 kg marihuanë

    Një 23-vjeçar është arrestuar dje në fshatin Llovcë të Gjilanit, pasi i njëjti është kapur me 11 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

    Përmes një komunikate për media, Policia njofton se njësia patrulluese e Policisë Kufitare në Gjilan, kanë vërejtur lëvizje të dyshimta të veturës që po drejtohej nga i dyshuari. I njëjti posa ka vërejtur zyrtarët policorë, ka tentuar të shmanget, me ç’rast ka goditur njërin prej policëve.

    “Policia e Kosovës, konkretisht njësia patrulluese e Policisë Kufitare në Gjilan, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme, më datën 30.01.2024, rreth orës 14:30 gjatë patrullimit rutinë në fshatin Llovcë, kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të një veture VË ngjyrë hiri me targa vendore. Vetura me të vërejtur zyrtarët policorë ka tentuar të shmanget, ku gjatë largimit ka goditur njërin prej zyrtarëve policor, duke i shkaktuar lëndime trupore. Nga zyrtarët e njësisë kufitare është arritur të ndalohet vetura, të cilën e ngiste i dyshuari E.A., m/k (viti I lindjes 2001). Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme rreth 11 kg“, thuhet në komunikatë.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë, teksa është identifikuar edhe një person tjetër i dyshuar, mirëpo i njëjti s’është arrestuar ende.

    Me urdhër të prokurorit, 23-vjeçari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

  • Kryetari i Bordit të BQK-së për REL-in: Shtyrja e zbatimit të rregullores po diskutohet, pezullimi në asnjë mënyrë

    Kryetari i Bordit të BQK-së për REL-in: Shtyrja e zbatimit të rregullores po diskutohet, pezullimi në asnjë mënyrë

    Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja, ka thënë se shumë persona nuk e kanë kuptuar mirë rregulloren që pritet të hyjë në fuqi nga nesër, e që me anë të saj ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë.

    Në një intervistë për REL-in, Nurboja ka thënë se kërkesë e ambasadave të QUINT-it ka qenë pezullimi i saj, por sipas tij më pas e kanë kuptuar se rregullorja është në të drejtën e BQK-së dhe kërkesa është ndërruar në shtyrje të zbatimit.

    “Faktikisht, në fillim, është parë se shumë njerëz nuk e kanë kuptuar mirë rregulloren dhe kërkesë e ambasadave të QUINIT-it ka qenë pezullimi i saj. Por, pas informimit të duhur e kanë kuptuar se rregullorja është në të drejtën e BQK-së dhe në të drejtën e rregullimit të institucioneve financiare dhe qarkullimit të parasë. Pasi e kanë pranuar këtë, ka ardhur kërkesa për shtyrjen e zbatimit.

    Në përgjithësi, zbatimin e bëjnë institucionet e drejtësisë, nuk e bën BQK-ja.

    Ne vetëm e kemi obligim ligjor ta rregullojmë sistemin financiar dhe e kemi bërë këtë rregullore si instrument shtesë për rregullimin e një çështjeje që ka mbetur e parregulluar për një kohë shumë të gjatë, e cila është interes shtetëror, e cila ka të bëjë me valutën. Është edhe e drejtë kushtetuese – Neni 11 e përmend që Kosova duhet ta ketë një valutë. Po ashtu, ka të bëjë me qarkullimin e parasë brenda vendit; është shumë me rëndësi për BQK-në që të dijë për qarkullimin e parasë, sepse është në mandatin e saj.

    Kjo rregullore i rregullon këto dhe precizon edhe disa gjëra të ligjit… Tash, institucionet tjera, si Doganat, e fuqizojnë ligjin”, ka thënë Nurboja.