ATV

Category: Lajme

  • Edhe sot po vazhdon dëshminë dëshmitari i 44-të i ZPS-së, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Edhe sot po vazhdon dëshminë dëshmitari i 44-të i ZPS-së, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Dëshmitari i 44-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të vazhdojë dëshminë e tij edhe në seancën e sotme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Dëshmia e dëshmitarit të 44-të, të mërkurën, ka qenë në sesion privat, pavarësisht se një ditë më parë avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, kërkoi që dëshmia e tij të jetë në seancë publike, pasi që ky dëshmitar, sipas Emmerson, ka pranuar se ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb.

    Megjithatë, kërkesa e Emmerson nuk është aprovuar nga Trupi Gjykues i cili vendosi që dëshmia e dëshmitarit 44 të jetë në sesion privat. Ndryshe, shumica e seancave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK, që nga fillimi e deri më tani janë zhvilluar në sesione private.

    Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë pritet të mbahen katër seanca, raporton RTKlive.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit të kaluar, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

    Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

    Ndryshe, dje Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ua kanë vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

  • Palestra sportive në Lipjan, bëhet për rinovim dy muaj pas përurimit

    Palestra sportive në Lipjan, bëhet për rinovim dy muaj pas përurimit

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Datën e përurimit të Palestrës së Sportit, komuna e Lipjanit e mendoi gjatë.

    Pasi pritën 5 vjet për një gjë të tillë, kjo sallë u përurua më 28 Nëntor, në 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, për, siç thanë, të festojnë për dy gjëra njëkohësisht.

    Mirëpo, pavarësisht se kanë kaluar dy muaj, të rinjve të Lipjanit nuk iu mundësua që të paktën ta organizojnë edhe një ndeshje sado të vogël futbolli.

    Sallës së re i mungon izolimi dhe si pasojë e kësaj, uji nga jashtë ka depërtuar në të duke shkaktuar dëme në dysheme.

    Për t’i sanuar problemet, të mërkurën punëtorët e kompanisë kontraktuese ishin tek objekti i Sallës së Sportit.

    Opozita kritikon pushtetin për ndërtimin e saj. Sipas Arsim Jasharit, asamblist në PDK, është absurde që brenda pak muajve të ketë telashe të tilla.

    “Punimet kanë zgjatur 5 vjet, ende pa u zhvilluar asnjë garë është prishë parketi krejt, është e papranueshme për këtë pushtet i cili njihet për kualitetin e dobët të punëve”, tha Jashari.

    ATV-ja, gjatë të mërkurës ka pritur përgjigje në lidhje me këtë çështje, nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Lipjanit, por ata ishin të paqasshëm.
    Ky projekt, komunës i kushtoi rreth 2 milionë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ambasadori Hill thotë se duhet të kërkohet llogari për sulmin në Banjskë, mbështet “Ballkanin e Hapur”

    Ambasadori Hill thotë se duhet të kërkohet llogari për sulmin në Banjskë, mbështet “Ballkanin e Hapur”

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Nga Beogradi ku e ka zyrën, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Christopher Hill, shkoi për vizitë në Preshevë.

    Për afro 30 minuta, me kryetarin Shqiprim Arifi biseduan rreth situatës së pakicës shqiptare në komunë posaçërisht.

    Hill konsideron se Ballkani i Hapur do të ndikonte pozitivisht.

    “Të gjithë ata që nuk kanë dëgjuar, unë jam një përkrahës shumë i madh i Ballkanit të Hapur dhe i konceptit të bashkëpunimit rajonal. Këtu në Preshevë, çështja e Ballkanit të Hapur nuk është vetëm një teori, pra ka të bëjë me zgjidhje të problemeve të qytetarëve”, tha Hill.

    Derisa për përmirësim të raporteve Kosovë – Serbi, Asociacionin e konsideroi si opsionin më të mirë, amerikani po ashtu foli edhe për çështjen e dinarit.

    “Nuk do të ju befasoja nëse them se unë e përkrah fuqishëm deklaratën e ambasadave të vendeve të QUINT-it. Kështu që dialogu është platforma ku mund të zgjidhen problemet, edhe ajo sa i përket transaksioneve. Për çështjet e të drejtave fundamentale, duhet të ketë diskutime në mes të palëve”, tha Hill.

    71-vjeçari u pyet nëse ia mban anën Serbisë, por për këtë përgjigje dha Arifi.

    “Pjesa e akuzës vjen nga Vetëvendosja. Pjesa e akuzës i përket një partie, të cilën e udhëheq Albini. Kjo nuk do të thotë asgjë. Edhe mua më akuzojnë, edhe Edi Ramën e akuzojnë edhe Ali Ahmetin e akuzojnë. Tash çka të bëjmë? Mos të mashtrohemi”, tha Arifi.

    Christoper Hill që në maj të 2022-tës u zgjodh ambasador, mes tjerash deklaroi se duhet të ketë llogaridhënie për ngjarjen në Banjskë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Formalizimi i marrëveshjes me Serbinë, parakusht për zbatimin

    Formalizimi i marrëveshjes me Serbinë, parakusht për zbatimin

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pa zyrtarizimin si obligim ndërkombëtar të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, duke përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sipas Qeverisë së Kosovës nuk mund të vazhdohet me procesin e zbatimit.

    Referuar qasjes selektive në zbatim nga Serbia, zëvendëskryeministri për dialog Besnik Bislimi tha se nënshkrimi është domosdoshmëri.

    “Ajo që ne jemi duke u marrë tani është formalizimi i marrëveshjes si parakusht për të filluar zbatimin e sekuencimit. Tash janë tri procese që në një mënyrë varen nga njëra-tjetra: formalizmi, që duhet të shoqërohet me anulimin e një letra që zonja Brnabic e ka dërguar në Bruksel, por duhet të jetë edhe mekanizmi që marrëveshja si e tillë, na obligon ne dhe BE-në që të deponohet brenda Kombeve të Bashkuara, sepse konventat e OKB-së kërkojnë nga vendet anëtare të deponojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Pastaj është sekuencimi”, tha Bislimi.

    Pa formalizim dhe gatishmëri për zbatim nga Serbia, sipas Bislimit, nuk ka kuptim të ketë takime në nivelin e lartë në dialog.

    Pasi tha se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, i ka dorëzuar një dokument pesë faqesh me argumente për heqjen e masave, Bislimi theksoi se heqja e tyre është në dorën e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell.

    “Ne mendojmë që z. Borrell ka më shumë argumente sesa që i duhen për ta dërguar këtë letër dhe mosdërgimi i kësaj letre mund të krijojë indikacione që masat po keqpërdoren për ndonjë synim tjetër, i cili nuk ndërlidhet me eskalimin në veri të Kosovës”, tha Bislimi.

    Teksa përmendi formalizimin, si diçka paraprake, presidentja Vjosa Osmani tha se përfaqësuesi Lajcak ka mirëpritur vërejtjet e saj për daft-statutin e propozuar për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “[Lajcak] Ka shprehur besimin se shumica dërmuese prej tyre së paku, do të mund të akomodohen. Megjithatë, mendoj se institucioni i cili përfundimisht do të mund të vendosë për përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës do të mund t’i japë drejtim se si mund të zbatohen në praktikë pa i shkelur Kushtetuta e Kosovës këto dispozita, është vetëm Gjykata Kushtetuese e shtetit tonë”, tha Osmani.

    Të martën, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, theksoi nevojën dhe rëndësinë që zbatimi i marrëveshjes bazë dhe shtojcës të bëhet para muajit qershor.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Osmani krah aleatëve, Kurti thotë se çështja e dinarit nuk negociohet

    Osmani krah aleatëve, Kurti thotë se çështja e dinarit nuk negociohet

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, në deklarimet e të mërkurës, nuk e japin mendimin e njëjtë për rregulloren e Bankës Qendrore që nga 1 shkurti i jep fund përdorimit të dinarit në Kosovë.

    Duke e krahasuar vendimin e BQK-së me çështjen e targave, presidentja Osmani tha se edhe për dinarin duhet të dëgjohen aleatët.

    “Unë jam që zbatimi të jetë i plotë e jo vetëm në letër e të gjithë e dinë që të ketë zbatim të plotë duhet përkrahja e aleatëve. Diskutimi ende është duke vazhduar dhe jam e bindur që do të gjejë një zgjidhje, që do të mundësojë që Kushtetuta jonë të zbatohet”, tha Osmani.

    Kurse, kryeministri Albin Kurti theksoi se vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës janë të pavarura. Shefi i ekzekutivit, shtoi se BQK-ja është duke e bërë vetëm punën e saj dhe se kjo çështje është e panegociueshme.

    “Pra në katër komunat në veri janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro. Euroja është valutë që na vjen nga BE-ja, ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lek të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes, i përcaktuar në mënyrë të qartë në RKS, nuk është një çështje e negociueshme”, tha Kurti.

    Bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar nga Kosova që ta pezullojë zbatimin e rregullores së BQK-së, sipas së cilës, euroja duhet të shërbejë si valutë e vetme për pagesa.

    Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe rrogat për institucionet paralele që ka në Kosovë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Nuk ka shtyrje të vendimit që në Kosovë të përdoret vetëm valuta euro

    Nuk ka shtyrje të vendimit që në Kosovë të përdoret vetëm valuta euro

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme, e cila parasheh që në Kosovë të përdoret vetëm valuta euro, do të hyjë në fuqi nga nesër.

    Pavarësisht presioneve nga ndërkombëtarët, Qeveria nuk e shtyu datën për zbatimin e këtij vendimi. Zv.kryeministri Bislimi pohon se euroja ka qenë edhe më herët valutë zyrtare.

    Mirëpo, në rast se nuk zbatohet kjo rregullore, nga 1 shkurti nuk do të nisin masat ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.

    Për më tepër, sipas Bislimit, nuk ka arsye t’i frikësohet zbatimit të rregullores së re.

    Arsye për shtyrje të vendimit, nuk ka as sipas Guvernatorit të BQK-së.

    Përfaqësues diplomatikë të Shteteve të bashkuara dhe të vendeve evropiane kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të kësaj rregulloreje, pa kontestuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e saj.

    Ata kanë pohuar se periudha a adaptimit është e shkurtër dhe mund të shkaktojë komplikime në terren.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Masa disiplinore ndaj prokurores, reagon vëllai i Sebahate Morinës

    Masa disiplinore ndaj prokurores, reagon vëllai i Sebahate Morinës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Shteti dështoi në mbrojtjen e Sebahate Morinës, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj, në mars të vitit 2021, e i cili po atë ditë vrau edhe veten.

    Referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar në mars të vitit të kaluar, vrasja e së ndjerës derivoi nga neglizhenca e Stacionit Policor në Graçanicë dhe e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Për shkak të neglizhencës, në korrik të 2023-tës, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi ta sanksionojë prokuroren Hava Krasniqi, duke shqiptuar masë disiplinore “zbritje e pagës për 30 % për 12 muaj”.

    Mirëpo ky vendim u publikua së rishtazi.

    “Bazuar në kërkesën për inicim të procedurës disiplinore, me datë 03 mars 2021, prokurorja kujdestare, Hava Krasniqi, kishte pranuar njoftimin nga Stacioni Policor – Graçanicë, se tani e ndjera S.S., ishte sulmuar nga ish-bashkëshorti, L.S, të cilin e kishte liruar me procedurë të rregullt, edhe pse ai vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij”, thuhet në vendimin e KPK-së.

    Mirëpo, masa e shqiptuar ndaj prokurores në fjalë vlerësohet të jetë jo e duhura. Madje, nga IKD-ja e shohin edhe me shqetësim.

    “Që në total, i bie 6000 euro ulje e pagës së prokurores dhe fatkeqësisht kjo prokurore do të vazhdojë në mënyrë të njëjtë. Do t’i rikthehet paga që e ka pasur, do të vazhdojë ta mbajë këtë pozicion që e ka dhe për viktimat e dhunës në familje kjo është një dekurajim tejet i madh”, tha Gzim Shala nga IKD.
    Edhe Fatmir Morina, vëllai i së ndjerës, ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me masën e shqiptuar ndaj prokurores.

    “Ne, si familje, ndihemi shumë të zhgënjyer me këtë vendim të KPK-së. Ky vendim për ne është shumë nënçmues, fyes dhe joprofesional nga ata njerëz që e kanë nxjerrë këtë vendim. Një prokurore e shtetit joprofesionale, e cila e ka neglizhuar këtë rast, ka bërë shkelje me dy këmbë e të dënohet me 6000 euro në pagë për një jetë njeriu, kjo është e tmerrshme dhe shumë fyese për ne si familje! Unë, si vëlla i të ndjerës Sebehates dhe e gjithë familja jonë kërkojmë drejtësi profesionale dhe korrekte ndaj gjithë atyre që e neglizhuan këtë rast”, tha Morina.

    ATV-ja tentoi të komunikojë me prokuroren Krasniqi, por ajo, deri në publikimin e kësaj kronike, nuk ka kthyer përgjigje.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rasti 53-milionët, Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim

    Rasti 53-milionët, Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim

    Përgatiti: Nora Luta

    Pothuajse dy vjet nga ngritja e aktakuzës, Gjykata Themelore e Prishtinës ka dhënë verdiktin në rastin e njohur si 53 milionët.

    Gjykata e shkallës së parë e ka gjetur fajtor ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke e dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim.

    Fajtorë, sipas gjykatës, janë edhe tre të akuzuarit e tjerë, ish-sekretari Nebih Shatri, ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha, dhe ish-drejtori i prokurimit në MI, Besim Tahiri.

    Ata do të mund ta vuajnë dënimin me burgim në momentin kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.

    Sipas gjykatës, ata me dashje tejkaluan kompetencat zyrtare, kur nuk e përfillën opinion e kompanisë “Hill”.
    Raporti kishte arsyetuar se borxhi prej 53 milionë eurosh ishte joreal dhe se Qeveria do të duhej të paguante 38 milionë euro më pak sesa i kërkoheshin në emër të punimeve dhe kostove shtesë për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

    Mbrojtja, e cila ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin, tha se gjatë gjykimit janë paraqitur prova shfajësuese ndaj klientëve të tyre.

    Gjatë gjykimit, i cili kishte nisur në pranverën e vitit 2022, u prezantuan prova materiale u dëgjuan shumë dëshmitarë, mesin e tyre Ramush Haradinaj, Lutfi Zharku e Avdullah Hoti.

    Ndërkohë Lekaj, sipas ligjit, do të mund të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës deri në momentin kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • ATV-ja shënon trevjetorin e transmetimit

    ATV-ja shënon trevjetorin e transmetimit

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Tri vjet më parë, u shënua fillimi i një epoke të re, skemës mediale iu shtua ATV.

    Me investimin më të madh në media në Kosovë, në më shumë se një dekadë, një ekip i përzgjedhur i profesionistëve, më 31 janar 2021, me lajmet e orës 19:00, filloi rrugëtimin që sot e vazhdojnë me krenari.

    Bashkë, gazetarë, kameramanë, redaktorë, producentë e regjisorë, arritën që ATV-në, në kohë rekord, ta bëjnë pjesë të përditshmërisë së secilit qytetar në vend, përfshirë edhe diasporën.

    Duke i ditur kërkesat e shikuesve në kohën që po jetojmë, vëmendje e posaçme iu kushtua pranisë online. Kjo rezultoi me qindra miliona shikime në rrjetet sociale, në të cilat ATV-ja prin bindshëm.

    Gazetarët vazhdojnë të jenë kudo e kurdo, në çdo ngjarje e zhvillim, duke bërë që ata t’i sprovojnë edhe situatat ekstreme.

    Veç angazhimit maksimal në vend, ATV-ja raportoi edhe nga jashtë. Në saje të profesionalizmit të lartë, pamjet e ATV-së u cituan edhe në mediat botërore.

    ATV-ja u bë platformë e besueshme ku flasin të gjithë.

    Gjithashtu, edhe adresë duke u bërë pjesë e çdo familjeje përmes emisioneve, kronikave e informacioneve të fundit, duke ruajtur standardet më të larta profesionale.

    Për më tepër, produksioni i ATV-së veç emisioneve prodhon edhe dokumentarë e reportazhe, duke mbizotëruar edhe me serialin më të shikuar në vend, 3 Vllaznit.
    Duke dashur të jemi afër shikuesve e larg konkurrencës, planet për të ardhmen janë ambicioze, po ashtu.

    Live apo në xhirim, në televizor, telefon, apo pajisje të tjera. Në rrjete sociale apo në youtube, ATV do të mbetet i pari, KUDO!

  • ​Haradinaj në Kongresin Amerikan: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, nënkupton më shumë siguri për rajonin

    ​Haradinaj në Kongresin Amerikan: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, nënkupton më shumë siguri për rajonin

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Siguri i cili është mbajtur në Kongresin Amerikan.

    Haradinaj me këtë rast ka mbajtur një fjalim lidhur me sigurinë në Kosovë, rajon e botë, duke kërkuar po ashtu edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO si një shans për më shumë siguri.

    “Është koha që bota demokratike, e udhëhequr nga Amerika, të kuptojë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga vendimet më të rëndësishme, që do të ndihmonte në forcimin e sigurisë në të gjitha nivelet: brenda Kosovës, por edhe në forcimin dhe rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe globalisht”, ka thënë Haradinaj.

    Fjala e plotë e Haradinajt në Kongresin Amerikan:

    Në Kongresin Amerikan, në Forumin Ndërkombëtar për Siguri, pata nderin që në emër të Republikës së Kosovës të adresohem më një fjalë.

    Të nderuara zonja dhe zotërinj,

    Më lejoni ta filloj fjalën time duke falënderuar Ministrin e nderuar, z. Fatmir Mediu për pasionin dhe angazhimin e tij të madh për organizimin e këtij paneli me këtë temë, me pjesëmarrës kaq të nderuar, që për mua ka një rëndësi të veçantë në këtë kohë – me zhvillimet aktuale në mbarë botën.

    Duke qenë se koha është e mjaft e kufizuar, do të doja të përcjell vetëm një mesazh nga ky panel, i cili besoj se është i rëndësishëm, veçanërisht duke marrë parasysh kohët e vështira dhe sfiduese në aspektin e sigurisë në të cilat po kalon bota momentalisht.

    Për mua, dhe jam i sigurt se për të gjithë ju po ashtu, është e qartë se siguria është parakusht për çdo agjendë politike dhe institucionale. Në këtë linjë, ne të gjithë duhet të jemi plotësisht të vetëdijshëm se sigurinë nuk mund ta marrim si të mirëqenë, por, duhet të punojmë shumë për të mbrojtur dhe për të ruajtur stabilitetin, kudo që të jemi.

    Prandaj, në çerekun e parë të këtij shekulli dhe 25 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, ka ardhur koha për të marrë disa vendime të mëdha dhe tejet të rëndësishme. Unë besoj fuqishëm se anëtarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Kosovës në NATO do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë mbarë rajonale, dhe do të luftojë dukshëm agjendat keqdashëse të të tjerëve.

    Është koha që bota demokratike, e udhëhequr nga Amerika, të kuptojë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga vendimet më të rëndësishme, që do të ndihmonte në forcimin e sigurisë në të gjitha nivelet: brenda Kosovës, por edhe në forcimin dhe rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe globalisht.

    Ky vendim nuk është asgjë më pak e as më shumë se një angazhim dhe mobilizim i thellë për ne, duke qenë së bashku në një vijë për t’u përballur e luftuar kundër agjendave keqdashëse të vendeve jodemokratike, siç janë Kina e Rusia.

    Të dashur,

    Në rrethanat kur një shtet si Rusia kryen pa asnjë hezitim agresion dhe krim ndaj një shteti, si në rastin e Ukrainës, dhe shtetet tjera si Kina që nuk do të hezitojnë në asnjë moment të mbështesin këtë agresion, ne nuk duhet të qëndrojmë të qetë dhe ‘duke u marrë vesh/kryer punë si zakonisht’, por duhet të jemi të alarmuar për nivelin e kërcënimit dhe këtyre veprimeve.

    Pra, le të bashkohemi në marrjen e këtyre vendimeve, të cilat aq sa janë të rëndësishme, janë njëherazi të vështira, dhe le të qëndrojmë për atë që besojmë e të mbrojmë vlerat e lirisë dhe demokracisë, pasi nuk kemi një zgjidhje apo opsion të dytë. Këtë e arrijmë vetëm nëse jemi bashkë. Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë NATO-n! Zoti e bekoftë miqësinë mes popullit Amerikan e Kosovës! Ju faleminderit!