ATV

Category: Lajme

  • Itali: Babai godet dy herë me thikë djalin 12-vjeçar dhe më pas tenton të vrasë veten

    Itali: Babai godet dy herë me thikë djalin 12-vjeçar dhe më pas tenton të vrasë veten

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një djalë 12-vjeçar u qëllua dy herë me thikë në gjoks në shtëpinë e tij në Napoli nga babai i tij.

    Siç bëjnë me dije mediat, ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një grindje në familje, me tehun e thikës që depërtoi në mushkëritë e të miturit.

    Pasi e kishte goditur të birin me thikë, burri më pas u përpoq t’i merrte jetën vetes duke e qëlluar veten në fyt dhe në fytyrë me thikë.

    Nëna e 12-vjeçarit thuhet se është plagosur gjithashtu në dorë, shkruan Tch.

    Babai dhe djali u shtruan në Spitalin Veçhio Pellegrini në gjendje kritike.

  • Seuli thotë se Koreja e Veriut lëshoi disa predha përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi

    Seuli thotë se Koreja e Veriut lëshoi disa predha përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi

    Koreja e Veriut lëshoi ​​disa predha, përfshirë të paktën një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi, drejt ujërave pranë bregut perëndimor të vendit të martën, tha ushtria e Koresë së Jugut.

    Ato u lançuan rreth orës 13:00 (04:00 GMT) nga afër Chongju në Provincën Pyongan të Veriut të Koresë së Veriut, tha në një deklaratë Shefat e Përbashkët të Shtabit (JCS) të Koresë së Jugut, shkruan Reutres.

    Raketa fluturoi rreth 80 kilometra (49.7 milje), tha JCS, transmeton Sinjali.

    Ky është lëshimi i parë i njohur i raketave nga Koreja e Veriut që nga 19 prilli, kur vendi testoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, të cilat tha se ishin të pajisura me bomba thërrmuese.

    Në fillim të prillit, Pheniani tha gjithashtu se testoi një kokë të re bombë thërrmuese në një raketë balistike dhe një armë elektromagnetike, në një veprim që analistët thanë se ishte pjesë e përpjekjeve për të treguar aftësinë e Veriut për të luftuar një luftë moderne.

    Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha në mars se statusi i vendit të tij si një shtet i armatosur bërthamor ishte i pakthyeshëm dhe se zgjerimi i një “force bërthamore vetëmbrojtëse” ishte thelbësor për sigurinë kombëtare.

    Pavarësisht sanksioneve të OKB-së mbi programet e saj të armëve bërthamore dhe raketave balistike që nga viti 2006, Koreja e Veriut ka përshpejtuar përpjekjet vitet e fundit për të ndërtuar arsenalin e saj nën udhëheqjen e Kim, duke marrë dënimin nga Koreja e Jugut, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut i kërkoi Koresë së Veriut t’u përgjigjet propozimeve të paqes dhe përpjekjeve të Seulit për të ulur tensionet të martën.

    Seuli do të ruajë qëllimin e tij për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, ndërkohë që ndjek një qasje pragmatike dhe me faza për zgjidhjen e çështjes bërthamore të Koresë së Veriut në koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, tha zëdhënësi.

  • Kongresmenët amerikanë në Preshevë, Rexhepi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet

    Kongresmenët amerikanë në Preshevë, Rexhepi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se sot në Preshevë po qëndrojnë kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët u pritën në zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar së bashku me deputetin Shaip Kamberi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

    Gjatë takimit, sipas Rexhepit, u diskutuan në detaje problemet me të cilat shqiptarët e Luginës së Preshevës po përballen prej dekadash, duke përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, mungesën e përfaqësimit institucional dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.
    “Patëm mundësinë të shtjellojmë të gjitha temat dhe çështjet me të cilat, tash e me dekada, përballet Lugina e Preshevës. Pasivizimi, mosnjohja e diplomave, mospërfaqësimi në institucione, varfërimi dhe moszhvillimi i komunave tona kanë një qëllim të qartë: shpopullimin e Luginës nga shqiptarët”, ka deklaruar Rexhepi.

    Ai ka theksuar se mungesa e investimeve dhe moszbatimi i marrëveshjeve të arritura për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore vazhdojnë të mbeten shqetësime serioze për komunitetin shqiptar në jug të Serbisë.

    “Mungesa e investimeve, bllokimi i mjeteve nga Republika e Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar, centralizmi i shtetit në çdo institucion, moshapja e kufirit Miratoc–Llojan, moszbatimi i Planit 7 Pikësh dhe i Planit Aksional për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore janë dëshmi të qarta të një qasjeje diskriminuese”, është shprehur ai.

    Në takim ishte e pranishme edhe Teuta Fazliu, e cila sipas Rexhepit është një nga rastet e shqiptarëve të prekur nga pasivizimi i adresave dhe që çështjen e saj e ka dërguar deri në Gjykatën e Strasburgut.

    “Kongresmenët patën mundësinë që nga ajo personalisht të dëgjojnë shembuj konkretë se si pasivizimi i adresave po i selekton veçanërisht shqiptarët”, ka thënë Rexhepi.

    Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua edhe projektligjit të iniciuar nga kongresmeni amerikan Keith Self, për të cilin Rexhepi tha se po shihet si një shpresë e madhe për mbështetje ndërkombëtare ndaj shqiptarëve të Luginës.

    “Projektligji i kongresmenit Keith Self, i cili ka gjetur mbështetje nga të dy kampet politike në SHBA, mbetet shpresa jonë e madhe për mbështetje ndërkombëtare që do ta detyrojë Qeverinë e Serbisë të ndalojë diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, deklaroi ai.

    Në fund, Rexhepi ka falënderuar kongresmenët amerikanë për vizitën dhe mbështetjen e tyre, duke nënvizuar lidhjen e fortë të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Shqiptarët në përgjithësi, e ata të Luginës në veçanti, mbeten komuniteti më proamerikan në rajon”, përfundoi ai.

  • Kurti pret në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, e falënderon për angazhimin

    Kurti pret në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, e falënderon për angazhimin

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Frédérique Duversin.

    Zyra e Kryeministrit tha se Kurti e ka falënderuar atë  për përkushtimin e saj shumëvjeçar ndaj Kosovës dhe për kontributin në promovimin e kulturës kosovare në Francë.

    “Ai vlerësoi angazhimin e saj të vazhdueshëm që nga vitet ’90, si dhe mbështetjen që ajo u ka dhënë artistëve, studentëve dhe studiuesve të rinj kosovarë përmes krijimit të mundësive për zhvillim akademik e kulturor në Francë”, thuhet në njoftim.

    ZKM tha se gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimit, përmes shkëmbimeve akademike, rezidencave artistike dhe promovimit të artistëve, regjisorëve, shkrimtarëve dhe muzikantëve kosovarë në Francë dhe në hapësirën frankofone.

    “Po ashtu, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me muze, biblioteka, universitete dhe shkolla arti franceze, si një bazë e mirë për zgjerimin e mëtejmë të rrjetit të bashkëpunimit përmes Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris. Në takim u ritheksua rëndësia e diplomacisë kulturore në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe nevoja për vazhdimin e mbështetjes ndaj promovimit të kulturës, artit dhe bashkëpunimit akademik të Kosovës në hapësirën frankofone”.

  • Aksident në Belgjikë, treni përplaset me autobusin e shkollës – disa të vdekur

    Aksident në Belgjikë, treni përplaset me autobusin e shkollës – disa të vdekur

    Disa persona vdiqën pas një përplasje të një treni me një autobus shkolle në Buggenhout të Belgjikës, të martën, sipas raportimeve të Reuters.

    Forca të forta të shërbimeve të emergjencës kanë shkuar me nxitim në vendin e aksidentit, i cili ndodhi afërsisht në orën 08:15 të mëngjesit, në një kryqëzim rrugor.

    Shkaqet e sakta mbeten nën hetim, megjithatë, sipas raporteve fillestare, kalimi ishte i mbyllur në kohën e përplasjes.

    Sipas kompanisë së menaxhimit të hekurudhave, Infrabel, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se barrierat ishin të ulura dhe semaforët ishin të kuq në kohën e incidentit .

    “Ende nuk e dimë se si ndodhi aksidenti. Ky është objekt hetimi nga policia dhe zyra e prokurorit”, tha ajo, duke shtuar se autoritetet po bashkëpunonin plotësisht me hetimin.

    Përplasja ndodhi rreth një kilometër larg stacionit të trenit Buggenhout. Sipas njoftimeve, shoferi aktivizoi frenën e emergjencës, por nuk mundi ta parandalonte përplasjen pasi treni kishte filluar tashmë procesin e ngadalësimit.

    Megjithatë, ka edhe dëme në infrastrukturën hekurudhore, siç theksoi zëdhënësi i Infrabel, “kjo është gjëja e fundit që na shkon ndërmend. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”.

  • Supremja shfuqizon dispozitën e statutit të OAK-së për humbjen automatike të së drejtës së ushtrimit të avokatisë

    Supremja shfuqizon dispozitën e statutit të OAK-së për humbjen automatike të së drejtës së ushtrimit të avokatisë

    Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së paditësit Nasuf Hasani nga Prishtina kundër të paditurës Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), me objekt shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, konkretisht paragrafit 2 të nenit 61 të atatutit të OAK-së të miratuar më 04 nëntor 2017, pas shqyrtimit gjyqësor publik, ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit.

    Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 2 i nenit 61 të statutit të Odës së Avokatëve të Kosovës.

    Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, shqyrtimi i ligjshmërisë së Statutit të OAK-së në procedurën e konfliktit administrativ nuk përbën ndërhyrje në pavarësinë funksionale të Odës së Avokatëve, pasi Gjykata Supreme ka juridiksion të vlerësojë ligjshmërinë e çdo akti nënligjor të institucioneve publike, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

  • Festa e Kurban Bajramit, Tërnava: Paqja dhe dialogu duhet të mbizotërojnë mbi urrejtjen dhe konfliktet

    Festa e Kurban Bajramit, Tërnava: Paqja dhe dialogu duhet të mbizotërojnë mbi urrejtjen dhe konfliktet

    Myftiu i Kosovës,  Naim Tërnava, ka dhënë mesazhin e tij me rastin e festës së Kurban Bajramit, raporton Ekonomia Online.

    “Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’iu drejtohem me përgëzime dhe urimet më të mira për këtë festë madhështore të Kurban Bajramit me bindje e shpresë që nesër Bajramin ta presim e ta përjetojmë në formën më të mirë të mundshme. Kjo natë e bekuar na rikujton madhështinë e besimit, fuqinë e sakrificës dhe vlerat që e mbajnë të fortë familjen, shoqërinë dhe kombin tonë. Kurban Bajrami lidhet ngushtë me adhurimin më madhështor të haxhit me qëndrimin në arafat. Sot është dita kur miliona besimtarë ngambarë bota bashkohen në lutje, përulësi dhe kërkim falje para krijuesit në rrafshnaltën e arafatit”, ka thënë ai.

    Në urimin e tij  drejtuar qytetarëve, Tërnava bëri thirrje për dashuri, unitet dhe solidaritet.

    “Kjo festë bartë në vete edhe simbolikën e Kurbanit, një akt i lartë bindjeje e sakrifice dhe afërsie Zotin e madhërishëm. Kurbani, na kujton se njeriu fiton vlerë kur di të ndajë nga vetja për të tjerët, kur ndihmon nevojtarin kur afron zemrat dhe forcon solidaritetin mes njerëzve”, deklaroi Tërnava në mesazhin e tij.

    Ai, tha se sot më shumë se kurrë është e nevojshme të ruhen traditat.

    “Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të ruajmë traditat tona më të mira, të forcojmë familjen si themel të shoqërisë dhe të kultivojmë respektin, dashurinë dhe kujdesin për njëri-tjetrin, Bajrami është festë që bashkon gjenerata, hap dyert e zemrës dhe rikthen vlerat e mirësisë, faljes dhe mirëkuptimit”, ka shtuar ai.

    Tërnava përmendi edhe luftërat që janë duke u zhvilluar, duke thënë se gjaku i fëmijëve, grave, pleqve dhe civilëve të pambrojtur po derdhet për interesa politike e ekonomike.

    “Po jetojmë në një botë ku luftërat, konfliktet, dhe padrejtësitë vazhdojnë të marrin jetë të pafajshme çdo ditë. Gjaku i fëmijëve, grave, pleqve dhe civilëve të pambrojtur po derdhet për interesa politike, ekonomike, gjeostrategjike duke tronditur rëndë ndërgjegjen njerëzor. Në vend të paqes dhe humanizmit, shpesh po mbizotëron urrejtja dhe dhuna e interesat që shkelin mbi dinjitetin dhe jetën e njerëzve të pafajshëm. Andaj, në këtë natë festë e reflektimi mesazhi i Bajramit bëhet edhe më i fuqishëm kur ne zgjedhim paqen para urrejtjes, dialogun para konfliktit dhe humanizmin para interesave që sjellin shkatërrim”, shtoi ai.

  • Lavrov e këshillon Rubion të evakuojë qytetarët amerikanë nga Kievi

    Lavrov e këshillon Rubion të evakuojë qytetarët amerikanë nga Kievi

    Rusia ka rritur ndjeshëm kërcënimet ndaj Kievit, duke paralajmëruar “sulme të vazhdueshme”, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen nga kryeqyteti ukrainas.

    Një ditë pasi Moska sulmoi rajonin e Kievit me qindra dronë dhe një raketë të re hipersonike, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, telefonoi sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, më 25 maj, duke i kërkuar që të evakuojë stafin diplomatik dhe qytetarët amerikanë nga Kievi.

    Rusia i justifikoi këto kërcënime duke iu referuar një sulmi ndaj një konvikti shkollor në rajonin e Luhanskut, që është nën kontrollin rus, javën e kaluar.

    Sipas autoriteteve lokale, mbi 20 persona u vranë në qytetin Starobilsk.

    Zyrtarët rusë akuzuan Ukrainën se kishte goditur qëllimisht objektin civil.

    Gjatë një fjalimi javën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, bëri një deklaratë të ashpër, duke e akuzuar Kievin për “terrorizëm”.

    Zyrtarët ushtarakë ukrainas kanë thënë se forcat e tyre kanë goditur selinë e një njësie ruse të dronëve dhe kanë hedhur poshtë akuzat se kanë goditur objekte civile.

    Më 24 maj, Kievi dhe qytete të tjera ukrainase u goditën nga një sulm masiv me dronë dhe raketa.

    Ai ishte një nga sulmet më të rënda ndaj kryeqytetit ukrainas prej se ka nisur lufta në shkurt të vitit 2022.

    Të paktën tre persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

    Rusia lëshoi një raketë të re të aftë për të bartur koka bërthamore – të quajtur “Oreshnik” – ndaj një qyteti në jug të Kievit.

    Kjo është hera e tretë që Rusia e përdor këtë raketë kundër një objektivi ukrainas dhe hera e parë që godet një zonë pranë Kievit.

    Në telefonatën me Rubion, Ministria e Jashtme ruse tha se Lavrov paralajmëroi se Moska po planifikon të kryejë “sulme të vazhdueshme” ndaj objektivave ushtarake ukrainase në Kiev dhe ndaj “qendrave përkatëse të vendimmarrjes”.

    Ai gjithashtu e këshilloi Rubion për evakuimin e qytetarëve amerikanë nga Kievi.

    Përmes një deklarate tjetër, Ministria e Jashtme ruse tha se ambasadat e huaja janë informuar për mundësinë e sulmeve të reja që do të shënjestrojnë “ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes ukrainase” në Kiev.

    Departamenti amerikan i Shtetit nuk dha ndonjë deklaratë të detajuar për telefonatën e Rubios.

    Megjithatë, duke folur për gazetarët gjatë një vizite në Indi, Rubio konfirmoi paralajmërimin e Lavrovit.

    “Kievi është një vend shumë i rrezikshëm tashmë prej vitesh”, tha ai.

    Ministria e Jashtme e Ukrainës e përshkroi paralajmërimin rus si “shantazh të paturpshëm”, që synon të frikësojë diplomatët e huaj dhe organizatat ndërkombëtare me bazë në Kiev.

    Ministria akuzoi Moskën se po përpiqet “të përhapë panik” dhe tha se kërcënimi për sigurinë nga Rusia “mbetet i njëjtë si në vitet dhe muajt e mëparshëm”.

    Edhe disa diplomatë të huaj reaguan kundër paralajmërimit.

    Ministria e Jashtme e Polonisë tha se Rusia “duhet të ndalojë menjëherë agresionin e saj të pajustifikuar dhe të paligjshëm”, ndërsa ambasadorja e BE-së në Ukrainë, Katarina Mathernova, shkroi në X: “Ne nuk po shkojmë askund.”

    Rubio konfirmoi, gjithashtu, se bisedimet për paqe mes Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, janë pezulluar.

  • Sot dalin shtesat prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët

    Sot dalin shtesat prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët

    Ministri në detyrë i Ministrisë për Punë dhe Familje, Andin Hoti, ka njoftuar se shtesat prej 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët do të ekzekutohen sot.

    “Njoftojmë qytetarët se pagesa e njëhershme prej 100 eurosh për fëmijë dhe pensionistë dalin sot, ngase dje u ekzekutuan pagesat e njëhershme për lehonat me rritje në vlerën 500 euro”, tha ministri Hoti për Dukagjinin.

    Kujtojmë se Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e fundit ka marrë vendim për ekzekutimin e Pakos për përballje me inflacionin 2.0 e cila parasheh mbështetje për kategori të ndryshme shoqërore si pensionistë, fëmijë, lehona, studentë aktivë, punëtorë privatë e familje në nevojë.

    Sipas ministrit Hoti, nga kjo pako përfitojnë: mbi 400 mijë fëmijë dhe mbi 300 mijë skema pensionale (të gjitha kategoritë), përfshirë edhe kategoritë e luftës dhe personave me nevoja të veçanta.

  • Garda Revolucionare i kundërpërgjigjet SHBA, rrëzon një dron dhe avionin amerikan

    Garda Revolucionare i kundërpërgjigjet SHBA, rrëzon një dron dhe avionin amerikan

    Garda Revolucionare Islamike (IRCG) njoftoi se ka rrëzuar një dron amerikan dhe ka qëlluar avionin luftarak F-35 që kishte hyrë në hapësirën ajrore iraniane.

    Në deklaratë, Garda Revolucionare Islamike shpjegoi se kishte rrëzuar një dron MQ-9. Më pas, hapën zjarr mbi një dron RQ-4 dhe një avion luftarak F-35, “duke i detyruar ata të largoheshin”.

    “Çdo shkelje e armëpushimit nga ushtria amerikane do të çojë në një përgjigje reciproke të konsideruar legjitime dhe të sigurt”, thuhet në deklaratë.