ATV

Category: Lajme

  • Kurti në IPK: Polici më e pastër, shtet më i drejtë

    Kurti në IPK: Polici më e pastër, shtet më i drejtë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar punën e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), duke e cilësuar atë si institucion kyç për ruajtjen e integritetit dhe besimit publik në shtet.

    Gjatë një vizite në IPK, Kurti tha se forca e institucioneve të sigurisë matet jo vetëm me kapacitetin operacional, por edhe me llogaridhënien dhe kontrollin e brendshëm.

    “Në çdo shtet demokratik forca e institucioneve të sigurisë matet jo vetëm me kapacitetin e tyre operacional, por edhe me integritetin, llogaridhënien dhe kontrollin e brendshëm që ato e ushtrojnë mbi veten e tyre”, deklaroi ai.

    Sipas tij, IPK është institucioni që garanton zbatimin e ligjit edhe brenda vetë sistemit të sigurisë.

    “Është mekanizmi, i cili siguron se ligji zbatohet brenda vetë sistemit të sigurisë dhe se askush nuk është mbi ligjin – pa përjashtim, pa privilegje, pa diskriminim”, tha Kurti.

    Ai përmendi edhe operacionet “Pika” dhe “Pika 2”, përmes të cilave janë ndërmarrë veprime ndaj zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës.

    “Janë ndërmarrë veprime ndaj dhjetëra zyrtarëve policorë të përfshirë në raste të korrupsionit apo të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke dërguar kësisoj një mesazh të qartë institucional: Ligji zbatohet pa përjashtim”, u shpreh ai.

    Kurti tha se IPK ka rritur praninë institucionale në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri, duke ndikuar në rritjen e besimit qytetar.

    Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë IPK-në në forcimin e kapaciteteve profesionale, garantimin e pavarësisë funksionale dhe modernizimin teknologjik.

    “Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë”, deklaroi Kurti.

    Në fund, ai tha se ankesat e qytetarëve duhet të konsiderohen si kërkesa për bashkëpunim me shtetin.

    “Ankesat e qytetarëve duhet përherë t’i konsiderojmë si kërkesa për bashkëpunim me shtetin”, përfundoi Kurti.

     

  • BE thirrje partive për fushatë të respektueshme: Përmbahuni nga gjuha seksiste dhe mizogjene ndaj grave

    BE thirrje partive për fushatë të respektueshme: Përmbahuni nga gjuha seksiste dhe mizogjene ndaj grave

    Bashkimi Evropian, u ka bërë thirrje partive politike, si dhe, kandidatëve për deputetë, të promovojnë diskurs politik të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe, të përmbahen nga gjuha dhe sjelljet seksiste apo mizogjene ndaj grave, duke përfshirë shpërndarjen përmes mediave sociale dhe platformave online.

    Nga BE, thuhet edhe se, gratë duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në jetën politike lirshëm, në mënyrë të sigurt dhe të barabartë.

    Postimi:

    Në prag të fillimit zyrtar të fushatës parazgjedhore,  BE-ja në Kosovë u bën thirrje të gjitha partive politike dhe kandidatëve të  Kosovës, që marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të promovojnë një diskurs politik të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe të përmbahen nga gjuha dhe sjelljet seksiste apo mizogjene ndaj grave, duke përfshirë shpërndarjen përmes mediave sociale dhe platformave online.

    Gratë duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në jetën politike lirshëm, në mënyrë të sigurt dhe të barabartë, si offline ashtu edhe online.

    Barazia gjinore, dinjiteti njerëzor dhe demokracia janë vlera themelore të BE-së dhe elemente thelbësore për zgjedhje të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.

  • Në prag të Kurban Bajramit, haxhilerët kosovarë kryejnë ritualin e Arafatit

    Në prag të Kurban Bajramit, haxhilerët kosovarë kryejnë ritualin e Arafatit

    Haxhilerët kosovarë po kryejnë sot obligimin kryesor të Haxhit – qëndrimin në rrafshnaltën e Arafatit, që konsiderohet shtylla themelore e këtij rituali të rëndësishëm fetar për besimtarët myslimanë.

    Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Arafat, vend ku duhet të qëndrojë secili besimtar që kryen Haxhin, haxhilerët kosovarë kanë falur namazin e drekës dhe të ikindisë të bashkuara. Këtij rituali i priu kryeimami i Kosovës, Vedat Sahiti.

    Ligjëratën qendrore për rëndësinë dhe vlerat e Haxhit e mbajti anëtari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Agim Hyseni, ndërsa lutjen (duanë) e Haxhit e udhëhoqi imami Remzi Haziri.

    Sipas literaturës islame, qëndrimi në Arafat nga koha e drekës deri në perëndim të diellit konsiderohet periudha më e vlefshme e vitit për lutje dhe adhurim gjatë ditës. Ndërkaq, nata më e vlefshme për lutje konsiderohet Nata e Kadrit.

    Dita e Arafatit paraprin festën e Kurban Bajramit, e cila shënohet të nesërmen.

    Pas qëndrimit në Arafat, haxhilerët do të nisen drejt Muzdelifes, ku duhet të kalojnë një pjesë të natës, ose të qëndrojnë deri në orët e mëngjesit. Në këtë vend, ata mbledhin edhe guralecët që përdoren më pas në ritualin e gjuajtjes së xhemarateve në Mina, i njohur për kosovarët edhe si vendi ku gjuhet shejtani me gurë.

    Në mëngjesin e ditës së Kurban Bajramit, haxhilerët vazhdojnë për në Mina, ku kryhet rituali i gjuajtjes së xhemres së madhe (gjuajtes së shejtanit). Mandej pason therja e kurbanit (haxhilerët kosovarë nuk marrin pjesë në këtë ceremoni), rruajtja ose shkurtimi i flokëve, si dhe “tavafi” – rrotullimi shtatë herë rreth Qabesë në Mekë.

    Ritet e Haxhit vazhdojnë me “sajin”, që është ecja ndërmjet kodrave Safa dhe Merva, të cilat ndodhen pranë Qabesë, faltorës më të shenjtë për myslimanët. /Telegrafi/

     

  • Prezantohet sistemi elektronik i Inspektoratit të Punës, synohet rritja e sigurisë dhe transparencës në punë

    Prezantohet sistemi elektronik i Inspektoratit të Punës, synohet rritja e sigurisë dhe transparencës në punë

    Inspektorati Qendror i Punës, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (International Labour Organization), ka mbajtur konferencën ku ka bërë prezantimin dhe demonstrimin e Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Rasteve të Inspektoratit të Punës. Ky sistem i ri synon të modernizojë mënyrën e inspektimit të punës në Kosovë, duke rritur efikasitetin, transparencën dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve përmes digjitalizimit të plotë të proceseve inspektuese, raporton Ekonomia Online.

    Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare theksoi rëndësinë strategjike të këtij projekti për shtetin dhe punëtorët.

    “Ky nuk është thjesht një projekt teknologjik që ne po e bëjmë, por është një investim për siguri dhe është për një investim për dinjitetin dhe për të drejtat e punës së çdo punëtori në vendin tonë. Në vitet e fundit, Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në harmonizimin e legjislacionit tonë me kornizën përkatëse të fushës së sigurisë në punë, në përputhje me Bashkimin Evropian dhe konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Janë transpozuar mbi dhjetëra direktiva dhe janë ndërtuar mekanizma të rinj institucionalë për mbrojtjen e punëtorëve. Megjithatë, sfida jonë kryesore vazhdon të mbetet edhe zbatimi efektiv i legjislacionit tonë”, ka thënë ai.

    “Pikërisht këtu hyn rëndësia e këtij organizimi dhe këtij digjitalizimi që po e prezantojmë sot. Sot po vendosim themelet e një sistemi modern, efikas dhe transparent në inspektimin e punës. Përmes sistemit elektronik për menaxhimin e rasteve, inspektorët tanë do të kenë mundësi të regjistrojnë inspektimet në kohë reale, të analizojnë më mirë të dhënat, të reduktojnë procedurat administrative dhe të fokusohen më shumë në punën në terren. Ky sistem do të ndihmojë që vendimmarrja të bazohet në evidencë dhe analizë të riskut, duke na mundësuar të identifikojmw më shpejt sektorët me rrezikshmëri të lartë dhe të reagojmë efektivisht aty ku punëtorët kanë më shumë nevojë për ne. Të nderuar pjesëmarrës, digjitalizimi i Inspektoratit të Punës sjell përfitime konkrete për të gjithë: për punëtorët, për bizneset, por edhe për vetë institucionet tona. Përfitimi kryesor është rritja e efikasitetit dhe transparencës së sistemit të inspektimit. Për punëtorët, kjo do të thotë mbrojtje më e shpejtë dhe më efikase e të drejtave të tyre, trajtim më i strukturuar i rasteve, rritje të sigurisë dhe dinjitetit në punë dhe më shumë besim tek institucionet. Për bizneset, digjitalizimi sjell procedura më të qarta, komunikim më të lehtë me institucionet, reduktim të barrës administrative dhe më shumë parashikueshmëri dhe shërbime në proceset e inspektimit. Një sistem modern dhe transparent sjell gjithashtu kushte më të drejta konkurruese për bizneset që respektojnë ligjin dhe standardet e punës”.

    “Një nga objektivat tona është edhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Çdo proces bëhet më i matshëm, më profesional dhe më i standardizuar. Po ashtu, digjitalizimi do të na ndihmojë në luftimin e ekonomisë joformale, identifikimin më të shpejtë të shkeljeve dhe orientimin e inspektimeve aty ku rreziku është më i lartë. Të nderuar pjesëmarrës, financimi sot nuk është fundi i reformës që ne po e bëjmë në Inspektoratin apo në ministrinë tonë, është fakt fillimi i një transformimi thelbësor të sistemit të punës dhe inspektimit në Republikën e Kosovës“, tha ai.

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, vlerësoi qasjen e re të integrimit institucional dhe rëndësinë e të dhënave në inspektime.

    “Duke lidhur inspektoratin me administratën tatimore, Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit dhe agjencinë e regjistrimit të bizneseve, Kosova tani po ndërton një sistem dixhital të integruar, i cili mundëson inspektime më të zgjuara, koordinim më të mirë dhe trajtim më të drejtë për punëtorët dhe bizneset. Kjo qasje pasqyron praktikat e përdorura prej kohësh në Suedi, ku inspektimet e bazuara në të dhëna mbrojnë punëtorët, duke u lejuar njëkohësisht bizneseve që respektojnë rregullat të zhvillohen. Tani, kemi lexuar gjithashtu raportin vjetor të Inspektoratit të Punës për vitin 2025, i cili përmban shifra mbresëlënëse. Janë kryer mbi 10,800 inspektime dhe janë arritur më shumë se 44,000 punëtorë. Sigurisht, disa nga këto të dhëna zbulojnë gjithashtu disa nga sfidat”, tha ai.

    “Kemi 620 aksidente në vendin e punës, 621 lëndime dhe 19 vdekje, kryesisht në ndërtim. Gjithashtu, në raport kemi identifikuar 6,600 shkelje të ligjit të punës. Këtu, ne besojmë me përvojën nga Suedia se duhet të fokusohemi në parandalim më të fortë, pajtueshmëri më të mirë dhe një angazhim të ripërtërirë kombëtar për sigurinë dhe dinjitetin e punëtorëve. Në këtë kontekst, ne gjithashtu njohim vendimin e ministrit Hoti të prillit 2026 për të intensifikuar inspektimet në vendet e ndërtimit, si përgjigje ndaj rreziqeve dhe fataliteteve të larta. Ky sistem i ri do të ketë sukses vetëm nëse keni bashkëpunim të mirë midis institucioneve, punëdhënësve dhe punëtorëve. Suedia është krenare që mbështet këtë transformim dhe përgëzon Inspektoratin e Punës dhe ILO-n për udhëheqjen e tyre, u shpreh ai.

    Koordinatori për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Steven O’Malley, theksoi rëndësinë e reformës në forcimin e institucioneve publike.

    “Sot shënohet një hap shumë i rëndësishëm përpara në modernizimin institucional të Kosovës. Sistemi elektronik i menaxhimit të rasteve të inspektimit të punës është më shumë se thjesht një inovacion teknik. Ai gjithashtu reflekton një angazhim më të gjerë për forcimin e institucioneve publike, përmirësimin e llogaridhënies dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët dhe për bizneset. Sistemet efektive të inspektimit të punës janë thelbësore, siç kemi dëgjuar tashmë, për promovimin e kushteve të sigurta të punës, për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe për nxitjen e konkurrencës së drejtë në tregun e punës. Me digjitalizimin e këtyre proceseve, institucionet e Kosovës po bëhen më efikase, më transparente dhe më të bazuara në prova. Është gjithashtu inkurajuese që ky reformim tashmë po prodhon rezultate të prekshme”, tha ai.

    Ndwrsa, koordinatori i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (International Labour Organization) në Kosovë, Blerim Murtezi, u ndal tek sfidat e së kaluarës dhe përfitimet e sistemit të ri.

    “Për vite me radhë, inspektimet e punës janë zhvilluar kryesisht me dokumente fizike, me raportim manual dhe të fragmentuar. Dhe kjo nuk ka qenë vetëm një sfidë administrative. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në efikasitetin e inspektimeve, në cilësinë e të dhënave, dhe në aftësinë e institucioneve siç është Ministria e Punës për të reaguar me kohë, sidomos në sektorët me rrezikshmëri të lartë.

    Pikërisht për t’i përgjigjur këtyre sfidave është zhvilluar sistemi elektronik për menaxhimin e inspektimeve të punës, i cili tashmë është testuar 1130 herë nga inspektorët e punës në të gjitha rajonet e Kosovës në një periudhë prej 4-muajsh. Dhe siç do ta shohim pas pak live, sistemi eliminon dokumentet fizike dhe i mundëson inspektorit që të kryejë gjithë procesin direkt në terren përmes tabletit. Nga evidentimi i shkeljeve, deri te raportimi dhe gjenerimi automatik i procesverbaleve dhe statistikave.

    Me fjalë të tjera, kjo nënkupton më pak kohë në administratë dhe shumë më shumë kohë në terren, më pak burokraci dhe shumë më shumë fokus në sigurinë dhe të drejtat e punëtorëve. Por pilotimi na ka treguar qartë edhe sfidat që duhet t’i adresojmë. Sistemi duhet të vazhdojë të përmirësohet bazuar në përvojën reale të inspektorëve në terren, si dhe ndryshimet ligjore që vazhdojnë të ndodhin në fushën e punës. Po ashtu, mbetet esencial bashkëpunimi ndërinstitucional, dhe shfrytëzoj rastin të falënderoj ATK-në dhe ARBK-në, si dhe ASHI-n, të cilët i kemi prezentë sot, në mënyrë që shkëmbimi i të dhënave dhe ndërlidhja e bazave të vazhdojë të funksionojë në kohë reale”, tha ai.

  • Aksident në rrugën Klinë–Gjakovë, policia dhe emergjenca në vendngjarje pranë Gurit të Zi

    Aksident në rrugën Klinë–Gjakovë, policia dhe emergjenca në vendngjarje pranë Gurit të Zi

    Një aksident trafiku është regjistruar sot në rrugën Klinë – Gjakovë, në afërsi të lokalitetit të njohur si Guri i Zi.

    Sipas informacioneve të para, ende nuk dihen shkaqet që kanë çuar deri te ky aksident, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe ekipet e emergjencës për të menaxhuar situatën.

    Autoritetet janë duke bërë vlerësimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa nuk raportohet ende për gjendjen e personave të përfshirë.

    Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Mungesa e shiritit ngjitës në votimin me postë, KQZ del me sqarim

    Mungesa e shiritit ngjitës në votimin me postë, KQZ del me sqarim

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë me sqarim pas shqetësimeve të ngritura nga disa votues jashtë Kosovës lidhur me mungesën e shiritit ngjitës në pakon e votimit përmes postës.

    KQZ thekson se procesi i votimit jashtë vendit është i rregulluar dhe i siguruar me mekanizma të tjerë, duke bërë të ditur se mungesa e shiritit ngjitës nuk ndikon në vlefshmërinë e fletëvotimit.

    “Ashtu si në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën në dhjetor të vitit 2025, edhe në zgjedhjet aktuale të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, nuk është paraparë përdorimi i shiritit ngjitës të KQZ-së”, thuhet në sqarim.

    Sipas KQZ-së, zarfi i fshehtësisë mbyllet me ngjitësin standard të vet zarfit dhe procesi mbetet i sigurt.

    “Pra, mungesa e një shiriti shtesë ngjitës nuk e cenon vlefshmërinë e fletëvotimit”, thekson KQZ.

    Institucioni shton se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie, përfshirë mikroshtypin, UV printin dhe elementin “anti-copy”, që parandalon kopjimin apo falsifikimin e tyre.

    Gjithashtu, KQZ sqaron se çdo fletëvotim i dërguar jashtë Kosovës është i vulosur në pjesën e pasme me vulë të zezë, e cila nuk nënkupton kopje të fletëvotimit.

    Përveç kësaj, procesi i votimit përmes postës sigurohet edhe përmes dëftesës së regjistrimit, një dokument unik që u dërgohet votuesve të regjistruar jashtë vendit.

    KQZ ka rikujtuar edhe procedurën që duhet ndjekur nga votuesit, duke përfshirë vendosjen e fletëvotimit në zarfin e fshehtësisë, pastaj në zarfin kthyes së bashku me dëftesën e regjistrimit dhe dërgimin e tij përmes postës.

    Në fund, KQZ ka apeluar që votuesit jashtë Kosovës të sigurohen që pakot e tyre individuale të arrijnë në adresën përkatëse më së largu deri më 6 qershor 2026.

  • Kamberi takon kongresistët amerikanë, kërkon barazi për shqiptarët në Luginë

    Kamberi takon kongresistët amerikanë, kërkon barazi për shqiptarët në Luginë

    Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, bashkë me kryesuesin e Këshillit Kombëtar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, kanë zhvilluar një takim me kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam.

    Kamberi në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se takimi paraqet një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës dhe për vetë perspektivën demokratike të rajonit.

    Ai ka thënë se në takim kanë ngritur zërin për politikat diskriminuese dhe përjashtuese të Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve të Luginës.

    Kamberi ka shkruar se ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky dualizëm politik e moral, Kamberi ka thënë se nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

    “Bashkë me kryetarin e Këshillit kombëtarë, Enkel Rexhepi, kemi ngritur zërin kundër kësaj politike diskriminuese, duke kërkuar barazi reale, përfaqësim proporcional dhe respektim të marrëveshjeve të nënshkruara. Fatkeqësisht, regjimi aktual në Beograd vazhdon të trajtojë shqiptarët si problem politik e jo si qytetarë të barabartë”, ka shkruar Kamberi.

    Ai ka vlerësuar lartë iniciatiën e kongresistit Self për Projektligjin që i kërkon që Departamentit Amerikan të Shtetit të hartojë një raport zyrtar mbi trajtimin e shqiptarëve dhe pakicave të tjera etnike në Serbi, me fokus të veçantë në Luginën e Preshevës.

    “Prandaj, angazhimi amerikan dhe iniciativa për Ligjin HR 6411 në Kongresin Amerikan janë me rëndësi të jashtëzakonshme. Ky ligj nuk është vetëm mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës; ai është një mesazh i qartë se diskriminimi, autoritarizmi dhe standardet e dyfishta nuk mund të jenë pjesë e së ardhmes evropiane të Serbisë”, ka shkruar Kamberi.

    Ai ka thënë se për vite me radhë, pushteti në Serbi ka ndërtuar një qasje sistematike të margjinalizimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me siç ka thënë, pasivizim administrativ të adresave për të zvogëluar artificialisht praninë shqiptare, përjashtim nga institucionet shtetërore, diskriminim ekonomik, moszhvillim të qëllimshëm dhe mohimin e të drejtave elementare kombëtare e gjuhësore si të drejta identitare.

    “Heshtja ndaj padrejtësive në Luginën e Preshevës vetëm sa e forcon pasigurinë, emigrimin dhe destabilitetin afatgjatë në rajon. Shqiptarët e Luginës së Preshevës mbeten të përkushtuar ndaj paqes, bashkëjetesës dhe orientimit euro-atlantik. Por pa barazi reale, pa zhvillim ekonomik dhe pa respektim të marrëveshjeve të arritura, vazhdon rreziku i zbrazjes demografike dhe i destabilizimit dhe i humbjes së besimit në institucionet ndërkombëtare. Në Presheva sot nuk kemi folur vetëm për problemet e saj por edhe për nevojën që Ballkani Perëndimor të ndërtohet mbi drejtësi, barazi dhe standarde të njëjta për të gjithë qytetarët. Simetria në të drejta është koncepti politik që garanton paqe afatgjate. Koha e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund”, ka shkruar Kamberi.

  • KQZ hap regjistrimin për votuesit me nevoja të veçanta për zgjedhjet e 7 qershorit

    KQZ hap regjistrimin për votuesit me nevoja të veçanta për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se, në kuadër të organizimeve për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, është hapur periudha e regjistrimit për votuesit me nevoja të veçanta.

    Sipas njoftimit, qytetarët mund të aplikojnë deri më 31 maj 2026, qoftë përmes platformës online në faqen zyrtare të KQZ-së, ashtu edhe fizikisht në zyrat e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.

    Përmes këtij procesi synohet që personave me nevoja të veçanta t’u mundësohet pjesëmarrje sa më e lehtë dhe e barabartë në procesin e votimit.

  • NATO: Avionët e parë luftarakë F-35 kanë mbërritur në Poloni

    NATO: Avionët e parë luftarakë F-35 kanë mbërritur në Poloni

    Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se kanë mbërritur në Poloni avionët e parë luftarakë F-35.

    “Një moment historik për Forcën Ajrore Polake dhe pjesën lindore të NATO-s, që shënon futjen e avionëve luftarakë të gjeneratës së 5-të të stacionuar përgjithmonë në rajon”, thuhet në postimin e NATO-s në Facebook.

    NATO gjithashtu ka publikar edhe disa fotografi.

  • Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë, ASK: Çmimet u ngritën me 4.3% brenda një viti

    Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë, ASK: Çmimet u ngritën me 4.3% brenda një viti

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) ka shënuar rritje gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.

    Sipas të dhënave të ASK-së, në TM1 2026, krahasuar me TM4 2025, kostoja e ndërtimit është rritur për 2.5 për qind. Ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë pasur transporti me 5.9 për qind, pagat me 2.8 për qind, kostot tjera me 2.6 për qind, materialet me 2.5 për qind dhe makineritë me 0.5 për qind. Ndërkohë, ulje është regjistruar vetëm te energjia, me 3.9 për qind.

    Po ashtu, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, TM1 2025, Indeksi i Kostos së Ndërtimit është rritur për 4.3 për qind.

    ASK thekson se rritja më e madhe vjetore është evidentuar te transporti me 11.5 për qind, pasuar nga pagat me 8.6 për qind, kostot tjera me 6.2 për qind, energjia me 5.5 për qind, materialet me 3.2 për qind dhe makineritë me 0.7 për qind.

    Të dhënat tregojnë se sektori i ndërtimit në Kosovë vazhdon të përballet me rritje të kostove, të ndikuara kryesisht nga transporti dhe fuqia punëtore.