ATV

Category: Lajme

  • Stano: Sjellja e Bislimit ndaj zyrtarëve të BE-së, e papranueshme

    Stano: Sjellja e Bislimit ndaj zyrtarëve të BE-së, e papranueshme

    Sjellja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) është e papranueshme, tha të enjten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

    “Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme” ka thënë Stano.

    Të mërkurën, Bislimi tha se e refuzoi një ftesë të Brukselit për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe e akuzoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, për shkelje të parimeve.

    Bislimi tha se Lajçaku, me dërgimin e kësaj ftese, kishte shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi sipas tij, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.

    Stano konfirmoi se BE-ja i kishte ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit në një takim për 27 shkurt.

    Ai tha se festa e të dërguarit të posaçëm të BE-së, megjithatë, nuk specifikonte se kush prej secilës palë duhej të merrte pjesë në takimin e ftuar nga ai për 27 shkurt.

    “Zakonisht në nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo i ishte lënë palëve të vendosin”, tha Stano.

    Ai shpjegoi se ftesa u bë pas takimeve ndarëse që përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Munih të Gjermanisë javën e shkuar, ku u diskutua çështja e dinarit, sipas tij.

    Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – që parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt.

    Stano tha se BE-ja po bën përpjekje për të gjetur një zgjidhje për problemin e krijuar nga “vendimi i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i ishte komunikuar paraprakisht popullatës në të cilën ndikon”.

    Ai e përsëritur qëndrimin se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës do të ketë “ndikim serioz” për popullatën serbe në Kosovë dhe komunitetet e tjera, posaçërisht ata që marrin asistencë financiare nga Serbia.

    “BE dhe vendet anëtare ishin shumë të qarta në reagimet e tyre ndaj këtij vendimi kontra produktiv, dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet brenda kornizës së dialogut” theksoi Stano.

    “Sjellja jokonstruktive nga ana e autoriteteve të Kosovës, dështimi dhe mungesa e angazhimit vetëm e distancon Kosovën nga perspektiva e saj evropiane” paralajmëroi ai.

    Edhe më parë Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Po ashtu, edhe autoritetet bankare në Serbi kanë kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun në Bruksel, duke mos e pranuar kërkesën e Kosovës që ato të bisedojnë drejtpërdrejt me Bankën Qendrore të Kosovës për këtë.

    Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

    Në vende të caktuara në Graçanicë, qytetarët serbë më 20 shkurt nuk kanë mundur të marrin ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë në postë, që punon sipas sistemit serb, sepse punonjësit u kanë thënë se nuk kanë para për t’i paguar këto shtesa.

    Po ashtu, më 21 shkurt një grup i mësimdhënësve në Mitrovicë të Veriut protestuan para Kursimores së Postës së Serbisë, pasi nuk morën pagat.

    Beogradi e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

    Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb.

    Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se mospërmbushja e kësaj kërkese veçse ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

    BQK-ja ka thënë se vendimi do të zbatohet përmes një faze tranzitore jo më të gjatë se tre muaj./REL/

  • Bujar Osmani prezantohet si kandidat i BDI-së për president të Maqedonisë së Veriut

    Bujar Osmani prezantohet si kandidat i BDI-së për president të Maqedonisë së Veriut

    Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, sot në një prononcim në rrjetet sociale ka treguar se Bujar Osmani do të jetë kandidati i partisë së tij në zgjedhjet presidenciale.

    Me sloganin “Jo Rusisë, po Evropës”, Ahmeti i ftoi qytetarët që ta përkrahin Bujar Osmanin për president të RMV-së, në mënyrë që siç tha, të ndalohet ndikimi i Rusisë.

    Ahmeti tha se është koha që të ndryshohet edhe Kushtetuta për sa i përket zgjedhjes së presidentit, gjegjësisht presidenti të zgjidhet në Kuvend nga deputetët.

    “Ariu polar, Rusia po na troket në derë dhe ka ndërhyrë në të gjitha poret e shoqërisë sonë dhe duke e ndikuar skenën partiake në vend. Rusia është prezente në partitë politike, në media, në shoqërinë civile dhe në çdo segment shoqëror, jo vetëm tek ne, por edhe në rajon. Putin dhe Lavrov deklaruan se anëtarësimi i RMV-së në NATO është vija e zjarrit”, tha Ahmeti.

  • Tahiri: Nuk i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, qëllim kemi ta dërgojmë vendin në zgjedhje

    Tahiri: Nuk i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, qëllim kemi ta dërgojmë vendin në zgjedhje

    Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare me qëllimin e vetëm pengimin e mazhorancës dhe të dërgohet vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se kjo qeveri nuk e meriton të qeverisë marrë parasysh që vendi është ende nënë sanksione dhe i qortuar nga SHBA. Bojkoti i PDK-së, tha Tahiri se do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

    “Ju e dini që tash e një periudhe apo më mirë nga qershori i viti të kaluar GP i PDK nuk e voton as një marrëveshje ndërkombëtare. Nuk e ka votuar asnjë ligj në kuadër të Kuvendit me qëllimin e vetëm që të mos krijojmë kushte që të punohet me tutje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ju e shini që tashmë nuk ka kuptim që të ja bëjmë kuorumin dhe te votojmë marrëveshje ndërkombëtare kur vendi ynë është nën sanksione”, u shpreh Tahiri.

    Ai tha se shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme është domosdoshme, marrë parasysh sanksionet ndërkombëtare. Ai tha se Kosovës i nevojitet Qeveri e re “në mënyrë që ta nxjerrim vendin nga ky izolim”.

    “Kur jemi nën kërcenim të vazhdueshëm për një suspendim të partneritetit me SHBA, çfarë kuptimi ka kur në nderkombëtarisht po izolohemi dhe të vazhdojmë të sillemi se gjithçka është normale këtu dhe t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare. Në çdo veprim, çdo përpjekje e jona që e bëjmë në Kuvendin e Kosovës është që ta qojmë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme në mënyrë që ta nxjerrim nga izolimi ndërkombëtar dhe nga sanksionet ndërkombëtare. Vendit i duhet një kryeministër i ri, një qeveri e re, dhe pa dyshim që do të vije nga PDK-ja në mënyrë që ta nxjerrim vendin nga ky izolim dhe të japim një zhvillim”, u shpreh ai.

  • KMDLNj-ja kërkon kërkon hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore në rastin e 4 vjeçares

    KMDLNj-ja kërkon kërkon hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore në rastin e 4 vjeçares

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut ka reaguar pas vdekjes së dyshimtë të katër vjeçares në Gjakovë, e cila thuhet se u sulmua rëndë nga persona tjerë.

    Sipas raportimeve dhe dyshimeve të ngritura nga prindërit e vajzës e ndjera dyshohet se ka pësuar një sulm nga dy fëmijë të tjerë, duke u goditur me forcë në pjesën e shpinës dhe gjoksit, gjë që ka çuar edhe në rrëzimin e saj në rrugë. Me gjithë gjendjen e rënduar të fëmijës, prindërit janë shprehur se përgjigja mjekësore ndaj gjendjes së saj ka qenë e pamjaftueshme dhe jo në përputhje me standardet profesionale.

    KMDLNj-ja u ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të trajtojnë me prioritet absolut rastin dhe të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

    “Duhet që në mënyrë të menjëhershme të hetohen sjelljet neglizhente të supozuar mjekësore dhe ndihma e ofruar. Të kryehet një hetim i plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, duke siguruar llogaridhënie të plotë. KMDLNj kërkon zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen. KMDLNj i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes për humbjen e rëndë dhe uron që të tilla raste të mos përsëriten”, thuhet në shkresë zyrtare.

  • Miratohet në lexim të dytë projektligji për rregullat e trafikut rrugor

    Miratohet në lexim të dytë projektligji për rregullat e trafikut rrugor

    Është miratuar sot në shqyrtim të dytë projektligji nr.08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor.

    Për miratimin e këtij projektligji votuan 61 deputetë.

  • “U shua një 4 katër vjeçare”, Turp” – Haki Abazi vendos një mbishkrim në foltoren e Kuvendit

    “U shua një 4 katër vjeçare”, Turp” – Haki Abazi vendos një mbishkrim në foltoren e Kuvendit

    Deputeti i Pavarur, Haki Abazi, ka vendosur një fletushkë në foltoren e Kuvendit për rastin e vdekjes së 4-vjeçares në Gjakovë, raporton EO.

    “U shua një 4 katër vjeçare. Turp, turp, turp”, shkruan në mbishkrim.

  • Kuvendi miraton protokollin me Italinë për migrantët, PDIU bashkon votat me PS-në

    Kuvendi miraton protokollin me Italinë për migrantët, PDIU bashkon votat me PS-në

    Kuvendi miratoi me 77 me vota pro, në seancën e sotme plenare, projektligjin “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.

    Votimit pro iu bashkuan përveç deputetëve socialistë, edhe deputetët e PDIU.

    Kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni nënshkruan në 6 nëntor në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të një qendre për strehimin e migrantëve.

    Sipas marrëveshjes qendra do të vendoset në Gjadër të Lezhës dhe do të ketë një kapacitet maksimal prej 3 mijë personash.

    Marrëveshja parashikon që të gjitha shpenzimet do të përballohen nga Italia, ndërsa pala italiane do të procedojë me kërkesat për azil.

    Personat të cilëve nuk do t’u miratohet procedura e azilit do të riatdhesohen drejt vendeve të tyre, sipas marrëveshjeve dypalëshe që ka pala italiane me ato vende, shkruan ATSh, transmeton KosovaPress.

    Kohëzgjatja e marrëveshjes do të jetë 5 vjet.

  • Kosova më shumë energji elektrike në dispozicion se konsum

    Kosova më shumë energji elektrike në dispozicion se konsum

    Gjatë muajit dhjetor të vitit 2023, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 853.83 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 608.16 GWh ose 12,69 për qind më i madh sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak (dhjetor 2022).

    Në komunikatën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 13,34 për qind.

    “Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 7.21 mijë ton ose 1,45 për qind më pak se në muajin e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në komunikatë.

  • Emërohet kryeshefi ekzekutiv në KEK

    Emërohet kryeshefi ekzekutiv në KEK

    Bordi i Drejtorëve të KEK-ut njoftoi se ka emëruar kryeshefin ekzekutiv dhe zëvendës kryeshefin, gjatë një mbledhje të mbajtur gjatë ditës së djeshme.

    Sipas një njoftimi dërguar mediave thuhet se në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre) në Korporatën Energetike të Kosovës është emëruar Bekir Gërguri, ndwrsa gjithashtu ka emëruar Ramadan Budakova në pozitën e zv. Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre).

    Tutje, bëhet e ditur se Përparim Kabashi është kthyer në detyrat dhe përgjegjësitë e tij të cilat i ka ushtruar para emërimit të tij në pozitën e zv. Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre).

  • Gërvalla takon deputetët austriakë, i njofton për sulmin në Banjskë

    Gërvalla takon deputetët austriakë, i njofton për sulmin në Banjskë

    Informimi i drejtë i shteteve tona mike rreth zhvillimeve në Kosovë, përparimit të arritur në shumë fusha, veprimeve destabilizuese të Serbisë, aktit të agresionit ndaj Kosovës, sulmeve ndaj KFOR-it, dhunës sistematike, kërcënimeve dhe shantazheve të vazhdueshme ndaj qytetarëve në veri të Kosovës nga ana e strukturave ilegale, është domosodoshmëri si përgjigje ndaj propagandës agresive serbe kundër Kosovës.

    Në këtë kontekst, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, është takuar me deputeten e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Austrisë, znj. Carmen Jeitler-Cincelli, kryetarin e Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë, z. Andreas Minnich dhe deputetë të tjerë të Parlamentit Austriak, të cilët i njoftoi ndër të tjera në detaje edhe për sulmin në Banjskë dhe shtrirjen e sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit.

    “Republika e Kosovës, mbetet e përkushtuar në demokratizim të vendit, sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, mbrojtje të të drejtave të njeriut e lirisë së mediave, fusha këto në të cilat shteti ynë ka arritur rezultate të mëdha, të konfirmuara edhe nga raporte të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Ministrja Gërvalla para deputetëve austriakë.

    Tutje Ministrja Gërvalla i falënderoi deputetët austriakë për mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës dhe marrëdhëniet e fuqishme bilaterale.