ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Ditëlindja e Demaçit dhe Deharit, një gjë të përbashkët e që po i kujtojmë sot

    Kurti: Ditëlindja e Demaçit dhe Deharit, një gjë të përbashkët e që po i kujtojmë sot

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar në ditëlindjen e tyre Adem Demaçin e Astrit Deharin.

    Kurti ka uruar ditëlindjen e të dyve duke thënë se të dy burrat ishin dhe do të jenë personalitete unike dhe shembull për Kosovën si komb.

    “Kur u lirua Adem Demaçi nga burgu i tretë më 21 prill 1990, Astrit Dehari ishte foshnje as dymuajshe. Atë kohë Adem Demaçi ishte 54 vjeçar dhe me Astrit Deharin nuk do ta lidhte kurrë asgjë, sikur Astriti të mos bëhej aktivist politik kur të rritej. Por përveç kësaj, Adem Demaçi dhe Astrit Dehari kanë një të përbashkët rastësore, për çfarë dhe po i kujtojmë sot të dy së bashku. Ata e kanë ditëlindjen në të njëjtën datë, më 26 shkurt. Nëse ende do të ishin mes nesh, sot Baca Adem do të bëhej 88 vjeç, kurse Astriti do t’i mbushte 34 vite jetë. Por fati i tyre ishte i atillë që Adem Demaçi i kaloi 28 vite në burg, kurse Astrit Dehari ishte ende vetëm 26 vjeçar kur u mbyt në burg”, shkroi Kurti në Facebook.

    “Në të vërtetë, siç i kishte treguar nëna e tij, Nazife Lahu, Adem Demaçi kishte lindur diku në fund të verës së vitit 1935, në gusht ose në shtator, por babai i tij Zeqiri e kishte regjistruar në regjistrat civilë rreth gjashtë muaj më vonë, me datëlindje 26 shkurt 1936. Kur babai i tij Zeqiri vdiq, Ademi ishte vetëm 7 vjeçar dhe nga ajo kohë e fëmijërisë Ademi qëndroi i lidhur me nënën e tij. Por para se ta braktiste edhe ajo kur të largohej nga jeta, nëna Nazife e paralajmëroi të birin Ademin duke e këshilluar që të lidhej me nënën Shqipëri, sepse siç e kujtonte vet Baca Adem: “Nëna më thoshte, unë do të vdes një ditë, andaj duaje nënën Shqipëri se ajo nuk vdes kurrë”.

    “Dhe Adem Demaçi e ndoqi këshillën e nënës së tij, duke qëndruar i lidhur pashkëputshëm me nënën Shqipëri edhe gjatë proceseve gjyqësore politike, edhe gjatë 28 viteve të kaluara nëpër burgjet jugosllave, edhe kur e mori Çmimin “Sakharov”, edhe kur e drejtoi Zyrën Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë, ku pata fatin të punoja bashkë me të. Një disident i pathyeshëm, një adhurues i Hegelit që leximet i shoqëroi me praxis politik, një shkrimtar shumë origjinal dhe një simbol i rezistencës dhe i përpjekjes për liri, Adem Demaçi është një personalitet krejt unik në historinë politike të Kosovës dhe të shqiptarëve”.

    “Nën shembullin e Bacit Adem dhe shpesh e përkrahur prej vet tij, që nga viti 2005, Lëvizja VETËVENDOSJE! ishte organizata politike që prodhoi një gjeneratë të re aktivistësh politikë, mes të cilëve ishte edhe Astrit Dehari. Student i shkëlqyer i mjekësisë, aktivist me vetëdije të qartë politike dhe shok shembullor, Astrit Dehari vdiq në rrethana ende të pasqaruara dhe të paadresuara plotësisht nga drejtësia, në një kohë kur regjimi politik që qeveriste me vendin tonë, nuk zgjedhte metodë për ta penguar afrimimin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe jetësimit të ideve tona politike në Republikën e Kosovës. Astrit Deharin do ta kujtojmë në çdo ditëlindje, për ta mbajtur të gjallë shembullin e jetës së tij prej aktivisti të kulluar politik dhe për ta kujtuar të kaluarën që na ka sjellur deri këtu”.

    “Urime ditëlindja e disidentit të pathyeshëm Adem Demaçit dhe e aktivistit shembullor Astrit Deharit!”.

  • Presidentja e BERZH: Sot është një mundësi për të njohur pikat e forta të Ballkanit Perëndimor

    Presidentja e BERZH: Sot është një mundësi për të njohur pikat e forta të Ballkanit Perëndimor

    Presidentja e Bankës Evropiane për Rimëkëmbje dhe Zhvillim (BERZH), Odil Reno-Baso, sot në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor ka folur për shtetet e këtij rajoni.

    Presidentja në fjalimin e saj ka thënë se ky samit është një mundësi e mirë për të njohur pikat e forta të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    Ajo tha se BERZH është dhe ka qenë partner i përkushtuar i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    “BERZH ka qenë dhe do të jetë një partner i fortë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët tanë të BE-së në këtë agjendë reformash”, tha Odil ndër të tjera.

    “Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë pjesë e historisë së suksesit të BERZH-it pothuajse që nga lindja e Bankës. Ne kemi udhëhequr rrugën për investime në Ballkanin Perëndimor”.

    “Dhe ne jemi të vendosur të ndihmojmë në krijimin e klimës dhe kushteve më të mira. Sot është një mundësi tjetër për ne që të njohim pikat e shumta të forta të rajonit”, tha Odil.

    “Dhe më pas, së bashku me investitorët, t’i kthejë ato pika të forta në përparim të vërtetë për ekonomitë e saj dhe, më e rëndësishmja, për njerëzit e saj”.

  • Fillon dëshminë dëshmitari i 47 në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Fillon dëshminë dëshmitari i 47 në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 47 i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W02749 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe në përmbledhjen e lexuar nga përfaqësuesit e ZPS-së, pretendohet se në qershor të 1999 ai është rrëmbyer dhe rrahur nga anëtarët e UÇK-së.

    “W02749 ka qenë banorë i Prizrenit. Në qershor të 1999 është rrëmbyer dhe rrahur nga anëtarët e UÇK-së. Është dërguar në një ndërtesë e cila është përdorur nga UÇK-ja ku është marrë në pyetje dhe është rrahur me teje. Gjatë ndalimit ai ka vërejtur edhe persona të tjerë të ndaluar dhe është liruar nga një ushtar i UÇK-së”.

    Pyetjet për këtë dëshmitar është duke i parashtruar përfaqësuesit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në sesion privat për publikun.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë një ditë. Ai tha se ZPS-ja ka paraparë rreth një orë e gjysmë për ta marrë në pyetje këtë dëshmitar, mbrojtja e viktimave nuk ka pyetje kurse mbrojtja e të akuzuarve kanë parashtruar se iu duhen rreth katër orë.

    Vlen të theksohet se deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët për ZPS-në u pranuan si prova materiale së bashku me materialit përcjellëse.

    Të pranishëm në sallën e gjyqit janë të gjithë të akuzuarit përveç Jakup Krasniqit i cili është i kyçur përmes video-lidhjes.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Vdes këmbësori që u aksidentua në afërsi të MASH-it

    Vdes këmbësori që u aksidentua në afërsi të MASH-it

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutash në afërsi të Ministrisë së Arsimit në Prishtinë.

    Një veturë dyshohet se i ka rënë semaforit dhe i njëjti pastaj ka goditur një qytetarë, i cili sipas dëshmitarëve thuhet se ka ndërruar jetë.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë policia dhe emergjenca.

    Zona ku na ndodhur aksidenti është siguruar nga policia.

  • ​Kurti i reagon Ana Bërnabiqit: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç i referohesh tijo

    ​Kurti i reagon Ana Bërnabiqit: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç i referohesh tijo

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e dedikuar për rend, ligj dhe luftim të korrupsionit në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.

    Në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në kuadër të Samitit në Londër të hënën, Kurti nënvizoi se Kosova është në hap me këto dy vende në vlera politike dhe në ato të biznesit.

    Kurti para homologëve të tij nga gjashtë vendet e rajonit, tha se Kosova në tri vitet e fundit ka dyfishuar eksportet dhe investimet e drejtpërdrejta të huaja, por theksoi se nevojiten më shumë të tilla.

    “Jemi të dedikuar për rendin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, si në vlerat politike edhe në ato të biznesit sidomos pas agresionit rus në Ukrainë që tashmë së fundi ka mbushur dy vjet. Dhe një element shtesë për të cilin kemi punuar shumë është për ta lidhur tregun e punës me arsimimin profesional në mënyrë që të kemi njerëz më shkathtësi të duhura, me çdo diplomë që jepet në shkollat tona të ofrohet edhe një vend pune. Kemi nisur këtë projekt në 14 komuna, 21 shkolla, 12 profile të ndryshme dhe këtë e kemi mësuar nga diaspora jonë e fuqishme sidomos në Gjermani dhe Zvicër, që po na i çojnë jo vetëm remitencat por edhe etikën e punës dhe dijeninë që kanë”, tha Kurti.

    Ai përmendi edhe zhvillimin ekonomik në Kosovë, përparimin demokratik dhe stabilitetin institucional, që sipas tij, e kanë ndihmuar Kosovën të luftojë me sukses rreziqet për sigurinë.

    “Kemi pasur zhvillim ekonomik, përparim demokratik dhe stabilitet institucional, që na ka ndihmuar shumë të luftojmë me sukses rreziqet për sigurinë dhe po ashtu të adresojmë ndryshimet klimatike dhe pabarazinë sociale. Kosova udhëheq në Ballkanin Perëndimor sa i përket projektimeve 2024-2025, kemi po ashtu edhe përparime në rendin e ligjit dhe avancimin në të drejtat politike, në të drejtat civile dhe demokracinë zgjedhore. Kjo e pozicionon Kosovën në një situatë të favorshme në hartën globale dhe jemi në zemër të lidhjes mes Evropës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Kemi një fuqi punëtore, mosha mesatare e Kosovës është 31 vjeçare dhe kemi një ekonomi të tregut të hapur që krijon një ambient të mirë për bizneset. Jemi të vendosur mirë për investimet teknologjike, nga 23 vende evropiane, Kosova del e 11-ta në një rangim duke lënë mbrapa të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe një anëtare të BE-së. Në këto tri vite kemi dyfishuar si eksportet ashtu edhe investimet e drejtpërdrejta të huaja FDI, na duhen më shumë të tilla por jemi në vend të mirë sepse veçse po kemi këso investime, na duhen ende investime të këtij lloji”, shtoi Kurti.

    Në anën tjetër, përmes një video-lidhje, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi më shumë investime të huaja, derisa tha se bashkëpunimi në rajon nuk ka qenë kurrë më i zhvilluar.

    “Çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar fare, jemi nën nivelet e rajonit. borxhi jonë publik ka pësuar rënie historike nën 60 për qind në fund të vitit 2023…Bashkë me vendet të tjera të rajonit jemi një vendi i mirë të shtuar investimet serioze. Në pyetjen pse duhet të investohet në Shqipëri, një përgjigje është se nëse nuk e bëjnë ata e bënë tjetër kush…Bashkëpunimi rajonal kurrë nuk ka qenë më i zhvilluar edhe sa i përket infrastrukturës dhe të tjera gjërave. Ajo çka dëshirojë të theksoj është se plani i ri i rritjes së bashkësisë evropiane me rajonin, natyrisht implikon se duhet të ketë bashkëpunim të fuqishëm mes neve. Në fund të fundit mund të themi sa i kemi të mirë eksportet dhe infrastrukturën, por duhet të mbajmë mend se jemi të vegjël për të pasur ndikim në Evropë, e lere më në botë”, theksoi Rama.

    Ndërkaq, kryeministrja në detyrë e Serbisë, Ana Bërnabiq, teksa ftoi për investime të huaja në vendin e saj, tha se qeveria e re do të formohet shpejtë, derisa disa herë duke iu referuar Kosovës, tha “Kosovo Metohija”.

    “Qeveria e re do të formohet shumë shpejti, besoj deri në fund të marsit. Unë jam kryeministre qysh nga viti 2017, do të shohim. Mirëpo ajo çka është me më rëndësi për investitorët është se Serbia të ketë një vizion të qartë se kah po shkon dhe rrugën që po e pret”, tha ajo.

    Asaj iu kundërpërgjigj kryeministri Albin Kurti, i cili tha se vendi i tij quhet Republika e Kosovës dhe jo si iu referua Bërnabiq.

    Ai tha se po t’i shkonte kësaj rruge do të duhej që ta quante Serbia e Vojvodinës apo Sanxhakut dhe të tjera.

    “Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç është referuar këtu si Kosovo Metohija. Po të shkoja kësaj rruge do të merrja shumë kohë, pasi përveç Serbia do të duhej të thoja Serbia, Vjovodina, Sanxhaku, Toplica dhe Lugina e Preshevës dhe krahina e Demakut. Më mirë të përqendrohemi në ekonomi”, tha Kurti.

    Edhe kryeministri në detyrë i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi nevojën e shtimit të investimeve të huaja në vendin e tij./kp/

  • Iu gjet laboratori i drogës në Leposaviq, prokurori kërkon paraburgim

    Iu gjet laboratori i drogës në Leposaviq, prokurori kërkon paraburgim

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurin R.V., pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.

    Sipas prokurorisë, i pandehuri, prej datës së pacaktuar e deri me datë 24 shkurt 2024, në shtëpinë e tij në fshatin Graniqane të Leposaviqit, pa autorizim ka prodhuar, kultivuar përpunuar dhe nxjerrë ose përgatitur substanca preparate që janë shpallur si narkotikë ose substanca psikotrope, në atë mënyrë që i pandehuri në shtëpinë e tij i ka përshtatur dy dhoma në laborator duke shfrytëzuar aparatura të llojeve të ndryshme ku ka arritur që të kultivojë dhe prodhojë bimë të ndryshme narkotike.

    “Gjatë kontrollit nga policia në shtëpinë e të pandehurit, në njërën nga dhomat janë gjetur njëzetetre (23) saksi të mbjella me bimë të dyshuara të kanabisit me gjatësi 80.185 cm, llamba elektrike me nxemje elektrike, nxehëse që mban temperaturë konstante, foli alumini me të cilin ishte mbuluar dhoma dhe preparate për kultivimin e bimëve narkotike, ndërsa dhoma tjetër ishte djegur dhe janë vërejtur pajisjet e djegura që janë shfrytëzuar për kultivimin e bimëve narkotike. I pandehuri me aktvendim të prokurorit të shtetit gjendet në ndalim nga data 24 janar 2024. Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pritet të mbahet sot, ditë e hënë, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në komunikatë.

  • Policia shpërndau broshura në Ferizaj “Këshilla për sigurinë e këmbësorëve”

    Policia shpërndau broshura në Ferizaj “Këshilla për sigurinë e këmbësorëve”

    Policia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijesimit të këmbësorëve dhe shoferëve, sot ka nisur shpërndarjen e broshurave ‘’ Këshilla për sigurinë në komunikacion ‘’ të cilat përmbajnë këshilla dhe rregulla për lëvizjen e këmbësorëve dhe shoferëve në rrugë.

    Sipas Policisw, fletëpalosjet janë duke u shpërndarë në të gjitha komunat e rajonit të Ferizajt dhe përmbajnë disa porosi për këmbësorët dhe shoferët :

    Këmbësorë:

    Për sigurinë tuaj, vishni rroba të ndritshme, ose mbani me vete materiale reflektuese, apo dritë të bardhë gjatë natës për t’iu ndihmuar juve dhe ngasësve që të jeni të dukshëm, bëhu i dukshëm, përdor vendkalimin e këmbësorëve, respekto semaforin, shfrytëzo vendkalimin për këmbësorë dhe ec në trotuar, në rrugët pa trotuare, ec në anën e majtë.

    Shoferë kujdes :

    Shkaktari më i shpeshtë i vdekjeve në trafik është shpejtësia. ‘’Jeta vlen për të gjithë njësoj’’.

  • Borrell i quan të pasuksesshme takimet e ndara me Kurtin e Vuçiqin në Mynih

    Borrell i quan të pasuksesshme takimet e ndara me Kurtin e Vuçiqin në Mynih

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka thënë se takimet që kishte me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ishin të pasuksesshme.

    Në deklaratën e Borrell të publikuar në faqen e Shërbimit të BE-së për Punë të Jashtme, të lëshuar lidhur me takimet, Borrell ka bërë të ditur se me Kurtin dhe Vuçiqin kanë diskutuar për deesklaimin e tensioneve në marrëdhëniet mes dy vendeve.

    “Me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti, kam diskutuar, në takime të ndara, se si të deeskalojmë tensionet mes dy vendeve, fatkeqësisht pa sukses”, thuhet në deklaratë.

    Po aty thuhet se Borrell ka pasur një numër të madh takimesh dypalëshe me partnerë të BE-së nga e gjithë bota.

    “Të gjithë u ndërgjegjësuan për realitetin në Konferencën e Sigurisë të Munihut të këtij viti se Evropa është në rrezik për shkak të dy luftërave në afërsi dhe shumë konflikteve të mundshme në mbarë botën”, ka theksuar ndër të tjera Borrell.

  • ​Katër të arrestuar për tentim vrasje në Rahovec

    ​Katër të arrestuar për tentim vrasje në Rahovec

    Policia e Kosovës pas hetimeve intensive ka arrestuar katër të dyshuar nën dyshimin se të njëjtit në bashkëveprim kanë kryer vepra penale tentim vrasje dhe armë mbajtje pa leje.

    Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur 70 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm ndërsa gjatë kontrollit në katër shtëpitë e tyre si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: një AK-47, një pushkë gjuetie, dy pistoleta dhe 74 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

    Dy prej të dyshuarve kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore.

  • Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje mbahet me dyer të mbyllura për media

    Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje mbahet me dyer të mbyllura për media

    Mbledhja e Komisionit për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, në të cilën është duke raportuar komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari është duke u mbajtur me dyer të mbyllura për media.

    Në këtë mbledhje pritet të diskutohet lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2023.

    Mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje në fillim të takimit, ndërsa pas përfundimit të mbledhjes së këtij komisioni pritet të ketë deklarata për media.