ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet në flagrancë i dyshuari për grabitje në një barnatore në Prishtinë

    Arrestohet në flagrancë i dyshuari për grabitje në një barnatore në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka arrestuar në flagrancë një person të dyshuar për grabitje në një barnatore sot rreth orë 10:30, në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

    Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Sot rreth orë 10:30, nga zyrtarët policor të stacionit Jugu në Prishtinë, është arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se është përfshirë në një rast të grabitjes së mbetur ne tentativë. Personi i dyshuar është arrestuar në flagrancë, në një barnatore në lagjen Ulpiana në Prishtinë”, ka thënë Ahmeti, për Betimi për Drejtësi.

    Ajo bëri të ditur se ndaj ndaj tij kanë filluar procedurat nevojshme policore në koordinim me prokurorin e shtetit, i njëjti dyshohet të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera të natyrës së njëjtë.

  • Begaj: Baza në Kuçovë shërben për sigurinë e rajonit

    Begaj: Baza në Kuçovë shërben për sigurinë e rajonit

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj është shprehur se rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së Shqipërisë.

    “Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë. Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes. Nga kjo bazë, ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive”, ka thënë Begaj.

    Ai ka falenderuar aleatët për mbështetjen e Shqipërisë.

    “Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë. Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt. Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku.

    Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar. NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës. Për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite. Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike”, shtoi Begaj.

    Presidenti i Shqipërisë po ashtu shprehi shqetësimez se konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. “Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më. Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit. Ndaj, Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme.

    Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë. Rritja e buxhetit për mbrojtjen, modernizimi i forcave tona të armatosura, rritja e kapaciteteve mbrojtëse dhe fuqizimi i kapaciteteve njerëzore janë domosdoshmëri”, tha ai.

  • Komandanti i operacioneve ajrore, Juan Pablo Sanches: Shqipëria e gatshme për të siguruar paqen e vendit

    Komandanti i operacioneve ajrore, Juan Pablo Sanches: Shqipëria e gatshme për të siguruar paqen e vendit

    Komandanti i operacioneve ajrore të NATO-s Juan Pablo Sanches gjatë përurimit të bazës ajrore në Kuçovë u shpreh se përfshirja e Shqipërisë në mbrojtjen e NATO-s është simboli i kontributit të aleancës.

    Juan Pablo Sanches: Përfshirja e Shqipërisë në mbrojtjen e NATO-s është simbol i kontributit të aleancës. Duke punuar së bashku në kuadër të sistemit ajrore të mbrojtjes ne garantojmë siguri dhe ecuri ndaj njerëzve, fale përpjekjeve që janë bërë nga shumë paraardhës tonë dhe nga aleanca shqiptare e paqe e mbrojtjes. Kjo është e bukura e suksesit të NATO-s. Përurimi i bazës ajrore të Kuçovës tregon se aleanca jonë është e angazhuar mjaft në këtë rajon, e marrim në konsideratë përpjekjet e Shqipërisë. Shqipëria është e gatshme për të siguruar paqen e këtij vendi. Jam e sigurt të kjo bazë do jetë në përputhje me standardet e NATO-s në kuadër të aleancës. Këto instalime ndihmojnë të të kemi më shumë gatishmëri ushtarake. Duhet të jemi të gatshëm për planet e operacionet e NATO-s, kjo të kontribuojnë paqe e siguri, veprimtaritë mbresëlënëse do na çojnë në rritjen e kapaciteteve tona dhe Shqipëria do jete e mbrojtur brenda NATO-s.

  • “Ballkani i rrezikuar nga ambicia e Rusisë”, Rama: Baza e NATO-s element sigurie

    “Ballkani i rrezikuar nga ambicia e Rusisë”, Rama: Baza e NATO-s element sigurie

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë u shpreh se sot jetojmë në një epokë tjetër dhe Shqipëria pret me krenari dhe respekt aleatët e saj dhe partnerët.

    Rama: Jam i lumtur që një punë e nisur prej shumë kohësh, arriti të përfundojë dhe këtu bashkë me ne janë edhe plot miq, partnerë, aleatë. Kjo bazë është e transormuar dhe e gatshme si një bazë e re e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Kjo është një bazë e cila është element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, i cili e dimë mirë se është një rajon jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet e Federatës Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës tonë ajrore. Dy helikopterët e rij Black Hawk dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë. Uroj shumë që baza e NATO-s të sjellë për banorët e zonës mundësi të reja punësimi si dhe mundësi tëreja për gjithë zinxhirin e shërbimeve”.

  • ​Trazira në Haiti: Bandat lirojnë 4 mijë të burgosur, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

    ​Trazira në Haiti: Bandat lirojnë 4 mijë të burgosur, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

    Qeveria e Haitit shpalli një gjendje të jashtëzakonshme 72-orëshe të dielën pasi bandat e armatosura sulmuan një burg të madh në Port-au-Prince, duke çuar në vrasjen e të paktën 12 personave dhe arratisjen e rreth 4000 të burgosurve.

    Udhëheqësit e bandave thonë se duan të detyrojnë dorëheqjen e kryeministrit Ariel Henry, i cili aktualisht ndodhet jashtë vendit.

    Grupet që synojnë ta rrëzojnë atë kontrollojnë rreth 80% të Port-au-Prince.

    Luftërat e dhunshme të bandave kanë vrarë mijëra në vend që nga viti 2020.

    Një deklaratë e qeverisë tha se dy burgje – një në kryeqytet dhe tjetri në Croix des Bouquets aty pranë – u sulmuan gjatë fundjavës.

    Në mesin e të arrestuarve në Port-au-Prince ishin anëtarë të bandës të akuzuar në lidhje me vrasjen e presidentit Jovenel Moïse në vitin 2021.

    Rritja e dhunës filloi të enjten, kur kryeministri udhëtoi për në Nairobi për të diskutuar dërgimin e një force sigurie shumëkombëshe të udhëhequr nga Kenia në Haiti.

    Kreu i bandës Jimmy Chérizier (i njohur me emrin “Barbecue”) deklaroi një sulm të koordinuar për ta larguar kryeministrin. /BBC/

  • Të shtëna me armë në Prishtinë, plagoset një person

    Të shtëna me armë në Prishtinë, plagoset një person

    Një person është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    E njëjta ka bërë të ditur se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e ngjarjes.

    “Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.

  • ​Fletarresti ndërkombëtar për disa zyrtarë policorë të Kosovës, Sveçla: Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë

    ​Fletarresti ndërkombëtar për disa zyrtarë policorë të Kosovës, Sveçla: Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë

    Ditëve të fundit, është raportuar se Rusia ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar për disa zyrtarë të njësive elite të Policisë së Kosovës.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se janë informuar zyrtarisht për fletarrestin ndërkombëtar ndaj komandantit të njësisë speciale, Besart Ahmeti.

    Ai tha se nga Rusia nuk pritet asgjë mirë, por kjo siç tha Sveçla, nuk është brengë e tij e as Ahmetit.

    “Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë, Besarti është mirë… e dimë, e kemi informatën zyrtare por nuk është ajo brenga as e imja, as e Besartit”, deklaroi Sveçla para mediave.

    Fletarrestet e Rusisë ndaj pjesëtareve të Policisë së Kosovës vijnë pak muaj pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë dhe si kundërpërgjigje ndaj flet-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për kryekriminelin serb të veriut, Milan Radojçiq dhe disa pjesëmarrës të tjerë në sulmin terrorist në Banjskë. Megjithëse pretekst është marrë pjesëmarrja e tyre në vitet e fundit në aksionet e Policisë për vendosjen e rendit dhe ligji në veri të Kosovës, përfshirë arrestimin e një shtetasi rus më 2019, për barrikadat në veri.

    Me lëshimin e këtij fletarrestimi, Rusia ka kërkuar që këta zyrtarë policorë kosovarë të futen në listën e kërkimit të INTERPOL-it.

  • ​Prokuroria ngre aktakuzë ndaj shtatë personave, njëri prej tyre polic

    ​Prokuroria ngre aktakuzë ndaj shtatë personave, njëri prej tyre polic

    Prokuroria në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një polici dhe gjashtë personave të tjerë. Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës, gjegjësisht për organizim të skemave të bixhozit.

    Komunikata:

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.N. (zyrtar policor) për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” të KPRK-së, ndërsa ndaj të pandehurve Rr.K., V.B., Q.Th., Y.K., dhe G.M., për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” të KPRK-së, si dhe ndaj të pandehurve Rr.K. dhe G.H., për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të KPRK-së.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri S.N., në cilësinë e personit zyrtar, i caktuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, me dashje dhe dijeni e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i krijuar favore personit tjetër në atë mënyrë që gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, i pandehuri në kundërshtim me detyrat e tija zyrtare, kishte komunikuar përmes telefonit dhe pa autorizim, me avokatin e të dyshuarit-tani i ndjerë, i cili ka qenë i dyshuar për veprën penale të dhunës në familje, me qëllim të mundësimit të lirimit të tij fillimisht nga masa e ndalimit, e më pas duke i mundësuar të takohej dhe të ketë kontakte me familjarët e tij e me persona të tjerë, si dhe duke kërkuar edhe nga zyrtarët e tjerë policorë që ishin në zbatim të vendimit të prokurorit të shtetit mbi ndalimin e të dyshuarit-tani i ndjeri, që t’ia mundësonin kontaktet me familjarët dhe personat e tjerë, kështu duke vazhduar edhe me pengimin e zbatimit të masës së paraburgimit.

    Të pandehurit Rr.K., V.B., Q.Th., Y.K., dhe G.M., në vazhdimësi e deri më 07.09.2023, në vende të ndryshme të Prishtinës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrin, kanë organizuar, ndihmuar dhe marrë pjesë në lojëra të fatit-bastore, përmes një faqes së internetit dhe përdorimit të telefonave të mençur.

  • ​Rritet çmimi i naftës

    ​Rritet çmimi i naftës

    Çmimet e naftës u rritën të hënën pas një vendimi të OPEC+ për të vazhduar reduktimet e prodhimit deri në fund të qershorit dhe për të kërkuar një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit.

    Standardi ndërkombëtar i papërpunuar Brent u tregtua me 83.78 dollarë për fuçi në orën 10:53 të mëngjesit me orën lokale, një rritje prej 0.28% nga çmimi i mbylljes prej 83.55 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) tregtohej me 80.09 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, me një rritje prej 0.15% pasi seanca e mëparshme u mbyll me 79.97 dollarë për fuçi.

    Disa prodhues të mëdhenj në grupin OPEC+, përfshirë Arabinë Saudite dhe Rusinë, ranë dakord të zgjasin reduktimet e tyre vullnetare të furnizimit deri në fund të qershorit.

    Arabia Saudite dhe Rusia do të ulin prodhimin ditor përkatësisht me 1 milion fuçi dhe 471 mijë fuçi, ndërsa Iraku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të ulin prodhimin ditor përkatësisht me 220 mijë fuçi dhe 163 mijë fuçi.

    Në fund të qershorit, vendet do të rivlerësojnë reduktimet e tyre të prodhimit dhe mund të ndryshojnë nivelin e prodhimit sipas kushteve të tregut, njoftoi OPEC.

    Ndërkohë, përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike në Detin e Kuq dhe Lindjen e Mesme vazhdojnë të mbështesin çmimet më të larta të naftës, por mundësia e një armëpushimi kufizon rritjen e çmimeve. /Anadolu Agency/

  • ​Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, Osmani: Ku ka NATO, ka paqe

    ​Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, Osmani: Ku ka NATO, ka paqe

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përgëzuar Shqipërinë për hapjen e bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë, duke thënë se kjo shënon hap të rëndësishëm në praninë e Aleancës në Ballkanin Perëndimor.

    Në llogarinë e saj në X, Osmani shtoi se në këtë mënyrë rritet siguria e rajonit.

    “Ku ka NATO, ka paqe dhe stabilitet”, shkruan Osmani.

    Shkrimi i plotë:

    “Hapja e Bazës Taktike Ajrore të NATO-s në Kuçovë, Shqipëri, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së Aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë. Ku ka NATO, ka paqe dhe stabilitet!”